Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka pritur në takim nxënësit e Institutit ATOMI ku ka thënë se shteti duhet të ketë arsimin prioritet mbi prioritetet. Këtë takim, Osmani e ka bërë në ditën e saj të parë të punës si presidente e vendit për çka ka thënë se është shumë më rendësi që të fillojë mandatin duke i treguar botës për mendjet e ndritura që i ka Kosova.
Kryetarja e shtetit ka thënë se nxënësit e Institutit ATOMI e kanë bërë krenar shtetin përmes sukseseve të arritura edhe jashtë Kosovës.
“Është shumë me rëndësi që në këtë zyrë ta fillojmë mandatin tonë duke i treguar jo vetëm Kosovës por gjithë botës për disa nga mendjet më të ndritura që i ka Kosova jonë, fëmijë me dhunti të jashtëzakonshme të cilët na kanë bërë krenar jo vetëm brenda Kosovës por edhe nëpërmjet sukseseve dhe të arriturave të tyre jashtë Kosovës”, tha Osmani.
Sukseset dhe angazhimi i këtyre nxënësve, sipas Osmanit janë mesazh që investimi në arsim duhet të jetë prioritet për shtetin.
“Ky është një mesazh shumë i rëndësishëm për ne që ta bëjmë prioritet mbi prioritetet arsimin. Vetëm një shtet i cili investon në kapitalin e vet njerëzor, në kapitalin e vet human, pra në rininë tonë, në nxënësit tonë, nëpërmjet investimit në arsim, mund të sheh një rrugë të ndritshme përpara ashtu siç po shndritë rruga juaj”, tha Osmani.
E drejtoresha e Institutit ATOMI, Naime Hoxha tha se takimin me presidenten, në ditën e saj të parë të punës, e shohin si shpresë për bashkëpunim e mbështetje për nxënësit.
“Këtë padyshim e shohim si shumë domethënëse dhe shpresëdhënëse dhe si dritë në fund të tunelit prej neglizhencës që i është bërë fushës së arsimit, sidomos nxënësve me inteligjencë më të lartë që siç e përmendët ju janë kapitali njerëzor dhe burimi më i vlefshëm që secila shoqëri duhet ta ketë. Ky takim na jep shpresë dhe kemi besim qe do të mund të vazhdojmë të bashkëpunojmë”, tha ajo.
Para takimit me nxënësit e Institutit ATOMI, presidentja e Kosovës me të marrë detyrën ka pritur në takim xhudistët kampionë të Kosovës./ Gazeta Express/ KultPlus.com