Historia muzikore e kombit shqiptar, përmes 170 instrumenteve popullore

Mbi 170 vegla muzikore popullore të përdorura në territorin shqiptar gjatë shekullit XIX dhe XX, janë ekspozuar në ambientet e Muzeut Historik Kombëtar, në Tiranë.

E titulluar “Midis Shekujsh”, ekspozita e ideuar nga koleksionisti Ermal Sela dhe kuratori Klajd Ymeri, ka zgjuar interesimin e shumë artdashësve, transmeton ATSH. Ermal Sela pohon se pas shumë kohësh që këto vegla muzikore popullore qëndruan në shtëpinë time, vendosa t’i ekspozoj për publikun.

“Kjo ekspozitë erdhi si pasojë e mbi shtatë vitesh mbledhje dhe koleksionim të veglave muzikore popullore. Pasi vazhdonin të flinin në ambientet e shtëpisë time vendosa t’i shfaq për publikun që mund të ketë interes të njohë një trashëgimi të paçmuar të kulturës tonë. Falë mbështetjes së Ministrisë së Kulturës dhe Muzeut Historik Kombëtar sot jam në këtë ekspozitë katër ditore”, tregon koleksionisti Sela gjatë fjalës së mbajtur në hapjen e ekspozitës.

Koleksionisti Sela shtoi se ”fillimisht ka qenë thjesht rastësi duke mbledhur disa vegla muzikore pastaj nisi të kthehet në pasion dhe u gjenda mes kaq shumë veglave. Pastaj nisa t’ju kushtoj vëmendje antikuarëve, lashtësisë, detajeve estetikë dhe të mbledh variante të ndryshme për çdo lloj apo gjini veglash”, vijoi më tej ai.

Koleksioni që prezanton koleksionisti Ermal Sela përmban mbi 170 veglave muzikore popullore, duke treguar përmes tyre historinë muzikore të një kombi. Aty ka vegla membranofone, idiofone, kordofone dhe aerofone. Shumë vegla të këtij koleksioni janë të rralla dhe kanë dalë nga përdorimi. Të gjitha veglat janë pjesë e koleksionit privat të Ermal Selës. Ai ka mbi shtatë vite që mbledh dhe ruan këto vegla. Gjatë kësaj kohe është njohur edhe me shumë artizanë, të cilët vazhdojnë të mbajnë gjallë punimin e veglave popullore muzikore.

Kjo ekspozitë që qëndron e hapur për publikun në mjediset e Muzeut Historik Kombëtar shoqërohet edhe me një katalog, ku në të paraqiten me foto dhe përshkrim të gjitha veglat, që janë prezantuar në ekspozitë.

Në katalog sipas kuratorit Ermal Sela gjenden gjithashtu edhe foto të artizanëve, që vazhdojnë të punojnë edhe sot me vegla muzikore, duke ruajtur traditën ndër vite. Në katalog përfshihen gjithashtu disa bartës me foto dhe artizanë, të cilët vazhdojnë të mbajnë gjallë traditën e punimit të veglave muzikore.

Ekspozita e çelur për artdashësit në 11 nëntor, do të qëndrojë e hapur deri në 15 nëntor./ KultPlus.com