Era Berisha
Veprimtaria kultivuese dhe e vazhdueshme e këndimit koral apo vokal nga Kori i Filharmonisë së Kosovës, mbrëmë erdhi përmes një sërë veprash të kompozitorëve të ndryshëm, duke filluar nga repertori botëror e deri tek repertori shqiptar, ku me inkuadrimin e vokalit nga secili anëtar dhe elementeve koreografike atraktive, ata thyen çdo barrierë të mundshme e cila pasoi në një tërheqje të duartrokitjeve dhe brohoritjeve të cilat përgjatë natës shkatërruan definimin e limiteve, shkruan KultPlus.
Ky koncert portretizoi literaturën muzikore korale duke filluar nga periudha e renesancës e deri tek periudha bashkëkohore që mbrëmë Kori i Filharmonisë interpretoi në një mënyrë të mahnitshme që nga veprat e kompozitorëve botërorë si: Bennett, Rheinberger, Gorecki, Rabe, Gueavara, Van der Roost, whitacare, Spevacek-Avery, Gjeilo, Lawry, Gerlitz dhe Hernandez, për të vazhduar me kompozitorët shqiptar si: Hajrullah Syla që solli veprën premierë të titulluar ‘Dimër’, Kreshnik Aliçkaj që solli një version ndryshe të veprës ‘Siparantum’ si dhe natyrisht vetë dirigjenti Memli Kelmendi me veprën ‘Sa bukur na ka dal nusja’.
Pasi që të pranishmit zunë vendet e tyre duke mbushur komplet karriget në një numër specifik, pasoi qetësia e cila tanimë ishte pothuajse vepër artistike e bashkangjitur e Korit së Filharmonisë, që mbrëmë në Atelienë e Pallatit të Rinisë dhe Sportit, solli një hijeshi të pakrahasueshme ndaj të pranishmëve duke i përqafuar dhe rrethuar komplet ata me vokalin e tyre hyjnor që jehonën dhe ushtimat e tyre kaluan pragun e perfeksionit.
Kësaj radhe, melodia dhe tingujt nuk po vinin nga instrumentet, ndonëse përfshirja e tyre ishte prezente me pianon nën manovrimin e Agron Shujakut, kontrabasi dhe violina nën manovrimin e Visar Kuçit së bashku me interpretimin në violinë të Festim Fanaj, pastaj tamburini nën manovrimin e Diellza Sylejmanit, kastanjeta nën manovrimin e Donjetë Krasniqi, viola nën manovrimin e Arianit Shehu, violonçela nën manovrimin e Antonio Gashi, si dhe fiz-harmonika e interpretuar nga Elton Balla.
Por ajo që mbizotëroi gjatë gjithë kohës ishin vokalet madhështore të sopranove si; Shkurtë Hykaj, Selvije Marteti, Arta Jashari, Kaltrinë Miftari si dhe tenori Safet Berisha, e po ashtu edhe elementet si lëvizjet koreografike, atraksionet e ndryshme të cilat i dhanë publikut një qasje tjetër duke i mbështjellë ata në hipnotizimin e bukur të tingujve që lirshmërinë e tyre e sollën në një frymë të vetme.
Kështu, krejt në fund ky koncert që frymonte nga kontrolli dhe ritmi diversiv i dirigjentit Memli Kelmendi, i cili inkuadroi mënyra të veçanta të interpretimit duke futur tërë Korin nën komandën dhe fuqinë e tij që herë ishte në një nivel skajshmërie të çmendurisë e herë të tjera në një qetësi pothuajse absolute.
Këto dy anë tërësisht të kundërta nga njëra-tjetra ishin dëshmi që Kori i Filharmonisë së Kosovës posedon një talent unik dhe mënyra se si ata këndojnë në një zë të vetëm dhe se si ata lëvizin jo vetëm vokalin por edhe duart, këmbët dhe komplet trupin e tyre në një harmoni të vetme, e fusin shikuesin dhe dëgjuesin në një shtangim shpirtëror duke fiksuar kështu thellësisht atmosferën dhe gjendjen emocionale të publikut dhe jo vetëm. Në një moment kulminacioni vokal afër përfundimi të një vepre edhe një fëmijë nga publiku që po këndonte së bashku me ta e i cili vazhdoi një notë më tepër, futi publikun dhe Korin në një emocion humoristik që solli buzëqeshjen e secilit.
Ndërsa për të na folur më shumë rreth realizimit të këtij koncerti i cili ka qenë i planifikuar për muajin mars, në një prononcim për KultPlus, ka folur drejtori i Filarmonisë së Kosovës, Baki Jashari.
“Ky koncert ka qenë i planifikuar shumë më herët por për shkak të situatës pandemike, koncerti është detyruar që disa herë të shtyhet. Pavarësisht kësaj, programi veçse është përpunuar edhe më mirë dhe është arritur një nivel mjaft i lartë profesional i Korit”, tregon Jashari.
Sipas tij, ky program është posaçërisht i zgjedhur nga dirigjenti Memli Kelmendi, ku tutje ka treguar për përvojën interesante për Korin dhe për mënyrën e punës së veçantë të dirigjentit
“Ky program ishte në tërësi premierë që erdhi nga propozimi i vetë dirigjentit duke zgjedhur vepra mjaft komplekse për interpretimin e Korit të Filharmonisë së Kosovës duke e ditur që Kori ka mundësi më të mëdha se koret amatore për shkak të punës tonë të përditshme dhe besoj nga reagimet e publikut që vërtetë ishte një koncert i suksesshëm”, thotë Jashari.
Kurse, për të folur më shumë rreth provave dhe se si kjo premierë la përshtypje tek ai, për KultPlus foli edhe dirigjenti Memli Kelmendi.
“Disa muaj më parë e morra ftesën nga drejtori i Filharmonisë së Kosovës për të ardhur me një program premierë me plan që koncerti të jetë në dy qytete, pra në Prishtinë dhe në Pejë. Unë i falënderohem shumë Drejtorit dhe institucionit dhe gjithë Korit të Filharmonisë së Kosovës për punën dhe përkushtimin maksimal për të ardhur deri në këtë realizim”, thotë Kelmendi.
Sipas tij, procesi i provave nuk ka qenë i lehtë sepse është dashur të punojnë në prova ndaras që nuk i përket punës së Korit, por ata kanë punuar në bazë të rregullave të pandemisë duke e ngadalësuar shumë procesin e punës.
Për Kelmendin, prezenca dhe interesimi i madh i publikut e bëri atë të ndjehet i kënaqur dhe i gëzuar që sheh një numër të audiencës në sallë sepse sipas tij vërehet që njerëzit i kishte marrë malli për të parë diçka të bukur.
Tutje ai ka treguar që në rolin e dirigjentit ai është munduar të nxjerrë diçka tjetër prej Korit, me ato lëvizje koreografike dhe lirshmërinë e tyre, prandaj kjo ka tingëlluar jashtëzakonisht bukur duke i dhënë një ngjyrë dhe frymë tjetër kësaj çasje pikërisht në këtë kohë kaq të vështirë.
“Unë e përjetova shumë bukur sepse është hera e parë që performoj me Korin e Filharmonisë së Kosovës, është një emocion krejtësisht ndryshe sepse jam shumë mirënjohës ndaj tyre, e po ashtu iu përulem dhe falënderohem ndaj secilit anëtar të Korit dhe shumë të tjerë që kanë dhënë kontribut në realizimin e këtij koncertit”, përfundon Kelmendi.
Ky koncert premierë i Korit të Filharmonisë së Kosovës është realizuar në kuadër të sezonit 2020/2021. Ndërsa, repriza e këtij koncerti do të shfaqet të enjten në Pejë në kishën katolike ‘Shën Katarina’. / KultPlus.com