Artisti Shuk Orani është prezantuar para publikut gjerman dhe ndërkombëtar në Hamburg në temën “Inovacioni përmes artit dhe AI – Si ndikon inteligjenca artificiale në art? Dialog me një avatar”.
Në prezantimin e tij në këtë event të rëndësishëm, artisti Shuk Orani solli në pah lidhjen ndërmjet artit dhe inteligjencës artificiale, duke prezantuar një projekt artistik që solli një avatar të zhvilluar prej tij.
Orani theksoi rëndësinë e progresit në fushën e inteligjencës artificiale, ndërsa gjithashtu u përqëndrua në etikën e përdorimit të kësaj teknologjie në art.
Bashkëbisedimi me avatarin Electra ofroi një platformë për reflektim dhe diskutim mbi ndikimin e inteligjencës artificiale në procesin kreativ, duke paraqitur mundësi të reja për bashkëpunim në të ardhmen.
Në anën tjetër, prezantimi i Matthew Cobham mbi dritën si një mjet për marketingun e artit theksoi rëndësinë e ndriçimit të përshtatshëm për secilën veprë artistike, duke demonstruar veprat e Shuk Oranit përpara publikut me ndriçim të përshtatshëm.
Partneriteti i kompanisë ERCO dhe AIT-ArchitekturSalon Hamburg në organizimin e këtij eventi shfaq një angazhim të rëndësishëm për promovimin e artit dhe teknologjisë në kulturën bashkëkohore.
Kjo ngjarje shënon një hap të rëndësishëm drejt të ardhmes së artit dhe teknologjisë, duke inkurajuar diskutime të thella dhe kontribuojë në zhvillimin e kulturës bashkëkohore./KultPlus.com
“Unë ende e dua softuerin aq shumë sa kur me Paul Allen themeluam Microsoft-in. Por edhe pse është përmirësuar shumë gjatë dekadave që nga ajo kohë, në shumë mënyra softueri është ende goxha budalla”.
Kështu nis një artikull i shkruar me dorën e tij nga Bill Gates, i cili përpiqet të imagjinojë të ardhmen e afërt: një të ardhme, 5 vjet nga tani, e cila sipas manjatit amerikan do të ndryshojë rrënjësisht falë inteligjencës artificiale.
“Në pesë vitet e ardhshme”, shkruan Gates, “nuk do t’ju duhet të përdorni aplikacione të ndryshme për aktivitete të ndryshme”.
“Ju thjesht i tregoni pajisjes tuaj, në gjuhën e përditshme, se çfarë doni të bëni. Dhe në varësi të sasisë së informacionit që zgjidhni të ndani me të, softueri do të jetë në gjendje të përgjigjet personalisht sepse do të ketë një kuptim të pasur të jetës suaj. Në të ardhmen e afërt, çdokush në internet do të jetë në gjendje të ketë një asistent personal të mundësuar nga inteligjenca artificiale që shkon përtej teknologjisë së sotme”.
Nuk është një parashikim kaq i ndryshëm nga të tjerët që, me entuziazmin aktual për AI, po bëjnë shumë ekspertë; dhe Gates dëshiron të lançojë Copilot, asistentin që Microsoft po sjell në botën e Ëindoë)s.
Por Gates e sheh vizionin e tij nga larg.
Edhe që nga vitet ’90 kur, në vitin 1995, themeluesi i Microsoft-it teorizoi idenë e agjentëve, pra softuerit që mund të kryejë shumë detyra të ndryshme bazuar në njohuritë e përdoruesit dhe të ofrojë një përvojë të personalizuar dhe proaktive.
Nëse në vitet 1990 ishte një ide që ishte shumë larg realizimit në praktikë, me zhvillimin aktual dhe shumë të shpejtë të modeleve të mëdha gjuhësore pas chatbot-eve si ChatGpt, vizioni i Gates mund të bëhej vërtet realitet.
Dhe nëse do të ndodhte vërtet, do të ishte vetëm profecia e fundit që do të realizohej për atë që dikush në të kaluarën e quajti Nostradamus i teknologjisë. Por, përpara se të rishikojmë vizionet e miliarderit amerikan, të cilat, me kalimin e viteve, kanë gjetur konkretësi, le të përpiqemi të kuptojmë më mirë sesi sipas tij inteligjenca artificiale do të ndryshojë jetën e të gjithëve./Corriere della Sera / KultPlus.com
Zhvillimi i inteligjencës artificiale është nën një lupë të veçantë në të gjithë botën dhe në Gjermani vendosën të investojnë shuma të mëdha parash për të ruajtur konkurrencën dhe për të mbajtur ritmin me vendet e tjera. Para së gjithash, me SHBA-në dhe Kinën.
Siç raportohet nga Reuters, Ministrja gjermane e Arsimit dhe Kërkimit Bettina Stark-Watzinge raportohet se ka paraqitur plane që përfshijnë një investim prej gati një miliard eurosh në kërkimin e inteligjencës artificiale gjatë dy viteve të ardhshme. Ky është dyfishi i asaj që ishte shpenzuar më parë për kërkime në këtë fushë.
Ndër të tjera, plani është krijimi i 150 laboratorëve të reja universitarë për kërkime të inteligjencës artificiale, zgjerimi i qendrave të të dhënave dhe hapja e grupeve të të dhënave publike për përdorime të reja.
Stark-Watzinger është i bindur se BE-ja, falë bashkëpunimit të ndërsjellë të shteteve anëtare dhe kuadrit rregullator, mund të rivalizojë SHBA-në dhe Kinën. Ajo vuri në dukje se Evropa është më e fokusuar në privatësinë dhe sigurinë personale kur bëhet fjalë për zhvillimin e inteligjencës artificiale dhe për këtë arsye mund të tërheqë më shumë investime private, shkruan Katror.info.
Ne kemi inteligjencë artificiale që është e shpjegueshme, e besueshme dhe transparente, tha ajo. Është një avantazh konkurrues.
Megjithatë, edhe pse një miliard euro duken shumë, sipas të dhënave të Universitetit të Stanfordit, SHBA ka shpenzuar më shumë se 3.3 miliardë dollarë para publike dhe janë bërë 47.4 miliardë investime private shtesë. Duket se Gjermanisë do t’i duhet të investojë më shumë nëse dëshiron të paktën në dukje të mbajë ritmin me SHBA-në./Katror.info /KultPlus.com
Inteligjenca artificiale mund të konstatojë në mënyrë të sigurt imazhet e ekzaminimit të kancerit të gjirit, kështu thuhet në raportin e një studimi suedez.
Ata zbuluan se me ndihmën e kompjuterit inteligjenca artificiale mund të dallojë kancerin në mënyrë të saktë, por shtuan se nevojiteshin më shumë kërkime për të përcaktuar plotësisht nëse mund të përdoret në programet e shqyrtimit.
BBC shkruan se nuk është studimi i parë që shqyrton përdorimin e inteligjencës artificiale për të diagnostikuar kancerin e gjirit në mamografi.
Në hulumtimet e mëparshme, duke përfshirë disa të kryera në Mbretërinë e Bashkuar, teknologjia vlerëson skanimet që tashmë janë parë nga mjekët.
Studimi përfshin mijëra gra të marra nën mbikëqyrje, ku në gjysmën e skanimeve u vlerësuan nga dy radiologë, ndërsa gjysma tjetër u vlerësuan nga mjeti i shqyrtimit i mbështetur nga inteligjenca artificiale.
Në total, 244 gra u zbuluan nga aparatura e mbështetur në inteligjencën artificiale, ndërsa 203 u konstatuan nga aparatura e zakonshme.
Autorja kryesore e studimit doktoresha Kristina Lang tha se inteligjenca artificiale ka potencialin për t’u përdorur në zbulimin e kancerit të gjirit në të ardhmen edhe pse ende nevojiten shumë kërkime. / KultPlus.com
Sistemet e inteligjencës artificiale sugjerojnë fjalë, plotësojnë fjali ose prodhojnë biseda, shkruan focus.it.
Në praktikë, komunikimi njerëzor përzihet gjithnjë e më shumë me gjuhën e krijuar nga IA.
Një studim analizoi aftësinë tonë për të njohur lloje të ndryshme tekstesh të krijuara nga AI të postuara në platformat e takimeve në internet, kërkimit profesional dhe akomodimit për pushime – rezultoi se ne mund të dallojmë nëse një tekst është shkruar nga një person i vërtetë apo nga IA vetëm një herë nga dy.
Në përpjekjen për të njohur një tekst të krijuar nga inteligjenca artificiale, ne nuk mbështetemi te rastësia, por ndjekim disa parametra: kujdesjen ndaj teksteve të shkruara në vetën e parë dhe gramatikisht shumë korrekte, por edhe ndaj një gjuhe tepër familjare dhe informale.
”Fakti është se inteligjenca artificiale trajnohet nga ne dhe për këtë arsye na mashtron. IA mund të krijojë tekste që janë më njerëzore se ato të shkruara nga njerëzit”, nënvizon Jeffrey Hancock, një nga autorët.
Atëherë, si mund të mësojmë të bëjmë dallimin midis teksteve artificiale dhe atyre njerëzore? Sipas studiuesve, një nga opsionet është t’i jepni IA një theks të dallueshëm – pak si ai që ju lejon të dalloni britanikët dhe amerikanët – dhe ndoshta të futni një filigran në tekst, një lloj modeli të përsëritur fjalësh, shkronjat dhe shenjat e pikësimit për lehtësinë e njohjes./ atsh / KultPlus.com
Projektimi nga e para i proteinave që nuk ekzistojnë në natyrë.
Ky është qëllimi i ri revolucionar i arritur falë Inteligjencës Artificiale, veçanërisht me algoritmin RosettaFold Diffusion.
Metoda e re lejon krijimin e shpejtë të molekulave të dobishme në shumë sektorë, nga biomarkerët për të identifikuar ndotësit ose sëmundjet dhe në të ardhmen në realizojnë nanomakinat.
“Është një hap i rëndësishëm përpara në krahasim me atë që kishim mësuar të bënim deri tani”, komentoi Marco Marcia, nga Laboratori Evropian i Biologjisë Molekulare.
”Pak më pak se një vit më parë parashikohej struktura tredimensionale e shumicës së proteinave të çdo organizmi të gjallë, mbi 200 milionë të tilla. Tani kemi shkuar më tej, bëhet e mundur të projektohen proteina të reja, molekula në 3D që nuk ekzistonin deri më tani”, thekson Marcia.
Kjo është bërë e mundur nga një version i ri i RosettaFold, një algoritëm i ngjashëm me AlphaFold, i cili shfrytëzon një lloj tjetër qasjeje bazuar në të ashtuquajturat modele të difuzionit që përdoren për aplikime në gjenerimin e teksteve ose imazheve.
Një nga rezultatet e para të marra nga studiuesit ishte projektimi i një proteine të re të aftë për t’u lidhur me sipërfaqen e një virusi të gripit, por potenciali i kësaj qasjeje të re mund të jetë i madh.
“Natyrisht që do të duhet kohë, por disa gjëra të rëndësishme mund të jenë tashmë të arritshme në një afat të shkurtër. Për shembull krijoni lehtësisht një molekulë të personalizuar për të identifikuar dhe shënuar disa ndotës shumë ‘të pakapshëm’ të pranishëm në ujë ose ajër ose të njohë një virus specifik me teste të thjeshta të pështymës”, shtoi ai.
”Në një të ardhme jo shumë të largët, do të jetë e mundur të mendohet përdorimi i këtyre mjeteve të reja për të krijuar, për shembull, ‘makina’ të vërteta molekulare që ishin të pamundura deri më tani”, përfundon Marcia./ atsh / KultPlus.com
Inteligjenca artificiale arrin të deshifrojë shkrimet antike. Cuneiforma, gjuha me simbole që përdorej që në shekullin IV p.e.s nga babilonezët, persianët e të tjerë popuj, janë forma më e lashtë e shkrimit, por janë shumë të paktë studiuesit në botë që arrijnë ta përkthejnë, dhe për këtë arsye një grup izraelit arkeologësh dhe informaticienësh kanë krijuar një program për këtë qëllim.
Rezultatet e para janë premtuese, por ka ende vend për perfeksionim, pasi projekti konsiderohet mjaft i rëndësishëm drejt dijes, e për të kuptuar më tepër për traditat e lashta të panjohura e të mbetura të panjohura ende sot këto gjurmë të njerëzimit, që janë 3000 vjeçare.
Programi bazohet mbi të ashtuquajturën përkthim automatik neural, i njëjti që përdoret edhe nga Google Translate, që funksionon duke konvertuar fjalët në numra, e më pas i përkthen në gjuhën tjetër me një konstruksion sintaksor më të saktë.
Nga testet e para, ChatGPT ka arritur rezultate të kënaqshme, me një sukses prej 37 në një shkallë prej 100, ndersa Google Translate e ka maksimumin 60 pikë, përtej edhe eksperiencës.
Një ndër vështirësitë e hasura është edhe numri i vogël i teksteve për ushtrimin e IA. Megjithatë grupi i ekspertëve shprehen se projekti konsiderohet i suksesshëm dhe është ende në hapat e para./KultPlus.com
Një grup ekspertësh, përfshirë drejtuesit e OpenAI dhe Google Deepmind, kanë paralajmëruar përmes një deklaratë të përbashkët se inteligjenca artificiale mund të çojë në zhdukjen e njerëzimit.
Dhjetëra ekspertë të kësaj industrie e kanë mbështetur deklaratën e publikuar në faqen e internetit të Qendrës për Sigurinë e Inteligjencës Artificiale.
“Zbutja e rrezikut të zhdukjes nga inteligjenca artificiale duhet të jetë prioritet global, krahas rreziqeve të tjera si pandemitë dhe lufta bërthamore”, thuhet në këtë deklaratë.
Sam Altman, shefi ekzekutiv i OpenAI që krijoi ChatGPT, Demis Hassabis, shefi ekzekutiv i Google DeepMind, dhe Dario Amodei, nga kompania Anthropic, kanë mbështetur këtë deklaratë.
Në mesin e nënshkruesve ishte edhe Geoffrey Hinton, i ashtuquajturi “kumbara i inteligjencës artificiale”. Hinton, krijues i disa nga teknologjive bazë për sistemet e inteligjencës artificiale, kishte paralajmëruar edhe më parë për rreziqet nga inteligjenca artificiale.
Megjithatë, disa ekspertë besojnë se frika që inteligjenca artificiale mund të çojë deri në zhdukjen e njerëzimit është jorealiste.
Shqetësimi i tyre më i madh ka qenë ideja e të ashtuquajturës inteligjencë e përgjithshme artificiale (AGI). Ky koncept përshkruan momentin kur makinat të bëhen të afta të kryejnë funksione të një game të gjerë dhe të mund ta zhvillojnë programimin e tyre vetë.
Frika është se njerëzit nuk do të kenë më kontroll mbi inteligjencën artificiale, gjë që ekspertët kanë paralajmëruar se mund të ketë pasoja të tmerrshme.
Kjo deklaratë e fundit e përbashkët vjen dy muaj pasi miliarderi Elon Musk dhe të tjerë kërkuan një pauzë në zhvillimin e një teknologjie të tillë derisa të verifikohet siguria e saj. /REL
Fotot e Elon Musk duke u puthur me një robot po bëjnë xhiron e internetit.
Themeluesi i kompanive “Tesla” dhe “SpaceX” shihet me disa modele, që “janë robotë të dizajnuar me inteligjencë artificiale, me personalitet dhe karakteristika të gruas që gjithmonë ka ëndërruar”, sipas drejtorit të një firme ndërtimi, David Marven.
Ai shtoi se roboti punon me energji diellore dhe nuk ka nevojë për karikim.
Por, më pas sqaroi se fotot e çuditshme janë bërë duke përdorur inteligjencën artificiale.
“Qëllimi i këtij postimi është për të bërë të qartë rreziqet e inteligjencës artificiale”, shkruan në fund të postimit David Marven. / KultPlus.com
Robotët e pajisur me inteligjencë artificiale (AI) po marrin përsipër gjithnjë e më shumë detyra nga njerëzit. Për çfarë janë të afta makinat njerëzore dhe a do të na zëvendësojnë së shpejti?
Kompania Hanson Robotics me bazë në Hong Kong zhvillon robotë të ngjashëm me njeriun dhe është e njohur për robotikën dhe teknologjinë e AI. Një nga makinat quhet “Profesori Ajnshtajn”, i quajtur sipas fizikantit të famshëm.
Ai synon t’i bëjë njohuritë dhe humorin e Ajnshtajnit të arritshëm për një brez të ri.
Sa më të ngjashëm me njeriun
Për t’i bërë robotët sa më të ngjashëm me njeriun, në procesin e prodhimit përdoret edhe një lëkurë nanoteknologjike e quajtur “frubber”. Kjo synon të krijojë androidë që shfaqin shprehje reale të fytyrës. Në të ardhmen, kompania gjithashtu dëshiron t’u japë robotëve të saj aftësi njerëzore si dashuria dhe dhembshuria.
“Sophia” – Qytetare dhe ambasadore
Kompania ndërton robotë humanoidë që nga viti 2007 dhe pas 10 vitesh bëri një revolucion teknologjik me modelin e saj “Sophia”. “Sophia” është roboti i parë dhe deri tani i vetmi që ka shtetësinë e saj.
Pas prezantimit të saj, Arabia Saudite e bëri androidin qytetar të saj. “Sophia” punon edhe për Kombet e Bashkuara si “Ambasadore e inovacionit”.
Nga pjatalarëse tek udhëtar në hapësirë
Roboti “Beomni” është një robot për të gjitha qëllimet që, sipas prodhuesit të tij në SHBA, Beyond Imagination, mund të përdoret në mënyra të ndryshme: “Beomni” është në gjendje të hapë shishe si dhe të bëjë injeksione dhe prandaj mund të përdoret si në gastronomi edhe në sektorët e mjekësisë.
Madje supozohet se mund të udhëtojë edhe në hapësirë për të ndihmuar për ndërtimin e objekteve hapësinore.
Të fuqizuar nga AI
Robotët humanoidë po zhvillohen edhe në Gjermani: Në vjeshtën e vitit 2022, “Lena” përfundoi një provë në zyrë. Zonja robotike e pajisur me inteligjencë artificiale nga laboratori kërkimor Leap in Time Lab punoi së bashku me kolegët e saj njerëz për tetë javë.
Në fund të fazës së testimit, Lena e kishte zgjeruar fjalorin e saj deri në atë masë sa ishte në gjendje të bënte prezantime.
‘Kumbari i Al’ paralajmëron për rreziqe
Sa më shumë detyra po merr përsipër inteligjenca artificiale, aq më i madh është diskutimi për dimensionin etik të këtij zhvillimi. Geoffrey Hinton, i njohur si “kumbari i AI”, ka frikë nga humbja e kontrollit mbi inteligjencën artificiale dhe paralajmëron për “rreziqe serioze për njerëzimin”.
Shumë shpejt mund të “mos e njohim më atë që është e vërtetë”, thotë ai. Hinton sapo ka dhënë dorëheqjen nga Google për të paralajmëruar përmes leksioneve dhe paraqitjeve në media për rreziqet e AI./DW / KultPlus.com
Ligjvënësit e Bashkimit Evropian u kanë bërë thirrje liderëve botërorë që të mbajnë një samit për të gjetur mënyra se si të kontrollohet zhvillimi i sistemeve të avancuara të inteligjencës artificiale (AI), sikurse ChatGPT, duke thënë se këto sisteme po zhvillohen më shpejt seç pritej.
Dymbëdhjetë ligjvënës evropianë – që punojnë për legjislacionin e BE-së lidhur me teknologjinë – i kanë bërë thirrje presidentit amerikan, Joe Biden, dhe presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, që të thërrasin një takim, duke theksuar se inteligjenca artificiale duhet të jetë më e përgjegjshme.
Kjo deklaratë vjen disa javë pasi pronari i Twitter-it, Elon Musk, dhe mbi 1.000 personalitete të teknologjisë kërkuan një pauzë gjashtëmujore të zhvillimit të sistemeve më të fuqishme sesa sistemi i krijuar nga OpenAI dhe i mbështetur nga Microsoft, ChatGPT, që imiton njerëzit dhe krijon tekste dhe imazhe bazuar në kërkesa.
Në letrën e hapur, që ishte publikuar në mars, paralajmërohej se inteligjenca artificiale mund të përhapë dezinformata në një shkallë të paprecedent dhe makinat mund të “tejkalojnë në numër dhe mund të zëvendësojnë” njerëzit, nëse nuk kontrollohen.
Megjithatë, ligjvënësit evropianë thanë se nuk pajtohen plotësisht me këtë letër të hapur të përfaqësuesve të industrisë së teknologjisë.
“Megjithatë, ne jemi dakord me mesazhin kryesor të letrës: me evolucionin e shpejtë të inteligjencës së fuqishme artificiale. Ne e shohim se ka nevojë për veprim politik”, shtuan ata.
Në letër iu bë thirrje shteteve demokratike dhe “jodemokratike” që të reflektojnë mbi sistemet e mundshme të qeverisjes dhe të ushtrojnë përmbajtje sa i përket dëshirës së tyre për inteligjencës të fuqishme artificiale.
Zëdhënësit e von der Leyen nuk kanë reaguar menjëherë për këtë koment.
Javën e kaluar, rregullatori i Kinës për hapësirën kibernetike paraqiti masa për të menaxhuar shërbimet e inteligjencës artificiale, duke thënë se dëshiron që kompanitë të paraqesin vlerësimet e tyre para autoriteteve para se të lansojnë ofertat e tyre para publikut.
Administrata e presidentit amerikan, Joe Biden, po ashtu ka kërkuar nga publiku mendimin për masat e mundshme ndaj sistemeve të inteligjencës artificiale, teksa janë rritur pyetjet lidhur me ndikimin që mund të ketë inteligjenca artificiale në sigurinë kombëtare dhe edukimin në SHBA.
Para pothuajse dy vjetësh, Komisioni Evropian kishte propozuar disa rregulla për inteligjencës artificiale, sipas të cilave, teknologjia e inteligjencës artificiale do të duhej të klasifikohej në bazë të nivelit të rrezikut. /REL/ KultPlus.com
Një media kuvajtiane ka zbuluar prezantuesen e parë virtuale të lajmeve të krijuar duke përdorur inteligjencën artificiale.
“Fedha” u shfaq në llogarinë në Twitter të faqes së internetit Kuwait News si një imazh i një gruaje, me flokët e saj të çelët, e veshur me një xhaketë të zezë dhe bluzë të bardhë.
“Unë jam Fedha, prezantuesja e parë në Kuvajt që punon me inteligjencën artificiale në Kuwait News. Çfarë lloj lajmesh preferoni? Le të dëgjojmë mendimet tuaja”, u dëgjua duke thënë ajo në gjuhën arabe.
Abdullah Boftain, zëvendës kryeredaktor i botimit dhe faqes së internetit të Kuwait News, tha se në të ardhmen “Fedha” mund të adoptojë theksin kuvajtian dhe të prezantojë buletinet e lajmeve në llogarinë e sajtit në Twitter, shkruan Aljazeera.
“Fedha është një emër popullor, i vjetër kuvajtian që i referohet argjendit, metalit. Ne gjithmonë i imagjinojmë robotët me ngjyrë argjendi dhe metalike, kështu që i kemi kombinuar të dyja”, shtoi Boftain.
Flokët bjonde dhe sytë me ngjyrë të çelur të prezantueses pasqyrojnë popullsinë e larmishme të Kuvajtit dhe emigrantëve të vendit të pasur me naftë, sipas Boftain.
Rritja e shpejtë e inteligjencës artificiale në nivel global ka rritur premtimin e përfitimeve, të tilla si në kujdesin shëndetësor dhe eliminimin e detyrave të zakonshme, por edhe frikën për zëvendësimin e profesioneve të ndryshme. / Express / KultPlus.com
Në vitet 1900, u zhvilluan vizatime dhe shkrime rreth asaj se si do të ishin vitet 2000. Sot ka teori se si do të jetë viti 2050. Një pjesë e caktuar e ekspertëve të teknologjisë mendojnë se pas vitit 2050, inteligjenca artificiale do të skllavërojë njerëzit dhe do të shkaktojë ndryshime klimatike. Megjithatë, ka disa që mendojnë se teknologjia do të bëjë të mundur jetën pas vdekjes.
1. A mund inteligjenca artificiale të skllavërojë njerëzit në të ardhmen?
Teknologjitë e inteligjencës artificiale që po shfaqen sot kanë filluar tashmë të shkaktojnë humbje pune për shumë njerëz. Megjithatë, situata ka mundësi të jetë edhe më e keqe. Georhe Stakov, kreu i DDB EMEA, i cili prodhon inteligjencën artificiale, The Uncreative Agency thotë:
“Njerëzit priren të mbivlerësojnë ndikimin e teknologjive të reja në afat të shkurtër dhe të nënvlerësojnë atë afatgjatë. Ky njihet si Ligji Amara. Aktualisht jemi në kulmin e furisë së inteligjencës artificiale dhe njerëzit janë në panik që punët me jakë të bardhë do të shkatërrohen nga GPT-4 në vitet e ardhshme.”, thotë Georhe Stakov.
Por Stakhov thotë se deri në vitin 2050, inteligjenca artificiale do të ndryshojë “radikalisht” mënyrën se si funksionon bota.
“Ka një të ardhme të errët ku ata që kontrollojnë inteligjencën artificiale do të fitojnë fuqi të madhe dhe 99 për qind e popullsisë do të privohet nga e drejta. Zotëruesit e AI do të kontrollojnë të dhënat e botës dhe do të na kthejnë ne të tjerët në skllevër të tyre. Alternativa është një skenar i ndritshëm i së ardhmes teknologjike, ku të gjithë përfitojnë nga AI përmes kujdesit më të mirë shëndetësor, transportit më të shpejtë dhe më pak ndotje.”, vijon më tej Stakov.
2. Njerëzit do të pajisen me çip
Heather Delaney, themeluesja e Gallium Ventures, një kompani e konsulencës për PR dhe komunikim në Londër, thotë se deri në vitin 2050, shumë njerëz do të kenë një çip të implantuar në trupin e tyre dhe kështu do të përmirësohen.
Këto çipa, të cilët monitorojnë aktivitetet jetike të trupit, do të japin vazhdimisht të dhëna për gjendjen e tyre shëndetësore. Delanay madje ka një çip që i lejon atij të hapë dyert.
“Ndërsa shikoj drejt vitit 2050, pres të shoh rritje në një sërë fushash në teknologji, duke përfshirë bio-hakimin, mënyrën se si njerëzit ndryshojnë disa aspekte biologjike të tyre për të përmirësuar shëndetin, performancën ose mirëqenien e tyre. Me një çip të vendosur në dorën time, unë mund të hap dyert dhe t’i drejtoj njerëzit në faqen e internetit të kompanisë sime, mediat sociale dhe disa shembuj.”, tha Delaney.
3. A mund të jetë realitet një jetë e pavdekshme?
Shefi i Departamentit të Biznesit dhe Informatikës në Universitetin e Ravensbourne, Dr. Ajaz Ali thotë se njerëzit që do të vdesin në të ardhmen mund të shndërrohen në një “binjak dixhital” të funksioneve të tyre me mjete të fuqishme të kapjes së lëvizjes nga inteligjenca artificiale.
“Duke kombinuar inteligjencën artificiale me teknologjitë dixhitale dhe mjetet e kapjes së lëvizjes, ne do të transferojmë ndërgjegjen, njohuritë dhe përvojën tonë te binjakët tanë digjitalë. Duke përdorur mjete të bazuara në NLP që do të jenë shumë më të avancuara se ChatGPT dhe Bard, njerëzit do të jenë në gjendje të ndër veprojnë me këta binjakë digjitalë në kohë reale dhe të përfitojnë nga njohuritë dhe idetë e tyre. Kështu, njerëzit do të jenë në gjendje të vazhdojnë të ndër veprojnë me të afërmit e tyre që tashmë kanë vdekur, por që ekzistojnë në formën e binjakëve digjitalë.”, thotë Dr. Ajaz Ali.
4. Bota mund të jetë pajetueshme
Valët e të nxehtit do të zhvillohen në rajone të nxehta si Azia Jugore, Gjiri Persik dhe Deti i Kuq, ku do të jetë pothuajse e pamundur për njerëzit të mbijetojnë jashtë, me lagështi dhe temperatura të rritura, sipas NASA-s. Kjo do të prekë pjesë të Brazilit dhe Kinës deri në vitin 2070.
E shprehur si “temperatura me llamba të lagura”, ky fenomen i motit i referohet kushteve që e bëjnë të vështirë mbijetesën jashtë me temperatura dhe lagështi të lartë. / a2cnn / KultPlus.com
Inteligjenca artificiale ndihmon në identifikimin e viruseve që rrezikojnë kërcimin e specieve të frikshme nga kafshët te njerëzit, siç është koronavirusi SarsCoV2.
IA e realizon këtë falë një sistemi të mësimit mekanik, që vlerëson gjenomet e viruseve, duke lejuar kështu përpjekje të përqendruara për të monitoruar vetëm ato potencialisht më të rrezikshme.
Rezultati është botuar në revistën Plos Biology nga studiues të Universitetit të Glasgout, transmeton KultPlus.
Identifikimi i zoonozave (sëmundjet që transmetohen nga kafshët te njerëzit) para fillimit të tyre është një detyrë e vështirë, sepse më shumë se 1,6 milionë viruse qarkullojnë në botën e kafshëve dhe vetëm një pakicë e vogël është vërtet e aftë të infektojë qeniet njerëzore.
Për të qenë në gjendje ta identifikojnë atë, studiuesit fillimisht krijuan një bazë të dhënash me 861 lloje virusesh, që i përkisnin 36 familjeve: nga këtu ata filluan të zhvillojnë modele të mësimit të makinerisë.
Modeli që demonstroi performancën më të mirë u përdor më pas për të analizuar gjenomet e tjerë të llojeve të ndryshme virale.
Kështu u zbulua se gjenomet mund të kenë karakteristika të pavarura nga klasifikimi taksonomik dhe që mund t’i bëjë viruset që të përshtaten me njerëzit.
Viruset e etiketuar si të dyshimtë nga inteligjenca artificiale mund të studiohen më hollësisht për t’i karakterizuar më mirë dhe për të filluar zhvillimin e çdo vaksine. / KultPlus.com
Inteligjenca Artificiale mund të tregojë nëse do të bjerë shi në dy orët e ardhshme, sugjerojnë hulumtimet.
Sipas BBC, shkencëtarët në laboratorin AI të Londrës në pronësi të Google DeepMind dhe Universitetin e Exeter bashkëpunuan me “Met Office” për të ndërtuar të ashtuquajturin sistem transmetimi, transmeton KultPlus.
Metodat tradicionale përdorin ekuacione komplekse dhe shpesh parashikohen vetëm për gjashtë orë deri në dy javë.
Sistemi AI mund të bëjë parashikime më të sakta afatshkurtra, përfshirë stuhitë dhe përmbytjet kritike.
Një gjë e tillë vjen në kohën kur ndryshimi i klimës po e bën më të vështirë parashikimin e kushteve të pafavorshme të motit, meqë frekuenca dhe ashpërsia e shiut të madh rritet, gjë që studiuesit besojnë se do të çojë në dëme të konsiderueshme materiale dhe vdekje.
“Moti ekstrem ka pasoja katastrofike, përfshirë humbjen e jetëve dhe, siç sugjerojnë efektet e ndryshimit të klimës, këto lloj ngjarjesh do të bëhen më të zakonshme”, kanë thënë partnerët e “Met Office” dhe kreu i inovacionit të produkteve, Niall Robinson.
“Si e tillë, parashikimet më të mira afatshkurtra të motit mund t’i ndihmojnë njerëzit të qëndrojnë të sigurt”. / KultPlus.com
Jetesa e përshkruar në librin “1984” të George Orwell “mund të ndodhë në 2024”, nëse ligjvënësit nuk e mbrojnë publikun nga inteligjenca artificiale, ka paralajmëruar udhëheqësi i Microsoftit, Brad Smith.
Ai thotë se zhvillimet teknologjike, sidomos në Kinë, mund të jenë kërcënuese të demokracisë pasi që mund të synohet monitorimi i vazhdueshëm i qytetarëve.
“Nëse nuk vendosim ligje që do të mbrojnë publikun në të ardhmen, do të shohim zhvillimin e teknologjisë dhe do jetë shumë e vështirë për t’u kontrolluar”, ka thënë ai për BBC.
“Më kujtohen vazhdimisht mësimet e George Orwell në librin e tij. Ju e dini historinë, ishte për një qeveri që mund të shihte dhe dëgjonte gjithçka që bënin të tjerët gjatë tërë kohës. Kjo nuk ndodhi në 1984, por nëse nuk jemi të kujdesshëm, mund të ndodhë në 2024”.
Sipas hulumtimit nga kompania Comparitech, 54 për qind apo 770 milionë kamera janë të vendosura në Kinë. / KultPlus.com
Inteligjenca artificiale do të lejojë të dëmtuarit në shikim dhe të verbrit të vrapojnë në mënyrë të pavarur.
Sistemi është duke u testuar nga kompania Google dhe do të drejtojë përdoruesin përmes një aplikacioni në smartphone përmes një pajisjeje që mund të shndërrohet në një lloj syri dhe veshi që drejton rrugëtimin.
Për të përdorur sistemin, vrapuesi duhet të lidhë një telefon Android me një ”parzmore” të dizajnuar nga Google që vendoset rreth belit.
Aplikacioni ‘’Project Guideline’’ do të përdorë kamerën e telefonit për të ndjekur rrugën.
Aplikacioni do të dërgojë sinjale audio tek kufjet kur një vrapues devijon nga rruga e vendosur në program, ku tingulli do të bëhet më i fortë.
Aplikacioni nuk kërkon një lidhje në internet duke marrë parasysh një larmi të motit dhe kushteve të ndriçimit/ANSA./ KultPlus.com