Ylli i muzikë pop Bieber, e ka publikuar videoklipin e këngës së tij të fundit “Intentions”, e cila e përfshinë edhe reperin Quavo. Por ky projekt vjen pak më ndryshe dhe më i veçantë.
Klipi e paraqet historinë e tri femrave të mbështetura nga “Alexandria House”, një strehimore për femra me bazë në Los Angeles, transmeton Koha.net.
Justin dhe Quavo, po ashtu përfshihen në videoklipin e ri të këngës, ku në një moment e shohim këngëtarin kanadez Bieber, duke ia dhuruar një veturë njërës prej protagonisteve të këtij projekti.
Ndërkaq në fund të videoklipit shfaqet një mesazh, i cili i bënë thirrje publikut të dhurojnë të holla për një fondacion bamirës të themeluar nga dyshja, Justin dhe Quavo, të cilët tashmë kanë kontribuar me 200.000 dollarë për këtë kauzë.
Këngëtari 25-vjeçar, Bieber, vjetëve të fundit ka postuar mesazhe të shumta në rrjetet sociale, ku ka treguar për betejën e tij me depresionin, drogat dhe famën, ndërsa detajet rreth sfidave të jetës së tij, ai i ndau me publikun përmes dokumentarit disa pjesësh të publikuar në YouTube, “Justin Bieber: Seasons”.
Kënga “Intentions” është pjesë e albumit të ardhshëm të Bieberit, “Changes”, i cili do të dal në shitje më 14 shkurt dhe do të përcillet me një turne të pop këngëtarit nëpër Amerikën Veriore. Po ashtu, Justin dhe Quavo, e interpretuan hitin e tyre të ri këtë fundjavë në emisionin “Saturday Night Live”.