Inva Mula, Genc Tukiçi dhe Olen Cesari, koncert në kalanë e Porto Palermos

3 artistë nga më të njohurit e skenës shqiptare e botërore, performuan mbrëmjen e së dielës në kalanë e Porto Palermos.

Inva Mula, Genc Tukiçi e Olen Cesari ishin artistët që sollën koncertin e titulluar “The paths of love” (Shtigjet e dashurisë), në kuadër të Porto Palermo Festival.

Publiku duartrokiti gjatë dhe këndoi bashkë me artistët e mëdhenj.

Më herët pjesë e këtij edicioni të katërt të Porto Palermo Festival, u bënë artistët Marsela Çibukaj, Vitmar Basha, pop-artisti i mirënjohur Matthew Marston, i cili performoi nën shoqërinë e bass-istit shqiptar Ron Gjura, bateristit italian Stefano Corrias. Të gjithë artistët janë shoqëruar edhe prej ideatorit të këtij festivali, violinistit Olen Cesari.

Shumë prej artistëve, rikthehen për të disatën herë në PPF.

Edicioni i katërt i PPF nisi me një thirrje domethënëse të artit për mjedisin.

Olen Cesari bëri bashkë studentë dhe pedagogë, organiziata, grupe vullnetare, biznese por edhe pushuesit e plazhit të Porto Palermos që iu përgjigjën mesazhit “Preseving Our Sea 2” me shumë përkushtim, për të na kujtuar se plazhet, objektet e trashëgimisë historike e kulturore duhet t’i mbrojmë me përgjegjësi qytetare./atsh/ KultPlus.com

Sopranoja Inva Mula nderohet me titullin ‘Ambasadore e Paqes’

Sopranoja shqiptare Inva Mula është nderuar me titullin ‘Ambasadore e Paqes’ nga Koalicioni “Gratë, siguria dhe paqja”. Në fjalën e rastit, sopranoja e njohur që ka shënuar sukses edhe në skenën ndërkombëtare, ajo dha një mesazh për forcën e rolin e gruas.

“Gjithë jetën kam udhëtuar në teatrot më të mëdhenj të botës dhe kam pasur kontakt me nivele të ndryshëm të shoqërisë dhe kam pasur kontakte, me mbretër, presidentë, njerëz të thjeshtë, fëmijë dhe gra që kanë parë te unë një model. Dhe unë jam përpjekur dhe përpiqem që këtë model ta jap jo me Invën që shohim në skenë, me fustanet e bukura e me make up, por me Invën e thjeshtë që është nënë, që edukon dy fëmijë dhe që mundohet të jetë në radhë të parë shembull për fëmijët e vet”, tha Mula.

Sopranoja foli edhe për familjen si gjenezë e modeleve që japim në shoqëri.

“Unë përpiqem ta edukoj djalin që të trajtojë vajzën që ka në krah ose gruan që do ketë nesër, siç do të donte ai që të tjerët të trajtonin nënën e tij. Modelet nisin aty, unë e di që nuk është e lehtë, pozicioni i gruas shqiptarë është një pozicion që do shumë punë për ta vendosur gruan aty ku duhet”, tha Mula.

Ndërsa u nderua me një titull që nxit pikërisht përmirësimin e gruas në shoqëri, mesazhet e saj e vunë thelbin te familja. Ndërsa citoi Nënë Terezën, Mula tha se paqja e siguria nis me familjen./balkanweb/ KultPlus.com