Investimi 1 miliard dollarë i dhëndrit të Trump në Sazan, Rama flet për herë të parë: Ishulli kthehet në një xhevahir të kurorës së artë të turizmit në Mesdhe

Kryeministri Edi Rama ka folur sot për herë të parë edhe mbi projektin e paraqitur nga dhëndri i ish-Presidentit Trump lidhur me investimin e rreth 1 miliardë dollarë në ishullin e Sazanit dhe në Zvërnec.

Rama tha se ishulli ku do të investojë një nga firmat më prestigjoze të hotelerisë në botë, kthehet në një xhevahir i kurorës së artë të turizmit në Mesdhe.

Edi Rama: Këto ditë Jared Kushner, një sipërmarrës i madh amerikan dhe dhëndri i ish-Presidentit Trump shpalli publikisht ambicien për të investuar në dy sipërmarrje të mëdha në Shqipëri. Po ata që deri dje na tregonin Malin e Zi dhe Maqedoninë si shembuj të paarritshëm për zhvillimet në turizëm dhe investimet e huaja direkte, sot flasin për rrezikun që i kanoset Sazanit nga kthimi në një xhevahir i kurorës së artë të turizmit në Mesdhe. Delirojnë për rrezikun e shkatërrimit të një parku kombëtar imagjinar, të një zone të mbrojtur që e mbrojtur nuk ka qenë kurrë përveçse nga ushtarët e Enver Hoxhës që prisnin me dylbi zbarkimin e flotës së shtatë amerikane në Shqipëri dhe zbulojnë pastaj me rregull treshi se si doli në dritë arsyeja e errët për ndryshimet në ligjin e zonave të mbrojtura. Hija e ish-Presidentit amerikan dhe frika provinciale në fakt nga zemërimi i tij, ju kujtohet si thoshin atëherë për mua kur u zgjodh, po ja ku jam këtu sot, i pengon ata më gojështhururit që t’i bashkëngjiten këtyre zërave dhe të shohin rrufetë e akuzave dhe të shpifjeve në këtë rast, për mua djalin e paudhë që doli nga thesi i parave të Soros që kam hyrë në një mega aferë korruptive për djalin për shpirt të armikut më të betuar të Soros.

E vërteta që ka rëndësi në këtë mes nuk është se sa pa lidhje janë këto alarme për rrezikun që i kanoset natyrës shqiptare nga ndryshimet e ligjit të zonave të mbrojtura apo nga zbarkimi në Sazan i firmës më prestigjoze të hotelerisë në botë, e cila ka ndërtuar një dyzinë strukturash në zonat përrallore të UNESCO-s, në Azi dhe Lindjen e Mesme. E vërteta që ka rëndësi në këtë mes është që Shqipëria kampione e turizmit në rajon në 2030 nuk është një slogan për të ushqyer iluzionin e një të nesërme të ndritur, por një projekt gjeopolitik dhe ekonomik që po formësohet me plane dhe masa konkrete që krijojnë hapësirën e mundur për këtë zhvillim historik./topchanel/KultPlus.com

Investimi në agroturizëm dhe ekoturizëm, mbështetje turizmit të qëndrueshëm

Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural po bashkëpunon fort me agjencitë ndërkombëtare në mbështetje të komuniteteve dhe ekonomive lokale, duke investuar për të ndërtuar më shumë mundësi turistike të qëndrueshme, që kanë prioritet mjedisin, neutralitetin klimatik, vendet e punës dhe agroturizmin.

Në bashkëpunim me një projekt të USAID/Albania në Dibër, për një periudhë 3- vjeçare u zhvilluan një sërë veprimtarisht me fokus krijimin e shtigjeve, promovimin e traditës si mundësi për zhvillimin e turizmit të qëndrueshëm në rajonin malor të Dibrës dhe fuqizimin e ekonomisë.

Për turistët që kërkojnë të dalin nga shtegu i rrahur me një çmim të volitshëm, Shqipëria – në veri të Greqisë, krenohet me vija bregdetare verbuese, male mahnitëse dhe një histori të pasur.

Në këtë drejtim, duke punuar me ekspertët e linjës, projekti u fokusua në rritjen e agroturizmit dhe ekoturizmit duke trajnuar guida turistike, duke zhvilluar shtigje ecjeje, duke ndihmuar bujtinat dhe duke mbështetur ngritjen e një qendre informacioni turistik për të promovuar aktivitetet turistike.

Duke punuar ngushtë me bujtinat, guidat turistike dhe sipërmarrësit vendas, projekti jo vetëm që përmirësoi infrastrukturën ekzistuese të agroturizmit, por gjithashtu ndezi ide të reja brenda komunitetit të biznesit lokal. Për shembull, ekipi i projektit dhe partnerët e tij ndihmuan në promovimin e tetë festivaleve lokale, të cilat tërhoqën rreth 20,000 vizitorë çdo vit, si një mënyrë për të promovuar turizmin në Dibër.

Gjatë tre viteve të projektit, më shumë se 1500 turistë vizituan qendrën e sapokrijuar të informacionit turistik. Në partneritet me Bashkinë Dibër, qendra vazhdon të luajë një rol kyç në asistimin e numrit në rritje të vizitorëve në rajon. Në përgjithësi, projekti ka inkurajuar rritjen ekonomike dhe sipërmarrjen, ndërkohë që ka kontribuar në zhvillimin e turizmit të qëndrueshëm në rajon./atsh/KultPlus.com