Organizata ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, “Amnesty International”, tha se katër nga pesë shtetet që ekzekutuan më së shumti të dënuar gjatë vitit 2020 janë nga Lindja e Mesme.
Sipas raportit të kësaj organizate, Irani, Egjipti, Iraku dhe Arabia Saudite përbëjnë 88 për qind të 483 ekzekutimeve të raportuara në mbarë botën, shkruan BBC, transmeton Gazeta Express.
Në vendin e parë për më së shumti ekzekutime vitin e kaluar është bindshëm Irani me mbi 240 të ekzekutuar. Në vendin e dytë është Egjipti me mbi 100 persona të ekzekutuar, ndërsa Iraku është i treti me mbi 40 të ekzekutuar.
Organizata e njohur i akuzoi këto vende për “këmbëngulje të pamëshirshme dhe të frikshme” për dënimin e rëndë, kur shumica e botës është e përqendruar në shpëtimin e jetës së njerëzve nga një virus vdekjeprurës.
Sidoqoftë, numri i përgjithshëm botëror i njerëzve të ekzekutuar nga autoritetet shtetërore ishte më i vogli në dhjetë vitet e fundit, por në këtë shifër nuk është përfshirë Kina.
Besohet se autoritetet kineze ekzekutojnë mijëra njerëz çdo vit, por të dhënat rreth rasteve të tilla përbëjnë sekret shtetëror në vendin komunist. E pamundur që të vërtetohen shifrat e ekzekutimeve ishte edhe në Vietnam dhe Korenë Veriore, sepse të dhënat nuk publikohen.
Shifra prej 483 ekzekutimeve në 18 shtete gjatë vitit 2020 përbën rënie prej 26 për qind në krahasim me 657 ekzekutimet e kryera në vitin 2019 dhe rënie prej 70 për qind nga kulmi prej 1.634 ekzekutimeve që u raportuan në vitin 2015./ KultPlus.com