Murali me Marge Simpson sërish pranë Konsullatës iraniane në Milano

Murali me personazhin nga seriali vizatimor Simpsonët (The Simpsons), Marge Simpson, duke prerë flokët e saj në shenjë solidariteti me gratë iraniane, është shfaqur sërish në murin para Konsullatës së Përgjithshme të Teheranit në Milano, më pak se një muaj pasi ai hoq nga “agjentë të panjohur”.

Artisti italian Alexsandro Palombo tha për Radio Farda se vepra e re quhet “Prerja 2” dhe është projektuar dhe pikturuar pasi “Prerja 1” u hoq nga muri jashtë Konsullatës së Përgjithshme më pak se 24 orë pasi u krijua. Të dy muralet tregojnë Marge duke prerë flokët e saj, por në muralin e dytë duket më e zemëruar, duke treguar gishtin e mesit.

“Çdo veprim ka një reagim dhe kjo pikturë e dytë ishte reagimi im”, tha artisti nga Milano.

“Irani është një vend që më ka frymëzuar gjithmonë për shkak të bukurisë së tij të jashtëzakonshme dhe është e papranueshme për mua të shoh iranianët duke u shtypur kështu. Liria e këtyre të rinjve është liria ime”, shtoi ai.

Gratë që presin flokët e tyre janë bërë simbol i protestave që kanë kapluar Iranin që nga vdekja e 22-vjeçares Mahsa Amini, më 16 shtator, derisa ishte në mbajtje të policisë. Shumë gra – duke përfshirë gra të famshme dhe feministe në mbarë botën – kanë prerë fijet e flokëve në shenjë solidariteti me protestuesit në Iran.

Ky akt është simbol i fuqishëm sepse përmendet në Shahname, një epikë 1000-vjeçare iraniane dhe një nga themelet kryesore kulturore të Iranit. Libri është një nga veprat më të rëndësishme letrare në gjuhën perse. Sipas kësaj vepre epike, gratë presin flokët në shenjë zie.

Palombo tha se nuk e dinte se kush e hoqi muralin e parë, por kur u zbulua e dyta, anëtarët e Konsullatës së Përgjithshme të Teheranit në Milano, dolën dhe u përpoqën të pengonin fotografët ta dokumentonin atë.

“Sjellja e tyre nuk ishte aspak miqësore”, thekoi ai.

“Arti e frikëson regjimin (e Republikës Islamike), por qyteti i Milanos është në një vend demokratik dhe ne nuk do të lejojmë askënd të na trembë. Kjo është pikërisht ajo që u përpoqa t’u kujtoja atyre”, tha Palombo.

Në një intervistë për Radio Farda, artisti italian tha se gjyshërit e tij u vranë gjatë diktaturës italiane dhe se protestuesit iranianë duhet të jenë të fortë.

“Herët a vonë ky regjim do të bjerë dhe guximi juaj do t’ju nxjerrë në dritën e diellit”, theksoi ai./REL/ KultPlus.com

Më 12 tetor mbahet protesta në Prishtinë për të drejtat e grave në Iran

Më 12 tetor nga ora 12:00, në Prishtinë do të protestohet për t’u solidarizuar me gratë në Iran, të cilat janë revoltuar për të drejtat e tyre përballë pushtetit atje.

Kjo iniciativë është ndërmarrë nga organizata joqeveritare ‘Youth Initiative for Human Rights – Kosovo” (YIHR KS).

“Në solidaritet me gratë në Iran, po mblidhemi në sheshin Skenderbeu këtë të mërkurë, më 12 tetor, në orën 12:00. Policia e moralit në Teheran vrau Mahsa Amini, 22-vjeçare, për shkak të mosmbajtjes së duhur të shamisë. Pas kësaj ngjarje, protestat u përhapën në të gjithë vendin. Më shumë vajza dhe gra të reja janë rrahur, zhdukur dhe vrarë në Iran. Duke protestuar për një akt të tillë dhune ndaj grave, komunitetet në mbarë botën po bashkohen për të dënuar akte të tilla mizore dhune dhe njëkohësisht për tu solidarizuar e protestueses në Iran për liri”, thuhet në njoftim.

YIHR ka deklaruar se të drejtat e grave janë të drejta të njeriut.

“Të drejtat e grave iraniane janë të drejta të njeriut. Ne nuk jemi të lirë derisa çdo i/e fundit prej nesh të jetë i/e lirë nga dhuna. Prandaj, ju ftojmë të gjithëve të bashkoheni në tubimin tonë dhe të tregojmë mbështetjen dhe solidaritetin tonë për gratë në Iran. Sillni pankartat, tërbimin, solidaritetin dhe fuqinë tuaj për të qëndruar së bashku për gratë, për jetën dhe për lirinë.  Ne gjithashtu do të kemi ‘Tryezën e Kutisë së Flokëve’ ku ju mund t’i prisni flokët si shenjë rezistence. Gratë iraniane e filluan këtë formë rezistence si një mjet për të protestuar ndaj autoritarizmit dhe për të festuar autonominë dhe lirinë mbi trupin e tyre. Bashkohuni me ne këtë të mërkurë. Së bashku qëndrojmë me gratë në Iran”, thuhet në fund të njoftimit. / KultPlus.com

10 shpikjet që ndodhën në Iran

Irani sot është vatër krizash në botë dhe një fuqi në Lindjen e Mesme. Ky shtet në fakt është edhe vatër e shumë zbulimeve të mëdha që sot aplikohen në gjithë botën.


Nga algjebra, posta, shahu, kitara e shumë çka tjetër.

Më poshtë po listojmë 10 zbulime që ndodhën në Iran apo nga iranianët:

Të drejtat e njeriut

Cilindri i Cyrus është i njohur historikisht si karta e parë universale në botë e të drejtave të njeriut. Krijuar në 534 pes, Cilindri i Cyrusit është i ndërtuar prej balte. U zbulua në Babiloni në vitin 1879 dhe tani mbahet në Muzeun Britanik në Londër.

Shërbimi Postar

‘Chapar Khane’ është një term persian për sistemin e parë të shërbimit postar të përdorur gjatë Perandorisë Akhemenid. Ajo u krijua nga Kiri i Madh dhe më vonë u zhvillua më tej nga Darius i Madh si një metodë e komunikimit në të gjithë tokat Persiane. Sistemi përbëhej nga një seri stacionesh përgjatë një autostrade në të gjithë perandorinë, ku ‘Chapars’ do të hipnin mbi kalë, duke dërguar posten nga një pjesë e mbretërisë në tjetrën.

Frigoriferi

Në vitin 400 pes, Persianët e lashtë krijuan frigoriferin e parë në botë. Fjala Persiane për frigorifer – Yakhchal – përkthehet si gropë akulli, që është pak a shumë fillimk i frigoriferit i ditëve moderne. Struktura origjinale kishte një formë kupolë disi si një mal i vogël, dhe përdoret për të ruajtur kryesisht akull por edhe nganjëherë sende ushqimore.

Algjebra

Muhamed ibën Musa al-Khwarazmi ishte një dijetar persian (750-850 pas Krishtit) në Bagdad. Puna e tij përfshiu fushat e matematikës, astronomisë dhe gjeografisë gjatë kalifatit abasid. Sot, ai njihet më së miri për metodën përmes së cilës ai mësoi algjebrën si një shkencë e pavarur. Për këtë arsye, ai është njihet si babai themelues i algjebrës.

Acidi sulfurik

Zakariya Razi (865-925 pas Krishtit) ishte një studiues pionier iranian që zbuloi alkoolin dhe acidin sulfurik. Në ditët e sotme, acidi sulfurik ka një gamë të gjerë përdorimesh dhe aplikimesh.

Shahu

Megjithëse ekzistojne debate në lidhje me faktin nëse loja e shahut e ka origjinën nga India apo Persia, shkrimet më të hershme ku permendet kjo lojë i perkasin letërsisë iraniane. Pjesët më të vjetra të shahut që mbijetuan erdhën nga trojet Persiane,duke e përforcuar kështu këtë besim.

Kitara

Versioni më i hershëm i kitarës së kohëve moderne ekziston si një formë e lahutës- një instrument prej druri, mbi të cilin vendoseshin disa tela për të prodhuar muzikë.

Feja e parë monoteiste

Zoroastrianismi konsiderohet të jetë feja më e vjetër monoteiste në botë, e themeluar nga profeti Zarathustra rreth 3.500 vjet më parë në qytetin e Jezdit. Vlerësimet sugjerojnë se kjo fe, ka sot rreth 190,000 besimtarë në mbarë botën.

Qanat

Qanat është një sistem i menaxhimit të ujit i përdorur në ujitje. Qanati më i vjetër i njohur është në qytetin Gonabad në Iran, i cili pas 2,700 vjetësh akoma arrin të sigurojë ujë të pijshëm për njerëzit.

Zbulime të rëndësishme në mjekësinë moderne

Ibn Sina ose Abu Ali Sina konsiderohet të jetë një nga mjekët, astronomët dhe mendimtarët më domethënës të epokës së artë islamike .Ai ka prodhuar vepra të famshme si:’ Libri i shërimit ’dhe‘ Kanuni i Mjekësisë ’, një enciklopedi e mjekësisë./KultPlus.com


Rrezeart Galica fut Kosovën në mesin e 29 shteteve pjesëmarrëse në ekspozitën e Rene Wanner në Iran

Sot në Bukhara Gallery, në qytetin Mashhad të Iranit, hapet ekspozita kolektive e shumë artistëve ku ndër ta është edhe dizejneri kosovar Rrezeart Galica, shkruan KultPlus.

Kjo është ekspozitë komemorative e Rene Wanner, që organizohet nga “Union of Designers”. Rrezeart Galica, do të marrë pjesë me posterin e tij kushtuar Rene Wanner dhe do ta prezantojë Kosovën në mesin e 29 shteteve pjesëmarrëse./ KultPlus.com

Regjisori kosovar sjellë film për vendin ku ndalohet liria e fjalës (FOTO)

“‘Lugina e lumtur’ mund të them që do të jetë një film i suksesshëm. Premiera e tij në Winterthur, shënon rastin për të folur më shumë për mundësitë e pakufizuara dhe pa kufij që ofron kinemaja”, pohoi Maxhuni.

Sarandë Selimi

Fisnik Maxhuni është regjisori me prejardhje nga Kosova, i cili karrierën e tij po e ndërton jashtë kufijve shqipfolës por duke mos lënë anash prejardhjen ku prekë tema të ndjeshme nga Kosova në filmat e tij. Kësisoj ishte filmi i cili pati një rrugëtim goxha të suksesshëm nëpër festivale të ndryshme ndërkombëtare e që ishte bërë pikërisht për Kosovën, në Kosovë e me kastë aktorësh nga Kosova ‘Lost Exile’, shkruan KultPlus.

Pas Kosovës, Fisniku udhëton në Iran. Ai bashkë me producentin Benoît Goncerut, po sjellin filmin e radhës me titullin ‘La Vallée Heureuse’ apo në shqip ‘Lugina e lumtur’, me skenar të Fisnik Maxhunit i cili premierën e tij botërore do ta ketë në Winterthur Kurzfilmtage, në Zvicër më 9 nëntor.

Në lidhje me filmin e ri, Fisnik Maxhuni, shpalosi detaje në një rrëfim ekskluzivisht për KultPlus.

‘Lugina e lumtur’ tregon një përrallë universale në Iranin bashkëkohorë.

“Xhirimet e filmit kanë zgjatë rreth 20 ditë, në vende si Teheran, Siahkal dhe në qytetet kufitare të Detit Kaspik. Unë e bëra këtë film në këtë rajon që ende mbetet një mister për shumë njerëz”, tha për KultPlus regjisori Fisnik Maxhuni.

Fisnik Maxhuni bashkë me produksionin Visceral Film, morën rrugën sfiduese për të bërë këtë film në Iran, një vend që është i njohur për mjedisin e tij të vështirë kur është fjala për filmim, lirinë e fjalës dhe liritë artistike.

“ ‘Lugina e lumtur’ mund të them që do të jetë një film i suksesshëm. Premiera e tij në Winterthur, shënon rastin për të folur më shumë për mundësitë e pakufizuara dhe pa kufij që ofron kinemaja”, pohoi Maxhuni.

‘La Vallee Heureuse’, premierën do ta ketë në Winterthur Kurzfilmtage më 9 nëntor me fillim nga ora 22:00 në Kazino 1. Të pranishëm në premierë do të jenë regjisori, producenti, kompozitori…, të cilët do të jenë në dispozicion jo vetëm gjatë festivalit por gjatë gjithë kohës të flasin më shumë rreth këtij krijimi të ri kinematografik nga një shqiptar për botën./ KultPlus.com