Irani përjashtohet nga komisioni i OKB-së për të drejtat e grave

Shtetet anëtare të Kombeve të Bashkuara e kanë hequr Iranin nga një grup kyç i OKB-së për të drejtat e grave disa muaj pasi u bashkua me të.

Kjo vjen ndërsa Irani përballet nga një valë protestash të vazhdueshme shkaktuar nga vdekja e një vajze të re në paraburgim që u arrestua se e mbante hixhabin “në mënyrë të pahijshme”.

Njëzet e nëntë anëtarë të Këshillit Ekonomik dhe Social të OKB-së votuan të mërkurën në favor të një rezolute të propozuar nga Shtetet e Bashkuara për të “hequr me efekt të menjëhershëm Republikën Islamike të Iranit nga Komisioni për Statusin e Grave për pjesën e mbetur të tij 2022-2026.”

Tetë shtete anëtare votuan kundër rezolutës dhe 16 abstenuan. Duke iu drejtuar këshillit të mërkurën, ambasadorja e SHBA-së në OKB, Linda Thomas-Greenfield u shpreh se “gratë dhe aktivistët kanë bërë apel tek ne, Kombet e Bashkuara, për mbështetje”, raporton CNN.

“Ata na e bënë kërkesën e tyre me zë të lartë dhe të qartë: largoni Iranin nga Komisioni për Statusin e Grave. Arsyeja është e qartë. Komisioni është organi kryesor i OKB-së për promovimin e barazisë gjinore dhe fuqizimin e grave. Ajo nuk mund të bëjë punën e saj të rëndësishme nëse është duke u minuar nga brenda.

Anëtarësimi i Iranit në këtë moment është një njollë e shëmtuar në besueshmërinë e Komisionit,” shtoi Thomas-Greenfield. Irani e dënoi rezolutën e SHBA-së, duke e quajtur atë një “kërkesë të paligjshme” dhe tha se ajo dobëson sundimin e ligjit në Kombet e Bashkuara.

Ambasadori dhe përfaqësuesi i përhershëm i Iranit në Kombet e Bashkuara, Amir Saeed Irvani, tha se rezoluta për të hequr Iranin ishte ndërtuar mbi “pretendime të pabaza dhe argumente të sajuara duke përdorur narrativa të rreme”, sipas agjencisë shtetërore të lajmeve IRNA të mërkurën.

Irani sapo kishte filluar mandatin e tij katërvjeçar në Komisionin 45 anëtarësh për Statusin e Grave – i cili u krijua për të mbrojtur barazinë gjinore globalisht – pasi u zgjodh në këtë organ në prill.Në muajt e fundit, vendi është kapluar nga protesta masive të shkaktuara nga vdekja e 22-vjeçares Mahsa Amini, e cila vdiq pasi u ndalua në Teheran nga një njësi policore që zbaton kode të rrepta veshjeje për gratë. /abcnews.al/ KultPlus.com

“Bella Ciao”, një ode për lirinë e kënduar nga Irani në Ukrainë

Nga Ukraina në Kili, nga Hong Kongu apo tani në Iran, protestuesit anembanë botës po mblidhen duke kënduar tekstin zemërthyes të “Bella Ciao!”, një këngë tradicionale italiane që është kthyer tashmë në një odë për lirinë.

Gratë kurde në Turqi dhe emigrantët iranianë në Paris e kanë kënduar këngën ditët e fundit në shenjë solidariteti me iranianët që protestojnë për vdekjen e të resë Mahsa Amini, pasi ajo u arrestua nga Policia iraniane e Moralit për shkelje të kodit të rreptë të veshjes së Republikës Islamike.

Himni u bë simbol i protestave kur një video u bë virale. Ajo e një këngëtareje me kokën e zbuluar, në kundërshtim me hixhabin e detyrueshëm, duke performuar një version të ngadaltë në persisht.

Por, ajo është përdor më parë për dekada nga protestuesit nga Nju Jorku në Hong Kong, deri në Luftën e Dytë Botërore kur u bë himni jozyrtar i luftëtarëve antifashistë.

Sipas Carlo Pestelli, autor i librit “Bella Ciao: Kënga e Lirisë”, nuk ka asnjë provë që të jetë kënduar ndonjëherë nga partizanët italianë.

Historia e saj shkon shumë më tej, në këngët e shekullit XIX, nga Italia Veriore plot pasion dhe dashuri të zhgënjyer.

“Është e vështirë të përcaktohet saktësisht origjina e saj”, tha Carlo Pestelli duke vënë në dukje se vetë muzika ka burime të ndryshme.

Teksti i paqartë, që evokon një pushtues anonim dhe nderin e vdekjes për liri – e kanë bërë që atëherë një simbol solidariteti për shumë kauza.

“Nuk ishte një këngë komuniste, por një manifestim për lirinë… përfaqëson vlera apolitike që të gjithë mund t’i kuptojnë dhe ndajnë”, detajon Pestelli.

”Është gjithashtu një këngë e lehtë për t’u kënduar”, shton ai.

– Një rezonancë globale –

Popullariteti i “Bella Ciao” është ushqyer nga emra të mëdhenj të muzikës, përfshirë yllin francez me origjinë italiane, Yves Montand, dhe së fundmi, përfshirja e tij në serialin hit të Netflix “La casa de papel”.

Dhe mund të dëgjohet kudo ku mblidhen turmat.

Ukrainasit e kënduan atë këtë vit përballë forcave ruse që pushtuan vendin, ishte kolona zanore e protestuesve që kërcenin në Tripoli, një këngë nga tifozët anglezë të futbollit dhe një thirrje për veprim nga aktivistët e klimës në Sidnej në Bruksel.

Në Itali, “Bella Ciao” është një himn kombëtar jozyrtar, i cili u këndua emocionalisht nga ballkonet gjatë bllokimit të pandemisë së koronavirusit 2020.

Për shumë njerëz, historia e këngës është më pak e rëndësishme sesa rezonanca e saj globale.

“Kjo këngë është shumë e famshme në Iran dhe në të gjithë botën, sepse është një simbol kundër shtypjes”, tha Masah, një emigrant iranian 29-vjeçar, në një tubim solidariteti në Romë këtë javë.

Shpesh i përkthyer, i përshtatur ose i ripunuar, refreni është zakonisht në italisht.

Në Jerusalem, kundërshtarët e kryeministrit aktual Benjamin Netanyahu, i mbiquajtur “Bibi Netanyahu”, kënduan “Bibi Ciao” në melodinë e këngës, të gëzuar për mundësinë e largimit të tij.

Në vitin 2019, protestuesit e opozitës në Irak u mblodhën për të kënduar “Blaya Chara!”, që do të thotë “nuk ka rrugëdalje” në dialektin irakian, me të njëjtën melodi të “Bella Ciao!”.

“Kur e këndojmë, ndihemi më të bashkuar me të gjithë botën sepse është një simbol”, shton motra e Masah, Shiva, 33 vjeçe.

“Muzika është një formë shprehjeje që të lejon të komunikosh edhe pa ditur gjuhë të tjera”, thekson ajo./atsh / KultPlus.com

Publikohet lista e shteteve që ekzekutuan më së shumti njerëz më 2020

Organizata ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, “Amnesty International”, tha se katër nga pesë shtetet që ekzekutuan më së shumti të dënuar gjatë vitit 2020 janë nga Lindja e Mesme.

Sipas raportit të kësaj organizate, Irani, Egjipti, Iraku dhe Arabia Saudite përbëjnë 88 për qind të 483 ekzekutimeve të raportuara në mbarë botën, shkruan BBC, transmeton Gazeta Express.

Në vendin e parë për më së shumti ekzekutime vitin e kaluar është bindshëm Irani me mbi 240 të ekzekutuar. Në vendin e dytë është Egjipti me mbi 100 persona të ekzekutuar, ndërsa Iraku është i treti me mbi 40 të ekzekutuar.

Shtetet që ekzekutuan më së shumti njerëz më 2020, sipas “Amnesty International” (Grafiku: BBC)

Organizata e njohur i akuzoi këto vende për “këmbëngulje të pamëshirshme dhe të frikshme” për dënimin e rëndë, kur shumica e botës është e përqendruar në shpëtimin e jetës së njerëzve nga një virus vdekjeprurës.

Sidoqoftë, numri i përgjithshëm botëror i njerëzve të ekzekutuar nga autoritetet shtetërore ishte më i vogli në dhjetë vitet e fundit, por në këtë shifër nuk është përfshirë Kina.

Besohet se autoritetet kineze ekzekutojnë mijëra njerëz çdo vit, por të dhënat rreth rasteve të tilla përbëjnë sekret shtetëror në vendin komunist. E pamundur që të vërtetohen shifrat e ekzekutimeve ishte edhe në Vietnam dhe Korenë Veriore, sepse të dhënat nuk publikohen.

Shifra prej 483 ekzekutimeve në 18 shtete gjatë vitit 2020 përbën rënie prej 26 për qind në krahasim me 657 ekzekutimet e kryera në vitin 2019 dhe rënie prej 70 për qind nga kulmi prej 1.634 ekzekutimeve që u raportuan në vitin 2015./ KultPlus.com

Irani fut çiftelinë në Unesco, Ministria e Kulturës në Shqipëri: Ekzistojnë ngjashmëritë me tonën, por është regjistruar si dotar

Regjistrimi ne Unesco nga Irani i një instrumenti muzikor që njihet si dotar dhe ka ngjashmëri me çiftelinë, ka ngritur shqetësimin mes studiuesve  se pas lahutës, trashëgimia kulturore jomateriale shqiptare po humb një tjetër intrument.

Nëse krahasimet mes dy instrumenteve deri tani ky mund të ishte një debat studiuesish, me regjistrimin si pasuri e Iranit, ai bëhet më i prekshëm.

“E kishin Turqia e Irani, por jane ndryshe. Prej 500 vitesh eshte instrument i joni. Pas lahutës humbim  çiftelinë, ç’na mbetet ne?”  – ngre shqetësimin kompozitori Mark Luli.    

Shqetësimev të specialistëve iu përgjigjet nje zë zyrtar, muzikologia Meri Kumbe, që tashmë mban detyrën e zëvendës minsitres së Kulturës.

Regjistrimi ne Unesco nga Irani i një instrumenti muzikor që njihet si dotar dhe ka ngjashmëri me çiftelinë, ka ngritur shqetësimin mes studiuesve  se pas lahutës, trashëgimia kulturore jomateriale shqiptare po humb një tjetër intrument. Nëse krahasimet mes dy instrumenteve deri tani ky mund të ishte një debat studiuesish, me regjistrimin si pasuri e Iranit, ai bëhet më i prekshëm.

“E kishin Turqia e Irani, por jane ndryshe. Prej 500 vitesh eshte instrument i joni. Pas lahutës humbim  çiftelinë, ç’na mbetet ne?”  – ngre shqetësimin kompozitori Mark Luli.    

Shqetësimev të specialistëve iu përgjigjet nje zë zyrtar, muzikologia Meri Kumbe, që tashmë mban detyrën e zëvendës minsitres së Kulturës.

”Nuk është regjistruar çifteli, por dotari. Ka studime për dy instrumentet. Ngjashmëritëmes dotarit e çiftelisë ekzistojnë”- tha zv. ministrja e Kulturës.

Pyetjes nese regjistrimi i Dotarit na pengon ajo i pergjigjet

“Nuk e pengon ciftelinë që nga emërtimi i dosjes. Nuk pengojmë as ne Iranin, as Irani ne”

Eposi i Kreshnikeve ka mbetur peng prej 10 vitesh, ndërsa Ministria e Kultures po ndjek katër propozime për trashegiminë jomateriale, mes të cilave përmend Vallen e Tropojës. /bw/ KultPlus.com

Piktoret binjake nga Irani që po lënë nam në SHBA

Motrat binjake Safarani, të lindura në Iran, kanë pikturuar që kur ishin 13 vjeç. Ato u dashuruan me artin në Iran, por pas diplomimit në degën e pikturës të Universitetit të Teheranit, vendosën ta vazhdojnë arsimimin e tyre jashtë shtetit dhe u transferuan në Boston.

“Ne donim të lëviznim, të eksploronim dhe të ndryshonim mënyrën tonë të të jetuarit. …Dhe shkoi mirë. Këtu kemi shumë mundësi që nuk i kishim në Teheran, që mund të na ndihmojnë të zhvillohemi si artiste. Mund të krijonim çfarë të donim në Iran, por për t’i shfaqur disa nga ato piktura … kishte rregulla dhe kufizime”, thotë Bahareh.

Pasi përfunduan studimet pasuniversitare për artet e bukura në Universitetin Northeastern, dy motrat filluan të organizonin ekspozitat e tyre të para të veçanta. Jeta në Shtetet e Bashkuara u mësoi atyre se të qenit i suksesshëm nuk do të thotë vetëm të kesh talent. Për të patur sukses, është e nevojshme të takohesh me tregtarët e artit, të udhëtosh në të gjithë vendin dhe të japësh intervista. Sot, pikturat e motrave, që shprehin përqafimin e bukurisë me dhimbjen, janë bërë të njohura.

“Nëse gjithçka në botë do të ishte e përsosur, gjithçka të ishte e bukur, të gjithë të ishin të lumtur, kjo do të ishte koha kur nuk do të krijohej asgjë”, shpjegon Farzaneh.

Pikturat e tyre shiten mirë, pavarësisht çmimit të lartë – secila prej tyre kushton midis 12 dhe 30 mijë dollarëve. Disa krijime paraqiten si instalime video – një mënyre e re arti që Bahareh dhe Farzaneh e zbuluan në Amerikë.

“Sfida më e madhe për të gjithë ata që emigrojnë është që të përshtaten në vendin e tyre të ri. Në Iran, ne kemi mësuar artin tradicional; kur erdhëm këtu, eksploruam artin me video, artin e performancës. Kjo na çoi në një nivel krejt të ri”, thotë Farzaneh.

Motrat janë shumë të zëna me punimet e tyre. Çdo ditë ato planifikojnë ekspozita dhe takime të reja. Ekspozita e tyre e ardhshme do të jetë tani në vjeshtë, në Nju Jork. Dhe ato thonë se ky është vetëm fillimi./KultPlus.com