Edhe në natën e dytë të Prishtina International Film Festival, Teatri Kombëtar ishte i mbushur plot me njerëz që kishin ardhur për të parë filmat e paralajmëruar për t’u shfaqur në këtë natë.
Interesimi i madh i publikut shihej në sallën e teatrit kur filloi të shfaqej premiera e filmit ‘Vlora’. Ky film me regji të Erblin Nushit, me role kryesore Irena Cahanin, Luan Jahën dhe Shengyl Ismailin shfaq problemet e një familje pas luftës në Kosovë, shkruan KultPlus.
Vlora, një nënë që siguron të ardhurat e familjes përmes qepjes së rrobave, ftohet nga shoqja e saj për të punuar në një organizatë ndërkombëtare që ka për qëllim edukimin e grave nëpër fshatra. Sfida e madhe e Vlorës është ta bindë burrin e saj i cili është kundër që gruaja e tij të punojë, për shkak të paragjykimeve nga njerëzit përreth.
Përkundër dhunës nga bashkëshorti, ajo vendos t’i lë pas shpinës të gjitha dhe të fillojë një etapë të re në jetën e saj. Hapja e derës për t’u nisur në punë, shënon çlirimin e dytë të Vlorës pas përfundimit të luftës.
Regjisori Erblin Nushi thotë se ky film ka ardhur pas rrëfimeve që kishte dëgjuar nga nëna e tij.
“Ky film është bazuar nga rrëfimet që më ka treguar nëna ime, e cila ka punuar në një organizatë ndërkombëtare pas luftës dhe storjet që më ka treguar ajo më kanë lënë shumë përshtypje prandaj kam dashur ta realizoj këtë tregim “ – tha Nushi pas premierës së filmit.
Ndërkaq aktorja Irena Cahani që në film shfaqet me rolin e Vlorës, bën thirrje në edukimin e djemve për ta respektuar dhe dashur gjininë femërore./KultPlus.com