Poetja Irma Kurti botohet në gjuhën spanjolle në Kili

Poetja dhe shkrimtarja Irma Kurti boton në Kili përmbledhjen e saj me poezi në gjuhën spanjolle dhe angleze titulluar: “Tu imagen entre mis dedos”.

Libri mban logon e “Independetly poetry” me botues Luis Cruz-Villalobos dhe përmban poezi të shkëputuara nga vëllimet e saj të mëparshme. Një nga revistat e njohura në gjuhën spanjolle që titullohet “Cine Y Literatura” (Kinemaja dhe letërsia) që merret me shkrime kritike për letërsinë në Amerikën e Jugut ka botuar një recension në gjuhën spanjolle lidhur me këtë libër me firmën e poetes dhe kritikes Vesna Andrejevic.

Shkëpusim një fragment prej tij: “Shpirti poetik i Irma Kurtit është plot me dritë, si kur qan ashtu dhe kur buzëqesh, një shpirt poetik i madh dhe i bukur si një det që buzëqesh me dallgët e tij, duke ngjyrosur me mijëra nuanca panoramën e emocioneve dhe reflektimeve të saj, për të na mahnitur pastaj me bukurinë e vet.

Bëhet fjalë për përmbledhjen e saj të re poetike, me titull: ‘Tu imagen entre mis dedos’, poezi të shkruara fillimisht në gjuhën italiane, por këtë herë të përkthyera në spanjisht dhe anglisht. Në mënyrë spontane lind pyetja: ‘A është e mundur të shkruash dhe të poetizosh në një gjuhë tjetër nga ajo më e afërta, më e natyrshmja, më e sigurta, pra gjuha amtare?’

Irma Kurti, poete dhe shkrimtare italo-shqiptare, e vërteton këtë më së miri me vëllimin e saj të ri poetik. Dhe pastaj shkon një hap më tej, sepse me poezitë e saj të bukura dhe të sinqerta që shkojnë drejtpërdrejt në zemër të lexuesit, ajo i përgjigjet edhe pyetjes nëse është e mundur të krijosh e të shkruash poezi në një gjuhë të ndryshme nga gjuha amtare. Një argument delikat siç është edhe vetë përpjekja poetike, por e suksesshme në rastin e Kurtit.

Poezia e saj është e pastër, e thjeshtë dhe e bukur në sinqeritetin e saj, aq bindëse, saqë prek menjëherë telat e zemrës me një lloj naiviteti pikërisht atë që zotërojnë vetëm fëmijët dhe poetët.

Irma Kurti është poete, shkrimtare, autore e teksteve të këngëve, gazetare dhe përkthyese. Librat e saj, përveçse në Shqipëri, janë botuar gjithashtu edhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Kanada, Francë, Itali, Rumani, Serbi, Turqi, Kosovë, Filipine, Kamerun dhe Indi. / KultPlus.com

Momenti për të thënë: “mjaft”

Irma Kurti

Nga ti kërkojnë të thuash veç: “Më fal”,
ç’të kushton, e ke bërë dhe tjetër herë,
të hedhësh një fyerje a mllef, një fjalë,
porsi një guriçkë në fund të një humnere.

Nuk i përfillin netët e tua plot ankth,
shpirtin që vuan, dhe ti as vetë s’e di,
fjalët e dikurshme nuk janë tretur aspak,
por të therin, të dhembin në pafundësi.

Harrojnë se vuajtja që të kanë shkaktuar
të bën shoqëri nëpër ditë e s’të braktis,
ndërsa ti nuk arrin të mbushesh me frymë
dhe më kot kërkon shpëtim, paqe e qetësi.

Ti përsëri i fal, nuk arrin ta kuptosh,
ka ardhur momenti të shqiptosh: “Mjaft!”,
të dashurohesh vetëm me muret e shtëpisë,
t’i braktisësh përgjithnjë njerëzit fals. /KultPlus.com

Poetja shqiptare Irma Kurti boton librin e 20-të në gjuhën italiane

Poetja shqiptare boton librin e saj të 20-të në gjuhën italiane të titulluar: “Persi tra i colori” (Humbur mes ngjyrash). Libri mban logon e shtëpisë Botuese Youcanprint në Itali.

Në parathënie autorja shkruan: “Libri përmban 60 lirika dashurie të pabotuara më parë. Një pjesë e tyre janë shkruar në kohën e izolimit, gjatë pandemisë, atëherë kur ndiheshim të burgosur brenda mureve të shtëpisë që, kushedi pse, nuk na dukej streha më e sigurt, por një hapësirë e pamjaftueshme për të marrë frymë e për t’u ndjerë të çlirët. Shumë vargje, pra, janë shkruar në kohën kur në Itali dhe pikërisht në qytetin tim, Bergamo, që u bë epiqendra e epidemisë, ndiheshim vërtet të humbur mes ngjyrave, të cilat ndryshonin aq shpesh, në varësi të situatës, duke na bërë të ndiheshim konfuzë; atëherë kur një zile telefoni a një bisedë e thjeshtë dukej sikur të dhuronin botën. Do të doja që përmbledhja poetike Humbur mes ngjyrash t’u dhuronte njerëzve buzëqeshje në këtë kohë të vështirë, duke na bërë që ta përjetojmë sërish atë pështjellim ndjenjash dhe emocionesh që di të na e japë vetëm dashuria me dritëhijet e saj.” Fotoja e kopertinës nga Renilda Zajmi.

Irma Kurti është poete, shkrimtare, autore e teksteve të këngëve, gazetare dhe përkthyese. Ka filluar të shkruajë e të botojë poezi që në moshë të vogël. Për poezinë dhe prozën i janë akorduar 75 çmime në konkurse të ndryshme letrare në Itali e Zvicër, shumë prej të cilave kanë qenë çmime të para.

Ka botuar gjithashtu 26 libra në gjuhën shqipe, 10 në anglisht dhe 2 në frëngjisht. Ka përkthyer 13 libra të autorëve të ndryshëm, si dhe të gjitha veprat e saj në italisht dhe anglisht. Librat e saj, përveçse në Shqipëri, janë botuar në 10 vende të botës. /diasporashqiptare al /KultPlus.com

Irma Kurti sjell në shqip poetin me famë botërore Germain Droogenbroodt

Poetja dhe përkthyesja Irma Kurti sjell në shqip poetin me famë botërore Germain Droogenbroodt.

Libri titullohet “Imazh qielli” dhe mban logon e shtëpisë Botuese “Lena Graphic” në Prishtinë. Janë gjithsej 60 poezi që mbajnë firmën e njërit prej poetëve më të njohur bashkëkohorë. Poezia e tij është e thjeshtë, komunikuese, me një stil të të rrjedhshëm; vargjet përcjellin mesazhe filozofike për jetën duke e vënë njeriun përpara bukurive të natyrës, por më tepër përballë dilemave dhe enigmave të saj.

Germain Droogenbroodt ka lindur në Rollegem të Belgjikës dhe jeton në Altea të Spanjës. Ai është poet, përkthyes, botues dhe promovues i poezisë moderne ndërkombëtare. Ka përkthyer rreth tridhjetë libra me poezi gjermane, angleze, franceze dhe kastiliane. Shtëpia botuese POINT (POesía INTernational), e themeluar nga ai vetë, ka botuar më shumë se tetëdhjetë libra me poezi nga vende të ndryshme të botës. Për shkak të karakterit universal të veprës së tij – poezitë e tij janë përkthyer dhe botuar në 30 vende – si dhe personalitetit të tij, ai është ftuar shpeshherë në lexime dhe konferenca në shumë vende, si në Austri, Çeki, Sllovaki, Egjipt, Rumani, po edhe në Kore, Kinë, Tajvan, Nepal, Japoni e Meksikë. Po ashtu, është nominuar për çmimin Nobel për letërsinë në vitin 2017.

“Jam e lumtur të sjell për herë të parë në gjuhën shqipe poetin ndërkombëtar Germain Droogenbroodt” – thotë Kurti sepse poezia e tij të frymëzon, të bën të meditosh, të mahnit me bukurinë e thjeshtësisë si dhe të thellësisë së mendimit. Ky është një nga librat që më ka dhënë më tepër kënaqësi gjatë përkthimit…”

Kjo është vepra e dymbëdhjetë që Irma Kurti ka përkthyer nga autorë italianë dhe ndërkombëtarë. Ajo ka botuar gjithashtu 26 libra në gjuhën shqipe, 18 në italisht dhe 10 në anglisht si dhe është përkthyese e të gjitha veprave të saj  në italisht dhe anglisht.

Libri “Imazh qielli” do të ribotohet së shpejti në Itali dhe lexuesit do të kenë mundësi ta gjejnë atë në të gjitha libraritë online./diasporashqiptare/ KultPlus.com

Irma Kurti nderohet nga Akademia e Arteve dhe e Shkencave Filozofike në Bari

Një vlerësim prestigjoz për poeten dhe shkrimtaren shqiptare Irma Kurti e cila nderohet nga Akademia e Arteve dhe e Shkencave filozofike në Bari për “pjesëmarrjen, kontributin, angazhimin dhe profesionalizmin në valorizimin dhe promovimin e veprimtarive të kësaj Akademie, ndër të cilat, Konkursi Akademik Ndërkombëtar i Letërsisë Bashkëkohore “Lucius Annnaeus Seneca”, me president doktor Massimo Massa.

Në mars të 2022 poetja Irma Kurti u shpall Ambasadore e Shqipërisë nga kjo Akademi me motivacionin “si një personalitet që është dalluar për punën e saj si dhe për merita të rëndësishme kulturore të arritura në fushën ndërkombëtare”.

Ndër të tjera, emërimi i Kurtit si Ambasadore synon t’i japë shtysë pjesëmarrjes së krijuesve të huaj, në veçanti atyre shqiptarë kudo që ndodhen në këto veprimtari. “Jam vërtet e gëzuar” shprehet Kurti “që autorë nga Shqipëria dhe Kosova u vlerësuan me çmime në edicionin e VI-të të këtij viti, në njërin prej konkurseve më prestigjoze në panoramën letrare në Itali ‘Lucius Annnaeus Seneca’… Vlerësimi që më jepet nga Akademia e Arteve dhe e Shkencave filozofike është një nxitje për të kontribuar në përhapjen e mëtejshme të bukurisë së artit dhe të kulturës shqiptare në botë.”

Poetja shqiptare është gjithashtu fituese e shumë çmimeve të rëndësishme në Itali dhë në Zvicër. Në vitin 2013 fitoi çmimin ndërkombëtar “Universum Donna” për letërsinë dhe emërtimin “Ambasadore e Paqes” nga Universum Academy dhe Universiteti i Paqes në Lugano, Zvicër.

Në 2020, për kontributin në fushën e poezisë, nderohet me titullin “Akademike dhe Presidente Nderi” e Enciklopedisë Poetike Italiane. Në vitin 2021 nderohet me çmimin “Liria” nga Komuniteti Arbëreshë në Itali.

Po ashtu, i janë akorduar çmimet “Leonardo da Vinci”, 2021 dhe “Giacomo Leopardi” nga Shoqata Kulturore “Chimera” në Leçe. I është dhënë titulli “Damë e Urdhërit të Dante Alighierit” nga Republika e Poetëve. /DiasporaShqiptareAl /KultPlus.com

Shkrimtarja Irma Kurti boton në Prishtinë romanin “Ditët e fundit të një qyteti”

Pas botimeve të librave të saj në Kanada, Kamerun dhe Filipine, autorja Irma Kurti sjell për lexuesin shqiptar romanin e saj më të ri të titulluar “Ditët e fundit të një qyteti” nën logon e shtëpisë Botuese “Lena Graphic” në Prishtinë. Ky libër u botua së fundi edhe në gjuhën angleze me titullin “The last days of a city”.

Romani, i shkruar gjatë periudhës së mbylljes nga pandemia u vlerësua si fitues në Konkursin “Letteratura” të shpallur nga Instituti Italian i Kulturës në Napoli, në seksionin e romanit të pabotuar. Redaktor i librit është Sejdin Cekani dhe imazhi i kopertinës nga Biagio Fortini.

Irma Kurti sjell gjithashtu edhe një botim tjetër që mban emrin e babait të saj, mjekut Hasan Kurti. Siç shprehet ajo në parathënien e librit “Prozat poetike dhe aforizmat janë marrë nga ditari i babait tim dhe nga libri ‘Kujtimet e një mjeku’. Në vitin 2022 ato u botuan në gjuhën angleze nga shtëpia botuese “Poetry Planet Book” dhe kopje të tij ndodhen në Bibliotekën Kombëtare në Filipine. Në këto shënime zbulohet dëshmia e tim eti, vullneti e këmbëngulja, kuraja për të jetuar jetën dhe për të buzëqeshur, deri në çastin e fundit të ekzistencës së tij, me gjithë vështirësitë e panumërta.”

Në vitin 2021 “I ricordi di un medico”(Kujtimet e një mjeku) u përzgjodh nga 600 veprat që konkuruan në Konkursin Kombëtar Letrar “Tre colori” në Lenola (Latina) dhe u shpall si një nga 200 librat më të bukur në Itali. Në 2022, ai fitoi çmimin e tretë në Edicionin e XXI – të të Konkursit letrar “La lanterna bianca” në Messina të Sicilisë. Kjo vepër u nderua sërish me vendin e tretë në Konkursin Ndërkombëtar Universum, 2022, të organizuar nga Akademia Universum në Zvicër./diasporashqiptare/ KultPlus.com

Poetja dhe shkrimtarja Irma Kurti botohet në Kamerun

Doli nga shtypi përmbledhja me poezi e autores shqiptare “Les souvenirs en vers” nën logon e shtëpisë botuese “Glory Editions” në Yaoundé në Kamerun. Në të gjenden poezi që i kushtohen bukurive si dhe mallit për atdheun, ndjesive të emigrantit, jetës së vrullshme dhe frenetike të së përditshmes që nuk të lë kohë të përqëndrohesh e të dëgjosh zërin e shpirtit.

Në këtë rendje, autorja përpiqet të gjejë të bukurën në natyrë, por mbi të gjitha njërëzoren, ndjenjat e vërteta dhe jo të shtirura në një teatër njerëzor. Ashtu siç shprehet ajo në një nga poezitë me titull “Rreziku” bota e sotme kërcënohet nga një rrezik i madh që nuk është bomba atomike, por vetmia dhe mungesa e dashurisë.

Vargjet përcjellin dëshirën, mallin për të folur gjuhën shqipe, ëmbëlsinë që të lënë në buzë fjalët e saj pikërisht në një vend të huaj. Autorja përcjell me natyrshmëri ndjenjat njerëzore të përjetuara në vetën e parë. Përkthimi i poezive nga anglishtja në frengjisht është bërë nga përkthyesi dhe poeti Gaya Esau. Dy kopje të librit do të jenë pjesë e Bibliotekës Kombëtare “Peuples Noirs” në Kamerun.

Së fundi, Irma Kurti botoi gjithashtu dy libra nën logon e shtëpisë botuese “Ukiyoto Publishing” në Kanada: “Love, you don’t know” (I dashur, ti nuk e di) dhe “A leaf falls” (Bie një gjethe), libër i përkthyer në anglisht me poezi dhe aforizma të poetes së madhe italiane Grazia Deledda. /Diasporashqiptare.al /KultPlus.com

Poetja shqiptare Irma Kurti botohet në Kanada

Poetja dhe shkrimtarja shqiptare Irma Kurti me banim në Itali, botohet në Kanada. Bëhet fjalë për përmbledhjen poetike me titull “I dashur, ti nuk e di”, e cila sheh dritën e botimit nën logon e Shtëpisë Botuse Ukiyota në Toronto të Kanadasë. Kopertina e librit është e fotografit Biagio Fortini. Ky është libri i saj i shtatë në gjuhën angleze.

Përmbledhja përmban 70 poezi që ndahen në katër pjesë: “Në një livadh ëndrrash”, “Magjia e dashurisë”, “Dhembje” dhe “Qielli im i melankolisë”. Poezitë zbulojnë emocione dhe ndjesi në momente të ndryshme të jetës së autores: gëzim dhe lumturi, melankoli dhe trishtim.

Në parathënien e librit shkruhet se lajtmotivi kryesor përfaqësohet nga nostalgjia për vendin e origjinës dhe dashurinë, kjo e fundit në kuptimin më të gjerë dhe universal. Gjithçka rrjedh me një ritëm të shpejtë në një përditshmëri të furishme që nuk jep kohë as për të menduar për veten, duke na vënë shpesh përpara sfidave të mëdha.

Vargjet e shkruara me një stil të thjeshtë dhe të rrjedhshëm rreken të zbulojnë kompleksitetin e ndjenjave njerëzore. Fjalët mbërrijnë lehtësisht dhe drejtpërdrejt te lexuesit. Ato fokusohen në çastet e përditshme, dashurinë si dhe bukuritë e natyrës. Poezitë e shoqërojnë lexuesin në zbulimin e vendeve të afërta dhe të largëta, por më tepër në një udhëtim të brendshëm për të njohur shpirtin, ndjenjat dhe emocionet.

Irma Kurti ka botuar njëzet e pesë libra në gjuhën shqipe, shtatëmbëdhjetë në italisht dhe shtatë në anglisht. Po ashtu, ka përkthyer 10 libra të autorëve të ndryshëm, si dhe të gjitha veprat e saj në italisht dhe anglisht. Veprat e saj janë botuar në USA, Kanada, Itali, Rumani, Kosovë dhe Filipine./diasporashqiptare/ KultPlus.com

Poetja Irma Kurti boton në Itali librin e 25-të në gjuhën shqipe

Poetja Irma Kurti boton në Itali librin e 25-të në gjuhën shqipe me titull “Ti je loti im”. Përmbledhja poetike mban logon e Shtëpisë Botuese Youcanprint.

“Ti je loti im”, siç thuhet në parathënien e shkruar nga autorja, përmban shtatëdhjetë poezi të pabotuara më parë. Në të gjen vargje kushtuar dashurisë, ndjesive dhe emocioneve të autores në muajt e vështirë të sëmundjes së babait të saj deri në ditën e fundit të jetës, deshpërimit për ikjen pa kthim të tij, brishtësisë gjatë asaj periudhe të vështirë dhe përpjekjeve për të qëndruar pozitive e për të gjetur rrezet e diellit në mjegull. Ka dhimbje, zhgënjim dhe qiell gri, por edhe dëshirë për të takuar dritën, qetësinë shpirtërore e lumturinë.

Irma Kurti lidhur me këtë thotë: “Ky libër, megjithë vargjet paksa të trishta, është i rëndësishëm për mua sepse shënon librin e 25-të në gjuhën shqipe dhe është tregues i rrugëtimit tim të gjatë letrar, plot emocione dhe magji. Ndihem edhe krenare se, megjithë kalimin e viteve dhe të jetuarit në Itali, gjuha shqipe mbetet fillesa e çdo libri tim: të gjitha veprat, edhe ato të botuara në gjuhën italiane apo angleze janë përkthime nga gjuha shqipe”.

Irma Kurti ka filluar të shkruajë e të botojë poezi që në moshë të vogël. Në vitin 1980 u nderua me çmimin e parë në konkursin kombëtar me rastin e 35-vjetorit të revistës “Pionieri”, ndërsa në 1989 fitoi çmimin e dytë në konkursin e organizuar nga Radio – Tirana, me rastin e 45-vjetorit të çlirimit të Shqipërisë.

Për poezinë dhe prozën i janë akorduar 70 çmime në konkurse të ndryshme letrare në Itali e Zvicër, shumë prej të cilave kanë qenë çmime të para. Ka shkruar rreth 150 tekste këngësh dhe është pjesëmarrëse në festivale të muzikës së lehtë në Shqipëri, Kosovë e Maqedoni.

Ka botuar shtatëmbëdhjetë në italisht dhe gjashtë në anglisht. Po ashtu, është përkthyese e 10 librave të autorëve të ndryshëm, si dhe e të gjitha veprave të saj në italisht dhe anglisht. / KultPlus.com

br

Poetja Irma Kurti boton librin e shtatëmbëdhjetë në gjuhën italiane

Poetja dhe shkrimtarja e mirënjohur Irma Kurti boton librin e saj të 17-të në gjuhën italiane. Bëhet fjalë për vëllimin me poezi “Mesazhe nga lart”. Përmbledhja poetike mban siglën e Shtëpisë Botuese Youcanprint, ndërsa imazhi i kopertinës është i fotografit Biagio Fortini.

Në parathënien e librit shkruhet: “Mesazhe nga larg është një përmbledhje me tetëdhjetë poezi. Lajtmotivi kryesor është nostalgjia për vendin e origjinës dhe dashuria, kjo e fundit në sensin më të gjerë dhe universal, pra ajo për prindërit dhe në çift. Gjithçka rrjedh me ritëm të shpejtë, në një përditshmëri të vrullshme që nuk të jep kohë as të mendosh për veten, në një jetë që ndonjëherë sillet keq, me spektaklin (e saj) të gjatë dhe monoton që lodh. Ka dashuri që ekzistojnë përtej çdo logjike dhe përtej vdekjes, ashtu siç ka dashuri apo puthje që lindin ose vdesin në një çast. Pavarësisht nga qielli gri dhe me re, autorja kërkon gjithmonë dhe fton mijëra rreze dielli në përqafimin e saj. Një përmbledhje me poezi e shkruar me një stil të thjeshtë e të rrjedhshëm, por që gjithsesi arrin të shpalosë kompleksitetin e ndjenjave njerëzore.”

Irma Kurti është nderuar me shumë vlerësime për poezinë dhe prozën e saj. Në vitin 2013 fitoi çmimin ndërkombëtar “Universum Donna” për letërsinë dhe emërtimin “Ambasadore e Paqes” nga Universum Academy dhe Universiteti i Paqes në Lugano, Zvicër.

Në 2018 i jepet titulli “Accademico Ononario” nga Akademia Universum në Zvicër.

Në vitin 2020, për kontributin në fushën e poezisë, nderohet me titullin “Akademike dhe Presidente Nderi” e Enciklopedisë Poetike Italiane.

Irma Kurti ka botuar 23 libra në gjuhën shqipe dhe gjashtë libra në gjuhën angleze. Librat  e saj janë përkthyer gjithashtu në gjuhën spanjolle, gjermane, serbe, rumune etj. / KultPlus.com

Poetja Irma Kurti nderohet me një tjetër çmim prestigjioz në Itali

Poetja dhe shkrimtarja shqiptare Irma Kurti arrin një tjetër vlerësim prestigjioz. Ajo nderohet me çmimin që mban emrin e një nga poetëve më të rëndësishëm italianë, Giacomo Leopardi. Ky vlerësim i akordohet nga Shoqata Kulturore e Artit Bashkëkohor në Lecce.

Shoqata, e themeluar në vitin 1994, synon të promovojë artistët dhe krijuesit jo vetëm në Itali, por edhe në shkallë ndërkombëtare. Çmimi u jepet artistëve italianë dhe të huaj, të cilët punojnë dhe kontribuojnë në çdo sektor të artit. Ndryshe nga vlerësimet e tjera, ata përzgjidhen përmes veprave fituese në konkurse ndërkombëtare, nga biografia dhe karriera e tyre letrare, krijimet në faqet e internetit etj. Në juri bëjnë pjesë shkrimtarë, gazetarë dhe kritikë arti.

“Ky vlerësim i cili bazohet në rrugëtimin dhe dedikimin tim poetik – thotë Kurti – do të jetë një shtysë dhe frymëzim i ri për të vazhduar krijimtarinë letrare dhe për ta vënë atë gjithnjë në shërbim të njerëzve.”

Irma Kurti është gjithashtu fituese e shumë çmimeve të tjera të rëndësishme. Në vitin 2013 fitoi çmimin ndërkombëtar “Universum Donna” për letërsinë dhe emërtimin “Ambasadore e Paqes” nga Universum Academy dhe Universiteti i Paqes në Lugano, Zvicër.

Në vitin 2020, për kontributin në fushën e poezisë, nderohet me titullin “Akademike dhe Presidente Nderi” e Enciklopedisë Poetike Italiane. Në 2021 nderohet me çmimin “Liria” nga Komuniteti Arbëreshë në Itali.

Poetja shqiptare ka botuar njëzet e tre libra në gjuhën shqipe, gjashtëmbëdhjetë në italisht dhe gjashtë në anglisht. Veprat e saj janë përkthyer në disa gjuhë të huaja. / KultPlus.com

Irma Kurti fiton çmimin e parë me poezinë kushtuar emigrantëve

Poetja shqiptare Irma Kurti nderohet me çmimin e parë në Konkursin Letrar Ndërkombëtar “Picàturi de suflet” , në seksionin e poezisë në gjuhë të huaj.

Poezia fituese titullohet “I dashur, ti s’mund ta dish”. Ky konkurs ka lindur nga një ide e shkrimtares rumune Liliana Liciu dhe shkrimtarit italian Francesco Gemito, të cilët janë edhe presidentët e Konkursit, për të krijuar një binjakëzim letrar midis Rumanisë dhe Italisë, përcjell KultPlus.

Kurti thotë: “Është një poezi që u kushtohet emigrantëve, një eksperiencë që gjithsecili nga ne që jeton larg atdheut e ka provuar të paktën një herë; janë ato çaste kur të mungon vetëm një letër që quhet leje qëndrimi, kur ecën në rrugë si hije sepse emri yt nuk ekziston në asnjë zyrë, kur ndjek me lot në sy një avion në qiell dhe kur shikon ëndrrat e thyera nën hapat e tu … Ishte emocion i veçantë kur më mbërriti në shtëpi diploma dhe targa me titullin e poezisë të shkruar në gjuhën shqipe.”

Irma Kurti është fituese e shumë çmimeve prestigjioze; pak kohë më parë ajo u nderua me çmimin “Liria” nga Komuniteti Arbëreshë në Itali, si dhe me çmimin: “Leonardo da Vinçi 2021” nga Shoqata Kulturore “Chimera” në Leçe. / KultPlus.com

Kënga me tekst italisht të poetes Irma Kurti në të gjitha platformat muzikore

Come un triste sogno” (Si një ëndërr e trishtë) titullohet kënga e re në gjuhën italiane e botuar në të gjitha platformat muzikore me tekstin e poetes shqiptare Irma Kurti, me muzikë të kompozitorëve italianë Giovanni Lippolis e Raffaele FranKavilla kënduar nga Luciano Amante (në art) shoqëruar nga Marilena Palmisano; orkestrimi i këngës është bërë nga Moreno Ferrara, kompozitor dhe korist i Festivalit të Sanremos si dhe autor i këngëve të këngëtares së famshme Mina. Regjistrimi është bërë në Studion Midilandia në Milano.

“Kjo këngë nuk i kushtohet vetëm nënës sime – thotë Irma Kurti – por të gjitha nënave që s’jetojnë më. Jam e emocionuar të ndaj me dëgjuesit e muzikës së lehtë italiane përjetimet e saj. E kam pritur me padurim këtë çast, pasi kënga ishte planifikuar të dilte që vitin e kaluar, por për arsye të pandemisë dhe kufizimeve të shumta u arrit të realizohej vetëm tani.”

Irma Kurti ka filluar të shkruajë tekste këngësh qysh në moshë të re. “Nuk iu zemërova pranverës”, “Trokite te dera”, “Urimi yt”, “Mbrëmja që mban dashurinë time”, “Pranë të kaltrit det”, “Letër malli”, “Një çast në kujtesën tënde”, “Shikomë në sy”, “Të jem për ty number 1”, janë disa nga këngët me tekstet e saj, të kënduara në Festivale të Këngës në RTSH dhe në Koncerte pranvere, që janë kthyer në hite të muzikës së lehtë shqiptare.

Ka shkruar 150 tekste këngësh duke përfshirë dhe ato në gjuhën italiane dhe angleze./diasporashqiptare/ KultPlus.com

Poetja Irma Kurti boton “Grimca gëzimi” në gjuhën italiane

Titullohet “Briciole di gioia” (Grimca gëzimi) libri më i ri i poetes shqiptare me banim në Itali, Irma Kurti.

Kjo përmbledhje me 65 poezi është e ndarë në dy pjesë: “Nell’universo dell’amore” (Në universin e dashurisë) dhe “Anime perse” (Shpirtra të humbura). Parathënia është shkruar nga shkrimtarja dhe përkthyesja Vesna Andrejević, e cila ndër të tjera, shkruan: “Poetja dhe shkrimtarja italo-shqiptare, me vargjet e saj të bukura dhe të sinqerta që prekin drejtpërdrejt  zemrën e lexuesit, i përgjigjet gjithashtu edhe pyetjes nëse është e mundur të shkruash e të thurësh poezi në një gjuhë tjetër përveç gjuhës amtare.

Një argument delikat ky, siç është vetë përpjekja poetike, por e arrirë me sukses në rastin e Kurtit. Poezia e saj është e pastër, e thjeshtë dhe e bukur në sinqeritetin e saj, aq bindëse sa prek menjëherë telat e zemrës me një lloj “naiviteti”, pikërisht atë që kanë vetëm fëmijët dhe poetët. Në fakt, në përmbledhjen poetike të Kurtit, që përmban poezi me tematikë të larmishme, gjithçka duket e thjeshtë dhe e lehtë, por të shkruash poezi në një gjuhë tjetër është një përpjekje herkuliane apo një mundim si ai Sizifit. Një punë e vështirë, intensive, asnjëherë e vlerësuar sa duhet nga vetë folësit e gjuhës amtare, por prapëseprapë një mënyrë e çmuar për të pasuruar si shpirtin human ashtu edhe atë ‘kulturor’ që na përket sipas zgjedhjes, rrjedhës së ngjarjeve, jetës e kështu me radhë.”

Irma Kurti ka filluar të shkruajë e të botojë qysh në moshë të vogël. Njihet nga publiku edhe si autore e suksesshme e teksteve të këngëve në festivale të muzikës së lehtë në Shqipëri, Kosovë e Maqedoni.

Ka botuar njëzet e dy libra në gjuhën shqipe dhe pesëmbëdhjetë në italisht. Veprat e saj janë përkthyer në gjuhën angleze, spanjolle, franceze, rumune dhe serbe./ KultPlus.com

Poetja shqiptare Irma Kurti nderohet me çmimin e Presidentit të Jurisë në Itali

Poetja dhe shkrimtarja shqiptare Irma Kurti nderohet me një tjetër çmim në Itali, atë të Presidentit të Jurisë në Edicionin e IX të Konkursit Kombëtar të poezisë “Arti në vargje” (L’arte in versi) për përmbledhjen poetike “Le pantofole della solitudine” (Pantoflat e vetmisë) botuar nën siglën e Shtëpisë Botuese Besa,  Nardò, në vitin 2018.

Në motivacionin e dhënies së çmimit nga Presidentja e Jurisë, Michela Zanarella, shkruhet: “Kjo përmbledhje është e strukturuar më së miri, çdo poezi përshkruan emocione në të cilat çdo lexues e gjen veten. Autorja ndërton një dialog të ndërsjelltë dhe arrin të vizatojë ndjenja ndonjëherë në kontrast me njëra-tjetrën. Në vargje gjen vetmi, dhembje, po edhe shpresë. Me një stil të thjeshtë por të fuqishëm, poetja arrin të na shoqërojë drejt një ishulli paqeje, një vendi ideal ku mund të gjehet vetvetja dhe ekuilibri. Janë interesante gjithashtu metaforat dhe imazhet e përdorura.”

Kurse nga parathënia e librit “Pantoflat e vetmisë” veçojmë: “Delikate dhe emocionuese në të njëjtën kohë, ‘Pantoflat e vetmisë’ është një përmbledhje me poezi që rrëfen për shpirtin njerëzor, për lidhje të pamundura për t’u këputur, për ndjenja dhe kujtime që i japin formë dhe kuptim jetës sonë. Pjesa e parë e librit, titulluar ‘E kaluara është një fantazmë’, përmbledh një seri poezish të ndërtuara në fillin e nostalgjisë, midis dhimbjes për largësinë nga vendi i origjinës dhe dëshirës për t’u strehuar në një vend larg nga kaosi i jetës së përditshme. Ndërsa pjesa e dytë: “Në borxh me dashurinë”, është një udhëtim nëpër sfumaturat e panumërta të ndjenjave, që mbi të gjitha të trondit, ashtu i vendosur midis gëzimit dhe trishtimit, midis magjisë së një çasti dhe lotëve që koha nuk mundet t’i thajë.”

Irma Kurti është nderuar me 60 çmime në konkurse të ndryshme letrare në Itali dhe në Zvicër, ndër të cilat me tepër se gjysma janë çmime të para, të dyta dhe të treta. Së fundi, ajo u shpall si një nga poetet më të mira bashkëkohore nga Enciklopedia Poetike si dhe u vlerësua me çmimin “Liria” nga Komuniteti Arbëreshë në Itali./ KultPlus.com

Arbëreshët vlerësojnë me çmimin “Liria” poeten Irma Kurti

Komuniteti Arbëreshë i ka akorduar çmimin “Liria”,  poetes Irma Kurti.

“Fjala “Liria” përfaqëson popullin italo – shqiptar, sepse komuniteti arbëresh është një shembull i vlefshëm historik i atyre që luftuan me vendosmëri të madhe, që mbrojtën dhe rifituan lirinë për një popull të tërë, i aftë për të përcjellë për pesë shekuj, brez pas brezi, një ndjenjë të fortë të përkatësisë me Vendin e origjinës,  Shqipërinë”.

Ky çmim iu dha në kuadër të konferencës ndërkombëtare që u mbajt online nga shoqata Life Aps si pjesë e Javës XVII të Veprimtarisë kundër Racizmit të UNAR (Zyrës Kombëtare kundër Diskriminimeve Racore). Në këtë event kishte rreth njëqind pjesëmarrës dhe ai u përfshi në kalendarin e Javës Dixhitale të Milano-s me temën “Milano: sfida anti-raciste”.

“Çmimi më lumturon pa masë, jo vetëm për rëndësinë historike dhe ngarkesën emocionale që mbart fjala liri, por edhe pse kur marr një vlerësim të tillë, unë kuptoj se puna ime si krijuese nuk është e mbyllur brenda katër mureve të një dhome dhe përpara një ekrani kompjuteri, por ajo arrin tek shumë njerëz, tek të gjithë ata që përpiqen çdo çast e çdo ditë ta shohin botën të çliruar nga konfliktet, paragjykimet, diskriminimet, një botë të paqtë dhe plot harmoni”- u shpreh poetja Irma Kurti pas marrjes së çmimit./ KultPlus.com

Italia e klasifikon Irma Kurtin si një nga poetet më të mira bashkëkohore

Poetja shqiptare Irma Kurti është klasifikuar si një nga poetet më të mira bashkëkohore sipas Enciklopedisë Italiane, WikiPoesia, transmeton KultPlus.

Ky klasifikim mbështetet në vlerësimet me çmime të para të veprave poetike në konkurse kombëtare dhe ndërkombëtare që gëzojnë patronazhin e Enciklopedisë poetike.

Në vitin 2020, Kurti u nderua me titullin “Akademike dhe Presidente Nderi” e kësaj Enciklopedie poetike, ndër më të konsultuarat në Itali, e cila përfaqëson rrjetin më të madh ndërlidhës dhe të vetmen enciklopedi poetike semantike në botë.

Irma Kurti ka botuar katërmbëdhjetë libra në gjuhën italiane, nëntë prej të cilave me poezi. Veprat e saj janë përkthyer në gjuhën angleze, franceze, rumune, serbe etj. Njihet gjithashtu edhe si autore e teksteve të këngëve; ka në arkivin e saj 150 tekste të këngëve të kompozuara dhe interpretuara në festivale të ndryshme në Shqipëri, Kosovë e Maqedoni. / KultPlus.com

Romani i Irma Kurtit vlerësohet me çmimin e parë në garën ndërkombëtare të letërsisë

Shkrimtarja Irma Kurti ka fituar një tjetër çmim, duke e nisur kështu me trofe vitin 2021.

Shkrimtarja shqiptare ka fituar çmimin e parë për romanin e saj në gjuhën italiane “In assenza di parole” (Në mungesë të fjalëve), i cili vazhdon të vlerësohet nga kritika dhe nga juritë e konkurseve letrare ndërkombëtare në Itali.

Vitin e kaluar, romani i Irma Kurtit u shpall si një nga “200 librat më të bukur në Itali” në Konkursin Letrar Ndërkombëtar “Tre ngjyrat” ndërsa në 2019 me çmimin e jurisë në Konkursin “Golden Books Awards” si dhe finaliste në Konkursin e madh letrar “Casa Sanremo Writers”.

“Ky libër i shkruar mbi shënimet e ditarit të babait tim trajton tematikat e jetës së një familjeje në emigracion e sfidat e përditshme që i duhet të përballojë. Falenderoj Presidenten e çmimit Marina Pratici për këtë vlerësim prestigjoz që më bën të ndihem vërtet krenare. Ju uroj shëndet, gëzime e të ndajmë së bashku vetëm lajme të bukura gjatë 2021”, shprehet shkrimtarja Irma Kurti. /dp/ KultPlus.com

Poetja shqiptare Irma Kurti fituese e konkursit “Universum Academy” në Zvicër

Poetja shqiptare, Irma Kurti është vlerësuar me çmim të parë në Konkursin Ndërkombëtar “Universum Academy” në Zvicër në seksionin e poezisë së botuar.

Ajo konkuroi me librin me poezi në gjuhën italiane: “In una stanza con i ricordi” (Në një dhomë me kujtimet), i botuar në vitin 2019 nga Pedrazzi Editore.

Lajmin e bëri të ditur vetë poetja, përmes një postimi në llogarinë e saj personale në rrjetin social Facebook, ku u shpreh mjaft e gëzuar për marrjen e këtij çmimi.

“Jam e gëzuar për marrjen e këtij çmimi jo vetëm pse është një vlerësim për krijimtarinë time” thotë ajo, “po edhe pse isha e pranishme në ceremoninë e shpërndarjes së çmimeve, që ndonëse me vonesë, për arsye të pandemisë, u organizua në Montesilvano, Pescara, pak ditë më parë. Këtë çmim ia dedikoj prindërve të mi, Hasan e Sherife Kurti për mbështetjen e madhe që më kanë dhënë në çdo hap të rrugëtimit të gjatë letrar, por gjithashtu të gjithë dashamirësve, që më ndjekin e më inkurajojnë në këtë udhëtim të bukur e të vështirë”, shprehet Kurti në postimin e saj në Facebook.

Irma Kurti ka botuar 20 libra në gjuhën shqipe 12 libra në italisht, ndër të cilat poezi, tregime e romane. Librat e saj janë përkthyer dhe në gjuhën angleze, spanjolle, rumune etj. / KultPlus.com

Poetja shqiptare Irma Kurti shpallet “Akademike dhe Presidente nderi” e Enciklopedisë Poetike italiane

Poetja dhe shkrimtarja Irma Kurti është nderuar me titullin “Akademike dhe Presidente Nderi” e Enciklopedisë Poetike Wikipoesia, krijuar në Itali në 2019 me rastin e Ditës Botërore të Poezisë. Në Presidencën e Nderit pranohen deri në dhjetë personalitete në fushën  e poezisë.

Wikipoesia përshkruhet nga media e shkruar si “Wikipedia e poezisë”.  Në kontekstin e poezisë bashkëkohore, ajo përfaqëson rrjetin më të madh ndërlidhës dhe të vetmen enciklopedi poetike semantike në botë.

Irma Kurti ka botuar njëzet libra në gjuhën shqipe, dymbëdhjetë në italisht dhe katër në anglisht. Ka shkruar rreth 150 tekste këngësh për të rritur e fëmijë dhe njihet si autore e këngëve të suksesshme në festivale të muzikës së lehtë në Shqipëri, Kosovë e Maqedoni. Shkruan tekste dhe në gjuhën angleze e italiane, të cilat janë hedhur në tregun ndërkombëtar të muzikës nga shtëpi diskografike italiane.

Në vitin 2013 fitoi çmimin ndërkombëtar “Universum Donna” për letërsinë dhe emërtimin “Ambasadore e Paqes” nga Universum Academy dhe Universiteti i Paqes në Lugano, Zvicër. / KultPlus.com

Poetja shqiptare ne Bergamo: S’dua lule, por një fjalë të mirë

Irma Kurti

Askush nuk mund ta kuptojë se ç’do të thotë të jetosh në një qytet si Bergamo në këtë kohë.

Nuk e kam fjalën për rrugët e shkreta, për mungesën e zërave të fëmijëve, të të rriturve, as për qetësinë absolute që të përcjell trishtim, por për atë buletin lufte që s’na lë të mbyllim sy natën, për ato shtretër në terapinë intensive të spitalit që mungojnë, për varrezat që nuk kanë më vend për t’u dhënë strehën e fundit atyre që nuk e fitojnë betejën me Coronavirus.
Sot, me rastin e datëlindjes sime, s’dua lule, dhurata, qirinj sepse s’mund të bëhem dot pjesë e gëzimit, e entuziazmit të zhurmshëm, sepse ndihem larg atmosferës festive. Urimi më i bukur për mua do të ishte një fjalë e mirë për qytetin tim dhe më gjerë, që gjithçka të kalojë sa më shpejt, një fjalë e ngrohtë, një ngushëllim për ata njerëz që u nisën në udhëtimin pa kthim me lamtumira të padhëna, me përkëdhelje të munguara dhe lot të paderdhur…/KultPlus.com

Shkrimtarja shqiptare merr çmimin e dytë në Itali

Poetja dhe shkrimtarja shqiptare, Irma Kurti, vlerësohet me çmimin e dytë në edicionin e 16-të të konkursit të poezisë “Enrico Brianza për poezinë e saj “Briciole di gioia” (Grimca gëzimi) në Itali.

Konkursi u zhvillua në formë anonime për poezi të pabotuara në gjuhën italiane dhe në dialekt, transmeton KultPlus.

Irma Kurti ka botuar shumë vepra në shqip, italisht dhe anglisht, si dhe është autore e mjaft teksteve të këngëve të suksesshme.

“Ishte e emocionuar kur dola për të recituar vargjet, edhe pse ato i kushtoheshin babait që nuk jeton më. Përpara se t’i lexoja, u ndala paksa në krijimtarinë time nëpër vite. Ishte një surprizë për të pranishmit të mësonin se unë isha nga Shqipëria dhe kjo për mua përbën njëkohësisht një kënaqësi dhe sfidë”, tha Kurti.

Vlen të theksohet se Irma Kurti ka botuar tetëmbëdhjetë libra në gjuhën shqipe, 12 në italisht dhe katër në gjuhën angleze. Ajo njihet edhe si autore e shumë teksteve të këngëve të suksesshme. / KultPlus.com