Përkujtohet Isa Boletini, atdhetar i shquar e strategu i lëvizjes për çlirim e bashkim kombëtar

Më 15 janar 1864, lindi atdhetari Isa Boletini. Shqipëria e pavarur ishte kryefjala e jetës së tij. Udhëhoqi qendresën antiosmane, së bashku me Ismail Qemalin, Hasan Prishtinën, Bajram Currin etj. Pas përfundimit me sukses të kryengritjes, Porta e Lartë e Stambollit u detyrua të ulej në bisedime dhe të plotësonte kushtet e palës shqiptare, ku më kryesorja do të ishte shpallja e Pavarësisë Kombëtare më 28 nëntor.

Në ditën e Pavarësisë, u ndodh sërish përkrah plakut të urtë të Vlorës dhe mori pjesë aktive në organizimin e forcave të armatosura në mbrojtjen e Qeverisë së Përkohshme të Vlorës. Më 1913, si anëtar i delegacionit shqiptar, u nis drejt Londrës, ku kundërveproi ndaj vendimit të Fuqive të Mëdha për copëtimin territorial të vendit.

Jeta dhe vepra e këtij patrioti të përveçëm, që kontribuoi në hedhjen e gurthemeleve të shtetit të pavarur shqiptar, përfundoi më 23 janar 1916, kur Boletini mbeti i vrarë në përballje me trupat malazeze.

Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave kujton sot shprehjen e njohur të Isa Boletinit: “Unë jam mirë kur asht mirë Shqypnia”. / atsh / KultPlus.com

Viti 1916, fotografia e fundit e Isa Boletinit para se të vritej (FOTO)

Kjo është një fotografi e rrallë dhe mbase e fundit e heroit të kombit, Isa Boletini e bërë në shkurtë të vitit 1916.

Ai është fotografuar së bashku me publicistin austriak, i cili kishte qenë edhe një mik i shqiptarëve, Leo Freundlich, pak ditë para se të vritej nga malazezët.

Kjo foto është publikuar në gazetën nga Viena, “IW”. / KultPlus.com

Isa Boletini dhe Idriz Seferi në një fotografi (FOTO)

Isa Boletini dhe Idriz Seferi janë dy emra që përfaqësojnë patriotët më të mëdhenj të Kosovës e kombit që i kanë shërbyer çështjes atdhetare, shkruan KultPlus.

KultPlus sot ju sjell një fotografi të vjetër ku shihet këto dy figura historike të rrethuar edhe me miq të tjerë.

Sipas lexuesve kjo fotografi është shkrepur në Isniq, të Deçanit. Kontributi i tyre cilësohet si historik në të kaluarën e popullit shqiptar./ KultPlus.com

Isa Boletini në vitin 1913: Ç’kërkojnë serbët në Kosovë?

Në përvjetorin e Isa Boletinit kujtojmë figurën e madhe të tij, i cili gjatë tërë jetës punoi për çështje atdhetare, shkruan KultPlus.

Pavarësisht pse ai ka vdekur, ajo që ka lënë pas përveç veprimtarisë së bujshme janë edhe intervistat e tij, përgjatë të cilave ai shprehi drejtpërdrejtë mendimet e tij për aktualitetet e asaj kohe.

Kohë më parë, Aurenc Bebja pati sjellur botimin e Journal des débats politiques et littéraires” lidhur me deklartatat e Boletinit në intervistën për gazetën “Narodni List”.

Përveç që tha se deri në frymën e fundit do të vazhdoj të punoj për çështje të kombit, Isa Boletini shtroi edhe një pyetje që kishte bërë bujë në atë kohë.

KultPlus ua sjell deklaratat e Isa Boletinit në gazetën “Narodni List”:

Na telegrafojnë nga Shkodra se Isa Boletini, ministri aktual i luftës së qeverisë së Vlorës, gjendet momentalisht në këtë qytet në gjendje të rëndë shëndetësore.

Shefi i famshëm shqiptar ka bërë për korrespodentin e gazetës “Narodni List”, të Fiumes, deklaratat e mëposhtme :

Gjendem i sëmurë në momentin kur kanë më shumë nevojë për ndihmën time; por shpresoj të shërohem sa më shpejt që të kthehem në luftë.

Do të luftoj deri në frymën e fundit dhe derisa të ketë shqiptarë të armatosur, kështu Ballkani nuk do të jetojë në paqe.

E kam thënë këtë gjë në Evropë, e përsëris edhe sot para jush. Madje, ç’kërkojnë serbët në Kosovë !

Gazetat në Beograd, të cilat riprodhojnë këtë deklaratë, pyesin nëse Austria do të gjejë një pretekst tjetër, kur Isa Boletini do të ekzekutojë kërcënimet e tij, për të parandaluar Serbinë që të mbrohet ndaj agresorëve të saj. / KultPlus.com

Si e organizuan vrasjen e Isa Boletinit?

Marrë nga “100 vrasjet më të bujshme në historinë e shtetit shqiptar 1912-2017”, Roland Qafoku

Nëse Ismail Qemali ishte truri i pavarësisë së Shqipërisë, Isa Boletini ishte krahu i armatosur i saj. Por vetëm 3 vjet e dy muaj nga dita më e madhe e kombit shqiptar, njeriu që luftoi aq shumë për këtë pavarësi u vra në një pusi nga 80 xhandarë malazezë dhe serbë.

Akrepat e orës shënonin 21.13 atë të diel të 23 janarit 1916 kur plumbat që vërshëllenin rreth e rrotull si grerëza të tërbuara, e lanë të vdekur Isa Boletinin në kalldrëmin e urës Ribnica në Podgoricë të Malit të Zi. Një bir i kohës së tij dhe që bashkë me vrasjen e tij, në fakt u vra edhe Kosova, duke ia shkëputur trupit të Shqipërisë.

Ç’mund të bënte Isa Boletini vetë i 9-të kur në të dy anët e urës Ribnica ishin 80 ushtarë që e kishin marrë në shenjë? Ose të dorëzohej ose të vritej duke luftuar bashkë më të gjithë.

Të ndodhur si peshqit në rrjetë, shqiptari i madh bëri atë që vërtetë do ta çonte drejt vdekjes së sigurt, por si hero: të shtënave iu kundërpërgjigj me të shtëna. Batareja e pushkëve solli bilancin tragjik: vrasjen e Isa Boletinit vetë i 9-të, por edhe vrasjen e 12 xhandarëve malazezë.

Si u organizua vrasja

Me etjen për hakmarrje, serbët dhe malazezët u bënë bashkë me rusët dhe francezët për ta eliminuar Isa Boletinin. Atë që nuk e kishin arritur ta bënin në luftë ballore në fushëbeteja, ata e bënë në urën e shtetit fqinj, Malin e Zi. Konsulli francez në Podgoricë, Bichoc, është njeriu që nisi aplikimin e kurthit duke e ftuar Isa Boletinin të shkojë në Cetinjë, në mënyrë që prej andej ta dërgonte jashtë Malit të Zi. Boletini i besoi kësaj ndihme pa e menduar se në fakt po shkonte drejt ekzekutimit. Teksa ndodhej në Podgoricë ai u gjend në një kurth që i solli vdekjen.

Në fakt, ajo nuk ishte thjesht një vrasje, por një kasaphanë. Dëshmitë e një masakre të organizuar vijnë nga të dy palët: viktimat dhe vrasësit.

I pari është Tafil Boletini, nipi i Isa Boletinit, në një rrëfim unikal të botuar në studimin e Skënder Luarasit.

“Nja 80 xhandarë kishin zënë pritë në të dyja anët e urës së Ribnicës, karshi prefekturës, afër kishës katolike. Unë me dy vëllezërit, sipas lajmërimit të kasnecit, po ktheheshim për në shtëpi, te axha (Isa), patrulla në krye të urës, që po priste ardhjen e axhës, na ndali. Kur oficeri urdhëron ndalimin, xhandarët me pushkët gati të qëllojnë pyesin:

Kush asht Isa Boletini?! Por oficeri ndërhyn duke u thënë: Mos shtini, nuk është asnjë nga këta!”. Por që tre vëllezërit nuk kanë mundësi të lajmërojnë Boletinin për vendimin e malazezëve, pasi me përdhunë, nën kërcënimin e armëve mbyllen në një shtëpi dhe mbahen të bllokuar. Në këtë kohë Isa Boletini, vet i tetë, kishte hedhur hapat e parë në dërrasat e urës së Ribnicës pa e dalluar se edhe nga pas krahëve xhandarët e mbyllën udhën që të mos kishte asnjë mundësi daljeje.

Një oficer komandues u kërkon shqiptarëve të dorëzojnë armët, por Isa Boletini kundërshton: Jo besa! S’ja kam dorëzue, as krajlit, as mbretit. Dhe nxjerr armën. I pari që shtie ishte njëfarë Pero Buriqi nga Vasoviçi. Menjëherë flakë për flakë përgjigjet edhe Isa Boletini dhe të tijtë me nga dy revolver në duar.

Brenda disa minutave, të rrethuar nga të gjitha anët nga dhjetëra xhandarë, vriten të gjithë, Isa Boletini dhe dy të bijtë, Halili dhe Zahidi, që ishte student në Vjenë, dy nipërit, Jonuzi dhe Halili, Hajdar Selim Radisheva, kunati i Isait, djali i vëllait të Hajdarit, Idriz Bilimi dhe Misin Bala nga Isniqi. Nga ana tjetër mbetën të vrarë tetë xhandarë dhe plagosen dyfishi. Shfaqja u sodit nga disa ministra malazezë të strehuar në prefekturën e qytetit”.

Rrallë ndodh që të rrëfejë autori i një vrasjeje masakre, për më tepër kur kjo ka ndodhur 100 vjet më parë. Në rastin e Isa Boletinit nuk kemi një, por dy rrëfime. I pari është I P.M.

Vojvodiq-it, oficer rezervë, bashkautor në këtë vrasje masive. Edhe dëshmia e tij është unikale dhe, për fat të mirë, u bë pjesë e një botimi të veçantë në vitin 1977.

“Isa Boletini ishte në katin përdhes të shtabit të ushtrisë malaeze. Unë si roje kam patur urdhër që ai të mos dalë nga dera. Në një rrethanë të papritur kanë shkrep armët te ura dhe Isa Boletini ka provuar të dalë në ndihmë të kreshnikëve të tij, por unë e kam plagosë duke e goditur në duar. Pas nja 10 minutave ka ardhur Nikolla Gjilas, babai i Millovan Gjilas dhe ka shtirë pesë herë në të. Ai i ka grabit Isës pushkën dhe revolet që i mbetën afër duarve.” .

Edhe pse u realizua një vrasje masive dhe pak ka kuptuar në atë kohë se çfarë ka bërë, nuk ka vlerë të vogël fakti që vetë Vojvodiq shpreh pendesë:

“Unë shumë vonë e kam mësuar se kë kam plagosur. Sot pendohem shumë se çfarë mëkati kam bërë. Po u rrëfeva se nuk jam fajtor. Unë kam qenë vetëm një oficer që zbaton urdhra. Urdhri ka ardhur nga lart. Këtë krim e kuptuam shumë vonë. Fajtor është përfaqësia franceze, qeveria dhe mbreti i Malit të Zi.”

Vojvodiq ishte dhe mbetet një profil i ulët zyrtar dhe publik, por dëshmia e dytë është shumë më e rëndësishme se kjo. Malazezi Milovan Gjilas, një shkrimtar dhe politikan me peshë gjatë regjimit komunist në Jugosllavi, sjell një dëshmi akoma më unikale të të atit, Nikolla Gjilas, njeriu që kishte vrarë me dorën e vet Isa Boletinin. Falë talentit si shkrimtar atij i ka rënë rasti ta “vizatojë”armikun duke e përshkruar me nota admirimi.

“Beteja e Isës me ushtarët e tij vullnetarë nuk kishte vazhduar shumë, pavarësisht heroizmit të rreptë të shqiptarëve. Nga kjo goditje kishte rënë udhëheqësi i tyre dhe besnikët e tij të devotshëm. Njerëzit më të afërt të Isës ishin likuiduar dhe të tjerët ishin shpërndarë në katër anë.

Isa Boletini ishte vrarë, por kishte luftuar trimërisht, madje për një kohë të gjatë, pavarësisht se kishte mbetur i vetëm në rrugë të madhe. Ashtu, i plagosur, ishte ngritur në gjunjë dhe sado që nuk kishte fuqi për të mbajtur pushkën, qëllonte me revole që të paktën të vriste ndonjë prej armiqve para se të jepte shpirt. Babai im ishte turrur me vrap drejt tij dhe shqiptari i pamposhtur e kishte kaluar revolen në dorën e majtë, por nuk kishte pasur kohë të hapte zjarr.

Një ushtar e kishte vënë në shenjë dhe Isa kishte rënë përdhe. Babai ishte afruar me vrap dhe Isa e kishte vështruar me sytë e mëdhenj dhe të përgjakur, kishte thënë çka në gjuhën e tij amtare dhe në atë çast kishte dhënë shpirt.

Çudia vjen nga historiani anglez Joseph Sëire që për ngjarjen në fjalë është furnizuar nga një letër që Edith Durham ia ka dërguar më 10 korrik 19284 të zbuluar në arkivin britanik nga studiuesi Bejdullah Destani, në të cilën ajo tregon për dëshminë që i kishte dhënë Qazim Kastrati për vrasjen e Isa Boletinit. Kastrati në atë kohë ishte fëmijë, por kishte qenë dëshmitar okular i masakrës.

Edhe pse Kastrati e ka rrëfyer me sinqeritetin e një fëmije, ngjarja vjen me shtrembërime nga Sëire 5. Në librin e tij kjo histori kalon me tre rreshta në të cilën anglezi më shumë i ngatërron detajet se sa i sqaron. Ai shkruan se malazezët provokuan një grindje dhe më shumë hedh dyshime për prezencën e Boletinit në Podgoricë, se jep detaje për një masakër për të cilën Qazim Kastrati i dhanë detaje mëse të vlefshme. Ja pjesa e letrës së Kastratit që Joseph Sëire nuk e ka parë të arsyeshme ta vendosë në libër:

“Një grup malazezësh hasi në dy prej djemve të Isa Boletinit pranë urës, i ndaloi dhe u kërkoi të dorëzonin armët. Ashtu si gjithë të tjerët në Mal të Zi, edhe ata mbanin lirisht armë. T’i kërkoje dikujt të dorëzonte armën ishte fyerje e madhe, prandaj dy djemtë refuzuan.

Malazezët u përpoqën të flasin me ta dhe pas kësaj krisi pushka. Njerëzit e tjerë të Boletinëve bashkë me Isën erdhën për t’i shpëtuar. Filloi një betejë e madhe. Boletinët mundën të grupohen në një vend prej ku mund të mbroheshin, por mbetën të rrethuar nga malazezët që ishin më të shumtë në numër. Lufta zgjati rreth tre orë.

Më në fund, malazezët përdorën një mitraloz dhe i kositën të gjithë, nëntë vetë gjithsej.”

Arma që vrau Boletinin, një trofe i rrallë

Se sa rëndësi ka patur për serbët dhe malazezët vrasja e Isa Boletinit e tregon një trofe që ndodhet ende në shtëpinë e familjes Gjilas në Beograd. Nikolla Gjilas, babai i Milovan Gjilas, ishte një nga autorët që qëlloi me pistoletë në trupin e Isa Boletinit. Këtë armë nuk e përdori më, por e ruajti në shtëpi si një trofe pa e ditur që i biri Milovan Gjilas do të bënte një karrierë si sekretar i Byrosë Politike dhe zëvendëskryeministër i Jugosllavisë dhe një nga bashkëpunëtorët më të afërt të Josif Broz Titos.

Në këtë mënyrë, arma që vrau një shqiptar safi dhe simbol të rezistencës ndaj tyre, do të ishte më shumë sesa simbolike: ishte një mburrje për këtë familje. Gjilasi i ri ka derdhur me fjalë të zgjedhura përshkrimin për heroin shqiptar.

“Babai e kishte marrë mauzerin e tij të gjatë me dorezë të stolisur argjendi dhe e kishte ruajtur si kujtimin më të shtrenjtë. Për çudi edhe ne fëmijëve na vinte keq dhe ndienim hidhërim dhe kishim mbajtur zi për Isa Boletinin. Edhe babait i vinte keq, megjithëse ai ishte krenar që ishte vrarë prej grupit të tij. Ky ishte një pikëllim i veçantë, ishte më tepër një admirim për një hero sypatrembur të Shqipërisë, që kishte luftuar deri në fund në një fushë të zhveshur, në mes të rrugës së madhe, pa iu lutur kërkujt dhe pa falur askënd, ashtu drejt në këmbë, i pambrojtur.

Admirimi për të bënte pjesë gjithashtu në pikëllimin tonë. Në qoftë se një njeri duhet të vdesë, do të ishte mirë të binte ashtu siç kishte rënë Isa Boletini. U kujtoftë për jetë nga ata që e panë dhe nga ata që kanë dëgjuar për të!

Shumë më vonë ne i patëm treguar babait dhe e ngacmonim për këtë, se kishim lexuar që Isa Boletini kishte vdekur në Shkodër. Babai nuk e pranonte një gjë të tillë. Por për të nuk kishte aq rëndësi nëse ky kishte qenë Isa Boletini vetë, apo ndonjë nga oficerët e tij, kryesorja ishte se shqiptarët që kishin luftuar në atë betejë dhe, sidomos prijësi i tyre, që nuk mund të ishte njeri tjetër veç Isa Boletini, ishte vrarë. Babait i kishin thënë se ky ishte Isa. Dhe kjo mjaftonte për të, fakti i rënies së tij ishte provuar për jetë të jetëve me zjarrin e pushkëve”.

Varrimi

Në janar të vitit 2014 të gjitha agjencitë e lajmeve, gazetat dhe televizionet publikuan një lajm që kishte lidhje me vrasjen e Isa Boletinit 98 vjet më parë. Instituti i Mjekësisë Ligjore në Universitetin e Strasburgut konfimoi se eshtrat e dërguar atje për ekzaminim ishin të Isa Boletinit.

Isa Boletini u varros dy dytë pas vrasjes në Podgoricë, çuditërisht në një ceremoni me pjesëmarrje masive, ndërkohë që Nasuf Dizdari nga Shkodra mbajti edhe një fjalim gjatë procesionit. Që nga ajo kohë rodhën shumë ngjarje dhe jo vetëm nderimi, por edhe përmendja e emrit të Isa Boletinit cilësohej një krim. Për vite e dekada varri ishte i braktisur, askush nuk shkonte atje, madje ai quhej një varr i humbur. Por në vitin 1973, gjatë asaj kohe që quhet liberalizimi i regjimit të Titos ndaj Kosovës, u bë kërkesa e parë për kthimin e eshtrave në vendlindje. Falë përpjekjeve të familjarëve dhe studiuesëve varri u zbulua dhe më 15 nëntor të vitit 1979 u krye zhvarrimi i kërkuar.

Në fakt këtë proces e shpejtoi dhe një projekti bashkisë së Podgoricës që në tokën ku preheshin eshtrat do të ndërtohej një park. Bashkë me eshtrat e Isa Boletinit u nxorën edhe eshtrat e të shtatë të vrarëve të tjerë të masakrës së 23 janarit 1916. Ishin dy fakte që vërtetonin se ato eshtra i përkisnin Isa Boletinit: Epitafi mbi gurin e varrit, por edhe mungesa te eshtrat e gishtit të mesit në dorën e majtë.

Sipas familjes Boletini, Isa e kishte prerë këtë gisht në moshën 3-vjeçare me sopatë. Eshtrat u vendosën me kujdes në një arkë dhe u varrosën në një kënd të oborrit në xhaminë e Mitrovicës në fshehtësi të plotë. Muhamet Shukriu, Latif Berisha, Asllan Murati ishin tre personat që u betuan me njëri-tjetrin që nuk do t’ia tregonin askujt këtë sekret. Një sekret që u mbajt deri në lirinë e Kosovës e më pas për të ndërtuar një memorial të veçantë.

Ndërkohë, pas 100-vjetorit të pavarësisë, nisi procesi i verifikimit të eshtrave për të kryer një ceremoni zyrtare varrimi. Pas verifikimit, i pari ishte kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, i cili deklaroi se eshtrat e Isa Boletinit do të varroseshin në Vlorë pranë varrit të Ismail Qemalit. Rama caktoi edhe 10 qershorin e vitit 2015 si datën e kësaj ceremonie.

Por, si në të gjallë dhe si në të vdekur rruga e Isa Boletinit drejt Vlorës, qytetit ku u ngjiz shteti shqiptar, kishte të njëjtin fat. Shqipëria e shpalli pavarësinë më 29 Nëntor 1912, por Isa Boletini nuk arriti në kohë të ishte pjesmarrës. Pas 103 vjetësh edhe eshtrat e tij nuk mundën të arrinin atje. Më 10 qershor 2015, Isa Boletini u varros për herë të tretë, por jo në Vlorë siç deklaroi kryeministri Rama, por në oborrin e kullës së tij në Boletin të Mitrovicës. Ishte këmbëngulja e familjarëve që të bëhej kështu.

Vërtet Vlora ishte pika e dobët e Isa Boletinit, por Mitrovica ishte dhe do të jetë në përjetësi dashuria më e madhe e heroit, për të cilën ai shkriu jetën./konica/ KultPlus.com

Para 107 viteve, heroi Isa Boletini u vra në Podgoricë

Isa Boletini ka udhëhequr forcat kryengritëse për çlirim nga pushtuesi Osman më 1912, ka qenë përkrah Ismail Qemalit në shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë, e cila është copëtuar në konferencën e Londrës më 1913-të.

Isa Boletini ishte lindur në fshatin Boletin të Mitrovicës, në një familje me tradita patriotike. Në moshën 17-vjeçare ka marrë pjesë si luftëtar i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, në betejën e Slivovës (22 prill 1881) kundër forcave osmane. Ai ka përkrahur Haxhi Zekën dhe atdhetarët e tjerë në themelimin e Lidhjes Shqiptare të Pejës (1899-1900) dhe në qëndresën e saj kundër sunduesve osmanë e qarqeve shoviniste fqinje.

Më 1901-1902 ishte vënë në krye të qëndresës popullore në Kosovë kundër ndërhyrjeve të Serbisë, Malit të Zi, Rusisë e Austro-Hungarisë në Shqipëri. Boletini ka udhëhequr luftëtarët në betejat e zhvilluara me ushtrinë turke në zonat Shtimlje-Carralevë më 1910, ka mbështetur kryengritjen antiosmane të vitit 1911, ka udhëhequr forcat kryengritëse në zonën e Drenicës, Mitrovicës, Podujevës dhe Prishtinës në vitin 1912. Gjatë Luftës Ballkanike në tetor 1912, ishte vënë në krye të çetave të armatosura vullnetare për mbrojtjen e trojeve shqiptare kundër pushtuesve serbë.

Në ditët e Pavarësisë, në krye të përfaqësuesve të Kosovës, ishte ndodhur përkrah Ismail Qemalit në Vlorë dhe mori pjesë aktive në organizimin e forcave të armatosura për mbrojtjen e Qeverisë së Përkohshme të Vlorës. Më 1913, si anëtar i delegacionit shqiptar, së bashku me Ismail Qemalin ka shkuar në Londër, ku ka protestuar me forcë kundër vendimit të Fuqive të Mëdha për copëtimin e Shqipërisë.

Më vonë, Isa Boletini ka kaluar përsëri në Kosovë, ku ka organizuar qëndresën popullore kundër pushtuesve të rinj serbo-malazezë. Duke e kaluar jetën në luftë e përpjekje dhe me urtësinë e tij, ai ka fituar autoritet të madh si udhëheqës popullor.

Isa Boletini e ka lidhur jetën e tij e të familjes me fatin e atdheut, dashurinë e besnikërinë ndaj të cilit e ka shprehur me fjalët “Unë jam mirë kur asht mirë Shqypnia”.

Isa Boletini më 23 janar 1916 ishte vrarë pabesisht nga shovinistët malazezë në Podgoricë, së bashku me të bijtë, Halilin dhe Zahidin, nipërit Jonuzin dhe Halitin, si dhe tre bashkëluftëtarë të tjerë. / KultPlus.com

Isa Boletini: Unë jam mirë kur asht mirë Shqypnia

Isa Boletini është një nga emrat më të njohur në rrafshin historik për gjithë kombin shqiptar. Ai ishte organizatori kryesor i mobilizimit të shqiptarëve të Kosovës në vitin 1912, në prag të shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë.

Ai ishte bërë shpesh temë e nxehtë në Kosovë meqë Kulla e Isa Boletinit gjendet në Mitrovicë si një qytet problematik politik mes Kosovës dhe Serbisë.

Isa Boletini është një prej patriotëve më të mëdhenj që ka jetuar në trojet shqiptare. Ai ka udhëhequr luftën për liri të shqiptarëve prej vitesh të tëra.

“Unë jam mirë kur asht mirë Shqypnia” është një nga thëniet më të mira dhe më domethënëse që vë në pah atdhedashurinë dhe lidhjet kombëtare mes Kosovës dhe Shqipërisë. /KultPlus.com

Isa Boletini dhe Ismail Qemali në vitin 1913: Kosova dhe Mitrovica duhet t’i bashkohen Shqipërisë

Nga Aurenc Bebja*, Francë – 27 Prill 2020

“Le Soir” ka botuar, të shtunën e 12 prillit 1913, në ballinë, një shkrim në lidhje me deklaratën e Ismail Qemalit dhe Isa Boletinit bërë askokohe një gazetari të medias së njohur austriake “Neue Freie Presse” në Vjenë, të cilin, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :

Çështja shqiptare

Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France
Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France

Vjenë, 11 prill.

Ismail Qemali dhe Isa Boletini mbërritën mbrëmë në Vjenë. Ata i bënë deklaratën e mëposhtme një redaktori të Neue Freie Presse :

Kosova dhe Mitrovica duhet t’i kthehen Shqipërisë. Përndryshe, shqiptarët do të privoheshin nga pjesa më pjellore e vendit dhe ata kurrë nuk do ta pranonin atë.

Paqja në Ballkan do të jetë e pamundur nëse ruhet demarkacioni aktual i Shqipërisë. / KultPlus.com

https://www.darsiani.com/la-gazette/ismail-qemali-dhe-isa-boletini-redaktorit-te-neue-freie-presse-ne-vjene-1913-kosova-dhe-mitrovica-duhet-t-i-rikthehen-shqiperise-perndryshe-me-kete-demarkacion/?fbclid=IwAR2Y_ivJHIcSGhhppTrwTRbjC6IDgzbqEHYQYFK1tEvh3gQaJfkZFDA3gVU

Sot shënohet 159 vjetori i lindjes së Isa Boletinit

Më 15 janar 1864 lindi Isa Boletini, luftëtar e udhëheqës ushtarak popullor, organizator e drejtues i lëvizjes për çlirimin kombëtar, Hero i Popullit. Isa Boletini lindi në Boletin të Mitrovicës. Në moshën 17 vjeçare mori pjesë si luftëtar i Lidhjes Shqiptare të Prizërenit në betejën e Slivovës kundër forcave osmane.

Ndihmoi në themelimin e Lidhjes Shqiptare të Pejës dhe në qëndresën e saj kundër sunduesve osmanë dhe synimeve grabitqare të Serbisë dhe Malit të Zi. Më 1901-1902 u vu në krye të qëndresës popullore në Kosovë kundër ndërhyrjeve të Serbisë, Malit të Zi dhe Austro-Hungarisë. Në vitin 1908 përkrahu revolucionin xhonturk, por iu kundërvu politikës antishqiptare të Xhonturqve. U dallua si udhëheqës e organizator i kryengritjeve të mëdha popullore kundërosmane të viteve 1908-1912.

Udhëhoqi disa kryengritje kundërosmane në Drenicë-Mitrovicë, Shtime-Carralevë, Podujevë-Prishtinë etj. Në ditët e shpalljes së Pavarësisë u vu në krye të përfaqësuesve të Kosovës, si dhe u ndodh në krah të Ismail Qemalit në Vlorë më 28 Nëntor 1912. Në vitin 1913 si anëtar i delegacionit shqiptar së bashku me Ismail Qemalin shkoi në Londër, ku kundërshtoi me forcë vendimet e Fuqive të Mëdha për copëtimin e Shqipërisë.

Më vonë kaloi sërish në Kosovë, ku organizoi qëndresën popullore kundër pushtuesve të rinj serbo-malazezë. Duke kaluar jetën në luftë e përpjekje dhe me urtësinë e tij, fitoi autoritet si udhëheqës popullor. Më 23 janar 1916 u vra pabesisht nga shovinistët malazezë në Podgoricë. / KultPlus.com

Rrëfehet një histori mes Isa Boletinit dhe Ahmet Delisë nga ‘Drama e Madhe e Nëntorit 1912’

Nga Blerim Latifi

Një histori nga Drama e Madhe e Nëntorit 1912

Pasi nuk ia kishte dalë të ndalonte serbët për të marrë Prishtinën, Isa Boletini me një pjesë të luftëtarëve të tij ishte tërhequr në drejtim të Vushtrrisë. Aty e kaluan lumin Sitnica dhe u nisën në drejtim të Prekazit për të kaluar natën në konakun e mikut të tij të vjetër, Ahmet Delisë. Luftëtarët e tjerë u shpërndanë nëpër katund, ndërsa Isa qëndroi me plakun e Prekazit.

Tanë natën e kaluan duke folur për gjamën e madhe që kishte ra n’Kosovë, pushtimin serb.

– Kam marrë habere se n’Shqypni asht t’ue u ba nji kuvend i madh e une duhna me kanë aty, – i tha Isa, Ahmet Delisë. – Po du qe ti me ardh shoq me mue!

Kur zbardhi dita e re të dy burrat u vunë në krye të luftëtarëve dhe nisën udhëtimin e gjatë. Kur kaluan Përroin e Keq dhe u ngjitën në rrafshlartën e Qubrelit, u ndalën për të pushuar. Midis dy burrave nisi një bisedë e vështirë.

– Duhet të kthehemi, Isa Beg! – i tha Ahmet Delia. – Qysh po shkojmë n’ Shqypni e gratë e thmitë po i lamë n’ dur t’shkaut.

– Nuk mujm me qëndru ma shumë ktu ; atje kena me u bashku e kur t’vjen Pranvera kemi me liru tanë Kosovën, – ia ktheu Isa.

Por Ahmet Delia nuk u bind.

– Ty udha e mbarë e unë po kthehna; nuk m’bajnë kambët me shku manej! – ishin fjalët e fundit të tij para se të ndahej nga Isa Boletini.

Në fillim të dhjetorit Isa Boletini u shfaq në Vlorë, ku tanimë ishte shpallur Pavarësia e Shqipërisë, ndërsa pak ditë më vonë Ahmet Delia u vra në një betejë epike me një njësi paramilitare serbe, e cila e kishte sulmuar Prekazin për ta plaçkitur e dhunuar. / KultPlus.com

Ky është varri i Isa Boletinit në Podgoricë, vetëm disa ditë pas vrasjes

Në janar të 1916-s, ushtritë austro-hungareze po depërtonin në territorin malazez. Më 20 janar 1916 malazezët vendosin të transferojnë kosovarët në Podgoricë. Ndërsa austro-hungarezët avanconin, tri ditë më vonë do të ndodhte tragjedia.

Më poshtë po citojmë kujtimet e Tafil Boletinit, nip i Isait, i vetmi i shpëtuar nga masakra:

“…Ndërkohë kasneci lajmëronte: Pushtet ma s’ka, gjithkushi nëpër shpija. Ushtria austriake asht hi në qytet. Gjandarmëria po mban qetësinë deri në dorëzim. Ajo detyrë i ishte ngarkue major Savo Llazareviç me dy batalione gjandarë. Ky kriminel i njoftun, po me këta gjandarë që quheshin ‘krillash’ (me krah), ka pasë me tmerrue me masakrime e vrasje, djegie, plaçkitje e me çdo lloj torturash barbare rrethet e Pejës, Gjakovës, Plavës e Gucisë, terror që shumë breza s’kanë me e harrue dhe historia kurrë. Këtë xhelat populli i atyne anëve e njef me emrin Savë Batarja, që e kishte fitue tue ba batare…

Të gjitha kryqet e rrugëve Savo i kishte xanë me patrulla të forta. Me nja 80 gjandarë kishte zanë pusi në të dy anët e urës së Ribnicës jo larg kishës katolike e karshi prefekturës… në ato moment mbërrin axha, po tue qenë ura në bërryl të rrugës nuk shifesh gja deri sa ka hip në urë. Me të hypë axha Isë në urë jepet shenji: Qe ky asht vetë Isa Boletini! Dhe prapa e nxanë urën. Kështu axha me Jonuzin me shokë rrethohen në hallkë. Oficeri komandues me za të naltë komandon: Predajte oruzhje! (Dorëzoni armët!). Axha Isa: Jo besa, kurrë s’ia kam dorëzue as mbretit, as kralit! Nagantin e mbante para dhetçes.

E para pushkë nga malazezët ka qenë e Pero Buriçit nga Vasoviçi. Në flakë të ksaj axha Isa me shokë iu bijnë atyne përqark. Edhe Jonuzi ka pasë dy revolverë, nagant e dhetçe. Krejt i kanë zbrazë, ndonëse të rrëzuem prej plumbave deri sa iu ka ra edhe me bomba dore. Çuni i axhës Isa, Halili, përveç revolverit iu ka ra edhe me bomëbn që ia pat marrë Niko gjandarit…

Mbrenda pak minutave tragjedia mbaroi. U vra Isa vetë i tetë:

1. Isa Boletini, vjeç 51.

2. Halili, i biri, vjeç 24.

3. Seidi, i biri, vjeç 18, student në Vjenë.

4. Jonuzi, nipi, vjeç 26.

5. Halili, nipi, vjeç 24.

6. Hajdar Selim Radisheva, kunat i axhës dhe dhandërr, vjeç 30.

7. Idris Bislimi, nipi i Hajdarit, vjeç 18.

8. Misin Niman Bala nga Isniqi, kushëri, vjeç 26. / KultPlus.com

Gurakuqi: Nesër do të nisem për në Romë së bashku me Isa Boletinin, ku do t’i bashkohemi shefit tonë Ismil Qemali dhe më pas do të vazhdojmë të gjithë për në Londër

Nga Aurenc Bebja

Bisedë me një ministër shqiptar

Burimi : Gazetta di Venezia, e premte, 4 prill 1913, ballinë
Burimi : Gazetta di Venezia, e premte, 4 prill 1913, ballinë

Telegrami i shqiptarëve për Sir Grey

(Korrespondenca jonë e veçantë)

Bari, 1 prill.

Mbrëmë, me trenin nga Brindizi, në stacionin tonë mbërriti Shkëkqesia e Tij Ismail Qemal beu, kryetar i qeverisë së përkohshme shqiptare, i shoqëruar nga djemtë e tij Et’hemi dhe Qazimi, nga ministri i arsimit publik Luigj Gurakuqi dhe nga revolucionari i njohur Isa Boletini, po ashtu me dy djemtë e tij.

Ata u mirëpritën nga kolonia e madhe shqiptare e Barit nëpërmjet duartrokitjeve të gjata e entuziaste.

Ismail Qemali përshëndeti të gjithë i emocionuar dhe shprehu menjëherë keqardhjen e tij që duhej të vazhdonte menjëherë për në Romë, duke pasur parasysh urgjencën e çështjeve me të cilat duhej të merrej në kryeqytet. Ndërsa qëndruan në Bari ministri Gurakuqi dhe Isa Boletini dhe nesër në mëngjes do të nisen për në Romë.

I shoqëruar këtu nga një mik prej Shkodre, shkova në Hotel Cavour dhe munda të realizoj një intervistë me ministrin Gurakuqi.

Ai flet në mënyrë perfekte italisht pasi ka përfunduar studimet në Napoli; me sjellje të dashur dhe të dalluar, nuk është më shumë se 33 vjeç dhe ka lindur në Shkodër të Shqipërisë.

E pyeta menjëherë se çfarë përshtypjeje kishte lënë tek ai dhe kolegët e tij në qeverinë e përkohshme qëndrimi i Italisë në favor të autonomisë shqiptare.

— Ne, u përgjigj ministri, duhet t’u jemi mirënjohës qeverive italiane dhe austro-hungareze së bashku, sepse ato ishin faktorët e parë dhe të vazhdueshëm të pavarësisë së Shqipërisë kur vendi ynë heroik dhe i trazuar kërcënohej të ndahej midis katër shteteve ballkanike. Ne ende duhet t’u jemi mirënjohës fuqive të Evropës, që ftuan Malin e Zi të ndalojë bombardimet e Shkodrës dhe të vërtetojë në çdo rast se ky qytet i përket shtetit të ri shqiptar. Për ne Shkodra është absolutisht e nevojshme dhe nuk do të mund të imagjinohej një Shqipëri e lirë dhe e pavarur, pa Shkodrën si kryeqytet.

— Cila do të jetë forma e qeverisjes dhe cili do të jetë udhëheqësi i saj? — e pyeta zotin Gurakuqi.

— Epo, u përgjigj ministri, forma e qeverisjes sigurisht që do të jetë kushtetuese dhe do të qeveriset me ligje civile dhe moderne, por për momentin nuk mund t’ju them asgjë, as të mundshme, sepse edhe këtu gjithçka do të varet nga vendimet që do të marrin më vonë fuqitë evropiane.

— Por Duka i Montpensierit, që ju transportoi me jahtin e tij nga Vlora në Brindizi, nuk ka mundësi?

— Edhe ai, si shumë të tjerë, është një nga kandidatët, por e përsëris se nuk ka asgjë pozitive.

— Dhe për ku do të niseni nesër ?

— Do të nisem për në Romë së bashku me Isa Boletinin, ku do t’i bashkohemi shefit tonë Ismail Qemali dhe më pas do të vazhdojmë të gjithë për në Londër, ku synojmë të jemi pranë ambasadorëve për të paraqitur dëshirat tona në lidhje me kufijtë e shtetit të ri.

Gjatë intervistës hyri i famshmi Isa Boletini, vrasja e të cilit nga serbët u njoftua disa herë, ai flet vetëm gjuhën shqipe, ndaj më duhej t’i përcillja përshëndetjet dhe urimet e mia më të mira për çështjen shqiptare, përmes përkthimit të vetë ministër të sjellshëm Gurakuqi.

Ndërkohë, munda të lexoj telegramin e mëposhtëm, i cili do t’i dërgohet Sir E. Grey në Londër :

Armiqësia e qeverisë xhonturke kundër shqiptarëve na kishte detyruar t’u rezistonim me armë në dorë për ruajtjen e ekzistencës sonë kombëtare. Kjo luftë, e cila vazhdon për katër vite radhazi, ka kushtuar shumë burra dhe para. Fqinjët tanë në Ballkan, të prekur nga fatkeqësitë tona, në disa raste na kishin treguar simpatinë e tyre dhe na kishin premtuar edhe mbështetjen e tyre. Në fund të katër viteve, verën e kaluar, më në fund arritëm të merrnim njohjen e pjesshme të të drejtave tona nga qeveria. Në një moment rraskapitjeje, Shqipëria u pushtua nga fqinjët e saj, pa qenë fare përgjegjëse për luftën ballkanike. Agjitatorët e dërguar në Shqipëri dhe të lidhur me elementët shqetësues të vendit kanë kryer mizori të tilla që e bëjnë njerëzimin të dridhet nga tmerri. Të bindur për drejtësinë e Konferencës së Ambasadorëve, ne presim çlirimin e ardhshëm të tokës sonë kombëtare dhe besojmë se përfaqësuesit e Fuqive të Mëdha do të ruajnë të drejtat tona legjitime si dhe ekzistencën tonë kombëtare. Rezultati i luftës së tanishme, një luftë për të cilën përgjegjësia nuk mund të binte mbi popullin shqiptar, nuk duhet të ndikojë veçanërisht në fatin e integritetit të vendit tonë. E përfundojmë duke iu lutur botës së qytetëruar që të mos lejojë ndarjen e territorit tonë në të cilin kemi jetuar për dyzet shekuj.

Para se të largohesha, kërkova mendimin e ministrit Gurakuqi për qëndresën e Shkodrës dhe për rënien e mundshme në duart e ushtrive serbe e malazeze.

— Qyteti, u përgjigj ai, do të mund të rezistojë për një kohë të gjatë, sepse garnizoni përbëhet pothuajse tërësisht nga shqiptarë që e kuptojnë mirë se si fati i shtetit të ri varet nga rezistenca e tyre heroike; në çdo rast, nëse ushtritë rrethuese do të mund të kishin për momentin epërsinë, të jeni të sigurt se populli shqiptar nuk do t’i linte pushtuesit të qetë dhe masakra të tjera nuk do të ishin krejtësisht të pamundura. /KultPlus.com

Isa Boletini dhe Idriz Seferi në një fotografi (FOTO)

Isa Boletini dhe Idriz Seferi janë dy emra që përfaqësojnë patriotët më të mëdhenj të Kosovës e kombit që i kanë shërbyer çështjes atdhetare, shkruan KultPlus.

KultPlus sot ju sjellë një fotografi të vjetër ku shihet këto dy figura historike të rrethuar edhe me miq të tjerë. Sipas lexuesve kjo fotografi është shkrepur në Isniq, të Deçanit. Kontributi i tyre cilësohet si historik në të kaluarën e popullit shqiptar./ KultPlus.com

Shkrimi i gazetës ‘The press’ për Isa Boletinin më 23 nëntor të vitit 1912

Në 106-vjetorin e vrasjes së Isa Boletinit, ambasadori i Kosovës në Bruksel, Agron Bajrami ka publikuar një fragment të përkther nga gazeta e Zelandës së Re ‘The Press’ të datës 23 nëntor 1912, përcjell KultPlus.

Përmes një postimi në Facebook, Bajrami shkruan se ky fragment e dëshmon se fjala e mirë e një njeriu të vendosur arrin e dëgjohet me admirim edhe në skaj të botës.

KultPlus ua sjell postimin e plotë të tij:

Në 106 vjetorin e rënies së trimit e patriotit Isa Boletini, po e risjellë fragmentin nga gazeta “The Press” e Zelandës së Re, e datës 23 nëntor 1912, që dëshmon se fjala e mirë e një njeriu të vendosur arrinë e dëgjohet me admirim edhe në skaj të botës:

Përkthimi: “Pastaj, z. Isa arriti madhështinë. (Sulltani) Abdul Hamidi, meqë e zbuloi se forca nuk kryen punë, u përpoq me metodat e tija të zakonta – ryshfetin. Ai e ftoi Isën në Jildiz (Pallati dhe rezidenca e Sulltanit në Stamboll), e quajti duke duke i bërë lajka “Monsieur”, dhe i ofroi atij 2800 funte në vit dhe një harem për të jetuar si një musliman i mirë në Stamboll. Isa refuzoi 2800 funtat, e madje edhe haremin. ‘Ngufatem në qytete’, tha ai…”./ KultPlus.com

Isa Boletini: “Unë jam mirë kur asht mirë Shqypnia”

Isa Boletini është një nga emrat më të njohur në rrafshin historik për gjithë kombin shqiptar. Ai ishte organizatori kryesor i mobilizimit të shqiptarëve të Kosovës në vitin 1912, në prag të shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë. Ai ishte bërë shpesh temë e nxehtë në Kosovë meqë Kulla e Isa Boletinit gjendet në Mitrovicë si një qytet problematik politik mes Kosovës dhe Serbisë.

Isa Boletini është një prej patriotëve më të mëdhenj që ka jetuar në trojet shqiptare. Ai ka udhëhequr luftën për liri të shqiptarëve prej vitesh të tëra.

“Unë jam mirë kur asht mirë Shqypnia” është një nga thëniet më të mira dhe më domethënëse që vë në pah atdhedashurinë dhe lidhjet kombëtare mes Kosovës dhe Shqipërisë. / KultPlus.com

Si e organizuan vrasjen e Isa Boletinit?

Nëse Ismail Qemali ishte truri i pavarësisë së Shqipërisë, Isa Boletini ishte krahu i armatosur i saj. Por vetëm 3 vjet e dy muaj nga dita më e madhe e kombit shqiptar, njeriu që luftoi aq shumë për këtë pavarësi u vra në një pusi nga 80 xhandarë malazezë dhe serbë.

Akrepat e orës shënonin 21.13 atë të diel të 23 janarit 1916 kur plumbat që vërshëllenin rreth e rrotull si grerëza të tërbuara, e lanë të vdekur Isa Boletinin në kalldrëmin e urës Ribnica në Podgoricë të Malit të Zi. Një bir i kohës së tij dhe që bashkë me vrasjen e tij, në fakt u vra edhe Kosova, duke ia shkëputur trupit të Shqipërisë.

Ç’mund të bënte Isa Boletini vetë i 9-të kur në të dy anët e urës Ribnica ishin 80 ushtarë që e kishin marrë në shenjë? Ose të dorëzohej ose të vritej duke luftuar bashkë më të gjithë.

Të ndodhur si peshqit në rrjetë, shqiptari i madh bëri atë që vërtetë do ta çonte drejt vdekjes së sigurt, por si hero: të shtënave iu kundërpërgjigj me të shtëna. Batareja e pushkëve solli bilancin tragjik: vrasjen e Isa Boletinit vetë i 9-të, por edhe vrasjen e 12 xhandarëve malazezë.

Si u organizua vrasja

Me etjen për hakmarrje, serbët dhe malazezët u bënë bashkë me rusët dhe francezët për ta eliminuar Isa Boletinin. Atë që nuk e kishin arritur ta bënin në luftë ballore në fushëbeteja, ata e bënë në urën e shtetit fqinj, Malin e Zi. Konsulli francez në Podgoricë, Bichoc, është njeriu që nisi aplikimin e kurthit duke e ftuar Isa Boletinin të shkojë në Cetinjë, në mënyrë që prej andej ta dërgonte jashtë Malit të Zi. Boletini i besoi kësaj ndihme pa e menduar se në fakt po shkonte drejt ekzekutimit. Teksa ndodhej në Podgoricë ai u gjend në një kurth që i solli vdekjen.

Në fakt, ajo nuk ishte thjesht një vrasje, por një kasaphanë. Dëshmitë e një masakre të organizuar vijnë nga të dy palët: viktimat dhe vrasësit.

I pari është Tafil Boletini, nipi i Isa Boletinit, në një rrëfim unikal të botuar në studimin e Skënder Luarasit.

“Nja 80 xhandarë kishin zënë pritë në të dyja anët e urës së Ribnicës, karshi prefekturës, afër kishës katolike. Unë me dy vëllezërit, sipas lajmërimit të kasnecit, po ktheheshim për në shtëpi, te axha (Isa), patrulla në krye të urës, që po priste ardhjen e axhës, na ndali. Kur oficeri urdhëron ndalimin, xhandarët me pushkët gati të qëllojnë pyesin:

Kush asht Isa Boletini?! Por oficeri ndërhyn duke u thënë: Mos shtini, nuk është asnjë nga këta!”. Por që tre vëllezërit nuk kanë mundësi të lajmërojnë Boletinin për vendimin e malazezëve, pasi me përdhunë, nën kërcënimin e armëve mbyllen në një shtëpi dhe mbahen të bllokuar. Në këtë kohë Isa Boletini, vet i tetë, kishte hedhur hapat e parë në dërrasat e urës së Ribnicës pa e dalluar se edhe nga pas krahëve xhandarët e mbyllën udhën që të mos kishte asnjë mundësi daljeje.

Një oficer komandues u kërkon shqiptarëve të dorëzojnë armët, por Isa Boletini kundërshton: Jo besa! S’ja kam dorëzue, as krajlit, as mbretit. Dhe nxjerr armën. I pari që shtie ishte njëfarë Pero Buriqi nga Vasoviçi. Menjëherë flakë për flakë përgjigjet edhe Isa Boletini dhe të tijtë me nga dy revolver në duar.

Brenda disa minutave, të rrethuar nga të gjitha anët nga dhjetëra xhandarë, vriten të gjithë, Isa Boletini dhe dy të bijtë, Halili dhe Zahidi, që ishte student në Vjenë, dy nipërit, Jonuzi dhe Halili, Hajdar Selim Radisheva, kunati i Isait, djali i vëllait të Hajdarit, Idriz Bilimi dhe Misin Bala nga Isniqi. Nga ana tjetër mbetën të vrarë tetë xhandarë dhe plagosen dyfishi. Shfaqja u sodit nga disa ministra malazezë të strehuar në prefekturën e qytetit”.

Rrallë ndodh që të rrëfejë autori i një vrasjeje masakre, për më tepër kur kjo ka ndodhur 100 vjet më parë. Në rastin e Isa Boletinit nuk kemi një, por dy rrëfime. I pari është I P.M.

Vojvodiq-it, oficer rezervë, bashkautor në këtë vrasje masive. Edhe dëshmia e tij është unikale dhe, për fat të mirë, u bë pjesë e një botimi të veçantë në vitin 1977.

“Isa Boletini ishte në katin përdhes të shtabit të ushtrisë malaeze. Unë si roje kam patur urdhër që ai të mos dalë nga dera. Në një rrethanë të papritur kanë shkrep armët te ura dhe Isa Boletini ka provuar të dalë në ndihmë të kreshnikëve të tij, por unë e kam plagosë duke e goditur në duar. Pas nja 10 minutave ka ardhur Nikolla Gjilas, babai i Millovan Gjilas dhe ka shtirë pesë herë në të. Ai i ka grabit Isës pushkën dhe revolet që i mbetën afër duarve.” .

Edhe pse u realizua një vrasje masive dhe pak ka kuptuar në atë kohë se çfarë ka bërë, nuk ka vlerë të vogël fakti që vetë Vojvodiq shpreh pendesë:

“Unë shumë vonë e kam mësuar se kë kam plagosur. Sot pendohem shumë se çfarë mëkati kam bërë. Po u rrëfeva se nuk jam fajtor. Unë kam qenë vetëm një oficer që zbaton urdhra. Urdhri ka ardhur nga lart. Këtë krim e kuptuam shumë vonë. Fajtor është përfaqësia franceze, qeveria dhe mbreti i Malit të Zi.”

Vojvodiq ishte dhe mbetet një profil i ulët zyrtar dhe publik, por dëshmia e dytë është shumë më e rëndësishme se kjo. Malazezi Milovan Gjilas, një shkrimtar dhe politikan me peshë gjatë regjimit komunist në Jugosllavi, sjell një dëshmi akoma më unikale të të atit, Nikolla Gjilas, njeriu që kishte vrarë me dorën e vet Isa Boletinin. Falë talentit si shkrimtar atij i ka rënë rasti ta “vizatojë”armikun duke e përshkruar me nota admirimi.

“Beteja e Isës me ushtarët e tij vullnetarë nuk kishte vazhduar shumë, pavarësisht heroizmit të rreptë të shqiptarëve. Nga kjo goditje kishte rënë udhëheqësi i tyre dhe besnikët e tij të devotshëm. Njerëzit më të afërt të Isës ishin likuiduar dhe të tjerët ishin shpërndarë në katër anë.

Isa Boletini ishte vrarë, por kishte luftuar trimërisht, madje për një kohë të gjatë, pavarësisht se kishte mbetur i vetëm në rrugë të madhe. Ashtu, i plagosur, ishte ngritur në gjunjë dhe sado që nuk kishte fuqi për të mbajtur pushkën, qëllonte me revole që të paktën të vriste ndonjë prej armiqve para se të jepte shpirt. Babai im ishte turrur me vrap drejt tij dhe shqiptari i pamposhtur e kishte kaluar revolen në dorën e majtë, por nuk kishte pasur kohë të hapte zjarr.

Një ushtar e kishte vënë në shenjë dhe Isa kishte rënë përdhe. Babai ishte afruar me vrap dhe Isa e kishte vështruar me sytë e mëdhenj dhe të përgjakur, kishte thënë çka në gjuhën e tij amtare dhe në atë çast kishte dhënë shpirt.

Çudia vjen nga historiani anglez Joseph Sëire që për ngjarjen në fjalë është furnizuar nga një letër që Edith Durham ia ka dërguar më 10 korrik 19284 të zbuluar në arkivin britanik nga studiuesi Bejdullah Destani, në të cilën ajo tregon për dëshminë që i kishte dhënë Qazim Kastrati për vrasjen e Isa Boletinit. Kastrati në atë kohë ishte fëmijë, por kishte qenë dëshmitar okular i masakrës.

Edhe pse Kastrati e ka rrëfyer me sinqeritetin e një fëmije, ngjarja vjen me shtrembërime nga Sëire 5. Në librin e tij kjo histori kalon me tre rreshta në të cilën anglezi më shumë i ngatërron detajet se sa i sqaron. Ai shkruan se malazezët provokuan një grindje dhe më shumë hedh dyshime për prezencën e Boletinit në Podgoricë, se jep detaje për një masakër për të cilën Qazim Kastrati i dhanë detaje mëse të vlefshme. Ja pjesa e letrës së Kastratit që Joseph Sëire nuk e ka parë të arsyeshme ta vendosë në libër:

“Një grup malazezësh hasi në dy prej djemve të Isa Boletinit pranë urës, i ndaloi dhe u kërkoi të dorëzonin armët. Ashtu si gjithë të tjerët në Mal të Zi, edhe ata mbanin lirisht armë. T’i kërkoje dikujt të dorëzonte armën ishte fyerje e madhe, prandaj dy djemtë refuzuan.

Malazezët u përpoqën të flasin me ta dhe pas kësaj krisi pushka. Njerëzit e tjerë të Boletinëve bashkë me Isën erdhën për t’i shpëtuar. Filloi një betejë e madhe. Boletinët mundën të grupohen në një vend prej ku mund të mbroheshin, por mbetën të rrethuar nga malazezët që ishin më të shumtë në numër. Lufta zgjati rreth tre orë.

Më në fund, malazezët përdorën një mitraloz dhe i kositën të gjithë, nëntë vetë gjithsej.”

Arma që vrau Boletinin, një trofe i rrallë

Se sa rëndësi ka patur për serbët dhe malazezët vrasja e Isa Boletinit e tregon një trofe që ndodhet ende në shtëpinë e familjes Gjilas në Beograd. Nikolla Gjilas, babai i Milovan Gjilas, ishte një nga autorët që qëlloi me pistoletë në trupin e Isa Boletinit. Këtë armë nuk e përdori më, por e ruajti në shtëpi si një trofe pa e ditur që i biri Milovan Gjilas do të bënte një karrierë si sekretar i Byrosë Politike dhe zëvendëskryeministër i Jugosllavisë dhe një nga bashkëpunëtorët më të afërt të Josif Broz Titos.

Në këtë mënyrë, arma që vrau një shqiptar safi dhe simbol të rezistencës ndaj tyre, do të ishte më shumë sesa simbolike: ishte një mburrje për këtë familje. Gjilasi i ri ka derdhur me fjalë të zgjedhura përshkrimin për heroin shqiptar.

“Babai e kishte marrë mauzerin e tij të gjatë me dorezë të stolisur argjendi dhe e kishte ruajtur si kujtimin më të shtrenjtë. Për çudi edhe ne fëmijëve na vinte keq dhe ndienim hidhërim dhe kishim mbajtur zi për Isa Boletinin. Edhe babait i vinte keq, megjithëse ai ishte krenar që ishte vrarë prej grupit të tij. Ky ishte një pikëllim i veçantë, ishte më tepër një admirim për një hero sypatrembur të Shqipërisë, që kishte luftuar deri në fund në një fushë të zhveshur, në mes të rrugës së madhe, pa iu lutur kërkujt dhe pa falur askënd, ashtu drejt në këmbë, i pambrojtur.

Admirimi për të bënte pjesë gjithashtu në pikëllimin tonë. Në qoftë se një njeri duhet të vdesë, do të ishte mirë të binte ashtu siç kishte rënë Isa Boletini. U kujtoftë për jetë nga ata që e panë dhe nga ata që kanë dëgjuar për të!

Shumë më vonë ne i patëm treguar babait dhe e ngacmonim për këtë, se kishim lexuar që Isa Boletini kishte vdekur në Shkodër. Babai nuk e pranonte një gjë të tillë. Por për të nuk kishte aq rëndësi nëse ky kishte qenë Isa Boletini vetë, apo ndonjë nga oficerët e tij, kryesorja ishte se shqiptarët që kishin luftuar në atë betejë dhe, sidomos prijësi i tyre, që nuk mund të ishte njeri tjetër veç Isa Boletini, ishte vrarë. Babait i kishin thënë se ky ishte Isa. Dhe kjo mjaftonte për të, fakti i rënies së tij ishte provuar për jetë të jetëve me zjarrin e pushkëve”.

Varrimi

Në janar të vitit 2014 të gjitha agjencitë e lajmeve, gazetat dhe televizionet publikuan një lajm që kishte lidhje me vrasjen e Isa Boletinit 98 vjet më parë. Instituti i Mjekësisë Ligjore në Universitetin e Strasburgut konfimoi se eshtrat e dërguar atje për ekzaminim ishin të Isa Boletinit.

Isa Boletini u varros dy dytë pas vrasjes në Podgoricë, çuditërisht në një ceremoni me pjesëmarrje masive, ndërkohë që Nasuf Dizdari nga Shkodra mbajti edhe një fjalim gjatë procesionit. Që nga ajo kohë rodhën shumë ngjarje dhe jo vetëm nderimi, por edhe përmendja e emrit të Isa Boletinit cilësohej një krim. Për vite e dekada varri ishte i braktisur, askush nuk shkonte atje, madje ai quhej një varr i humbur. Por në vitin 1973, gjatë asaj kohe që quhet liberalizimi i regjimit të Titos ndaj Kosovës, u bë kërkesa e parë për kthimin e eshtrave në vendlindje. Falë përpjekjeve të familjarëve dhe studiuesëve varri u zbulua dhe më 15 nëntor të vitit 1979 u krye zhvarrimi i kërkuar.

Në fakt këtë proces e shpejtoi dhe një projekti bashkisë së Podgoricës që në tokën ku preheshin eshtrat do të ndërtohej një park. Bashkë me eshtrat e Isa Boletinit u nxorën edhe eshtrat e të shtatë të vrarëve të tjerë të masakrës së 23 janarit 1916. Ishin dy fakte që vërtetonin se ato eshtra i përkisnin Isa Boletinit: Epitafi mbi gurin e varrit, por edhe mungesa te eshtrat e gishtit të mesit në dorën e majtë.

Sipas familjes Boletini, Isa e kishte prerë këtë gisht në moshën 3-vjeçare me sopatë. Eshtrat u vendosën me kujdes në një arkë dhe u varrosën në një kënd të oborrit në xhaminë e Mitrovicës në fshehtësi të plotë. Muhamet Shukriu, Latif Berisha, Asllan Murati ishin tre personat që u betuan me njëri-tjetrin që nuk do t’ia tregonin askujt këtë sekret. Një sekret që u mbajt deri në lirinë e Kosovës e më pas për të ndërtuar një memorial të veçantë.

Ndërkohë, pas 100-vjetorit të pavarësisë, nisi procesi i verifikimit të eshtrave për të kryer një ceremoni zyrtare varrimi. Pas verifikimit, i pari ishte kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, i cili deklaroi se eshtrat e Isa Boletinit do të varroseshin në Vlorë pranë varrit të Ismail Qemalit. Rama caktoi edhe 10 qershorin e vitit 2015 si datën e kësaj ceremonie.

Por, si në të gjallë dhe si në të vdekur rruga e Isa Boletinit drejt Vlorës, qytetit ku u ngjiz shteti shqiptar, kishte të njëjtin fat. Shqipëria e shpalli pavarësinë më 29 Nëntor 1912, por Isa Boletini nuk arriti në kohë të ishte pjesmarrës. Pas 103 vjetësh edhe eshtrat e tij nuk mundën të arrinin atje. Më 10 qershor 2015, Isa Boletini u varros për herë të tretë, por jo në Vlorë siç deklaroi kryeministri Rama, por në oborrin e kullës së tij në Boletin të Mitrovicës. Ishte këmbëngulja e familjarëve që të bëhej kështu.

Vërtet Vlora ishte pika e dobët e Isa Boletinit, por Mitrovica ishte dhe do të jetë në përjetësi dashuria më e madhe e heroit, për të cilën ai shkriu jetën./konica/ KultPlus.com

SHËNIM: Marrë nga “100 vrasjet më të bujshme në historinë e shtetit shqiptar 1912-2017”, Roland Qafoku.

Isa Boletini për Daily Telegraph: Gjithë jetën time deri në çlirim apo në vdekje, unë do të luftoj serbët

Nga Aurenc Bebja

Gazeta franceze, “Journal des débats politiques”, ka botuar, të mërkurën e 7 majit 1913, në faqen n°2, një shkrim në lidhje me intervistën e patriotit shqiptar, Isa Boletini, dhënë në Londër për prestigjozen “Daily Telegraph”.

Si e përshkruanin perëndimorët atdhetarin shqiptar ? Çfarë ka shprehur ai për median britanike ? Në vijim, do të gjeni tekstin e plotë, të sjellë në shqip nga Aurenc Bebja – Blogu « Dars (Klos), Mat – Albania » :

Isa Boletini dhe problemi shqiptar

Isa Boletini, patrioti shqiptar, armiku i betuar i serbëve dhe grekëve, dhe nesër, nëse është e nevojshme, kundërshtari i pamëshirshëm i një ndërhyrje austro-italiane në vendin e tij, ndodhet në këtë moment në Londër.

Një gazetar i Daily Telegraph ka bërë me të një intervistë interesante; Isa Boletini vë në dukje meritat e ish-regjimit turk. Abdul Hamidi i vlerësonte shqiptarët. Në vitin 1902, ai e thirri Isa Boletinin në Konstandinopojë dhe e vendosi atë në krye të gardës së tij duke i vënë titullin Bej. Isa Boletini qëndroi në Kostandinopojë për katër vjet dhe pastaj u kthye në Shqipëri. Ai jetonte që prej tre vitesh në afërsi të Mitrovicës, kur filloi Revolucioni Xhonturk.

Shqiptarët në 1908 kërkuan “Kushtetutën”, por Isa Boletini, që nga ai moment, u tregua i shqetësuar. Xhonturqit, të vetëdijshëm për ndjenjat e atij lideri, kërkuan ta shtypnin atë. Xhavit Pasha e sulmoi atë papritur me trupat që kishte në dispozicionin e tij. Por Isa Boletini mundi të shpëtojë, megjithëse me një dëmtim të rëndë në shpatull. I larguar nga Mitrovica, Isa Boletini u tërhoq në Pejë, dhe më pas u strehua pranë Malësorëve të Gjakovës.

Atje, ai organizoi një rezistencë serioze. U zhvilluan luftime ku turqit u rrahën. Ngjarjet e pranverës së vitit 1909 detyruan kthimin e trupave turke në Konstandinopojë, por vitin e ardhshëm një ushtri turke u kthye në Shqipëri për të dënuar rebelët. Isa Boletini, i mundur në Kaçanik, në vend se të dorëzohej, u strehua në Mal të Zi.

Një vit më pas, në krye të trupave të tij, Isa Boletini hyri në Pejë, Gjakovë, Prishtinë dhe Shkup : “Kështu, unë kisha arritur qëllimin e përpjekjeve të mia, ekzistencën e Shqipërisë, e kërcënuar nga xhonturqit. Ne ishim duke përfunduar një marrëveshje me Ahmet Muhtar Pashën kur shpërtheu lufta aleatëve.”

Isa Boletini gjendet aktualisht në Londër për të mbrojtur çështjen e pavarësisë së Shqipërisë pranë Fuqive të Mëdha. Isa Boletini nuk i pranon kufijtë e vendosur për Shqipërinë nga Konferenca e Londrës. Shqiptarët kurrë nuk do të pranojnë sundimin serb. Ata nuk e pranojnë parimin e hekurudhës komerciale (tregtare) që i është dhënë Serbisë : “Gjithë jetën time, deri në çlirim apo në vdekje, unë do të luftoj serbët, grekët, malazezët, italianët, austriakët.” / KultPlus.com

Para 106 viteve, heroi Isa Boletini u vra në Podgoricë

Isa Boletini ka udhëhequr forcat kryengritëse për çlirim nga pushtuesi Osman më 1912, ka qenë përkrah Ismail Qemalit në shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë, e cila është copëtuar në konferencën e Londrës më 1913-të.

Isa Boletini ishte lindur në fshatin Boletin të Mitrovicës, në një familje me tradita patriotike. Në moshën 17-vjeçare ka marrë pjesë si luftëtar i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, në betejën e Slivovës (22 prill 1881) kundër forcave osmane. Ai ka përkrahur Haxhi Zekën dhe atdhetarët e tjerë në themelimin e Lidhjes Shqiptare të Pejës (1899-1900) dhe në qëndresën e saj kundër sunduesve osmanë e qarqeve shoviniste fqinje.

Më 1901-1902 ishte vënë në krye të qëndresës popullore në Kosovë kundër ndërhyrjeve të Serbisë, Malit të Zi, Rusisë e Austro-Hungarisë në Shqipëri. Boletini ka udhëhequr luftëtarët në betejat e zhvilluara me ushtrinë turke në zonat Shtimlje-Carralevë më 1910, ka mbështetur kryengritjen antiosmane të vitit 1911, ka udhëhequr forcat kryengritëse në zonën e Drenicës, Mitrovicës, Podujevës dhe Prishtinës në vitin 1912. Gjatë Luftës Ballkanike në tetor 1912, ishte vënë në krye të çetave të armatosura vullnetare për mbrojtjen e trojeve shqiptare kundër pushtuesve serbë.

Në ditët e Pavarësisë, në krye të përfaqësuesve të Kosovës, ishte ndodhur përkrah Ismail Qemalit në Vlorë dhe mori pjesë aktive në organizimin e forcave të armatosura për mbrojtjen e Qeverisë së Përkohshme të Vlorës. Më 1913, si anëtar i delegacionit shqiptar, së bashku me Ismail Qemalin ka shkuar në Londër, ku ka protestuar me forcë kundër vendimit të Fuqive të Mëdha për copëtimin e Shqipërisë.

Më vonë, Isa Boletini ka kaluar përsëri në Kosovë, ku ka organizuar qëndresën popullore kundër pushtuesve të rinj serbo-malazezë. Duke e kaluar jetën në luftë e përpjekje dhe me urtësinë e tij, ai ka fituar autoritet të madh si udhëheqës popullor.

Isa Boletini e ka lidhur jetën e tij e të familjes me fatin e atdheut, dashurinë e besnikërinë ndaj të cilit e ka shprehur me fjalët “Unë jam mirë kur asht mirë Shqypnia”.

Isa Boletini më 23 janar 1916 ishte vrarë pabesisht nga shovinistët malazezë në Podgoricë, së bashku me të bijtë, Halilin dhe Zahidin, nipërit Jonuzin dhe Halitin, si dhe tre bashkëluftëtarë të tjerë. / KultPlus.com

Sot shënohet 158 vjetori i lindjes së Isa Boletinit

Më 15 janar 1864 lindi Isa Boletini, luftëtar e udhëheqës ushtarak popullor, organizator e drejtues i lëvizjes për çlirimin kombëtar, Hero i Popullit. Isa Boletini lindi në Boletin të Mitrovicës. Në moshën 17 vjeçare mori pjesë si luftëtar i Lidhjes Shqiptare të Prizërenit në betejën e Slivovës kundër forcave osmane.

Ndihmoi në themelimin e Lidhjes Shqiptare të Pejës dhe në qëndresën e saj kundër sunduesve osmanë dhe synimeve grabitqare të Serbisë dhe Malit të Zi. Më 1901-1902 u vu në krye të qëndresës popullore në Kosovë kundër ndërhyrjeve të Serbisë, Malit të Zi dhe Austro-Hungarisë. Në vitin 1908 përkrahu revolucionin xhonturk, por iu kundërvu politikës antishqiptare të Xhonturqve. U dallua si udhëheqës e organizator i kryengritjeve të mëdha popullore kundërosmane të viteve 1908-1912.

Udhëhoqi disa kryengritje kundërosmane në Drenicë-Mitrovicë, Shtime-Carralevë, Podujevë-Prishtinë etj. Në ditët e shpalljes së Pavarësisë u vu në krye të përfaqësuesve të Kosovës, si dhe u ndodh në krah të Ismail Qemalit në Vlorë më 28 Nëntor 1912. Në vitin 1913 si anëtar i delegacionit shqiptar së bashku me Ismail Qemalin shkoi në Londër, ku kundërshtoi me forcë vendimet e Fuqive të Mëdha për copëtimin e Shqipërisë.

Më vonë kaloi sërish në Kosovë, ku organizoi qëndresën popullore kundër pushtuesve të rinj serbo-malazezë. Duke kaluar jetën në luftë e përpjekje dhe me urtësinë e tij, fitoi autoritet si udhëheqës popullor. Më 23 janar 1916 u vra pabesisht nga shovinistët malazezë në Podgoricë. / KultPlus.com

Gazeta franceze në vitin 1912: Shpallja e menjëhershme e pavarësisë së Shqipërisë, pritet të vijë Isa Boletini

Nga Aurenc Bebja

Gazeta franceze, “Le Gaulois”, ka botuar, të premten e 29 nëntorit 1912, në faqen n°2, një shkrim në lidhje me shpalljen e pavarësisë së Shqipërisë, të cilin, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar.

Shpallja e menjëhershme e pavarësisë së Shqipërisë

Romë, 28 nëntor.

Na shkruajnë nga Vlora, me datë 28, se Ismail Qemal beu, i cili, sapo ka mbërritur në këtë qytet, ka vizituar konsujt e Italisë dhe Austro-Hungarisë.

Njoftojnë se sot kuvendi i delegatëve shqiptarë do të shpallë në Vlorë pavarësinë dhe neutralitetin e Shqipërisë dhe do të formojë një qeveri të përkohshme.

Do të ngrihet flamuri shqiptar. Një komision do t’u dërgohet sa më shpejt të jetë e mundur qeverive evropiane, duke filluar me Italinë, për t’u kërkuar atyre njohjen e Shqipërisë.

Delegatët shqiptarë që kanë mbërritur deri më tani janë gjithsej 80. Priten të vijnë të tjerë, përfshirë Isa Boletinin, me forca të armatosura.

Thuhet se Ismail Qemal beu, në bisedimet e tij me konsujt e Italisë dhe Austro-Hungarisë, ka deklaruar se pavarësia e Shqipërisë bazohet në parimet e integritetit territorial dhe neutralitetit, dhe se Shqipëria ka besim në dashamirësinë e të gjitha fuqive dhe në mbështetjen e Italisë dhe Austro-Hungarisë.

https://www.darsiani.com/la-gazette/le-gaulois-1912-shpallja-e-menjehershme-e-pavaresise-se-shqiperise-pritet-te-vije-isa-boletini/ / KultPlus.com

Isa Boletini: Nëse Shkodra dhe Janina do t’u jepeshin aleatëve, do të ndieja të njëjtën dhimbje që do të ndienin italianët nëse Roma do të dorëzohej

Nga Aurenc Bebja, Francë – 12 Korrik 2021

“La Stampa” ka botuar, të premten e 4 prillit 1913, në faqen n°2, intervistën e Isa Boletinit me gazetën “Corriere d’Italia”, të cilën, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :

Shpresat dhe shqetësimet e Isa Boletinit

Burimi : La Stampa, e premte, 4 prill 1913, f.2
Burimi : La Stampa, e premte, 4 prill 1913, f.2

Romë, 3 prill.

“Corriere d’Italia” i kërkoi Isa Boletinit, liderit të njohur shqiptar i cili është aktualisht në Romë, përshtypjen e tij për Shkodrën dhe Janinën në rast se ato u atribuoheshin (jepeshin) përfundimisht aleatëve.

Nëse Shkodra dhe Janina do t’u jepeshin aleatëve, u përgjigj Boletini, unë do të ndieja të njëjtën dhimbje që do të ndienin italianët nëse Roma do të dorëzohej! Nëse do të kisha mjaft njerëz dhe armë, nuk do të ngurroja asnjë moment të vrapoja mbi Bunë, për të rrëmbyer me armë qytetin nga pushtuesit. Më dhemb zemra kur mendoj për qytetin e Shkupit, Manastirit, Kosovës, të dhëna serbëve, sepse ne i kemi ruajtur të gjitha këto territore dhe qytete duke derdhur shumë gjak, duke i mbrojtur nga veprat penale të xhonturqve.

Thuhet se i gjithë vilajeti i Kosovës u është dorëzuar serbo-malazezëve, por ju e dini që unë refuzoj ta besoj këtë zë! Unë gjithmonë kam pasur një besim të madh në drejtësinë e Evropës së civilizuar dhe nuk mund të mendoj se Evropa ka lejuar një luftë për pohimin e parimit të kombësisë, dhe më pas duhet të pranoj një epilog që vjen për të asgjësuar kombësinë tonë, që përmes shumë ngjarjeve kemi mundur ta pohojmë dhe mirëmbajmë. Pastaj është çështja e fesë : katolikët dhe myslimanët janë të bashkuar për të luftuar për të njëjtin parim. Organizimi i Shqipërisë së sotme na privon nga e drejta jonë e shenjtë dhe na largon nga përfitimi i paqes. Për këtë do të kishim preferuar zgjedhën turke, e cila, në mos asgjë tjetër, na ka lejuar të vazhdojmë me një farë lirie.

— Për çfarë qëllimi keni ardhur edhe ju në Itali?

Megjithëse e di që personi im nuk ka një rëndësi të domosdoshme në shkallë politike, megjithatë unë kam ardhur këtu dhe do të shkoj në kryeqytetet evropiane së bashku me Ismail Qemal Beun për t’i dëshmuar Evropës protestën time më të lartë për vendimin e saj, dhe për të dhënë një shembull konkret të së keqes që është bërë, duke lënë edhe një milion e gjysmë shqiptarë në duar të huaja.

Shqiptarët nuk janë të sllavizuar, as nuk janë të sllavizueshëm. Kam ardhur të bërtas në Evropë se asnjë shqiptar nuk do të njohë ndarjen e Shqipërisë në paqe. Unë erdha të deklaroj se, nëse kjo ndarje është përfundimtare, unë dhe vëllezërit e mi do të marrim armët për të mbrojtur integritetin e vendit tonë dhe do të jetë një luftë e ashpër, e paepur, në të cilën të gjitha armët do të jenë të mira. E drejta e pushtimit është një titull i së vërtetës së dyshimtë. Unë vetë, i cili për pesë vjet isha zot i vilajetit të Kosovës dhe gjatë kryengritjes së fundit bëra një hyrje triumfale në Shkup dhe shkaktova dorëzimin e xhonturqve, unë mund të deklarohesha princ i atij vilajeti. Ne do të duhet të shohim se si do të zgjidhen gjërat dhe pastaj të marrim një vendim… / KultPlus.com

https://www.darsiani.com/la-gazette/corriere-d-italia-1913-intervista-me-isa-boletinin-nese-shkodra-dhe-janina-do-t-u-jepeshin-aleateve-une-do-te-ndieja-te-njejten-dhimbje-qe-do-te-ndienin-italianet-nese-roma-do-te-dorezohej/?fbclid=IwAR3bDuVayJqX2zH5NEvomsm6vAf_3go7jXb-rluQdTC_JOYY1bOzYBxSDTM