Si e organizuan vrasjen e Isa Boletinit?

Marrë nga “100 vrasjet më të bujshme në historinë e shtetit shqiptar 1912-2017”, Roland Qafoku

Nëse Ismail Qemali ishte truri i pavarësisë së Shqipërisë, Isa Boletini ishte krahu i armatosur i saj. Por vetëm 3 vjet e dy muaj nga dita më e madhe e kombit shqiptar, njeriu që luftoi aq shumë për këtë pavarësi u vra në një pusi nga 80 xhandarë malazezë dhe serbë.

Akrepat e orës shënonin 21.13 atë të diel të 23 janarit 1916 kur plumbat që vërshëllenin rreth e rrotull si grerëza të tërbuara, e lanë të vdekur Isa Boletinin në kalldrëmin e urës Ribnica në Podgoricë të Malit të Zi. Një bir i kohës së tij dhe që bashkë me vrasjen e tij, në fakt u vra edhe Kosova, duke ia shkëputur trupit të Shqipërisë.

Ç’mund të bënte Isa Boletini vetë i 9-të kur në të dy anët e urës Ribnica ishin 80 ushtarë që e kishin marrë në shenjë? Ose të dorëzohej ose të vritej duke luftuar bashkë më të gjithë.

Të ndodhur si peshqit në rrjetë, shqiptari i madh bëri atë që vërtetë do ta çonte drejt vdekjes së sigurt, por si hero: të shtënave iu kundërpërgjigj me të shtëna. Batareja e pushkëve solli bilancin tragjik: vrasjen e Isa Boletinit vetë i 9-të, por edhe vrasjen e 12 xhandarëve malazezë.

Si u organizua vrasja

Me etjen për hakmarrje, serbët dhe malazezët u bënë bashkë me rusët dhe francezët për ta eliminuar Isa Boletinin. Atë që nuk e kishin arritur ta bënin në luftë ballore në fushëbeteja, ata e bënë në urën e shtetit fqinj, Malin e Zi. Konsulli francez në Podgoricë, Bichoc, është njeriu që nisi aplikimin e kurthit duke e ftuar Isa Boletinin të shkojë në Cetinjë, në mënyrë që prej andej ta dërgonte jashtë Malit të Zi. Boletini i besoi kësaj ndihme pa e menduar se në fakt po shkonte drejt ekzekutimit. Teksa ndodhej në Podgoricë ai u gjend në një kurth që i solli vdekjen.

Në fakt, ajo nuk ishte thjesht një vrasje, por një kasaphanë. Dëshmitë e një masakre të organizuar vijnë nga të dy palët: viktimat dhe vrasësit.

I pari është Tafil Boletini, nipi i Isa Boletinit, në një rrëfim unikal të botuar në studimin e Skënder Luarasit.

“Nja 80 xhandarë kishin zënë pritë në të dyja anët e urës së Ribnicës, karshi prefekturës, afër kishës katolike. Unë me dy vëllezërit, sipas lajmërimit të kasnecit, po ktheheshim për në shtëpi, te axha (Isa), patrulla në krye të urës, që po priste ardhjen e axhës, na ndali. Kur oficeri urdhëron ndalimin, xhandarët me pushkët gati të qëllojnë pyesin:

Kush asht Isa Boletini?! Por oficeri ndërhyn duke u thënë: Mos shtini, nuk është asnjë nga këta!”. Por që tre vëllezërit nuk kanë mundësi të lajmërojnë Boletinin për vendimin e malazezëve, pasi me përdhunë, nën kërcënimin e armëve mbyllen në një shtëpi dhe mbahen të bllokuar. Në këtë kohë Isa Boletini, vet i tetë, kishte hedhur hapat e parë në dërrasat e urës së Ribnicës pa e dalluar se edhe nga pas krahëve xhandarët e mbyllën udhën që të mos kishte asnjë mundësi daljeje.

Një oficer komandues u kërkon shqiptarëve të dorëzojnë armët, por Isa Boletini kundërshton: Jo besa! S’ja kam dorëzue, as krajlit, as mbretit. Dhe nxjerr armën. I pari që shtie ishte njëfarë Pero Buriqi nga Vasoviçi. Menjëherë flakë për flakë përgjigjet edhe Isa Boletini dhe të tijtë me nga dy revolver në duar.

Brenda disa minutave, të rrethuar nga të gjitha anët nga dhjetëra xhandarë, vriten të gjithë, Isa Boletini dhe dy të bijtë, Halili dhe Zahidi, që ishte student në Vjenë, dy nipërit, Jonuzi dhe Halili, Hajdar Selim Radisheva, kunati i Isait, djali i vëllait të Hajdarit, Idriz Bilimi dhe Misin Bala nga Isniqi. Nga ana tjetër mbetën të vrarë tetë xhandarë dhe plagosen dyfishi. Shfaqja u sodit nga disa ministra malazezë të strehuar në prefekturën e qytetit”.

Rrallë ndodh që të rrëfejë autori i një vrasjeje masakre, për më tepër kur kjo ka ndodhur 100 vjet më parë. Në rastin e Isa Boletinit nuk kemi një, por dy rrëfime. I pari është I P.M.

Vojvodiq-it, oficer rezervë, bashkautor në këtë vrasje masive. Edhe dëshmia e tij është unikale dhe, për fat të mirë, u bë pjesë e një botimi të veçantë në vitin 1977.

“Isa Boletini ishte në katin përdhes të shtabit të ushtrisë malaeze. Unë si roje kam patur urdhër që ai të mos dalë nga dera. Në një rrethanë të papritur kanë shkrep armët te ura dhe Isa Boletini ka provuar të dalë në ndihmë të kreshnikëve të tij, por unë e kam plagosë duke e goditur në duar. Pas nja 10 minutave ka ardhur Nikolla Gjilas, babai i Millovan Gjilas dhe ka shtirë pesë herë në të. Ai i ka grabit Isës pushkën dhe revolet që i mbetën afër duarve.” .

Edhe pse u realizua një vrasje masive dhe pak ka kuptuar në atë kohë se çfarë ka bërë, nuk ka vlerë të vogël fakti që vetë Vojvodiq shpreh pendesë:

“Unë shumë vonë e kam mësuar se kë kam plagosur. Sot pendohem shumë se çfarë mëkati kam bërë. Po u rrëfeva se nuk jam fajtor. Unë kam qenë vetëm një oficer që zbaton urdhra. Urdhri ka ardhur nga lart. Këtë krim e kuptuam shumë vonë. Fajtor është përfaqësia franceze, qeveria dhe mbreti i Malit të Zi.”

Vojvodiq ishte dhe mbetet një profil i ulët zyrtar dhe publik, por dëshmia e dytë është shumë më e rëndësishme se kjo. Malazezi Milovan Gjilas, një shkrimtar dhe politikan me peshë gjatë regjimit komunist në Jugosllavi, sjell një dëshmi akoma më unikale të të atit, Nikolla Gjilas, njeriu që kishte vrarë me dorën e vet Isa Boletinin. Falë talentit si shkrimtar atij i ka rënë rasti ta “vizatojë”armikun duke e përshkruar me nota admirimi.

“Beteja e Isës me ushtarët e tij vullnetarë nuk kishte vazhduar shumë, pavarësisht heroizmit të rreptë të shqiptarëve. Nga kjo goditje kishte rënë udhëheqësi i tyre dhe besnikët e tij të devotshëm. Njerëzit më të afërt të Isës ishin likuiduar dhe të tjerët ishin shpërndarë në katër anë.

Isa Boletini ishte vrarë, por kishte luftuar trimërisht, madje për një kohë të gjatë, pavarësisht se kishte mbetur i vetëm në rrugë të madhe. Ashtu, i plagosur, ishte ngritur në gjunjë dhe sado që nuk kishte fuqi për të mbajtur pushkën, qëllonte me revole që të paktën të vriste ndonjë prej armiqve para se të jepte shpirt. Babai im ishte turrur me vrap drejt tij dhe shqiptari i pamposhtur e kishte kaluar revolen në dorën e majtë, por nuk kishte pasur kohë të hapte zjarr.

Një ushtar e kishte vënë në shenjë dhe Isa kishte rënë përdhe. Babai ishte afruar me vrap dhe Isa e kishte vështruar me sytë e mëdhenj dhe të përgjakur, kishte thënë çka në gjuhën e tij amtare dhe në atë çast kishte dhënë shpirt.

Çudia vjen nga historiani anglez Joseph Sëire që për ngjarjen në fjalë është furnizuar nga një letër që Edith Durham ia ka dërguar më 10 korrik 19284 të zbuluar në arkivin britanik nga studiuesi Bejdullah Destani, në të cilën ajo tregon për dëshminë që i kishte dhënë Qazim Kastrati për vrasjen e Isa Boletinit. Kastrati në atë kohë ishte fëmijë, por kishte qenë dëshmitar okular i masakrës.

Edhe pse Kastrati e ka rrëfyer me sinqeritetin e një fëmije, ngjarja vjen me shtrembërime nga Sëire 5. Në librin e tij kjo histori kalon me tre rreshta në të cilën anglezi më shumë i ngatërron detajet se sa i sqaron. Ai shkruan se malazezët provokuan një grindje dhe më shumë hedh dyshime për prezencën e Boletinit në Podgoricë, se jep detaje për një masakër për të cilën Qazim Kastrati i dhanë detaje mëse të vlefshme. Ja pjesa e letrës së Kastratit që Joseph Sëire nuk e ka parë të arsyeshme ta vendosë në libër:

“Një grup malazezësh hasi në dy prej djemve të Isa Boletinit pranë urës, i ndaloi dhe u kërkoi të dorëzonin armët. Ashtu si gjithë të tjerët në Mal të Zi, edhe ata mbanin lirisht armë. T’i kërkoje dikujt të dorëzonte armën ishte fyerje e madhe, prandaj dy djemtë refuzuan.

Malazezët u përpoqën të flasin me ta dhe pas kësaj krisi pushka. Njerëzit e tjerë të Boletinëve bashkë me Isën erdhën për t’i shpëtuar. Filloi një betejë e madhe. Boletinët mundën të grupohen në një vend prej ku mund të mbroheshin, por mbetën të rrethuar nga malazezët që ishin më të shumtë në numër. Lufta zgjati rreth tre orë.

Më në fund, malazezët përdorën një mitraloz dhe i kositën të gjithë, nëntë vetë gjithsej.”

Arma që vrau Boletinin, një trofe i rrallë

Se sa rëndësi ka patur për serbët dhe malazezët vrasja e Isa Boletinit e tregon një trofe që ndodhet ende në shtëpinë e familjes Gjilas në Beograd. Nikolla Gjilas, babai i Milovan Gjilas, ishte një nga autorët që qëlloi me pistoletë në trupin e Isa Boletinit. Këtë armë nuk e përdori më, por e ruajti në shtëpi si një trofe pa e ditur që i biri Milovan Gjilas do të bënte një karrierë si sekretar i Byrosë Politike dhe zëvendëskryeministër i Jugosllavisë dhe një nga bashkëpunëtorët më të afërt të Josif Broz Titos.

Në këtë mënyrë, arma që vrau një shqiptar safi dhe simbol të rezistencës ndaj tyre, do të ishte më shumë sesa simbolike: ishte një mburrje për këtë familje. Gjilasi i ri ka derdhur me fjalë të zgjedhura përshkrimin për heroin shqiptar.

“Babai e kishte marrë mauzerin e tij të gjatë me dorezë të stolisur argjendi dhe e kishte ruajtur si kujtimin më të shtrenjtë. Për çudi edhe ne fëmijëve na vinte keq dhe ndienim hidhërim dhe kishim mbajtur zi për Isa Boletinin. Edhe babait i vinte keq, megjithëse ai ishte krenar që ishte vrarë prej grupit të tij. Ky ishte një pikëllim i veçantë, ishte më tepër një admirim për një hero sypatrembur të Shqipërisë, që kishte luftuar deri në fund në një fushë të zhveshur, në mes të rrugës së madhe, pa iu lutur kërkujt dhe pa falur askënd, ashtu drejt në këmbë, i pambrojtur.

Admirimi për të bënte pjesë gjithashtu në pikëllimin tonë. Në qoftë se një njeri duhet të vdesë, do të ishte mirë të binte ashtu siç kishte rënë Isa Boletini. U kujtoftë për jetë nga ata që e panë dhe nga ata që kanë dëgjuar për të!

Shumë më vonë ne i patëm treguar babait dhe e ngacmonim për këtë, se kishim lexuar që Isa Boletini kishte vdekur në Shkodër. Babai nuk e pranonte një gjë të tillë. Por për të nuk kishte aq rëndësi nëse ky kishte qenë Isa Boletini vetë, apo ndonjë nga oficerët e tij, kryesorja ishte se shqiptarët që kishin luftuar në atë betejë dhe, sidomos prijësi i tyre, që nuk mund të ishte njeri tjetër veç Isa Boletini, ishte vrarë. Babait i kishin thënë se ky ishte Isa. Dhe kjo mjaftonte për të, fakti i rënies së tij ishte provuar për jetë të jetëve me zjarrin e pushkëve”.

Varrimi

Në janar të vitit 2014 të gjitha agjencitë e lajmeve, gazetat dhe televizionet publikuan një lajm që kishte lidhje me vrasjen e Isa Boletinit 98 vjet më parë. Instituti i Mjekësisë Ligjore në Universitetin e Strasburgut konfimoi se eshtrat e dërguar atje për ekzaminim ishin të Isa Boletinit.

Isa Boletini u varros dy dytë pas vrasjes në Podgoricë, çuditërisht në një ceremoni me pjesëmarrje masive, ndërkohë që Nasuf Dizdari nga Shkodra mbajti edhe një fjalim gjatë procesionit. Që nga ajo kohë rodhën shumë ngjarje dhe jo vetëm nderimi, por edhe përmendja e emrit të Isa Boletinit cilësohej një krim. Për vite e dekada varri ishte i braktisur, askush nuk shkonte atje, madje ai quhej një varr i humbur. Por në vitin 1973, gjatë asaj kohe që quhet liberalizimi i regjimit të Titos ndaj Kosovës, u bë kërkesa e parë për kthimin e eshtrave në vendlindje. Falë përpjekjeve të familjarëve dhe studiuesëve varri u zbulua dhe më 15 nëntor të vitit 1979 u krye zhvarrimi i kërkuar.

Në fakt këtë proces e shpejtoi dhe një projekti bashkisë së Podgoricës që në tokën ku preheshin eshtrat do të ndërtohej një park. Bashkë me eshtrat e Isa Boletinit u nxorën edhe eshtrat e të shtatë të vrarëve të tjerë të masakrës së 23 janarit 1916. Ishin dy fakte që vërtetonin se ato eshtra i përkisnin Isa Boletinit: Epitafi mbi gurin e varrit, por edhe mungesa te eshtrat e gishtit të mesit në dorën e majtë.

Sipas familjes Boletini, Isa e kishte prerë këtë gisht në moshën 3-vjeçare me sopatë. Eshtrat u vendosën me kujdes në një arkë dhe u varrosën në një kënd të oborrit në xhaminë e Mitrovicës në fshehtësi të plotë. Muhamet Shukriu, Latif Berisha, Asllan Murati ishin tre personat që u betuan me njëri-tjetrin që nuk do t’ia tregonin askujt këtë sekret. Një sekret që u mbajt deri në lirinë e Kosovës e më pas për të ndërtuar një memorial të veçantë.

Ndërkohë, pas 100-vjetorit të pavarësisë, nisi procesi i verifikimit të eshtrave për të kryer një ceremoni zyrtare varrimi. Pas verifikimit, i pari ishte kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, i cili deklaroi se eshtrat e Isa Boletinit do të varroseshin në Vlorë pranë varrit të Ismail Qemalit. Rama caktoi edhe 10 qershorin e vitit 2015 si datën e kësaj ceremonie.

Por, si në të gjallë dhe si në të vdekur rruga e Isa Boletinit drejt Vlorës, qytetit ku u ngjiz shteti shqiptar, kishte të njëjtin fat. Shqipëria e shpalli pavarësinë më 29 Nëntor 1912, por Isa Boletini nuk arriti në kohë të ishte pjesmarrës. Pas 103 vjetësh edhe eshtrat e tij nuk mundën të arrinin atje. Më 10 qershor 2015, Isa Boletini u varros për herë të tretë, por jo në Vlorë siç deklaroi kryeministri Rama, por në oborrin e kullës së tij në Boletin të Mitrovicës. Ishte këmbëngulja e familjarëve që të bëhej kështu.

Vërtet Vlora ishte pika e dobët e Isa Boletinit, por Mitrovica ishte dhe do të jetë në përjetësi dashuria më e madhe e heroit, për të cilën ai shkriu jetën./konica/ KultPlus.com

L’éclair më 1912: Mitrovica në pushtetin e Isa Boletinit

Nga Aurenc Bebja

“L’Éclair” ka botuar, të premten e 6 shtatorit 1912, në faqen n°3, një shkrim në lidhje me lëvizjet e shqiptarëve të Kosovës dhe çlirimin e Mitrovicës nga Isa Boletini, të cilin, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :

Zbatimi i reformave. – Mitrovica në pushtetin e Isa Boletinit 

Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France
Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France

Konstandinopojë, 5 shtator. – Anarkia është e përgjithshme në Shqipëri. Qeveria nuk po përpiqet të rivendosë rendin. Shqetësimi i saj i vetëm është të bëjë që shqiptarët të vetëvendosin rregull (rend).

Për këtë, ajo urdhëroi zbatimin e menjëhershëm, në vilajetin e Kosovës, të reformave të akorduara për shqiptarët, përveç asaj në lidhje me shërbimin ushtarak rajonal.

Na thuhet nga Shkupi se Ibrahim Pasha ftoi udhëheqësit shqiptarë të Prishtinës që të vinin dhe të bisedonin me të.

Shefi Isa Boletini është tërësisht zot i Mitrovicës; ai komandon xhandarët dhe madje ka ngritur një gjykatë. / KultPlus.com

Historia e panjohur e heroit nga Mitrovica, Isa Boletini (VIDEO)

Ajo është padyshim një ndër fotografitë më kuptimplota të historisë shqiptare. Ismail Qemali, kryeministri i parë i Shqipërisë qëndron krah Isa Boletinit, prijësit të hekurt.

Në fakt, të dy personalitetet shfaqen me njëri-tjetrin në mjaft të tilla, e kjo nuk është një rastësi. “Plaku i Vlorës”, një diplomat i vjetër e me eksperiencë, kërkonte të tregonte në këtë mënyrë jo thjesht në atë kohë, por duke e fiksuar edhe në histori përmes këtyre fotografive, lidhjen e fortë me Isa Boletinin.

Cila është jeta e Isa Boletinit? Të fshehtat dhe të pathënat e tij? Betejat e dokumentuara, por edhe ato më pak të njohura. Si ishte Isa Boletini në planin njerëzor dhe çfarë marrëdhëniesh kishte me disa ndër figurat e kohës.

Vrasja në pabesi nga trupat malazeze dhe shumë të vërteta të tjera, shpesh të mbuluara, të gjitha këto vijnë në një dokumentar për jetën e tij, në TCH.

“Isa Boletini me kobure ishte më shume se aq”, shprehet ndër të tjera Nuri Bexheti.

“Pra këto nuk kanë të bëjnë me hapa që do ta bënin të diskutueshme figurën e Isa Boletinit”, thotë Maringlen Verli.

“Normalisht duhet të kishim edhe fotografi të tjera të momentit të mbërritjes së Isa Boletinit në Vlorë”, deklaron Niko Kotherja.

“Isa Boletini ishte i gatshëm të vdiste për shqiptarizëm, kjo është e vërteta”.

“Isa Boletini gjithmonë ka pas ardhur këtu te shtëpia jonë”, thotë Isa Shefqet Dollapi.

Për të parë dokumentarin për Isa Boletinin klikoni KËTU / KultPlus.com

105 vjet nga vrasja e Isa Boletinit në Podgoricë

Isa Boletini ka udhëhequr forcat kryengritëse për çlirim nga pushtuesi Osman më 1912, ka qenë përkrah Ismail Qemalit në shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë, e cila është copëtuar në konferencën e Londrës më 1913-të.

Isa Boletini ishte lindur në fshatin Boletin të Mitrovicës, në një familje me tradita patriotike. Në moshën 17-vjeçare ka marrë pjesë si luftëtar i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, në betejën e Slivovës (22 prill 1881) kundër forcave osmane. Ai ka përkrahur Haxhi Zekën dhe atdhetarët e tjerë në themelimin e Lidhjes Shqiptare të Pejës (1899-1900) dhe në qëndresën e saj kundër sunduesve osmanë e qarqeve shoviniste fqinje.

Më 1901-1902 ishte vënë në krye të qëndresës popullore në Kosovë kundër ndërhyrjeve të Serbisë, Malit të Zi, Rusisë e Austro-Hungarisë në Shqipëri. Boletini ka udhëhequr luftëtarët në betejat e zhvilluara me ushtrinë turke në zonat Shtimlje-Carralevë më 1910, ka mbështetur kryengritjen antiosmane të vitit 1911, ka udhëhequr forcat kryengritëse në zonën e Drenicës, Mitrovicës, Podujevës dhe Prishtinës në vitin 1912. Gjatë Luftës Ballkanike në tetor 1912, ishte vënë në krye të çetave të armatosura vullnetare për mbrojtjen e trojeve shqiptare kundër pushtuesve serbë.

Në ditët e Pavarësisë, në krye të përfaqësuesve të Kosovës, ishte ndodhur përkrah Ismail Qemalit në Vlorë dhe mori pjesë aktive në organizimin e forcave të armatosura për mbrojtjen e Qeverisë së Përkohshme të Vlorës. Më 1913, si anëtar i delegacionit shqiptar, së bashku me Ismail Qemalin ka shkuar në Londër, ku ka protestuar me forcë kundër vendimit të Fuqive të Mëdha për copëtimin e Shqipërisë.

Më vonë, Isa Boletini ka kaluar përsëri në Kosovë, ku ka organizuar qëndresën popullore kundër pushtuesve të rinj serbo-malazezë. Duke e kaluar jetën në luftë e përpjekje dhe me urtësinë e tij, ai ka fituar autoritet të madh si udhëheqës popullor.

Isa Boletini e ka lidhur jetën e tij e të familjes me fatin e atdheut, dashurinë e besnikërinë ndaj të cilit e ka shprehur me fjalët “Unë jam mirë kur asht mirë Shqypnia”.

Isa Boletini më 23 janar 1916 ishte vrarë pabesisht nga shovinistët malazezë në Podgoricë, së bashku me të bijtë, Halilin dhe Zahidin, nipërit Jonuzin dhe Halitin, si dhe tre bashkëluftëtarë të tjerë. / KultPlus.com

Isa Boletini në vitin 1913: Ç’kërkojnë serbët në Kosovë?

Në ditën e lindjes së Isa Boletinit kujtojmë figurën e madhe të tij, i cili gjatë tërë jetës punoi për çështje atdhetare, shkruan KultPlus.

Pavarësisht pse ai ka vdekur, ajo që ka lënë pas përveç veprimtarisë së bujshme janë edhe intervistat e tij, përgjatë të cilave ai shprehi drejtpërdrejtë mendimet e tij për aktualitetet e asaj kohe.

Kohë më parë, Aurenc Bebja pati sjellur botimin e Journal des débats politiques et littéraires” lidhur me deklartatat e Boletinit në intervistën për gazetën “Narodni List”.

Përveç që tha se deri në frymën e fundit do të vazhdoj të punoj për çështje të kombit, Isa Boletini shtroi edhe një pyetje që kishte bërë bujë në atë kohë.

KultPlus ua sjell deklaratat e Isa Boletinit në gazetën “Narodni List”:

Na telegrafojnë nga Shkodra se Isa Boletini, ministri aktual i luftës së qeverisë së Vlorës, gjendet momentalisht në këtë qytet në gjendje të rëndë shëndetësore.

Shefi i famshëm shqiptar ka bërë për korrespodentin e gazetës “Narodni List”, të Fiumes, deklaratat e mëposhtme :

Gjendem i sëmurë në momentin kur kanë më shumë nevojë për ndihmën time; por shpresoj të shërohem sa më shpejt që të kthehem në luftë.

Do të luftoj deri në frymën e fundit dhe derisa të ketë shqiptarë të armatosur, kështu Ballkani nuk do të jetojë në paqe.

E kam thënë këtë gjë në Evropë, e përsëris edhe sot para jush. Madje, ç’kërkojnë serbët në Kosovë !

Gazetat në Beograd, të cilat riprodhojnë këtë deklaratë, pyesin nëse Austria do të gjejë një pretekst tjetër, kur Isa Boletini do të ekzekutojë kërcënimet e tij, për të parandaluar Serbinë që të mbrohet ndaj agresorëve të saj. / KultPlus.com

Isa Boletini: Unë jam mirë kur asht mirë Shqypnia

Isa Boletini është një nga emrat më të njohur në rrafshin historik për gjithë kombin shqiptar.

Ai ishte organizatori kryesor i mobilizimit të shqiptarëve të Kosovës në vitin 1912, në prag të shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë. Ai ishte bërë shpesh temë e nxehtë në Kosovë meqë Kulla e Isa Boletinit gjendet në Mitrovicë si një qytet problematik politik mes Kosovës dhe Serbisë.

Isa Boletini është një prej patriotëve më të mëdhenj që ka jetuar në trojet shqiptare. Ai ka udhëhequr luftën për liri të shqiptarëve prej vitesh të tëra.

“Unë jam mirë kur asht mirë Shqypnia” është një nga thëniet më të mira dhe më domethënëse që vë në pah atdhedashurinë dhe lidhjet kombëtare mes Kosovës dhe Shqipërisë. / KultPlus.com

Sot shënohet 157 vjetori i lindjes së Isa Boletinit

Më 15 janar 1864 lindi Isa Boletini, luftëtar e udhëheqës ushtarak popullor, organizator e drejtues i lëvizjes për çlirimin kombëtar, Hero i Popullit. Isa Boletini lindi në Boletin të Mitrovicës. Në moshën 17 vjeçare mori pjesë si luftëtar i Lidhjes Shqiptare të Prizërenit në betejën e Slivovës kundër forcave osmane.

Ndihmoi në themelimin e Lidhjes Shqiptare të Pejës dhe në qëndresën e saj kundër sunduesve osmanë dhe synimeve grabitqare të Serbisë dhe Malit të Zi. Më 1901-1902 u vu në krye të qëndresës popullore në Kosovë kundër ndërhyrjeve të Serbisë, Malit të Zi dhe Austro-Hungarisë. Në vitin 1908 përkrahu revolucionin xhonturk, por iu kundërvu politikës antishqiptare të Xhonturqve. U dallua si udhëheqës e organizator i kryengritjeve të mëdha popullore kundërosmane të viteve 1908-1912.

Udhëhoqi disa kryengritje kundërosmane në Drenicë-Mitrovicë, Shtime-Carralevë, Podujevë-Prishtinë etj. Në ditët e shpalljes së Pavarësisë u vu në krye të përfaqësuesve të Kosovës, si dhe u ndodh në krah të Ismail Qemalit në Vlorë më 28 Nëntor 1912. Në vitin 1913 si anëtar i delegacionit shqiptar së bashku me Ismail Qemalin shkoi në Londër, ku kundërshtoi me forcë vendimet e Fuqive të Mëdha për copëtimin e Shqipërisë.

Më vonë kaloi sërish në Kosovë, ku organizoi qëndresën popullore kundër pushtuesve të rinj serbo-malazezë. Duke kaluar jetën në luftë e përpjekje dhe me urtësinë e tij, fitoi autoritet si udhëheqës popullor. Më 23 janar 1916 u vra pabesisht nga shovinistët malazezë në Podgoricë. / KultPlus.com

Nipi e zbulon flamurin personal të Isa Boletinit: E ka ngritur me 30 qershor 1912

Në fshatin Boletin në veri të Kosovës, gjendet kulla e Isa Boletinit.

Emisioni “Ballkan” këtë javë bisedoi me stërnipin e tij, Gazmend Boletinin dhe u njohëm me flamurin origjinal me të cilin luftoi dhe xhamadanin që ai ka veshur.

“Xhamadanin e punuar nëna e Isait, mund të jetë afro një shekull, ka qenë xhamadan vere, se në vijmë nga zona e Shalës dhe e ka mbajtur në krah. Shenjat janë besimet Ilire, gjarpri.

Ky është flamuri personal i Isa Boletinit, e ka ngritur në 30 qershor në 1912 dhe ka shpallur këtë zonë të lirë dhe ka formuar bazë ushtarake dhe kështu filloi kryengritja e përgjithshme.

Në 12 gusht 1912 ka hyrë në Shkup, vilajetin e Kosovës. Por për herë të parë e ka përdorur në 1910 në Kuvendin e Isniqit’ tha ai.

Gazmend Boletini rrëfen edhe një detaj interesant te shqiponja në flamur. “Isa fliste, ai (rrobaqepësi) punonte, dhe kur e kanë pyetur pse me krahët poshtë (shqiponja), sepse akoma nuk i kemi çliruar trojet shqiptare” tha ai./ KultPlus.com

Letra tmerruese e Edith Durham: Disa oficerë serbë u mburrën për mënyrën sesi i kishin shpuar me bajonetë gratë dhe fëmijët e Lumës

Nga Edith Durham

Gjatë pjesës më të madhe të kryengritjes së Isa Boletinit, unë isha në Shqipëri.

E gjithë Shqipëria e Veriut u revoltua disa herë, me synimin për të fituar autonominë dhe mbi të gjitha, për të përcaktuar kufijtë, sepse ekzistonte frikë e madhe për ndonjë agresion serb.

Ishte në fakt revolta e Shqipërisë së Veriut ajo që u dha mundësi Turqve të rinj të rrëzonin regjimin e vjetër.

Më pas, Turqit e rinj e djallosën situatën dhe i armiqësuan keqazi shqiptarët, duke dashur t’i osmanizojnë me forcë.

Isa Boletini ishte një lider shumë i aftë, i admiruar dhe i dashur shumë. Ai e deklaroi qartë se po luftonte kundër turqve për autonomi dhe kundër askujt tjetër. Ai e mbrojti pakicën serbe në vilajetin e Kosovës.

Kur oficerët serbë morën kontaktet e para me të, në Shqipëri pati gëzim shumë të madh. Njerëzit më thoshin: Tani serbët janë miqtë tanë.

Tash e tutje nuk ka përse të frikësohemi prej tyre. Një oficer serb jeton me Isa Boletinin. Ata janë betuar për miqësi me ne.

Djali i Isës, na u tha, shoqërohej me oficerë serbë. Së bashku, shqiptarët dhe serbët do të dëbojnë turqit.

Kur të fitohej autonomia, pakica serbe në Kosovë do të trajtohej mirë dhe të gjitha do të shkonin mirë. Kjo ëndërr e artë u trondit mizorisht.

Por do të kalonte ca kohë para se shqiptarët të kuptonin se sa mizorisht ishin mashtruar dhe ishin bërë vegla në duart e tjerëve.

Serbët e lanë Isa Boletinin t’i mposhtëte turqit dhe të spastronte të gjitha zonat afër kufirit me serbët.

Por, sapo erdhi puna për kufijtë dhe për përmasat e autonomisë që ata do të merrnin nga turqit, serbët dhe popujt e tjerë të Ballkanit u shpallën shqiptarëve luftë për të mos lejuar realizimin e këtij plani.

Shqiptarët që kishin luftuar turqit dhe ua kishin lehtësuar rrugën aleatëve të Ballkanit, u sulmuan nga ushtritë serbo-malazeze në mënyrën më brutale.

Meqenëse e kishin harxhuar municionin për rebelimin e fundit, pjesa më e madhe e shqiptarëve ishin praktikisht të paarmatosur dhe u masakruan pa mëshirë nga ushtritë pushtuese.

Apisi dhe miqtë e tij që ishin hequr si miq të shqiptarëve, tani, nuk kursyen as burrë, as grua, as fëmijë. Se sa u masakruan në vilajetin e Kosovës, kjo nuk do të mësohet kurrë.

Disa oficerë serbë u mburrën në tryezën e darkës në Podgoricë, në praninë time, për mënyrën sesi i kishin shpuar me bajonetë gratë dhe fëmijët e Lumës.

Hetimet e mëvonshme nga ana ime, treguan se kjo ishte e vërtetë. Lajme të tmerrshme për mizoritë e kryera erdhën përmes muslimanëve.

Duke tradhtuar kështu shqiptarët, serbët fituan tërë vilajetin, përveç një pjese që i ishte dhënë Malit të Zi.

Gjatë Luftës së Madhe, kur gjërat po shkonin keq me serbët dhe malazezët, Isa Boletini i cili me familjen e tij ishte lejuar të jetonte në Podgoricë në Mal të Zi, u masakrua së bashku me shumicën e burrave të familjes së tij, me sa duket për të siguruar se ai nuk do të udhëhiqte përsëri një kryengritje në Kosovë.

Ata u mbrojtën për shumë orë, nën një urë, derisa një mitraloz u kthye mbi ta. Pas luftës, shqiptarët u përpoqën shumë që të lejohej të mbanin të paktën një pjesë të Kosovës.

Pjesa më e madhe e saj ishte shqiptare e pastër si popullatë.

Por përsëri, ajo iu dha serbëve. Evropa, në çdo rast në fakt u ka treguar serbëve se rruga drejt suksesit është ajo e tradhtisë … / KultPlus.com

Universiteti i Mitrovicës “Isa Boletini” riakreditohet për tre vjet

Këshilli Shtetëror i Cilësisë (KSHC), ka marrë vendim në mbledhjen e mbajtur më 25 qershor 2020 për riakreditim institucional të Universitetit të Mitrovicës “Isa Boletini” (UMIB) për 3 vjet, sipas rekomandimeve të ekspertëve ndërkombëtarë. Sipas informacioneve të publikuara në medie, në këtë mbledhje gjithashtu është marrë vendim edhe për riakreditimin institucional të Universitetit të Pejës dhe të Prizrenit.

Rektori i UMIB-it, prof.dr.Alush Musaj, tha se ende nuk kanë marrë njoftim zyrtar nga KSHC-ja, mirëpo nga mediet është mësuar për vendimet që janë marrë sa i përket riakreditimit të universiteteve. Më këtë rast ai ka përgëzuar studentët, stafin akademik dhe administratën e universitetit. “Dëshiroj t’i falënderoi të gjithë ata që kanë kontribuar në plotësimin e kritereve për riakreditim, dukë pasur parasysh se është bërë një punë jashtëzakonisht e madhe”.

Ai vlerësoi përkushtimin dhe korrektësinë e Agjencisë së Kosovës për Akreditim (AKA), që ka organizuar procesin e akreditimit në rrethana të vështira të krijuara si pasojë e pandemisë Covid-19. “Standardet e vendosura janë tepër të larta sa i përket akreditimit institucional, por edhe korrektësia e institucioneve përgjegjëse ka qenë në nivel”, tha ai.

Rektori Musaj, theksoi se UMIB-i ka krijuar lehtësi të mëdha për të rinjtë që duan të studiojnë në një kampus modern. “Janë 20 programe të akredituara në UMIB, ku të rinjtë mund të orientohen për të ardhmen e tyre. Janë programe atraktive që sigurojnë perspektivë dhe ne i mirëpresim studentët e rinj në vitin akademik 2020/21”.

Sipas tij, janë bërë të gjitha përgatitjet edhe për vitin e ri akademik, dhe sapo të pranohet vendimi edhe zyrtarisht nga KSHC-ja do të vazhdohet me angazhimet tjera. “Ky është një lajm i mirë jo vetëm për UMIB-in, por edhe për rajonin dhe të rinjtë që duan të studiojnë”.

Isa Boletini dhe Ismail Qemali per gazetën vieneze: Kosova dhe Mitrovica duhet t’i bashkohen Shqipërisë

Nga Aurenc Bebja*, Francë – 27 Prill 2020

“Le Soir” ka botuar, të shtunën e 12 prillit 1913, në ballinë, një shkrim në lidhje me deklaratën e Ismail Qemalit dhe Isa Boletinit bërë askokohe një gazetari të medias së njohur austriake “Neue Freie Presse” në Vjenë, të cilin, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :

Çështja shqiptare

Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France
Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France

Vjenë, 11 prill.

Ismail Qemali dhe Isa Boletini mbërritën mbrëmë në Vjenë. Ata i bënë deklaratën e mëposhtme një redaktori të Neue Freie Presse :

Kosova dhe Mitrovica duhet t’i kthehen Shqipërisë. Përndryshe, shqiptarët do të privoheshin nga pjesa më pjellore e vendit dhe ata kurrë nuk do ta pranonin atë.

Paqja në Ballkan do të jetë e pamundur nëse ruhet demarkacioni aktual i Shqipërisë. / KultPlus.com

https://www.darsiani.com/la-gazette/ismail-qemali-dhe-isa-boletini-redaktorit-te-neue-freie-presse-ne-vjene-1913-kosova-dhe-mitrovica-duhet-t-i-rikthehen-shqiperise-perndryshe-me-kete-demarkacion/?fbclid=IwAR2Y_ivJHIcSGhhppTrwTRbjC6IDgzbqEHYQYFK1tEvh3gQaJfkZFDA3gVU

Intervista ekskluzive e Isa Boletinit në Londër, në zemër të civilizimit, nuk e hoqi kostumin e tij prej malësori

Nga Aurenc Bebja

“L’Echo de Paris” ka botuar, të hënën e 5 majit 1913, në faqen n°3, një shkrim në lidhje me intervistën ekskluzive të Isa Boletinit, të zhvilluar asokohe në Londër, ku si përkthyes i ka shërbyer Luigj Gurakuqi, të cilën, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar:

Bisedë me shefin shqiptar Isa Boletini

Londër, 4 maj.

E kam takuar Isa Boletinin në një nga hotelet e mëdha në Londër, i ulur para një filxhani çaji, i patundur, me një cigare në gishtat e tij. Rreth tij, anëtarët e qeverisë së përkohshme shqiptare të veshur me pardesy prej mëndafshi. Me këtë stil, ata mund të ligjërojnë në “House of  Commons”. Isa Boletini, edhe në zemër të civilizimit, nuk e hoqi kostumin e tij prej malësori luftarak. Ai mban plisin e bardhë, traditë për të gjithë bashkatdhetarët e tij.

Për të mashtruar disi kureshtjen e publikut, ai veshi një pardesy gri krejt perëndimore, por veshja kombëtare përsëri dukej : këmisha blu dhe jeleku (xhamadani), rripi i gjerë dhe pantallonat që i ngjiten nga afër pjesës së prapme të këmbëve. Një strukturë kockore, shumë e gjatë dhe e harkuar, mbart fytyrën, e pjekur dhe të djegur nga dielli, mbi të cilën shkëlqen një sy mjaft i mprehtë. I tillë është njeriu, i cili, me përsosmëri, përfaqëson Shqipërinë luftarake, atë, që e palodhur dhe prej shekujsh, ka zbritur nga lartësitë për të dëbuar gjithnjë e më larg serbin, grekun dhe bullgarin; ajo që, nesër, do të sulmojë ushtarët evropianë, qofshin në shërbim të koncerteve (planeve) apo interesave austro-italiane.

Shqiptarë të tjerë kanë pasur sukses në Yildiz – Kiosk, në poste të larta publike, por ky njeri përfaqëson shumë më mirë tokën shqiptare, të cilën kurrë nuk ka dashur ta braktisë, dhe që, edhe sot, në këtë hotel të madh perëndimor, ka një marshim të dhimbshëm dhe gjeste të ngadalta të kujtdo që ngjit një lartësi dhe mbart armë.

Z. Luigj Gurakuqi, një katolik nga Shkodra, anëtar i qeverisë së përkohshme të Vlorës, pranon të më shërbejë si përkthyes.

E pyes Isa Boletinin :

— Në çfarë moshe keni filluar të luftoni ?

— Në moshën shtatëmbëdhjetë vjeçare. Unë jam dyzet e shtatë vjeç sot. Domethënë, tridhjetë vjet luftë. Kam lindur në fshatin Boletin, afër Mitrovicës. Armiqtë e mi të parë ishin serbët dhe malazezët. Ishte për të zmbrapsur bastisjet e tyre që pak nga pak fitova besimin e bashkatdhetarëve të mi dhe u bëra shef klani.

— Ju keni pasur marrëdhënie të mira me turqit e regjimit të vjetër ?

— Ndonjëherë ndoshta disa mosmarrëveshje; por, në përgjithësi, nuk kemi shkuar keq. Sulltani Hamid e dinte se çfarë vlere kishte një shqiptar; në vitin 1902, ai më thirri pranë tij, më vuri në krye të gardës së tij shqiptare dhe më dha titullin bej.

Isai me jep këto detaje copëza-copëza që i lë të dalin një nga një.

— Në Shqipëri, tha ai, njerëzve nuk u pëlqen të flasin për veten; kjo është në kundërshtim me zakonet.

— Fatkeqësisht ! iu përgjigja, në Perëndimin tonë, të mos flasim për veten është gjithashtu në kundërshtim me zakonet.

I ardhur në Londër për t’i shërbyer vendit të tij, Isai, nga Boletini, e pranon reagimin tim.

Për dy orë, ai u përgjigj pyetjeve të mia biografike, duke thënë herë pas here: “Kam vuajtur aq shumë sa nuk mund të them gjithçka !”

Pasi qëndroi për katër vite pranë sulltan Abdul-Hamidit, beu i ri u kthye në Shqipërinë e tij. Ai jetonte prej tre vitesh në kullën e tij afër Mitrovicës kur ndodhi lëvizja xhonturke. E dimë se, gjatë një takimi në Ferizaj, më 15 korrik 1908, delegatët shqiptarë e pranuan Kushtetutën. U kishin thënë se ishin të lirë ndaj pushtetit qendror, efektet e të cilit nuk është se ndiheshin atje.

— Nuk e lashë veten të mashtrohem, thotë Isai. Unë nuk kam qenë në Ferizaj.

— Pse ? A i njihnjit turqit e rinj ?

— Vetëm disa.

— A keni pasur marrëdhënie të këqija me ta ?

— Jo ! marrëdhënie të mira. Megjithatë, nuk kisha besim tek ata. Burrat e regjimit të ri nuk më falën për abstenimin tim. Të ngarkuar për nënshtrimin e të gjitha elementeve armiqësore, komandanti i Mitrovicës, Xhavit pasha, përmes meje, vendosi të fillojë serinë e ekzekutimeve të tij. Ai, pa asnjë paralajmërim, rrethoi kullën time, nga e cila familja ime mezi arriti të dilte. I kapur në befasi, kisha vetëm 20 burra rreth meje. Nga këta 20 burra, 12 u vranë. 8 të tjerët, përfshirë edhe mua, qemë në gjendje të shpëtonim por të mbuluar nga plagët.

Duke rrëfyer këtë arritje, shefi shqiptar tregon shpatullën e tij të majtë të enjtur. Ishte e shpuar nga njëra anë në tjetrën. Shoh që në dorën e tij të majtë mungon gishti i mesit.

— E ka marrë Xhavit pasha ?

Isai buzëqeshi me përbuzje :

— Jo. Aksident i thjeshtë gjatë rinisë.

Natyrisht, kjo nuk llogaritet. Që ky gjigant i zhdërvjellët dhe esmer të rrëzohet për tokë, do të duhej të vritej shtatë herë, si një mace. Ai vazhdon :

— I detyruar të largohem nga Mitrovica, u strehova afër Pejës. Xhaviti arriti shpejt me pesë batalione, duke djegur të mbjellat dhe kullat. Pasi u mundova të luftoj me aq sa munda, u strehova te malsorët e Gjakovës. Rezistenca u organizua, betejat e Lumës dhe Rugovës u mësuan shtypësve modestinë. Në pranverën e vitit 1909, të thirrur për arsye të ngjarjeve të Kostandinopojës, ata u larguan. Kjo ishte për t’u kthyer një vit më vonë, nën urdhrat e Shefqet Turgut pashës. Këtë herë, erdhën për të ndëshkuar lëvizjet shqiptare në krahinën e Kosovës. Ne luftuam në Kaçanik, të shpërndarë, kurrë të mposhtur. Pastaj, kam gjetur azil në Mal të Zi.

— Çfarë mendoni për mbretin Nikolla ?

— Ai më ftoi disa herë në tavolinën e tij, duke më bërë të ulem pranë mbretëreshës. Më mbetet vetëm ta falënderoj atë dhe popullin e tij. Pasi paqja u rivendos, u ktheva në fshatin tim të lindjes Boletin, më mungonte vendlindja. Unë qëndrova në heshtje për një vit të tërë dhe nuk mora pjesë në kryengritjen e malësorëve të Shkodrës dhe në kuvendin e Berçës, i cili hartoi statutin e lirive shqiptare. Isha akoma në Boletin në gusht, kur sulltani erdhi të vizitojë fushën e betejës së Kosovës, ai më ftoi të shkoj. Nuk pranova. Mësova se ishte i shoqëruar nga Haki pasha dhe Mahmud Shefqeti. E dija si njeri pa vullnet, mendova se ishte e kotë të shkoja e ta shihja. Një vit më pas, unë mora drejtimin e kryengritjes së madhe, e cila na çoi radhazi në Pejë, Gjakovë, Prishtinë dhe Shkup. Hyra me në krye ushtarët e mi. Kështu arrita qëllimin e përpjekjeve të mia : të siguroj ekzistencën kombëtare të Shqipërisë, të kërcënuar nga Turqit e Rinj. Ne ishim duke përfunduar një marrëveshje me Gazi Muktar  pashën (Ahmed Muhtar Pashën) kur papritmas deklarata e luftës së aleatëve shpërtheu.

— Duke pasur parasysh zgjedhjen midis serbëve, me të cilët keni luftuar tërë jetën, dhe turqit, të cilët i keni luftuar për pesë vjet, çfarë bëtë ?

— Unë kërkova armë në Kostandinopojë; me të vërtetë, të gjithë njerëzit e mi i kishin çarmatosur. Këto armë m’u refuzuan. Unë luftova me mundësitë që pata, duke u tërhequr nga Mitrovica në Dibër, Elbasan dhe Vlorë. I emëruar kryetar i milicisë së formuar nga qeveria e përkohshme, m’u desht të ndërhyja për të larguar grekët nga Himara. Ndërsa vizitova jugun e Shqipërisë, vura re se të gjithë shqiptarët janë vëllezër; isha shumë i lumtur. Tani kam ardhur për të kërkuar drejtësi në Europë.

— A do t’i pranoni kufijtë e rinj që kanë vendosur ambasadorët ?

— Kurrë. Është një dhimbje e madhe për mua që vendi im Kosova është ndarë nga Shqipëria. Shqiptarët nuk do t’i nënshtrohen kurrë me qetësi zgjedhës serbe.

— A do ta ndaloni hekurudhën tregtare që i është dhënë Serbisë ?

— Trazirat do të jenë të pandalshme.

— Çfarë mendoni në lidhje me një pushtim italo-austriak ?

— Për sa kohë që nuk ka drejtësi, dhe ndërsa Mali i Zi dhe Serbia vazhdojnë të aneksojnë vendet shqiptare, Italia dhe Austria mund të jenë pjesë e kësaj loje. Kam ardhur këtu për të protestuar si një përfaqësues i Kosovës, si një delegat i qeverisë së Vlorës. Tërë jetën time, unë do të luftoj serbin, malazezin, grekun, italianët, austriakët, deri në çlirim ose vdekje.

Duke thënë këto fjalë, Isai merr flakë dhe lëviz. Ai përsërit të njëjtën fjali tri ose katër herë. Ka frikë se unë nuk i kam shënuar mirë fjalët e tij.

Ndërsa unë e kam lënë tashmë të qetë, ai ngrihet dhe nxiton drejt meje :

— Ajo që thashë është e vërteta. Nëse dikush pretendon ndryshe, unë jam këtu për t’iu përgjigjur atyre.

Ndërsa largohem, mendoj për të ardhmen që pret Isain dhe arnautët e tij krenarë. I krijuar për luftë, i papërshtatshëm për çdo punë tjetër përveç asaj të pushkës; i ushqyer në idhtësinë fisnike të armëve, kur ai të ketë luftuar mirë kundër ndërhyrësve të rinj, pa dyshim malli për vendlindjen do ta kthejë sërish në kullën e tij në Boletin, në Serbi; ai do të shohë njerëzit (rayas), që, dikur, kur takonin shefat shqiptarë,  zbrisnin me përulësi nga gomerët e tyre, të kalojnë tashmë para tij duke e shikuar në sy; ai do t’i shohë djemtë e tij të bëhen gjithnjë e më pak luftëtarë dhe gjithnjë e më shumë fshatarë; udhëtuesit shitës dhe sllavët do të qarkullojnë me mallrat e tyre në këtë vend, i çelur më parë vetëm për vendasit (autoktonët). Ata do ta tregojnë me gisht plisin e tij të bardhë dhe jelekun e tij blu. Isai do të flasë me veten se fundi i botës ka mbërritur. Europa do të ketë humbur racën e saj më bukur ushtarake. — A. C

https://www.darsiani.com/la-gazette/l-echo-de-paris-1913-intervista-ekskluzive-me-isa-boletinin-ne-londer-perfaqesuesin-e-kosoves-dhe-delegatin-e-qeverise-se-vlores/

Isa Boletini për Daily Telegraph: Gjithë jetën time deri në çlirim apo në vdekje, unë do të luftoj serbët

Nga Aurenc Bebja

Gazeta franceze, “Journal des débats politiques”, ka botuar, të mërkurën e 7 majit 1913, në faqen n°2, një shkrim në lidhje me intervistën e patriotit shqiptar, Isa Boletini, dhënë në Londër për prestigjozen “Daily Telegraph”.

Si e përshkruanin perëndimorët atdhetarin shqiptar ? Çfarë ka shprehur ai për median britanike ? Në vijim, do të gjeni tekstin e plotë, të sjellë në shqip nga Aurenc Bebja – Blogu « Dars (Klos), Mat – Albania » :

Isa Boletini dhe problemi shqiptar

Isa Boletini, patrioti shqiptar, armiku i betuar i serbëve dhe grekëve, dhe nesër, nëse është e nevojshme, kundërshtari i pamëshirshëm i një ndërhyrje austro-italiane në vendin e tij, ndodhet në këtë moment në Londër.

Një gazetar i Daily Telegraph ka bërë me të një intervistë interesante; Isa Boletini vë në dukje meritat e ish-regjimit turk. Abdul Hamidi i vlerësonte shqiptarët. Në vitin 1902, ai e thirri Isa Boletinin në Konstandinopojë dhe e vendosi atë në krye të gardës së tij duke i vënë titullin Bej. Isa Boletini qëndroi në Kostandinopojë për katër vjet dhe pastaj u kthye në Shqipëri. Ai jetonte që prej tre vitesh në afërsi të Mitrovicës, kur filloi Revolucioni Xhonturk.

Shqiptarët në 1908 kërkuan “Kushtetutën”, por Isa Boletini, që nga ai moment, u tregua i shqetësuar. Xhonturqit, të vetëdijshëm për ndjenjat e atij lideri, kërkuan ta shtypnin atë. Xhavit Pasha e sulmoi atë papritur me trupat që kishte në dispozicionin e tij. Por Isa Boletini mundi të shpëtojë, megjithëse me një dëmtim të rëndë në shpatull. I larguar nga Mitrovica, Isa Boletini u tërhoq në Pejë, dhe më pas u strehua pranë Malësorëve të Gjakovës.

Atje, ai organizoi një rezistencë serioze. U zhvilluan luftime ku turqit u rrahën. Ngjarjet e pranverës së vitit 1909 detyruan kthimin e trupave turke në Konstandinopojë, por vitin e ardhshëm një ushtri turke u kthye në Shqipëri për të dënuar rebelët. Isa Boletini, i mundur në Kaçanik, në vend se të dorëzohej, u strehua në Mal të Zi.

Një vit më pas, në krye të trupave të tij, Isa Boletini hyri në Pejë, Gjakovë, Prishtinë dhe Shkup : “Kështu, unë kisha arritur qëllimin e përpjekjeve të mia, ekzistencën e Shqipërisë, e kërcënuar nga xhonturqit. Ne ishim duke përfunduar një marrëveshje me Ahmet Muhtar Pashën kur shpërtheu lufta aleatëve.”

Isa Boletini gjendet aktualisht në Londër për të mbrojtur çështjen e pavarësisë së Shqipërisë pranë Fuqive të Mëdha. Isa Boletini nuk i pranon kufijtë e vendosur për Shqipërinë nga Konferenca e Londrës. Shqiptarët kurrë nuk do të pranojnë sundimin serb. Ata nuk e pranojnë parimin e hekurudhës komerciale (tregtare) që i është dhënë Serbisë : “Gjithë jetën time, deri në çlirim apo në vdekje, unë do të luftoj serbët, grekët, malazezët, italianët, austriakët.” / KultPlus.com

:https://www.darsiani.com/la-gazette/isa-boletini-gazetarit-te-daily-telegraph-1913-gjithe-jeten-time-deri-ne-%C3%A7lirim-apo-ne-vdekje-une-do-te-luftoj-serbet-greket-malazezet-italianet-austriaket/

Isa Boletini: Unë jam mirë kur asht mirë Shqypnia

Isa Boletini është një nga emrat më të njohur në rrafshin historik për gjithë kombin shqiptar. Ai ishte organizatori kryesor i mobilizimit të shqiptarëve të Kosovës në vitin 1912, në prag të shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë.

Ai ishte bërë shpesh temë e nxehtë në Kosovë meqë Kulla e Isa Boletinit gjendet në Mitrovicë si një qytet problematik politik mes Kosovës dhe Serbisë.

Isa Boletini është një prej patriotëve më të mëdhenj që ka jetuar në trojet shqiptare. Ai ka udhëhequr luftën për liri të shqiptarëve prej vitesh të tëra.

“Unë jam mirë kur asht mirë Shqypnia” është një nga thëniet më të mira dhe më domethënëse që vë në pah atdhedashurinë dhe lidhjet kombëtare mes Kosovës dhe Shqipërisë. /KultPlus.com

104 vjet nga vrasja e Isa Boletinit në Podgoricë

Isa Boletini ka udhëhequr forcat kryengritëse për çlirim nga pushtuesi Osman më 1912, ka qenë përkrah Ismail Qemalit në shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë, e cila është copëtuar në konferencën e Londrës më 1913-të.

Isa Boletini ishte lindur në fshatin Boletin të Mitrovicës, në një familje me tradita patriotike. Në moshën 17-vjeçare ka marrë pjesë si luftëtar i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, në betejën e Slivovës (22 prill 1881) kundër forcave osmane. Ai ka përkrahur Haxhi Zekën dhe atdhetarët e tjerë në themelimin e Lidhjes Shqiptare të Pejës (1899-1900) dhe në qëndresën e saj kundër sunduesve osmanë e qarqeve shoviniste fqinje.

Më 1901-1902 ishte vënë në krye të qëndresës popullore në Kosovë kundër ndërhyrjeve të Serbisë, Malit të Zi, Rusisë e Austro-Hungarisë në Shqipëri. Boletini ka udhëhequr luftëtarët në betejat e zhvilluara me ushtrinë turke në zonat Shtimlje-Carralevë më 1910, ka mbështetur kryengritjen antiosmane të vitit 1911, ka udhëhequr forcat kryengritëse në zonën e Drenicës, Mitrovicës, Podujevës dhe Prishtinës në vitin 1912. Gjatë Luftës Ballkanike në tetor 1912, ishte vënë në krye të çetave të armatosura vullnetare për mbrojtjen e trojeve shqiptare kundër pushtuesve serbë.

Në ditët e Pavarësisë, në krye të përfaqësuesve të Kosovës, ishte ndodhur përkrah Ismail Qemalit në Vlorë dhe mori pjesë aktive në organizimin e forcave të armatosura për mbrojtjen e Qeverisë së Përkohshme të Vlorës. Më 1913, si anëtar i delegacionit shqiptar, së bashku me Ismail Qemalin ka shkuar në Londër, ku ka protestuar me forcë kundër vendimit të Fuqive të Mëdha për copëtimin e Shqipërisë.

Më vonë, Isa Boletini ka kaluar përsëri në Kosovë, ku ka organizuar qëndresën popullore kundër pushtuesve të rinj serbo-malazezë. Duke e kaluar jetën në luftë e përpjekje dhe me urtësinë e tij, ai ka fituar autoritet të madh si udhëheqës popullor.

Isa Boletini e ka lidhur jetën e tij e të familjes me fatin e atdheut, dashurinë e besnikërinë ndaj të cilit e ka shprehur me fjalët “Unë jam mirë kur asht mirë Shqypnia”.

Isa Boletini më 23 janar 1916 ishte vrarë pabesisht nga shovinistët malazezë në Podgoricë, së bashku me të bijtë, Halilin dhe Zahidin, nipërit Jonuzin dhe Halitin, si dhe tre bashkëluftëtarë të tjerë. / KultPlus.com

Isa Boletini: “Unë jam mirë kur asht mirë Shqypnia”

Isa Boletini është një nga emrat më të njohur në rrafshin historik për gjithë kombin shqiptar. Ai ishte organizatori kryesor i mobilizimit të shqiptarëve të Kosovës në vitin 1912, në prag të shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë. Ai ishte bërë shpesh temë e nxehtë në Kosovë meqë Kulla e Isa Boletinit gjendet në Mitrovicë si një qytet problematik politik mes Kosovës dhe Serbisë.

Isa Boletini është një prej patriotëve më të mëdhenj që ka jetuar në trojet shqiptare. Ai ka udhëhequr luftën për liri të shqiptarëve prej vitesh të tëra.

“Unë jam mirë kur asht mirë Shqypnia” është një nga thëniet më të mira dhe më domethënëse që vë në pah atdhedashurinë dhe lidhjet kombëtare mes Kosovës dhe Shqipërisë. /KultPlus.com


Isa Boletini- Korrespodentit të Gazetës Narodni List (1913): Ç’kërkojnë serbët në Kosovë?

Nga Aurenc Bebja

“Journal des débats politiques et littéraires” ka botuar, të enjten e 27 nëntorit 1913, në faqen n°4, një shkrim në lidhje me deklaratat e Isa Boletinit për gazetën “Narodni List”, të cilin, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :

Na telegrafojnë nga Shkodra se Isa Boletini, ministri aktual i luftës së qeverisë së Vlorës, gjendet momentalisht në këtë qytet në gjendje të rëndë shëndetësore.

Shefi i famshëm shqiptar ka bërë për korrespodentin e gazetës “Narodni List”, të Fiumes, deklaratat e mëposhtme :

Gjendem i sëmurë në momentin kur kanë më shumë nevojë për ndihmën time; por shpresoj të shërohem sa më shpejt që të kthehem në luftë.

Do të luftoj deri në frymën e fundit dhe derisa të ketë shqiptarë të armatosur, kështu Ballkani nuk do të jetojë në paqe.

E kam thënë këtë gjë në Evropë, e përsëris edhe sot para jush. Madje, ç’kërkojnë serbët në Kosovë !

Gazetat në Beograd, të cilat riprodhojnë këtë deklaratë, pyesin nëse Austria do të gjejë një pretekst tjetër, kur Isa Boletini do të ekzekutojë kërcënimet e tij, për të parandaluar Serbinë që të mbrohet ndaj agresorëve të saj. / KultPlus.com

Fati i trishtë i familjes e pasardhësve të Isa Boletinit, rrëfimi i nipit

Dëshmia e nipit te heroit: “Hakmarrja e regjimit komunist ndaj familjes sonë filloi që në vitin 1943, kur komunistët shkodranë të udhëhequr nga Vasil Shanto, vranë me atentat djalin e Isës dhe babanë tim Adem Boletinin. Si rezultat i politikës të ndjekur nga Beogradi dhe Tirana komuniste, që pas vrasjes së gjyshit në 1913, nga familja jonë u vranë apo ekzekutuan 15 vetë dhe dhjetë të tjerë kaluan vite të tëra në burgje dhe internime”.

Hakmarrja e sllavo-komunistëve ndaj familjes së njohur të Isa Boletinit, filloi që në nëntorin e vitit 1943, kur komunistët shkodranë të udhëhequr nga Vasil Shanto vranë me atentat babanë tim nënkolonel Adem Boletinin, djalin e tretë të Isës, i cili kishte mbaruar Akademinë Ushtarake në Vjenë.

Pas kësaj si në Mitrovicë ku jetonte pjesa më e madhe e Boletinëve, ashtu edhe në Shqipëri, familja jonë u gjend nën një persekucion të egër dhe barbar nga regjimet komuniste të Titos dhe të Enver Hoxhës. Nga ky represion i paparë që u ndoq ndaj djemve, nipave dhe mbesave të Isa Boletinit, numri i të vrarëve dhe të ekzekutuarve nga familja jonë arriti në 15 vetë dhe dhjetë të tjerë vuajtën për vite të tëra në burgjet e tmerrshme të Serbisë dhe Shqipërisë. Regjimi komunist i Enver Hoxhës ndaj familjes së Boletinëve ndoqi po atë politikë të cilën kishte ndjekur për shumë vjet regjimi komunist i Titos dhe si rezultat i kësaj vetëm në vitin 1962-in, Isa Boletinit iu akordua titulli i lartë i Heroit të Popullit. Edhe pas kësaj familja jonë vetëm një herë pati ftesë zyrtare për të shkuar në Vlorë në përvjetorët e ditës së ngritjes së Flamurit dhe në 1981 kur u inaugurua monumenti i gjyshit tim Isa Boletinit në Shkodër, familjen tonë nuk e thirrën, duke na thanë se na kishin harruar”. Njeriu që flet dhe dëshmon për Memorie.al është 67-vjeçari Isa Boletini, (nipi i Isa Boletinit) ish-mësues i Edukimit Fizik, Mjeshtër Sporti dhe arbitër ndërkombëtar i volejbollit, i cili rrëfen se si u trajtua familja e tij si nga regjimi komunist i Titos në Jugosllavi, ashtu dhe nga ai i Enver Hoxhës në Shqipëri. Po si filloi hakmarrja e regjimit komunist të Tiranës ndaj familjes së Isa Boletinit dhe kush ishin viktimat e asaj familje që u ekzekutuan, vranë, burgosën dhe internuan të nxitur politika zyrtare e Beogradit? Lidhur me këto e fakte të tjera nga historia tragjike e familjes Boletini, na njeh rrëfimi i nipit të tij Isa Boletinit të ri, i cili e ka ndjerë vetë mbi shpatullat e tij peshën e rëndë të dhunës së regjimit komunist të Enver Hoxhës.

Gjenocidi mbi Boletinët

Po si qëndron e vërteta ndaj vrasjes së djalit të Isa Boletinit nga komunistët shkodranë në 1944-ën dhe cili ishte qëndrimi që mbajti regjimi komunist ndaj kësaj familje pas mbarimit të Luftës? Lidhur me këtë Isa Boletini i ri dëshmon: “Vrasja e babait tim nënkolonel Adem Boletinit, u krye në 23 nëntor të vitit 1943 nga komunistët shkodranë të udhëhequr nga Vasil Shanto. Ajo vrasje u nxit dhe u urdhërua nga komunuistët serbë që në atë kohë drejtonin dhe Partinë Komuniste në Shqipëri, si shenjë hakmarrje ndaj gjyshit tim Isa Boletinit i cili luftoi për vite me rradhë ndaj serbo-malazezëve. Në atë kohë vrasja e Ademit, u prit me indinjatë të madhe nga gjithë populli i Shkodrës që e dënoi atë akt barbar, sepse Adem Boletini shërbente si ushtarak dhe nuk ishte përzier asnjëherë në politikë. Ndonëse unë nuk kam qenë më shumë se nëntë vjeç, e mbaj mënd shumë mirë varrimin madhështor, që i bëri populli i Shkodrës babait tim Ademit, ku edhe rinia Antifashiste e qytetit u detyrua dhe solli kurorën e saj. Që nga ajo kohë, për të mbulaur atë krim dhe indinjatën e madhe të popullit të Shkodrës, komunistë hapën fjalë se gjoja Adem Boletini ishte vrarë pa dashje dhe shënjestra e atentatit kishte qenë major Ndrec Prenga, qarkomandanti i Xhandarmërisë së Shkodrës. Po kjo gjë u hodh poshtë po prej tyre nga dy traktet që ata hodhën menjëherë pas asaj vrasje. Nga ato dy trakte, më kujtohet si tani vetëm i pari që ne mundëm ta gjenim, ku për vrasjen e babait flitej vetëm në dy rreshtat e fundit. Aty thuhej: “Adem Boletini nuk ishte i dënuar me vdekje nga PKSH, por qëndrimi i tij me major Ndrec Prengën ishte i pajustifikeshëm”, kujton Isa Boletini rreth vrasjes së babait të tij Ademit, që ishte dhe djali i tretë i Isa Boletinit.

Kalvari i Boletinëve në Shqipëri

Qëndrimi që mbajti regjimi komunist i Tiranës pas vitit 1944 ndaj familjes së djalit të Adem Boletinit, tregoi më së miri se vrasja e Adem Boletinit kishte qenë e paramenduar prejt tyre dhe jo gabimisht ashtu si u përpoqën ta paraqesnin ata. Lidhur me këtë hedh dritë dëshmia e Isa Boletinit i cili shprehet: “Sikur të mos mjaftonte ekzekutimi i babait tonë Ademit, regjimi komunist që erdhi në pushtet në 1944, i nxitur nga politika zyrtare e Beogradit vazhdoi hakmarrjen ndaj familjes së Isa Boletinit. Kështu në vitin 1947 u arrestua nëna ime Adile Bekteshi, e cila vuajti pesë vjet në burgjet e skëterrës komuniste, ku nga kushtet e këqia mori dhe disa sëmundje të cilat nuk iu ndanë deri sa vdiq. Burgosja e nënës sime nga komunistët erdhi si pasojë edhe e faktit se motra e saj ishte bashkëshortja e Jup Kazazit, njërit prej antikomunistëve më të njohur i cili në 1947 organizoi dhe revoltën e armatosur që kishte si synim përmbysjen e regjimit komunist. Pas dënimit të nënës sonë, gjykata dha vendimin edhe për sekuestrimin e pasurisë, ndonëse ne nuk kishim asnjëlloj pasurie dhe në Shkodër banonim tek shtëpia e dajës, mjekut të njohur Dr. Selaudin Bekteshit. Deri aty nga fillimi i viteve 60-të, për ne si familje u nxorrën tre vendime që të largoheshim nga Tirana. Herën e tretë ne qëndruam të fshehur për një muaj dhe u desh ndërhyrja e dajës sonë Dr. Bekteshit që të kthehej urdhëri që ishte dhënë për dëbimin tonë nga Tirana. Edhe pas kësaj, qëndrimi i regjimit komunist ndaj familjes sonë ka qenë elastik në varësi të konjiukturave politike. Kështu kishte shumë raste që mua më largonin nga Arsimi dhe më dërgonin të punoja si puntor. Po kështu dhe vëllai Enisi i cili mezi mundi të diplomohej si mjek (nën kujdesin e dajës Dr. Bekteshit) pasi dy vjet shkollë i bëri natën, ndonëse ishte mjek i njohur tre herë e kanë pushuar nga puna dhe e dërgonin në morg. Qëndrimi i regjimit komunist ndaj familjes sonë ndryshoi vetëm pas vendosjes së monumentit madhështor të Isa Boletinit në qytetin e Shkodrës në vitin 1981, ku në inagurimin e tij familjen tonë nuk e thirrën duke na thënë se kishin harruar. Po kështu gjatë gjithë periudhës së regjimit komunist deri në vitin 1990, familja jonë u thërrit vetëm njëherë të merrte pjesë në përvjetorët e Shpalljes së Pavarësisë në Vlorë, kurse pas viteve 90-të ne nuk na kanë thërritur asnjëherë”, e përfundon rrëfimin e tij Isa Boletini duke shtuar se vlersimin që Isa Boletinit nuk ia bëri siç duhet regjimi komunist në Shqipëri, ia bënë në Kosovë, ku me inisiativën e vetë Presidentit Rugova, janë mbajtur disa sesione shkencore dhe janë botuar me dhjetra studime rreth figurës së tij.

Të vrarë nga serbët

Halil Boletini 1833

Mujë Boletini 1892

Ahmet Boletini 1894

Isa Boletini 1916

Halil Boletini 1916

Seid Boletini 1916

Jonuz Boletini 1916

Halit Boletini 1916

Musa Boletini 1944

Skënder Boletini 1944

Asllan Boletini 1945

Faik Boletini 1947

Isuf Boletini 1947

Rasim Dajçi (nip) 1945

Hysni Rudi (nip) 1945

Të burgosur në Jugosllavi

Mujë Boletini 3 vjet

Kapllan Boletini 20 vjet

Ali Boletini, arrtisur nga burgu

Tafil Boletini burgosur në 1945

Ikbale Boletini burgosur në 1945

Kumrie Boletini burgosur në 1945

Të vrarë dhe të burgosur në Shqipëri

Adem Boletini vrarë në 1943

Tafil Boletini burgosur në 1945

Adile Boletini burgosur në 1947

Ismet Boletini burgosur në Spaç

Enver Dajçi (nip) burgosur në Spaç

Origjina e herëshme e familjes së Boletinëve prej nga rrjedh i famëshmi Isa Boletini, është nga fshati Isniq i Mitrovicës. Në atë fshat që përpara periudhës së Skënderbeut thuhet të ketë ka banuar i pari i tyre që quhej Lekë, i cili ka pasur tre djem: Nika, Cana dhe Preka. Nga këta tre vëllezër që jetuan në fshatin Isniq, rrodhën dhe u krijuan tre lagje, që morën emrat: Niklekaj, Canalekaj dhe Preklekaj të cila u shumuan dhe arritën deri në 500 shtëpi. Si shumë familje të mëdha patriakale të asaj periudhe, edhe familja e Lekës e ata që erdhën pas tij deri në pesë breza, të detyruar nga presionet e pushtimet osmane dhe për t‘ju shpëtuar pagimit të taksave dhe detyrimeve ndaj Turqisë, iu vunë fëmijëve të tyre emra të ndryshëm si Mujë, Demë, Hajdar dhe Myrsel. Kështu nga barku i familjes së Hajdarit dhe vëllait tij Halitit, rrodhi dhe u krijua lagjia Zhazhë, kurse nga barku i vëllait tjetër Ahmetit, rrodhi dhe u krijua lagjia Muslije. Nga barku i Adem Myrselit rrodhi shtëpia e Ahmet dhe Isa Boletinit. Më pas duke u shtuar numri i tyre, rreth 180 shtëpi u shpërngulën nga fshati Isniq dhe u vendosën rreth e rreth Istogut ku formuan katundet Tomoe, Muzhevinë, Prekallë, Rudicë,

Zabllac, Trubuhovcë, Boletin e Zharcë. Po kështu në atë kohë nga Isniqi janë shpërngulur edhe më shumë se 50-60 shtëpi të tjera të cilat u vendosën nëpër fshatra dhe qytete të ndryshme të Kosovës. Sipas një studimi të Prof. Skënder Luarasit, thuhet se të parët e kësaj familje të detyruar nga depërtimet e pushtuesëve osmanë, kanë zbritur nga viset veriore ku banonin në atë kohë dhe janë vendosur në fshatin Boletin aty rreth vitit 1529, ku morën dhe mbiemrin Boletini. Ky fshat i cili është dhe vëndlindja e Isa Boletinit, ndodhet jo shumë larg qytetit të Mitrovicës (në veri të saj) i cili duket si një qytezë e vogël i vendosur mbi faqen e një shkëmbi të madh, përbri një shpati që vëndasit e quajnë Sokolaj. Aty nga viti 1750, kullat e Boletinëve u dogjën për herë të parë nga taborret e ushtrisë turke, kur këta marshuan në drejtim të asaj krahine për të kapur Hajdarin e Demë Mujë Nikës dhe vëllezërve të tij Halilit e Ahmetit. Duke qenë si fisi i Boletinëve nuk u pajtua asnjëherë me politikën e Portës së Lartë të Stambollit dhe ishte gjithmonë në gjëndje lufte me ta, kullat e tyre në fshatin Boletin u dogjën përsëri në vitet 1830-1832 kur ushtria turke erdhi për të kapur Adem Boletinin. Po kështu në vitin 1892 ajo kullë u dogj përsëri nga turqit në luftrat që ata bënë kundër Ahmet Boletinit. Historia e familjes Boletini vazhdon me Isa Boletinin (u lind në fshatin Boletin në 15 janar 1864) i cili vazhdoi luftrat kundër turqëve dhe si rezultat i saj, zjarri mbi kullat e Boletinëve u vu përsëri nga Hafëz Pasha i cili i dogji ato në vitin 1895. Pas kësaj kullat e Boletinëve u dogjën edhe dy herë rradhazi nga xhonturqit në vitet 1908 dhe 1914, në luftrat që ata bënë kundër Isa Adem Boletinit.

Isa Boletini pati nëntë djem dhe pesë vajza, të cilat quheshin: Halil, Zahid, Mujë, Adem, Musë, Bajazit, Asllan, Faik, Kapllan, Azize, Havize, Shehdije, Ajete dhe Feride. Isa Boletini pasi u bë një nga prijsit kryesorë të shqiptarëve të Kosovës në luftrat e tyre kundër pushtimit osman, një nga ngjarjet më të njohura të jetës së tij, është pjesmarrja në ngritjen e Flamurit në Vlorë në nëntorin e 1912-ës ku Ismail Qemali shpalli Pavarsinë e Shqipërisë. Isa Boletini u vra nga forcat serbo-malzeze të Gjeneralit Vukoviq, teksa ishte duke kaluar në urën e Ribinicës në qytetin e Podgoricës. Bashkë me Isa Boletinin, atë ditë u vranë dhe shtatë pjestarë nga familja e tij, duke filluar nga djali i tij i madh Halili (24 vjeç), djali tjetër Zahidi (18 vjeç) që në atë kohë ishte student në Vjenë, dy nipat Jonuzi (26 vjeç) dhe Halili (24 vjeç) si dhe tre kushërijtë e tyre të quajtur Hajdar Selim Radisheva, Misin Niman Bala dhe Idriz Bislimi. Pas vrasjes së Isa Boletinit, në vitin 1916, që përkon edhe me largimin e ushtrisë osmane nga Shqipëria, familja e madhe e Boletinëve që jetonin në fshatin me të njëjtën emër në afërsi të Mitrovicës, u muar me administrimin e pronave të tyre. Përveç këtyre pronave të cilat konsistonin në toka bujqësore, blegtori me mijra kokë dele dhe kullota që shtriheshin në të gjithë fshatin Boletin, familja Boletini ka qenë e njohur dhe për prodhimin e gurëve të Mademit për mullijtë e blojës, të cilat shiteshin deri në Hungari. Në vitin 1944 me ardhjen në pushtet të regjimit komunist të Titos, familja Boletini iu nënshtrua një persekucioni të egër dhe barbar, duke bërë që djemtë, nipat dhe mbesat e Isa Boletinit të ndiqeshin, pushkatoheshin dhe burgoseshin. Po e njëjta gjë ndodhi dhe me pjesën tjetër të familjes së Isa Boletinit që ndodhej në Shqipëri, ku që në 1943 u vra me atentat djali i Isës, nënkolonel Adem Boletini dhe më pas disa nga nipat e kësaj familje vuajtën nëpër burgje dhe internime. Si rezultat i kësaj politike që u ndoq nga regjimet e Beogradit dhe Tiranës në harkun kohorë të 80 vjetëve, nga familja e Isa Boletinit janë vrarë apo ekzekutuar 15 vetë dhe dhjetë të tjerë vuajtën me vite të tëra në burgje dhe internime. Regjimi komunist i Tiranës duke ndjekur dhe mbajtur ndaj familjes Boletini të njëjtin qëndrim si ai i Beogradit, nuk ia dha Isa Boletinit vëndin që i takonte në Historinë e Shqipërisë. Si rezultat i këtij qëndrimi, deri në vitin 1962 ai mbante vetëm urdhërin “Skënderbeu” dhe në atë vit, në kuadrin e 50-Vjetorit të Pavarsisë, iu akordua titulli i lartë “Hero i Popullit”. Pas kësaj rreth 20 vjet më vonë në vitin 1981, atij iu ngrit një monument madhështor në qytetin e Shkodrës dhe në inagurimin e tij nuk u thërritën dy nipat e Isa Boletinit, Enisi dhe Isai që jetonin në Tiranë./Memorie.al / KultPlus.com

Fati i trishtë i pikturës së famshme të puthjes së flamurit nga Isa Boletini, dhe pengu i madh i autorit

E keni parë ngado, e madje është piktura që ka frymëzuar edhe skenën e puthjes së flamurit nga Isa Boletini tek filmi “ Nëntori i dytë“.

Dita e flamurit na sjell në mënyrë të pashmangshme përpara syve këtë imazh, por ndonëse ai vetë është shumë i famshëm, pakkush e di se cfarë ka ndodhur me pikturën, vepër e piktorit të njohur Nikolet Vasia, autor i qindra punimeve në pikturë, skulpturë, mozaikë, grafikë, por në fund, një njeri gjithmonë modest. 

Stërnipi i Kol Idromenos është gjithashtu krijues i stemës së Durrësit, por edhe këtë, jo shumë njerëz e dinë.

Janë rreth 11 vepra të tij të cilat nuk dihet ku përfunduan, mëgjithatë pengu i madh ishte “ Rreth flamurit të përbashkuar“. Pikturën e bleu në vitin 1978 Galeria e Arteve në Durrës, por kur ambjentet e kësaj galerie iu rikthyen ish pronarëve, veprat e saj u dërguan në Mauzoleumin e Dëshmorëve, ku zhduken dhe gjurmët e pikturës së njohur. Me pak fjalë, u vodh, ndërsa autorin e mundoi gjithë jetën fati i saj, ashtu si edhe fakti që botohej vazhdimisht në 28 nëntor pa u vendosur emri i njeriut që e krijoi. 

Amerikanët më 1912: Isa Boletini, heroi që duhet ta njihni

Një gazetare amerikane që e takoi Isa Boletinin pak kohë para shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë, sjell një korrespondencë interesante mbi bëmat dhe karakterin e shqiptarit më të madh pas Skënderbeut dhe luftëtarit më trim, më të ndershëm, më fisnik e më të famshëm të Ballkanit.

Armand Plaka

Ndër më të famshmet rrëfime për Isa Boletinin janë ato të diplomatit e shkrimtarit anglez, Aubrey Herbert, i cili e takoi legjendën e shqiptarëve në vitin 1912 në Mitrovicë e pas një viti në Londër, duke e përjetësuar për karakterin e virtytet që përfaqësonte, në kapitujt e ditarit të tij “Ben Kendim” (shih: Au- brey Herbert: Ben Kendim, a Record of Eastern Travel – London: Hutchinson & Co, 1924, fq. 198-213).

Por, vitet e fundit, publiku shqiptar ka mundur të njohë, falë kontributeve individuale të të pasionuarve të historisë më shumë, sesa “zbulimeve” të vetë historianëve profesionistë, disa intervista të dhëna nga Isa Boletini në vitet 1908-1913, për mediat ndërkombëtare, e madje edhe ato ruse (shih: Intervistë e Isa Boletinit për gazetën ruse “Birzevijih Vjedomosti” – 20 korrik 1912, gazeta Telegrafi, 13.06.2014). Është pikërisht kjo periudha kur emri i tij ishte bërë tashmë një legjendë e vërtetë e motiv për të lëvizur shumë larg redaksive e për ta takuar, për shumë gazetarë e korrespondentë, ndërsa Shqipëria po konsumonte formalisht ditët e saj të fundit nën pushtetin e Portës së Lartë. Ishte koha kur zienin kryengritjet e shqiptarëve për pavarësi e ishte pjekur gjithashtu një frymë e qartë kombëtariste e ndërgjegjësim mbarëpopullor, për të arritur objektivat e përbashkët.

Bota po i njihte tashmë shqiptarët më nga afër me të gjitha vlerat e defektet e tyre, dhe aty ku mundej shtypi po bëhej edhe reklamues i synimeve të tyre të drejta e të kahershme, duke i kaluar kësisoj kufijtë e kontinenteve e çarë oqeanet.

Në këtë kuadër, vjen edhe një korrespondencë speciale, që unë e hasa fillimisht në arkivin e një gazete amerikane (shih: Fighting the Turks – “Monsieur” Issa, Albanian Hero, Type of Warrior That Threatens Ottoman Empire – The Sunday Oregonian, Portland, USA, 27 tetor 1912, fq. 6), të tetorit 1912, e më pas të riprodhuar në një distancë të vogël kohore, edhe në dy gazeta të tjera: njëra australiane e tjetra neozelandeze (shih: An Albanian Brigand – The Mercury, Australi, e shtunë 14 dhjetor 1912, fq. 9 dhe gazeta Press, Zelandë e Re, 23 nëntor 1912, fq. 12).

Përmbajtja e tyre, që rezulton të botohet kësisoj për herë të parë për publikun shqiptar, është një risi më vete, sepse na dëshmon se deri ku kishte shkuar interesi publik ndërkombëtar për trajtimin e çështjes shqiptare në terma gjeografikë dhe, nga ana tjetër, na rrëfen një profil disi “më ndryshe” të Isa Boletinit, të cilin edhe vetë gazetarja amerikane, qysh në krye të herës e cilëson gjithsesi si: “… heroi më i madh shqiptar qysh prej Skënderbeut, në shekullin e pesëmbëdhjetë. Ai është më trimi, më i ndershmi, më fisniku, më i ashpri dhe më i famshmi i luftëtarëve ballkanas”.

Materiali i mëposhtëm është sjellë i përkthyer i plotë nga gazeta amerikane në fjalë, ku gjendet edhe një foto vërtet sa interesante aq edhe e padokumentuar më parë e Isa Boletinit, veshur me kostum toskë, gjë e cila në fakt mund të ngrejë edhe shumë pikëpyetje. Ndërkohë që varianti neozelandez e ai australian (ku nuk gjenden në foto) janë përcjellë thuajse të njëjtë në përmbajtje, me disa ndryshime të vogla e të pakonsiderueshme, siç janë për shembull përllogaritja e vlerave të dhuruara nga sulltani, Isa Boletinit, nga dollarë amerikanë, në paundë britanikë, për t’iu përshtatur sigurisht lexuesit përkatës.

Interesante është gjithashtu përqasja e autores së shkrimit, e cila megjithëse i vë në dukje personazhit të saj shumë karakteristika pozitive, shkon më thellë e sjell detaje mbi jetën e tij personale që ndoshta nuk hasen nëpër intervista, rrëfime apo materiale të tjera dokumentare, pavarësisht se anekdotat për Boletinin, dihet se kanë qenë një material i mirë dhe i pasur për shumë platforma të asaj kohe. Kështu, për shembull, ndërsa e cilëson si një njeri me shumë humor, ajo vë në dukje sqimën, sipas saj, të tepruar, por të justifikueshme të liderit të madh të shqiptarëve. Po ashtu, ajo aludon edhe për një arsye dytësore që e çoi në vitin 1904, Isa Boletinin dhe çetën e tij, të vriste konsullin rus në Mitrovicë, për të cilin historia ka dhënë sigurisht versionet që tashmë dihen nga të gjithë, e që lidheshin me rolin e tij tërësisht negativ për fatet e shqiptarëve në Kosovë.

Po ashtu, një informacion për t’u marrë në konsideratë është edhe prania e një anëtari serb të shqiptarizuar në radhët e çetës së Boletinit, që kishte dhunti prej rapsodi. Shoqëruar kjo me “fiksimin” e Isa Boletinit për t’u paraqitur si “zotni” apo “Monsieur”, e bën kontributin e panjohur deri më tani për shqiptarët, të gazetares amerikane, Bertha Spencer, të gëzojë pra disa vlera të veçanta. Sidomos shumë mbresëlënës, rezulton parashikimi i saj mbi fundin e një heroi të tillë, ndërsa e mbyll artikullin me fjalët: “Një njeri i tillë, nuk mund të ketë një karrierë të zakonshme. Ai është i destinuar të vdesë në trekëmbësh ose në betejë”.

Sidoqoftë, leximi i plotë i korrespondencës në fjalë, sjellë tashmë më shumë se 100 vite pas botimit në origjinal, na zbulon shumë më tepër rreth figurës së Isa Boletinit, siç e kemi dhe siç nuk e kemi njohur kurrë më parë.

***

“Monsieur” Isa, heroi shqiptar që kërcënon Perandorinë Otomane

Bertha Spencer

Stamboll, 27 tetor 1912 – (Korrespondencë speciale) – “Monsieur” Issa de Boletini është shumë i gëzuar. Më në fund ka një shans për t’u hakmarrë ndaj armiqve të tij të moçëm, turqve. Ka një dobësi për vdekjen, plaçkitjet, kalorësinë, humorin dhe që të thirret “Monsieur”: përballja në fushë të mejdanit me turqit, ka përmbushur një ambicie të moçme të Isës. Për një kohë të gjatë i ka rindërtuar me gurë stralli kullat e tij të goditura shpesh nga plumbat dhe ka mprehur shpatën për betejën finale mbi turqit.

“Monsieur” Isa është heroi më i madh shqiptar qysh prej Skënderbeut, në shekullin e pesëmbëdhjetë. Ai është më trimi, më i ndershmi, më fisniku, më i ashpri, dhe më i famshmi i luftëtarëve ballkanas. Dhe, ai e di këtë.

Kur lindi në një mëngjes të ftohtë marsi të vitit 1870, e ëma e tij i kishte thënë se ai do të jetonte në gjak, por do të vdiste në paqe. Dhe, në moshën trevjeçare, Isa i shëndetshëm u gjend duke luajtur rreth gjakut të një shqiptari të vrarë nga hajdutët, që e kishin lënë atë në rrugë. Me këtë ia nis tregimit të tij Isa.

Shpërthimi i parë politik i Isës ishte hakmarrja e tij ndaj konsullit rus, Sçerbina. Kjo ndodhi nëntë vjet më parë. Isa po ngrinte furtunën në zemrat e burrave dhe grave të Mitrovicës; dhe ishte veçanërisht i zemëruar për shkak të vajzës zeshkane me emrin Lime, që shërbente në shtëpinë e konsullit. Isa kërcënoi Mitrovicën. Atje, Qamil Pasha kishte 12 batalione – rreth 700 burra – ndërsa Isa kishte 1500. Megjithatë, ai kërcënoi se do ta sulmonte qytetin. Kur Sçerbina dëgjoi se Isa po fliste shumë dhe po kërcënonte se do ta rrëmbente shërbëtoren e tij, i kërkoi Qamilit të kthente artilerinë e tij në drejtim të kodrave ku qëndronte Isa. Predha e parë kaloi për pak mbi kokën e vëllait të tij prej gjaku, Burhanit. Isa pa aty t’i afrohej shansi i vet. Ai i kujtoi vëllait të Burhanit se shqiptarët e mirë nuk i harrojnë plagët. Vëllai shkoi poshtë në Mitrovicë. Përdori aftësi për ta zënë në pritë Sçerbinën. Dhe e qëlloi atë në kokë.

Më pas, Mr. Isa fitoi famë e madhështi, e Abdul Hamiti, duke mos i gjetur forcës asnjë ilaç, u përpoq me metodën e tij të zakonshme: ryshfetin. E ftoi Isën në Yildez. E quajti atë me përkëdheli “Monsieur” dhe i ofroi 14 000 dollarë në muaj dhe një harem për të jetuar si një “mysliman i mirë” në Stamboll. Isa i refuzoi 14 000 dollarët dhe madje edhe haremin. “Unë merrja frymë nëpër qyte- te”, tha ai. Abduli i lidhi atij një pension dhe e dërgoi mbrapsht për në shtëpi.

Rrugës për në Mitrovicë, Isa, duke mbajtur 12 000 dollarë kesh me vete – një shumë kjo e paparë deri më atëherë në Shqipërinë e Veriut si ryshfet – u sulmua nga shtatë grekë. Shoku i tij i vetëm u qëllua për vdekje. Isa arriti të shpëtonte. Grekët e ndoqën. Isa gjeti një hon të thellë dhe u struk aty pas një shkëmbi. E qëlloi grekun e parë që i doli përpara dhe e la të vdekur në vend. Të tjerët pas tij ia mbathën me nxitim. Isa qëlloi edhe një grek tjetër, duke e lënë të vdekur dhe plagosi një të tretë, ndërsa të katërtin e qëlloi në sy. Ata që mbijetuan, ia mbathën me të katra. Isa u kthye shëndosh e mirë në vendlindje, me 12 000 dollarët dhe trofe të çmuara me vete – si revolver, shpata dhe një karro greke.

Ai e ndau mallin e tij në mënyrë bujare me shokët e vet, gjithçka kishte: 12 000 dollarët, revolverët dhe karron greke. Isa ishte betuar në Stamboll se do ta donte Abdul Hamitin, dhe e mbajti premtimin e tij. Ai e mbajti atë duke u shpallur luftë xhonturqve. Ky ishte edhe shkaku i kryengritjeve shqiptare të vitit 1910 dhe 1912. Kur në prill 1910, Shefqet Pasha me 20 000 burra ia nisi nga Shkupi deri në Verisoviç të luftonte Isën, Isa ia preu linjën hekurudhore dhe mbajti të ndaluar të gjithë trenat. E mbrojti për një javë qafën e Kaçanikut dhe u tërhoq vetëm atëherë kur u kërcënua nga prapavija. Ky është pra ai lloj armiku, me të cilin turqit duhet të kenë të bëjnë në luftën aktuale.

Në Kaçanik Isa mori famë për guxim e ashpërsi të paparë. Kur njerëzit e tij shiheshin të bënin me shenjë, ai turrej mbi kreshtën e kodrës dhe shfaqej papritur. Një herë, një predhë arriti ta kapë në këmishën e tij. Kur nipi i tij 13-vjeçar u përpoq t’ia mbathte, Isa qëlloi një breshëri pas tij dhe e rrëzoi atë përtokë. Pas Kaçanikut, shkoi në Mal të Zi për të shkaktuar trazira kundër xhonturqve. Kjo ishte vizita e tij e katërt atje. E kaloi dimrin në Podgoricë dhe bëri propagandë me aq trimëri e krenari mes malësorëve, saqë ata u ngritën në kryengritje të përgjakshme. Isa nxitoi për në Kosovë, për të tërhequr njerëzit e tij në betejë. Atje u zhgënjye.

“Inteligjenca” – çka ishte pra, Partia e re Nacionaliste, ishte në krye të punëve. Isa u mor me pjesën e tij të punëve dhe u betua se do ta mbronte me besnikëri çështjen kombëtare kundër xhonturqve (turqve të rinj) apo dhe atyre të vjetër. Kur Sulltan Mahmudi V kreu pelegrinazhin e tij në varrin e Sulltan Muratit, nxori një dekret amnistie. Isa Boletini u fal. Ai u thirr në Shkup dhe iu ofrua një pension. E refuzoi pensionin dhe faljen gjithashtu. “Çfarë kërkon ti? – pyetën turqit. Armë, tha Isa. Ai i mori ato, por jo nga negociatorët. Tri ditë më vonë, sulmoi një tren turk me armatime. 30 turqit luftuan. Ata u rrethuan. Isa u ofroi mbrojtje. Turqit lanë armët në tokë. Më pas një turk budalla u përpoq t’ia mbathte. Të dorëzuarit qëlluan.

Ata qëlluan derisa të 30 turqit u shtrinë për vdekje. Isa u akuzua për tradhti. Armët u shkrepën aksidentalisht, tha ai. Kjo është mënyra e Isës. Ai është një humorist i kulturuar. Kur luftonte Shemsi Pashën, i shkroi komandantit turk vargje në zarfe të zbukuruara me lule, dhe ia dërgoi atij letrën në jug të Kuprilit ku u sistemuan e u postuan me postë të rregullt. E dinte se Qamili ishte një dashnor grash dhe kishte pasur shumë të dashura në Kupril e Krushevë; letrat ishin shkruar në një shqipe të palatuar dhe kur Shemsiu i kishte përkthyer ato, pa se ato ishin deklarata lufte, e jo dashurie.

Shtatë herë brenda dekadës së fundit, turqit e qëlluan apo rrëzuan përtokë kullën që i përkiste Isës. Isa as nuk i rindërtoi ato e as nuk ua ndërroi vendin. Kur kulla e tij e tretë u pushtua nga Shefqet Pasha, turqit gjetën plumbat në dhomën e Isës të stolisur me vargje përqeshëse. Ato ishin shkruar nga rapsodi dhe vëllai për gjak i Isës, serbi i shqiptarizuar, Koviç. Edhe në shqipen e nënës, Isa nuk është se ia thotë shumë. Janë treguar histori të panumërta për Isën, disa prej tyre të vërteta e disa të rreme, si vetë fjala e Isës. Nëse ai do të ishte një anglez, do të mbante mbi gjoks një duzinë me kryqe viktoriane, nëse do të ishte një gjerman, do të ishte poseduesi krenar i plot kryqeve të hekurt, sa për të bërë një top me to.

Forcat e tij variojnë në numër, por gjithsesi janë të shumta dhe zor se gjen një anëtar të tyre që nuk do t’ju thotë ju se ai e ka lënë jetën e tij në duart të fatit, duke iu falur trimërisë së Isa Boletinit. Ai është i vetmi burrë në botë, emri i të cilit ngjall terror në zemrat e turqve trima e fanatikë. Në mendjet e ushtarëve turq, shkon një jetë plot privilegje, e fushatat kundër tij janë thjesht një kohë dhe municione të shkuara dëm. Kjo është edhe arsyeja e vërtetë se pse turqit nuk do ta luftojnë atë, e nëse gjejnë rast, madje do ta shmangin.

Pa fund janë shpenzuar para nga turqit për të blerë vrasjen e Isës me ryshfete, por më kot. Xhonturqit kanë vënë një shpërblim prej 20 000 dollarësh për kokën e tij, por paratë ndodhen në Selanik, akoma të pamarra në dorëzim nga askush edhe sot e kësaj dite. Vlen më shumë se 20 000 dollarë për të shtënë në sytë që shkëlqejnë të “Monsieur” Boletinit, sidomos kur atje është një shans i madh për vrasësin, duke ardhur si i dyti në takim.

Si pasojë e faktit, shumë tentativa janë bërë për t’i dhënë fund Isa Boletinit, duke dështuar. Por, tentativa të bëra nga turqit që adhurojnë Allahun e mendjendritur, dhe jo nga tradhtarët brenda kampit të tij. Në një rast, kur u sulmua nga pas shpine, tehu i gjatë i thikës u thye nga zemra e madhe e luanit të Shqipërisë, falë një medalje të argjendtë që ai mbante në gjoks. Me shpejtësi Isa u kthye mbi të dhe e kapi agresorin e tij prej qafe; pastër dhe me siguri, thika e tij e gjatë u kthye mbrapsht në destinacionin fillestar dhe Isa shkoi përgjatë bregut të lumit dhe lidhi plagën që ia kishte shpuar trupin e tij aq thellë, saqë dikush mund të tentonte të fuste aty brenda edhe gishtin.

Fiksimi i Isës për t’u thërritur “Monsieur”, është një fragment i dobësisë së tij madhështore. Ai për herë të parë dëgjoi për këtë fjalë në Cetinjen e civilizuar. Isa atje veshi për herë të parë veshje “evropiane”, kreu vizita e priti diplomatë dhe aspiroi në dobësinë e tij të madhe, të ishte një “evropian”. Urdhëroi të shtypeshin kartëvizita me mbishkrimin “Monsieur Issa de Boletini” dhe ua shpërndau ato diplomatëve, shitësve të dyqaneve, postierëve e malësorëve malazezë. Gjithashtu, ai mësoi 50 fjalë në frëngjisht dhe u përpoq t’ua impononte diplomatëve turq nga Parisi. Në fakt, Isa ishte goxha sqimatar.

Por sqima e Isës ishte e falshme. Ai ishte një burrë jashtëzakonisht i këndshëm, i tipit të rebelëve klasikë, me një trup fin, sy të mëdhenj e të errët, dhe një krekosje vrastare për gratë. Ai më mirë shfaqet i veshur me një kostum malësorësh sesa në një kapotë gjermane, dhe arma e tij i jep atij shumë më tepër respekt, sesa kartëvizita e tij. “Monsieur Issa”. Isa nuk i tregon 42 vitet mbi supe, dhe falë Zotit, ai ka para vetes një jetë të gjatë ndër beteja, plaçkitje, tradhti, mençuri e politesë franceze. Një njeri i tillë nuk mund të ketë një karrierë të zakonshme. Ai është i destinuar të vdesë në trekëmbësh ose në betejë. /Telegrafi/ KultPlus.com

Historia e panjohur e heroit nga Mitrovica, Isa Boletini (VIDEO)


Ajo është padyshim një ndër fotografitë më kuptimplota të historisë shqiptare. Ismail Qemali, kryeministri i parë i Shqipërisë qëndron krah Isa Boletinit, prijësit të hekurt.

Në fakt, të dy personalitetet shfaqen me njëri-tjetrin në mjaft të tilla, e kjo nuk është një rastësi. “Plaku i Vlorës”, një diplomat i vjetër e me eksperiencë, kërkonte të tregonte në këtë mënyrë jo thjesht në atë kohë, por duke e fiksuar edhe në histori përmes këtyre fotografive, lidhjen e fortë me Isa Boletinin.

Cila është jeta e Isa Boletinit? Të fshehtat dhe të pathënat e tij? Betejat e dokumentuara, por edhe ato më pak të njohura. Si ishte Isa Boletini në planin njerëzor dhe çfarë marrëdhëniesh kishte me disa ndër figurat e kohës.

Vrasja në pabesi nga trupat malazeze dhe shumë të vërteta të tjera, shpesh të mbuluara, të gjitha këto vijnë në një dokumentar për jetën e tij, në TCH.

“Isa Boletini me kobure ishte më shume se aq”, shprehet ndër të tjera Nuri Bexheti.

“Pra këto nuk kanë të bëjnë me hapa që do ta bënin të diskutueshme figurën e Isa Boletinit”, thotë Maringlen Verli.

“Normalisht duhet të kishim edhe fotografi të tjera të momentit të mbërritjes së Isa Boletinit në Vlorë”, deklaron Niko Kotherja.

“Isa Boletini ishte i gatshëm të vdiste për shqiptarizëm, kjo është e vërteta”.

“Isa Boletini gjithmonë ka pas ardhur këtu te shtëpia jonë”, thotë Isa Shefqet Dollapi.

Për të parë dokumentarin për Isa Boletinin klikoni KËTU

Haradinaj: Vlerat më të larta atdhetare i gjejmë te Isa Boletini

Kryeministri Ramush Haradinaj ka përkujtuar Isa Boletinin me rastin e shënimit të 103 vjetorit të vrasjes së tij.

Haradinaj ka thënë se figura e Boletinit edhe tani duhet të jetë shembull se interesi kombëtar vendoset para çdo interesi tjetër.

“Isa Boletini e identifikoi veten me fatin e atdheut. “Unë jam mirë, kur është mirë Shqipëria” edhe sot duhet të na udhëheqë në kërkimin për të drejtën tonë. Nëse në historinë tonë kombëtare kërkojmë vlerat më të larta atdhetare, ato i gjejmë në figurën e Isa Boletinit. Me vet veprimtarinë e tij jetësore na la një porosi, se atdheu nuk tjetërsohet dhe nuk vihet në pazar. Roje dhe dëshmi është vet prehja e tij në Boletin. Figura e Isës edhe tani le të jetë shembull për të gjithë se interesi kombëtar e shtetëror vendoset para çdo interesi tjetër. Lavdi e përjetshme”, shkruan Haradinaj.

Sot shënohet 155 vjetori i lindjes së Isa Boletinit

Më 15 janar 1864 lindi Isa Boletini, luftëtar e udhëheqës ushtarak popullor, organizator e drejtues i lëvizjes për çlirimin kombëtar, Hero i Popullit. Isa Boletini lindi në Boletin të Mitrovicës. Në moshën 17 vjeçare mori pjesë si luftëtar i Lidhjes Shqiptare të Prizërenit në betejën e Slivovës kundër forcave osmane.

Ndihmoi në themelimin e Lidhjes Shqiptare të Pejës dhe në qëndresën e saj kundër sunduesve osmanë dhe synimeve grabitqare të Serbisë dhe Malit të Zi. Më 1901-1902 u vu në krye të qëndresës popullore në Kosovë kundër ndërhyrjeve të Serbisë, Malit të Zi dhe Austro-Hungarisë. Në vitin 1908 përkrahu revolucionin xhonturk, por iu kundërvu politikës antishqiptare të Xhonturqve. U dallua si udhëheqës e organizator i kryengritjeve të mëdha popullore kundërosmane të viteve 1908-1912.

Udhëhoqi disa kryengritje kundërosmane në Drenicë-Mitrovicë, Shtime-Carralevë, Podujevë-Prishtinë etj. Në ditët e shpalljes së Pavarësisë u vu në krye të përfaqësuesve të Kosovës, si dhe u ndodh në krah të Ismail Qemalit në Vlorë më 28 Nëntor 1912. Në vitin 1913 si anëtar i delegacionit shqiptar së bashku me Ismail Qemalin shkoi në Londër, ku kundërshtoi me forcë vendimet e Fuqive të Mëdha për copëtimin e Shqipërisë.

Më vonë kaloi sërish në Kosovë, ku organizoi qëndresën popullore kundër pushtuesve të rinj serbo-malazezë. Duke kaluar jetën në luftë e përpjekje dhe me urtësinë e tij, fitoi autoritet si udhëheqës popullor. Më 23 janar 1916 u vra pabesisht nga shovinistët malazezë në Podgoricë.

Gazeta franceze në vitin 1912: Shpallja e menjëhershme e pavarësisë së Shqipërisë, pritet të vijë Isa Boletini

Nga Aurenc Bebja

Gazeta franceze, “Le Gaulois”, ka botuar, të premten e 29 nëntorit 1912, në faqen n°2, një shkrim në lidhje me shpalljen e pavarësisë së Shqipërisë, të cilin, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar:

Shpallja e menjëhershme e pavarësisë së Shqipërisë

Romë, 28 nëntor.

Na shkruajnë nga Vlora, me datë 28, se Ismail Qemal beu, i cili, sapo ka mbërritur në këtë qytet, ka vizituar konsujt e Italisë dhe Austro-Hungarisë.

Njoftojnë se sot kuvendi i delegatëve shqiptarë do të shpallë në Vlorë pavarësinë dhe neutralitetin e Shqipërisë dhe do të formojë një qeveri të përkohshme.

Do të ngrihet flamuri shqiptar. Një komision do t’u dërgohet sa më shpejt të jetë e mundur qeverive evropiane, duke filluar me Italinë, për t’u kërkuar atyre njohjen e Shqipërisë.

Delegatët shqiptarë që kanë mbërritur deri më tani janë gjithsej 80. Priten të vijnë të tjerë, përfshirë Isa Boletinin, me forca të armatosura.

Thuhet se Ismail Qemal beu, në bisedimet e tij me konsujt e Italisë dhe Austro-Hungarisë, ka deklaruar se pavarësia e Shqipërisë bazohet në parimet e integritetit territorial dhe neutralitetit, dhe se Shqipëria ka besim në dashamirësinë e të gjitha fuqive dhe në mbështetjen e Italisë dhe Austro-Hungarisë.

https://www.darsiani.com/la-gazette/le-gaulois-1912-shpallja-e-menjehershme-e-pavaresise-se-shqiperise-pritet-te-vije-isa-boletini/.