Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina”, ka reaguar ndaj lajmit se kryetari i LDK’së Isa Mustafa, i cili është është profesor në Fakultetin Ekonomik, është duke u paguar nga UP’ja pa mbajtur mësim.
Në reagimin e UP’së thuhet se Mustafa nuk është paguar që nga dhjetori i vitit 2016.
“Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina” reagon ndaj qarkullimit në medie dhe në platforma të tjera online, të një lajmërimi që prof. dr. Isa Mustafa është duke u paguar nga ana e UP-së pa mbajtur mësim. Me anë të këtij sqarimi për medie dhe për opinion publik, informoheni që profesor Isa Mustafës nuk i është ekzekutuar asnjë pagesë nga UP-ja që nga dhjetori i 2016-tës”, thuhet në reagim.
Ky reagim i UP’së vjen pasi kryetari i Organizatës për Monitorimin e Universiteteve Publike në Kosovë “Organizata studentore”, Mexhid Ramusa, kishte deklaruar se Mustafa po paguhet nga UP’ja pa shkuar fare në fakultet.
“Reagimi jonë është në lidhje me Fakultetin Ekonomik, ku ish-kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa merr rrogë më shumë se katër vite pa ardhë asnjë ditë në universitet dhe pa mbajtur asnjë orë mësimi. Këtë ua dëshmoj unë qartë se jam edhe student i këtij universiteti i nivelit Master dhe i kam dy landë tek i njëjti profesor dhe nuk ka ardhë asnjë orë me mbajt mësim. Ne si organizatë për monitorimin e Universiteteve Publike e kemi monitoru dhe hulumtu këtë rast dhe është 100 përqind i vërtetë. Kërkojmë nga rektorati dhe Prokuroria e Shtetit që të merren masa jo vetëm ndaj këtij profesori por të gjithë profesorëve që janë me ndikim politik dhe marrin paga dhe dëmtojnë buxhetin e universitetit pa mbajtë asnjë orë” ka deklaruari ai. / KultPlus.com