Antigjipsizmi: Kur ngjyra e lëkurës është më e rëndësishme se ajo e syve

Xhemile Hysenaj

Fotografitë: Nok Selmani

Sikur një mëngjes të zgjoheshit dhe të mos ishit këta që jeni, të përfundoni me rutinën mëngjesore, të dilnit për kafen e mëngjesit dhe nga shtëpia juaj e deri tek vendi për ku jeni nisur të hasni në shikime të ndryshme, përbuzëse, keqardhjeje apo nënçmuese. Të uleshit në kafene e të prisnit më gjatë se konsumatorët e tjerë, kafeja vjen dhe shërbyesi nuk ju uron një mëngjes të mirë, klientët e tjerë flasin për ty ndërkohë që të hedhin shikime përbuzëse, ‘nuk qenka edhe shumë i zi’ ose ‘sa i zi’ e dëgjon tinëzisht. Në pesë vendet e punës ku keni aplikuar (edhe pse me një kualifikim më tepër se të mjaftueshëm) nuk jeni pranuar për arsyet më banale, e diku edhe nuk jeni përfillur fare. Shokët e shoqet tua nuk janë të shumtë dhe ata që njihni prej fëmijërisë janë po të njejtit njerëz që njihni edhe sot pas pothuajse më shumë apo më pak dy dekadave jetë. Eh kjo, pikërisht kjo, është një racizëm i pastër. Një luftë e heshtur me të cilën as edhe një i vetëm në botë nuk do të duhej të ballafaqohej. Një fenomen sa shqetësues aq edhe tmerrues. Një paragjykim i pastër mbi ngjyrën e lëkurës të cilën nuk e ke zgjedhur.

Antigipsizmi është racizmi specifik ndaj romëve, dhe komuniteteve të tjera që konsiderohen ‘ciganë’ në imagjinatën e publikut apo atyre që nuk janë pjesë e këtij komuniteti. Anti-gjipsizmi është formë specifike e racizmit, një ideologji e bazuar në superioritet racor, formë e dehumanizimit dhe racizmit institucional të ushqyer nga diskriminimi historik, që shprehet në mes tjerash edhe me dhunë, gjuhë të urrejtjes, eksploatim, stigmatizim dhe formë të diskriminimit.

Pjesa më shqetësuese e antigjipsizmit në Kosovë ka të bëjë me faktin se sa i pranishëm është në jetën e secilit prej nesh, është një dukuri e cila vie më së natyrshëm e shpesh edhe pa vetëdije.

Racizmi nuk fshihet nga pjesa e komunitetit shumicë. Shprehjet si ‘po rrin si magjup’, ‘paske marrë ngjyrë shumë të zezë si magjup/e’, apo ‘je veshë si magjupe’, i ndëgjojmë pothuajse çdo ditë dhe pa interesin më të vogël i injorojmë sikur të ishin fjalë përkëdhelëse dhe jo ofenduese për një pjesë të shoqërisë.

Anti-gjipsizmi ndikon shumë në të gjitha aspektet e jetesës së romëve, ashkalinjve dhe egjiptianëve. Ai kontribuon në mohimin e fushave kryesore të jetës si në arsimim, punësim, standard të jetesës, si dhe në shëndetësi e banim. Duke marrë parasysh se romët, ashkalinjt dhe egjiptianët historikisht janë ballafaquar me diskriminim dhe disavantazhe në të gjitha sferat e jetës, kjo ka kaluar në normalitet nga të gjitha palët, duke kontribuar në stigmatizimin dhe përjashtimin e tyre shoqëror.
Romët, ashkalinjt dhe egjiptianët në Kosovë shpesh i nënshtrohen diskriminimit dhe janë viktima të krimit, nga fyerjet dhe kërcënimet e deri te sulmet e dhunshme.

Në mënyrë që të ndodhin ndryshimet shoqërore, është me rëndësi jetike që si pasojë të përmendim dhe të dënojnë incidentet dhe fenomenet antigjipsiste që ndodhin edhe në vendin tonë çdo ditë.

Një nga rastet që nxiti shumë debat tek dy komunitetet, edhe tek ai pakicë edhe tek ai shumicë, ishte rasti i Kujtim Veselit. Një fëmijë 11 vjeçar i komunitetit rom i cili ishte dhunuar e mbytur nga një tjetër pjesëtar i komunitet. Dhunimi seksual dhe vrasja e Kujtim Veselit kanë qenë të parandalueshme dhe këtë e ka konstatuar edhe Avokati i Popullit në

Raportin e publikuar për këtë rast. Policia dhe Prokuroria kanë qenë të njoftuara nga burime të shumta për përdhunimin e parë dhe është dashur që menjëherë ta ndalojnë e ta kërkojnë paraburgimin e S.O.-së për ta mbrojtur mirëqenien dhe jetën e Kujtimit.

*Bashkangjitur gjeni linkun e peticionit ku kërkohet drejtësi për rastin e Kujtimit.

https://docs.google.com/forms/d/e/1FAIpQLSc8ePMG4MGMZikABgDJqHhXUmozdsmILNRCJtd4AXztQtBfNA/viewform?fbclid=IwAR0KqtD1df-opxDkafemjF_4tkYLq5THkEmAlqg8BXRI2A8e-j4JV7BwsmQ

Antigjipsizmi në Kosovë e kudo në botë vjen si pasojë e mosinformimit, injorancës. A e keni pyetur ndonjëherë veten, apo a keni menduar: Sa shokë/shoqe që janë pjesë e komunitetit pakicë, janë pjesë e rrethit tuaj shoqëror?

‘Askush nuk lind duke urryer dikë për shkak të ngjyrës së lëkurës, prejardhjes apo religjionit. Nëse njerëzit mësohen të urrejnë, ata mund të mësohen edhe të duan dhe dashuria vjen më natyrshëm nga zemra e njeriut se sa urrejtja.’, thoshte Mandela.

Kadri Limani nga fshati Gadime në Komunën e Lipjanit, tregon se me racizmin është përballur gjithmonë, duke filluar nga klasa e parë kur mësimdhënësit i ndanin komunitetet edhe në bankat shkollore. Pastaj kur udhëtonin me autobus, komuniteti pakicë nuk ulej me atë shumicë.
Limani me shqetësim e dëshpërim të madh tregon se ka aplikuar për punë në shumë vende, si në Policinë e Kosovës, në Ministrinë e Shëndetësisë, në Forcat e Sigurisë së Kosovës dhe gjithmonë ka hasur në racizëm të theksuar duke rezultuar në mos pranimin e vendit të punës për të cilin kishte aplikuar.

’Fatkeqësisht racizmi është i pranishëm në çdo pjesë të këtij vatani. Por, për mua është një privilegj të jem ky që jam, unë jam krenar për atë që jam, sepse kombësia, gjinia apo raca janë diçka që nuk kemi mundësi me i zgjedhë vetë, i kemi dhuratë nga krijuesi ynë’’, shprehet Limani.

Ndër të tjera, Limani potencon se fatkeqësisht Antigjipsizmi në Kosovë është shumë i pranishëm, sepse sipas tij, komuniteti shumicë e ndien veten shumë më superior ndaj atij pakicë. Ai tregon se si termi ‘’magjup’’ tek pjesa dërmuese e komunitetit përdoret për si sinonim i diçkaje negative. Ndërkaq, sipas tij, racizmi mund të parandalohet duke ndërmarrë shumë masa, e sidomos nga Ministria e Arsimit, duke shtuar në planin mësimor edhe lëndën e ‘’Etikës’’, në mënyrë që brezat e ardhshëm të edukohen mbi faktin se të gjithë jemi të njëjtë dhe të barabartë pa dallim race, gjinie, feje apo kombi.

‘’Ne pjesëtarët e komuniteteve e kemi problem edhe kur blejmë ndonjë pronë ku shumica e banorëve shqiptarë, kemi shumë raste kur pjesëtarët e komunitetit tonë janë kërcënuar edhe me jetë për të mos ndërtuar shtëpi në ato zona’’, vazhdon tutje Limani.

Mirëpo, prapë se prapë, Limani është optimist. Ai thotë se të gjithë ata që bien viktimë e racizmit duhet të jenë optimist që një gjë e tillë nuk zgjat gjithmonë dhe është një fenomen në zhdukje. ‘’Skllavëria në Amerikë ishte e bazuar në përkatësi racore dhe zhdukja e kësaj skllavërie konsiderohet me të drejtë fitore e gjithë njerëzimit në periudhën moderne. Prandaj unë jam optimist, bëhu edhe ti!’’ përfundon Limani.

Prania e Antigjipsizmi në Kosovë arsyetohet nga faktorë të ndryshëm. Mirëpo faktori kyç ka të bëjë me mos informimin, mosnjohjen e komuniteteve tjera që ka rezultuar në mospranim, pastaj vijnë faktorët tjerë si ata social dhe edukativo-arsimor. Për shumicën dërmuese është i papranueshëm fakti se ngjyra e lëkurës mund të determinoj vetëm racën të cilës i përket personi i caktuar dhe asgjë më shumë.

Për Antigjipsizëm ka folur edhe Drejtori Ekzekutiv i Organizatës Joqeveritare VORAE, Isak Skenderi, i cili potencon se Antigjipsizmi është i përhapur dhe i ngulitur thellë në qëndrimet shoqërore e kulturore dhe poashtu edhe në praktikën institucionale në Kosovë. Ai poashtu shprehet se për të luftuar antigipsizmin, vëmendja jonë duhet të zhvendoset në shoqërinë kryesore, duke fuqizuar kështu dhe duke ngritur zërin e atyre që preken në mënyrë dramatike nga antigjipsizmi.

Ndër të tjera Skenderi tregon se në shoqërinë tonë sjellja raciste nuk njihet shpesh nga ai që e bën dhe nga viktima, sipas tij, kjo sjellje është një produkt i qindra viteve të shtypjes, diskriminimit e përjashtimit.

“Ndërsa u rrita, nuk u kushtova shumë vëmendje të gjitha veprimeve raciste të drejtuara drejt meje në të gjitha sferat e jetës sime publike. Për mua, kjo lloj sjelljeje ishte thjesht e natyrshme. Tani kam arritur të kuptoj se sa e keqe ishte gjithçka dhe se akoma vazhdon të jetë e tillë. Kështu që unë dua të bëj një ndryshim për brezin e ardhshëm”, deklaron Skenderi.
VORAE, organizatë e cila një prej qëllimeve kyçe e ka angazhimin dhe fuqizimin e romëve, ashkalinjve dhe egjiptianëve, për të kuptuar sjelljen e tyre, rolet dhe përgjegjësitë e tyre në shoqëri dhe t’i bëjë ata më të aftë të njohin dhe të sfidojnë antigipsizmin, konsideron se krijimi I Antigjipsizmit është një program i ndryshimit të sjelljes në një shkallë më të gjerë që do të marrë shumë vite për të sjellë përpara ndryshimin shoqëror.

Skënderi tregon se VORAE synon të fillojë procesin duke ndërtuar një themel për ndryshimin duke kuptuar kështu së pari thellësinë e çështjes, duke ofruar më pas një varg veprimesh ndërgjegjësimi e në të njëjtën kohë edhe duke fuqizuar komunitetet lokale dhe pjesëtarët e komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptianë duke u angazhuar edhe në institucione publike për të vendosur nëse dhe si duhet të reflektohet trajtimi i antigjipsizmit në politikën dhe masat e barazisë.

‘’Ngritja e vetëdijes dhe përmirësimi i njohjes së antigipsizmit dhe efektet e tij negative është një hap i parë për të ndaluar paragjykimet e përhapura që aktualisht ekzistojnë në Kosovë. Ndërtimi i kapaciteteve i përpunuar për zyrtarët publik dhe ofruesit e shërbimeve do të ndërtojë vetëdijen për pengesat institucionale dhe do të prezantojë metodologji për t’i adresuar ato. Sapo të jetë krijuar kjo, qëllimi më pas do të jetë transferimi i këtyre moduleve në mekanizmat qeveritarë të trajnimit’’, shprehet tutje Skenderi.
Në pyetjen se çfarë mendon të jetë arsyeja që Antigjipsizmi ekziston në Kosovë, Skenderi thotë se komunitetet gjithmonë janë parë si më të ulët, si klasa e dytë e shoqërisë, jo vetëm në Kosovë por edhe në mbarë Europën.
“Romët, ashkalinjt dhe egjiptianët janë mbajtur në kushte shumë degraduese dhe janë përjashtuar në mënyrë që të sigurohet që joromët e gjorë të mos ‘lodhen’ shumë gjatë jetesës së tyre. Kjo rezultoi që pavarësisht nga stacioni ynë në jetë, gjithmonë është dikush më poshtë që mund ta bëjë punën e fëlliqur dhe të shfrytëzohet më tej me qëllim që të mbijetosh një një sistem të shfrytëzimit”, përfundon Skenderi

Një thënie shumë e njohur e Che Guevarës thotë: Përderisa ngjyra e lëkurës është më e rëndësishme se ngjyra e syve, gjithmonë do të ketë luftë.
Kjo thënie tregon shumë mbi racizmin, mbi faktin se sa shqetëuese është si dukuri. Një dukuri kjo që duhen vite e vite për të arritur në zhdukje totale.

“Në një intervistë pune, në një shkollë publike, më kanë thënë ‘pse nuk merresh me fëmijët tuaj? Thua se romët profesionalizohen për tu shërbyer apo në këtë rast për të edukuar vetëm fëmijët e komunitetit të vet’ , tregon Edi Galushi i cili me profesion është mësimdhënës.

Galushi konsideron se personat vendimmarrës të komuniteteve RAE duhet të merren më seriozisht, pasi që, sipas tij ka qenë vetë dëshmitar kur po këta persona nuk janë konsideruar të rëndësishëm dhe ndërhyrjet, sugjerimet apo rekomandimet e tyre nuk janë marr parasysh.
Ndër të tjera Galushi tregon se komuniteti RAE i është paraqitur komunitetit shumicë në mënyrë shumë të keqe. Ku sipas tij në 90% të rasteve është bërë nga pjesëtarët që nuk i përkasin këtij komuniteti dhe po të njëjtit e kanë marrë edhe guximin të paraqesin komunitetin RAE si diçka të shëmtuar, të ulët, që nuk ka asnjë vlerë dhe që është i prirë për të bërë një jetë të shkapërderdhur.

“Komuniteti pakicë shumë rrallë është prezantuar si diçka e mirë por edhe nëse është prezantuar është bërë me nismën e vetë komunitetit RAE, gjë kjo e cila në shoqërinë masive nuk kishte aspak peshë sepse paraqitja e tyre është konsumuar shumë shpejt dhe është marrur e gatshme, pa asnjë tentavitë për interpretim ndryshe. Ndërkaq inferioriteti me të cilin jeton komuniteti pakicë si dhe brishtësia e këtij komuniteti në sytë e atij shumicë krijon rrethana shumë të favorshme për çasje raciste”, potencon Galushi.

Antigjipsizmi nuk ka të bëjë vetëm me atë se çfarë thuhet por edhe me atë se çfarë bëhet e nuk bëhet. Ka të bëjë me hapat që nuk ndërmerren nga institucionet përkatëse e më pas edhe nga komuniteti shumicë. Ka të bëjë me sjelljen e përditshme të secilit e me gjuhën që përdoret ndaj komuniteteve. Sepse, superioriteti nuk ka të bëjë me ngjyrën e lëkurës, ka të bëjë me shkeljen e dinjitetit njerëzor, me shkeljen e të drejtës për një jetesë asgjë më shumë se normalja. / KultPlus.com

TEKSTI NË GJUHËN ROME

(Ky tekst është prodhuar si pjesë e projektit “Mbështetja e mediave dhe gazetarisë për të drejtat e njeriut në Kosovë”, përkrahur nga zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë dhe realizuar nga Kosovo 2.0, CEL dhe QKSGJ. Përmbajtja e këtij teksti është përgjegjësi e KultPlus/YIHR dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet si qëndrim i BE ose K2.0, CEL apo QKSGJ)