Premiera “13” nën petkun e Sulejman Rushitit: Kadare, Kuteli, Fishta e Floqi të ndërthurur në dramën bashkëkohore kombëtare

Era Berisha

Një dramë krejt e veçantë që e rifillon dialogun me veprat më të rëndësishme të letërsisë shqiptare do të vijë premierë më 13 dhjetor në Teatrin “Adriana” në Ferizaj. Shfaqja “13” vjen nën petkun e regjisorit Sulejman Rushiti, i cili synon që me këtë krijim shpërthyes të sjellë në skenë esencën e disa prej veprave më të shquara të letërsisë sonë: ‘Vitin e mbrapshtë’ të Ismail Kadaresë, ‘Qerthullin politik’ të Kristo Floqit, ‘ABC-në e kreshnikëve’ të Mitrush Kutelit, dhe pjesë nga vepra e Fishtës, të cilat, të gjitha së bashku, formojnë një gjithëpërfshirje të mprehtë dhe poetike të identitetit shqiptar, shkruan KultPlus.

”13″ është më shumë se një titull; është një simbol, një metaforë e fuqishme që flet për më shumë se thjesht një numër. Vjen si një reflektim i asaj që na shoqëron si shoqëri, si një shenjë e një shndërrimi të pandalshëm të fatit dhe historisë. Numri 13 është shpesh i lidhur me besëtytnitë dhe frikën, duke u konsideruar si një shenjë e keqe, e një fatkeqësie të pashmangshme. Ky është një besim që ka rrënjë të thella në shumë kultura, dhe përmes kësaj lenteje, regjisori Rushiti na tregon se ne e shohim 13-në si një simbol të pafatësisë dhe pasigurisë që ngjizet në jetët tona.

Por, përmes këtij numri, dhe në mënyrë të veçantë, në dramatizimin që regjisori Rushiti e ka realizuar, ky simbol merr një kuptim më të thellë dhe më kompleks. Konsiderohet se në veprën “Viti i mbrapshtë” të Ismail Kadaresë, ky numër bëhet një përkufizim metaforik i një periudhe historike të vështirë dhe të trazuar për Shqipërinë. Kadareja e sjell këtë numër nëpërmjet vitit 1913, një vit kyç në historinë tonë, pasi pas shpalljes së Pavarësisë, ky vit simbolizon një periudhë të humbjes dhe të errësirës, ku ende mbizotëronin pasiguria dhe pasojat e një realiteti të pasqaruar. Në këtë kuptim, besohet që “13” vjen si një pasqyrë e historisë sonë të mbushur me luhatje dhe kontradikta. Shfaqja është një metaforë për dyndjet e fatit të Shqipërisë, për sfidat dhe vuajtjet që kanë shoqëruar çdo hap të zhvillimit dhe pavarësisë.

Përmes kësaj shfaqjeje, regjisori Rushiti përpiqet të shpalos tërë këtë ngarkesë historike dhe emocionale që vjen bashkë me simbolin e 13-ës, për ta shndërruar atë në një përshkrim të thellë të shoqërisë, që vazhdon të përballet me fantazmat e së kaluarës dhe të ardhmes së pasigurtë. Po ashtu, numri 13 nuk është vetëm një element numerik; ai është një udhërrëfyes për natyrën njerëzore, për besëtytnitë që diktojnë veprimet e njeriut dhe për atë prirje të brendshme që njeriu ka për të kërkuar përshkrime dhe ndihmë në atë që është jashtë tij, për t’u kapur pas simbolikës që të ofron një ndjesi kontrolli në një botë të pasigurtë. Përmes këtij numri, regjisori Rushiti përpiqet t’i ndihmoj publikut që të kuptojë se “13” është gjithashtu një pasqyrë e tensioneve të brendshme të individit dhe të shoqërisë, që janë të lidhura ngushtë me përvojat e jetuara dhe të papërballueshme.

“13” është më shumë se një numër – është një reflektim i të kaluarës dhe një dëshmi përkohësisht të domosdoshme e natyrës së fatit të njeriut. Ky është një udhëtim i brendshëm për të kuptuar se si një histori, që duket e mbyllur, vazhdon të prodhojë gjurmë por edhe pasoja në çdo hap të jetës së përditshme.

Në vitin 2017, regjisori Rushiti ishte nisur në një udhëtim krijues dhe intelektual që, më shumë se një projekt teatror, iu është shndërrua në një eksperiment estetik dhe shpirtëror, një përvojë që mbante thelbin e kërkimit të thellë dhe të transformimit.

“Gjatë dramatizimit të veprës së plotë satirike të Gjergj Fishtës, hulumtova dhe ripërpunova jo vetëm tekstin, por dhe kuptimin dhe shpirtin e tij, duke e sjellë në skenë në një mënyrë që e lëvizte përtej kufijve të vetvetes. Shfaqja, që u realizua në Teatrin Shqiptar të Shkupit, me titull “G” ishte një ngjarje që kërkonte të bashkonte të kaluarën dhe të tashmen, të vjetrën dhe të renë, për të krijuar një hapësirë ku ideja e traditës ishte e hapur për rigjetje dhe përmbledhje të reja”, thotë ai.

Ky projekt hulumtues, me çdo hap të tij, e ka bërë atë që ta rishqyrtoj çdo shtresë të kulturës dhe letërsisë shqiptare, duke e shtyrë të rilexonte me një vështrim të ri, veprat e autorëve më të shquar, në kërkim të një gjuhe që mund të artikulonte dhe shprehte thelbin e tyre në një kontekst bashkëkohor.

“Ky proces reflektimi më lindi dëshirën për të vazhduar këtë hulumtim të thellë, duke u nisur nga një ndjesi e fuqishme për të krijuar një dramë që e rifillonte dialogun me veprat më të rëndësishme të letërsisë shqiptare. Nga ky shpërthim krijues, lindi “13”, një përpjekje për të ndërthurur dhe për të sjellë në skenë esencën e disa prej veprave më të shquara të letërsisë sonë. Ato janë pjesë të një mozaiku që edhe pse individualisht të ndryshme, krijojnë një pamje të plotë, një panoramë të thellë dhe të ndërlikuar të natyrës njerëzore dhe historisë kombëtare. Në fillim, shfaqja ishte parashikuar të realizohej në Teatrin Shqiptar të Shkupit, u vendos të shfaqej në Teatrin “Adriana Abdullahu” të Ferizajit, me kërkesë të drejtuesit të këtij teatri. Unë besoj thellë që veprat dramatike zgjedhin vetë se ku dhe kur do të linden. 13 ka zgjedhur të lindë në Ferizaj”, thotë Rushiti.

Shfaqja “13” është një eksperiment teatror që bashkon zhanre të ndryshme – dramë, tragjedi, komedi dhe farsë – duke krijuar një mozaik narrativ që pasqyron jo vetëm kompleksitetin e historisë tonë, por edhe ndërlikimet e natyrshme dhe të fshehura të realitetit njerëzor.

Sipas regjisorit, numri 13, i ngarkuar me një ngarkesë simbolike të thellë, siç beson besëtytnia, është përfshirë në rrëfimin e ngjarjeve që shprehin tensionin mes fatit dhe zgjedhjes, mes rastësisë dhe determinizmit. Ky proces paraqet një reflektim të kaosit dhe rendit, të cilat shpesh janë të pandashme në përvojën njerëzore.

“Në aspektin metodik, e kam mbështetur këtë shfaqje te qasja brehtiane, që synon të largojë spektatorin nga emocionet e thella për të hapur një hapësirë kritike mendimi. Te Brecht, distancimi nuk është thjesht një teknikë, por një mjet për të provokuar mendimin dhe për të nxjerrë në pah kontradiktat e shoqërisë. Megjithatë, pas çdo përvoje, çdo regjisor krijon një stil unik – një gjuhë personale që e lidh me jetën dhe botëkuptimin e tij. Dhe në këtë shfaqje, ka shumë nga vetja ime: një kërkim për të thyer kufijtë e pritshmërive dhe për të shpërfaqur atë që është nën sipërfaqe, një ballafaqim me botën ashtu siç është dhe si mund të jetë, përmes një lente artistike që sfidon realitetin dhe na nxit të mendojmë për të ardhmen dhe për përmasat e mundshme të ekzistencës sonë”, thotë ai.

Çdo pjesë e re teatrale për regjisorin Rushiti konsiderohet të jetë një udhëtim i pasur dhe një sfidë e ëmbël, e cila ia mundëson që të rihap horizonte të reja dhe ta njeh një realitet tjetër krijues.

“Ky proces, që është më shumë se thjesht një realizim i një shfaqjeje, është një kërkim konstant për thellësinë, për kuptimin më të plotë të asaj që duam të shprehim, dhe padyshim, kënaqësinë më të madhe unë e ndjej gjatë këtij hulumtimi të pandërprerë. Në momentet më të ngarkuara dhe sfiduese të këtij rrugëtimi, gjej një kënaqësi të pashpjegueshme, sepse çdo hap që hedh është një mundësi për të krijuar diçka që përballet me thelbin e artit dhe të natyrës njerëzore”, tregon ai.

Ajo që është e veçantë për të, mbetet puna me një ekip jashtëzakonisht të motivuar dhe të pasionuar, një ekip që, në çdo moment, kontribuon me kreativitetin dhe përkushtimin e tij të pakufishëm. Ky bashkëpunim, për të, është më shumë se thjeshtë një koordinim i roleve – është një ngërç i mendimeve, ideve dhe pasioneve që formojnë një energji kolektive.

Sipas tij, skenografia, kostumografia, drejtimi i muzikës, aktorët dhe çdo individ tjetër janë pjesë e pandashme e kësaj ngjarjeje, duke krijuar një harmoni që është një refleksion i krijimtarisë së përbashkët. Pra, secili ka rol të veçantë dhe të domosdoshëm, dhe së bashku e krijojnë një ambient që është i ngarkuar me kërkim dhe eksperimentim.

Ali Krasniqi, Arben Marevci, Blin Mani, Dashuri Rexhepi, Donikë Zeqiri, Dora Xhemajli, Edona Berisha, Elton Tahiri, Jajush Ramadani, Kushtrim Qerimi, Milot Saliu, Nexhat Xhokli dhe Sherif Bega, janë aktorët të cilët priten ta jetësojnë këndshëm këtë shfaqje të rrallë. Skenografia vjen nën realizimin e Bekim Korçës, kostumet vijnë nga Eleonora Gagica dhe muzika vjen e krijuar nga Linda Isufi.

“Ne jemi të angazhuar në një proces të vazhdueshëm hulumtimi, ku çdo seancë është një mundësi për të thelluar kuptimin tonë të veprës, për të hetuar secilin detaj dhe për të eksploruar mundësitë që skena dhe karakteret mund të ofrojnë. Puna jonë është e thellë dhe kërkon një përqendrim të plotë, prandaj ne zhvillojmë seanca të thella analizash që na ndihmojnë të kuptojmë më mirë shpirtin e personazheve dhe strukturën e ngjarjeve. Ne gjithashtu angazhohemi në ushtrime psikofizike që na ndihmojnë të krijojmë një lidhje më të ngushtë me trupin dhe mendjen, dhe të përcjellim më saktë emocionet dhe energjitë që duam të shprehim. Ky proces është esencial për të ndërtuar një lidhje autentike dhe të natyrshme me publikun dhe për t’i dhënë shfaqjes shpirtin e saj të vërtetë. Në këtë hulumtim dhe eksperimentim të përditshëm, jo vetëm që ndihmojmë për të krijuar një shfaqje të veçantë, por gjithashtu rrisim kuptimin tonë të artit dhe të ndikimit të tij në shoqëri, duke e shndërruar secilin moment në një mundësi për rritje dhe krijim të ri. Për mua, ky është thelbi i procesit krijues – jo vetëm realizimi i një vepre, por ndërtimi i një bote të re, të mbushur me mundësi të pafundme dhe të hapura për t’u zbuluar”, tregon regjisori Rushiti.

Ai e konsideron veten të jetë një ithtar i rileximit skenik të veprave kombëtare, sepse beson se çdo vepër e tillë ka një forcë dhe një shprehje të pashtershme që mund të përjetohet dhe të ripërpunohet përmes kohës dhe hapësirës. Këto vepra, që janë themeli i identitetit tonë kulturor dhe kombëtar, përmbajnë një pasuri të jashtëzakonshme që kërkon një angazhim të vazhdueshëm dhe një rifreskim të themeluar në kontekstin e aktualitetit, andaj dhe rileximi i tyre skenik mendohet të jetë një mundësi për të zbuluar nivele të reja, për t’i dhënë atyre një dimension të ri, dhe për të angazhuar publikun në një dialog të përhershëm mes të kaluarës dhe të tashmes.

“Në këtë kuptim, nuk mund të pretendojmë të kemi një teatër kombëtar të qëndrueshëm dhe të zhvilluar pa një dramaturgji kombëtare të fortë dhe të thellë. Dramaturgjia kombëtare është ajo që ndihmon në formësimin e një teatri që është jo vetëm një art formë, por edhe një instrument reflektimi dhe kritike sociale, historike dhe kulturore. Ajo është e lidhur ngushtësisht me shpirtin dhe identitetin e kombit, dhe duhet të mbajë dhe pasqyrojë jo vetëm zhvillimet kulturore, por edhe pasigurinë, aspiratat dhe pasionet që përshkojnë historinë e tij. Po ashtu, ka një domosdoshmëri të theksuar për të zhvilluar një regjisor kombëtar që e kupton dhe e shpreh këtë dramë kombëtare në një mënyrë autentike”, shpalos ai.

Sipas Rushitit, është pikërisht regjisori ai që e nxjerr thelbin e kësaj dramaturgjie dhe e lidh atë me realitetin e sotëm. Ai është një krijues që, duke pasur një njohje të thellë të trashëgimisë kulturore, është i aftë ta interpretojë dhe ta përshtatë veprën për t’i dhënë asaj një vlerë të re në kontekstin e aktualitetit. Ai beson se pa një regjisurë kombëtare që e njeh dhe e respekton thelbin e veprës, teatri kombëtar mund të humbasë lidhjen me shpirtin e tij dhe me mesazhin që ka për ta pasqyruar. Prandaj, mendon se teatrit kombëtar i nevojitet një angazhim i përbashkët për të zhvilluar dhe mbajtur gjallë dramaturgjinë kombëtare dhe për të kultivuar një regjisurë që është e lidhur me të, që është një reflektim i kulturës dhe historisë sonë, dhe që ka guximin të ballafaqohet me realitetet e sotme të shoqërisë. Kjo konsiderohet të jetë mënyra më e mirë për të krijuar një teatër që është i gjallë, i qëndrueshëm dhe i lidhur me identitetin e tij kombëtar.

Provat për shfaqjen ’13’ kanë gjetur nisjen më 13 tetor, një datë që përkon edhe me esencën e vetë shfaqjes. Premiera pritet të epet më 13 dhjetor, ku aty publiku do ta ketë mundësinë ta shijojë këtë shfaqje gjerë në thelb.

Regjisori Rushiti beson thellë se publiku do të përjetojë një shfaqje ndryshe, një përvojë teatrale që e sfidon perceptimin e zakonshëm. Pra, pritet të jetë një shfaqje që reflekton frymën dhe identitetin kombëtar, por që e trajton këtë trashëgimi me një estetikë bashkëkohore, e cila e bën të mundur që temat shqiptare të komunikohen në një mënyrë moderne dhe tërheqëse.

“Kjo është një shfaqje produkt i një ekipi të tërë kreativ, ku çdo individ, nga skenografi e deri te aktorët, ka kontribuar me pasionin dhe mendimin e tij, duke e bërë këtë projekt një tërësi organike që bashkon larminë e ideve dhe metodave.”

Krejt në fund, regjisori Rushiti na shpalos se shfaqja që do të shohë publiku është një përzierje e thellë mes tradicionales dhe modernes, duke sjellë në pah thelbin e kulturës dhe historisë shqiptare, por me një trajtim që është i përputhur me kërkesat e kohës dhe të shoqërisë moderne. Pra, ajo nuk do të jetë thjesht një përsëritje e të kaluarës, por një rishikim i saj në një mënyrë që i jep asaj një frymë të re, një frymë që i flet të tashmes dhe që mund të krijojë një lidhje të fortë me publikun e sotëm. Në këtë mënyrë, kjo shfaqje do të jetë një udhëtim i pasur artistik dhe intelektual, ku temat dhe mesazhet shqiptare, që kanë qenë gjithmonë të ngulitura në shpirtin e kombit tonë, do të shprehen përmes një estetike që është gjithashtu e hapur për inovacion dhe eksperimentim. Publiku nuk do të shohë vetëm një dramë kombëtare, por një shfaqje që e merr atë dhe e risjell në një kontekst ku mund të dëgjohet dhe të preket me një mënyrë të re dhe të freskët./ KultPlus.com

Në parkun që mbuluan fletët

Poezi nga Ismail Kadare

Në parkun q’ë mbuluan fletët
Të dy ne ecim qetësisht,
Pas shijes saj ka shtruar vjeshta
Qilim të verdhë natyrisht.

Dhe ndoshta si një ëndërr e zbehtë
Ju fanit një muzg i vonë
Ky park q’ë kan’ mbuluar fletët
Ku pas kaq shekujsh ti po shkon.

Nga vagabondët me cigare
Ti mos u tremb e dashur kot
Imazhin tënd as dinosaurët
Shekuj më parë s’e shtypën dot.

Që ti të vije kaq e bukur
Me këta flokë, me këtë hap
Toka të egrën klimë e zbuti
Dhe akullnajat ktheu mbrapsht.

Dhe s’kish se si të ndodhte ndryshe
Të ndodhte ndryshe s’kish se si.
U desh të zhdukeshin përbindshat
Që te kjo botë të vije ti… / KultPlus.com

Një vajzë

Poezi nga Ismail Kadare

Duke të puthur, pa të dashur
Në shpirt ai ty të plagoi
Buzëpërgjakur nga të kuqtë e tu,
si vrasës tinëz shkoi

Krenar që ty “të shtiu në dorë”
Gjith’ shokëve emrin tënd ua tha
Pranë gotës së birrës për ty folën
në park, të dielave ata

Dhe ti e vetme mbete, bosh
mbenë sytë e ty në net bilbilash
Si sheshi i shkretë, ku posa ndodhi
Një katastrofë automobilash.

Tani kur shkon Rrugës së Dibrës
Ata me sy të ndjekin pas
Pastaj me bërryl i bien shokut
“E sheh filanen? E ka pas…”

Dhe ti ul kokën shpejton hapin
T’arrish tek shoqja sa më shpejt
Të përsërisësh fjalët standart:
“Ah, njëlloj janë të tërë djemtë”

Të dyja t’ulura pranë radios
Do ndizni heshtur një cigare
tek supi i saj, nën fjalë lajmesh
një çast dremitja do të t’marrë

Dhe do të të çojë tek një rrugë tjetër
M’e gjerë, m’e bukur dhe më e re
Atje në sfond fabrikash, njerëzit
Nga kembët s’do të të venë re.

Atje ku t’ecësh midis turmash
Në një grup djemsh, ndoshta midis
Dikush me brryl do t’i bjerë shokut:
“E sheh filanen? Ishim miq…” / KultPlus.com