Fillon hartimi i planit për restaurimin e ish-Bibliotekës Hivzi Sylejmani, konsiderohet me vlerë të rëndësishme kulturore

Drejtoresha për Kulturë Rini dhe Sport nga Komuna e Prishtinës, Blerta Basholli, ka njoftuar se është duke u hartuar detyra projektuese për ruajtjen, restaurimin dhe adaptimin e ndërtesës së ish-Bibliotekës Hivzi Sylejmani në Tophane, shkruan KultPlus.

Lajmin e ka bërë të ditur vetë Basholli përmes një postimi në llogarinë e saj në rrjetin social Facebook, ku ndër të tjera ka treguar se për këtë realizim ka ftuar edhe Jakup Ferrin, Driton Selmanajn e Alban Mujën, për një diskutim se cila do të ishtë mënyra më e mirë e shfrytëzimit të kësaj ndërtese.

‘Në fund të fundit për artistët po bëhen këto hapësira dhe kontributi i tyre në proces është i domosdoshëm. Natyrisht edhe diskutimi me qytetarë, artistë e organizata nuk do të mungojë sepse është me rëndësi këndvështrimi i të gjithëve.

Diskutimi ishte rreth shfrytëzimit të hapësires për Galeri të Qytetit, studio për artistë vendas, rezidenca për artistë të huaj, hapësira për diskutime të ndryshme etj. Një diskutim të veçantë patëm edhe rreth menaxhimit efektiv të institucionit.

Të pranishëm në diskutim ishin edhe zyrtarja Lindita Cervadiku Dibra, e cila është duke hartuar detyrën projektuese në bashkëpunim me arkitektin Nol Binakaj, asambleisti Adrian Berisha dhe zyrtarja për kulturë Arjona Caraku, të cilët do të jenë pjesë e projektit deri në përfundim.

Jakupin, Dritonin, Nolin e Albanin dhe të gjithë të tjerët i falenderojmë shumë për kontributin e tyre në këtë proces.’, është tutje shprehur Basholli. / KultPlus.com