“Shndërrimi i zonës së ish-Kinostudios, në një “Park Arti”, në shërbim të artit dhe komunitetit, është një nga sfidat tona më të mëdha”.
Kështu u shpreh sot ministrja e Kulturës Elva Margariti në fjalën e saj në workshop e parë të organizuar sot, në praninë e Zv/ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Besart Kadia, Ambasadores së Suedisë në Tiranë, Elsa Håstad, Ambasadorit të Italisë, Fabrizio Bucci, por edhe bashkëpunëtorëve të tjerë, nga pushteti lokal, arkitektë e artistë, të cilin e konsideroi një hap më pranë realizimit të këtij projekti madhor.
“Ngritja e Muzeut të Filmit, hapësira për organizimin e aktiviteteve kulturore në shërbim të industrisë kreative dhe startup-eve, parqe të gjelbra për komunitetin e në veçanti fëmijët janë disa nga elementët e këtij projekti”, tha Margariti.
Ministrja u shpreh se “në dy ditët e ardhshme do të vijojnë workshopet online me përfaqësues të sektorit të industrive kreative dhe me përfaqësues të skenës së pavarur artistike, për të identifikuar idetë e vlefshme dhe praktikat më të mira të zbatuara në Europë”.
“Këto ide do të ishin të dobishme në finalizimin e projektit për zhvillimin e Qendrës Kulturore që synojmë të ngremë në këtë godinë”, tha Margariti. / atsh/ KultPlus.com