Inspektorati Shtetëror i Mbikëqyrjes së Tregut si dhe Ministria e Kulturës nënshkruan një memorandum bashkëpunimi me qëllim mbikëqyrjen e zbatimit të të drejtës së autorit në Shqipëri.
Memorandumi i bashkëpunimit u nënshkrua nga Kryeinspektori i ISHMT-së, Gazmend Osmani si dhe sekretarja e përgjithshme e Ministrisë së Kulturës, Zerina Bruci.
Përmes këtij memorandum palët konfirmojnë vullnetin dhe angazhimin maksimal për të identifikuar, siguruar dhe zbatuar të gjitha mjetet e nevojshme ligjore dhe ekzekutive për zbatimin dhe përmirësimin e kuadrit ligjor dhe institucional të veprimtarisë të operatorëve ekonomik.
Njëkohësisht konfirmojnë vullnetin e mirë dhe vendosmërinë për të promovuar mirëfunksionimin e institucioneve përmes bashkëpunimit dhe bashkërendimit në mënyrë konstruktive dhe thelbësore për realizimin e qëllimit të këtij memorandumi.
Po ashtu, palët angazhohen për të përmbushur detyrimet që burojnë në legjislacionin kombëtar për të drejtën e autorit.
Kryeinspektori Gazmend Osmani deklaroi se ISHMT e konsideron objektiv prioritar rritjen e eficiensës së mbikëqyrjes së veprimtarisë tregtare të operatorëve ekonomikë, bazuar në respektimin dhe garantimin e të drejtave të pronësisë intelektuale.
“Përmes këtij memorandum, ne angazhohemi të bashkëpunojmë dhe shkëmbejmë informacion për mbrojtjen dhe respektimin e të drejtave të autorit dhe të drejtave të tjera të lidhura me to”, tha Osmani.
E drejta e autorit dhe te drejtat të lidhura me to, janë thelbësore për krijimtarinë njerëzore, duke u dhënë në këtë mënyrë nxitje krijuesve në formën e njohjes dhe shpërblimeve të drejta ekonomike.
Sipas këtij sistemi të drejtash krijuesit janë të siguruar që veprat e tyre mund të shpërndahen pa frikën e kopjimit të paautorizuar dhe piraterisë. Kjo është për të ndihmuar rritjen e aksesit dhe për të shijuar kënaqësinë e kulturës, njohurive dhe argëtimeve në të gjithë botën. / atsh / KultPlus.com