Bujar Meholli
Vendi ynë Kosova, është padyshim njëri nga më të bukurit jo vetëm në Ballkan por dhe në mbarë botën, shkruan KultPlus.
Edhe pse e vogël, Kosova është e rrethuar me bukuri të rralla të cilat veç kosovarëve ua tërheqin vëmendjen edhe të huajve, pra, vizitorëve nga e gjithë bota.
Poeti kombëtar Naim Frashëri i këndon me aq mall bukurive shqiptarëve nga pozicioni i mërgimtarit dhe qëllimi i tij është që përmes vargjeve t’ia bëjë të ditur çdo shqiptari se vërtet ata kanë natyrë aq të bukur, kanë pasuri të tërë rreth vetes. Si autodidakt, Naimi përmes natyrës përpiqet t’i skalis ndjenjat patriotike. Natyra gjithmonë luan rol parësor në një pjesë të krijimtarisë së tij.
Kodra, pyje, lumenj, fusha të gjëra, e rrethojnë Kosovën dhe natyrisht që për një vizitor fjala vjen nga Japonia, kjo natyrë është grishëse. Megjithatë, ajo çfarë mbetet për t’u bërë nga shqiptarët është që bukuritë dhe gjërat interesante të dinë t’i promovojnë nëpër botë, të njëjtat t’i prezantojnë turistëve të huaj në mënyrë që ata të zbarkojnë dhe t’i shijojnë ato.
Andaj, gjeografi dhe hartografi Ismail Gagica përmes një iniciative që ka ndërmarrë tash sa kohë po synon t’i promovoj bukuritë kosovare.
Gagica merret me përpilimin e hartave turistike. Fillimisht ai përpiloi dhe botoi hartën e Prishtinës për të vazhduar më pas edhe me qytetet tjera.
Përmes hartave, një vizitues gjen mjaft informacion për një vend, dhe këto informacione lidhen kryesisht me turizmin dhe ato që janë me interes, me qëllim për ta zgjuar kureshtjen tek një i huaj për ta vizituar një qytet kosovar.
Hartat prezantojnë vlerat më përfaqësuese të atij vendi, të njëjtat përditësohen vazhdimisht, dhe aty hynë rrugët, trashëgimia kulturore e institucionet e rëndësishme për një të huaj.
Për të folur më gjerësisht rreth këtyre hartave turistike, Gagica shprehet për KultPlusin, duke shpalosur mjaft gjëra me interes për vizitorët.
“Kemi filluar me realizmin e botimeve që t’i ofrojmë publikut kryesisht të huaj, në lëmin e turizmit”, tregon Gagica.
Tutje ai flet për hartën e Prishtinës e cila është botuar në vitin 2010 si edicion special.
“Në vitin 2010 ka qenë një botim special për hartën e Prishtinës dhe për ne ka qenë një test, pas së cilit vazhduam tutje duke pas parasysh mungesën e informacioneve në fushën e trashëgimisë kulturore”.
Hartat e tilla japin informacion për qytetin, veçantinë e atij vendi dhe njëkohësisht për gjërat me interes, një udhëzues për atë vend dhe objektivi bie tek vizitorët e huaj.
“Kemi pas mungesë vazhdimisht të këtyre botimeve, dhe i kemi bërë edhe në gjuhën shqipe. Fillimisht me hartën e Prishtinës, mandej kemi vazhduar ta eksplorojmë edhe Kosovën në tërësi, dhe e bëmë shpërndarjen e këtyre hartave”.
Gagica thotë se turistët e huaj kur vinë në Ballkan, kërkojnë që t’i eksplorojnë këto vende.
“Një kohë i kam shpërndarë në Shkup dhe Tiranë sepse turistët vinë në Ballkan dhe mandej kërkojnë që ta eksplorojnë njërin dhe tjetrin vend, Kosovën Maqedoninë e veriut e Shqipërisë, të cilat janë atraktive por që shpeshherë nuk arrijmë t’i promovojmë sa duhet”, potencon ai.
Në pyetjen se këto harta a planifikohet që të plasohen edhe në internet në mënyrë që t’ua lehtësojë vizitorëve të huaj, Gagica përgjigjet se “Ideja është që këto harta t’i bartim edhe në internet dhe t’i prezantojmë online, e ta largojmë botimin fizik, por megjithatë turistët siç duket e kanë kulturë që ta marrin botimin në duar”.
Studiuesi Robert Elsie padyshim ka rëndësi të veçantë në historinë e kulturës sonë. Ai është marrë me letërsinë shqipe, e përgjithësisht me kulturën shqipe.
Gagica thotë se Elsie është ndikuesi më i madh në përpilimin e këtyre hartave.
“Kam udhëtuar shumë me Robert Elsien dhe kemi bashkëpunuar me të në fillim.
Gagica ka realizuar librin me fotografi “Kosova një vend për t’u zbuluar” ku shfaqen bukuritë kosovare. Robert Elsie ka qenë një shtytje për mua që t’i hy kësaj pune sepse shpesh nëpër vendet tona nuk ka udhëzues. Ai më ka përkrahur dhe më ka dhënë shumë kurajë, që të jem më realist në atë që prezanton, duke fituar në këtë mënyrë simpatinë e turistit”.
“Në krejt këtë rrugëtim, rolin kyç e ka luajtur Robert Elsie, sepse edhe ai kishte nevojë për hartat tona. Dhe unë i kam punuar të gjitha ato harta për të. Botimi i fundit i tij ka qenë hartat e fiseve shqiptare, të cilat janë përmbledh dhjetë udhëpërshkrimeve të tij, ndërsa hartat i kemi bërë në bashkëpunim me të sepse ai ka qenë studiues i mirë i kulturës tonë”, përfundon Gagica.
Këto harta si synim kryesor kanë promovimin e kulturës shqiptare në sytë e vizitorëve të huaj, gjegjësisht nxitjen e tyre. Në fillim të kësaj iniciative u bë harta e Prishtinës, por mandej u krijuan edhe hartat e qyteteve tjera, në të cilat shpërfaqen vlerat e atij qyteti, qoftë nga muzika, gjeografia, trashëgimia kulturore e të tjera. / KultPlus.com