Si e shpëtoi pikturën e Maks Velos nga djegia Ismail Kadare

Në parathënien e librit “Jetë paralele”,libri me dosjen sekrete të përndjekjes nga Sigurimi i Shtetit të Maks Velos (UET PRESS), Alda Bardhyli tregon për historinë e një pikture të Maks Velos që mundi t’i shpëtojë sekuestrimit apo djegies, pasi u ruajt me kujdes nga familja Kadare.

Kadarenjtë e fshehën në dhomën e gjumit. Ky është një rast unikal në historinë e vendeve komuniste kur një shkrimtar ndihmon një artist duke i fshehur pikturat. Dihet miqësia e hershme që Kadare ka pasur me Velon.

Krijimtaria e Velos piktor ndahet në dy periudha: atë nga fillimet deri në vitet 1978 (kur i sekuestrohen dhe digjen nga policia me vendim gjykate 249 vepra të ndryshme arti) dhe periudhën pas viteve ’90, që është më e pasura për sa i përket krijimtarisë jo vetëm në pikturë, por edhe letërsi, studime e skulptura.

Periudha e parë fatkeqësisht nuk njihet, për shkak të eliminimit fizik të veprave të cilësuara nga pushteti komunist i kohës si “dekadente”, “me ndikime të artit perëndimor”, vepra të cilat u bënë dhe aktakuza kryesore e dënimit të Velos me 10 vjet heqje lirie.

Në këtë libër ne kemi bashkangjitur disa nga fotot e veprave të fotografuara në hetuesi, më pas të djegura në kaldajën e Gjykatës së Tiranës nga Ruko Sako, me urdhër të kryetarit të gjykatës, Viktor Konomi.

Nga ky koleksion kanë shpëtuar disa vepra që artisti ia pat dhuruar mikes së tij franceze, Odile Daniel dhe një vepër e ruajtur në familjen Kadare. Bëhet fjalë për veprën “Vallja labe” që çifti Kadare e vendosi në dhomën e gjumit për ta ruajtur për gati 20 vjet.

Vetë Kadare e shihte këtë vepër si të bukur e dramatike, duke parë aty reflektimin e një bukurie që arrinte të sfidonte dhe frikën e një bastisjeje që mund t’ia behte nga momenti në moment. Ky është një rast unikal në historinë e vendeve ish-komuniste, kur një shkrimtar mbron një artist duke i strehuar veprën në shtëpinë e tij.

“Ndonjëherë mendoja në duhet t’ia ndryshoja emrin, pasi do të ishte më e lehtë për ta ruajtur dhe emri i tij Velo mezi dallohej”, do të kujtonte Kadare kohë më parë teksa e pyeta për këtë histori”, shkruan Bardhyli, shkruan gazeta-shqip.com /KultPlus.com

Ti qave

Poezi nga Ismail Kadare

Ti qave dhe më the me zë të ulët
Se unë të trajtoja si prostitutë.
Atëhere lotëve të tu s’ua vura veshin,
Te desha, pa e ditur se të desha.

Një mëngjes të beftë kur u gdhiva
Pa ty dhe bota krejt e zbrazët m’u duk,
Ahere e kuptova ç’kisha humbur,
Ç’kisha fituar kuptova gjithashtu.

Më rrëzëllinte si smerald mërzija,
Dhe lumturia ngrysej si një muzg me re.
Nuk dija kë të zgjidhja nga të dyja
secila m’e bukur se tjetra qe.

Se ish i tillë ky koleksion bizhush
Që dritë e terr lëshonte njëkohësisht,
Që njëqindfish etjen për jetën shtonte,
Por dhe që vdekjen ndillte njëqindfish.

‘Shqiptarët janë vrarë me njëri tjetrin kur nuk kanë pasur me kë të luftojnë’

“-Shqiptarët janë një popull i ashpër e i prapambetur. Atyre që kur janë foshnja, u vënë në djep pushkën, kështu që pushka bëhet pjesë e pandashme e jetës së tyre. Duke u bërë që në vogëli një pjese e qenies së tyre, si një element bazë i jetës së tyre, pushka ndikon drejtpërdrejtë në krijimin e psikikes se shqiptarit.

-Por një gjë që njeriu e do dhe e adhuron me gjithë shpirt, natyrisht qe ka qef edhe ta përdorë. Po perse mund te përdoret më mirë pushka?

-Për te vrare njerëz.- tha gjenerali.

-Ashtu është. Shqiptarët gjithmonë kanë pasur dëshirë të vrasin ose të vriten. Ata janë vrarë me njeri – tjetrin kur nuk kane pasur me kë të luftojnë.. Ata ne lufte i shtyn instikti i vjetër. Keni dëgjuar për gjakmarrjen? Kjo është një nevojë e diktuar nga natyra e tyre. Ne paqe ata trullosen si gjarpri në stinën e dimrit. Vetëm në luft e tregojnë plotësisht vitalitetin e tyre. Lufta është gjendja normale e këtij vendi. Prandaj ata në luftë janë të egër, të rrezikshëm dhe bëjnë dem më shumë seç duhet.”

“Më thanë se sonte në klub ti pyete veçanërisht për të. Siç duket, ke kohë që e kërkon dhe nuk e gjen dot. Po përse ke pyetur dhe e ke kërkuar aq shumë atë kolonel të zi? Mos vallë e ke pasur mikun tënd? Me siguri e ke pasur mik, përderisa e kërkon kaq shumë. Gjithë mbrëmjen nuk lanë njeri pa pyetur në fshat, sepse të gjithë e dinë që ai dergjet në dhé diku këtu rrotull, por asnjerit nuk ia merr mendja ku ndodhet ai. Do ikësh pa e marrë mikun tënd, mikun tënd të zi që më sterrosi jetën. Të ikësh sa më parë, sepse edhe ti je i mallkuar si ai. Tani rri urtë si një qengj dhe të qesh buza tek shikon se si kërcejnë njerëzia, por unë e di se ç’ke në mendje.

Ti mendon se si do të vijë dita që të sulesh në anët tona me ushtri dhe të na djegësh e të na pjekësh e të na vrasësh siç bënë shokët e tu. Nuk duhej të vije në këtë dasmë. Të të dridheshin gjunjët kur të niseshe për këtu. Së paku për hirin tim, të mua plakës së shushatur, të mua gjëmëzezës. Po ç’bëhet kështu? Ti po ngrihesh në valle? Ti guxon të ngrihesh në valle? Po vë buzën në gaz! Po ngrihesh! Dhe njerëzit të pranojnë! Daleni! Ç’bëni kështu! Kjo është e tepërt! Gjynah nga zoti!”

Gjenerali i ushtrisë së vdekur-Ismail Kadare / KultPlus.com

‘Prej kohësh më kishte marrë malli që dikush të lëshonte ndonjë pikë lot për mua’

Fragment nga ‘Muzgu i perëndive të Stepës’ të Ismail Kadaresë

Bëra një përpjekje mbinjerëzore të mbaja veten, madje të qeshja në mënyrë tq bujshme, duke kërcitur gjuhën, gjë që e urrej te të tjerët, por s’munda kurrsesi. Jo vetëm duke kërcitur gjuhën, si horrat e rrugës ‘Gorki’, por as natyrshëm, si gjithë bota, nuk qeshja dot. Përkundrazi, sa vente, po më dukej barbare e gjithë kjo. Me sa duket, pa e ditur as vetë se si, prej kohësh më kishte marrë malli që dikush të lëshonte ndonjë pikë lot për mua.

Kjo etje për pakëz lot paskësh qenë e fshehur. Ajo paskëshqenë më e tmerrshme se etja e beduinëve nëpër rrafshirën arabike. / KultPlus.com

Mall

Poezi nga Ismail Kadare

Ca pika shiu ranë mbi qelq.
Për ty unë befas ndjeva mall.
Jetojmë të dy në një qytet,
Dhe rrallë shihemi, sa rrallë.

Edhe m’u duk pak e çuditshme
Si erdh kjo vjeshtë, ky mëngjes.
Qiejt e ngrysur pa lejlekë
Dhe shirat pa ylberë në mes.

Dhe thënia e vjetër e Heraklitit
Seç m’u kujtua sot për dreq :
« Të zgjuarit janë bashkë në botë,
Kurse të fjeturit janë veç ».

Në ç’ëndërr kemi rënë kaq keq,
Që dot s’po zgjohemi ne vallë ?…
Ca pika shiu ranë mbi qelq
Dhe unë për ty seç ndjeva mall.


1976

‘Libri i Karantinës’, rekomandimi nga KultPlus: Darka e gabuar

Në këto ditë karantine, kur virusi Covid-19 është përhapur anembanë botës, qëndrimi brenda shtëpisë është mundësi e mirë për t’u rikthyer te leximi. Dhe kalimi i kohës duke lexuar libra është gjithmonë zgjedhje e mirë.

KultPlus-i vazhdon me rekomandimet për të gjithë juve që jeni të interesuar t’i rrekeni leximit dhe ta shfrytëzoni këtë kohë për t’i zgjeruar njohuritë tuaja.

Darka e gabuar është roman i shkrimtarit të mirënjohur shqiptar Ismail Kadare. Është shkruar mes Malit të Robit (Durrës), Luganos së Zvicrës dhe Parisit gjatë verës dhe dimrit 2007-2008. Një darkë krejtësisht e pazakontë, me një mister, është subjekti i romanit të Kadaresë.

Ndonëse i bazuar mbi një ngjarje të vërtetë, që ka trazuar vite më parë një qytet të tërë, dhe ndonëse i hetuar për një kohë tepër të gjatë, herë haptas e më së shumti, në fshehtësi, e vërteta e darkës ka mbetur ende sot e pashpjeguar plotësisht.

Në këtë roman bëhet fjalë për ngjarjet në qytetin e Gjirokastrës, nga pushtimi nazist deri tek vdekja e Stalinit me 1953. Romani fillon me ardhjen e gjermanëve në Shqipëri , pararoja e të cilëve goditet në kufi nga partizanët, gjë që i zemëron gjermanët, të cilët vendosin ta hedhin qytetin në erë. Ata ndalin bombardimet pasi shohin flamurin e bardhë të cilin nuk dihet se kush e kishte ngritur. Mirëpo gjermanët dëshirojne hakmarrje për goditjen e pararojës prandaj mbledhin 80 njerëz qe t’i pushkatojnë . Në këtë kohë, koloneli gjerman, i ngarkuar me detyrë për pushtimin e Shqipërise, Fritz Wan Schwabe kërkon mikun e tij të universitetit, Dr.Gurameton e Madh, me të cilin kishte kryer studimet. Gurametoja e fton për darkë në shtëpinë e tij. Ndërsa koloneli Wan Schwabe është në darke te Gurametoja, qytetarët e tmerruar, që sapo ishin qetësuar nga bombardimet, nuk mund t’iu besojne veshëve.

Ata ende ishin nën shokun e bombardimeve ndërsa degjojne muzike me zë të lartë e cila vjen nga shtëpia e Gurametos. Mendimet e para janë se mos është çmendur fare doktori që ta thërrasë armikun në darkë, dhe në qytet përplasen dy rryma, ata që e konsiderojnë Gurameton tradhëtar dhe ata që e perkrahin. Mirëpo pa filluar thashethemet mirë ndodh befasia tjetër: pengjet lirohen. Qytetarët nuk dinë se çfarë të thonë. Ndërsa lufta e vërtetë ishte zhvilluar brenda, mes Gurametos dhe kolonelit. Por çfarë u bisedua brenda do të mbetej mister. Pas largimit të gjermanëve vijne komunistët dhe vendoset rendi i ri. Darka mbetet misterioze dhe e pashpjegueshme.

Gurametoja arrestohet disa herë . Gurametos i thuren edhe këngë. Njëra ndër kenget ishte më misteriozja: sipas këngës Gurametoja kishte ftuar të vdekurin në darkë. Autori e përmend që në fillim të librit një tregim që u tregohej fëmijëve për t’i vënë në gjumë: Një njeri detyrohet që të ftojë një njeri rastësisht për darke, ai ia jep të birit të tij ftesën që t’ia jap ndonjë kalimtari të rastit. Mirepo fëmijën e zë terri në rrugë dhe e hedh rastësisht ftesën në varreza dhe ftesa bie mbi një varr. Dhe në mbrëmje vjen në darkë i vdekuri.

Ndonëse autori e përmend rrëshqitazi këtë tregim, ky ka lidhje të forta me romanin. Disa ditë para vdekjes së Stalinit, Gurametoja arrestohet dhe torturohet në Guvën e Shanisasë, në lidhje me darkën që beri para 10 viteve. Sqarohet një gjë, personi që kishte qenë në darkën e Gurametos nuk kishte qenë Fritzi sepse ai kishte vdekur 3 muaj para darkës, por një shok i tij. Së fundmi Gurameton e pushkatojnë. Mirëpo gjatë rrugës për tek vendi i ekzekutimit, Gurametoja perpiqet te thote diçka kur kalon pranë varrezave, mirëpo kjo zbulohet vetëm vite më vonë: siç duket ai deshi të thoshte që donte të hiqte ftesën nga varri, ta hiqte ftesen për darken e cila e kishte marrë në qafë.

‘Njeriu në jetë ka nevojë për një filxhan shkencë, një shishe kujdes dhe një oqean durim’

Ismail Kadare është shkrimtari shqiptar më i njohur botërisht. Ai ka arritur të fitoi shumë nderime anekënd botës, madje u kandidua disa herë edhe për “Nobel”. Romancier, poet, eseist, përkthyes. Letërsia e Kadaresë vazhdon të lexohet me ëndje nga shumë lexues gjithkund në botë.

Më poshtë mund t’i lexoni dhjetë thënie të Kadaresë që kanë mbetur gjatë në mendjen e shumë lexuesve dhe adhuruesve të tij.

– Popujt, librat e tyre të mëdhenj, me gjak zakonisht i kanë larë. – Ata që shpikën shpejtësinë reaktive, larg Atdheut sigurisht do kenë qenë ndonjëherë!

– Armiku mbetet armik, edhe i vdekur qoftë.

– Ka gjithmonë kohë që njerëzit të bëjnë diçka për popullin e tyre.

– Gjuha më e mirë se gjithçka tjetër jep shpesh dritën ose mjerimin e një kohe.

– Të falësh nuk do të thotë të harrosh.

– Ne mund të jemi gjithçka, veç një gjë nuk jemi: ajo që kujtoni ju.

– Dëgjo… Është shumë e vështirë të diskutosh në mbretërinë e idiotëve.

– Letërsia autentike nuk përputhet me diktaturat. Shkrimtari është armiku natyror i diktaturave. /KultPlus.com

Kur Kadare, Kamy e Kafka lexoheshin fshehtas

Jeta e fshehtë e atyre që jetonin në Bllok, e atyre që mundën të fshehnin në anën përtej të raftit të bibliotekës libra të ndaluar për t’i lexuar fshehurazi është ana tjetër e monedhës. Sot, më të lirë për të lexuar, një brez i etur për letërsinë, dikur shkëmbente edhe fshehurazi prindërve librin e radhës, atë që do të duhet ta lexonte brenda natës, sepse një tjetri i ishte premtuar.

Por sa e vështirë ishte asokohe të ishe një mendje e lirë, por edhe e besueshme për pushtetin, ndërsa miqve t’iu besoje veprën e ndaluar? Milena Selimi thotë për “A2Cnn”, se nuk kishte libra të ndaluar në bibliotekë por kishe miq që ia besonin asaj edhe “Të Huajin” e Kamy-së, që atë kohë padiskutim ishte shumë ekzistencialist e absurd për realitetin.

Ajo sot është zëri zyrtar i ambienteve të kulturës në Kryeministri. Pedagogia dhe studiuesja Persida Asllani rrëfen se ka shpërndarë libra të tillë, sigurisht në fshehtësi. Askush nuk duhet ta dinte që në shtëpinë e saj kishte libra të ndaluar. /KultPlus.com

Ben Blushi dhe Ismail Kadare në Panairin e Librit në Leipzig

Letërsia bashkëkohore shqipe do të prezantohet përmes emrave më përfaqësues të saj në Panairin e Librit, në Leipzig të Gjermanisë, që do të mbahet nga datat 12-15 mars 2020.

Alda Bardhyli drejtore e Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit vëren se letërsia shqipe do të jetë  e pranishme përmes zërave më përfaqësues të saj në eventin e madh të librit si Mitrush Kuteli, Ismail Kadare dhe Ben Blushi. Në stendën e Shqipërisë në këtë panair, vizitorët gjermanofolës apo dhe të vendeve të ndryshme që do të vizitojnë panairin do të kenë mundësi të dëgjojnë intepretimin e pjesëve të zgjedhura nga këta tre autorë nën leximin e shkrimtares Ani Wilms, thotë Bardhyli.

Sipas saj, Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit e sheh këtë panair, si një mundësi komunikimi përmes vlerave tona më të mira. Të ftuar do të jenë dhe dy autorë të letërsisë bashkëkohore si Enkel Demi, Darien Levani si dhe dhe dy autore të njohura në letrat shqipe Flutura Acka dhe Diana Culi. Tema e këtij viti e Panairit është “Prejardhja, përkatësia, e përbashkëta“.

Sipas A. Bardhylit, QKLL do të jetë e pranishme në këtë Panair jo vetëm me stendën ku prezantohen vlerat tona më të mira por dhe me dy aktivitete që janë pjesë zyrtare e panairit që synojnë një gjithëpërfshirje ndërkombëtare. Duke u mbështetur tek tema e këtij panairi më 12 mars, ditën e parë të hapjes së Panairit, QKLL do të organizojë tryezën e diskutimit “Revolucioni i zemrave“ ku do të jetë e pranishme dhe Ministrja e Kulturës, znj. Elva Margariti. Besoj se ndryshimi në vendet e rajonit duhet të fillojë nga zemra dhe letërsia e cila e ka këtë aftësi, thotë A. Bardhyli. Më 15 mars, poezia shqipe do të jetë e pranishme në Laipzig. Ndër të tjera nënvizojmë se ky muaj shënon dhe 100 vjetorin e lindjes së poetit të zëshëm Zef Zorba.

“Buzë të ngrira në gaz“, një varg i Zorbës do të bëhet shkas i një diskutimi mbi poezinë shqipe, por tashmë në një formë të re komunikimi e hapësire, duke bërë bashkë në tryezë emra të njohur të kësaj fushe“, shton më tej A. Bardhyli. Sipas saj, panairet janë një mundësi e artë për autorët e letërsisë së vendeve të vogla për të promovuar dukshëm vlerat e tyre më të mira. /Panorama.al /KultPlus.com

88c16624-4180-4150-a970-0fca0b137d99


Fragment nga romani “Kronikë në gur” i Ismail Kadaresë

“E merrja me mend se si pikat e panumërta rrokulliseshin tani në faqet e pjerrëta të çatisë sonë, duke shpejtuar të binin sa më parë në tokë, që pastaj të avulloheshin dhe të ngjiteshin prapë atje lart, në qiellin e bardhë. Ato nuk e dinin se në strehët e çatisë i priste një grackë e panjohur, qyngji prej llamarine.

Tamam në çastin kur bëheshin gati të kërcenin nga çatia në tokë, pikat e shiut gjendeshin befas në qyngjin e ngushtë, bashkë me mijëra e mijëra shoqe të tjera, që pyesnin të frikësuara: ‘Ku po shkojmë kështu, ku po na çojnë?’ Dhe, pa e mbledhur veten mirë nga ky vrap i çmendur nëpër qyngj, binin papritur në një burg të thellë e të errët, në sternën e madhe të shtëpisë sonë.

Kështu merrte fund jeta e lirë dhe e gëzuar e pikave të shiut. Atje, në sternën e errët e të shurdhër, ato do të kujtonin pastaj me pikëllim hapësirat qiellore, që nuk do t’i shihnin më kurrë, qytetet e habitshme poshtë tyre dhe horizontet plot me vetëtima.

Vetëm unë ndonjëherë, duke luajtur, do t’u dërgoja me anë të pasqyrës një copë qiell të vogël sa një pëllëmbë, që do të lodronte mbi gjirin e ujit, si një kujtim i shkurtër i qiellit të madh.

Ato do të kalonin shumë ditë e muaj të mërzitshëm atje poshtë, derisa nëna ime t’i nxirrte me kovë, pas shumë kohe, të hutuara e të shushatura nga terri, për të larë pastaj me to rrobat tona, shkallët dhe dyshemetë e shtëpisë.

Por tani për tani ato nuk dinin asgjë. Tani ato vraponin tërë gaz e bujë nëpër pllakat e gurta të çatisë dhe, duke dëgjuar zhurmën e tyre, unë u qaja hallin.

Kur shirat vazhdonin tri-katër ditë rresht, babai e shkëpuste qyngjin në një vend, që sterna të mos mbushej më tepër se ç’duhej. Sterna ishte shumë e madhe. Ajo shtrihej pothuaj nën gjithë sipërfaqen që zinte shtëpia jonë dhe në qoftë se shpërthente mund të përmbyste në fillim kubenë dhe pastaj të shkatërronte krejt themelet e shtëpisë, sepse qyteti ynë ishte i pjerrët, dhe në këtë qytet mund të ndodhte çdo gjë.

Ndërsa po vrisja mendjen se cili e kishte më vështirë të duronte burgimin, njeriu apo uji, dëgjova hapat e gjyshes dhe pastaj zërin e saj nga dhoma tjetër:

– ‘Ngrehuni, ngrehuni, kemi harruar të heqim qyngjin’.

Babai dhe nëna u ngritën menjëherë të alarmuar. Babai vrapoi në errësirë nëpër korridor, me mbathjet e gjata të bardha, hapi dritaren e vogël të qoshkut dhe me një shkop të gjatë e mënjanoi qyngjin. U dëgjua zhurma e ujit që filloi të binte në oborr.

Ndërkaq, nëna ndezi llambën me vajguri dhe bashkë me babanë e me gjyshen zbriti shkallët. Unë u afrova te dritarja dhe u mundova të vështroja përjashta. Era e përplaste shiun me furi pas xhamave dhe mazgallat e vjetra të shtëpisë rënkonin.

Nuk m’u durua dhe zbrita shkallët të shikoja se ç’bëhej poshtë. Ata të tre ishin të shqetësuar dhe nuk më vunë re. Kishin hequr kapakun e grykës së sternës dhe po mundoheshin të vështronin ç’ndodhte atje brenda. Nëna mbante llambën dhe babai vështronte.

Ndjeva një rrëqethje në trup dhe u kapa pas rrobave të gjyshes. Ajo më vuri dorën në kokë. Porta e jashtme dhe e brendshme dridheshin nga era.

– Ç’është ky kiamet! – tha gjyshja.
Babai, i përkulur i tëri, po mundohej të shikonte brenda në sternë.

– Bjer një copë gazetë, – i tha nënës.

Ajo e solli. Babai e mblodhi shuk gazetën, e ndezi dhe e lëshoi në sternë. Nëna lëshoi një klithmë të vogël.

– Ujët është ngjitur gjer te gryka, – tha babai.

Gjyshja filloi murmuriste një lutje.

– Shpejt, – thirri babai, – ndiz fenerin.

Nëna, dyllë e verdhë, me duart që i dridheshin ndezi fenerin, ndërsa babai hodhi në kokë mushamanë e zezë, ia mori fenerin dhe shkoi të hapte portën. Edhe nëna hodhi një rrobë të vjetër mbi kokë dhe i shkoi pas.

– Gjyshe, ku vanë ata? – pyeta i trembur.
– Të thërresin fqinjët, – tha gjyshja.
– Pse?
– Të na ndihmojnë të pakësojmë ujët e sternës.

Jashtë, midis zhurmës së shiut, u dëgjua mbyturazi një trokëllimë porte. Pastaj një tjetër, një tjetër.

– Gjyshe, si do ta pakësojnë ujët?
– Me kova, bir.

Unë iu afrova grykës dhe vështrova poshtë. Errësirë. Errësirë dhe frikë. /KultPlus.com

Kadareja, i dashuruar pas Gjirokastrës së tij

“Kronikë në gur”, “Breznia e Hankonatëve”, “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, “Çështjet e marrëzisë”, “Ditë kafenesh”, “Princesha Argjiro”, “Aeroporti” – janë vetëm disa nga veprat e Kadaresë në të cilat pasqyrohet në mënyrë mahnitëse Gjirokastra e Kadaresë, shkruan KultPlus.

Këto vepra e kanë bërë të njohur shkrimtarin, madje disa e njohin Gjirokastrën si vendi antik i Kadaresë. Kadareja e mbart vendlindjen e tij kudo me vete.

Tek sa ecën në rrugicat intime me kalldrëm nuk mund të mos vësh re Kalanë e Gjirokastrës, që imponuese vështron mbi qytetin e gurtë.

KultPlus ka shkëputur disa nga fragmentet nga disa prej veprave të tij, se si ai e përshkruan në mënyrë mahnitëse qytetin ku ai kishte lindur:

“Ky ishte një qytet i pjerrët, ndoshta më i pjerrëti në botë, që i kishte thyer të gjitha ligjet e arkitekturës dhe të urbanistikës. Nga shkaku i pje­rrësisë së madhe ndodhte që në nivelin e çatisë së njërës shtëpi gjendeshin themelet e tjetrës, dhe me siguri ky ishte i vetmi vend në botë ku njeriu, po të rrëzohej në anë të rru­gës, në vend që të binte në hendek, mund të binte mbi çatinë e ndonjë shtëpie të lartë. Shumë gjëra këtu ishin të pabesueshme dhe shumëçka ishte si në ëndrra.” (Kronikë në gur)

Ndërsa, ngjarja e poemës së Ismail Kadaresë “Princesha Argjiro”- zhvillohet në kështjellën e qytetit të Gjirokastrës.

Këtu janë disa vargje të poemës se si e ka përshkruar Kadareja, qytetin e tij:

Ti akoma nuk e di

se ka një qytet në Jug,

me oxhakë e me çati,

me shtëpi, përrenj e rrugë.

Ngjan ai me një shqiponjë,

që u gatit të fluturojë

por në çastin më të fundit

ndërroi mendje e krahët shkundi

dhe i hapi përmbi brigje

ura, rrugë, qoshe e shtigje.

Përmbi supe ç’mbajnë vallë?

Këto gërxhe radhë-radhë?

Një kala e lartë

si një vapor lufte,

noton ditë e natë,

mes shekujve tutje.

Si anije e zezë,

që pushon në rërë,

ngjan tani fortesa

e heshtur, e vrerët.

Dhe vërtet ka kohë shumë

që ka rënë ajo në gjumë

Gryka topash janë ndryshkur

e bedenat janë prishur

dhe në kulla e sharapolle

s’ka më roje, karakollë. /KultPlus.com

Kadare, president nderi i Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit

Shkrimtari i madh Ismail Kadare do të jetë president nderi i Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit.

Lajmi u bë ditur nga ministrja e Kulturës, Elva Margariti, e cila thekson se “për ne, kjo është një mbështetje ndaj një nisme, dedikuar librit shqip”.

“Të nderuar, të kemi si “kumbar” të Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit, shkrimtarin tonë të madh. Ismail Kadare do të jetë president nderi i këtij institucioni të ri. Gjatë një takimi në Paris, Drejtoresha e QKLL, Alda Bardhyli ia ka propozuar shkrimtarit këtë rol të rëndësishëm, të cilin ai e ka pranuar”, shprehet Margariti.

Ismail Kadare, poet e prozator dhe një nga përfaqësuesit më të shquar të letërsisë shqiptare është një ndër personalitet qendrore të kulturës shqiptare të gjysmës së dytë të shek. XX. /ATSh

Kadare: S’e kam takuar më kurrë ish të dashurën

Po t’ju them se qysh nga mbarimi i fakultetit të letërsisë në Tiranë, ku ishim të dy, pra, qysh nga ikja ime në Moskë, dhe gjer më sot, në këtë ditë që po flasim, nuk e kam takuar kurrë, ju ndoshta s’do të më besoni.

Tirana, ndonëse kryeqytet i shtetit, nuk mund të përfytyrohej kurrë aq e madhe, saqë të mos e takoje asnjëherë ish-mikeshën tënde. Megjithatë, kështu ka ndodhur. Sa herë që flitej për zmadhimin e Tiranës, më shkonte ndër mend një gjë e tillë. Kur nga njëqind mijë banorë shkoi në dyqind mijë, mendova se kjo mund të përligjej disi. Por rastet e kundërta, domethënë të njohurit e shumtë, që më dilnin përpara, sidomos kur s’doja, ma hidhnin poshtë. Pastaj Tirana shkoi katërqind mijë, e më pas gjysmë milioni banorë, dhe tani mostakimi më ngjante i natyrshëm.

Por, kur një ditë në Paris, tek ecja më këmbë në St. Michel, u ndesha me botuesin tim gjerman nga Cyrihu, Egon Ammann, m’u kthye shpresa se takimit në Tiranë me vajzën e fakultetit të letërsisë do t’i vinte radha një ditë.

Nuk ndodhi asnjëherë, madje, edhe pas rastit të pabesueshëm kur, një mëngjes, në një bar të Nju-Jorkut, m’u afrua dikush që më përshëndeti: hello, jam Dan Pope, ju kujtohet, jemi takuar para ca vitesh në Central Park, e mblodha mendjen se mund të kryqëzohesha në rrugë me Dan Pope, madje me kinezë, që i kisha njohur në Shangai, veç me atë vajzën e fakultetit, në Tiranën e ngushtë, s’do të duhej të ndeshesha kurrë. Ishte e qartë se diçka e errët, por e epërme, e pengonte./KultPlus.com

‘Kalorësi me skifter’ i Ismail Kadaresë përkthehet në gjuhën rumune

Libri që prej pak kohe ka dalë në treg, vjen në gjuhën rumune, nga përkthyesi i njohur Marius Dobresku, si botim i shtëpisë botuese “Humanitas”.

“Kalorësi me skifter”, i shkrimtarit të shquar Ismail Kadare, është promovuar në Bukuresht.

Rreth veprës së Kadaresë, folën shkrimtarja Ana Barton, kritikja letrare Simona Preda, përkthyesi Marius Dobresku dhe shkrimtari dhe dramaturgu Vlad Zografi, njëherazi pasues i një familjeje të njohur shqiptare.

Në cilësinë e përfaqësuesit më të lartë të shtetit shqiptar, i ftuar në këtë mbrëmje ambasadori Ilir Tepelena, iu drejtua të pranishmëve në gjuhën shqipe. “Do të flas në shqip, në atë gjuhë të bukur në të cilën shkruan Ismail Kadare. Kjo është e dyta herë, gjatë detyrës sime si diplomat, që jam në një aktivitet që mbahet këtu dhe të dyja herët, ka qenë për Kadarenë.

Kjo tregon për mbështetjen që gëzon shkrimtari. Kadareja e ka çuar gjuhën shqipe në lartësi të mëdha, duke qenë në këtë mënyrë ambasadori më i mirë i vendit tonë në botë”.

Në fjalën e saj Drejtorja e shtëpisë botuese Denisa Komënesku u shpreh: “Ismail Kadare është nga të rrallët shkrimtarët evropianë që meriton prej kohësh të nderohet me cmimin “Nobel”.

Është i kandiduar prej vitesh të tëra edhe në listat e basteve letrare, ndaj shpresojmë që ai të marrë këtë çmim, ndoshta vitin që vjen në 85-vjetorin e tij”.

Në fjalën e saj znj. Komënesku foli edhe për projektin e afërt të kësaj shtëpie botuese, që në pranverë do të sjellë për lexuesit rumunë, një nga veprat më të shquara të Kadaresë.

“Kadareja”tha Komënesku”- pushtoi” botën me “Gjeneralin e ushtrisë së vdekur”… Këtë vit, kur mbushen 30 vjet nga themelimi i shtëpisë botuese “Humanitas” do të sjellim për lexuesit tanë, “Gjeneralin e ushtrisë së vdekur”, që shënon edhe veprën e 13-të të Kadaresë. Ju ftoj, ta festojmë bashkë këtë ngjarje”, – janë shprehur drejtuesit e “Humanitas Fiction”.

“Kalorësi me skifter” përmban katër 4 tregime dhe hapet pikërisht me tregimin që i ka dhënë dhe titullin veprës. Në përshkrimin që enti botues i bënte botimit të ri, thuhej: “Ky libër është një udhëtim në botën e absurdit totalitar, një botim që të mbërthen me instrumentet e sakta të një shkrimtari të madh”. Në kopertinën e librit ndodhet Hans Holbein, i riu në një portret-ikonë, i njohur ndërkombëtarisht. /konica.al/ KultPlus.com

Fico: Si e nxita Kadarenë të shkruante romanin “Dosja H”

Letra që u hap nga Sigurimi i Shtetit dhe shkrimi të revista “Nëntori”. – Prof. Dr. Agron Fico është albanolog, gjuhëtar, studiues i etnokulturës, specialist i gjuhës shqipe për të huaj. Ka ngritur dy katedra të gjuhës shqipe jashtë Shqipërisë: në Pekin (-) dhe në Michigan (-). Ai ka përfaqësuar shkencën dhe kulturën shqiptare në një varg konferencash kombëtare dhe botërore.

Në qershor të vitit  do të organizohej në Shqipëri simpoziumi i Shoqatës së Studimeve të Europës Juglindore, por problemi ishte se do të ftoheshin shkencëtarë nga BS dhe USA. Pas diskutimesh të nxehta midis Ministrisë së Jashtme dhe Akademisë së Shkencave, ishte udhëheqja e lartë e partisë që i hapi dritën jeshile hyrjes së profesorit amerikan dhe atij sovjetik në Shqipëri.

– Profesor Fico, ju keni shkruar një libër me titull “Zbulimi i eposit shqiptar në Harvard – Albert B. Lord”. Ju keni pasur njohje personale me profesorin e shquar të Harvardit. A mund të na thoni se si u njohët me të?

Në qershor të vitit  do të organizohej në Shqipëri simpoziumi i Shoqatës së Studimeve të Europës Juglindore, por problemi ishte se do të ftoheshin shkencëtarë nga BS dhe USA. Pas diskutimesh të nxehta midis Ministrisë së Jashtme dhe Akademisë së Shkencave, ishte udhëheqja e lartë e partisë që i hapi dritën jeshile hyrjes së profesorit amerikan dhe atij sovjetik në Shqipëri. Në mëngjesin e datës  qershor erdhi delegati sovjetik dhe pasdite pritej të vinte nga Budapesti në Tiranë Prof. Albert B. Lord. Më caktuan të isha njëherazi shoqëruesi kryesor dhe përkthyesi i Lordit. Fatmirësisht më kishte rënë në dorë dhe kisha lexuar me kujdes dhe me shënime veprën themelore të Lordit “The Singer of Tales”, në të cilën ai vuri bazat e një teorie të re të strukturës dhe kompozimit të eposit epik popullor, si kyç për të kuptuar veprat klasike “Iliada” dhe “Odiseja” të Homerit.

Në një letër të dytë profesor Lordi, i njohur si duket me situatën politike të Shqipërisë, si vend i izoluar dhe me një përgjim të egër ndaj vizitorëve të huaj, pyeste se a mund të sillte me vete edhe një magnetofon dhe aparat fotografik, që të regjistronte ngjarjen shkencore dhe shfaqjet folklorike. Kjo kërkesë më vuri në mendime dhe dëshmonte se si shihej Shqipëria nga bota demokratike. Profesor Lordi gjatë rrugës së kthimit për në Tiranë, më tregoi për ekspeditën në Shqipërinë e veriut më , si edhe për regjistrimin e këngëve popullore shqiptare e veçanërisht të atyre heroike.

Lordi shtoi se në Harvard kishte një fond të epikës heroike shqiptare dhe se mendonte që fondin shqiptar ta botonte në një vëllim të veçantë në të ardhme.

Kumtesa e Profesor Lordit rreth epikës legjendare dhe rolit të rapsodit në pasurimin e varianteve bazë, u ndoq me interes dhe ngjalli diskutime të shumta. Pas dy ditëve të ngjeshura me kumtesa dhe diskutime, pjesëmarrësit shkuan në Shkodër që të merrnin pjesë në shfaqjen e grupeve folklorike, që u mbajt në teatrin “Migjeni”. Prof. Lordi u largua drejt Italisë për të qëndruar disa ditë në Akademinë Amerikane në Romë. Andej dërgoi një letër falënderimi për pritjen dhe mbarëvajtjen e simpoziumit të zhvilluar në Tiranë.

Letrën ma dhanë mua ta përktheja. Në përmbajtje, siç përmenda më lart, kishte mirënjohje dhe falënderim për rektorin Kahreman Ylli. Në letë profesori shtonte edhe këto fjalë:

“Falenderim i takon edhe studiuesit të ri Agron Fico, jo vetëm si përkthyes.” Letra e dërguar nga Lordi doli se ishte hapur paraprakisht nga Sigurimi i Shtetit, gjë që m’u bë e qartë kur më thirrën në Degën e Punëve të Brendshme të Tiranës, ku me klithma m’u kërkoi t’u shpjegoja kuptimin “jo vetëm si përkthyes” që përmbante letra. Këtu fillon edhe saga e pareshtur e vuajtjeve të mia që më ndoqi plot  vjet. Nga kërkimet në Universitetin e Harvardit në kapakun e fletores së parë, shkruar anglisht lexohej: “Koleksioni i baladave heroike dhe këngëve popullore të Shqipërisë, mbledhur nga Albert B. Lord, ”. Ato janë gjithsej  fletore me  faqe. Fletorja e fundit, me numrin , përmban treguesin e  këngëve, që përfshihen në tetë fletoret e para. Pra, fletorja e treguesit të lëndës (ajo me numrin ) nuk është e plotë, në të nuk përfshihen këngët e fletoreve, të cilat sipas Lordit, janë dërguar më vonë nga Shqipëria; nga bashkëpunëtorët e tij Qamil Hoxha nga Bicaj (Kukës) dhe Murat Paci nga Tropoja. E gjithë lënda e mbledhur nga Lordi në Shqipërinë e veriut në vitet – përmban  tekste, të mbledhura nga rapsodë të ndryshëm. Kjo dëshmon për një hulumtim të përpiktë dhe përzgjedhës, për kërkime cilësore.

Profesor Lordi, edhe pse atëherë i ri në moshë, ka ndjekur një metodikë rigoroze pune në terren dhe ka kryer kërkime një hapësirë gjeografike tepër të gjerë, që përfshin krejt Shqipërinë e veriut. Regjistri i parë daton më  shtator  dhe i fundit më  tetor , pra një kërkim tepër i ngjeshur dhe intensiv.

Ja edhe vendet e eksploruara: Shkodër, Kastrat, Bogë, Theth, Abat, Mërtur, Kolgecaj, Tropojë, Bytyc, Bicaj, Prizren, Dukagjin, Pukë. Çdo këngë e mbledhur është e pasaportizuar: vendi i mbledhjes, data e regjistrimit, përkatësia fetare e rapsodit, shkollimi dhe të dhëna të tjera. Këngët e mbledhura sipas gjinisë dhe llojit i përkasin epikës heroike, pra vendin kryesor e zënë bëmat e Mujit dhe Halilit, por në regjistrimet në disqe alumini të rapsodëve dygjuhësh ka edhe mjafte këngë lirike dhe historike shqiptare. Secila pllakë zgjaste +minuta nga të dy anët. Këto incizime janë përdorur edhe nga muzikologu i njohur hungarez Bela Bartok, kur punonte për transkriptimin muzikor të tyre në Universitetin Columbia, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Shkencëtarët e njohur amerikanë Milman Parry dhe Albert B. Lord të Universitetit të Harvardit krijuan teorinë gojore, për zbërthimin e enigmës disa shekullore homerike, zbulimin e ligjit të ngjizjes dhe krijimit të poemave homerike, njohur dhe si Teoria gojore Parry-Lord. Lordit vetë i pëlqente ta quante studim të Letërsisë Gojore tradicionale. Me kërkimet në terren në Ballkan, në vitet  të shekullit të kaluar, mblodhën një lëndë folklorike të pasur dhe të larmishme të këtyre trevave, që u bënë laboratori i kërkimeve të tyre; pra hodhën themelet e teorisë moderne të folkloristikës.

– Profesor Fico, kam dëgjuar se ju e keni nxitur Kadarenë në krijimin e romanit “Dosja H”. Për kureshtjen e lexuesve, a mund të na flisni më

konkretisht?

Duhet të ketë qenë nga fundi i viteve ’, kur Kadare kishte shkruar një ese të mrekullueshme për ciklin e kreshnikëve në revistën “Nëntori”. Për interesin e madh që kishte ngjallur kjo ese, ishte vendosur që ajo të përkthehej në gjuhë të tjera, madje edhe në serbokroatisht. Por nga Instituti i Kulturës Popullore disa njerëz, të ndikuar nga metoda sovjetike, e shikonin eposin si vepër e fshatarësisë kundër feudalëve, kur në fakt ishte lufta e popullit shqiptar kundër pushtuesit sllav. Këndoheshin  mijë vargje, si në kohën e Homerit, nga lahutarët shqiptarë e të tjerë bilinguistë.

Ato ditë e takoj Kadarenë fare rastësisht në sheshin “Skënderbej”. E përgëzova për esenë mbi eposin e kreshnikëve, ndërsa ai m’u përgjigj:

– Mirë ti po më lavdëron, por ata të Institutit [të Kulturës Popullore] po më gjuajnë me shkëmbinj dhe nuk ndalen.”

– Nëse do ta zgjerosh temën e eposit të kreshnikëve do të sugjeroja veprën e prof. Lordit, -i thashë, bindur që do ta bëja kureshtar. Teksa më dëgjonte, e ndieva se si u përfshi emocionalisht. Kishte padurim për ta patur librin sa më parë në dorë. Dhe kështu u takuam rishtazi, ia dhashë librin e profesorit amerikan ku flitej për përkatësinë e eposit të kreshnikëve. Nuk do të kalonte shumë kohë, kur mësova se Kadare kishte shkruar një roman të ri. Jam i lumtur sot kur mendoj se ai shkrimtar i madh e ktheu në vepër artistike të jashtëzakonshme këtë të vërtetë shkencore të profesor Lordit duke shkruar romanin “Dosja H”,

aq të vlerësuar nga lexuesi dhe kritika.

– Ndërkohë profesor, ju shkuat vetë në Amerikë dhe tashmë jetoni atje. A jeni takur me familjarë të Lordit, a i keni ruajtur marrëdhëniet me to?

Pasi kisha filluar mësimin e gjuhës shqipe me diplomatët amerikanë në ambasadën e tyre në Tiranë. Një nga diplomatët, zonja Jacqueline Muller u tregua e gatshme që të rivendosja marrëdhëniet me familjarët e Lordit. Zonja Jacqueline Muller, pasi u kthye nga një vizitë pune në Amerikë, më tha, se ishte interesuar për fatin e Albert Lordit dhe kishte mësuar se ai kishte ndërruar jetë para disa viteve dhe se familja e tij banonte në shtetin e Massachusets. Vajza ime e madhe Albana, e cila ishte në Amerikë, vendosi kontaktet me zonjën Lord nga ku unë u mirëprita në shtëpinë e saj për të kryer studime rreth punës së Albert B.Lord dhe Melman Parry në universitetin e Harvardit, nga i cili kanë dalë  presidentë amerikanë dhe  fitues të çmimit “Nobel”. Ishte mars i vitit , kur unë i preka me dorë fletoret me lëndën shqiptare mbledhur nga Albert Bates Lord, në bibliotekën e Harvardit e dyta për nga madhësia pas Biblotekës së Kongresit.

Gjatë atyre ditëve të paharruara në Cambridge të Bostonit, si i ftuar i familjes së Albert B. Lordit, dita më emocionuese ishte vizita në varrezat e qytetit për plotësimin e një pengu, por edhe një detyrimi moral ndaj këtij shkencëtari dhe miku të shquar. Zbrita nga makina dhe shkova drejt varrit të Lordit. Shpërndava lulet e sjella dhe, me plot emocion thashë “Dear profesor Lord. I kept my promise. I have come from Albania, to meet You…” (I dashur profesor Lord. E  mbajta premtimin. Kam ardhur nga Shqipëria e largët të takohem me Ty.) Dhe i përlotur shtova…”Të ndritë shpirti, i nderuar profesor Lord”.

Marrë nga ExLibris /KultPlus.com

Ekspozohen në Tiranë botimet e para të Kadaresë

Përmes një ekspozitë janë shpalosur botimet e para të veprave origjinale të Ismail Kadaresë, kjo me synimin që të shqyrtohet evolucioni i publikimeve të autorit. Në këtë mënyrë edhe është shënuar në Tiranë 84-vjetori i lindjes së shkrimtarit.

Ekspozita “Ekskurs në botimet dhe në edicionet e para të autorit 1954 – 2018” u hap të martën në Kalanë e Tiranës dhe do të qëndrojë aty në dispozicion të publikut deri më 31 janar. Rindërtimi i kësaj diakronie të gjatë kohore të procesit krijues e botues kërkon të hedhë dritë mbi stadet e botimeve të autorit, të vrojtuara këto në kontekste të ndryshme politiko-kulturore nga regjimi diktatorial deri në demokracinë liberale.

Sipas kuratores së ekspozitës, Ana Shkreli, ekspozita “Ekskurs në botimet dhe në edicionet e para të autorit 1954-2018” është para së gjithash një ekspozitë që në kremtimin e 84-vjetorit të Ismail Kadaresë mëton të shqyrtojë evolucionin e publikimeve të autorit dhe të hedhë dritë mbi stadet e botimeve, të vrojtuara këto në kontekste të ndryshme politiko-kulturore. “Ky projekt paraqet vështirësi jo të vogla për shkak të vëllimit të madh të veprave të shtypura, por dhe për evolucionin atipik të shkrimeve të Kadaresë ndër vite, të shënjuara nga ribotime, të cilat bartin ndryshime tekstore me rëndësi artistike dhe stilistike. Afërmendsh këto ndryshime shprehin vullnetin përfundimtar të autorit, tashmë i lirë nga censura e autocensura. Veçse duhet thënë që secila prej veprave, e pikasur në edicionin e vet të parë, i jep dorë lexuesit të ndërmend jo vetëm një hartë më të mirë të procesit krijues të Kadaresë, por sidomos, duke shqyrtuar diakroninë e këtyre edicioneve në shtratin e vet politiko-kulturor, mund të dalin në sipërfaqe të dhëna mbi disa zgjedhje të autorit, të cilat vështirë të kenë qenë fryte rastësore”, shkruan ajo në konceptin kuratorial.

Vizitorit të kësaj ekspozite, i gjendur përballë evolucionit kontekstual të korpusit parak, ka gjasa t’i vijnë vetiu do pyetje, të cilat mund t’ia mprehin shqisën e pikasjes së këtyre përkimeve. Gjithashtu në mendjen e vizitorit do të ravijëzohen temat kryesore, që kanë ndjekur autorin po aq sa dhe janë ndjekur prej tij, si prania e vijueshme e dinozaurit të gurtë të Gjirokastrës, metafora shekspiriane, shkrimet e angazhuara letrare ose eseistike mbi Kosovën e plot motive të tjera. “Pasuria letrare e shfaqur rrok një periudhë prej 6 dekadash e po ashtu ajo ngërthen edhe katër stade të rëndësishme të kulturës së botimeve shqiptare: atë të pasluftës, periudhën e Revolucionit Kulturor, postnëntëdhjetën dhe së fundi modelin e industrisë së botimeve, i cili u përgjigjet përherë e më shumë rregullave të një tregu të lirë. Vështirë se ndonjë autor tjetër të jetë përfaqësues sa Kadareja i këtij rrugëtimi artistik të publikimit shqip. Për vizitorin do të mjaftojë qoftë dhe një vështrim i pjerrtë mbi grafikën e botimeve për të pikasur fill pasqyrimin e periudhave të ndryshme historike në editorinë shqiptare”, thuhet më tutje në konceptin kuratorial.

Përmbledhje poetike të hershme si “Përse mendohen këto male” paraqiten nga ballina me një ligjërim artistik prej pllakati, ndërsa “Dasma”, për shembull, e botuar së pari në formë libri nga shtëpia botuese “Rilindja” e Kosovës, ballina e së cilës është realizuar nga piktori i shquar Rexhep Ferri, dëshmon menjëherë dallimin e madh mes shkollës jugosllave dhe traditës shqiptare të periudhës, që u takon arteve pamore. Gjithashtu në disa prej librave vizitori do të gjejë të evidentuara ballinat e disa artistëve të rëndësishëm që i kanë punuar, si: Safo Marko, Zef Shoshi, Ksenofon Dilo, Ardian Karakashi e të tjerë, punime këto mirëfilli artistike me përkushtim profesionistësh, të cilat i japin artit grafik libror dinjitetin e nevojshëm të një elementi paratekstual. Duke u shtyrë më tej në kronologjinë e eksponateve, ajo çka bie fort në sy edhe grafikisht është djerrimi dhe shterpja e këtyre ballinave, si edhe tkurrja e thuajse çdo elementi stilistizues në to.

Shkreli shkruan se pas viteve ’90-a na pret një periudhë e harlisur jo vetëm sa u takon përfaqësuesve të ndryshëm botues të Kadaresë (nga Naim Frashëri, te Fayard, Çabej e më pas Onufri), por në kërkimet e bëra për mbledhjen dhe në renditjen e këtij korpusi vumë re se botimet fill pas ’90-s janë dhe më të vështirat për t’u gjurmuar.

Libri në vetvete në këtë ekspozitë sillet si simbol i disa kthesave të rëndësishme të kulturës sonë, por pavarësisht të gjithave koleksioni ynë është fotografia fëmijërore e gjithë asaj forme të mirërritur jete, që ka krijuar Ismail Kadareja. / KultPlus.com

Akademia e Shkencave ripropozon Kadarenë për çmimin “Nobel”


Gjeniu i letrave shqipe, Ismail Kadare, feston sot 84-vjetorin e lindjes.

Ai është nominuar disa herë për çmimin “Nobel” në letërsi, ndërsa edhe në këtë përvjetor Akademia e Shkencave e ka ripropozuar për këtë çmim.

Emri i tij është ripropozuar këtë të martë në tryezën “Kadare dhe letrat shqipe”, me rastin e 84-vjetorit të tij të lindjes.

Kreu i ASH-së, Skënder Gjinushi i ka dërguar një letër Akademisë Suedeze, në të cilën shkruan se pena e Kadaresë ka lënë gjurmë në kulturën e vendit.

Gjeniu i letrave shqipe ka qenë disa herë kandidat për çmimin “Nobel” në letërsi dhe së fundmi ka marrë dekoratën më të lartë franceze, si “Komandant i Legjionit të Nderit”.

Po ashtu, Kadare u nderua vitin e kaluar me çmimin ndërkombëtar “Nonino”, i cili iu ndahet personazheve të mëdhenj të kulturës. / KultPlus.com

Ismail Kadare sot mbush 84-vjet

Më 28 janar të vitit 1936, 84 vjet më parë, lindi poeti dhe shkrimtari i shquar shqiptar, Ismail Kadare.

Kadare lindi në Gjirokastër, ku përfundoi edhe arsimin e mesëm. Kadare është një nga shkrimtarët më gjenialë bashkëkohorë, disa herë i nominuar për çmimin “Nobel” në letërsi. Ai shquhet për novela, romane, por ka botuar edhe vëllime me poezi.

Në vitin 1958 mbaroi degën e Gjuhës e të Letërsisë në Universitetin e Tiranës, për të vazhduar më pas në Moskë me studime për dy vjet në Institutin e Letërsisë Botërore “Maksim Gorki” (1958-1960). Kadare është një nga shkrimtarët më të mëdhenj të letërsisë shqipe dhe gjithashtu një nga shkrimtarët më të mëdhenj të letërsisë botërore bashkëkohore.

Me veprën e tij, që ka shënuar një numër rekord të përkthimeve (në mbi 45 gjuhë të huaja) ai e ka bërë të njohur Shqipërinë në botë, me historinë dhe me kulturën e saj shekullore.

Rrugën e krijimtarisë letrare e nisi si poet që në vitet e gjimnazit Frymëzimet djaloshare, 1954, “Ëndërrimet”, (1957), por u bë i njohur sidomos me vëllimin Shekulli im (1961), që u pasua nga vëllimet e tjera poetike, si: Përse mendohen këto male (1964), Motive me diell (1968) dhe Koha (1976). Vepra poetike e Ismail Kadaresë shquhet për idetë e thella dhe për figuracionin e pasur e origjinal; rol me rëndësi për pasurimin e poezisë shqiptare.

Në fushën e prozës, Ismail Kadare ka lëvruar tregimin, novelën dhe romanin. Vepra e parë e rëndësishme e Ismail Kadaresë në prozë është romani “Qyteti pa reklama”, që nuk u lejua të botohej i plotë deri në vitin 2003. Prozën e tij e karakterizojnë përgjithësimet e gjëra historiko-filozofike, subjekti i ngjeshur dhe mendimi i thellë i shprehur shpesh me anë të parabolës, mbi bazën e asociacionit apo të analogjive historike.

Ideja e romanit Gjenerali i ushtrisë së vdekur (1964) është shpirti liridashës i popullit shqiptar. Temën e shpirtit të pamposhtur të shqiptarëve nëpër shekuj autori e trajtoi edhe në romanin Kështjella (1975). Në romanin Kronikë në gur (1970) Kadare kritikoi psikologjinë provinciale dhe traditat prapanike.

Probleme të rëndësishme të historisë janë trajtuar edhe në përmbledhjet me tregime e novela Emblema e dikurshme (1977), Ura me tri harqe (1978) dhe Gjakftohtësia (1980). E veçanta e talentit të Ismail Kadaresë shfaqet sidomos në trajtimin, nga një këndvështrim i ri, i temës historike dhe në tingëllimin e mprehtë aktual që është i aftë t’i japë asaj.

Një nga krijimet më të shquara të Ismail Kadaresë dhe të të gjithë letërsisë së re shqiptare është romani Pallati i ëndrrave (1981). Shumica e veprave të Ismail Kadaresë janë përkthyer e botuar në mbi 45 gjuhë të botës dhe janë pritur shumë mirë nga publiku lexues. Ai është shkrimtari shqiptar më i njohur në botë.

Në vjeshtën e viti 1990 Ismail Kadare vendosi të largohet nga Shqipëria dhe të qëndrojë në Paris. Shkrimtari në atë kohë e përligji këtë largim me “mungesën e ndryshimeve demokratike”.

Autoritetet e kohës e dënuan largimin e Ismail Kadaresë, por krijimtaria e tij nuk u ndalua. Në vitin 1990 e më pas vepra e tij bëhet shprehja më e fuqishme e vlerave gjuhësore dhe artistike të shqipes letrare. Letërsia e Ismail Kadaresë pas vitit 1990 bart të njëjtat tipare thelbësore të asaj të mëparshme: frymën etnografike dhe shpërfaqjen e identitetit shqiptar.

Ismail Kadare është laureat i shumë çmimeve letrare kombëtare dhe ndërkombëtare. Që nga viti 1994, Kadare është anëtar korrespondent i Akademisë së Shkencave Morale dhe Politike të Francës dhe anëtar i jashtëm i ASHAK.

Ka qenë delegat në Kongresin e Drejtshkrimit (1972).

Në vitin 2005 fitoi çmimin “The Booker Prize Man”.Ismail Kadare është dekoruar nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë me Urdhrin “Nderi i Kombit” dhe nga shteti francez me urdhrat “Kryqi i Legjionit të Nderit” e “Oficer i Legjionit të Nderit”.

Ismail Kadare më 23.06.2012 u nderua me Çmimin e madh spanjoll, “Princi i Asturias për Letërsi”, një nga çmimet me prestigjioze letrare në botë. Ai doli fitues mes 31 kandidateve nga 25 vende të ndryshme të botës ku dallohet emri i Milan Kunderas apo italiani Antonio Cabucchi. Ismail Kadare shkroi edhe veprën e njohur “Gënjeshtër nga dashuria e Galdimi ndaj Arife-s”. / KultPlus.com

“Asnjë gjuhë nuk e nis historinë me formulën e pagëzimit”

Për një shkrimtar që vjen të marrë titullin “Doctor honoris causa“, gjëja e parë që i vjen ndër mend është se, në qoftë se është i detyrueshëm një fjalim, ai duhet të përshkohet nga filli i një argumenti shkencor.

Nuk besoj se them ndonjë gjë të re, po të theksoj këtu se një gjë e tillë është jo fort e lakmueshme për mjeshtërinë tonë.

Kam vënë re se sivëllezërit e mi nga ish-perandoria e përmbysur komuniste, në raste të tilla kanë folur për shtypjen ndaj letërsisë. Thënë ndryshe, një temë që duhej t’i përkiste publicistikës, madje do të shtoja, kujtimeve emocionale, ka marrë statusin e argumentit shkencor.

Në thelb nuk ka ndonjë gabim kushedi çfarë. Shtypja e letërsisë dhe arteve në botën komuniste u ngrit në rangun e një shkence. Rrjedhimisht, trajtimi i kësaj shtypjeje mund të bëhej në të njëjtin stil.

Të gjitha rendet autoritare në botë kanë patur probleme me letërsinë. Në të gjitha rastet është letërsia që, në fund të fundit, ka ngadhënjyer. Ndërkaq, duhet thënë se nga të gjitha rendet, i vetmi që iu afrua fitores kundër letërsisë ka qenë komunizmi.

Është folur shumë për këtë, ndaj nuk do të zgjatem. Do të kujtoj vetëm pyetjen që është bërë shumë herë: a ka shpikur komunizmi ndonjë armë të re, një armë që do të ishte fatale kundër letërsisë? Përgjigja është po. Është përdorur vërtet një shpikje e re. Komunizmi ishte i pari rend në botë që e kuptoi se letërsia e madhe nuk pësonte asgjë, as prej censurës, as prej burgjeve e as prej tmerreve të tjera. Për ta vënë në gjunjë përfundimisht duhej diçka tjetër. Kjo shpikje e re ishte krijimi i një race të re shkrimtarësh, një racë që me duart e veta do ta prishte artin e fjalës. Me fjalë të tjera, për të perifrazuar Josif Brodskin, nuk ishte e nevojshme të rrënohej drejtpërdrejt ngrehina e letërsisë, mjaftonte të prisheshin tullat, pra lënda me të cilat ajo ishte ngritur. Kështu, me tulla të sabotuara, ngrehina vetvetiu do të binte. Kjo zgjidhje radikale u arrit vetëm pjesërisht, nëpërmjet atij që u quajt “realizëm socialist”. Përse nuk triumfoi përfundimisht? Çfarë nuk mjaftoi? Mosha e sistemit, ndoshta? Ka gjasë të ketë qenë kjo e fundit. Komunizmi, dihet, ka pasur dy mosha, njëra 70-vjeçare, që e arritën vetëm dy shtete, Bashkimi Sovjetik dhe Mongolia dhe drejt së cilës po ecën Kuba me Korenë e Veriut. Dhe mosha tjetër 45-vjeçare, që është pak a shumë ajo e vendeve të Europës Lindore, ku hynte edhe vendi im, Shqipëria.

Në historinë e njerëzimit, ajo që e përmenda si “zgjidhje radikale për letërsinë”, ka pasur edhe një version tjetër tepër të rrallë e tepër të lemerishëm. Ky version nuk ka lidhje me komunizmin, por me një tjetër fatkeqësi: sundimin osman.

Ju e dini këtë sundim. Ai u shtri mbi krejt Gadishullin Ballkanik. Ai vuri nën vete dhjetëra popuj, gjuhë, kultura. Ai e shkëputi Ballkanin nga Europa, synoi pushtimin e qendrës së Europës në veri dhe gadishullin tuaj italian, në perëndim. Ashtu si në rastin e komunizmit, edhe në rastin e pushtimit osman, vendi im, Shqipëria, kurrsesi nuk mund të pretendojë se ka qenë një viktimë e vetmuar. Ajo ra nën atë sundim bashkë me gjithë popujt e Ballkanit. Ajo vuajti të njëjtin ferr.

Meqenëse e përmenda moshën e komunizmit, po theksoj se koha e sundimit osman për nga gjatësia mund të quhet pa frikë infernale: pesëqind vjet. Tingëllon e pabesueshme, dhe është vërtet aq e pabesueshme, saqë kohët e fundit, revizionistët e historisë kanë ngritur tezën se një pushtim kaq i gjatë nuk mund të quhet pushtim. Ata janë duke kërkuar një emër tjetër, më të ndryshëm e, sidomos, më të përshtatshëm me vizionin e sotëm europian për pajtimin e popujve. Me gjithë përpjekjen për mirëkuptim, personalisht nuk besoj se do të gjendet një tjetër fjalë për të zëvendësuar fjalën pushtim.

Ashtu siç nuk ka ndodhur për fjalën “vdekje”, e cila ndonëse është shumë më e gjatë se çdo pushtim, vazhdon të quhet, ashtu si dhe më parë, “vdekje”. Tërhoqa vëmendjen tuaj për kohëzgjatjen pesëqindvjeçare të pushtimit osman, jo për të rritur dramacitetin e diçkaje, të cilit dramaciteti i del dhe i tepron, por thjesht për të ardhur prapë te problemi që përmenda më lart, ai i zgjidhjeve radikale të problemit të letërsisë.

Është fjala për një tjetër zgjidhje radikale, dy herë, ndoshta dhjetë herë më të lemerishme: ndalimin e vetë shkrimit. Po e them qysh në krye: nga gjithë gjuhët e Gadishullit të madh Ballkanik, gjuha shqipe, ajo që unë përdor, është e vetmja, shkrimi i së cilës u ndalua për pesëqind vjet. Unë nuk di ndonjë vend tjetër në kontinentin europian, gjuha e të cilit të ketë pësuar një tmerr të tillë. Përse? Si u gjykua më pas, përse nuk ndryshoi me kalimin e shekujve, si vazhdoi gjer në fund, në çastet kur perandoria plakë po jepte shpirt? Këtyre pyetjeve e kam vështirë t’u përgjigjem. Shqiptarëve u lejoheshin shumë gjëra: u lejoheshin kishat, pronat, gradat e larta në ushtri e në administratë, madje posti i kryeministrit perandorak, që ata e patën disa herë, por nuk iu lejua kurrë një gjë: shkrimi i gjuhës shqipe. Ky ishte një ndalim i vërtetë, dramatik e pa kthim.

Në kronikën botërore të arsimimit, nuk besoj se gjenden raste kur mësues e vocërrakë, të kapur tek mësonin në fshehtësi shkrimin e gjuhës, masakroheshin aty për aty pa mëshirë dhe pa pendim. Çfarë mund t’i ndodhë një gjuhe që pëson një lemeri të tillë? Ç’ndodh brenda saj, në thellësi, atje ku vërtiten mekanizmat? Si bashkëjetojnë veglat e gjalla me ato që njëra pas tjetrës vdesin? Vetë gjuha si mbahet në këmbë, si zbutet apo egërsohet? Ç’cilësi fiton, apo humb? Cilësi engjëllore apo më shumë demoniake? Gjer më sot nuk kam ndeshur në studime që të merren me këto çështje. Thjesht mund të përsëris se jam njëri prej shkrimtarëve që kam përdorur këtë gjuhë.

Dhe tani më lejoni të flas diçka më tepër për të. Më saktë, të rikujtoj disa shënime që i kam marrë vite më parë, në një periudhë jo të lehtë, jo vetëm të jetës s’ime, por të gjithë popullit që i përkas.

“Unte paghesont premenit Atit et birit et spertit senit.”

Kjo është fraza e parë e shkruar në gjuhën shqipe.

Nuk njoh tjetër gjuhë të nisë historinë e saj të shkruar me formulën e pagëzimit. Ngjan si e sajuar prej poetësh, ndonëse nuk ka kurrfarë sajimi. Fakti është më se i saktë, madje dokumenti ku kjo frazë është gjendur, një qarkore e shkruar në latinisht prej peshkopit të Durrësit, Pal Engjëllit, ka datën e lëshimit. Atje është 8 nëntor 1462. Gati pesëqind vjet më pas, pikërisht në këtë ditë, 8 nëntor 1941, komunistët shqiptarë do të themelonin partinë e tyre, çka ngjan si një tjetër përkim. Por këtë herë në kahe tjetër. Partia Komuniste do të luftonte vdekshëm me fenë që ta shkulte e ta nxirrte jashtë universit shqiptar. Por ajo do të vërtitej, do të vërtitej pa pushim rrotull Shqipërisë, me shpresën e kundërt: të kthehej prapë atje.

Më 1555-ën, një murg katolik, Gjon Buzuku, botoi librin e parë në shqip, një përkthim lutjesh, duke bërë kështu për shqiptarët atë që kishte bërë pak a shumë për gjermanët tridhjetë vjet më parë se ai, i famshmi Martin Luther.

Në vitin 1592, Lekë Matranga, botoi “këngën e përshpirtshme“, vjershën e parë të letërsisë shqipe të kultivuar:

Gjithëve u thërres, kush do ndejese,

Të mirë të kreshté, burra e gra

Mbi fjalë të Tinëzot të shihni meshe

Se s’ishte njeri nesh që mkate s’ka.

Hijeshia e vargjeve njëmbëdhjetërrokëshe dëshmon për një traditë më të hershme vjershërimi, pa llogaritur dhënesën gojore shumë më të vjetër. Por, gjatë ikjes së madhe të shqiptarëve, asaj ikjeje të pikëllueshme, që duhej të ketë qenë brenga më e hidhur e këtij kombi gjatë dy mijë vjetëve, shumë libra e dorëshkrime duhet të kenë humbur. Dëshpërimi i zi, nxitimi, trandja nervore, arkat e harruara, balta, hendekët e rrugës, ujët e detit, të gjitha këto gëlltitën pjesën e tyre nga arkivat e princërve e të baronëve, nga kambanat që ngarkoheshin nëpër anije, nga ikonat e kishave dhe stolitë e zonjave.

Shumë kambana ranë e u mbytën në det.

Ende dergjen atje, në terr e në ndryshk

Me gjëmimin që e ndrynë përbrenda përjetë,

E q’ashtu që së brendëshmi i gërryen e i ha.

Por kambanat e tretura mund të derdheshin sërish në trojet italiane, ku ata u mërguan. Do të tingëllonin ndryshe pa dyshim, dhe do të gjendeshin gjithfarë shpjegimesh për këtë: ajri që s’është po ai, mungesa e bjeshkës aty pranë që kthen jehonën dhe trajta e luginës ose metali që s’qe i njëllojtë, gjersa të gjendej dikush që të thoshte se kambanat ishin po ato, por qenë ata që s’ishin më ata që kishin qenë.

Pra, mund të zëvendësoheshin njëfarësoj kambanat dhe stolitë e grave dhe shumë gjëra të tjera, veç dorëshkrimet e tretura s’ribëheshin më.

Shqipërisë i ndodhi diçka që rrallë i kishte ndodhur ndonjë vendi. Kur elita e vendit, kryezotët, oficerët, njerëzit e letrave, të arkivave, diplomatët, kontët, dukët, shkronjësit e manastireve, duke mos e menduar dot jetën nën shenjën e islamit, ikën përtej detit, u duk se bashkë me arkat e rënda morën me vete edhe trurin e kombit.

Dhe, në njëfarë mënyre, ashtu ishte. Gjithë rrafshnalta shqiptare ra në mpirje e në zi. U duk se vendi, si i goditur në kokë, do të mbetej i gjymtë përgjithmonë.

Por, pikërisht në atë kohë, shtysa e vetëruajtjes rivuri në veprim një mekanizëm të vjetër: letërsinë gojore. Lart në male, atje ku kishte mbetur ende një mugullimë drite, makina e lashtë u trand përsëri. Kishte qenë përherë aty, por disi jashtë vëmendjes, sidomos qysh nga koha që shqiptarët kishin mësuar të shkruanin, madje të botonin edhe libra në gjuhën latine, si gjithë evropianët e ditur. (Njëri prej tyre, prifti shkodran, Marin Barleti, qe përkthyer ndërkaq në krejt gjuhët e Evropës.)

Pra, makina kishte qenë aty, veç tani, në ditët e apokalipsit, u duk se sa shumë i duhej këtij vendi. Por ajo, si çdo makinë e këtij lloji, kishte teknologjinë e saj trillane: nuk punonte dot veç me brumë të lashtë. Ishin ligje misterioze të trashëguara që në kohërat homerike. Sytë e rapsodëve, ndërsa qenë të veshur për gjashtëqind-shtatëqind vjetët e afërt, shikonin shkëlqyeshëm, përtej tyre: shtatëqind e pesëdhjetë, tetëqind, një mijë vjet.

Dhe kështu, ndërsa Shqipëria po jetonte një tragjedi të re, ata, të verbër ndaj saj, iu rikthyen një tragjedie të kryehershme, dyndjes sllave. Poshtë në rrafshultë, ndiheshin ndërkaq tek-tuk ca kambana të rralla, regëtinin ca zjarre, një këtu, një aty, nëpër famullitë gjysmë të shkreta.

Diku midis viteve 1566-1622, një tjetër prift katolik, Pjetër Budi, shkruante vargjet:

Ku janë ato gra e vasha

nde sqimë e nde madhështi

me petka të mëndafshta

nalcuom mbë zotërij?

Gjithë mortja i rrëzoi

Sikur i pret me shpatë…

Ato të kujtonin çuditërisht vargjet e François Villonit:

Ku janë zonjat e dikurshme

Ku është bora e vitit që shkoi?

çka dëshmonte se ciklonet poetike e kanë përshkruar rruzullimin tokësor edhe atëherë kur dukej se gjithçka ishte ndarë dhe se ndërkomunikimi midis poetëve ishte i pamundur.

Pas Pjetër Budit, në letërsinë shqipe erdhi Pjetër Bogdani, një nga mendjet më të gjera e të ndritura të botë shqiptare. Ai ishte poet, filozof e dijetar i madh. Në gjithë veprën e tij ndihet mundimi, lodhja e një titani. Ka gati dyqind vjet që Shqipëria ndodhet në natën osmane. Pra ajo është ende afër mesnatës (ora e mesnatës duhet të bjerë pas pesëdhjetë vjetësh, përderisa nata e gjithë do të jetë e gjatë pesëqind vjet). Pavarësisht se askush nuk e di se në ç’pjesë të natës ndodhet vendi, poeti e ndien. Ai e ndien se nën peshën aziatike, bota shqiptare jep çdo ditë krisje e pëson shembje.

Feja është një nga ledhet e para që trandet. Për një habi të pashpjegueshme qartë, dy nga popujt më të moçëm e kokëshkretë të rajonit, shqiptarët në veri dhe kretasit në jug, bëjnë kthimet e para në fenë islamike. Janë tepër të vjetër dhe janë lodhur nga krishterimi? Ashtu siç qenë ndër të parët që të lodhur nga paganizmi kishin marrë krishterimin? Askush s’mund ta shpjegojë gjer në fund enigmën.

Pjetër Bogdanit, që është peshkop katolik, i dhemb pa dyshim kjo çarje. E bashkë me të i dhembin shumë gjëra të tjera, krejt universi shqiptar që shkon drejt teposhtjes. Ai e ndien se po irnosen ngjyrat e veshjeve, po zvarget si e damllosur muzika, madje lëvizjet e shqiptarëve po flashken edhe në trutë e tyre pikë-pikë po depërtojnë përftimet orientale: “javashllëk” dhe “kismet”.

Ai e ndien madje se edhe gjuha shqipe, sado sipërane e tigreshë të ishte në krahasim me turqishten, po lodhej prej goditjes së shurdhër të bishtit të tjetrës. Ai i ndien të gjitha këto, ndaj vendos të ndërmarrë diçka titanike: t’i vërë supet botës që rrezikon të shembet. Kjo kushtëzon përftimin si prej galaktike të veprës së tij, universalizmin e saj, vizionet planetare dhe sidomos motivet kozmogonike.

Këto të fundit e mahnitnin veçanërisht Lasgush Poradecin. Duke kujtuar njohjen e tij të parë me veprën e Bogdanit, ai shkruan: “Kam kopjuar një poezi kozmogonike, e cila nga pikëpamja e koncepsionit origjinal, e idesë së fuqishme dhe e formës së veçantë të saj, jam i mendimit se duhet konsideruar si një monument letrar, jo vetëm i gjuhës shqipe, por i republikës së letrarëve përgjithësisht. Kozmogonia e të Madhit Shqiptar u bën ballë, me cilësitë e veta, kozmogonisë asiriane (babilonase), ashtu sikundër këtë e shohim në Biblën hebraike dhe kozmogoninë indike, ashtu sikundër këtë na e shfaqin Vedat e Shenjta”.

Titanizmi, ashtu sikurse dhe katastrofa, do të shfaqen herë pas here në letërsinë shqipe, njëlloj si ciklet kozmike. Ato do të shfaqen gjatë Rilindjes Kombëtare me Naim Frashërin. Ato do të rishfaqen në fund të shekullit XX gjatë dramës së Kosovës, që ende mban erë shkrumb.

Pjetër Bogdani është nga Kosova, por s’është kjo arsyeja kryesore, që vepra e tij është studiuar më mirë atje. Arsyeja e thellë është se pikërisht atje u përsërit tragjedia e vjetër. Ashtu si në epikën gojore shqiptare makthi turko-osman ringjalli dyndjen sllave, ashtu në letrat kosovare, makthi sllavo-serb ringjalli dyndjen osmane.

Shkreptima idesh i karfosnin harmonikisht letrat shqipe, ato që duke lindur me formulën e shenjtë të pagëzimit kanë mbyllur ciklet e ringjalljes me një tjetër formulë të shenjtë: Shqipëria u ngjall së vdekurish. Në mbyllje të kësaj fjale do të doja të kthehesha përsëri te fillimi i saj: ndalimi i shkrimit të gjuhës shqipe. Ç’do të bënin shkrimtarët e mundshëm (potencialë) shqiptarë me një gjuhë të tillë? Zgjedhjet nuk ishin të shumta. Dhe, veç kësaj, të gjitha ishin të trishtueshme.

E para gjë që të vjen ndër mend në kësi rastesh është heqja dorë prej një prej pasioneve më të vjetra të njerëzimit: krijimit letrar. Dhe, shumica e shkrimtarëve të mundshëm shqiptarë bënë pikërisht këtë: e braktisën artin e të shkruarit. Ne nuk e dimë dhe as mund ta dimë numrin e tyre. Ne dimë me saktësi vetëm një gjë: që humbja e kulturës shqiptare ishte e pandreqshme.

Një zgjedhje tjetër, më tepër iluzore se e vërtetë, ishte rikthimi i shkrimtarëve në traditën e vjetër rapsodike të letërsisë gojore. Ndërkaq, duhet thënë se, pavarësisht glorifikimit që i bëhet shpesh kësaj tradite, ajo mbetet përherë e mangët në krahasim me letërsinë e shkruar. Një zgjedhje e tretë, në thelb e pikëllueshme, ishte përdorimi i gjuhëve të tjera për t’u shprehur, kryesisht latinishtja e pas saj, gjuhët e tjera europiane.

Një pjesë e shkrimtarëve shqiptarë u strehua kështu në gjuhë të tjera, duke i dhënë fjalës emigrim një tingëllim dyfish dramatik. Një letërsi e tërë u krijua kështu nga ata që u cilësuan si shkrimtarë katolikë të veriut, letërsi e fuqishme, brenda kostumit latin të së cilës ndihej drama shqiptare. Konformizmi me një sajesë letrare turko-osmane, një farë letërsie e lejuar, madje e nxitur nga pushtuesi, ishte një zgjidhje jo vetëm iluzive, por edhe me pasoja fatale në qoftë se do të zinte rrënjë në kulturën shqiptare. Veçantia e parë e kësaj sajese ishte të shkruarit e shqipes me shkronja arabe. Veç kësaj, më e rëndë se kjo ishte brumi gjuhësor me të cilin ngjizej kjo kinseletërsi. Në këtë brumë, gjuha shqipe zinte një vend minoritar. Si në një pasqyrë dukej qartë se si ajo po jepte shpirt e asfiksuar prej shtrëngimit të një tjetër gjuhe që, jo vetëm ishte gjuhë e pushtuesit, por që nuk ishte as e familjes indoeuropiane.

Në kushte dhe dilema të tilla, shkrimtarët shqiptarë u vërtitën një kohë tepër të gjatë, si tigrat në kafaz.

Një zgjidhje të fundit, nga ato që krijon vetëm dëshpërimi, do të merrte shkas ndoshta nga një model i vjetër, dhe pikërisht nga fraza e parë e gjuhës shqipe të shkruar, formula e pagëzimit, që përmenda në pjesën e parë të fjalës s’ime. Kjo formulë, e hartuar, siç thashë, më 1462-shin prej peshkopit shqiptar të Durrësit, gjendet brenda një teksti latinisht.

Shkrimtarëve shqiptarë nuk u mbetej veçse ky model: të strehonin tekste të kursyer shqip, brenda teksteve të gjuhës latine, të cilën nuk e kapte dot ligji osman. Me fjalë të tjera, të shpresonin që ca modele të gjuhës së tyre të rrezikuar, t’i strehonin për mbrojtje në trupin e ftohur të një gjuhe që nuk frymonte më.

Më lejoni ta mbyll fjalën time me këtë përfytyrim, që sa ç’duket tragjik, aq është edhe mallëngjyes në simbolikën e vet. Simbolikën e shpëtimit që gjuha e popullit tim ka kërkuar te gjuha, që vërtet nuk ishte më e gjallë, por pa të cilën nuk mund të përfytyrohet qytetërimi europian. Ju faleminderit.

(Fjalimi (Lectio magistralis) i mbajtur nga Ismail Kadare me rastin e pranimit të Doctor honoris causa në Shkencat e komunikimit social, nga Universiteti i Palermos, 11 qershor 2007.) konica.al /KultPlus.com

Ismail Kadare mbi dëmin që perandoria osmane i ka bërë gjuhës shqipe

Shqipja është një nga gjuhët më të zhvilluara flektive (me nyja e parafjalë). Falë kësaj cilësie e, padyshim, gjithë mekanizmave të tjerë të saj, ajo përballoi lehtë, shumë më lehtë se ushtritë e princave shqiptarë, sulmin osman.

Sulmi i turqishtes, që ishte gjuhë aglutinative (që manovron me prapashtesa), ishte një lloj sulmi i një mamuthi të ngathët që lufton kryesisht me bisht kundër një luani që përdor më shumë dhëmbët dhe kthetrat. Asnjë gjuhë tjetër dhe asnjë shkollim në Europë nuk kanë pasur një martirizim të tillë: pesë shekuj dënim.

Për të mos u zgjatur, mjafton një statistikë tmerruese nxjerrë nga “Historia e shqiptarëve”, e francezit Serge Metais, botuar në vitin 2006, Paris. Tabloja e shkollimit është e pabesueshme. Më 1887, në Shqipëri kishte tre mijë shkolla, prej të cilave një mijë e dyqind shkolla publike turke, po aq shkolla private greke, treqind shkolla bullgare, serbe dhe vllahe, shkollë shqipe vetëm një, me drejtor Pandeli Sotirin!

Pra, gati çdo gjuhë lejohej të mësohej në “perandorinë tolerante”, përveç njërës: gjuhës shqipe! Dhe historia s‘mbaron me kaq. Katër vite më pas, Pandeli Sotiri vritet, shkolla shqipe mbyllet! Kjo është e vërteta, që ende nuk është shpalosur qartë përpara popullit shqiptar. Por rimohuesit nuk e duan këtë të vërtetë. Në vend të saj, ata duan të vendosin një tjetër histori.

Siç u pa më lart, për ata pushtimi, pra, sundimi osman nuk ka qenë i keq. E keqe dhe kundërproduktive ka qenë qëndresa e Gjergj Kastriotit. Duke e sulmuar Kastriotin, më shumë se njeriun e shpatës, ata sulmojnë vizionarin e madh, princin, që, ndryshe nga të tjerët, e ktheu vështrimin drejt Europës. Në këtë mënyrë, bashkë me doktrinën e lirisë, ai nismëtoi programin më europianist shqiptar, më modernin program të këtij populli.

Është e qartë tani përse rimohuesit shqiptarë janë kundër testamentit të tij. Teza e tyre se sundimi osman s‘ka qenë i keq, e keqe ka qenë qëndresa, mund të përkthehet fare saktë: e mirë për Shqipërinë nuk është Europa, por Azia. Andej, pra, të kthehemi!. / KultPlus.com

“Për të vërtetën kanë nevojë të gjithë”

“Gazeta shqiptare” botoi pak kohë më parë një letër të Arshi Pipës, personalitet i njohur i disidencës shqiptare, drejtuar botuesit anglez “Serpent Tail”, lidhur me përkthimin dhe botimin në anglisht të romanit “Kronikë në gur”, përcjell Konica.al

E paraqitur nga studiuesi Myftar Gjana, kjo letër, sipas tij, është e fundit, në serinë e letërkëmbimit të Arshi Pipës me botuesin anglez. Ajo mban datën 27 tetor 1986, është nxjerrë nga arkivi personal i autorit dhe botohet për herë të parë në Shqipëri.

Pak kohë pas kësaj, më 7 shtator të këtij viti, e njëjta gazetë botoi fragmente të një studimi tjetër të Arshi Pipës, të titulluar prej gazetës “Kundër Kadaresë”, titull gjithsesi i habitshëm, ngaqë ajo që shkruhet në këtë studim, jo vetëm që nuk është kundër, por është e favorshme, madje tepër e favorshme për shkrimtarin.
Pavarësisht nga kjo, studiuesi M. Gjana paralajmëron se do të botojë së shpejti shkrime të tjera të rëndësishme të Arshi Pipës për letërsinë shqipe, kryesisht për autorët që kanë qenë në qendër të vëmendjes së tij.
Është për t’u çmuar nisma e zotit M. Gjana që po vë në vëmendjen e publikut dokumente sa të rralla aq dhe të rëndësishme.

Siç del nga intervista shoqëruese e M. Gjanës, letra e A. Pipës drejtuar botuesit anglez, parathënia aq shumë e dëgjuar e tij për “Kronikë në gur”, botuar pas refuzimit anglez në revistën amerikane “Tellos” më 1987, si edhe shkrime të tjera, që do të shohin dritën e botimit, në një mënyrë ose një tjetër, kanë lidhje midis tyre.

Rrjedhimisht, ato kanë lidhje me një incident të njohur publik, për të cilin është folur shumë, por që ka mbetur i pazbërthyer plotësisht. Ngjarja, pjesë të së cilës janë këto shkrime, duke e pasur zanafillën në kohën e komunizmit, ka pasur një histori vijuese më pas, në kohën kur komunizmi po rrëzohej, e fill pas kësaj, në vitet e para të tranzicionit. Për të është folur shumë, është shkruar mbarë e mbrapsht, janë thënë të vërteta e gjysmë të vërteta, janë bërë spekulime, aq të pashmangshme në kësi rastesh.

Incidenti e kapërcen dukshëm vetveten dhe kronikën letrare. Ai ka lidhje me atë katastrofë morale që ndodhi në Shqipëri, kur regjimi i përmbysur arriti të prishë drejtpeshimin e jetës së vendit. Shumë ngjarje mbetën të errëta dhe të tilla vazhdojnë të mbeten, sepse në Shqipëri forcat që janë të interesuara për fshehjen e së vërtetës, madje për varrosjen e saj, janë ende zotëruese.

Lidhur me këtë dosje, një pjesë e së cilës sapo ka nisur t’i bëhet e njohur publikut shqiptar, si autor që është interesuar drejtpërdrejt ngaqë ka lidhje me veprën e tij, dëshiroj të ndihmoj në sqarimin e së vërtetës. Për të vërtetën kanë nevojë të gjithë, duke përfshirë edhe ata që nuk janë më, dhe zëri i të cilëve vjen nëpërmjet dokumenteve, siç është në këtë rast zëri dhe kujtimi i Arshi Pipës. /KultPlus.com

Edhe kur kujtesa

Poezi nga Ismail Kadare

Edhe kur kujtesa ime e lodhur
Ashtu si ato tramvajet e pasmesnatës
Vetëm në stacionet kryesore do të ndalojë,
Une ty s’do të harroj.

Do të kujtoj
Mbrëmjen e heshtur, të pafund të syve të tu,
Dënesën e mbytur, rrëzuar mbi supin tim
Si një dëborë e pashkundshme.

Ndarja erdhi
Po iki larg teje…
Asgjë e jashtëzakonshme,
Veç ndonjë nate
Gishtat e dikujt do të mpleksen në flokët e tu
Me të largëtit gishtat e mi, me kilometra të gjatë… / KultPlus.com

Galeria Kombëtare e Arteve mbulohet me thasë jute, frymëzuar nga ‘Pallati i ëndrrave’ i Kadaresë

Pas tërmetit që përshkroi vendin tonë, instalacioni me thasë jute i artistit Ibrahim Mahamanga Gana, ka mbuluar Galerinë Kombëtare të Arteve.

Kjo vepër ka ngritur shumë pyetje tek njerëzit e thjeshtë, ndërsa është frymëzuar nga “Pallati i ëndrrave” të Ismail Kadaresë, transmeton KultPlus.

Në mëngjesin e 26 nëntorit, pas tërmetit që përshkroi vendin tonë, kryeqytetasit panë se ishte mbuluar me thasë jute të kafenjtë edhe Galeria Kombëtare e Arteve. Dilemës së tyre, se ccfarë kishte ngjarë apo nëse ka pësuar dëmtime në strukturë godina 45-vjeçare e artit, përfaqësuesit e këtij institucioni i përgjigjen duke thënë se: “Është thjesht një vepër arti, bëhet fjalë për “Pallatin e ëndrrave” të artistit Ibrahim Mahama, që ishte konceptuar për t’u inauguruar në datë 27 nëntor, në kuadër të ekspozitës “Tirana Durim”.

Por çfarë është kjo vepër arti me thashë jute frymëzuar nga romani i Ismail Kadaresë “Pallati i ëndrrave” (2012-2019)? Vepra synon të paraqesë kontradiktat /paradokset e qenësishme brenda historisë dhe format e punës që shfrytëzohen në kohën e sotme.

Në koncepti kuratorial të veprës vet artisti shpjegon për  instalacionin se: “Kontradiktat/paradokset ekzistojnë brenda objekteve me të cilët unë punoj, sikurse edhe në marrëdhënien midis meje dhe bashkëpunëtorëve të mi. Unë i shikoj bashkëpunëtorët, për të përmendur disa prej tyre si Bintu-ja, Samsia, Abdallai, Roberta, Kennedy, Arija, midis të tjerëve, si aktorë brenda realizimit të punimeve, sikurse dhe objekti në vetvete.

Ekzistojnë momente shumë të rëndësishme detajesh brenda instalimeve të mëdha që unë realizoj me Bintu-në dhe ekipin në vendet e shumta të realizimit ku ne punojmë. Gjithmonë kam qenë i interesuar për mbetjet, qoftë nga bashkëpunëtorët që vijnë në punë apo qoftë nga vendet e realizimit (studio, magazina ushqimesh, hekurudha, kantiere ndërtimi, parqe dhe shumë të tjera), dhe si ndikojnë ato tek estetika e përgjithshme.

 Shkëmbimi është një proces që unë e vë shumë në zbatim nga momenti i mbledhjes së objekteve, tek realizimi i punimeve në vende të ndryshme nëpërmjet negociatave të ndryshme, e deri tek ndërhyrja e tyre në vende specifike dhe më vonë.

Me blerjen e materialeve të reja dhe shkëmbimin e tyre me materiale të vjetra, brenda këtyre sistemeve të ndryshme, i jepet formë mënyrës sesi del rezultati përfundimtar i punës estetike. Këto shkëmbime, ku nuk kërkohet përdorimi i termave monetare në transaksione të drejtpërdrejta, por në blerjen e gjërave të nevojshme, në dhënien e gjërave që janë të nevojshme për palën tjetër, në dhënien e objekteve si thasë ose gjëra të tjera”. 

Ibrahim Mahama (lindur më 1987) në Tamale, Gana, është një artist i cili jeton dhe punon në Akra, Kumasi dhe Tamale, Ganë. E ka filluar praktikën falë interesit të tij për historinë e materialeve dhe arkitekturën. Dështimi dhe vonesat, të sjella përmes formave specifike, gjithmonë informojnë zgjedhjet e tij mbi vendet që ai beson se punimet jo vetëm që i zënë, por janë gjithashtu të zëna brenda punimeve/objekteve.

Mbetjet dhe pikat e kaosit, të regjistruar si shenja brenda formave që ai përzgjedh, na paraqesin këndvështrime alternative të shikimit të materiales/kushteve të punës së shoqërisë. Forma është e rëndësishme. Punimet e tij përfshijnë objekte prej thasësh jute që përdoren për të transportuar mallra në degradim e sipër dhe që më pas qepen bashkë me anë të një rrjeti bashkëpunëtorësh nën kushte specifike pune të cilat më pas mbivendosen në arkitekturë. Politika e “dorës” dhe lidhja e saj paralele me format arkitekturore bëhet shumë më e dukshme. Punimet e tij, një linjë e drejtë përmes skeleteve të historisë, kanë trajtuar gjithashtu forma që lidhen me Luftën e Dytë Botërore dhe jetën e baktereve.

Punimet e tij janë ekspozuar në Bienalen e 56-të, 57-të dhe 58-të të Venecias, në documenta 14 në Athinë dhe Kasel, Akra, Imazhet – një Ere e Krijuar nga Ne, Danimarkë, ishulli është ai që deti rrethon, Valeta 18, Maltë, dhe Pamje Spektaklesh, Kumasi, Ganë dhe Puna e të Shumtëve pranë Fondacionit ‘Norval’, Cape Toën dhe aktualisht Parlamenti i Fantazmave pranë Galerisë së Artit ‘Ëhitëorth’ në Mançester. Gjatë vitit 2018 ka kryer një vit në rezidencë me DAAD në Berlin. Në mars të këtij viti ka hapur SÇA Tamale, një hapësire e menaxhuar nga artistë, e ngritur dhe dedikuar retrospektivës së praktikave të cilat kanë lindur gjatë shekullit të 20të.. Interesat e tij aktual përfshijnë përdorimin e formave të veçanta arkitekturore brenda historisë në formimin e hapësirave të frymëzuara nga potencialet e dështimeve të modernizmit.

Ekspozita “Tirana durim” nga data 11 dhjetor do të jetë e hapur edhe për publikun në Galerinë Kombëtare të Arteve./shqiptarja.com/ KultPlus.com

Kritika për Ismail Kadarenë, asnjë reagim për tërmetin

Ilir Seci

U ba nji javë qysh se ra termeti…shqiptaria mbare e kallzoi veten në solidaritetin me fatkeqët. Po ai “baba i kombit” Malo Kadare si s’u ndie kund gjallë këto ditë more?

Ki Malua që ia shiti shtetit shqiptar apartamentin në Tiranë per 300 mije euro…a din kush a ka dhurue ndonje cent hala per viktimat e termetit!? Me paret e taksapaguesve shqiptare asht ble ai apartament pra…i ka takue me ua kthye do euro shqiptareve në ditë fatkeqesie, në mos tana ato 300 mije… Do euro ti kish dhurue se s’po i mëton kush me futë hallexhinj te banesa ne Durrës…as “babait te kombit” dhe as Batonit te e tija në Qerret…

Skandal… ma mirë merrini nja dy familje që kane mbete në mes të rrugeve dhe strehojini në atë apartment “muze” të Malos mbasi asht ble me paret e taksapaguesve dhe atyne u takon…hiquni pallavrave me muze të shkrimtarëve të diktaturës…, KultPlus ka sjell statusin origjinal të Ilir Secit. /KultPlus.com