Kadareja im

Ishte viti shkollor 1986/87 dhe unë isha në vitin e parë të shkollës së mesme. Profesoresha e lëndës Gjuhë dhe Letërsi shqipe, znj. Igballe Blakaj, në Gjimnazin e atëhershëm të Prishtinës “Ivo Llola Ribar”, (sot “Sami Frashëri”) erdhi e mërzitur atë ditë.

Arbnora Dushi

E pëlqeja shumë profesoreshën se e doja shumë letërsinë, apo e pëlqeja letërsinë se e doja shumë profesoreshën, nuk di ta them sot, por e di se çdo ditë që kishim lëndën e letërsisë unë shkoja me shumë dëshirë në shkollë.  Po, vërtetë ashtu ishte. Erdhi atë ditë ajo dhe sapo e shënoi orën, me fytyrë të ngrysur, na njoftoi se nga Inspektorati i Arsimit kishte ardhë njoftimi se “Librat e shkrimtarit Ismail Kadare duhet të largohen nga lista e lektyrës shkollore!” Por, vazhdoi ajo, –  ju mos i largoni nga lista juaj! Ne nuk mund t’i punojmë në klasë, por ju vazhdoni t’i lexoni librat e Kadaresë, madje jo vetëm këto që i kemi në listë! – dhe e mbylli me kaq për të vazhduar me zhvillimin e një njësie nga gjuhësia. Ishte kohë kur çdo fjali duhej thënë e matur, sepse shumë lehtë krijoheshin nënkuptime, madje edhe atëherë kur ke folur pa nënkuptim. Heshtja matej me ar dhe heshtjen e saj, kësaj radhe, e mirëkuptuam ne. Ishte zgjatim i porosisë së saj edukative se, ndalesa është e panatyrshme dhe e përkohshme, përderisa i përhershëm dhe i natyrshëm është leximi i veprave të Kadaresë dhe një “njoftim” i tillë duhet ta merrnin si të parëndësishëm për iluminimin e mendjes sonë në jetë.            

E kujtoj që ishte “Kronika…” libri i Kadaresë që u hoq nga lista e gjimnazistëve të vitit të parë, ai i cili më futi në shtigjet e rrugëtimit kadarean, bashkë edhe me porosinë e profesoreshës, që ta rris listën me lexime të librave të tij. Në fakt, në atë kohë, për shumëkë “pengesat” që na vini nga lart, arrinin efektin e kundërt. Ne bëheshim edhe më kërkues dhe zhvillues mu aty ku pengoheshim e zhvilloheshim. Ishin kohëra tjera dhe guximin e kishim tjetër… Gjirokastra e Kronikës për mua u bë një qytet përrallor, të cilit ia njihja sterrat e skutat, bashkë me të gjithë personazhet kontravers që lëviznin në kalldërmet e saj. Madje ky imazh fantastik nuk më është shqitur edhe sot, pas dhjetëra herëve që e kam vizituar përfshirë edhe katër festivalet folklorike kombëtare, ku sfidat me akomodimin, sidomos në vitet e fillimit, ishin sakrificë në vete.                          

Listën time e shtova shpejt me “Urën me tri harqe”. Mbeta e mrekulluar me riformatimin e mitit të flijimit. Edhe pas leximit e kujtoj që m’u deshën disa ditë që të dilja nga atmosfera e librit, sepse nga dehja me madhështinë e librit, gjithçka që më rrethonte në realitet filloi të më dukej  triviale dhe të më iritonte. E kujtoj që m’u deshën ditë t’Iipranoja natyrshëm njerëzit rreth meje që flisnin pa figura e pa aluzione artistike. Më dukeshin shumë të varfër shpirtërisht ata që nuk e kishin lexuar Kadarenë. Njësoj, në mos më tepër, më ndikoi “Doruntina” me misticizmin që ia kishte brumosur shkrimtari baladës së besës. Ftohtësia që e përcillte udhëtimin e motrës mbi kalë me vëllain e vdekur, vetëm natën nga frika se zbuloheshin, më bënte të mërdhija edhe unë gjatë leximit. M’u pat shtuar kureshtja t’i lexoj baladat popullore, sepse ky roman përveç kureshtjes ma nxiti dhe ma rrit dashurinë për to. Ndonëse para Kadaresë, ishte Mitrush Kuteli që më pat njoftuar me baladat nëpërmjet  “Tregimeve të  moçme shqiptare”, tani fillova t’i kërkoj ato edhe tek blejtë e botuar, ku baladat jepeshin në vargje.  

Isha ende nxënëse gjimnazi, ende e papërcaktuar për zgjedhjen e profesionit në jetë, por edhe më pas që u thellova e u specializova në folkloristikë, për mua emri i vërtetë i heroinës së baladës së besës, nuk është as Garentina, as Dhoqina, siç ka variante të baladave kudo ku këndohen ndër shqiptarë. Për mua emri i vërtetë i motrës së Kostandinit mbetet përherë Doruntina, sipas variantit që kishte zgjedhur Ismail Kadare.        

“Gjenerali” ishte i pari dhe kushdo që e lexonte pak Kadarenë, për të fliste, por unë, mu për këtë fakt, i rezistoja leximit të tij. Kurrë nuk më kanë joshur shijet e përgjitshshme! Mahnitjen e radhës ma ofroi “Prilli” me Gjorgun dhe peshën psikologjike të jetës së tij, që i varej nga tharja e plagës së gjakut në këmishën e vëllait, e cila mbetej e ekspozuar në kulm të shtëpisë derisa ai ta merrte gjakun e vëllait. Sa shumë jetë kishte arritur të krijonte nga kodet e ngurta të Kanunit dhe sa të kapshëm e të kuptueshëm e kishte bërë atë për lexuesit. Herë herë të provokonte edhe me këndvështrime urbane, falë komenteve të karakterit të Diana Vorpsit, e cila e ardhur nga kryeqyteti në Malësi, në përballje me dukuritë e jetës kanunore, të ofronte mundësinë e vetidentifikimit e të pjesëmarrjes në ngjarjen e romanit. Çdo faqe e “Prillit”, ose më mirë çdo rresht, më bënte të dehem me gjetjet e shkrimtarit. Dhe dehja vazhdonte sepse unë në secilin roman gjeja tema të reja e trajtime unike. “Kështjella” ishte poaq mahntëse, sa edhe “Dosja H”, më pas  “Eskili” me “Legjendat e legjendave” e me të gjithë të tjerët me radhë që pasuan në vazhdimësi.

Unë duke e lexuar Kadarenë, po rritesha intelektualisht e po aftësohesha për ta dashur e pëlqyer letërsinë, por edhe folkloristikën, siç më erdhi më pas. Zgjodha kështu ta studioj letërsinë dhe t’i shkoj hapave të këtij rrugëtimi. E kujtoj se dikur më pati rënë në dorë “Ftesë në studio” dhe edhe ky më pati mrekulluar me mënyrën si i qasej lexuesve, duke i ftuar në laboratorin e tij krijues. Sa herë që lexoja prej tij unë mrekullohesha. Rritesha. Por edhe e rrisja figurën e tij para meje, i jepja përmasa të një njeriu jo të zakonshëm, të një mbinjeriu, të cilit as kisha menduar ndonjëherë t’i afrohesha. Së paku fizikisht, jo njëherë. Ishte edhe kohë kur mundësia për ta takuar nuk të ofrohej , por as edhe nuk kisha kureshtje. Ai jetonte në një shtet të izoluar siç ishte Shqipëria atëherë, por edhe unë nuk kisha ndonjë psynim  ta takoja. Për mua, që isha takuar me librat e tij, nuk e ndjeja aspak të nevojshme ta takoja fizikisht dhe madje as nuk i lidhja këto dy gjëra. Librat e tij ma plotësonin mjaftueshëm kureshtjen që kisha për shkrimtarin Kadare.

Erdhi koha e studimeve të magjistraturës kur unë duhet të përcaktiohesha për temën. E natyrshme që një temë që lidhej me librat e Kadaresë do të ishte ajo që më flinte më shumë. Zgjidhja më e përshtatshme më doli që të jetë një temë ku do të trajtoj elementet e folklorit në veprën e Kadaresë, meqë përveç që ai e kishte përfshirë dhe përpunuar në mënyrë të përsosur, isha edhe unë që po e orientoja rrugëtimin tim drejt folkloristikës. Epika, si më e përdorura prej  tij në romane dhe novela, që e nënkuptonte prozën, më definoi titullin e projektit tim të temës së magjistraturës, e cila u bë “Elemente të epikës gojore në prozën e Ismail Kadaresë”. Ndonëse ishte titull pune, i cili mund të kondensohej artistikisht e poetikisht për botim, i tillë i plotë edhe u botua. Punova në të për tri vjet, sepse prej fillimit deri te përfundimi ndërmjet më hyri periudha e luftës në Kosovë.

Madje dhjetëra faqet e para të dorëshkrimit në kompjuter më patën mbetur në kompjuterin e shtëpisë, të cilin e gjeta të demoluar kur u kthyem pas deportimit në Maqedoni. Atëherë çdo faqe e shkruaja një herë me dorë dhe pastaj e daktilografoja në kompjter dhe kjo teknikë më pati shpëtuar kur nuk e gjeta kompjuterin, sepse i gjeta dorëshkrimet. I ripërpunova e i rishkrova edhe shumë herë derisa e mbrojta temën më 2001, por botimin nuk arrita ta bëj para vitit 2004. Nuk ishin të lehta vitet e para të pasluftës as për botimet nga institucionet publike. Por, takimet ndërmjet shqiptarëve u lehtësuan. Ismail Kadare filloi të vijë në Kosovë dhe shqiptarët filluan të bëjnë çmos për ta takuar. Takimi me të u bë preferencë e përgjithshme, por unë nuk shquhesha për shijet e përgjithshme. Madje preferoja të mungoja aty ku ishin të gjithë. Ndoshta veprat nuk ia kishin lexuar, por shkrimtarin e kishin takuar shumë herë. Unë nuk i takova kurrë asaj kategorie. U ndjeva e plotësuar dhe e përmbushur mjaftueshëm duke e lexuar dhe studiuar Kadarenë, pa e pasë nevojën ta takoj ndonjëherë./KultPlus.com

Seanca plenare e Kuvendit të Shqipërisë nis me një minutë heshtje për Ismail Kadarenë

Kryeparlamentarja e Shqipërisë, Lindita Nikolla hapi seancën e sotme me një minutë heshtje, për ta nderuar gjeniun e letrave shqiptare, Ismail Kadarenë me rastin e vdekjes së tij.

Nikolla u shpreh se Kadare nderoi popullin shqiptar, dhe për këtë të gjithë i janë mirënjohës, përcjell Klankosova.

“Dje u përcoll në banesën e tij të fundit, të gjithë i jemi mirënjohës Ismail Kadaresë, krijuesit dhe ai që na nderoi lartë. Një minute heshtje”, tha Nikolla./KultPlus.com

Presidentja Vjosa Osmani për Kadarenë: Lamtumirë titani i letërsisë, liria e Kosovës për të ishte triumfi i kombit shqiptar

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka qenë sot e pranishme në ceremoninë shtetërore të homazheve dhe varrimit të Ismail Kadaresë.

Përmes një statusi në rrjete sociale, Osmani ka ndarë fotografi nga pjesëmarrja teksa shkruan se veprat e Kadaresë ndriçuan cepat më të errët të historisë dhe shpirtit njerëzor.

Më tej Osmani shprehet se aftësia e tij për të ndërthurur mitet dhe realitetin e bëri një nga më të veçantët dhe të fuqishmit në letërsinë bashkëhore.

“Aftësia e tij për të gërshetuar historinë, mitet dhe realitetin, e bëri zërin e tij një nga më të veçantët dhe më të fuqishmit në letërsinë bashkëkohore. Prandaj, jemi përgjithmonë mirënjohës për veprat që na la. Liria e Kosovës për të ishte triumfi i kombit shqiptar. Ndërkaq, për kombin shqiptar, vetë ekzistenca dhe vepra e Ismail Kadaresë është triumf i kulturës mbi injorancën dhe i lirisë mbi diktaturën. Lamtumirë, titani i letërsisë, Ismail Kadare!’’, shkruan Osmani./KultPlus

Begaj: Bashkë me Nënë Terezën, Ismail Kadare u shndërrua në emblemën ndërkombëtare të Shqipërisë

Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj, zhvilloi sot homazhe në nder të shkrimtarit të shquar shqiptar me famë botërore, Ismail Kadare, në ceremoninë shtetërore të lamtumirës së fundit të organizuar në Tiranë.

Presidenti i Republikës, i shoqëruar nga Zonja e Parë, vendosi kurorën me lule pranë arkëmortit të mbuluar me flamurin e Shqipërisë. Kreu i shtetit shënoi në librin e ngushëllimeve vlerësimet për “Nderin e Kombit”.

“Shqipëria dhe shqiptarët përcjellin sot për në panteonin e përjetësisë gjeniun e tyre të letrave, Ballkani poetin e miteve të tij, Evropa dhe bota ndër përfaqësuesit më të spikatur të letërsisë moderne. Falë talentit të rrallë dhe ndërgjegjes patriotike, Ismail Kadare fitoi për së gjalli statusin e privilegjuar të emancipuesit shoqëror dhe atij identitar”.

“Novator në stil, si dhe në gjuhë, së bashku me Nënë Terezën, ai u shndërrua në emblemën ndërkombëtare të Shqipërisë dhe shqiptarëve të kohëve moderne. Ismail Kadare do të përkujtohet gjithmonë me nderim si promovues, si askush tjetër, i krenarisë kombëtare, veçanërisht i orientimit evropian të kombit shqiptar. Lamtumirë, i madhi ynë!”, është ky mesazhi i Presidentit të Shqipërisë,  Bajram Begaj për shkrimtarin Ismail Kadare. /tvklan/KultPlus.com

Rama: Ismail Kadare e ngjiti gjuhën shqipe në majën më të paarritur nga asnjë lëvrues i saj

Kryeministri Edi Rama u shpreh sot se, Ismail Kadare e ngjiti gjuhën shqipe në majën më të paarritur.

Në fjalën e tij në ceremoninë shtetërore të lamtumirës, Rama u shpreh se, “ndërkohë qysh se lajmi i vdekjes së Ismail Kadaresë mori dhenë në kutinë e mesazheve të shpeshta të ditëve të mia të zakonshme më vinin hera-herës opinione të ngutura nga një ankth i çuditshëm për vendvarrimin e tij”.

“I lexoja dhe më kujtohej Ismaili. përpiqesha të merrja me mend sesi do t’i merrte ai ato propozime të pakërkuara për ta varrosur tek vëllezërit Frashëri, tek parku përballë Rognerit, tek fusha e gjelbër mbrapa Kryeministrisë, tek varrezat e dëshmorëve të Luftës Nacionalçlirimtare, e deri tek Varrezat e Dëshmorëve në Kosovë. Nuk e di dot çfarë do të thoshte, po e di njësoj si ai arkëmort ku është shtrirë trupi i tij, se po t’ia kishit treguar dot vigjiljen time të këtij ceremoniali dje në darkë, atje në Durrës tek shtëpia buzë detit, ku u mbyll për të ndjekur perëndimin e diellit të vet si një spektator i zbritur nga jeta e gjatë në zenit, do të argëtohej shumë. E siç thoshte Gabriel Garcia Markez do t’i vinte plasja që nuk do të merrte dot pjesë në funeralin e vet”, u shpreh Rama.

“Kur edhe Helena më çoi fjalë se donte veç fjalën tim në këtë funeral, duke i qëndruar besnike si në të gjitha herët Isit të saj, i cili kishte një alergji të rëndë nga tubimet, nderimet e sidomos fjalimet, zgjodhi besoj të keqen më të vogël. Një fjalim të pashmangshme të rastit, por të paktën nga dikush që nuk flet thjesht se e kërkon detyra, por dhe si dikush me të cilin Ismailin e lidhte kënaqësia e bisedave jo të shpeshta. Kështu ky nder kaq i posaçëm përveçse një barrë e rëndë përgjegjësie mu pranë arkëmortit të njeriut që e ngjiti gjuhën shqipe në majën më të paarritur nga asnjë lëvrues i saj, ndërsa letërsinë shqipe në panteonin e mbarë botës së letrave, mu bë dhe një siklet i ububushëm, po aq i rrallë sa dalja në një provim përpara fytyrës tallëse të Ismailit me tubimet, me nderimet, me fjalimet”, tha Rama.

“Sa e mora vesh që vdiq dhe mendova pashmangshmërinë e përgatitjes së ceremonialit, bashkë me pamundësinë për ta shmangur dhe unë vetë përfshirjen në këtë tubim, nderim dhe fjalim, më është bërë si një pullë poste që s’më ndahet nga sytë pamja e tij e sëkëlldisur gjatë ceremonisë së gradimit me shkallën më të lartë të Urdhrit të Legjionit të nderit nga vetë Presidenti i Francës në Pallatin e Brigadave”, tha Rama.

“Dhe qysh se filluan të merrnin jetë Komisioni i Posaçëm Shtetëror i ceremonialit funebër dhe paralelisht përplasjet e opinioneve në skenë dhe në prapaskenë për të dhe vendvarrimin e tij u ndjeva personazh i kurthit të fundit letrar të Ismail Kadaresë, një vorbull e hatashme ëndrrash në zhgjëndër me mua vetë si nëpunësin e pallatit të zhgjëndërrt të atyre ëndrrave. Kërkohej një varr. Kush mundej, thoshte të vetën, si në një garë të vetëshpallur ethesh letrare ku ai apo ajo që do të gjente vendin ideal për gropën e trupit të pajetë të autorit të Gjeneralit të Ushtrisë së Vdekur dhe komisionit të festës do të siguronte dhe vendin më pranë tij në botën tjetër”, theksoi Rama./atsh/KultPlus.com

Përshtypjet e diplomatëve amerikanë në Tiranë për veprat e Ismail Kadaresë

Në nder të veprës së gjigantit shqiptar të letërsisë Ismail Kadare, ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës u kërkoi diplomatëve amerikanë në Ambasadën e ShBA në Tiranë të ndajnë mendimet e tyre për disa prej librave të tij.

I Ngarkuar me Punë në Ambasadën e ShBA, David Wisner, komentoi veprën “Prilli i thyer”.

“Më pëlqeu shumë Prilli i Thyer. Përshkrimet e gjalla të veriut mahnitës të Shqipërisë dhe kompleksiteti i pasur i shoqërisë të mrekullueshme ishin një pasqyrë e fuqishme në këtë vend me teksturë dhe të bukur”, theksoi ai.

Ndërsa, John Kastning, Drejtues në Byronë Ndërkombëtare për Narkotikët dhe Çështjet e Zbatimit të Ligjit komentoi veprën “Piramida”.

“Shkrimi i Piramidës më magjepsi – përmes shumë pak fjalëve, Kadare interpretoi në mënyrë delikate ambicien njerëzore dhe luftën nën pushtetin autoritar përmes shumë këndvështrimeve, të gjitha që lexuesit t’i zbulojnë dhe vlerësojnë vetë”, u shpreh ai.

Amanda Roberson, Shefe në Detyrë e Zyrës së Marrëdhënieve me Publikun komentoi veprën “E penguara (Requiem për Linda B.)”.

“Një mik shqiptar më rekomandoi këtë libër që më përfshiu tërësisht. Përmes historisë së mistershme të një gruaje (Linda B.), Kadare prek dashurinë, artin dhe zgjedhjet që njerëzit bëjnë në rrethana të jashtëzakonshme. Tërheqës, magjepsës dhe shumë i bukur”, shkroi ajo.

Gabriel Vaughan, Këshilltar për Sigurinë Kibernetike, Zyra e Bashkëpunimit në Fushën e Mbrojtjes komentoi librin “Kronikë në gur”.

“Kronikë në Gur është një përshkrim i bukur zemërthyes i përvojës së një fëmije në luftë. Në këtë vepër gjysmë- autobiografike, Kadare shpërfaq një mjeshtëri ironie, antropomorfizmi dhe përshkrimi plot imagjinatë që kërkon që lexuesi të ndjejë përballjen e pastërtisë së thjeshtë të fëmijërisë dhe tmerreve të pakuptueshme të Luftës së Dytë Botërore”, u shpreh ai.

Ndërsa, Teresa Hollowell e Zyrës Mjekësore komentoi librin “Pallati i ëndrrave”.

“Njohja ime me veprat e Ismail Kadaresë nisi me romanin e tij Pallati i Ëndrrave. Ky libër e udhëhoqi mendjen time në një udhëtim të papritur. Romani i Kadaresë e çon lexuesin përmes gëzimit të personazhit kryesor për rolin e tij të ri, vetëm për të kulmuar në një fund të paparashikuar dhe befasues. Thyerja e ëndrrave, duke u zhvendosur nga një mjet për të pasur sukses në një mjet për shkatërrimin e dikujt, ishte po aq mendim-ndjellës sa edhe zemërthyes. Kadare eksploroi me mjeshtëri fuqinë e ëndrrave, duke i shndërruar ato nga një simbol shprese në një instrument kontrolli dhe dëshpërimi”, tha ajo./atsh/KultPlus.com

Rohde: Trashëgimia e Kadaresë do të jetojë përmes tregimeve të tij të përjetshme

Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorhn Rohde, përmes rrjeteve sociale është shprehur se trashëgimia e shkrimtarit Ismail Kadare do të jetojë përmes tregimeve të tij të përjetshme.

Rohde është dukë marrë pjesë në homazhet për Kadarenë, ceremoni që po mbahet në Tiranë, nnë ambientet e Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit.

“Duke nderuar gjigantin letrar Ismail Kadare. Fjalët e tij sollën letërsinë shqipe në botë dhe prekën zemra të panumërta. U prefsh ne paqe. Trashëgimia e tij do të jetojë përmes tregimeve të tij të përjetshme dhe frymëzimit që u dha brezave të shkrimtarëve të rinj!”, ka shkruar Rohde në platformën “X”./KultPlus.com

Gjinushi: Kadareja, busull e përcaktimit evropian të Shqipërisë

Akademia e Shkencave të Shqipërisë organizoi një ceremoni solmne në nderim të Ismail Kadaresë. Kryetari i ASHSH, Skënder Gjinushi, e vlerësoi shkrimtarin e madh si një busull të përcaktimit evropian të Shqipërisë.

“Humbja fizike e Kadaresë është pa dyshim humbja më e madhe e letrave shqipe; është një humbje shumë e madhe e kulturës dhe letërsisë evropiane e botërore, e akademizmit shqiptar e atij evropian. Kadareja shkroi nën diktaturë, por vepra e tij përkthehet, lexohet e vlerësohet njëlloj nga lexuesit në të gjithë botën, pavarësisht cilës kulturë apo cilit sistem politik i përkasin”, tha Gjinushi në fjalën e tij.

Sipas kryetarit të Akademisë së Shkencave, fjalën e fundit e thotë lexuesi, dhe lexuesit e Kadaresë, të shtrirë tashmë në tërë botën e në të gjitha gjuhët, vijnë vetëm duke u shtuar; dhe e tillë, me lexues e admirues, do të jetë vepra e Kadaresë për dhjetëvjeçarë me radhë, krahas veprave të pavdekshme të letërsisë botërore, që nuk njohin epokë, por bëjnë epokë.

Gjinushi e renditi Kadarenë krahas figurave të tilla si Skënderbeu, Ismail Qemali e Nënë Tereza si dhe përmendi kontributet e tij si lëvrues i gjuhës duke e çmuar po aq sa Çabejin./atsh/KultPlus.com

Nisin homazhet për gjeniun e letërsisë shqipe, Ismail Kadarenë

Në sallën e TKOB kanë nisur homazhet publike dhe ceremonia shtetërore e lamtumirës për gjeniun e letrave shqipe, Ismail Kadare. Bashkëshortja Helena dhe bijat e shkrimtarit të ndjerë po presin ngushëllimet e një kortezhi të vazhdueshëm personalitetesh shtetërore por edhe qytetarësh të thjeshtë.

Protokolli ka menduar edhe të vendosë simbolet e Nënë Terezës vë vendin e homazheve.

Ceremonia e nderimeve për kolosin Kadare është organizuar me protokoll shtetëror nën kujdesin e Kryeministrisë. Homazhet nisën në ora 09:00 dhe do të vazhdojnë deri në 12:30 për të vazhduar me nisjen drejt varrezave të Tufinës. Ashtu si dje, edhe dita e sotme është ditë zie kombëtare. Gjithashtu ditë zie kombëtare ka shpallur edhe Kosova.

Ismail Kadare, prijësi historik i letërsisë shqipe prej më shumë se shtatë dekadash, ishte anëtar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë; anëtari i Akademisë së Shkencave Morale dhe Politike të Francës; anëtari i jashtëm i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, anëtari i jashtëm i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Malit të Zi.

Ismail Kadare do të mbetet një autoritet moral për popullin shqiptar, një institucion krijimi dhe mendimi, një referencë themelore për jetën e tij. Vepra që ai ka krijuar është e lidhur me çështje thelbësore të botëkuptimit shqiptar e ballkanas, të ndërveprimit të kulturave dhe vlerave qytetare të rajonit, të evoluimit të identiteteve historike e kulturore. Ajo është një dritare e rëndësisë parësore për të njohur edhe psikozat dhe komplekset e popujve të Europës Juglindore, aspiratat e vërteta të tyre./atsh/KultPlus.com

Sot varroset shkrimtari më i madh shqiptar, Ismail Kadare

Sot do të varroset shkrimtari më i madh shqiptar, Ismail Kadare, i cili u nda nga jeta dy ditë më parë në Tiranë.

Nga ora 09:00-12:30 do të mbahen homazhet dhe më pas kortezhi do të niset drejt varrezave të Tufinës.

Shkrimtari i madh shqiptar Ismail Kadare u nda nga jeta mëngjesin e 1 korrikut, në moshën 88-vjeçare duke lënë pas tij një pasuri të madhe letrare që është përkthyer në 45 gjuhë të botës.

Kadareja është vlerësuar me një sërë çmimesh ndërkombëtare për veprat e tij.

Vitin e kaluar, presidenti francez Emmanuel Macron i dha atij titullin Oficeri i Madh i Legjionit të Nderit gjatë një vizite të presidentit francez në kryeqytetin shqiptar./KultPlus.com

Shqipëria në zi në nder të kolosit të letrave shqipe, homazhet për Ismail Kadarenë mbahen sot në TKOB

Në ndër të kolosit të letrave shqipe, Ismail Kadaresë, mbahen sot homazhet në Teatrin Kombëtar të Operas, Baletit dhe Ansamblit Popullor.

Ceremonia e nderimeve për shkrimtarin e madh organizohet me protokoll shtetëror nën kujdesin e Kryeministrisë.

Nga ora 09:00-12:30 do të mbahen homazhet dhe më pas kortezhi do të niset drejt varrezave të Tufinës.

Ismail Kadare u nda nga jeta në moshën 88-vjeçare më 1 Korrik 2024 pas një arresti kardiak./tvklan/KultPlus.com

Presidenti Macron reagon për Kadarenë: Shkrimtari franko-shqiptar Ismail Kadare na la

Pallati Elysee në Paris, në emër të presidentit të Francës Emmanuel Macron, ka shprehur ngushëllimet e tij për ndarjen nga jeta të Ismail Kadare.

Në reagim thuhet se këtë të hënë ka vdekur një shkrimtar që mishëronte me jetën, veprën dhe personalitetin e tij.

“Këtë të hënë vdiq një shkrimtar që mishëronte, me jetën e tij, me veprën e tij dhe me personalitetin e tij, pasurimin e dialogut, forcën e shpirtit europian dhe vokacionin e mikpritjes të Francës. Shkrimtari franko-shqiptar Ismail Kadare na la. Ai ishte prej atyre që shkrimin e shihte si betejë; prej atyre për të cilët çdo fjalë dilte nga heshtja, prej të cilëve çdo rradhë rrezikonte të shprishte procesverbalin e tyre, prej të cilëve që çdo roma kërcënonte të ishte epitafi i karrierës së tyre”, thuhet në reagim.

“Zbulimi i letërsisë, hapi për adoleshentin një botë të re. Duke lexuar Servantesin, Homerin dhe Gogolin, ai krijoi bastionin e vet të rezistencës intelektuale”, thuhet tutje.

Pas “Pallatit të ëndrrave” në 1981 zëre se u shpall “armik i popullit”. I ndaluar për botim dhe vendosi të kërkonte azil politik.

Pallati Elysee ka shkruar tutje se atëherë ai ju kthye vendit që kishte përkthyer i pari librat e tij, i pari vend i pasionuar pas veprës së tij në të gjitha frontet. Me redaktorin e tij, Claude Durand, botues i Fayard, ai planifikoi një arratisje të madhe drejt Francës në 1990, pas rënies së murit të diktaturës. Arratia e tij nxiti protestat e para studentore prej dyzet vitesh.”- shkruhet ndër të tjera në komunikatën e Elizesë.

Kujtojmë se vetëm para ca kohësh Macron dekoroi në Tiranë Kadare me “Oficer i lartë i Legjionit të nderit./KultPlus.com

Kryeministri Albin Kurti: Nata e parë pa Kadarenë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në rrjete sociale ka shkruar përsëri për vdekjen e shkrimtarit Ismail Kadare, një ditë pasi ai u nda nga jeta.

“Nata e parë pa Kadarenë kaloi mbrëmë. Më herët e dinim që është atje diku me bibliotekën e tij, dhe, këtu te secila bibliotekë familjare nëpër shtëpitë tona. Do të lexohet edhe më shumë tash ai: që të na mungojë më pak neve që e duam, që të gjejmë më shumë veten që na duhet”, ka shkruar Kurti.

Tutje, ai u shpreh se Kadare nuk na la në paqen e një shoqërie të përgjumur, por na hodhi në intrigën e tij.

“Kadare nuk na la në paqen e një shoqërie të përgjumur, por na hodhi në intrigën e tij. Aty janë dhe do të jenë ende personazhet dhe situatat, gjenerali i të vdekurve dhe kako Pino, koncerti i fundit dhe pallati i dimrit të përhershëm, Broadway i zhvendosur në Tiranë dhe hija e kineastit shqiptar në Paris, Eskili i degdisur dhe faraoni i tejvarrosur, trupi i Lul Mazrekut dhe përkthyesi i katërt, valltari i vargjeve të popullit apo autoriteti i nëndheshëm i Lasgushit… Të gjithë do të jenë aty nën paradigmën e uraganit të pandërprerë të letërsisë”, u shpreh kryeministri Kurti.

Duke vazhduar përshkrimin për të madhin Kadare, Kurti vazhdoi se shkrimtari i madh ka aftësinë të ndërtojë mision, dhe se ky mision është vetëm stil, alegori, porosi, kolektiv kuptimi, dyshim kolektiv.

“Si një mesazh i habitshëm mund të përmendet edhe fakti që vetëm së shpejti do të shfaqet në Francë biseda e tij e pothuaj tri dekadave më herët me të munguarin e madh Ukshin Hoti”, tha ai.

Sipas Kurtit, kushdo që e ka lexuar Kadarenë, e di etjen e tij të pashuar për të munguarit e mëdhenj, sepse Kadareja e dëshironte hetimin e çështjes.

“I munguar i madh, nga dje, u bë edhe vetë Kadareja”, e përfundoi shkrimin Kurti./KultPlus.com

Instituti Albanologjik mban mbledhje komemorative për Ismail Kadarenë

Dje ka vdekur shkrimtari i madh shqiptar, Ismail Kadare, në moshën 88-vjeçare. Për të nderuar veprën e tij, Instituti Albanologjik në Prishtinë do të mbajë mbledhje komemorative.

Mbledhja ka nisur në ora 10:00, në Institutin Albanologjik.

Ushtruesi i detyrës së drejtorit të këtij Instituti, Lulezim Lajqi, është shprehur se me vdekjen e Kadaresë ka humbur edhe letërsia botërore.

“Ikja në nga kjo botë e Ismail Kadaresë nuk është vetëm humbje e madhe vetëm për letërsinë shqiptare por edhe për letërsinë botërore. Veprat e tija janë botuar në 45 gjuhë botërore, kështu Kadare e vendosi atdheun e tij të izoluar Ballkanik në hartën e letërsisë botërore. Kadare morri edhe çmime të shumta globale”, ka thënë Lajqi.

Ndërsa profesori Emin Kabashi tha se vdekja e tij është vdekje që i jep shpresë jetës, dhe se ai ka paralajmëruar kthimin e dinjitetit të një letërsie dhe të kulturës shqiptare dhe paralajmëroi që ky shekull është shekulli i tij.

Kurse Arben Hoxha ka thënë se ‘vdekja e Kadaresë është vetëm një ikje nga fuqia e pushtetit të trupit të vet për t’i lënë hapësirë veprimi fuqisë së përhershme, asnjëherë të konsumueshme: vizioneve të hapura për komunikim të prodhuara nga mendja e tij letrare dhe të materializuara në veprën e tij. Këto vizione të hapura do të jenë gjithnjë aktive për mendjet e uritura për përsosmëri e fuqizim të trupit të njerëzores kundrejt çnjerëzores brenda nesh…’./KultPlus.com

Kosova shpall ditë zie 3 korrikun me rastin e vdekjes së Ismail Kadares

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka marrë vendim që dita e mërkurë, 3 korrik 2024, të shpallet ditë zie shtetërore, me rastin e vdekjes së shkrimtarit shqiptar me famë botërore, Ismail Kadare.

Zija shtetërore do të jetë gjatë ditës së mërkurë, ditën kur edhe do të varroset Ismail Kadare, ndërkaq Zyra për Media e Presidencës njofton se Protokolli i Shtetit ngarkohet që t’i ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për zbatimin e këtij vendimi.

Presidentja Osmani, në qershor të vitit të kaluar, kishte dekoruar shkrimtarin Ismail Kadare me Urdhrin “Hasan Prishtina”, ndër Urdhrat më të lartë të cilin e jep Republika e Kosovës për personalitetet më të shquara të kombit. Ndërsa, në gusht, Presidentja shpalli dekretin me të cilin shkrimtarit shqiptar me famë botërore, Ismail Kadare, i është dhënë nënshtetësia e Republikës së Kosovës./KultPlus.com

“Kadare është Gjeniu, të cilin, në kohën e duhur për të mos i lënë të vdisnin, shqiptarëve ua solli Zoti”

Çfarë ishte Kadare?

Shkruan: Edison Ypi

Skënderbeu ishte mit. Ali Pasha despot gjakatar. Naimi qiri. Lasgushi violinë. Fishta lahutë, çifteli. Migjeni fije bari. Diktatori, tytë, shul, sapun, litar. E kështu me rradhë, secili ka qënë diçka.

Po Kadare, çfarë ishte vallë Kadare ?

A ishte Kadare, për shembull, furrnaltë rrethuar nga proletarë heroikë leckamanë sypatrembur që luftonin dhëmb për dhëmb me zjarrin dhe metalin për të çarë bllokadën, që shkrinin çelik, bënin “me forcat tona” plugje dhe zinxhirë traktorësh që “të sigurohej buka në vend” ? Kadaresë nga këto i vinte për të vjellë.

A është Kadare një bakllava me sherbet. Që shqiptarët e hanë, ngopen, kthejnë një gjym me ujë, gromësitin, dhe duke shtriqur thonë; Rrofsh o Kadare që na ngop me ëmbëlsira dhe nuk na kërkon asgjë.

Kadare në asnjë rast dhe për asnjë çast nuk ka qënë dhe nuk është ëmbëlsirë.

Pretendimi idiotesk që Kadare të ishte i ëmbël vinte dhe vjen nga ca gomerë që nga Letërsia nuk kanë haber.

Parazitët, frikacakët, dinakët, donin që Kadare tua bënte qefin si vigan, si katallan, që kthen lumenj, ndal tërmete, than përmbytje, shpëton turmat nga vdekja.

A ishte Kadare një qetësues, një gjumëndjellës, një kamomil, për t’i ndihmuar t’i zinte gjumi dhe të shihnin ëndërra të bukura ata që prangat dhe zinxhirët i farkëtonin vetë ?

Kadare s’ka qënë kurrë qetsues, çaj, apo valium. Kadare dhe gjumi s’takohen kurrkund.

Nuk kanë munguar idiotat që Kadaren e kanë dashur të ishte një supermen me sharrë e gërshërë kovaçi ndër duar, që të këpuste zinxhirë, pranga, tela me gjëmba. Të fluturonte si zog. Të hynte nëpër burgje, në Spaç, në Burrel. Të vriste rojat me kalashnikov. T’i çlironte të burgosurit. T’i lante, t’i shplante, t’i vishte, t’i mbathte. T’i merrte me të mirë. Tu bënte muhabet, t’i ngushëllonte. Tu thoshte; “Zotërinj, e di që keni lexuar e komentuar librat e mia. Keni pritur prej meje më tepër se nga Amerika dhe NATO. Ja ku erdha. Taksiratet tuaja mbaruan.

Kadare, shumë më tepër se sharrë, gërshërë, supermen, me veprën e vet u dha shqiptarëve një pasqyrë për të parë veten dhe kohën. Pasqyrë konkave, konvekse, të sheshtë, të rrudhosur, të përmbysur, të bardhë, të zezë, të krisur, të thyer, të coptuar, në varësi të rrethanave.

Përmes kryeveprave të tij, Kadare ua ndriçoi mendjet dhe ua lehtësoi jetën shqiptarëve më tepër se të gjitha sharrat, gërshërët, çekiçat, elektroshtëpiaket, lavatriçet, thekset e bukës, hekurat e korentit, pianot, kitarrat, violinat.

I riu, i vjetri, komunisti, burokrati, ushtaraku, i përndjekuri, i burgosuri, të gjithë lexonin Kadarenë. Por lexuesit më të vëmendshëm të Kadaresë ishin Sigurimi dhe diktatori, të cilët Kadare i mposhti.

Kujt nuk i besohet se Kadare ishte më i fuqishëm se diktatura, diktatori, Sigurimi, të cilët i mposhti, janë ata që skllavërinë e kanë në gjak, diktaturën në mendje, diktatorin në bark, Sigurimin në shpirt.

Kadare është refuzuesi më i madh i fëlliqësirës më të ndyrë në Letërsi, pisllëkut më të preferuar të mediokërve, të folurit për veten, autoreferencialitetit.

Kadare është një perfeksionist, një kompjuter që kurrë nuk ka për tu shpikur.

Kadare është një mendimtar fenomenal që kohën e përdori për të shkruar ato që i ka ditur qysh kur ka lindur.

Kadare është Gjeniu, të cilin, në kohën e duhur për të mos i lënë të vdisnin, shqiptarëve ua solli Zoti./KultPlus.com

Flamujt në gjysmështizë, sot dhe nesër ditë zie kombëtare në nderim të Ismail Kadaresë

Me vendim të Këshillit të Ministrave, dita e sotme dhe ajo e nesërmja janë ditë zie kombëtare, në nderim të personalitetit të shquar të letrave shqipe, Ismail Kadare. Në të gjitha institucionet shtetërore dhe publike flamuri kombëtar ulet në gjysmështizë.

Homazhet publike dhe ceremonia shtetërore do të organizohen në mjediset e Teatrit Kombëtar të Operas, Baletit dhe Ansamblit Popullor, ditën e mërkurë, nga ora 09:00 deri në orën 11:00 dhe nga ora 11:30 deri në orën 12:30. Për organizimin e homazheve dhe të ceremonisë shtetërore do të ngrihet një Komision i Posaçëm Shtetëror, nën mbikëqyrjen e Kryeministrit.

Ismail Kadare u nda nga jeta mëngjesin e së hënës në moshen 88-vjeçare. Ai ishte e mbetet shkrimtari më në zë shqiptar, brenda e jashtë kufijve të Shqipërisë.

Kadare lindi më 28 janar 1936 në lagjen Palorto të Gjirokastrës dhe vokacioni i tij për letërsinë zuri fill në moshë të hershme.

Arriti famën e merituar, që me botimin në vitin 1963, të romanin “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, i cili pati jehonë edhe përtej vendit.

Që prej vitit 1996, shkrimtari shqiptar është anëtar i asociuar (përjetësisht) i Akademisë së Shkencave Morale dhe Politike të Francës. Ai është vlerësuar me një sërë çmimesh ndërkombëtare (“Man Booker Prize”, “Princi i Asturias” etj), si i përzgjedhur në radhët e shkrimtarëve botërisht të njohur, sikurse Gabriel Garcia Marquez, Günter Grass dhe Milan Kundera. Deri tani, veprat e tij janë përkthyer në rreth 45 gjuhë të botës./atsh/KultPlus.com

Instituti Albanologjik mban mbledhje komemorative, vdekja e Kadaresë vlerësohet si humbje edhe për letërsinë botërore

Të hënën ka vdekur shkrimtari i madh shqiptar, Ismail Kadare, në moshën 88-vjeçare. Për të nderuar veprën e tij, Instituti Albanologjik në Prishtinë ka mbajtur mbledhje komemorative.

Mbledhja është mbajtur duke filluar nga ora 10:00, në Institutin Albanologjik.

Ushtruesi i detyrës së drejtorit të këtij Instituti, Lulezim Lajqi, është shprehur se me vdekjen e Kadaresë ka humbur edhe letërsia botërore.

“Ikja në nga kjo botë e Ismail Kadaresë nuk është vetëm humbje e madhe vetëm për letërsinë shqiptare por edhe për letërsinë botërore. Veprat e tija janë botuar në 45 gjuhë botërore, kështu Kadare e vendosi atdheun e tij të izoluar Ballkanik në hartën e letërsisë botërore. Kadare morri edhe çmime të shumta globale”, është shprehur Lajqi.

France 24 për Kadarenë: Ironia që përdori kundër kritikëve të tij

Nëpërmjet romaneve si “Prilli i thyer” dhe “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, ai përdori metaforën dhe sarkazmën për të kronizuar fatin grotesk të vendit të tij dhe popullit të tij nën diktatorin komunist paranojak Enver Hoxha.

Pavarësisht se u cilësua si tradhtar nga udhëheqësit komunistë të Shqipërisë kur ai dezertoi në Francë në vitin 1990, Kadare u akuzua nga disa se gëzonte një pozicion të privilegjuar nën Hoxhën, i cili e shkëputi vendin ballkanik nga pjesa tjetër e botës.

Ishte një akuzë që ai e hodhi poshtë me ironi.

“Kundër kujt më mbronte Enver Hoxha? Kundër Enver Hoxhës?“, Kadare i tha AFP në 2016.

“Ferri i komunizmit, si çdo ferr tjetër, po mbytej në kuptimin më të keq,” i tha Kadare AFP në një nga intervistat e tij të fundit në tetor.

“Por letërsia e transformoi atë në një forcë jete, një forcë që të ndihmoi të mbijetosh dhe të mbash kokën lart dhe të fitosh mbi diktaturën. Kjo është arsyeja pse i jam shumë mirënjohës letërsisë, sepse më jep mundësinë të kapërcej të pamundurën”, tha shkrimtari, i cili edhe pse ishte dukshëm i dobët, ishte ende duke punuar.

I përkthyer në më shumë se 45 gjuhë, Associated Press: Vdiq në moshën 88-vjeçare romancieri shqiptar me famë botërore, Ismail Kadare

Romancieri i njohur shqiptar Ismail Kadare ka vdekur në moshën 88-vjeçare, pasi u dërgua me urgjencë në një spital në Tiranë, tha të hënën redaktori i tij botues.

Kadare është përmendur prej kohësh si një pretendent i mundshëm për çmimin Nobel për Letërsinë.

“Shqipëria dhe shqiptarët humbën gjeniun e letrave, emancipuesin e tyre shpirtëror, Ballkani (humbi) poetin e miteve të tij, Evropa dhe bota (humbën) një nga përfaqësuesit më të njohur të letërsisë moderne”, tha presidenti shqiptar Bajram Begaj në deklaratën e lëshuar nga zyra e tij.

Redaktori i Shtëpisë Botuese Onufri Bujar Hudhri tha se autori i njohur vdiq të hënën në mëngjes. Një infermiere në spital, e cila foli në kushte anonimiteti sepse nuk ishte e autorizuar të fliste me shtypin, tha se ai u dërgua në dhomën e urgjencës pasi pësoi një arrest kardiak.

Kadare u bë i njohur ndërkombëtarisht pas botimit të romanit të tij “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” në vitin 1963, kur Shqipëria qeverisej ende nga qeveria komuniste e diktatorit të ndjerë Enver Hoxha.

Kadare u largua nga Shqipëria në Francë në vjeshtën e vitit 1990, vetëm pak muaj para rënies së regjimit komunist pas protestave studentore. Ai jetonte në Paris dhe pak kohë më parë ishte kthyer në Tiranë.

Vitin e kaluar, presidenti francez Emmanuel Macron i dha atij titullin Oficeri i Madh i Legjionit të Nderit gjatë një vizite të presidentit francez në kryeqytetin shqiptar. Franca e kishte bërë më parë edhe bashkëpunëtor të huaj të Akademisë së Shkencave Morale dhe Politike, si dhe Komandant të Legjionit të Nderit.

Kadareja është vlerësuar me një sërë çmimesh ndërkombëtare për veprat e tij, të cilat përfshinin më shumë se 80 romane, drama, skenarë, poezi, ese dhe përmbledhje tregimesh të përkthyera në 45 gjuhë./KultPlus.com

Booker Prizes shpreh ngushëllimet për Kadarenë

Booker Prizes është shprehur i pikëlluar për vdekjen e Ismail Kadaresë i cili e kishte fituar i pari çmimin International Booker Prize, që atëbotë njihej si International Man Booker Prize.

“Jemi thellësisht të pikëlluar që dëgjojmë për vdekjen e Ismail Kadaresë, i cili më 2005 u bë fituesi inaugurues i International Booker Prize për të gjithë korpusin e veprës së tij. Ai ishte dy herë në listë të gjatë pas kësaj, më 2017 dhe tek edhe këtë vit”, thuhet në komunikatën e Booker Prizes në Facebook.

“19 vjet më parë, juria e kishte përshkruar atë si ‘shkrimtar universal në traditën rrëfyese që shkon deri te Homeri’. Në pranimin e çmimit, Kadareja kishte thënë: Shpresa ime më e fortë është që opinioni evropian dhe ai botëror me këtë rast të kuptojë që ky rajon, në të cilin përket vendi im Shqipëria, mund të japë lajme të tjera llojeve, dhe të jetë shtëpi e llojeve të tjera të arritjeve në fushat e artit, letërsisë dhe civilizimit”.

Kadare kishte ngadhënjyer më 2005, duke u zgjedhur fitues i këtij çmimi para gjigantëve të tjerë të letërsisë botërore, Gabriel Garcia Marquez dhe Philip Roth./ KultPlus.com

Instituti Albanologjik i Prishtinës me mbledhje komemorative në nderim te jetës dhe veprës së Ismail Kadaresë

Instituti Albanologjik i Prishtinës ka njoftuar se nesër do të mbajë mbledhje komemorative në nderim te jetës dhe veprës së shkrimtarit Ismail Kadare, shkruan KultPlus.

Më poshtë është njoftimi i plotë.

Të dashur miq dhe dashamirës të veprës letrare të Ismail Kadaresë, shkrimtarit pasaportë të letërsisë shqipe, i cili na la në mëngjesin e ditës së sotme

Instituti Albanologjik i Prishtinës gjatë ditës së nesërme, 02 korrik, ora 10:00, do të mbajë një mbledhje komemorative në nderim të krijimtarisë artistike të gjeneralit të letërsisë shqipe, shkrimtarit ikonik që i dha shenjë të përbotshme kulturës dhe artit të shkrimit të bukur shqip.

Iu ftojmë ta nderojmë jetën dhe veprën e njeriut që i dha shumë artit tonë!

Iu mirëpresim!/ KultPlus.com

Entela Kasi: Shqipëria e Ismail Kadaresë

Kukulla – leximi i marrëdhënies shumëdimensionale të autorit me origjinën dhe identitetin

‘Kukulla’, apo nëna, portreti i së cilës sjellë në vitet e fundit, fillimisht si kapitull brenda librit’ Mëngjeset në Kafe Rostand- motive të Parisit’ dhe më vonë si libër më vete, duket sikur të jetë jo thjesht imazhi femëror plotësues, por personazhi qendror i krejt veprës letrare të shkruar dhe publikuar deri më tash prej Kadaresë.
Kjo kukull, sjellë nga studio e shkrimtarit në trashëgiminë letrare, duket sikur të jetë guri i munguar dhe i palexuar prej nesh, që mbart peshën e kumtit në qasjen për ta kuptuar lidhjen organike të asaj që krijon të tjerët, pasi lënda jote si qenie humane prej atributit të së quajtur i lindur, i sjellë në jetë, i takon vetëm asaj.
Marrëdhënia me atë është organike përveçse shpirtërore. Ajo është e përzgjedhur nga natyra, nga ritmet e një ligjësie gati hyjnore, sepse nëse ka një person të vetëm në botë që ti nuk ke fuqi ta zgjedhësh është pikërisht ajo, nëna. Nëna mundet të përzgjedhë atin tënd, e këtu duket sikur ajo ta ketë një pushtet hyjnor, e në këtë rast vetëm ajo mund të jetë superiore.
Asgjë tjetër nuk varet prej teje në këtë ngjarje. Aty në qendër të saj, ti je thjesht i krijuari, i linduri, dhe vetëm fryma organike është lidhja e vetme e pakontestueshme në ADN apo edhe kode të tjera qofshin këto të shpjegueshme apo mister.
Kukulla e Kadaresë, Nëna, mbështillet me dritën e misterit. Qenia e mbushur me kujtesën e çasteve të përjetuara që në foshnjërinë e njeriut deri në rritjen dhe plakjen e tij përgjithmonë kthehen tek ajo, duke mbetur aty në të kuptuarin e asaj, në marrëdhënie të pafundme zhvillimesh.
E ndriçuar me një shkëlqim të neontë, si prej gipsi, aq sa të jep përshtypjen se edhe vetë shndërrohet në kukull prej gipsi dhe prej letre njëkohësisht, ka fuqinë të jetë përgjithmonë aty, si tërësi në të cilën jeton e frymon jo vetëm ti, por krejt njerëzimi.
Ajo është e përhershme, e përjetshme. Bijtë e saj janë përgjithmonë fëmijët e saj edhe kur ata vetë të jenë moshuar prej kohës dhe jetës. Në trurin e tyre ajo është jeta e tyre e përjetshme, në kuptimin e pranisë, nevojës së komunikimit, rritjes së dyanshme, e cila mbushet me moskuptim. Nëna, në romanin Kukulla, është personazhi më mbresëlënës në tërësinë e imazheve femërore në veprën e Ismail Kadaresë.
Shkrimtari na drejton kah leximi i gjuhës së sistemit të shenjave dhe kodeve, për ta zbërthyer dhe kuptuar atë. Lidhja me atë është sa e veçantë, po aq edhe e mbushur me moskuptimin e saj të përhershëm, ku ka ndaluar procesi i zhvillimit. Ky proces i ndaluar na kthen tek një marrëdhënie përtej lidhjes organike nënë – bir, pasi na drejton ka kuptimi i lidhjes së përhershme me origjinën, ku vendoset qenia njerëzore, lindur me gjuhë, familje, komunitet, mjedis, kode, zakone, ngjarje, histori, zhvillim, kuptim dhe moskuptim të njëhershëm prej ngrehinës, me të cilën rrethohesh tërësisht, kur je i lidhur me rrënjët dhe themelet e asaj që mund të quhet ‘shtëpia jote’, jo në kuptimin e banesës, por në kuptimin e ngrehinës së identitetit tënd, që të kthen e të lidh me tërësinë e tij, atdheun tënd të përhershëm në të cilin ti je lindur, me të cilin marrëdhënia mbetet e dhe e fuqishme, e përhershme, e përjetshme.
Kukulla, e cila vendoset në lëvizje, në tre mjedise të një kohë të pandërprerë, e mbështjellë me moskuptimin e saj, ndriçohet prej të gjitha anëve. Ajo është pikërisht ashtu si e sjell shkrimtari me pak fjalë; ‘kështu jam unë’. Ajo vendoset në qendër të dy burrave, bashkëshortit, atit të shkrimtarit, dhe birit shkrimtar, djalit të saj të përhershëm, dhe të dy këta njerëz janë jeta dhe kuptimi i saj. Ajo nuk ka kuptim jashtë tyre. Jashtë tyre ajo mund të jetë e zakonshme, brenda tyre ajo bëhet e jashtëzakonshme. Ajo bëhet e përjetshme tek biri i saj, të cilin e sheh vazhdimisht në rritje, në një zhvillim që tejkalon rritjen e ndërprerë të saj.
Kjo rritje e ndërprerë e saj, sjellë prej shkrimtarit, na kthen tek kuptimi i mëmëdheut të shkrimtarit, tek Shqipëria, pasi është pikërisht ajo lidhja organike që vjen tek shenjat; nënë- dhe- kur ti i lindur prej saj, del në dritën e botës prej trupit të saj, nga errësira në dritë.
Fjalët e gjuhës shqipe, mëmë-dhe, nënë-dhe, të cilat gjuhët e ndryshme i kanë në forma të ndryshme, për të krijuar lidhjen e njeriut me atdheun, na drejton kah leximi i marrëdhënies të shkrimtarit me Shqipërinë. Kukulla shndërrohet në atdheun e shkrimtarit. Kukulla e Ismail Kadaresë, është Shqipëria e tij, dashuria pa kushte, Shqipëria e përjetshme, e cila është baza dhe boshti, shtrati dhe kuptimi i krejt veprës letrare të shkrimtarit.
Kjo Shqipëri, tek Kukulla e Ismail Kadaresë, në romanin e tij të fundit, mbetet e jashtëzakonshme në letërsinë e tij. Përmes saj shkrimtari i drejton mesazhe universale njerëzimit.
Kadare i cili kalon me mjeshtri dhe origjinalitet nga bota e miteve, legjendave dhe përrallave, në botën reale të mendimeve, që përbëjnë edhe boshtin filozofik të veprës letrare të tij, na kthen kah fati i Shqipërisë, kah zhvillimi i saj i ndërprerë në për më tepër se pesë shekuj të perandorisë otomane e cila ishte ora e zezë jo vetëm e Shqipërisë por edhe e Ballkanit dhe Evropës lindore në përgjithësi. Por në këtë çështje shkrimtari hedh dritë mbi atë që i takon identitetit dhe mëmëdheut- apo atdheut të tij.
Kjo dritë e domosdoshme për artikulimin e të vërtetës historike të shqiptarëve në Ballkan dhe Evropë, është sa e domosdoshme po aq edhe e dhimbshme, pasi na rrëfen ato të vërteta, që ende edhe sot mbahen të mbyllura në arkivat e historisë së një kombi i cili vazhdimisht është përballur me rrezikun e shuarjes dhe rënies në errësirë edhe pas largimit të shkaktarëve të dramave dhe tragjedive të tij.
Elementet që Kadare ka sjellë konfliktet e kësaj natyre, duke krijuar gjuhën e sistemit të shenjave, veçanërisht tek Ura me tri harqe, Tri këngë zie për Kosovën, Dosja H, dhe Sjellësi i fatkeqësive.
Tek Ura me tri harqe, në njërin plan na shfaqet shenja e ‘murgut’, dhe në planin tjetër na shfaqet shenja e femrës së murosur, e presë së atdheut mbi atë Urën ku do të kalonte jo vetëm pushtimi i Shqipërisë por deformimi dhe ndërprerja e rritjes dhe zhvillimit të saj për qindra vjet.
Ura dhe Kukulla janë gjuha e sistemit të shenjave në tërësinë e letërsisë së këtij shkrimtari, i cili e kthen Shqipërinë në vëmendjen e botës, në shekullin e XX.
Letërsia kur i kapërcen kufijtë rajonalë, i takon të gjitha vendeve, e për këtë arsye veprat letrare serioze, mbeten një pasuri e paçmuar në kulturën e botës .
Koha ka provuar që letërsia serioze, ka ardhur nga periudhat më të vështira të shoqërive dhe kombeve, pikërisht kur këto kanë qenë të tronditura, në momente të cilat historia e njerëzimit na i ka dëshmuar. Kadare shkruan identitetin tipik shqiptar, e, ky identitet është autobiografia letrare e Shqipërisë në veprën letrare të Kadaresë.
Ashtu si mendon Borges, ‘secili prej nesh është një kopje kohore dhe e vdekshme e arketipit njerëzor. Koha është shëmbëlltyra e përjetësisë. Përjetësia është bota e arketipave.’
Shqipëria në veprën letrare të Kadaresë mbartet prej shkrimtarit me përjetësimin e saj. Në botën e arketipave, ajo mbetet atje e përjetshme.
Individi me botën e tij ende të pashtershme është njëkohësisht universi dhe kozmosi i pafundmë të cilin mund ta kuptojmë duke e zbuluar përmes dritës shumëdimensionale. Në këtë mënyrë individët, popujt dhe njerëzimi mund të shpëtohen vetëm prej ndriçimit të qenies së tyre, e cila është lëndë e pasosur, shpirtërore, psikike dhe fizike./ KultPlus.com

Ambasada e ShBA-së në Tiranë për Kadarenë: Vepra e tij ka krijuar ura midis Shqipërisë dhe botës

Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë përmes një publikimi në rrjetet sociale u shpreh thellësisht e pikëlluar për ndarjen nga jeta të Ismail Kadaresë, për të cilin ambasada shkruan se, letërsia e tij frymëzon lexues në mbarë botën.

Ambasada e SHBA kujtoi se në vitin 2020 nderoi Kadarenë me Çmimin Ndërkombëtar Neustadt për Letërsinë.

“Vepra e tij ka krijuar ura midis Shqipërisë dhe botës dhe trashëgimia e tij do të jetojë si një dëshmi e gjenisë të tij në letra. Mendimet tona janë me familjen e tij, me të dashurit e tij dhe me popullin shqiptar”, shkruhet në mesazhin e ngushëllimit të ambasadës së SHBA.

Në 2020, juria e Çmimit Ndërkombëtar Neustadt lexoi “Prillin e Thyer” si tekstin përfaqësues të veprës së Kadaresë.

Në motivacionin e Çmimin Ndërkombëtar Neustadt, shkruhej: “Kadare është pasardhësi i Franz Kafkës. Askush që nga Kafka nuk është thelluar në mekanizmin skëterrë të pushtetit totalitar dhe ndikimin e tij në shpirtin njerëzor në aq thellësi hipnotike sa Kadareja. Pasi jetoi në një gjendje të tillë mbikëqyrjeje për dekadat e para të jetës së tij, shkrimi ishte e vetmja formë rezistence e disponueshme për të, sepse ishte e vetmja formë e të treguarit të së vërtetës që mund të mbijetonte, edhe pse jo gjithmonë në shtyp”./atsh/KultPlus.com