France 24 për Kadarenë: Ironia që përdori kundër kritikëve të tij

Nëpërmjet romaneve si “Prilli i thyer” dhe “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, ai përdori metaforën dhe sarkazmën për të kronizuar fatin grotesk të vendit të tij dhe popullit të tij nën diktatorin komunist paranojak Enver Hoxha.

Pavarësisht se u cilësua si tradhtar nga udhëheqësit komunistë të Shqipërisë kur ai dezertoi në Francë në vitin 1990, Kadare u akuzua nga disa se gëzonte një pozicion të privilegjuar nën Hoxhën, i cili e shkëputi vendin ballkanik nga pjesa tjetër e botës.

Ishte një akuzë që ai e hodhi poshtë me ironi.

“Kundër kujt më mbronte Enver Hoxha? Kundër Enver Hoxhës?“, Kadare i tha AFP në 2016.

“Ferri i komunizmit, si çdo ferr tjetër, po mbytej në kuptimin më të keq,” i tha Kadare AFP në një nga intervistat e tij të fundit në tetor.

“Por letërsia e transformoi atë në një forcë jete, një forcë që të ndihmoi të mbijetosh dhe të mbash kokën lart dhe të fitosh mbi diktaturën. Kjo është arsyeja pse i jam shumë mirënjohës letërsisë, sepse më jep mundësinë të kapërcej të pamundurën”, tha shkrimtari, i cili edhe pse ishte dukshëm i dobët, ishte ende duke punuar.

I përkthyer në më shumë se 45 gjuhë, Associated Press: Vdiq në moshën 88-vjeçare romancieri shqiptar me famë botërore, Ismail Kadare

Romancieri i njohur shqiptar Ismail Kadare ka vdekur në moshën 88-vjeçare, pasi u dërgua me urgjencë në një spital në Tiranë, tha të hënën redaktori i tij botues.

Kadare është përmendur prej kohësh si një pretendent i mundshëm për çmimin Nobel për Letërsinë.

“Shqipëria dhe shqiptarët humbën gjeniun e letrave, emancipuesin e tyre shpirtëror, Ballkani (humbi) poetin e miteve të tij, Evropa dhe bota (humbën) një nga përfaqësuesit më të njohur të letërsisë moderne”, tha presidenti shqiptar Bajram Begaj në deklaratën e lëshuar nga zyra e tij.

Redaktori i Shtëpisë Botuese Onufri Bujar Hudhri tha se autori i njohur vdiq të hënën në mëngjes. Një infermiere në spital, e cila foli në kushte anonimiteti sepse nuk ishte e autorizuar të fliste me shtypin, tha se ai u dërgua në dhomën e urgjencës pasi pësoi një arrest kardiak.

Kadare u bë i njohur ndërkombëtarisht pas botimit të romanit të tij “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” në vitin 1963, kur Shqipëria qeverisej ende nga qeveria komuniste e diktatorit të ndjerë Enver Hoxha.

Kadare u largua nga Shqipëria në Francë në vjeshtën e vitit 1990, vetëm pak muaj para rënies së regjimit komunist pas protestave studentore. Ai jetonte në Paris dhe pak kohë më parë ishte kthyer në Tiranë.

Vitin e kaluar, presidenti francez Emmanuel Macron i dha atij titullin Oficeri i Madh i Legjionit të Nderit gjatë një vizite të presidentit francez në kryeqytetin shqiptar. Franca e kishte bërë më parë edhe bashkëpunëtor të huaj të Akademisë së Shkencave Morale dhe Politike, si dhe Komandant të Legjionit të Nderit.

Kadareja është vlerësuar me një sërë çmimesh ndërkombëtare për veprat e tij, të cilat përfshinin më shumë se 80 romane, drama, skenarë, poezi, ese dhe përmbledhje tregimesh të përkthyera në 45 gjuhë./KultPlus.com

Booker Prizes shpreh ngushëllimet për Kadarenë

Booker Prizes është shprehur i pikëlluar për vdekjen e Ismail Kadaresë i cili e kishte fituar i pari çmimin International Booker Prize, që atëbotë njihej si International Man Booker Prize.

“Jemi thellësisht të pikëlluar që dëgjojmë për vdekjen e Ismail Kadaresë, i cili më 2005 u bë fituesi inaugurues i International Booker Prize për të gjithë korpusin e veprës së tij. Ai ishte dy herë në listë të gjatë pas kësaj, më 2017 dhe tek edhe këtë vit”, thuhet në komunikatën e Booker Prizes në Facebook.

“19 vjet më parë, juria e kishte përshkruar atë si ‘shkrimtar universal në traditën rrëfyese që shkon deri te Homeri’. Në pranimin e çmimit, Kadareja kishte thënë: Shpresa ime më e fortë është që opinioni evropian dhe ai botëror me këtë rast të kuptojë që ky rajon, në të cilin përket vendi im Shqipëria, mund të japë lajme të tjera llojeve, dhe të jetë shtëpi e llojeve të tjera të arritjeve në fushat e artit, letërsisë dhe civilizimit”.

Kadare kishte ngadhënjyer më 2005, duke u zgjedhur fitues i këtij çmimi para gjigantëve të tjerë të letërsisë botërore, Gabriel Garcia Marquez dhe Philip Roth./ KultPlus.com

Instituti Albanologjik i Prishtinës me mbledhje komemorative në nderim te jetës dhe veprës së Ismail Kadaresë

Instituti Albanologjik i Prishtinës ka njoftuar se nesër do të mbajë mbledhje komemorative në nderim te jetës dhe veprës së shkrimtarit Ismail Kadare, shkruan KultPlus.

Më poshtë është njoftimi i plotë.

Të dashur miq dhe dashamirës të veprës letrare të Ismail Kadaresë, shkrimtarit pasaportë të letërsisë shqipe, i cili na la në mëngjesin e ditës së sotme

Instituti Albanologjik i Prishtinës gjatë ditës së nesërme, 02 korrik, ora 10:00, do të mbajë një mbledhje komemorative në nderim të krijimtarisë artistike të gjeneralit të letërsisë shqipe, shkrimtarit ikonik që i dha shenjë të përbotshme kulturës dhe artit të shkrimit të bukur shqip.

Iu ftojmë ta nderojmë jetën dhe veprën e njeriut që i dha shumë artit tonë!

Iu mirëpresim!/ KultPlus.com

Entela Kasi: Shqipëria e Ismail Kadaresë

Kukulla – leximi i marrëdhënies shumëdimensionale të autorit me origjinën dhe identitetin

‘Kukulla’, apo nëna, portreti i së cilës sjellë në vitet e fundit, fillimisht si kapitull brenda librit’ Mëngjeset në Kafe Rostand- motive të Parisit’ dhe më vonë si libër më vete, duket sikur të jetë jo thjesht imazhi femëror plotësues, por personazhi qendror i krejt veprës letrare të shkruar dhe publikuar deri më tash prej Kadaresë.
Kjo kukull, sjellë nga studio e shkrimtarit në trashëgiminë letrare, duket sikur të jetë guri i munguar dhe i palexuar prej nesh, që mbart peshën e kumtit në qasjen për ta kuptuar lidhjen organike të asaj që krijon të tjerët, pasi lënda jote si qenie humane prej atributit të së quajtur i lindur, i sjellë në jetë, i takon vetëm asaj.
Marrëdhënia me atë është organike përveçse shpirtërore. Ajo është e përzgjedhur nga natyra, nga ritmet e një ligjësie gati hyjnore, sepse nëse ka një person të vetëm në botë që ti nuk ke fuqi ta zgjedhësh është pikërisht ajo, nëna. Nëna mundet të përzgjedhë atin tënd, e këtu duket sikur ajo ta ketë një pushtet hyjnor, e në këtë rast vetëm ajo mund të jetë superiore.
Asgjë tjetër nuk varet prej teje në këtë ngjarje. Aty në qendër të saj, ti je thjesht i krijuari, i linduri, dhe vetëm fryma organike është lidhja e vetme e pakontestueshme në ADN apo edhe kode të tjera qofshin këto të shpjegueshme apo mister.
Kukulla e Kadaresë, Nëna, mbështillet me dritën e misterit. Qenia e mbushur me kujtesën e çasteve të përjetuara që në foshnjërinë e njeriut deri në rritjen dhe plakjen e tij përgjithmonë kthehen tek ajo, duke mbetur aty në të kuptuarin e asaj, në marrëdhënie të pafundme zhvillimesh.
E ndriçuar me një shkëlqim të neontë, si prej gipsi, aq sa të jep përshtypjen se edhe vetë shndërrohet në kukull prej gipsi dhe prej letre njëkohësisht, ka fuqinë të jetë përgjithmonë aty, si tërësi në të cilën jeton e frymon jo vetëm ti, por krejt njerëzimi.
Ajo është e përhershme, e përjetshme. Bijtë e saj janë përgjithmonë fëmijët e saj edhe kur ata vetë të jenë moshuar prej kohës dhe jetës. Në trurin e tyre ajo është jeta e tyre e përjetshme, në kuptimin e pranisë, nevojës së komunikimit, rritjes së dyanshme, e cila mbushet me moskuptim. Nëna, në romanin Kukulla, është personazhi më mbresëlënës në tërësinë e imazheve femërore në veprën e Ismail Kadaresë.
Shkrimtari na drejton kah leximi i gjuhës së sistemit të shenjave dhe kodeve, për ta zbërthyer dhe kuptuar atë. Lidhja me atë është sa e veçantë, po aq edhe e mbushur me moskuptimin e saj të përhershëm, ku ka ndaluar procesi i zhvillimit. Ky proces i ndaluar na kthen tek një marrëdhënie përtej lidhjes organike nënë – bir, pasi na drejton ka kuptimi i lidhjes së përhershme me origjinën, ku vendoset qenia njerëzore, lindur me gjuhë, familje, komunitet, mjedis, kode, zakone, ngjarje, histori, zhvillim, kuptim dhe moskuptim të njëhershëm prej ngrehinës, me të cilën rrethohesh tërësisht, kur je i lidhur me rrënjët dhe themelet e asaj që mund të quhet ‘shtëpia jote’, jo në kuptimin e banesës, por në kuptimin e ngrehinës së identitetit tënd, që të kthen e të lidh me tërësinë e tij, atdheun tënd të përhershëm në të cilin ti je lindur, me të cilin marrëdhënia mbetet e dhe e fuqishme, e përhershme, e përjetshme.
Kukulla, e cila vendoset në lëvizje, në tre mjedise të një kohë të pandërprerë, e mbështjellë me moskuptimin e saj, ndriçohet prej të gjitha anëve. Ajo është pikërisht ashtu si e sjell shkrimtari me pak fjalë; ‘kështu jam unë’. Ajo vendoset në qendër të dy burrave, bashkëshortit, atit të shkrimtarit, dhe birit shkrimtar, djalit të saj të përhershëm, dhe të dy këta njerëz janë jeta dhe kuptimi i saj. Ajo nuk ka kuptim jashtë tyre. Jashtë tyre ajo mund të jetë e zakonshme, brenda tyre ajo bëhet e jashtëzakonshme. Ajo bëhet e përjetshme tek biri i saj, të cilin e sheh vazhdimisht në rritje, në një zhvillim që tejkalon rritjen e ndërprerë të saj.
Kjo rritje e ndërprerë e saj, sjellë prej shkrimtarit, na kthen tek kuptimi i mëmëdheut të shkrimtarit, tek Shqipëria, pasi është pikërisht ajo lidhja organike që vjen tek shenjat; nënë- dhe- kur ti i lindur prej saj, del në dritën e botës prej trupit të saj, nga errësira në dritë.
Fjalët e gjuhës shqipe, mëmë-dhe, nënë-dhe, të cilat gjuhët e ndryshme i kanë në forma të ndryshme, për të krijuar lidhjen e njeriut me atdheun, na drejton kah leximi i marrëdhënies të shkrimtarit me Shqipërinë. Kukulla shndërrohet në atdheun e shkrimtarit. Kukulla e Ismail Kadaresë, është Shqipëria e tij, dashuria pa kushte, Shqipëria e përjetshme, e cila është baza dhe boshti, shtrati dhe kuptimi i krejt veprës letrare të shkrimtarit.
Kjo Shqipëri, tek Kukulla e Ismail Kadaresë, në romanin e tij të fundit, mbetet e jashtëzakonshme në letërsinë e tij. Përmes saj shkrimtari i drejton mesazhe universale njerëzimit.
Kadare i cili kalon me mjeshtri dhe origjinalitet nga bota e miteve, legjendave dhe përrallave, në botën reale të mendimeve, që përbëjnë edhe boshtin filozofik të veprës letrare të tij, na kthen kah fati i Shqipërisë, kah zhvillimi i saj i ndërprerë në për më tepër se pesë shekuj të perandorisë otomane e cila ishte ora e zezë jo vetëm e Shqipërisë por edhe e Ballkanit dhe Evropës lindore në përgjithësi. Por në këtë çështje shkrimtari hedh dritë mbi atë që i takon identitetit dhe mëmëdheut- apo atdheut të tij.
Kjo dritë e domosdoshme për artikulimin e të vërtetës historike të shqiptarëve në Ballkan dhe Evropë, është sa e domosdoshme po aq edhe e dhimbshme, pasi na rrëfen ato të vërteta, që ende edhe sot mbahen të mbyllura në arkivat e historisë së një kombi i cili vazhdimisht është përballur me rrezikun e shuarjes dhe rënies në errësirë edhe pas largimit të shkaktarëve të dramave dhe tragjedive të tij.
Elementet që Kadare ka sjellë konfliktet e kësaj natyre, duke krijuar gjuhën e sistemit të shenjave, veçanërisht tek Ura me tri harqe, Tri këngë zie për Kosovën, Dosja H, dhe Sjellësi i fatkeqësive.
Tek Ura me tri harqe, në njërin plan na shfaqet shenja e ‘murgut’, dhe në planin tjetër na shfaqet shenja e femrës së murosur, e presë së atdheut mbi atë Urën ku do të kalonte jo vetëm pushtimi i Shqipërisë por deformimi dhe ndërprerja e rritjes dhe zhvillimit të saj për qindra vjet.
Ura dhe Kukulla janë gjuha e sistemit të shenjave në tërësinë e letërsisë së këtij shkrimtari, i cili e kthen Shqipërinë në vëmendjen e botës, në shekullin e XX.
Letërsia kur i kapërcen kufijtë rajonalë, i takon të gjitha vendeve, e për këtë arsye veprat letrare serioze, mbeten një pasuri e paçmuar në kulturën e botës .
Koha ka provuar që letërsia serioze, ka ardhur nga periudhat më të vështira të shoqërive dhe kombeve, pikërisht kur këto kanë qenë të tronditura, në momente të cilat historia e njerëzimit na i ka dëshmuar. Kadare shkruan identitetin tipik shqiptar, e, ky identitet është autobiografia letrare e Shqipërisë në veprën letrare të Kadaresë.
Ashtu si mendon Borges, ‘secili prej nesh është një kopje kohore dhe e vdekshme e arketipit njerëzor. Koha është shëmbëlltyra e përjetësisë. Përjetësia është bota e arketipave.’
Shqipëria në veprën letrare të Kadaresë mbartet prej shkrimtarit me përjetësimin e saj. Në botën e arketipave, ajo mbetet atje e përjetshme.
Individi me botën e tij ende të pashtershme është njëkohësisht universi dhe kozmosi i pafundmë të cilin mund ta kuptojmë duke e zbuluar përmes dritës shumëdimensionale. Në këtë mënyrë individët, popujt dhe njerëzimi mund të shpëtohen vetëm prej ndriçimit të qenies së tyre, e cila është lëndë e pasosur, shpirtërore, psikike dhe fizike./ KultPlus.com

Ambasada e ShBA-së në Tiranë për Kadarenë: Vepra e tij ka krijuar ura midis Shqipërisë dhe botës

Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë përmes një publikimi në rrjetet sociale u shpreh thellësisht e pikëlluar për ndarjen nga jeta të Ismail Kadaresë, për të cilin ambasada shkruan se, letërsia e tij frymëzon lexues në mbarë botën.

Ambasada e SHBA kujtoi se në vitin 2020 nderoi Kadarenë me Çmimin Ndërkombëtar Neustadt për Letërsinë.

“Vepra e tij ka krijuar ura midis Shqipërisë dhe botës dhe trashëgimia e tij do të jetojë si një dëshmi e gjenisë të tij në letra. Mendimet tona janë me familjen e tij, me të dashurit e tij dhe me popullin shqiptar”, shkruhet në mesazhin e ngushëllimit të ambasadës së SHBA.

Në 2020, juria e Çmimit Ndërkombëtar Neustadt lexoi “Prillin e Thyer” si tekstin përfaqësues të veprës së Kadaresë.

Në motivacionin e Çmimin Ndërkombëtar Neustadt, shkruhej: “Kadare është pasardhësi i Franz Kafkës. Askush që nga Kafka nuk është thelluar në mekanizmin skëterrë të pushtetit totalitar dhe ndikimin e tij në shpirtin njerëzor në aq thellësi hipnotike sa Kadareja. Pasi jetoi në një gjendje të tillë mbikëqyrjeje për dekadat e para të jetës së tij, shkrimi ishte e vetmja formë rezistence e disponueshme për të, sepse ishte e vetmja formë e të treguarit të së vërtetës që mund të mbijetonte, edhe pse jo gjithmonë në shtyp”./atsh/KultPlus.com

Mediat botërore shkruajnë për vdekjen e Kadaresë

Mediat botërore i kushtojnë vëmendje ndarjes nga jeta të shkrimtarit Ismail Kadare.

Në Francë, aty ku dhe zhvendosi krijimtarinë e tij pas largimit nga Shqipëria mediat i kanë kushtuar një vëmendje të veçantë.

Media e madhe franceze, France24 shkruan se “Tregimi i tij i sofistikuar – shpesh i krahasuar me atë të George Orwell ose Franz Kafka, kishte në brendësi metaforë dhe ironi për të zbuluar natyrën e tiranisë nën sundimin e  Hoxhës, i cili udhehoqi Shqipërinë nga viti 1946 deri në vdekjen e tij në 1985.

Media e njohur Le Monde shkruan për ndarjen nga jeta të Kadare dhe bën begraundin historik të jetës së shkrimtarit më të njohur shqiptar në botë.  “Ai shpesh u këshillua të fitonte një çmim Nobel për punën e tij të madhe, e cila u gërmua në mitet dhe historinë e vendit të tij për të zbërthyer mekanizmat e totalitarizmit”, shkruan Le Monde.

Radio France international shkruan se Kadare përdori penën e tij si një armë vjedhurazi për t’i mbijetuar diktatorit komunist paranojak të Shqipërisë Enver Hoxha.

“Shkrimtari shqiptar thyen radhët me komunistët e izoluar të Shqipërisë dhe iku në Paris disa muaj përpara se qeveria të rrëzohej në fillim të viteve 1990”, thuhet në artikullin e Radio France International.

“Shuhet romancieri dhe Kolosi i letërsisë shqiptare”. Kështu shkruan media prestigjoze “Associated Press”, që i kushton një artikull shkrimtarit shqiptar, i cili u bë i njohur falë veprave të tij.

Por të shumtë kanë qenë dhe mediat e tjera të medha që kanë shkruar për vdekjen e shkrimtarit shqiptar, nga The Guardian, te Ansa dhe media greke Protothema.

Tregimet e tij alegorike,  nën komunizm, tërhoqën vlerësime ndërkombëtare, por ai këmbënguli se nuk ishte një shkrimtar politik, kështu shkruan media prestigjoze britanike “The Guardian”.

“Kohët e errëta sjellin surpriza të pakëndshme, por të bukura. Letërsia ka prodhuar shpesh vepra madhështore në epoka të errëta, sikur të kërkonte të korrigjonte fatkeqësinë që u është shkaktuar njerëzve”, kështu ka deklaruar disa kohë më parë Kadare në një intervistë për AFP, e cila rikthehet për publikun pas vdekjes se shkrimitarit.

Vemendje për jetën dhe veprën e tij i kanë kushtuar edhe media italiane ANSA dhe ajo greke Protothema./tvklan/KultPlus.com

Delegacioni i BE: Zë i fuqishëm letrar, i përkthyer në 45 gjuhë

Delegacioni i Bashkimit Evropian në Shqipëri, shprehu ngushëllimet më të sinqerta për ndarjen nga jeta të kolosit të letrave shqipe, Ismail Kadare.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, delegacioni i BE ngushëlloi të dashurit e tij dhe të gjithë ata që admiruan gjenialitetin e Kadaresë.

“Zëri i tij i fuqishëm letrar, i përkthyer në 45 gjuhë, bëri jehonë në të gjithë Evropën dhe më gjerë, duke shfaqur kulturën e pasur dhe të larmishme shqiptare në mbarë botën. Proza e tij e mprehtë, depërtuese dhe gjithsesi mirëdashëse pasqyronte kompleksitetin e historisë dhe folklorit të Shqipërisë”, shkruhet në mesazhin e BE, ku në fund theksohet se, trashëgimia e Kadaresë do të jetojë gjatë.

Ismail Kadare, gjeniu i letërsise shqipe dhe zë i dashur i Shqipërisë, u nda nga jeta në moshën 88-vjeçare./KultPlus.com

Media italiane për vdekjen e Kadaresë: Me romanet e tij luftoi regjimin komunist në Shqipëri, përdori çdo mundësi

E përditshmja prestigjoze italiane, La Repubblica, i ka kushtuar një artikull në faqe të parë lajmit të vdekjes së shkrimtarit Ismail Kadare, të cilin e cilësojnë si një nga njerëzit më influencë të Europës së shekullit të 20.

Shkrimi i plotë i La Repubblica

Shkrimtari Ismail Kadare, ishte autor i një vepre monumentale nën tiraninë komuniste të Enver Hoxhës dhe i konsideruar si autori më i madh shqiptar i shekullit të njëzetë dhe fillimit të mijëvjeçarit të tretë, i aftë për të shtjelluar në veprat e tij historinë dhe mitet e vendit të tij në rrëfime me shtrirje universale. Burime nga spitali i Tiranës, të konfirmuara nga botuesi i tij, bëjnë të ditur se Kadare ka ndërruar jetë si pasojë e një ataku kardiak. Ai ishte 88 vjeç.

Shkrimtar, poet, eseist dhe skenarist, gjatë regjimit komunist ka qenë deputet i Kuvendit Popullor për 12 vjet (nga viti 1970 deri në 1982) dhe nënkryetar i Frontit Demokratik të Shqipërisë. Filloi duke shkruar poezi, por ishte botimi i romanit të tij të parë, Gjenerali i ushtrisë së vdekur, që e bëri atë figurën dominuese letrare në Shqipëri dhe i dha famë ndërkombëtare. Romani, në të cilin ai tregonte historinë e ndërmarrjes së një gjenerali italian dhe një prifti që donin të kërkonin dhe të sjellin në atdheun e tyre trupat e italianëve të rënë në Shqipëri gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Kadare përdorte çdo mundësi për të goditur regjimin në veprat e tij, me anë të alegorive politike. Aq sa disa romane të tij, si “Koncerti në fund të dimrit”, “Përbindëshi” apo “Pallati i ëndrrave”, janë ndaluar nga shteti komunist.

Kadare ka lindur në Gjirokastër dhe është diplomuar për histori dhe filologji në Universitetin e Tiranës. Ai studioi letërsi për dy vjet në Institutin Gorki në Moskë, por u detyrua të braktisë studimet në Rusi për shkak të marrëdhënieve të komplikuara diplomatike midis Shqipërisë dhe Bashkimit Sovjetik. Pas kthimit në vendlindje, ai filloi karrierën e tij si gazetar në një revistë të njohur në vend si Drita; në pak kohë ai u bë i njohur dhe kaloi në drejtimin e revistës Les lettres albanaises.

Në vitin 1990, pasi shprehu publikisht kundërshtimin e tij ndaj udhëheqjes komuniste shqiptare, ai kërkoi azil politik në Francë. Me rënien e regjimit, ai u kthye në atdhe në vitin 1992, duke e ndarë kohën e tij mes Shqipërisë dhe Francës që atëherë. Në vitin 2005 është vlerësuar me Çmimin Ndërkombëtar Booker, në vitin 2018 me çmimin Nonino, ndërsa në vitin 2009 ka fituar çmimin Princi i Asturias. Ka qenë disa herë ndër favoritët për çmimin Nobel për Letërsinë, pa e siguruar asnjëherë çmimin. La nave di Teseo, ku vepra e tij është duke u riedaktuar, ka botuar Kukullën (2017) dhe Provokimin (2018), Prillin e thyer (2019), Kronikë në Gurtë, Mëngjeset në Café Rostand (2021) etj etj.

“The Guardian” shkruan për vdekjen e Ismail Kadaresë: Ndahet nga jeta gjiganti i letërsisë shqipe

E përditshmja britanike “The Guardian”, ka shkruar për vdekjen e shkrimtarit të njohur shqiptar, Ismail Kadare, dhe në fillim të artikullit të tyre thuhet se tregimet e Kadaresë të informuara nga jeta nën komunizmin shtetëror, kanë tërhequr vlerësime ndërkombëtare, mirëpo Kadare nuk e ka pranuar se ishte shkrimtar politik.

Duke shkruar nën hijen e diktatorit shqiptar Enver Hoxha, Kadare shqyrtoi shoqërinë bashkëkohore përmes thjerrëzave të alegorisë dhe mitit në romane, duke përfshirë “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, “Rrethimi” dhe “Pallati i ëndrrave”. Pasi u arratis në Paris vetëm disa muaj para rënies së qeverisë komuniste të Shqipërisë në vitin 1990, reputacioni i tij vazhdoi të rritej ndërsa ai vazhdonte të kthehej në rajon në letërsinë e tij. I përkthyer në më shumë se 40 gjuhë, ai fitoi një sërë çmimesh duke përfshirë çmimin “Man Booker International”, ka shkruar “The Guardian”.

I lindur në vitin 1936 në Gjirokastër, një qytet jo shumë larg kufirit grek, Kadare u rrit në rrugën ku Hoxha kishte jetuar një brez më parë. Ai botoi përmbledhjen e tij të parë me poezi në moshën 17-vjeçare. Pas studimeve në Universitetin e Tiranës, ai fitoi një bursë shtetërore për të studiuar letërsi në Institutin Gorki në Moskë. Ai u kthye në Tiranë në vitin 1960 me një roman për dy studentë që rishpiknin një tekst të humbur shqip. Kur ai botoi një ekstrakt në një revistë, ai u ndalua menjëherë.

“Ishte një gjë e mirë që ndodhi,” i tha ai Guardian në 2005.

Ndërsa profili i tij ndërkombëtar ofroi njëfarë mbrojtjeje, Kadare kaloi 20 vitet e ardhshme duke hartuar një kurs midis shprehjes artistike dhe mbijetesës. Pasi poezia e tij politike “Pashallëqet e Kuq” u ndalua në vitin 1975, ai pikturoi një portret lajkatar të Hoxhës në romanin e tij të vitit 1977, “Dimri i madh”.

Në vitin 1981 ai botoi “Pallatin e ëndrrave”, një sulm alegorik ndaj totalitarizmit në të cilin një i ri zbulon sekretet e rrezikshme të një zyre qeveritare. Ai u ndalua brenda disa orësh. Me gjithë këto kthesa, Kadare u bë një figurë e rëndësishme në bashkimin e shkrimtarëve shqiptarë dhe shërbeu si delegat në Kuvendin Popullor.

Duke përmendur një listë prej 100 intelektualësh të shënjestruar nga policia sekrete shqiptare, Kadare iku në Paris dhe kërkoi azil politik në Francë.

“Përpjekja përfundimtare,” tha ai për New York Times, “ishin kërcënimet e drejtpërdrejta ose të tërthorta nga Sigurimi, e cila donte të zgjidhte llogaritë e vjetra. Sigurimi do të kishte përdorur shenjat e para të trazirave për të zgjidhur ato rezultate.”

I vendosur i sigurtë në Paris, Kadare filloi të botonte vepra që trajtonin më drejtpërdrejt totalitarizmin. Novela Urdhri Verbërues eksploron një sulltan osman i cili dekreton se subjektet që mbajnë “syrin e keq” duhet të bëhen të verbër, ndërsa Piramida përshkruan ndërtimin e Piramidës së Gizës si mjet kontrolli dhe shtypjeje të një faraoni megaloman.

Ndërsa reputacioni i tij u rrit, ai mori Légion d’Honneur si dhe çmimin inaugurues Man Booker International, atëherë një çmim për arritje të jetës, në 2005. Por kjo kurorë provokoi një mori pyetjesh të pakëndshme, me shkrimtaren rumune Renata Dumitrascu që tha se e tij karriera ishte “ndërtuar mbi një premisë të dyshimtë”, duke deklaruar se “Kadare nuk është Solzhenitsyn dhe nuk ka qenë kurrë”.

“Ashtu si shumica e homologëve të tij në vendet e tjera komuniste,” shkroi Dumitrascu, “Kadare ishte një kameleon i zgjuar, që luante me mjeshtëri rebelin aty-këtu për të emocionuar perëndimorët naivë që kërkonin zërat e mospajtimit nga lindja. Por nuk ka absolutisht asnjë dyshim se çfarë lloj kafshe ishte dhe me çfarë tufe vrapoi; në fakt, rezymeja e tij bërtet karrierizëm dhe konformitet.”

Kadare hodhi poshtë akuzat se ai kishte tregtuar me kredenciale të rreme, duke sugjeruar që kritikuesit e tij duhet të fokusoheshin në punën e tij në vend të kësaj.

“Unë kurrë nuk kam pretenduar se jam “disident” në kuptimin e duhur të termit,” tha ai për Jerusalem Post. “Opozita e hapur ndaj regjimit të Hoxhës, si opozita e hapur ndaj Stalinit gjatë mbretërimit të Stalinit në Rusi, ishte thjesht e pamundur. Disidenca ishte një pozicion që askush nuk mund ta zinte, qoftë edhe për disa ditë, pa u përballur me skuadrën e pushkatimit. Nga ana tjetër, vetë librat e mi përbëjnë një formë shumë të dukshme të rezistencës ndaj regjimit”.


Ndërsa Kadare vazhdonte të botonte trillimet e tij delikate, polemika filloi të zbehej. Kur romani i tij i një fortese shqiptare që i rezistonte ushtrisë osmane turke në shekullin e 15-të u shfaq në anglisht në vitin 2008, LA Times sugjeroi se autori ishte “ndër shkrimtarët më problematikë të mëdhenj në letrat bashkëkohore perëndimore. Por kjo nuk duhet t’i pengojë lexuesit të shijojnë “Rrethimin” për atë që është, një vepër domethënëse nga një autor i rëndësishëm, magjepsës. Një vit më vonë, Kadare këmbënguli se ai “nuk ishte një shkrimtar politik dhe, për më tepër, se për sa i përket letërsisë së vërtetë, në fakt nuk ka shkrimtarë politikë. Mendoj se shkrimi im nuk është më politik se teatri antik grek. Do të isha bërë shkrimtari që jam në çdo regjim politik”.

Pas kthimit në Tiranë për të shënuar hapjen e një muzeu në vendin e ish-banesës së tij në 2019, Kadare tha për France 24 se vepra e tij “i bindej vetëm ligjeve të letërsisë, nuk i bindej asnjë ligji tjetër”.

“Njerëzit që jetuan këtë periudhë ishin të pakënaqur,” tha ai, “por arti është mbi të gjitha. Arti nuk është as i pakënaqur dhe as i lumtur nën një regjim.”/ KultPlus.com

Ag Apolloni: Ishte fat për mua ta studioja dhe takoja Kadarenë

Shkrimtari Ag Apolloni ka shkruar pas vdekjes së shkrimtarit Ismail Kadare, se ishte fat i mirë që letërsia e botës nga vitet ‘70 i hapi dyert për shkrimtarin Ismail Kadare.

Ai tha se ky ishte fat i madh që ky shkrimtar botëror rastisi të jetë shqiptar.

“Ishte fat për mua ta lexoja, ta studioja dhe, sigurisht, ta takoja herë pas here. Dhe ishte kënaqësi të bëja një monografi për të, dy intervista me të dhe shkrime të herëpashershme për veprat e tij. Pa Ismail Kadarenë, letërsia shqipe ende do të ishte brenda vezës; nuk do të njihej jashtë”, ka shkruar Apolloni.

Tutje, ai shkroi se romani i tij i parë i botuar, “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” (1963), kur u botua në Francë, më 1970, u vlerësua si roman i nivelit botëror. Që nga ajo ditë, shkrimtari ynë ka ndenjur në ato maja.

“Për ne si komb, ishte vërtet fat që ky shkrimtar ishte shqiptar. Kurse, për ne shkrimtarët, ishte krenari e veçantë që shqiptari më i madh ishte shkrimtar”, shkroi në fund ai./KultPlus.com

Ministri Çeku: Veprat e Kadaresë mbeten testament i gjallë i talentit dhe mendjes së tij

Ministri i Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, ka reaguar për vdekjen e shkrimtarit Ismail Kadare.

Ai është shprehur se lajmi për vdekjen e tij, është lajm i rëndë dhe se ai na mësoi të shohim botën me një këndvështrim unik.

“Kontributi i Kadaresë për artin dhe kulturën shqiptare është i pashoq. Veprat e tij mbeten testament i gjallë i talentit dhe mendjes së tij të jashtëzakonshme. Do ta kujtojmë gjithmonë për aftësinë e tij të rrallë për të kapur thelbin e njerëzimit në çdo faqe të shkruar”, ka shkruar ai.

Tutje, ai shtoi se Kadare ka lënë pas vetës trashëgimi të pashlyeshme në letrat shqipe dhe botërore.

“Ngushëllimet më të sinqerta familjes Kadare dhe të gjithë qytetarëve”, ka shtuar tutje Çeku./KultPlus.com

Kryeministri Rama: Tani nuk është më gojëdhanë, Ismaili nuk shkruan më

Edi Rama

Sapo mësova lajmin e trishtueshëm të largimit nga mesi ynë të monumentit më të madh të kulturës shqiptare, i cili tanimë u ngjit në piedestalin e përjetësisë dhe asnjë fjalë s’më vjen në këtë moment, po vetëm ideja e ribotimit të këtij mesazhi të publikuar për ditëlindjen e tij.

“Duke shkruar për të këtë urim, më erdhi në mend se sa shumë njerëz kanë marrë penën që të bëjnë libra, dizertacione, mastera, doktoratura, referate, artikuj, shkrime, jetëshkrime e shkarrashkrime, me ditirambe, vlerësime e deri edhe ofendime, për librat e tij e për të vetë dhe se sa pak gjasë ka, që vargmalet e letrave të tyre të kenë një fat më të mirë se sa kështjellat e rërës, që kalamajtë ngrenë buzë detit, duke parafytyruar heronjtë e përrallave e të balladave apo bajlozët e gogolët e kërcënimeve të dëgjuara përpara gjumit.

Dhe me këtë mendim po e le këtë shënim (që të njëjtin fat me ato kështjella do të ketë) me një falenderim të thjeshtë, pa pretenduar asgjë më shumë se sa shprehjen e mirënjohjes së madhe ndaj Ismailit për monumentin fantastik që i ka ngritur gjuhës shqipe, duke ma bërë edhe më të madhe dashurinë për këtë gjuhë të hatashme, të cilën ne shqiptarët kemi fatin të flasim e të shkruajmë si gjuhë amtare; për kënaqësinë e jashtëzakonshme të udhëtimeve në botën e ngjarjeve, personazheve, emocioneve që ai ka jetësuar me lehtësinë e një magjistari, nxjerrë në dritë fuqinë e një ekzorcisti dhe magazinuar me saktësinë e një gjirokastriti; për hidhërimet që u ka shkaktuar mediokërve e për buzëplasjen që u ka provokuar xhelozëve me suksesin e tij jehues në dhjetra gjuhë të kësaj bote, e patjetër edhe për debatin e pambarimtë mes barrikadave, ku janë rreshtuar përballë tash 30 vjet, admiruesit e shkrimtarit dhe gjykatësit e qytetarit a thjesht njeriut Ismail Kadare – ku unë vetë kam mësuar e kuptuar jo pak me kalimin e viteve…

Ah, krejt personale kjo, po edhe për Vladimir Majakovskin, gjeniun vullkanik të poezisë ruse, që po të mos ekzistonte Ismail Kadareja nuk do ta kisha njohur kurrën e kurrës dot, në një prej takimeve më të mahnitshme të jetës sime me letërsinë!

Po ndalem këtu dhe duke uruar sot bashkë me ditëlindjen e tij edhe që gojëdhana se Ismaili nuk shkruan më, të jetë vetëm një lojë e tij e radhës me personazhet e jetës reale, ku ai gjithnjë ka qenë si një i huaj me prejardhje e me pashaportë shqiptare, fjalën e fundit të këtij urimi ia le Majakovksit të shqipëruar prej Kadaresë:

“Mendimin tuaj,

që ëndërron në trurin e butë,

si lakeu i dhjamur në kanapenë me zdral,

do ta tall me zhelen e përgjakur të zemrës;

gjersa të ngopem, idhnak e brutal.”

Tani nuk është më gojëdhanë, Ismaili nuk shkruan më💔

Kryeministri Kurti: Anija e romaneve të Kadaresë do të lundrojë pafundësisht

Albin Kurti

Ne humbëm shkrimtarin më të madh të të gjitha kohërave, bota humbi shkrimtarin e saj më të madh të gjallë. Porsa hymë në gjysmën e dytë të vitit 2024, Kadare mbylli sytë përgjithmonë. Por sytë tanë kanë parë e do të shohin shumë më mirë për shkak të imagjinatës dhe dijes së Ismail Kadaresë. Kur ai mbyllte sytë në të gjallë të tij dhe mendohej për malet e Shqipërisë dhe greminat e historisë, teksa qëndiste mijëra faqe me shqipe të bukur si qiell, ne kolektivisht shikonim më qartë e dukeshim më mirë, mendonim më thellë e mësonim më shumë. Arti dhe kultura jonë i kanë borxh të pamatshëm oqeanit të mendjes së tij. Anija e romaneve të Kadaresë do të lundrojë pafundësisht, për aq sa bota do të ketë lexues dhe shqipja shqiptarë.

Ngushëllime të gjithëve./ KultPlus.com

Begaj për Kadarenë: Shqipëria dhe shqiptarët humbën emancipuesin e tyre shpirtëror

Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj, në rrjete sociale ka reaguar për vdekjen e shkrimtarit Ismail Kadare. Ai shkroi se Shqipëria dhe shqiptarët sot humbën gjeniun e tyre të letrave.

“Shqipëria dhe shqiptarët humbën sot gjeniun e tyre të letrave, emancipuesin e tyre shpirtëror, Ballkani poetin e miteve të tij, Evropa dhe bota ndër përfaqësuesit më të spikatur të letërsisë moderne”, ka shkruar Begaj.

“Të qoftë e lehtë lëndina në panteonin e përjetësisë, Kolosi ynë i mendimit dhe i penës!”, shkroi tutje presidenti shqiptar

Ismail Kadare u nda nga jeta mëngjesin e sotëm, në moshën 88-vjeçare. Ai kishte lindur më 28 janar 1936 në lagjen Palorto të Gjirokastrës, qytet që e formësoi e ndikoi dukshëm edhe në krijimtarinë e tij letrare që e bëri të njohur edhe përtej kufijve zyrtarë të Shqipërisë.

Për vite me radhë Kadare ishte kandidat për çmimin Nobel për Letërsinë, si dhe laureat i shumë çmimeve të tjera me rëndësi në vend si dhe në arenën ndërkombëtare./KultPlus.com

PEN Qendra e Kosovës me telegram ngushëllimi për vdekjen e Ismail Kadaresë

Me rastin e vdekjes së kolosit të letrave shqipe, Ismail Kadare, PEN Qendra e Kosovës ngushëllon familjen Kadare dhe gjithë komunitetin letrar shqiptar.

Ismail Kadare, jo vetëm përmes Letërsisë, e dërgoi Shqipërinë dhe Kosovën në botë dhe e solli botën në Shqipëri dhe në Kosovë.

Faleminderit për këtë dhe për të gjitha të tjerat, Vigani ynë!/ KultPlus.com     

Vjosa Osmani: Ismail Kadare ishte gjeniu shqiptar

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka reaguar pas vdekjes së shkrimtarit të njohur shqiptar, Ismail Kadare.

Ajo është shprehur se Kadare ishte gjeniu shqiptar, njeriu e shkrimtari i cili tërë jetën dhe veprën e vet ia kushtoi dashurisë ndaj tokës, gjakut e vendit të shqiptarëve, duke krijuar një trashëgimi të pakundshoqe adhurimi e lavdie ndaj vendit e kombit të vet.

“Me këtë dashuri, të cilën ai e ka shprehur gjithandej veprave të tij, ai i ka paraqitur vlerat e popullit të tij nëpër botë, duke e lartuar gjithandej gjuhën, kulturën e letërsinë shqipe dhe vetë popullin shqiptar, ndërsa të drejtën e popullit shqiptar të Kosovës për të jetuar i lirë e i mosvarmë e mbrojti gjithandej botës, në qarqe intelektuale e kulturore, në ambiente politike e në letërkëmbimin e tij me personalitete të shquara botërore”, ka shkruar Osmani.

Tutje, ajo u shpreh se populli i Kosovës, sot është në zi, sepse ka humbur kolosin e dijetarin më të njohur shqiptar, mbështetësin e pandalshëm të së drejtës së popullit shqiptar në Kosovë për të jetuar i lirë e i mosvarmë e promovuesin e pandalshëm të kësaj të drejte gjithandej botës.

“Humbi shkrimtarin e papërsëritshëm, të cilit si Presidente kisha nderin t’ia dorëzoja shtetësinë e Kosovës kohë më parë, sikurse edhe Urdhrin “Hasan Prishtina”. Për dhjetëvjetësha të tërë, ai e kultivoi artistikisht e intelektualisht ndjenjën e lirisë, duke na bërë edhe ne, shqiptarëve të Kosovës, ta kuptonim më mirë përmasën e lirisë e ta gjakonim atë përjetësisht”, ka shtuar tutje Osmani.

Në fund ajo tha se vdekja e tij shënon ndarjen fizike me ne, por ai do të mbetet përjetësisht në zemrat e në shpirtrat e miliona lexuesve e adhuruesve të veprës së tij, në zemrat e shpirtin e çdo shqiptari, kombit të cilit i shërbeu deri në frymën e fundit./KultPlus.com

“Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, vepra që e bëri Ismail Kadarenë të njohur ndërkombëtarisht

Mëngjesin e sotëm është ndarë nga jeta shkrimtari më i madh shqiptar, Ismail Kadare, i cili njihet si krijuesi i i shumë veprave të njohura shqiptare dhe jo vetëm.

“Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, është roman i botuar në vitn 1963 me të cilin Ismail Kadare ka marrë famën ndërkombëtare, roman ky që trajtonte temën e një gjenerali italian dhe një prifti që vijnë në Shqipëri për të marrë eshtrat e ushtarëve italianë të rënë në Luftën e Dytë Botërore. Romani pasues, “Përbindëshi”, u botua në revistën “Nëntori”, por u ndalua.

Në fillim të vitit 1970 shtëpia botuese franceze “Albin Michel” botoi në frëngjisht romanin “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”. Ai pati jehonë të jashtëzakonshme në Francë dhe brenda tri vjetësh u përkthye në gati 20 gjuhë.

Para pesë vitësh, “Gjenerali i Ushtrisë së Vdekur” është përfshirë në listën e 100 romaneve më të mirë që kritikët e gazetës “Le Monde” kanë evidentuar që prej krijimit të saj në 1946. Kadare renditet mes shkrimtarëve të mëdhenj të këtij shekulli, si Kazanzaqis, Pasternak, Kundera, Solzhenicin, Aragon, Jursenar, Graham Green, Salman Rushdi etj.

Në përmbajtjen e tij tregohet se si rreth 20 vjet pas luftës së dytë botërore kur Europa jetonte luftën e ftohtë, në një anë të bllokut një gjeneral italian emërohet me një mision po aq të vështirë por edhe të ndershëm në kërkim të eshtrave të ushtarëve të italian të rënë në Shqipëri gjatë Luftës së Dytë Botërore. Qeveritë kishin bërë një marrëveshje, gjenerali do të kapërcente brenda kufirit që izolonte Shqipërinë. Gjenerali i shoqëruar nga një prift nisen drejtë Shqipërisë, vend për të cilin kishin dëgjuar si të egër nga relievi dhe njerëz të zymtë. Udhëtimi i dy të huajëve duke ndjekur hartat, lista emrash dhe gërmime të ushtarëve që u kthyen banorëve dhe një herë plagët që u la lufta. Fusha me varre ku italianë e shqipëtarë qenë bashkuar. Gjenerali kërkonte atë, veçantërisht atë, Kolonelin Z i cili ndryshe nga të tjerët i rrëzoi edhe më shumë gjeneralit krenarin që i kish mbetur edhe se e dinte që po tërhiqte mbrapsh disa të humbur. Ishin pikërisht eshtrat e Kolonelit Z ,që e përballën Gjeneralin me shumë sfida ,stërmundim fizik por edhe një shkatërrim psikologjik që e çon në humbje të vetëdijes. Kjo si pasojë e bëmave famëkeqe që Koloneli Famëmadh kish lën në këtë vend. As i rënë në luftë e as i varrosur ndershmërisht. Koloneli i vrarë nga duart e një gruaje (plaka Kune) dhe i varrosur po nga duart e saj në pragu e shtëpisë. E rënd ishtë gjëma që i kishte bër asaj familje ,vrau burrin dhe vajzên e saj. Eshtrat e tij kurr nuk përfunduan tek familjarët që e kërkonin por humbën në lumë.

Ky roman është përkthyer në anglisht, bjellorusisht, frëngjisht, gjermanisht, suedisht e turqisht./KultPlus.com

Ismail Kadare, krijimtaria e pasur e tij përgjatë viteve

Ismail Kadare, ka lindur më 28 janar 1936 në Gjirokastër dhe vdiç mëngjesin e sotëm, më 1 korrik 2024, në moshën 88 vjeçare. Ai u lind në një familje bektashie qytetare, biri i Halit Kadaresë dhe Hatixhes. Emrin ia dhanë në kujtim të gjyshit. Kadare pati një motër Kadrijën dhe një vëlla Shahinin. Si i vogël ai kalonte shumë kohë te biblioteka e gjyshit nga nëna, që ishte gjykatës i shkolluar në Stamboll. Kadare është martuar me shkrimtaren, Helena Kadare, dhe kanë dy vajza, Gresën dhe Besianën

Kur u vendos regjimi komunist në Shqipëri ai ishte vetëm 8 vjeç. Shkollën fillore dhe të mesme e mbaroi në Gjirokastër. Në moshën 12 vjeçare u arrestua nën akuzën “falsifikues monedhash”, meqë gjatë lojës me shokun e tij kishin krijuar me plumb të shkrirë monedha 5-lekëshe dhe ia kishin treguar gjithkujt me hare. Policia i arrestoi gjatë orës së mësimit në shkollë, dy ditë përpara ditës së votimeve dhe Ismaili bëri dy ditë burg derisa ndërhyri avokati i Kadarenjve dhe e liruan për shkak të moshës së mitur.

Studimet universitare i kreu në Tiranë, ku jetonte te shtëpia e tezeve dhe pasi e ftoi, për gati dy vjet (1957-1958) jetoi me Nasho Jorgaqin. Më 1958 mbaroi degën e Gjuhës e të Letërsisë në Universitetin e Tiranës dhe u diplomua për Mësuesi. Shkroi romanin e tij të parë Mjegullat e Tiranës, të cilin e përfundoi në prag të vijimit të studimeve në Bashkim Sovjetik.

Përgjatë viteve ’50 dhe në fillimet e viteve ’60 u njoh për poezi, kurse duke filluar nga vitet ’60 edhe për prozë. Në atë periudhë pjesa më e madhe e shkrimtarëve i përkisnin brezit të dalë nga lufta. Konflikti mes tyre dhe brezit të ri, Kadare, Agolli dhe Arapi kulminoi në një mbledhje të shkrimtarëve të të dy brezave në vitin 1961, ku ishte i pranishëm dhe vetë Enveri.

Pas kthimit nga Moska, veprën Qyteti pa reklama e këshilluan që ta mbante të fshehur. Nga ky roman shkëputi një fragment, i cili u botua si novelë me titullin Ditë kafenesh më 1962 te “Zëri i Rinisë”. Sapo doli nga shtypi u ndalua, si vepër dekadente. Në vitin 1963 e botoi romanin “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, që trajtonte temën e një gjenerali italian dhe një prifti që vijnë në Shqipëri për të marrë eshtrat e ushtarëve italianë të rënë në Luftën e Dytë Botërore. Romani pasues, Përbindëshi, u botua në revistën “Nëntori”, por u ndalua.

Në vjeshtën e 1980 vizitoi Kosovën me rastin e botimit të parë të kompletit të veprave të tij në Prishtinë. U prit institucionalisht dhe pati takime të shumta me lexues dhe intelektualë të Kosovës dhe u njoh me preokupimet e shqiptarëve.

Vitet 1981-1982 situata u bë e nderë, edhe për shkak të dëshmive që dhanë në hetuesi familjarët dhe bashkëpunëtorët e kryeministrit që u gjet i vdekur, Kadaresë po i përflitej akuza për sabotazh të Partisë në letërsi, art, kulturë dhe pjesëtar i grupit të Shehut. Në një mbledhje të fshehtë të shtatorit 1982, Hoxha e përmend si pjesë të një grupit të Lubonjës dhe Paçramit.

Në vitin 1989 autoritetet e caktuan zv/kryetar të Frontit Demokratik. Duke shfrytëzuar famën e tij në Shqipëri dhe jashtë saj bëri deklarata gjithnjë e më të zëshme mbi domosdoshmërinë e ndryshimeve, veçanërisht në fushën e të drejtave të njeriut. 

Pasi la Tiranën dhe aplikoi për azil politik në Francë, mundi të ushtrojë profesionin e tij në liri të plotë. Mërgimi i tij në Paris qe i frytshëm dhe i mundësoi sukses të mëtejshëm, si në shqip ashtu edhe në frëngjisht.

Kadare është një ndër shkrimtarët më të mëdhenj bashkëkohorë, në poezi, prozë e romane. Ai është marrë edhe me dramaturgji dhe përkthime. Kadare ka filluar të shkruajë në moshë shumë të re, duke filluar me poezi, dhe më pas ka vazhduar me prozë, duke u bërë prozatori kryesor shqiptar. Veprat e tij janë përkthyer në 45 gjuhë të botës, duke qenë kështu përfaqësues kryesor i letërsisë shqipe nëpër botë.

Romanet:

Ideja e romanit Gjenerali i ushtrisë së vdekur (1963) është shpirti liridashës i popullit shqiptar. Temën e shpirtit të pamposhtur të shqiptarëve nëpër shekuj autori e trajtoi edhe në romanin Kështjella (1970). Në romanin Kronikë në gur (1971) Kadare kritikoi psikologjinë provinciale dhe traditat prapanike. Probleme të rëndësishme të historisë janë trajtuar edhe në përmbledhjet me tregime e novela Emblema e dikurshme (1977), Ura me tri harqe (1978) dhe Gjakftohtësia (1980). Më 1981 botoi në një përmbledhje të përbashkët romanet Prilli i thyer, Kush e solli Doruntinen, së bashku me dy kapitujt e parë të romanit Pallati i ëndrrave në trajtë novelash. Vepra bënte fjalë për një shtet totalitar, që në shikim të parë dukej si Perandoria Osmane, por shpejt e vunë re atmosfera e frikës, arrestimeve dhe burgosjeve ishte e ngjashme me Shqipërinë komuniste.

Përkthimet:

Një ndër fushat më pak të lakuara të veprimtarisë së Kadaresë janë përkthimet, hulli të cilën e nisi më 1955, kur shqipëroi poemat Lisi, Fëminija, Në pyllin afër fronit, Katjusha, Pranvera, etj. të shkrimtarit rus M. Isakovski. Autorë të tjerë të shqipëruar prej tij janë: Eskili, Heminguej, Pushkin, Majakovski, Eminescu, Gogol, Esenin, Mihallkov, Shçipaçov, Mickieviç, Buske, Sendrar, Bodler, Andrade, Vijon, Kejler, Seferis, Kavafis, Elitis, Li Bo, Du Fu, Jan Czjun, etj

Në vitin 1996 Kadare u bë anëtar i përhershëm i Akademisë së Shkencave Morale dhe Politike në Francë. Është nderuar me shumë çmime ndërkombëtare, mes të cilëve “Man Booker Internacional” më 2005, “Princesa de Asturias” për Artet më 2009 dhe “Jeruzalem” më 2015. Viteve të fundit ai e ndan kohën e tij mes Francës dhe Shqipërisë.

Ndër vite ka deklaruar se ka hequr dorë nga shkrimi i poezive (1997) dhe letërsisë artistike (2011).

Kadare njihet si shkrimtar që ka marrë shumë mirënjohje dhe çmime ndërkombëtare, për disa vite me radhë.

Mirënjohjet ndërkombëtare

  • Medalja e Artë e Lidhjes së Prizrenit, Kosovë,
  • Prix mondial Cino Del Duca, Francë, 1992
  • Çmimi “Bokaçio” Itali, 1997
  • Herder Prize, Gjermani, 1998
  • Ovid Prize, Rumani 2003
  • Çmimi Man Booker International, Britani, 2005
  • Princi i Asturias për Letërsinë, Spanjë, 2009
  • Çmimi “Lerici Pea”, Itali, 2010
  • Çmimi Jeruzalem, Izrael, 2015
  • Commandeur de la Légion d’Honneur (C. LH), Franë, 2016
  • Çmimi “Letërsia shqipe”, Kosovë, 2017
  • Çmimi “Nonino”. Itali, 2018
  • Çmimi i karrierës akademike, nga Akademia e Shkencave e Shqipërisë, 2018
  • Çmimi Park Kyong-ni, Korea e Jugut, 2019
  • Neustadt International Prize, SHBA, 2020
  • Prozart, Maqedoni e Veriut, 2020/KultPlus.com

Vdes shkrimtari më i madh shqiptar, Ismail Kadare

Shkrimtari më i madh shqiptar, Ismail Kadare, ka vdekur mëngjesin e sotëm, në moshën 88-vjeçare.

Kadare ka lindur më 28 janar të vitin 1936 në Gjirokastër. Ishte akademik, politikan, ish-deputet i Kuvendit Popullor (1970-’82), zv/kryetar i Frontit Demokratik dhe një ndër shkrimtarët më të mëdhenj bashkëkohorë.

Si shkrimtar u shqua kryesisht për prozë, por kontributi i tij u shtri edhe në dramaturgji, poezi dhe përkthime.

Ismail Kadare ka filluar të shkruajë kur ishte shumë i ri, fillimisht poezi e pastaj prozë, duke u bërë prozatori kryesor shqiptar. Veprat e tij janë përkthyer në rreth 45 gjuhë të ndryshme, duke qenë kështu përfaqësues kryesor i letërsisë shqipe nëpër botë.

Kur ishte 13 vjeç zbuloi Makbethin e Shekspirit, dhe kështu i lindi dashuria për letërsinë. Në këtë moshë shkroi tregimet e para të cilat i botoi te revista “Pionieri” në Tiranë. Në moshën 17 vjeçare shkroi dy poezi për Stalinin, gjë që sipas Malcolm, ndihmoi në botimin e librit të tij të parë në moshën 18 vjeçare, një përmbledhje poetike e titulluar “Frymëzime djaloshare”.

Në vitin 1996, Kadare u bë anëtar i përhershëm i Akademisë së Shkencave Morale dhe Politike në Francë. Është nderuar me shumë çmime ndërkombëtare, mes të cilëve Çmimin “Man Booker International” më 2005, çmimin “Princ i Asturias” për Artet më 2009 dhe Çmimin “Jeruzalem” më 2015. Viteve të fundit, ai e ndante kohën e tij mes Francës dhe Shqipërisë./KultPlus.com

Vepra e Kadaresë vjen në COD përmes një performance artistike

Në Qendrën për Hapje e Dialog (COD) erdhi nëpërmjet poezisë dhe muzikës, vepra madhore e Ismail Kadaresë, me mjeshtërinë e aktorëve Anila Dervishi dhe Arbër Aliaj, shoqëruar nga tingujt e harpës nga Aida Kasmi dhe të flautit nga Enalda Gjoni.

Pas performancës të pranishmit patën kënaqësinë të ndiqnin filmin dokumentar “Frymëzime Kadareane” të skenaristit dhe të fabulistit të mirënjohur Ferit Lamaj, i cili e solli shkrimtarin dhe veprën e tij në një dimension tjetër.

Ismail Kadareja është cilësuar jo vetëm si shkrimtari më i mirë i letërsisë shqipe, por edhe ndër shkrimtarët më të mirë të letërsisë botërore bashkëkohore. Kadareja është përkthyer dhe botuar në shumë gjuhë të huaja, fitues i disa çmimeve letrare ndërkombëtare dhe i nominuar me dhjetëra herë për çmimin Nobel./atsh/KultPlus.com

Botimet UET Press organizojnë në Kryeministri botimin e librit të ri me intervistat e Ismail Kadaresë

Në mjediset e Qendrës për Hapje dhe Dialog (COD) në kryeministri, Universiteti Europian i Tiranës dhe UET Press organizojnë promovimin e librit me intervistat e shkrimtarit Ismail Kadare që titullohet “Kadare në studio”.

Këto intervista janë realizuar përgjatë njëzet viteve nga gazetarja Eni Vasili. Pjesë e bashkëbisedimit janë raportet e Kadaresë me diktaturën, krijimtaria para e pas rënies së komunizmit si dhe qëndrimi i tij ndaj çështjes shqiptare.

Kadare ka dhënë disa intervista që janë publikuar dhe si libra më vete, më të famshmet kujtojmë këtu atë me Alain Bosquet dhe atë me Eric Faye por nuk mbetet prapa as ajo me Denis Fernandez Recatala.

Këto intervista me Eni Vasilin janë të rëndësishme sepse gjejnë kohën e duhur kur Kadare është tashmë i intervistuar nga një gazetare profesioniste. Libri vjen me një parathënie nga Helena Kadare. Promovimi do të organizohet në orën 18 :00, sot, më 19 prill./tema/KultPlus.com

Shpallen katër librat finalistë të Çmimit të Përkthimit “Fjala Fest” 2024, mes tyre edhe “Pallati i ëndrrave” i Kadaresë

Katër librat finalistë të Çmimit të Përkthimit “Fjala fest” 2024 dhënë nga Albania Letteraria, Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit dhe DEP janë:

“Flama” nga Tom Kuka me përkthim nga Valentina Notaro në 2022, “Diktatori i Kryqëzuar” nga Mira Meksi me përkthim nga Giovanna Nanci (Bonanno;2023)

“Pallati i Ëndrrave” nga Ismail Kadare me përkthim nga Liljana Cuka dhe “Kinostudio” e Gëzim Qëndro me përkthim nga Caterina Zuccaro.

Fituesi për përkthimin më të mirë nga shqipja në italisht do të shpallet me 6 Maj dhe ceremonia e çmimeve do të mbahet ditën e diel të 19 Majit në Milano në kuadër të FjalaFest, edicionit të parë të Festivalit të Letërsisë shqipe./atsh/KultPlus.com

“Kamarja e Turpit” reflektim mbi realitetin e sotëm, kryqëzimit të njerëzve që kanë mendim ndryshe

Vjollca Duraku

Në sallën e Teatrit Kombëtar të Kosovës, një ndriçim i pazakontë u bë fjalëkalimi për një udhëtim të rrallë në kohë – “Kamarja e Turpit” e autorit Ismail Kadare u shfaq nën dritën e reflektorëve, duke përjetësuar një realitet të errët të Perandorisë Osmane. Në këtë interpretim të jashtëzakonshëm, regjisori Kushtrim Koliqi dhe dramaturgia Doruntina Basha i kishin dhënë jetë dhe ngjyrë një teme të përjetshme: pushtetit dhe formës së tij të egër për të qenë në piedestal, shkruan KultPlus.

Nisur nga një ngjarje e lashtë, ku prerja e kokës ishte dënimi për tradhti, historia e “Kamares së Turpit” shtrihet në kohën tonë duke reflektuar realitetin e sotëm. Duke filluar me ngjarjen historike dhe shtrirjen e saj në kohën e Ali Pashë Tepelenës në vitin 1822, romanin e Ismail Kadaresë e ndërtuan për skenën e Teatrit Kombëtar të Kosovës dhe në këtë version të shfaqjes, prerja e kokës nuk është thjesht një akt brutal, por një akuzë për tradhti, një mjet i përdorur për të linçuar publikisht dhe për të propaganduar mes masave.

Në shfaqje paraqitet koha kur perandoria osmane ishte dobësuar dhe pak para rënies, për të mbajtur veten në piedestal, sulltani vendos që “tradhtarëve” të perandorisë t’u prehej koka dhe tu vendosej në kamare në sheshe si shenjë turpërimi për të përhapur frikë e terror edhe te kundërshtarët por edhe te populli, në rast të mosbindjes ndaj pushtetit.

Kjo formë e dënimit vazhdon të paraqitet edhe sot në kohën tonë, veçse jo me prerje kokash si dukur por me linçime dhe turpërim përmes rrjeteve sociale dhe aparateve të ndryshme të kohës, ku grupe dhe etni të ndryshme ‘kryqëzohen’ kur nuk i binden qoftë rregullave të pushtetit apo të shoqërisë.

E gjithë ngjarja që herë shkon 500 vite para, e herë zhvendoset në ditët e sotme, zhvillohet mbi një def, i cili herë paraqitet si formë propagande për të përhapur lajmet e kohës, herë si ngazëllim i personave besnik të perandorisë për aktet e dhunshme që ishin bërë të zakonshme gjoja në emër të “tradhtisë”, e herë për të paraqitur vogëlsinë e gjithë individëve të tjerë krahas pushtetit dhe njerëzve me autoritet.

Nëpërmjet rolit të Abdullahut (Adrian Morina) shpërfaqet një person i thjeshtë i cili ishte ruajtës i kokave të prera nga pushteti dhe e kishte të pamundur ikjen nga realiteti i tmerrshëm i kohës, i cili në fakt e pëson edhe më keq se vetë ata që dënoheshin me ekzekutim, pasi në personalitetin e tij kjo formë bizare e dënimit i shkatërron personalitetin e tij duke i shpërfaqur komplekse të ndryshme deri te ajo se gjatë kënaqësisë së tij seksuale ai paramendonte kokat e prera të ‘tradhtarëve’ të perandorisë.

Ky rol plotësohej tutje nga Tunxh Hatait (Armend Smajli) i cili paraqiste xhelatin, një i deleguar nga perandoria osmane në ndjekje të atyre që nuk u janë bindur pushtetit. Ai shkon deri në atë pikë sa për t’u ngritur në detyrë dhe për t’i qëndruar besnik oborrit të sulltanit, prerja e kokës i ishte bërënjë akt i rëndomtë, duke shkuar në ekstremitete duke dashuruar viktimat e tij, duke i puthur dhe duke u pirë gjakun e tyre.

Por kishte edhe të tillë që i ishin kundërvënë pushtetit duke dashur të ishte një Skënderbe i dytë. Ky ishte Ali Pashai (Mustafë Muqaj), një rebel shqiptar 80 vjeçar i cili përndiqej nga perandoria osmane. Krahas autonomisë që ai kishte fituar në raport me pushtetin e lartë perandorak, paraqitej me një dëshirë për të qenë udhëheqës i vendit i cili për t’i plotësuar nevojat e tij e kishte integruar një zakon osmanli, duke pasur në krahë një vajzë rreth 60 vite më të re. Por që në fund vritet.

Ndërsa dyshja që paraqiteshin gjithkund sëbashku, Sulltani dhe PR ekspertja (Ylber Bardhi dhe Gresa Pallaska), shpërfaqnin marrëdhënien e pushtetit dhe propagandës. Pra në kuptimin se një person me autoritet i cili udhëheq masën i duhet PR dhe propagandë për të ruajtur stabilitetin e vet. Mirëpo në kohën e rënies dhe kur nuk ka më se kujt t’i lihet faji për dështimin e një pushteti të caktuar, udhëheqësit zgjedhin të ekzekutojnë edhe personin më të afërt të tyre.

Kjo lojë për pushtet e cila zhvendoset herë në Perandorinë Osmane e herë në Shqipëri, paraqet frikë, linçime, kërcënime, likuidime, eliminime, vetëvrasje, urdhra, zbatime, e hierarki në emër të famës dhe pushtetit.

Kjo formë është evidente edhe sot në kohën tonë, kur për qëllime të ruajtjes së statusit ka eliminime apo rrënime të karrierës për mosbindje nga persona autoritarë, përmes linçimeve që u bëhen personave partiakë, apo edhe nga shoqëria ndaj njerëzve me zgjedhje të pavarura për përkatësi politike, gjinore, fetare etj.

Shfaqja u mirëprit shumë mirë nga publiku, çka e dëshmuan me duartrokitjet e tyre e këtë e kishte ndjerë edhe regjisori Kushtrim Koliqi, i cili pas përfundimit të shfaqjes në një prononcim për KultPlus, tha se ndihej i lumtur pas reagimeve që kishte marrë nga audienca për shfaqjen, por që e tërë kjo erdhi pas një pune intensive por me një energji shumë pozitive.

“Ç’është e vërteta kemi punuar shumë gjatë për këtë shfaqje. Fillimisht kemi punuar në procesin e shkrimit të dramës, pastaj kemi punuar shumë edhe për përzgjedhjen e bashkëpunëtorëve qoftë kreativë, qoftë teknik si brenda dhe jashtë Kosovës. Pastaj kemi filluar procesin e provave që ka qenë një proces i gjatë, por shumë pozitiv, në aspektin e energjisë dhe në aspektin e rezultateve. Unë sa vërejta prej energjisë së audiencës, reagimi ishte shumë pozitiv, mirëpo tash duhet me i pyet edhe ata që me u tregu pak modest. Por besoj që krejt puna jonë si në aspektin estetik por edhe në aspektin e agjendës që kemi pasur në shfaqje ka komunikuar me publikun”, ka bërë të ditur regjisori Koliqi.

Më tej Koliqi tha se së bashku me regjisoren Doruntina Basha janë munduar të krijojnë një shfaqje me zhanër dhe sisteme të ndryshme me idenë për të ngacmuar audiencën qoftë duke e bërë për të qeshur, për ta relaksuar, tronditur,  qajtur apo irrituar. Sipas tij,  “Kamarja e Turpit” e trajton një çështje shumë specifike që i flet shumë kohës sonë.

“Në qoftë se në kohën e perandorisë Osmane i është prerë dikujt koka për t’iu vendosur në shesh të Stambollit, qoftë për t’i alarmuar kundërshtarët politikë apo kundërshtarët e perandorisë apo qoftë edhe si atraksion turistik, sot ne në baza ditore kryqëzojmë politikanë, njerëz, gra, grupe të margjinalizuara etnike, seksuale vetëm pse ne nuk pajtohemi me zgjedhjet e tyre qoftë në aspektin e mendimeve qoftë edhe në aspektin e zgjedhjeve individuale personale”, ka thënë Koliqi duke e treguar edhe mesazhin thelbësor të shfaqjes që sipas tij është pikërisht ideja se nuk duhet kryqëzuar njerëzit vetëm pse nuk kanë mendim të njejtë si ti apo zgjedhje të njëjta.

“Kjo është fatkeqësisht jo vetëm në Kosovë si vend jo shumë i zhvilluar, por edhe në vendet shumë të zhvilluara në Evropë dhe në Amerikë. Pra nxitja kryesore dhe mesazhi i shfaqjes është që në qoftëse unë nuk pajtohem me ty nuk do të thotë që duhet me të kryqëzu, qoftë në aspektin e karrierës, qoftë në aspektin ndaj bindjeve të juaja, vlerave të juaja që ti i pranon vetë”, ka përfunduar Koliqi.

Ndërsa dramaturgia Doruntina Basha po ashtu në një prononcim për KultPlus rrëfeu procesin e shkrimit deri te produkti final i cili u paraqit para publikut pak çaste më parë.

“Ideja ka qenë të nxjerrim elementin politik të veprës, për shkak se “Kamarja e Turpit” është vepër kryekëput politike e Ismail Kadaresë, trajton momentet e ndjeshme dhe të dobëta të perandorisë Osmane, pra të një pushteti që në këtë rast ishte perandoria Osmane në kohë  të dobësimit dhe para fillimit të rënies. Sigurisht që kur pushteti fillon të bjerë atëherë fillojnë edhe këto tentimet për të ruajtur veten në piedestal përmes propagandës”, është shprehur dramaturgia Basha.

Punën për të shndërruar një vepër letrare në një prodhim artistik skenik, Basha e ka quajtur sfiduese sepse sipas saj vepra nuk ka një personazh kyç, sepse në momentin kur ka një personazh kyç atëherë e përcjellë fatin e atij personazhi.

“Këtu janë disa personazhe të cilat në momente të ndryshme të rrëfimit paraqiten në pjesë të ndryshme gjeografike, dhe sigurisht që kjo ka qenë sfida kryesore për shkak se një narrativë dramatike për skenë e kërkon një lloj strukture që e ndjek një linjë dhe një logjikë të personazhit dhe mandej kam vendosur që të fokusohem në këtë fragmentaritet dhe ajo me qenë edhe struktura e dramës. Do të thotë elementet fragmentare me i përdorë në dobi të dramës”, tha Basha ku tutje tregoi se si ndryshim mes veprës së Kadaresë dhe shfaqjes, ajo e kishte vendosur si shtojcë PR-Eksperten që u luajt nga Gresa Pallaska.

“Ky personazh nuk ekziston te libri “Kamarja e Turpit” mirëpo ekziston te e gjithë linja e PR në një farë forme sepse vetë libri “Kamarja e Turpit është një lloj PR, një lloj publiciteti. Kështu që nevojitej me ekzistu një lloj personazhi i cili e bartë atë linjë. Dhe prej aty edhe ka lindë PR-Ekspertja në mënyrë për të konkretizuar pak edhe veprimin propagandistik të pushtetit”, ka thënë Basha.

Ndërsa për aktorin Adrian Morina eksperienca e tij në rolin kompleks të Abdullahut e kishte bërë të përjetonte emocione të fuqishme.

“Kaluam jashtëzakonisht mirë. Gjithmonë për aktorin është gati eksperiencë e re secila shfaqje, secili rol që e bën. Për këtë proces që jashtëzakonisht ka qenë i vështirë, them se jam jashtëzakonisht i lumtur me pritjen që publiku ia bëri shfaqjes edhe me punën e madhe që e ka bërë një ekip shumë i madh i njerëzve të angazhuar rreth këtij produksioni. Jam krenar që kjo shfaqje po ndodh në Teatrin Kombëtar të Kosovës”, është shprehur Morina.

Aktori i mirënjohur, më tej duke e paraqitur edhe kompleksitetin e këtij roli të cilin fillimisht kishte hezituar ta pranonte, tha se thashmë gjendej në një fazë kur nuk kërkon më të luaj role të tjera por të ketë sfida të reja për të tejkaluar kufijtë personal.

“Roli i Abdullahut është rol shumë i vështirë dhe kam hezituar fillimisht për të realizuar, për shkak se vjen dhe shpërfaqet gradualisht ashtu siç edhe e patë ju me disa komplekse, me disa gjëra që i ndodhin rrugëtimit të jetës së tij prej raporteve që i ka me rrethin, me bashkëshorten e tij, me vetveten dhe me zërat që i flasin në kokë. Regjisori Kushtrim Koliqi më ka bindur që duhet të jem pjesë e këtij projekti kjo ngase Kushtrimit i besoj pa rezervë, meqenëse kemi realizuar edhe dy- tre shfaqje të tjera shumë të mira bashkë”, përfundoi Morina.

Ju kujtojmë që reprizat e shfaqjes do të jepen edhe në datat 21, 25 dhe 26 Mars, në ora 20:00 në Teatrin Kombëtar të Kosovës./ KultPlus.com