Kadare rikthehet në qytetin e lindjes: Është bërë si Parisi

Padyshim njëri ndër shkrimtarët më të vlerësuar ndonjëherë në gjithë shqiptarinë, Ismail Kadare, ka vizituar së fundmi qytetin edhe ku ka lindur, Gjirokastrën, shkruan KultPlus.

Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro, i shoqëroi familjen e Kadares, ku u shëtitin në gjithë qytetin për të parë se sa i bukur ishte aty, sidomos me zbukurimet e fundvitit.

“Kënaqësia e patregueshme e shëtitjes mbrëmësore me shkrimtarët: Helena dhe Ismail Kadare. Bashkë me Flamur Golemin në sokakët e qytetit të gurtë me shkrimtarin që i kushtoi “Kronikën” më të bukur letrare Gjirokastrës së tij, Gjirokastrës time, Gjirokastrës sonë. Sa më pëlqen kur thotë: “Është bërë Gjirokastra si Paris” se rëndësi ka si i ndjen gjërat”, thekson Kumbaro.

Gjirokastra vitet e fundit ka pësuar një transformim rrënjësor. E njohur për shtëpitë e veta karakteristike, çatitë prej guri dhe muret e bardha, Gjirokastra është një nga pikat kryesore të turizmit në vend. Kalaja e gurtë dhe parku i Antigonesë vazhdojnë të ngelen më të preferuarat për t’u vizituar nga grupet turistike vendase dhe të huaja përgjatë guidave dhe udhëtimeve të tyre në zonën e Gjirokastrës.

Ismail Kadare, shkrimtar i madh i letrave shqipe dhe jo vetëm, lindi më 28 janar të vitit 1936 në Gjirokastër. Nga “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, që e bëri të njohur në gjithë botën, në “Daullet e shiut”, veprat e tij më të zhytura në natën e legjendës ballkanike janë “Kush e solli Doruntinën” apo “Ura me tri harqe” apo ato me frymëzime të së tashmes si “Tri këngë zie për Kosovën”.

Në vitin 1996, Kadare u pranua anëtar për jetë i Akademisë së Shkencave Morale dhe Politike në Francë. Në vitin 1992 u vlerësua me Prix Mondial Cino Del Duca; në 2005 fitoi Man booker International Prize dhe në vitin 2009 mori çmimin Prince of Asturias për Artet. Shkrimtari shqiptar Ismail Kadare ka fituar Çmimin “Jeruzalemi” për vitin 2015. Ai u konsiderua me këtë rast shkrimtari që i dha shprehje lirisë njerëzore në librat e tij.

Në 13 maj 2016, Presidenti i Republikës, Bujar Nishani i akordoi shkrimtarit të shquar “Dekoratën e Flamurit Kombëtar”. /KultPlus.com

Ismail Kadare: Letër presidentit George Bush

Kadare: Vetë etja për të lexuar për seksin ka në vetvete diçka anormale

KultPlus ju sjell një pjesë të bisedës së Ismail Kadaresë me Alda Bardhylin, që është botuar nëpërmjet librit “Koha për rrëfim”.

Kur e keni shkruar poezinë e fundit?

-Nuk e mbaj mend.

Si i zgjidhni titujt e librave tuaj?

-Nuk kam pasur ndonjë vuajtje për titujt asnjëherë, as ndonjë ngulmim, që ata të jenë të bujshëm.

Hemingueji e shkroi 47 herë fundin e romanit Lamtumirë armë, për të mbërritur te fjalia: “Pas pak, e braktisa spitalin dhe nën shi u ktheva në hotel.” Për shumë autorë, fundi i një libri është mundim. Si ka qenë ky proces në krijimtarinë tuaj?

-Fundi i një libri nuk më lodh, më jep gjithnjë një kënaqësi. Fundet janë diçka e afërt me mua, ndihem i afërt me to dhe përkundrazi, kam një lehtësi. I vetmi mundim, nëse mund të quhet i tillë, është një zgjedhje që për mua është e këndshme gjithmonë.

Zakonisht i pëlqej fundet, është një element që, siç duket, te shkrimtari e shkakton lëvrimi i poezisë. Një shkrimtar i lidhur

me poezinë i ka më të lehta fundet. Më është krijuar kjo ngulitje në mendjen time.

Në vitet ’20 dhe ’30 të shekullit të kaluar filozofë, si Uolter Benjamin, folën për vdekjen e romanit. Vetë postmodernizmi do të ndikonte në një ikje prej realizmit. Si e shihni ju romanin sot?

-Romani në letërsi është një gjini e rëndësishme. Mendoj se të gjithë shkrimtarët kanë një tërheqje gati magjike nga kjo fjalë, ky koncept, ky përfytyrim. Fjala roman ka dalë nga letërsia për t’u përdorur në pjesët më delikate të jetës njerëzore.

Kjo tregon atë hijen e tij, që unë e quajta të mbarë në jetën njerëzore. Për mua fraza e njohur në të gjitha gjuhët, roman, është një nder që letërsia i ka bërë vetes, duke arritur që t’i japë tingëllim kësaj fjale. Nuk mendoj se do të ketë ndonjëherë vdekje të romanit.

Cesare Pavese ka thënë se ajo që kujtojmë nuk janë ditët, por çastet. Cila është vlera e çasteve në histori?

-Në histori, në jetë, në kalendarin e jetës njerëzore, çastet shfaqen në mënyrë shumë kapriçioze. Ato janë shpesh më të thella sesa duken, ose e thellë është vonesa e tyre, siç mund të jetë vërtetuese për diçka, ose e rreme. Do të doja që të mos flisja për këtë gjë të pashtershme.

Çfarë vlere kanë pasur çastet në jetën tuaj?

-Sigurisht që kanë pasur vlerë. Ndonjëherë e kam kuptuar këtë vlerë dhe ndonjëherë jo.

A keni ju një kufi midis trillimit dhe realitetit gjatë procesit të shkrimit?

-Unë përpiqem ta mendoj këtë gjë pa kufi, të pakufizuar.

Përse shkrimtarët e kanë të vështirë të shkruajnë për seksin?

-Është një pyetje, në pamje të parë e thjeshtë, por që në një bisedë me një shkrimtar ka brenda saj pamundësinë për t’u përgjigjur. Vetë etja për të lexuar për seksin ka në vetvete diçka anormale. Rrjedhimisht, edhe dialogët për të bëhen të tillë.

Sa i rëndësishëm ka qenë seksi në veprat tuaja?

-Nuk kam asnjë ide në ka qenë apo jo i rëndësishëm.

Çfarë ju tremb tani?

-Asgjë! Më tremb vetë ecja e jetës, ashtu siç më gëzon e më hidhëron.

Për çfarë ju merr malli?

-Më merr malli shpesh, por e kam të vështirë ta gjej. Njëherë më merr për diçka e herë për një gjë tjetër, ngjarjet ndërrojnë rolet./ KultPlus.com

“Ti dhe hëna”, ndër poezitë me romantike nga Ismail Kadare

Poezi nga Ismail Kadare

“Ti dhe hëna”

Kësaj nate me hënë të vjeshtës
Dola fushës të bredh kuturu.
Retë shtohen me vrap pa reshtur,
Hëna duket aty-këtu.

Porsi vetë mendimet e mia
Po më shtyhem ndër mend më shpesh
dhe pas tyre gjithnjë gjendesh ti
si kjo hënë që duket mes resh.

Hëna shpejt do të zhduket dhe netët
do të mbeten pa të, kurse ti
në ëndërrimet e mia pa jetë
perëndim s’do të kesh kurrsesi./KultPlus.com

Ismael Kadaré author 2005

Ismail Kadare vlerësohet për punën dhe rolin e tij nga asambleja e Frankofonisë

Asambleja e Përgjithshme e Frankofonisë, për Europën këtë të premte në mbledhjen e kësaj të premte ka vlerësuar akademikun dhe shkrimtarin Ismail Kadare.

Akademikut i është akorduar dekoratën “Kalorës i Madh i Urdhrit të Yllësisë së Frankofonisë dhe dialogut midis kulturave”.

Dekorata e shkrimtarit i është dorëzuar zonjës së tij Helena Kadare

“Ansambleja e Përgjithshme e Frankofonisë, për Europën, e mbledhur sot në Tiranë në sesionin e saj të 33-të, i ka akorduar akademikut dhe shkrimtarit Ismail Kadare dekoratën e lartë: “Grand Chevalier de l’Ordre de la Pléiade de la Francophonie et du dialogue des cultures” (“Kalorës i Madh i Urdhrit të Yllësisë së Frankofonisë dhe dialogut midis kulturave”).

Deklarata e lartë iu dorëzua zonjës Helena Kadare”, bëhet me dije nga nsambleja e Përgjithshm e Frankofonisë për Evropën./abcnews.al /KultPlus.com

Kadare: Gjer më sot, Lasgush Poradeci ka mbetur për mua njeriu më i jashtëzakonshëm

Ajo çka, në vend që të më mundonte, më mahniste gjithmonë, sa herë që takoja Lasgush Poradecin, ishte ndjesia e së pamundurës.

Ishte e pamundur të merreshe vesh me të si me të tjerët. Porsa hyje tek ai, madje porsa trokisje në portë, aty për aty gjithçka tjetërsohej.

Tjetër logjikë në të biseduar, tjetër kod, të tjera fjalë, të mbështjella me kuptim tjetër. Diçka mungonte përherë, e diçka qe e tepërt. Ai vetë ishte aty, i vëmendshëm për gjithçka, e megjithatë, ti e ndjeje se sa ç’ishte , aq edhe mungonte.

Më e habitshmja ishte se ty të pëlqente kjo, se nuk doje aspak që të prishej kjo magji, ashtu si nuk doje që fjalëve që thuheshin t’u ikte dysia, velloja me të cilën sapo ishte mbështjellë dhe t’u ktheheshin kuptimet e tyre të mirëfillta, që ngjanin tani të zbehta.

Një njeriu meskin do t’i dukej i krisur, një tjetër mund të mendonte se atë mjegullirë ia krijonte pleqëria. Por s’ishte as e para, as e dyta.

Lasgushi ishte aty, disa qindra hapa larg, megjithatë, përse nuk nisesha me ngut, me panik, për të mos humbur kohë? Përse nuk kam shkuar më shpesh, thosha me vete. Dhe prapë shkoja rrallë. S’kisha kurrfarë droje se do ta shqetësoj. Ai më priste përherë me kënaqësi, madje më çonte fjalë t’i shkoja. Ishte një pengesë e tjeterfartë. Pengesa që shkakton ëndrra. Askush nuk ngutet të shkojë drejt saj. Sepse, në fund të fundit, vonesa dhe ngadalësia bëjnë pjesë në mekanikën e saj.

Të shkoje tek ai, ishte më shumë se të dilje jashtë shtetit. Të dukej se dilje jashtë kohës, jashtë sistemit të zakonshëm të të menduarit. Edhe një hap dhe kishe ndjesinë se do të kapërceje kufijtë e jetës për të shkelur në shkretinë danteske.

Prej vitesh, qysh pas mbarimit te Luftës së Dytë Botërore, ai kishte qenë përherë i tillë: i gjallë dhe i vdekur njëkohësisht. Shumë gjimnazistë, që e bënin në mësim, e kujtonin të vdekur. Të tjerë ua shpjegonin se nuk ishte ashtu, se ishte gjallë, por as të parët, as të dytët nuk habiteshin nga kjo. Ishte një gjendje e dyzuar që i shkonte atij dhe shumë njerëz qenë mësuar me të, si me dikë që e kundrojnë përherë nën syprinën e ujit. Ishte nga të rrallët njerëz dhe, ndoshta , i vetmi shkrimtar i madh që arriti për një kohë aq të gjatë , duke qenë i gjallë, të përjetojë vdekjen e tij.

Pamja e tij e jepte shpeshherë në mënyrë të saktë këtë dyzim, sidomos kur vishte kostumin e zi dhe vinte borsalinë të zezë. Në një rast të tillë të dukej e natyrshme ta pyesje nëse dilte apo shkonte drejt arkivolit. Më e çuditshmja ishte se ky fat i tij nuk zgjonte keqardhje. Ndjenja e keqardhjes, e mëshirës së mundshme, e pikëllimit që ai qe harruar pa të drejtë, thërrmohej si një enë kristali sapo ndeshej me të.

Kur ai hynte në kafenetë e Pogradecit, shkrimtarët që vinin për verim kishin ndjesinë se po strukeshin nga një stuhi e padukshme. Ai ishte i paparashikueshëm, gërryes si acid, i rrezikshëm, i beftë. E qeshura e tij ishte si e tejtejshme, pa gëzim, mërzitja e tij e papikëllueshme. Kështu e kishte edhe zemërimin, luksoz, të ftohtë, kurse përbuzjen, rrezatuese që larg, si të stolisur me argjend.

Por gjëja më e jashtëzakonshme ishte e folura e tij. Gjë më të pangjashme me bisedën e përditshme, nuk mund të përfytyroje dot. Ndonëse ishte e qartë, pa stërhollim, fare e rrokshme, madje për gjëra të ditës, ajo e kishte kryekëput të ndryshme gjithçka: ndërtimin e saj, logjikën, ritmin, kthimet prapa. Ishte e papërftueshme, të mendoje që ai ose ti, në fillim të bisedës, të thoshit diçka për kohën, shëndetin, ose shprehjen ç’të reja kemi? Ai mund të shikonte ftohtë, të mos përgjigjej dhe të harronte që ti ishe aty. Çdo takim me të ishte përherë befasues, jashtë çdo skeme dhe parashikimi…

…Mekanizmi i kohës së tij ecte herë përpara, herë mbrapsht e herë në vend. Edhe oraret ashtu i kishte: çohej nga gjumi në orën 11. Hante mëngjes. Flinte përsëri në 12. Hante drekën në 5 mbasdite. Flinte në 6. Çohej në 8 dhe punonte gjer më 3 pas mesnate. Pamja e tij, po aq sa e folura, i shpëtonte çdo cilësimi. Ai ishte aristokrati dhe fshatari njëkohësisht, vjenezi i përkorë dhe ballkanasi me shkop shtogu, bjondi dhe bruni, i ashpri dhe fini. Ai herë të kujtonte aktorin gjermano-shqiptar të viteve ’30, Aleksandër Moisiun, herë grekët e lashtë të mbështjellë me zhgun jashtëkohor, e herë Papa Gjon Pali II.

Gjatë udhëtimeve në shumë vende të botës më ka qëlluar rasti të njihem me njerëz të pazakonshëm, nobelistë, filozofë, aktorë, politikanë, shkrimtar të mëdhenj, por gjer më sot Lasgush Poradeci ka mbetur për mua njeriu më i jashtëzakonshëm , më i ndërlikuar e më i pakuptueshëm që kam njohur. Kam biseduar për të me njerëz që i kishte edhe më të afërt: të shoqen, vajzat, gruan që ka qenë pasioni i tij i fundit, por askush nuk ka kuptuar diçka më shumë prej tij.

Me sa duket, kodin zbërthyes ai e mori me vete në varr. Duke e parë, dhe sidomos duke e dëgjuar, gjithmonë mendoja se si ishte e mundur që njeriu ballkanas, njeriu shqiptar, të arrinte një ndërlikim të tillë, përkryerje, mëvetësi dhe mister.

Ismail Kadare “Ftesë në studio”. / KultPlus.com

Poezi madhështore të recituara nga vetë Ismail Kadare (AUDIO)

Ismail Kadare është një ndër shkrimtarët më të mëdhenj bashkëkohorë, akademik, ish-deputet i Kuvendit Popullor (1970-’82) dhe zv/kryetar i Frontit Demokratik.

Si shkrimtar shquhet për prozë, por ka botuar edhe vëllime me poezi dhe ese. Nisi të shkruajë kur ishte ende i ri, fillimisht poezi, me të cilat u bë i njohur, e më pas edhe prozë, duke u bërë prozatori kryesor shqiptar. Deri më sot veprat e tij janë përkthyer në rreth 45 gjuhë të ndryshme, duke qenë kështu përfaqësues kryesor i letërsisë shqipe nëpër botë.

Në vitin 1996 Kadare u bë anëtar i përhershëm i Akademisë së Shkencave Morale dhe Politike në Francë.

U nderua me shumë çmime ndërkombëtare, mes të cilëve kujtojmë Çmimin «Man Booker International» më 2005, çmimin «Princesa de Asturias» për Artet më 2009 dhe Çmimin «Jeruzalem» më 2015.

Viteve të fundit ai e ndan kohën e tij mes Francës dhe Shqipërisë.

Më poshtë KultPlus ju sjell disa poezi të tij të recituara nga vetë Kadare:

https://www.lyrikline.org/de/player/playautor/1295?fbclid=IwAR3Lm37u4WR55cyKgBSHRyTTTklZVEBh9NXpXT7_3qr1–iO11UDjJsEgnA / KultPlus.com

Ismail Kadare: Enigma e miqësisë sime me Dritëro Agollin

S. C. – Ju lini të kuptohet se nuk mbani mëri për Agollin. Dukeni se përmbaheni nga një lidhje e vjetër dhe misterioze mes jush. Si arritët të kapërcenit ndjesinë e tradhtisë dhe të neverisë? A mendoni se, në njëfarë mënyre, Agolli ka vepruar nën shtrëngim? A mendoni se, përfundimisht, për arsye të ndryshme, ju mundët t’i rezistonit presionit, kurse ai nuk mundi? Më duhet të them se e kam shumë të vështirë për ta kuptuar.

Në qoftë se një miqësi e kaluar tepër e thellë, mund të quhet një lidhje (lien) e fshehtë e vjetër, atëherë raportet e mia me Dritëro Agollin, mund të emërtohen pikërisht lidhje (lien) e vjetër e fshehtë. Ajo që ka ndodhur më pas midis nesh, kur ai u bë kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve, për shumë njerëz ka qenë e pakuptueshme, pikërisht ngaqë ata nuk kanë ditur një enigmë të kësaj miqësie.

Ne kemi qenë miq të ngushtë për gati 15 vjet. Pas liceut kemi shkuar të dy për studime në Rusi, ai në Leningrad, unë në Moskë. Pas kthimit andej miqësia jonë u forcua me një element të ri, një element tepër thelbësor nën një diktaturë: pikëpamjet e njëjta politike. Ne ishim të dy kundër regjimit komunist dhe haptas flisnim kundër tij. Kjo ka qenë enigma.

Kjo vazhdoi deri pas vitit 1968, kur ai u shenjua për karrierë politike. Ai u bë kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe më pas anëtar i Komitetit Qendror të partisë. Është e kuptueshme që e folura jonë kundër regjimit u zbeh, gjersa u pre krejtësisht. Ajo mbeti kështu e fshehta jonë e përbashkët.

Kur ai lexonte kritikat e tij të tmerrshme kundër meje, askush nuk mund ta merrte me mend se ato “mendime makabre” kundër zyrtarëve me duar të përgjakura, talljet kundër socializmit, Stalinit madje Enver Hoxhës, i kishim bërë bashkë, ca kohë më parë. Dëshira për t’u ngritur në mes të mbledhjes e për t’i thënë: mik i dashur, ti bën analiza të sakta kundër meje dhe veprës sime, ngaqë ke patur të njëjtën mendje si unë, ishte tepër tunduese gjatë këtyre seancave mizore. Natyrisht, asnjëherë s’e mendova ta bëja këtë, sepse do të ishte fatale për të dy. Por, nga ana tjetër, midis asaj gjendjeje surealiste, kur dikush që kishte qenë alter ego-ja ime, më akuzonte, ndihesha jo vetëm i trishtuar, por përjetoja një ndjesi të çuditshme sipëranie dhe sigurie. Kjo vinte, me sa dukej, nga ideja se njeriu që tundte fshikullin kundër meje, në fund të fundit, ishte po aq sa unë kundërshtar i shtetit.

Për një çerek shekulli nën diktaturë kjo mbeti e fshehta jonë e përbashkët. Më e çuditshmja ishte se ajo vazhdoi të mbetej e fshehtë edhe pas rënies së regjimit. Agolli vazhdoi të mbetej emblema e së majtës shqiptare, një nga liderët e partisë socialiste të reformuar. Ai gëzonte gjithmonë statusin e shkrimtarit tepër të shquar, madje fakti që ishte gjithmonë me të majtën, i quhej meritë karakteri. Ai kishte përfunduar kështu me dy biografi: njërën publike, që ia dinin të gjithë, e tjetrën të fshehtë, që së paku ia dija vetëm unë.

Në verën e vitit 2005, rasti e solli që unë t’i propozoja publikisht, gjatë një interviste, biografinë e tij të fshehtë, atë që i bënte nder atij. Pyetjes së një gazetari se ç’mendoja për opinionin e përhapur, se pavarësisht se pozicionimi politik i Agollit (besnikëria ndaj socializmit), i cili ndryshe nga ai i Kadaresë, quhej i gabuar, atij nuk mund t’i mohohej merita e vijimësisë. Kësaj pyetjeje iu përgjigja se kjo nuk është e vërtetë, dhe se në qoftë se, midis ne të dyve, njëri kishte ndërruar bindje politike, e tjetri kishte mbetur besnik i bindjeve të vjetra, ndërruesi ishte ai e besniku isha unë.

Deklarata mund të tingëllonte si vetëmburrje, por shtjellimi ishte tronditës për të gjithë. Unë tregova se për 15 vite rresht, Dritëro Agolli dhe unë kishim patur mendime të njëjta kundër regjimit komunist. Unë shtoja se ai mund ta mohonte sot këtë, por ky mohim do të ishte mohimi i pjesës më të bukur të jetës së tij.

Isha shumë kureshtar të dija se cila do të ishte zgjedhja e tij. Pas dy ditëve, në një intervistë që mund të quhej mallëngjyese, ai pranoi gjithçka që unë dëshmoja, madje shkonte më tej, në rikujtimet e kaluara. Merrej me mend zhgënjimi i ish-militantistëve komunistë. Nga ana tjetër, adhuruesit e tij, që nuk janë të paktë, jam i sigurt se janë çliruar nga bezdia që krijonte biografia e tij zyrtare. Gjithsesi mendoj se kjo dalje e së vërtetës, nga njëra anë ishte diçka emancipuese për botën shqiptare, nga ana tjetër, e ka çliruar atë me siguri nga një ngërç i vjetër.

Ndoshta e gjitha kjo për ju dhe për lexuesin perëndimor, ngjan tejet e pakapshme. Por kjo ka qenë kështu. Duke e shpjeguar, unë nuk marr për-sipër as ta mbroj, as ta përligj, e as ta damkos. Fola gjatë për Agollin, jo vetëm se ai është i pranishëm gjerësisht në këtë libër dokumentesh, por kryesorja sepse ai do të mbetet gjithmonë në letërsinë shqipe si një ndër shkrimtarët kryesorë të saj.

Si episod mbyllës në këtë shënim, po ju tregoj fjalët e tij, thënë sime shoqeje, në një gjendje disi depresive, pikërisht në atë kohë të egër: “Helena, një gjë duhet të mos e harrosh kurrë, asnjeri në botë nuk e ka dashur I. K. sa unë”.

Kur ime shoqe m’i përsëriti ato fjalë, unë aty për aty i besova.

S. C. – Nëse i keni besuar, unë ju besoj gjithashtu. Por, në të njëjtën kohë, konstatoj dhunën e asaj çfarë shkroi, në të njëjtën periudhë, kundër jush, dhe që mund ta lexojmë në dokumentet e “Dosjes Kadare”. Atëherë, së fundi, çfarë mendoni se besonte në të vërtetë Agolli?

Pyetja juaj është e vështirë. Së pari, është e nevojshme që të kuptoni se lidhja jonë është ajo mes dy shkrimtarësh. Në radhë të parë, ne ishim shkrimtarë, domethënë pjesëtarë të së njëjtës familje. Agolli kishte talent të njohur dhe të vlerësuar nga të gjithë, përfshirë këtu dhe mua.

Edhe ai spiunohej dhe kërcënohej prej diktaturës. Ai, gjithashtu, ka pasur disa vepra të ndaluara. Ishim në të njëjtin burg, gjë që krijon një lidhje të vërtetë.

Por, për fat të keq, Agolli, më shumë se unë, ishte i tërhequr nga karriera. Ndoshta, gjithashtu, ata ia dolën të ndiznin tek ai një ndjenjë shemrimi.

Kjo lidhje pa dyshim që është zhvilluar në nivele të ndryshme: përzemërsia, respekti, një rivalitet i ngjallur dhe i ushqyer prej regjimit dhe dëshirës për karrierë. Të gjitha këto nivele vazhduan gjatë gjithë kësaj historie.

S. C. – Po sot, cila është përfundimisht marrëdhënia juaj me Agollin?

Që prej kësaj interviste të fundit, nuk kam pasur më kontakt ose shkëmbim me të. Por, për t’iu përgjigjur më saktësisht, do t’ju them këtë: gjithmonë kam pasur dhe kam ende dy peshore, për njerëzit që kanë talent dhe për ata që nuk kanë.

Ndoshta është e padrejtë, ndoshta kjo është e kushtëzuar prej statusit tim prej artisti, por kështu është. Nëse Agolli do të ishte një shkrimtar mediokër, do t’ju flisja ndryshe për të. Por Agolli ka talent. Pra, në një mënyrë a në një tjetër, ai është i familjes dhe do të flas ndryshe për të.

Talenti i vërtetë, në mënyrë të natyrshme, krijon një lloj përparësie. Edhe kur gabon, është ajo prirja për ta minimizuar. Sepse mendon instinktivisht se ka diçka “minimizuese”, diçka që, ndoshta, nuk e dini akoma, diçka që, fundi i fundit, keni qejf ta imagjinoni si misterioze. Isha i bindur se, pas sulmeve kundër meje, atë e brente ndërgjegjja. Shpesh, ai nuk e fshihte këtë gjë.

Përveç kësaj, siç thashë, kur ishim miq, ishim të tillë me të vërtetë. Ne kemi pasur një fat të përbashkët. Në vitin 1965, për shembull, kur romani “Përbindëshi” u ndalua, libri i tij më i mirë, “Zhurma e erërave të dikurshme”, u ndalua gjithashtu.

I tillë ishte vizioni im për botën. “Hamleti”, mes pikëpyetjeve që nuk resht së ngjalluri, ngre gjithmonë këtë pyetje: pse fantazma u pa prej disave dhe jo prej të tjerëve? Në botën komuniste këto lloj gjërash ndodhnin shpesh. Për më tepër, ndodhte shpesh të mos ishte e lehtë të dalloje njeriun prej fantazmës. /exlibris/ KultPlus.com

Tetor

Poezi nga Ismail Kadare

Ti ike udhës së pafundme
Ku zverdhin drurët gjetherënës
Mbi gjokse pellgjesh tani tundet
I arti medalion i hënës.

Lejleket ikën, fill pas teje
Si stof i keq u zbeh blerimi
Dhe ngjajnë toka, pylli, reja,
Me negativin e një filmi.

Tani në fusha shkoj menduar
Ku nis të fryjë erë e ftohtë,
Ku ca mullarë të gjysmuar
Duken që larg si Don Kishotë.

Ç’të bëj, po them me vehten time,
Në këtë orë të vonë të muzgut,
Ku qerrja baltave bën shkrime.
Të lashta sa të Gjon Buzukut?

Do të shkoj të ulem përmbi pellgjet,
Të pi në gjunjë duke rënë,
Në grykë e di, do të më mbetet
I ftohti medalion i hënës. / KultPlus.com

Drejt rijetësimit shtëpia e gjeniut të letrave, Ismail Kadare në Gjirokastër

Në qytetin e gurtë të Gjirokastrës vijon puna për rijetësimin e shtëpisë së shkrimtarit të madh Ismail Kadare.

Ministrja e Kulturës Elva Margariti bëri të ditur se “po rijetësojmë shtëpinë e gjeniut të letrave, Ismail Kadare, në Gjirokastër, për ta kthyer në një nga ndalesat më domethënëse të qytetit të gurtë”.

Shtëpia e shkrimtarit shqiptar me famë botërore, Ismail Kadare është kthyer në muze. Në këtë shtëpi lindi dhe kaloi fëmijërinë e tij Kadare. Shtëpia duket e njohur për ata që kanë lexuar librin e tij “Kronikë në gur” ku ai përshkruan çdo qoshe të shtëpisë. Shtëpia u ndërtua në 1799, dhe është shpallur monument kulture në 1991.

Shtëpia muze e Kadaresë është hapur për publikun në 28 janar 2018 me rastin e 80 vjetorit të lindjes së Kadaresë. Shtëpia e Kadaresë është në mes të lagjes historike Palorto dhe gjendet lehtë. Brenda saj ka ende disa objekte origjinale që i përkasin familjes si psh një sënduk, disa foto etj.

Nga trajtimi arkitektonik, banesa është cilësuar si një ndër më të arrirat dhe në pozicionin më dominues, përkrah edhe mjaft objekteve të tjera me vlerë. /atsh/ KultPlus.com

‘Nëna’

Poezi nga Ismail Kadare

Në mbrëmje u kthye ai në shtëpi
i lodhur, i ngrysur, me traktet në gji.

Mesnatës së shurdhër, së errët, së shkret’
do ngjisë ai traktet kudo në qytet.

-Mesnatës ti sonte, o nënë, me zgjo!
-Mir’, biri nënës, fli, bir! – tha ajo.

Ai si i vdekur ne gjumë! ra pastaj
dhe nëna mbi të nuk i ndan sytë e saj.

Shikon ajo traktet dhe lutet mbi të
(Fli, biri i nënës, se ora s’është një.)

Akrepi leviz, me ngadalë lëviz
pas perdesh, pas xhamash: e zezë nata pis.

Ne ëndërr ai buzëqesh e po sheh,
një fushë të bukur, një qiell pa re.

Dhe nëna e tij me të bardha vallëzon,
ne fushë te sahatit me dorë tregon.

Akoma akrepi s’ka shkuar në një,
ndaj nëna s’e zgjon, ndaj akoma po fle.

Por befas ne fushë u dëgjua që larg
nje krismë përreth: trak a trak, trak a trak!

Dhe nëna u zhduk si në mjegull atje,
sahati i thyer seç ra përmbi dhe.

I mbytur në djersë u zgjua ai
(O nënë), dhe dorën e vuri në gji.

Atje trakte s’ka. (O nënë ku je
Pas perdesh, pas xhamash po gdhin ditë e re.

(O nënë!), por nëna nuk është më përqark
diku mitralozi troket: trak a trak!

Dicka nëpër mendtë atij shpejt I erdh’
u hodh drejt nga porta: kuptoi e u zverdh.

Ne dor’ revolverin, ne rrugën e shkret’
vrapoi n’errësirë, kudo në qytet.

(O nënë, o nënë, o nënë, ku je!!!!)
Ja, zbardhin mbi mure ca trakte atje.

Vrapon, po nuk duket gjëkundi ajo,
…(Ndal!) ndihet tek-tuk. Vrapo shpejt! Vrapo!

N’agim afer pyllit, ne an’ te një përroi
pas drureve ai u mbështet e vajtoi.

…Qe biri të flinte i qetë gjer n’agim,
mesnata per nënën s’do ketë mbarim./KultPlus.com

Poezia madhështore për Kosovën nga Ismail Kadare

Një nga vjershat e rralla të Kadaresë ku përmendet Kosova. Përgjithësisht tema e Kosovës në atë kohë, konsiderohej tabu në letërsi.

E hidhur vjeshtë e këtij viti
Kosovën gjeti nën terror.
Korba të zez mbi të ia mbërritën,
Hetues, gjykatës e prokurorë.

Me dhjetë vjet burg, me tetë, me shtatë,
Me dymbëdhjetë dënojnë diku.
Kështu mes jush shekullin ndani,
Dhe mijëvjeçarin ndani ju.

Kështu e prekni historinë,
Mbi supe e mbartni ju sërish.
Prangat në shkollë që i mësonit
Në duar ndjetë befasisht.

Dhe patë se koha e mesjetës
S’qe larg dhe veç në libra s’qe,
Dhe u kthye nata e Prishtinës
Në natë Shën Bartolemeu.

U ngritët ju viganë, fisnikë
Me korrektesë e madhështi.
Ngaqë kërkuat Republikë,
U shtypët si në monarki.

Por koha kurrë s’vjen përgjysmë,
Natë e masakrës vetëm s’mbërrin,
Se pas Dushanit car të frikshëm
Rrufeshëm Skënderbeu arrin.

S’kish dëshmitarë, TV nuk pati
Zinxhiri i tankut kur ju griu,
Por retë e globit veg ju panë,
Ndërgjegje e botës te ju mbërriu.

Kështu në vorbull të epokës
U ngritët ju si monument,
Ju që e prekët historinë,
Dhe n’histori u kthyet vetë. / KultPlus.com

Intervista ekskluzive me Ismail Kadarenë në Paris

Nga Aurenc Bebja*, Francë – 9 Shtator 2021

Prestigjozja “Le Monde” ka botuar, të premten e 23 majit 1986, në faqet 15 dhe 19, intervistën ekskluzive me shkrimtarin Ismail Kadare, të zhvilluar gjatë vizitës së tij asokohe në Paris, të cilën, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar.

Bashkëbisedim

Ismail Kadare, shqiptari

Burimi : Le Monde, e premte, 23 maj 1986, f. 15

Vendi im nuk më duket aq i izoluar sa thuhet

Në skaj të Evropës, Shqipëria është një “tokë e panjohur” nga e cila na arrijnë herë pas here vetëm informacione të vogla dhe të paverifikueshme si për shembull me rastin e vdekjes së një udhëheqësi historik, të udhëtimit të parë të këtij apo atij politikani zyrtar perëndimor i rrethuar nga gazetarë dhe industrialistë, apo për demonstratat në lidhje me Kosovën që pretendohet si nga serbët ashtu edhe nga shqiptarët. Megjithatë, gjatë pesëmbëdhjetë viteve të fundit, ne kemi marrë rregullisht përkthime të veprave prozë të një shkrimtari të madh – Ismail Kadare : dhjetë libra të botuar në Francë (që nga Gjenerali i ushtrisë së vdekur, i cili u zbulua në 1970) pa dyshim që e bëjnë atë një nga njerëzit bashkëkohorë të letrave të përfaqësuar më së miri në katalogun e botimit francez.

Librat e tij përziejnë vazhdimisht të tashmen dhe të kaluarën, kujtimet e Ilirisë Romake (Aureliani, Diokleciani dhe Konstandini, ishin vendas të Ilirisë) dhe Bizantit, humbja para turqve që islamizuan vendin për gjysmë mijëvjeçari, betejat kundër fashistëve italianë, miqësia pastaj prishja me BRSS-në, lidhja pothuajse aq shpejt e ndërprerë me Kinën… E gjithë kjo në një vizion fantastik dhe realist në të njëjtën kohë, i cili vazhdimisht merr traditën gojore dhe epikën e poezisë, fabulat dhe baladat e shënuara nga shkollat osmane dhe damari grotesk i jetës së përditshme. Ndërsa fërkon gjithmonë supet me sferën e të vdekurve sa më afër (1)… Dhe çuditërisht, kjo prozë aq e huaj, aq fantastike, është krejtësisht e arritshme për ne : alegoria bëhet e lexueshme në një numër aspektesh, ndërsa e mrekullueshmja gjendet kudo. Kjo është shenja e një shkrimtari shumë të madh që ndonjëherë lejohet të vijë në Francë – ku ai me të vërtetë po fillon të njihet nga lexuesit – dhe i cili sapo ka kaluar disa ditë në Paris, ku ne e takuam.

Ismail Kadare është vetëm pesëdhjetë vjeç. I qetë, i buzëqeshur, i vëmendshëm pas syzeve të tij të mëdha, ai duket shumë më i ri. Ai flet një frëngjishte të mirë të cilën e rafinon, duket nga udhëtimi në udhëtim, pasi ka filluar të mësojë gjuhën tonë vonë, rreth vitit 1970, kur u përkthye romani i tij i parë dhe perspektiva për të mos qenë në gjendje të kuptojë ose ta kuptojnë iu duk mjaft e padurueshme për të.

Quhem Ismail. Nuk kam asgjë prej myslimani.

— Ju keni lindur në jug, afër Epirit, në një qytet që nuk ishte kryeqyteti (por që ka parë në 1908 lindjen e Enver Hoxhës, udhëheqësit historik të Partisë Komuniste Shqiptare).

— Qyteti im, Gjirokastra (Argjirokastroni i lashtë) nuk ishte kryeqytet, buzëqesh Kadare, por ai, për shekuj me radhë, ishte më i njohur se kryeqyteti. Tirana ishte një fshat shumë i vogël me dhjetë mijë banorë kur Gjirokastra ishte qyteti i madh i Perandorisë Romake në jug; se në veri tashmë ishte Shkodra dhe në qendër, buzë detit, ishte Durrësi, ku Ciceroni kishte një shtëpi.

Intervistë nga NICOLE ZAND

(Lexoni më shumë në faqen 19.)

Burimi : Le Monde, e premte, 23 maj 1986, f. 19

LETRA TE HUAJA

Intervistë me Ismail Kadare

(Vazhdon nga faqja 15.)

— Në të gjitha dokumentet tuaja, ne lexojmë se Ciceroni ndonjëherë vinte për të kaluar pushimet në Durrës dhe se Perandori Augustus kishte studiuar jo shumë larg prej andej.

Quhem Ismail, por nuk kam asgjë prej myslimani.”

— Kur linda, Shqipëria kishte një mbret, Zog I, një mbret pa cilësi, i cili u shpall mbret në 1928, pasi kishte qenë Kryeministër dhe President i Republikës, dhe që u përmbys në 1939 nga italianët, të cilët u paraqitën si “Çlirimtarët e Shqipërisë” (qesh). Shteti shqiptar u formua në vitin 1912, pas rënies së Perandorisë Osmane. Ishte vërtet një Shtet shumë i çuditshëm. Kryeqyteti ishte në Durrës, ku ishin vendosur ambasadat e të gjitha vendeve të Evropës, të cilat u kënaqën atje me intriga të jashtëzakonshme : Turqia donte të kthehej, Italia dhe Austro-Hungaria kishin pamje (orekse) nga Shqipëria, Greqia gjithashtu, Franca gjithashtu. Dhe kur shpërtheu Lufta e Parë Botërore, ata të gjithë u larguan dhe na lanë në kaos.

— A ju kujtohet lufta?

— Po, më kujtohet (heshtje). Ne ishim të pushtuar nga italianët, por në fillim të luftës Shqipëria sulmoi Greqinë dhe imagjinoni që pas gjysmë shekulli Shqipëria dhe Greqia janë ende në luftë! Prej vitesh flitet për një traktat paqeje. Kjo është situata më absurde në botë. Shqipëria ndonjëherë akuzohet se është shumë e mbyllur, por ka disa gjëra të çuditshme me ne si kjo luftë që nuk përfundon. Është e mahnitshme (çuditshme), apo jo?

— Ju u rritët në një vend që kishte ndërprerë marrëdhëniet me pothuajse të gjitha vendet, fqinje apo të largëta, në një vend shumë të tronditur nga historia…

— Rezistenca qe shumë e fortë, – aleate me partizanët jugosllavë kundër italianëve. Një qeveri u krijua që më 1942 si kundër fashizmit ashtu edhe kundër borgjezisë së vendit, veçanërisht feudalizmit. Prishja e parë qe me Jugosllavinë në 1948, por përçarjet kishin filluar shumë më parë për shkak të Kosovës… Ne nuk kemi marrëdhënie diplomatike as me Britaninë e Madhe, për shkak të thesarit të Bankës Kombëtare të Shqipërisë, i cili është bllokuar në Londër që nga përfundimi i luftës; ne nuk mund të rivendosim marrëdhënie për sa kohë që thesari shqiptar mbetet në Londër (ai buzëqesh, i pafuqishëm përballë këtyre absurditeteve zinxhir që evokojnë atë absurditet tjetër që çoi për dy vjet një gjeneral italian të punonte për të riatdhesuar një « ushtri të vdekur ».).

— “Gjenerali i Ushtrisë së Vdekur” ishte romani juaj i parë, i botuar në moshën 24 vjeçare. A keni dashur gjithmonë të jeni shkrimtar?

— Unë gjithmonë e kam ditur se çfarë dua. Në moshën dhjetë vjeçare, lexova Macbeth-in, i adhuroja historitë me fantazma. Unë botova poezi shumë herët, në moshën shtatëmbëdhjetë vjeçare. Mbarova studimet në vendlindjen time ku kishte një lice të famshëm, më të famshëm se ai në Tiranë, pastaj shkova në universitet dhe më pas më dërguan në Institutin e letërsisë Gorky në Moskë.

Moska ishte një qytet i madh ndryshe nga ai që kisha parë ndonjëherë. Unë tashmë e njihja kulturën ruse, gjuhën. Unë mbërrita në vitin 1958, menjëherë pas Festivalit të Rinisë, në një liberalizim të plotë. Instituti është pranë statujës së Pushkinit dhe jetoja pranë burgut të Butirka-s. Vajzat ishin të bukura. Si student, isha i lumtur : Por isha i pakënaqur si shkrimtar. Isha i rrethuar nga nëpunës civilë mediokër, të cilët donin të ishin shkrimtarë. Në klasën time, kishte vetëm të atij lloji, mediokër.

Ata kanë mbetur të panjohur (anonimë). Ndonjëherë shoh emrat e tyre kur publikojmë listat e dekorimeve!…

— Në « Muzgun e perëndive të stepës », ju përmendët përçarjen midis vendit tuaj dhe BRSS-së dhe përkeqësimin e lidhjeve, të të gjitha lidhjeve, “kohën e perfiditetit (tradhtisë)” të perëndive të rrëgjuara, këtyre perëndive skite që do të fryenin faqet e tyre të tmerrshme për të fshirë vendin tim nga sipërfaqja e globit.

— Ju në Perëndim nuk e shihni Hrushovin me të njëjtët sy si ne, ju nuk e kuptoni që mes tij dhe nesh kishte urrejtje. E tmerrshme, e rrezikshme… (De-stalinizimi, ai nuk flet për këtë. As nuk përmend emrin e Stalinit, statuja e të cilit qëndron ende në qendër të kryeqytetit të tij.)

Kur u ktheva në Shqipëri, fillova punë në të përjavshmen kryesore letrare Drità (Drita) pesë vite më vonë, isha një shkrimtar profesionist, punonjës, anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve. Isha tridhjetë vjeç. Kam marrë një pagë të mirë, njësoj si drejtor uzine, më shumë se një inxhinier. Është një siguri. Kur merrni një tarifë (pagesë), ju dhuroni një të katërtën në fondin e Lidhjes së Shkrimtarëve.

— Ju keni botuar shumë tregime të shkurtra (novela), poema, pesë romane (« Nëntori i një kryeqyteti » nuk është përkthyer ende), librat tuaj janë të gjithë shumë të njohur në Shqipëri dhe megjithatë ndonjëherë keni pësuar kritika të ashpra për « trajtimin subjektivist të ngjarjeve historike » veçanërisht në vitin 1982…

— Kur del një libër, kritika vërshon mbi të. Unë jam kritikuar disa herë, ndonjëherë në një mënyrë shumë të fortë. Kjo nuk më ka bërë të ndryshoj mënyrën time të shkruarit.

— Për një kohë të gjatë keni qenë deputet i Kuvendit Popullor në vendin tuaj. Jeni zgjedhur tri herë midis viteve 1970 dhe 1982, pse nuk jeni më deputet?

— Sepse nuk më ofruan më të jem i tillë.

— Çfarë ka ndryshuar që nga vdekja e Enver Hoxhës?

— Nuk ka asnjë ndryshim. E gjithë historia e Shqipërisë sot lidhet me Enver Hoxhën.

— Si e shihni situatën në Kosovë, të populluar nga shqiptarë, por që varet nga Republika jugosllave e Serbisë?

— Është një histori mijëvjeçare urrejtjeje mes dy popujve, midis serbëve dhe shqiptarëve. Nga ana jonë, qëndrimi është shumë i qartë. Për ne, shpërbërja e Jugosllavisë do të ishte një katastrofë. Dhe jo vetëm për ne… Shqipëria mbështet kërkesën e Kosovës për të qenë republikë. Serbët refuzojnë sepse kjo është, thonë ata, “zemra e Serbisë”. Është e vërtetë, sllavët kanë arritur atje në shekullin e shtatë. Por më parë, kush ishte atje? Ilirët. Ne.

— Pra jemi rikthyer në konfliktet e përjetshme dhe të pazgjidhshme ballkanike. Si mund të përfundojë kjo?

— Nuk e di, sapo mbarova një histori (novelë) të gjatë për këtë : “Karvani i dasmës është ngurtësuar”. Është historia e një vajze të re serbe të fejuar me një djalë shqiptar. Karvani që erdhi për të marrë nusen u shndërrua në gur gjatë udhëtimit dhe dasma u bë e pamundur. Frymëzimi popullor e ka kapur këtë urrejtje, ka një këngë gjesti me, dy variante, në shqip dhe në serbokroatisht : të gjithë heronjtë janë shqiptarë në versionin serbo-kroat, dhe anasjelltas. Këto dy versione janë interesante për tu studiuar.

Qëndrimi im si shkrimtar është të depetrifikoj. Kjo urrejtje duhet të marrë fund. Tashmë, dy karvanët tanë janë të ngurtësuar dhe martesa e pamundur.

— Novela e gjatë e cila sapo është botuar nën titullin “Kush e solli Doruntinën?” merret gjithashtu me çështjen e “martesave të largëta”. Kjo ndodh në shekullin XII ose XIII, para pushtimit turk, kur Shqipëria qeverisej nga princa (familje princërore) që martohen me njëri-tjetrin ekskluzivisht dhe që shohin, të tmerruar, Doruntinën të largohet me një të huaj, shumë larg, në Bohemi.

Është një temë vërtet mijëvjeçare me të cilën jam marrë këtu : domosdoshmëria e martesës jashtë klanit. Ne e gjejmë këtë në baladat e njohura, dhe veçanërisht në më të famshmet nga të gjitha, “Balada e fjalës së dhënë”.

Një familje e madhe me nëntë djem dhe një vajzë të vetme. Kur nëna refuzon të japë vajzën e saj në martesë një të huaji, njëri nga djemtë, Kostandini, i premton asaj që do ta respektojë besën, besnikërinë ndaj fjalës së dhënë, angazhimin moral, shkelja e së cilës ngjallte, sipas zakonit të lashtë, turpin. “Do të ta sjell kur të duash”, i tha Konstandini nënës së tij.

Doruntina u largua me të huajin, filloi lufta, nëntë djemtë vdiqën dhe nëna e mallkoi këtë djalë që kishte thyer fjalën. Pas këtij mallkimi, Kostandini u ngrit nga varri i tij për të kërkuar motrën. Ata ecën netë të tëra dhe askush nuk e besonte Doruntinën kur ajo pretendonte se ishte sjellë nga ai vëlla që kishte vdekur para tre viteve (Autori qesh.). Nga ai moment, kam bërë një hetim policor.

Autori do të na bëjë të dyshojmë të gjithë, madje edhe policin, në këtë përrallë të çuditshme të ndërtuar në mënyrë të jashtëzakonshme, fantastike dhe moderne në të njëjtën kohë, udhëtim shqetësues drejt vdekjes, përkrah Vdekjes, dhe që do të jetë shkaku i asgjësimit të një familjeje. Por në të njëjtën kohë, një e fejuar e re nga fshati do të largohet për t’u bashkuar me burrin e saj në një vend të largët, pikërisht në momentin kur u mendua se “vetë ideja e martesave të largëta kishte marrë goditjen fatale”.

A do t’i duhet Shqipërisë të ndryshojë ligjet e saj, administratat e saj, burgjet e saj, gjykatat e saj dhe të gjithë të tjerat”, shkruan autori i Doruntinës përballë kërcënimit që godet këtë vend “të kapur midis dy feve të Romës dhe Bizantit, midis dy botëve, Perëndimit dhe Lindjes”.

Mbi të gjitha, mos kërkoni aludime”, këshillon Kadare ndërsa ndahemi. “Doruntina u shkrua në 1979, dhe Balada e fjalës së dhënë është shekullore…”. Ai shton : “Vendi im nuk me duket aq i zoluar sa thuhet. Unë jam i sigurt për këtë.”

Intervistë nga NICOLE ZAND

https://www.darsiani.com/la-gazette/le-monde-1986-intervista-ekskluzive-me-ismail-kadarene-ne-paris-studimet-ne-moske-romani-i-pare-marredhenia-me-shkrimtaret-shqiptare-kosova-enver-hoxha-romani-i-ri/ / KultPlus.com

‘Monologu i të vetmuarit’

Poezi nga Ismail Kadare

Tani unë ngjitem lart dhe s’kam asnjë gëzim.
Këtu ku kam arritur më ftohtë është, me vetmi.
E dija këtë, por padurimi i vdekur
Më shtynte të shpejtoj te ky sinor i kotë.

Krahë grashë të thyera mbi supe si të prera nga një morg
Më japin një gëzim po aq të vdekur.
Më duket ende dimër ndonëse është prill.
Kam ftohtë.
Kam ftohtë./KultPlus.com

Fragment nga romani “Kronikë në gur” i Ismail Kadaresë

“E merrja me mend se si pikat e panumërta rrokulliseshin tani në faqet e pjerrëta të çatisë sonë, duke shpejtuar të binin sa më parë në tokë, që pastaj të avulloheshin dhe të ngjiteshin prapë atje lart, në qiellin e bardhë. Ato nuk e dinin se në strehët e çatisë i priste një grackë e panjohur, qyngji prej llamarine.

Tamam në çastin kur bëheshin gati të kërcenin nga çatia në tokë, pikat e shiut gjendeshin befas në qyngjin e ngushtë, bashkë me mijëra e mijëra shoqe të tjera, që pyesnin të frikësuara: ‘Ku po shkojmë kështu, ku po na çojnë?’ Dhe, pa e mbledhur veten mirë nga ky vrap i çmendur nëpër qyngj, binin papritur në një burg të thellë e të errët, në sternën e madhe të shtëpisë sonë.

Kështu merrte fund jeta e lirë dhe e gëzuar e pikave të shiut. Atje, në sternën e errët e të shurdhër, ato do të kujtonin pastaj me pikëllim hapësirat qiellore, që nuk do t’i shihnin më kurrë, qytetet e habitshme poshtë tyre dhe horizontet plot me vetëtima.

Vetëm unë ndonjëherë, duke luajtur, do t’u dërgoja me anë të pasqyrës një copë qiell të vogël sa një pëllëmbë, që do të lodronte mbi gjirin e ujit, si një kujtim i shkurtër i qiellit të madh.

Ato do të kalonin shumë ditë e muaj të mërzitshëm atje poshtë, derisa nëna ime t’i nxirrte me kovë, pas shumë kohe, të hutuara e të shushatura nga terri, për të larë pastaj me to rrobat tona, shkallët dhe dyshemetë e shtëpisë.

Por tani për tani ato nuk dinin asgjë. Tani ato vraponin tërë gaz e bujë nëpër pllakat e gurta të çatisë dhe, duke dëgjuar zhurmën e tyre, unë u qaja hallin.

Kur shirat vazhdonin tri-katër ditë rresht, babai e shkëpuste qyngjin në një vend, që sterna të mos mbushej më tepër se ç’duhej. Sterna ishte shumë e madhe. Ajo shtrihej pothuaj nën gjithë sipërfaqen që zinte shtëpia jonë dhe në qoftë se shpërthente mund të përmbyste në fillim kubenë dhe pastaj të shkatërronte krejt themelet e shtëpisë, sepse qyteti ynë ishte i pjerrët, dhe në këtë qytet mund të ndodhte çdo gjë.

Ndërsa po vrisja mendjen se cili e kishte më vështirë të duronte burgimin, njeriu apo uji, dëgjova hapat e gjyshes dhe pastaj zërin e saj nga dhoma tjetër:

– ‘Ngrehuni, ngrehuni, kemi harruar të heqim qyngjin’.

Babai dhe nëna u ngritën menjëherë të alarmuar. Babai vrapoi në errësirë nëpër korridor, me mbathjet e gjata të bardha, hapi dritaren e vogël të qoshkut dhe me një shkop të gjatë e mënjanoi qyngjin. U dëgjua zhurma e ujit që filloi të binte në oborr.

Ndërkaq, nëna ndezi llambën me vajguri dhe bashkë me babanë e me gjyshen zbriti shkallët. Unë u afrova te dritarja dhe u mundova të vështroja përjashta. Era e përplaste shiun me furi pas xhamave dhe mazgallat e vjetra të shtëpisë rënkonin.

Nuk m’u durua dhe zbrita shkallët të shikoja se ç’bëhej poshtë. Ata të tre ishin të shqetësuar dhe nuk më vunë re. Kishin hequr kapakun e grykës së sternës dhe po mundoheshin të vështronin ç’ndodhte atje brenda. Nëna mbante llambën dhe babai vështronte.

Ndjeva një rrëqethje në trup dhe u kapa pas rrobave të gjyshes. Ajo më vuri dorën në kokë. Porta e jashtme dhe e brendshme dridheshin nga era.

– Ç’është ky kiamet! – tha gjyshja.
Babai, i përkulur i tëri, po mundohej të shikonte brenda në sternë.

– Bjer një copë gazetë, – i tha nënës.

Ajo e solli. Babai e mblodhi shuk gazetën, e ndezi dhe e lëshoi në sternë. Nëna lëshoi një klithmë të vogël.

– Ujët është ngjitur gjer te gryka, – tha babai.

Gjyshja filloi murmuriste një lutje.

– Shpejt, – thirri babai, – ndiz fenerin.

Nëna, dyllë e verdhë, me duart që i dridheshin ndezi fenerin, ndërsa babai hodhi në kokë mushamanë e zezë, ia mori fenerin dhe shkoi të hapte portën. Edhe nëna hodhi një rrobë të vjetër mbi kokë dhe i shkoi pas.

– Gjyshe, ku vanë ata? – pyeta i trembur.
– Të thërresin fqinjët, – tha gjyshja.
– Pse?
– Të na ndihmojnë të pakësojmë ujët e sternës.

Jashtë, midis zhurmës së shiut, u dëgjua mbyturazi një trokëllimë porte. Pastaj një tjetër, një tjetër.

– Gjyshe, si do ta pakësojnë ujët?
– Me kova, bir.

Unë iu afrova grykës dhe vështrova poshtë. Errësirë. Errësirë dhe frikë. / KultPlus.com

‘Ti ishe për mua’

Poezi nga Ismail Kadare

Ti ishe për mua

Ti ishe për mua e pamposhtur si Troja
Ti ishe për mua e pakuptueshme,
Troja që unë dot s’e pushtoja.
Më e pakuptueshme se mbishkrimet etruske.

Vetëm në ëndrra, ah, në ëndrra
T’i përqafoja flokët e dendura.
Gaz më shumë ndjeja tek të pushtoja
Se gjithë grekët kur ra Troja.

Vetëm në ëndrra m’ishe e kuptueshme,
Ti, e shtrenjta ime etruske./KultPlus.com

(FILES) This file photo taken on February 08, 2015 shows Albanian novelist Ismail Kadare gestures during an interview with AFP in Jerusalem. The Swedish Academy stunned the world last year when it awarded the Nobel Literature Prize to US counter-culture icon and rock star Bob Dylan. This year, experts say, the laureate will be more conventional. / AFP PHOTO / GALI TIBBON

‘Edhe kur kujtesa’

Poezi nga Ismail Kadare

Edhe kur kujtesa ime e lodhur,

Ashtu si ato tramvajet e pasmesnatës

Vetëm në stacionet kryesore do të ndalojë,

Unë ty s’do të harroj.

Do të kujtoj

Mbrëmjen e heshtur, të pafund të syve të tu,

Dënesën e mbytur, rrëzuar mbi supin tim

Si një dëborë të pashkundshme.

Ndarja erdhi,

Po iki larg prej teje.

Asgjë e jashtëzakonshme,

Veç ndonjë natë

Gishtat e dikujt do pleksen në flokët e tu

Me të largëtit gishtat e mi, me kilometra të gjatë./KultPlus.com

Ambasadorja amerikane Yuri Kim takim me Kadarenë: Kadare një nga mendimtarët më të mëdhenj në Evropë

Ambasadorja amerikane Yuri Kim ka zhvilluar sot një takim me shkrimtarin Ismail Kadare. Diplomatja amerikane ka publikuar një foto në rrjetet sociale, ku shfaqet me shkrimtarin, teksa zbulon se kanë diskutuar lidhur me esenë e publikuar në vitin 2006, “Identiteti evropian i shqiptarëve”. Ambasadorja Kim shkruan se Kadare është një nga mendimtarët më të mëdhenj të Europës.

“Eseja e Ismail Kadaresë mbi “Identiteti evropian i shqiptarëve” është po aq bindëse sot sa ishte kur e botoi atë në 2006. Në fakt, ndërsa shikojmë drejt së ardhmes, identiteti evropian i shqiptarëve është më i rëndësishëm se kurrë. Çfarë kënaqësie të kesh këtë diskutim personalisht me një nga mendimtarët më të mëdhenj në Evropë,“-shton ajo.

‘Shqiptarët janë vrarë me njëri tjetrin kur nuk kanë pasur me kë të luftojnë’

Fragment nga ”Gjenerali i ushtrisë së vdekur” nga Ismail Kadare.

Shqiptarët janë një popull i ashpër e i prapambetur. Atyre që kur janë foshnja, u vënë në djep pushkën, kështu që pushka bëhet pjesë e pandashme e jetës së tyre. Duke u bërë që në vogëli një pjesë e qenies së tyre, si një element bazë i jetës së tyre, pushka ndikon drejtpërdrejtë në krijimin e psikikës së shqiptarit.

-Por një gjë që njeriu e do dhe e adhuron me gjithë shpirt, natyrisht që ka qef edhe ta përdorë. Po përse mund të përdoret më mirë pushka?
-Për të vrarë njerëz. -tha gjenerali.

-Ashtu është. Shqiptarët gjithmonë kanë pasur dëshirë të vrasin ose të vriten. Ata janë vrarë me njëri-tjetrin kur nuk kanë pasur me kë të luftojnë. Ata në luftë i shtynë instikti i vjetër. Keni dëgjuar për gjakmarrjen? Kjo është një nevojë e diktuar nga natyra e tyre.

Në paqe ata trullosen si gjarpëri në stinën e dimrit. Vetëm në luftë e tregojnë plotësisht vitalitetin e tyre. Lufta është gjendja normale e këtij vendi. Prandaj ata në luftë janë të egër, të rrezikshëm dhe të bëjnë dëm më shumë seç duhet./ KultPlus.com

(FILES) This file photo taken on February 08, 2015 shows Albanian novelist Ismail Kadare gestures during an interview with AFP in Jerusalem. The Swedish Academy stunned the world last year when it awarded the Nobel Literature Prize to US counter-culture icon and rock star Bob Dylan. This year, experts say, the laureate will be more conventional. / AFP PHOTO / GALI TIBBON

PËR TË HARRUAR NJË GRUA

Prozë nga Ismail Kadare

Po tani ç’të bëj, thashë me vete, duke vështruar me radhë flegrat e lagura, të mbufatura nga shiu. Pastaj qilimin, derën, prej nga pak kohë më parë ajo kishte dalë, hirnoren e cigareve, me fjalët “Hotel Turizmi” anash.


Një copë herë u vërtita nëpër dhomë, gjersa këmbët më çuan pranë derës. Qëndrova pikërisht te vendi ku ajo më kishte përqafuar ndërsa dilte, me një përqafim që s’ishte as ndarje dhe as premtim për diçka më të mirë.

Një përqafim i tillë te dera, pas një pasditeje të stuhishme, përfytyrohej, zakonisht, në sfond të dënesës, të pendimit për fjalët e ashpra dhe me buzë që synojnë drejt njëra-tjetrës për të falur gjithçka. Por asgjë e tillë s’kishte ndodhur. Unë i kisha mbajtur duart në xhepa, madje i kisha rrasur më thellë dhe, i ngrirë si dru, ndjeva buzët e saj te qafa dhe pastaj te cepi i gojës dhe prekjen e furishme të flokëve. Mundimshëm ndjeva nevojën ta përqafoja, sipas ritualit mijëvjeçar të mbarimit të grindjeve, por një gips mortor, i ikur nga kushedi ç’shtatore, s’më la të lëvizja.


S’isha penduar për asgjë. Isha vetëm i lodhur.


Në hirnore, dhjetëra bishtat e cigareve, të rënë njëri mbi tjetrin, si në një masakër (të sajtë si të vrarët e njërës palë, asaj pale që për t’u njohur mbante një rrip të kuq, dalloheshin vërtet nga shenja e të kuqit të buzëve), jepnin më mirë se çdo gjë atë që kishte ndodhur: furinë, shpjegimin e vështirë, fajësimet e ndërsjella që i kishim bërë njëri-tjetrit, lotët e pafund të saj. Sikur të kishte gjëkund një muze të hidhërimit, do ta kisha çuar atë hirnore.


Isha i lodhur. Gojën e kisha të hidhur. Doja të pushoja me çdo kusht. Me mosbesim vështrova shtratin, velenxën sipër tij dhe nënkresën. Vërtet shpresoja se mund të flija? Më erdhi të qeshja, kaq e pamundur m’u duk kjo.

Shushurima e shiut vinte që jashtë zbutëse. Duhej ta harroja me çdo kusht, ta nxirrja nga vetja ime atë grua. Por, së pari, duhej të nxirrja atë mbrëmje. Ishte gjëja më e ngutshme.


Duhej ta nxirrja atë grua, sepse gëzimet që më jepte ishin përherë më të pakta se mërzia.


E gjeta veten duke lëvizur nëpër ato pjesë të dhomës ku kishim lëvizur dhe ishim zhvendosur të dy gjatë atyre orëve të çmendura. Dhe përsëri hirnorja me bishtat e cigareve më mbajti në vend. E mora, e ktheva në pëllëmbë të dorës atë grusht bishtash, si të kisha përpara syve një gjë të pabesueshme.

Të ftohura, të shkrumbuara vende-vende, ishin tani ato që pak më parë kishin qenë më afër se çdo gjë tjetër pranë fjalëve tona, frymëmarrjes së furishme, pendimit, dënesës.


Iu afrova dritares, shtyva flegrën dhe i flaka përjashta, në terr. Kështu hidhet hiri i të vdekurve, kur e lënë me testament, mendova. Duhej ta harroja patjetër atë grua.


Të përdorja gjithë mekanizmin e trurit tim për ta zhvlerë-suar. Ta godisja nga pika të ndryshme, në mënyrë që, kur të vinte ora e harrimit, ta kisha të lehtë rrënimin e saj.


Kisha ende një keqardhje të fundit për këtë, por isha i bindur se s’kishte rrugë tjetër. Do të shtrihesha pas pak horizontalisht (e kisha vënë re se në atë qëndrim mendoja gjërat më shkatërruese) dhe do të filloja… Do t’i ndiente vallë buldozerët që larg, në shtratin ku, ashtu si unë, me siguri, nuk flinte?


Dhe, papritur, më shkrepi në kokë një mendim: e sikur ta shkruaja gjithë këtë? E shkruar, ndoshta kjo mbrëmje mund të nxirrej më lehtë nga vetja. Ta trupëzoja për ta vrarë më lehtësisht.


Ashtu do të bëja.


Për çudi, siç më ndodhte përherë në kësi rastesh, mendimi i të shkruarit më dha qetësi. Si avioni që e nxjerr trupin e vet nga zona e stuhisë, ajo ide, më shpejt se ç’e mendoja, më nxori nga gjendja delirante në një shtresë më të qetë, sipër furtunës.


Dhe më parë se ç’e prisja, fjeta.


E njoha Polin e Jugut që larg (dallohej shtypja, ashtu siç e kisha mësuar në gjeografinë e tetëvjeçares). Dëgjohej një goditje e mbytur veglash. Kur iu afrova edhe më, pashë se atë zhurmë e shkaktonin tre njerëz me shtat të shkurtër. Diçka po bënin me boshtin e tokës. Nuk u bezdisën aspak nga prania ime dhe vazhduan punën e tyre. Dukej si një riparim.


Nuk e di nëse i pyeta ç’bënin ashtu apo vetvetiu m’u bë e qartë: po bënin një ndreqje në bosht. Një ndryshim, me sa dukej, në shpejtësinë e rrotullimit. Prej kësaj do të sajoheshin ditë të ndryshme, jo njëzetekatërorëshe, si më parë, por tridhjetetet-orëshe. Kurse netët do të ishin njëzetedyorëshe. Sipas studimeve dhe pyetësorëve të ndryshëm, paskësh qenë më mirë kështu. Kisha përshtypjen se diku kisha lexuar në shtyp për këtë gjë.


Desha t’i pyes: e kur do të fillonte ky kalendar i ri, por, s’di se pse, i pyeta për tjetër gjë: meqenëse merreshin me gjëra të tilla, me siguri, mund të zbërthenin nga bota copa të kohës.

Posi, u përgjigjën ata. Pra, e bënin edhe këtë dhe ndihej që s’e kishin të vështirë.
O Zot, sa e thjeshtë paskësh qenë ajo që dukej e pamundur: të shkulja nga vetja gjithë atë hidhërim.
U mundova t’ua shpjegoja, doja të hiqja nga vetja ime një ditë ose, më saktë, një mbrëmje të hidhur.


Ata qeshën.

Një mbrëmje? Po ne punojmë me copa të mëdha. Gjysma shekujsh, dekada, shumë-shumë, me vite. Kurse ditët janë vocërrima. Megjithatë (vështruan veglat e tyre), ndoshta me ato më të imëtat mund të kapim edhe ditët.


– Ku është ajo ditë? – pyeti njëri prej tyre.


– Si? – ia bëra unë.


– Dita që doni të shkëputni, në ju kuptova drejt. Ju doni ta hiqni atë dhe të lidhni prapë fijet, apo jo?


– Pikërisht.

– Atëherë, ku është ajo?


O Perëndi, s’më kujtohej asgjë. U mbyta në djersë, por koka sa vinte më bëhej më e turbullt.


– Në mos viti, së paku, koha, – tha ai.


Por mua s’më kujtohej asgjë. Dija vetëm që ishte e hidhur, tepër e hidhur.


– Po çka ndodhi atë ditë? Ndoshta, kjo ju kujtohet, – tha ai. – Ç’perandori është përmbysur, ç’tërmet ka rënë?


Vështruan njëri-tjetrin, kur e panë që s’përgjigjesha. Pastaj sytë e tyre të lodhur u kthyen diku anash, atje ku në një shtjellë të largët vërtiteshin, me sa dukej, ngadalshëm perandoritë e rrëzuara, themelitë e tërmeteve dhe skelete shekujsh. Vërtite-shin zymtas, të përshkuar nga vetëtima të ftohta.


Asgjë s’më kujtohej. Vetëm shija e hidhërimit, e pazbut-shme, e patretshme.


Pastaj m’u duk se pashë diçka, një si trajtë fustani që e merrte era në një luhatje mortore.

– Një grua, – thashë. – Ishte aty, në atë ditë, një grua…

Ata qeshën, por ftohtë. Pastaj vështruan prapë veglat e tyre.

– Po të jetë ashtu, është e pamundur. Këto vegla s’bëjnë për atë gjë.

– Ma hiqni atë mbrëmje me atë grua, – ulërita.


U zgjova.


Zhurmërimi i shiut më kujtoi më parë se çdo gjë tjetër se ku ndodhesha.
Hotel. Dhe jashtë gjethnaja e rënë dhe kufomat e cigareve të masakruara, ku njëra palë mund të dallohej prej tjetrës nga rripi i kuq…


Ajo ishte aty pranë, disa hapa larg dhe, me siguri, ishte e paqetë dhe kishte makth, ngaqë, në një mënyrë ose në një tjetër, duhej të ndiente që unë përpiqesha ta varrosja.

1981./KultPlus.com

Ismail Kadare e vlerëson veprën e Pipës si të pashmangshme për të kuptuar mendimin shqiptar të kohës

Nga Alda Bardhyli

Arshi Pipa, një prej personazheve kompleks të kulturës shqiptare, shënon sot 101-vjetorin e lindjes.

Në këtë ditë kujtese për një prej figurave të rëndësishme të mendimit shqip, Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit sjell për lexuesin veprën e tij “Politikë dhe letërsi: paradigma Gramshi”, nga botimet “Princ”, një studim i koncepteve, veprës dhe jetës  së një figure të lartë intelektuale si Antonio Gramshi. Vepra është lënë në dorësh- krim nga Pipa në anglisht, si  një vepër “gati për botim”, por pa mundur të botohet deri sot. Nga leximet që i janë bërë tekstit, mendohet se mund të jetë përfunduar  rreth viteve 1985-1986. Vepra ka ardhur në shqip nën përkthimin e Majlinda Bashllarit.

Vetë Pipa tregon zgjerimin e interesit të tij ndaj Gramshit, i cili fillimisht ka qenë i kufizuar vetëm për kritikën letrare. “Qasja ime  letrare ndaj mendimtarit të  Sardenjës dhe liderit të Partisë Komuniste italiane, gradualisht u zgjerua në përfshirjen e veprës së tij të plotë. Ky  libër është rezultat i dy dekadave mësimdhënie dhe studimi, periudhë gjatë së cilës mahnitja ime e fillimit ia la vendin një vlerësimi më  të kthjellët dhe objektiv të figurës së tij si një mendimtar e lider marksist”, shkruan vetë Pipa në parathënie.

Por korpusi i veprës së Pipës është mjaft i gjerë duke krijuar nga larg një institucion të kritikës letrare shqipe, një shkollë mendimi. Shkrimtari i madh shqiptar, Ismail Kadare, e vlerëson veprën e Pipës si të pa- shmangshme për të kuptuar mendimin shqiptar të kohës. Më poshtë po botojmë një pjesë nga cikli i bisedave që ai ka bërë me studiuesen Alda Bardhyli.

Z. Kadare, sot shënohet 101-vjetori i një personazhi të rëndësishëm për letrat shqipe, Arshi Pipës. Si do ta vlerësonit figurën e tij në terrenin kulturor shqiptar?

Pa dyshim që Arshi Pipa është një studiues tepër i shquar për kulturën shqiptare.  Pjesa kryesore e rezervave të tij ndaj regjimit komunist pa dyshim qëndron, madje tani, pas rrëzimit të këtij regjimi, del nevoja që vepra e tij të studiohet më thellë. Një  pikëshikim i thellë dhe objektiv do ta zhvishte atë nga  disa dëmtime që i janë shkaktuar prej studimeve, shpesh  pasiononte, siç ndodh  shpesh nga ithtarët e autorëve. Duke pasur plotësisht të drejtë në analizën kryesore të veprës së tij, për fat të keq kjo analizë e humbet thellësinë e saj, kur bëhet disa herë  e njëanshme dhe ndikohet nga skematizmi politik, në  gjykimin e një pjese të letër- sisë shqipe.  Letërsia shqipe natyrisht me kalimin e kohës duhet të bëhet sa më e ndërgjegjshme për cektësinë e saj, lidhur me gjykimin e regjimit komunist, por nga ana tjetër duhet të  kërkohen me ndershmëri rastet kur ajo ka guxuar të shfaqë  në mënyrat e saj rezervat ndaj regjimit.

Kjo e nderon thellimin e mendimit shqiptar për letërsinë. Nga të gjitha letërsitë e vendeve lindore që ranë në robërinë politike të sllavizmit, letërsia shqipe ndoshta ka qenë më e  përparuara, në mohimin e saj të përgjithshëm, duke vënë në dukje dobësitë e tij. S’ka pse t’i mohohen kësaj letërsie rastet kur ajo është përpjekur të shkëputet nga skllavëria, duke rrezikuar rëndë veten e saj. Në tablonë e përgjithshme  botërore të letërsisë së quajtur realizmi socialist botëror, letërsia shqipe ka shumë faqe që e turpërojnë, por nga ana tjetër ka shumë faqe të tjera që e nderojnë. Duke i vënë këto në dukje, ne do të jemi të drejtë me gjykimin e pasurisë shpirtërore të një populli, që u krijua në kushte shtypjeje të pabesueshme.

Megjithatë, z. Kadare, le të kthehemi sërish te Pipa. Ai ka qenë një nga zërat kritik ndaj jush, kam parasysh  shkrimin e njohur “Fenomeni Kadare-subversion në komunizëm”, ku ju quan  një konformist, duke pranuar botëkuptimin stalinist… Megjithatë, ju nuk i  jeni përgjigjur asnjëherë. Si  mund ta lexojmë sot heshtjen tuaj?

Nuk është e vështirë të bëhet një gjë e tillë, d.m.th., të heshtësh. Pjesa më e madhe e inteligjencës krijuese shqiptare, edhe pse mund të kritikohet për qëndrime të pa- plota pozitive, por nuk mund t’i mohohet përplasja e saj me regjimin, shpesh e heshtur po, por aq edhe e shprehur disa herë qartë përballë tij. Jam i bindur që me një gjykim të tillë do të ishte dakord vetë Arshi Pipa dhe ne, duke respektuar mendimin e  atij që nuk është më, do të ishte mirë ta shtjellonim atë mendim edhe më gjerë.

Jeni takuar ndonjëherë me Pipën? 

Fatkeqësisht jo. Them fatkeqësisht, sepse një takim me të do të ishte i vlefshëm, si takimi që kam pasur me Martin Camajn.

A folët për Pipën në këtë takim?

Jo. Arsyet mund të ishin  të shumta përse nuk biseduam për të, ndër to, më kryesorja ndoshta, ishte se shteti shqiptar, duke qenë në dijeni për to, ishte në kundërshtim me shtjellimin e tyre. Jam përpjekur gjithmonë ta kuptoj mendimin e tij, sado që kjo  ishte e vështirë të bëhej nga larg.

Kritikat e Pipës ndaj jush, janë kritika që vijojnë të artikulohen shpesh edhe sot në diskursin publik?

Kjo është një gjë e kuptueshme, sidomos në rastet kur një sistem i tërë politik bie në humnerë dhe dyshimet dhe enigmat për të vazhdojnë të mbeten për një kohë shumë të gjatë. Unë shpresoj që koha do të shërojë shumë gjëra, koha do të vazhdojë të sqarojë shumë gjëra.

Si duhet ta lexojmë sot Arshi Pipën?

Duhet ta lexojmë si pjesë e tablosë që arriti të dalë nga  makina e censurës komuniste. Si e tillë ajo mund të shfrytëzohet në dobi të para- qitjes së nivelit kulturor të  kombit shqiptar. Ka vetëm pak kohë që ka  ardhur në shqip libri “Poli- tikë dhe letërsi: paradigma Gramshi” një studim i Pipës  mbi trashëgiminë e Gram- shit, të cilin Eric Hobsbawm  e quante një nga mendimtarët komunist më origjinal të shekullit XX… Qasja e  tij ndaj një figure që ka elaboruar ndoshta më shumë idetë marksiste në  arte, vjen si një kërkim i munguar i letrave tona… Unë e quaj një kërkim kulturor.

Bota komuniste që u  përmbys në Shqipëri ka lënë gjurmë shumë të thella, me të cilat ne do të merremi gjatë. Këmbëngulja në këtë rast i bën mirë së vërtetës. Në këtë kontekst, thellimi ndaj jetës dhe tezave të Antonio Gramshit thjesht pasuron më shumë këndvështrimet europiane mbi këtë vepër. Idetë e Gramshit, të ashtuquajtura marksiste për letërsinë dhe artet në botë, kanë pësuar një shterim të dukshëm. Ky proces do të jetë i vazhdueshëm e mendoj se është një proces i natyrshëm.

A shihni ju sot një shoqëri që po shkon drejt asaj që Gramshi e quante si thelbësore për progresin, që ka  një prirje drejt një reforme morale dhe intelektuale?

Kjo prirje e mirë, është e pritshme, por jo aq e lehtë për t’u kryer, megjithatë ne të gjithë duhet të përpiqemi që ajo të mbërrijë. / panorama.al / KultPlus.com

Në kohën kur të desha

Poezi nga Ismail Kadare

Në kohën kur të desha,
Mendimet për ty më mbulonin natë e ditë.
Ashtu si Vezuvi që me hirin e tij,
Mbulonte Pompeun me periferitë.

Por koha shkoi.
Tani lava e ftohur,
Plehëron të gjatat rreshta të të mbjellave.
Ndërsa mendimet për ty,
Plehërojnë rreshta poezish të kthjellëta. / KultPlus.com

Të huaj jemi

Poezi nga Ismail Kadare

Të huaj jemi ne prej kohësh
Ç’ish për t’u thënë është thënë.
Si gurët që zënë vend në tokë
Një jetë vend ne kemi zënë.

Drejt njëri tjetrit kemi mbyllur
Të gjitha rrugët edhe shtigjet
Si dy qytete mesjetarë
Me mure, heshta dhe me pirgje.

Por natën kur i lodhur truri
Portat i Mbyll me qetësi,
Ti gjen një shteg dhe futesh mbrenda
Një shteg që vetëm ti e di.

Futesh dhe si n’rrugica parqesh
Shetit mes cirkonvolucionesh.
Hyn nëpër ëndrra e shkujdesur,
Fanitesh, qesh, ma bën me dorë.

Po kur mëngjesi zë ofrohet
Nis shqetësohesh befas ti.
Dhe heshturazi del përjashta
Nga shtegu që veç ti e di.

E dita vjen. Rrjedh prap jeta
Dhe ne të dy si dhe më parë
Të ftohtë rrimë e të pamposhtur
Si dy qytete mesjetarë. / KultPlus.com

Letërsia shqipe ndër vite

Poetë, prozatorë, dramaturgë, eseistë e të tjerë, krijojnë në mbarë hapësirën shqiptare dhe kanë botuar vepra që vlen të lexohen e rilexohen.

Më poshtë gjeni dhjetë libra shqiptarë që duhen lexuar:

Vargjet e lira, Migjeni

Vepra më avangarde e poezisë shqipe deri në atë kohë, e re në çdo pikëpamje: ideore, tematike, ritmike, figurative.
Një vepër që e çliroi poezinë shqipe nga manierat klasiciste, kurse vargun shqip nga tirania e rimës dhe e metrikës. Poezi e dhembjes, e vuajtjes, e mjerimit, e ankthit, e shpresës.

Ylli i zemrësLasgush Poradeci

Libri ndoshta më komplet i poezisë shqipe, i ndërtuar sipas një koncepti që e hasim te poetë si Petrarka, Gileni, Bodleri etj.
Libër himn i bukurisë, i dashurisë, i përjetësisë, festë e fjalës së kulluar shqipe.

Lahuta e Malcisë, Gjergj Fishta

Enciklopedi e jetës shqiptare, glorifikon luftën për liri kombëtare dhe virtytet tradicionale. Si fenomen letrar e vonuar e anakronike, por me ndikim të madh në jetën shpirtërore dhe në ndërgjegjen kombëtare të shqiptarëve, veçanërisht jashtë kufijve të Shqipërisë shtetërore.

Psallme Murgu, Asdreni

Vepër që e zgjeron regjistrin tematik e stilistik të poezisë shqipe, të mbështetur kryesisht në modelet e poezisë popullore. Sjell përvojën e poezisë moderne evropiane. Për herë të parë në letërsinë shqipe trajtohet gjerësisht bota shpirtërore e njeriut të gjendur në vorbullën e paradokseve. Një kohë të gjatë e lënë në harresë nga kritika e ideologjizuar.

Net shqiptare, Mitrush Kuteli

Ndër veprat e para të prozës moderne shqipe. Shfrytëzon në mënyrë kreative përrallën popullore shqiptare, duke i rivitalizuar strukturat e saj narrative. Vizaton figura e karaktere të gjalla njerëzish, sidomos fshatarësh. Shquhet për bukurinë e rrëfimit, të gjuhës dhe të stilit. Mostër për shumë prozatorë të mëvonshëm.

Lumi i vdekur, Jakov Xoxa

Tablo e gjerë e jetës shqiptare. Vepër e shkruar nga një njohës i rrallë i jetës, por edhe i mjeshtërisë krijuese.

Roman që krijon disa nga personazhet më të spikatura të letërsisë shqipe, siç janë Vita dhe Adili, që duken si të shkëputur nga realiteti i gjallë jetësor e jo të krijuar në letër. Vepër që sjell në prozën shqipe përvojën e romanit ciklik tradicional me gjuhë jashtëzakonisht të pasur. Autori i tij është stilist i përkryer.

Kronikë në gur, Ismail Kadare

Vepra mbase më e mirë e Kadaresë dhe një nga romanet më të mira të letërsisë shqipe. Një sintezë sui generis e poezisë, fiksionit dhe mitologjisë. Vepër me strukturë komplekse narrative, atipike si prosede. Një trajtim shumë origjinal i luftës dhe i psikozës kolektive në situata të skajshme ekzistenciale. Perceptimi i botës nga perspektiva e fëmijës zhduk kufijtë mes ëndrrës e realitetit. Roman që sjell një frymë të re në prozën shqipe dhe mjete e teknika të reja shprehëse.

Vdekja më vjen prej syve të tillë, Rexhep Qosja

Ndonëse autori i kësaj vepre është në radhë të parë historian i letërsisë, fushë në të cilën ka botuar një varg veprash të rëndësishme, megjithatë kjo mbetet vepra e tij me receptim më të gjerë, që i ka kaluar kufijtë gjuhësorë të shqipes. Prozë e tipit kritik, intelektual, pak e kultivuar në letërsinë shqipe, që trajton temën e dhunës së pushtetit mbi individin dhe popullin të cilit i takon ai. Duke vënë në epiqendër një personazh krijues, siç është Xhezairi i Gjikës, autori funksionalizon gjuhën kritike, erudicionin intelektual, parabolat historike etj.

Nga Bibla e heshtjes, Azem Shkreli

Poezi me një sistem të veçantë mjetesh shprehëse dhe me një filozofi të veçantë krijuese e jetësore. Libër i meditimit poetik mbi raportin e njeriut me historinë, por edhe me veten dhe fjalën e tij. Psalm mbi fatin e fjalëve. Bashkë me Din Mehmetin, Rrahman Dedajn, Ali Podrimjen e të tjerë, autori i kësaj vepre, Azem Shkreli, krijon modernitetin e poezisë shqipe në Kosovë dhe më gjerë.

Pelegrini i vonuar, Dritëro Agolli

Libri i parë post-socialisto-realist i poetit Dritëro Agolli dhe njëri nga librat më të mirë të tij e të poezisë shqipe në përgjithësi. Libër mbi thyerjet shpirtërore të një brezi, i cili besoi në një utopi dhe pas përmbysjes e ndien veten si pelegrin i humbur në shkretëtirën e iluzioneve të veta. Dhembja dhe trishtimi e ngjyrosin emocionalisht vargun e poetit. Ky libër e rikonfirmon faktin se autori i tij është mjeshtër i rimës dhe aliteracionit, krijues që e zotëron artin e vështirë të të bërit vargje të lehta. / cbc.al / KultPlus.com