Kadare në “Le Monde”: Kam krijuar letërsi normale në një vend anormal

Gazeta prestigjioze franceze “Le Monde”, i ka kushtuar faqen e parë dhe një intervistë dyfaqëshe shkrimtarit shqiptar, Ismail Kadare. Në një rubrikë të sezonit të verës të titulluar “Shkrimtarë të mëdhenj, biseda të mëdha”, gazetarja Florence Noiville i ka lënë Kadaresë vendin e katër mes një cikli me pesë intervista. E tija titullohet: “Në diktaturë të jetoje, për mua do të thoshte të bëje letërsi”.

Gazetarja ka qenë në Shqipëri që në muajin maj dhe ajo e ka intervistuar shkrimtarin në shtëpinë e tij në Tiranë. Në hyrje ajo flet për ish-apartamentin e tij në rrugën e Dibrës, tashmë të shndërruar në muze; për Gjirokastrën, kohën e diktaturës komuniste dhe jetën e shkrimtarit sot.

“Portreti i tij nuk figuron ende në kartëmonedhat shqiptare, por ai mishëron i vetëm kulturën e këtij vendi”, shkruan Noiville e cila ka biseduar me shkrimtarin duke pirë një kafe turke të përgatitur nga bashkëshortja e tij Helena.

Pjesë të intervistës, janë si më poshtë.

Çfarë ndjetë kur shtëpia juaj studio u inaugurua në Tiranë?

E shoh veten përballë oxhakut. Çuditërisht me ndjenjën se jam një “shkrimtar i lirë”. Gruaja ime Helena punonte në një shtëpi botuese. Çdo mëngjes unë rrija vetëm dhe shkruaja. A ka gjë më të mrekullueshme? Disa nga librat e mi ishin të ndaluar, por unë shkruaja pak a shumë atë që doja. Disa herë e ndjeja që një frazë ishte e mirë. Ndonëse mund të dukej pa logjikë, unë e ndjeja bukurinë e saj të fshehur. E provoja fizikisht. Për mua çdo lloj ngushëllimi ka qenë brenda letërsisë. Dhe, në misterin e të qenit i kuptuar, ndonëse vetëm prej pak vetëve.

Mendoni se keni pasur fat?

E njihni ju proverbin latin “Vivere militare est”? Eh… dhe nëse të jetosh është si të luftosh, duhet të jesh i lumtur nëse nuk je vrarë (qesh). Për mua të jetosh do të thotë të bësh letërsi. Të mos e bëja dot këtë detyrë do të ishte njësoj sikur të mos jetoja. Unë arrita ta bëj dhe nuk u ndalova nga asgjë. Atëherë po, unë kam qenë me fat. Disa herë më thonë në Shqipëri: “Ah sikur të kishe jetuar në një vend të lirë”. Po kush e di? Kush mund ta dijë nëse gjithçka mund të kish qenë ndryshe?

Sot, kur i ktheheni veprës suaj, cila është krenaria më e madhe?

Unë shkrova për dhjetëvjecarë të tërë nën diktaturën më gjakatare të Evropës së pasluftës. Sot, vite më pas, letërsia ime është e njëjtë. Ajo nuk ka ndryshuar. Nëse ju nuk e shikoni datën në fund të një vepre, ju nuk e kuptoni kur është shkruar ajo. Më 2017, për shembull, unë u nominova në Britaninë e madhe për çmimin “Man Booker Interntaional” me “Kamarja e turpit”, një tekst i shkruar më 1978 dhe dyzet vite më pas për lumturinë time juria gjykoi se leximi i saj është aktual dhe i natyrshëm. Për këtë jam i lumtur. Kam krijuar letërsi normale në një vend anormal. /Burimi: “Le Monde”/Në shqip: Lapsi.al/ KultPlus.com

Kujtime të parrëfyera të Ismail Kadaresë

Në ditën kombëtare të jetimëve, shkrimtari Ismail Kadare së bashku me bashkëshorten Helenën erdhi në një rrëfim të rrallë.

Në një takim me fëmijë jetim në kryeqytet, Kadare u kthye vite pas në kohë, ndërsa ndau me ta, copëza të fëmijërisë të tij, kujtime të parrëfyera më parë nga shkrimtari i njohur.

“Kur jemi fëmijë kemi lloj lloj ëndrra, mendime…kushedi ç’keni menduar secili nga ju se ç’do bëheni…balerina shkrimtarë, filozofë, aviatorë. Por njerëzit nuk i tregojnë ndonjëherë këto, por ne shkrimtarët jemi të detyruar t’i tregojmë në kuptimin moral. Unë kam qenë i vogël kur kam menduar si plot fëmijë të tjerë, kështu që pa i dhënë atë peshën e fjalës shkrimtar mendoja të bëja atë që po lexoja në atë kohë. Isha në një moshë 11-12 vjeçare ku leximi është shumë i natyrshëm tek disa dhe jo fort i natyrshëm tek disa të tjerë.

Unë e doja shumë leximin dhe siç e kam shpjeguar disa herë fati e solli që nga librat që më ranë në dorë për herë të parë ishte një libër jo i përshtatshëm për fëmijë. Është fjala për “Makbeth” të Shekspirit e cila më tërhoqi sepse kishte fantazma dhe intriga. Për fat të mirë më qëlloi një model i jashëtzakonshëm, u magjepsa pas tij dhe më rrinte mendja që të bëhem edhe unë si ky dhe mu duk shumë e lehtë. Gjë e parë që bëra mora një fletore dhe laps dhe fillova ta kopjoj me dorë … ky është fillimi im. Ka diçka komike në këto fillime, nuk janë serioze. Po ju them thjesht si kuriozitet.Ju jeni djem e vajza të reja. Mund t’ju mungojnë shumë gjëra, por jam i sigurt se nuk ju mungon fantazia, ëndrrat, mendimet, opinionet e të gjitha. Ndaj do të doja të bënim një bisedë të lirshme me një shkrimtar.

Shkrimi i parë i botuar, fillimet e krijimtarisë

Kur unë isha 11-12 vjeç në atë kohë në Shqipëri dilte një gazetë “letrari i ri” quhej. Këtë gazetë e nxirrte lidhja e shkrimtarëve për të rinj ku botoheshin shkrime të fillestarëve dhe disa herë jepeshin dhe përgjigjet e redaksisë për shkrimet e tyre, meqenëse bashkëpunëtorët ishin të rinj në moshë gazeta jepte dhe këshilla. Duke e kuptuar që ajo që kisha shkruar nuk kishte ndonjë vlerë, mua më jepte një këshill: “Ju mos u dëshpëroni që kjo që keni shkruar nuk e botojmë, por ju duhet të lexoni para se të shkruani”. Me një fjalë më dhanë një dush të ftohtë sepse vërtetë vjersha ishte e dobët nga çdo pikëpamje. Por unë u gëzova se pashë emrin të shkruar në gazetë dhe s’më interesoi shumë se çfarë shkruante brenda. Me kokën time e kisha të zhvilluar anën e fantazisë, por logjikën të varfër. Ky ka qenë fillimi, një fillim për të mos u marrë si shembull.

Udhërrëfyes

Kur kam qenë adoleshent, në gjimnaz kemi patur një rreth letrar që disa djem e vajza të reja që më vonë u bënë të njohur në letërsi kanë qenë anëtarë të këtij rrethi. Ky ishte shumë nxitës në letërsi sepse mblidheshim dhe diskutonim lexonim vjershat e njëri tjetrit. Për krijimtarinë time kanë ndikuar shkrimtarët që bëja mësim në shkollë. Ata që ishin të njohur për të gjithë ishin dhe për ne. ishte e pamjaftueshme ky ndikim sepse kjo letërsi klasike shqipe mund të ndikojë në mënyrë të tërthortë tek letrarët që duan të shkruajnë.

Arrestimi në klasë

Unë kam qenë 12 vjeç me një shokun tim të klasës kur na tha mendja e shkurtër në këtë rast, ngaqë gjetëm ca shkronja plumbi me të cilën shtypeshin librat, filluam ti shkrijmë e të bëjmë lodra me to. Na shkrepi në kokë të bënim 5 lekëshe. Në një vend kishte vajtur motra e vogël e këtij shokut tim të blinte pasta e akullore. Lajmëroi policinë, të cilës iu duk një kuriozitet i madh që në qytetin tim s’kishte patur rast ndonjëherë të zbuloheshin monedha fallso, se është një gjë shumë e komplikuar, e vështirë për t’u bërë dhe nuk mund të merret seriozisht aq më tepër kur e bëjnë ca kalamaj. Por kjo se pengoi policinë të na arrestojë në orën e mësimit. Ne u bëmë të famshëm për keq…. Kjo histori mezi u harrua por kjo si pengoi më vonë të ma përmendin dhe në biografinë time kur unë ndërkohë botoja libra. Ca më bëri mirë kjo ca më bëri keq, u bëra si figurë kurioze kshu, por kur je në atë moshë nuk të bën fort përshtypje. Kjo ka qenë aventurë e parë e imja.

Ngjarjet e jetës janë të pafundme. Në epokë e socializmit kanë qenë shumë të forta dramatike të dhimbshme por për fat të keq nuk janë të pasqyruara në letërsi sepse letërsia e asaj kohe në vendin tonë dhe aleatë komuniste e kishte pothuajse të ndaluar të shkruanin për gjëra të dhimbshme, që të fusnin në mendime, të nxirrnin gjumin, sepse shteti nuk donte. Atëherë ishe parula që populli ishte i lumtur dhe ne shkrimtarët duhet të përshkruanin lumturinë e tij. Por lumturia në letërsi është shumë e mërzitshme ta shkruash. Është mirë ta kesh, ta shijosh, por të ulesh të shkruash diçka nuk është fort tërheqëse. Për fat të keq për artin tërheqëse për artin janë gjërat dramatike. Letërsia dhe arti kështu janë. Bazohen në gjëra të fuqishme shpesh jo të gëzueshme, shpesh të hidhërueshme. Për shembull kemi letërsinë e vjetër antike, e gjitha e bazuar në përshkrime fatkeqësish. Në një libër ose dramë bëhet fjalë për mijëra ushtarë që grihen në fushën e luftës për një grua…Pra nuk del njeri të thojë që letërsia, thesari i njerëzimit, ç’është ky thesar që na mërzit. Ja që kështu qenka letërsia, sepse të zgjon ndërgjegjen, stë lë të qetë.

Njohja me Helenën

Më ke zënë ngushtë këtu se s’mund ta ndryshoj fare. E kam përbri. Njohja ime ka qenë, si ta them edhe e zakonshme edhe jo e zakonshme. Unë në atë kohë kam qenë në Moskë në Bashkimin Sovjetik, studioja letërsi dhe herë pas here në Moskë vinin gazetat e vendeve aleate, midis tyre dhe shqiptare. Ndër to pashë një tregim të një vajze që quhej Helena Gushi. Një shok i imi i institutit më tha e sheh këtë vajzën që ka botuar këtë, e njoh. Është një vajzë e bukur dhe po t’i shkruash ti një urim për këtë tregimin, ajo do të bëjë letër dhe do të bie në dashuri me ty. Dhe kur të vemi për pushime, pas 2-3 javësh ta kesh të njohur atje, mos të vish vërdallë nëpër Tiranë. Kështu ndodhi vërtetë. Ky është Dhimitër Xhuvani. U tregua profet. Unë i bëra një letër të shkurtër Helenes që u impresionova nga tregimi dhe Helena bëri një përgjigje dhjetë herë më të gjatë. Kështu u njohëm. Kur erdha në Shqipëri patëm rast që u takuam.

Besimi në vetvete

Unë kam patur shumë besim në vetvete. Të vegjlit kanë shumë besim. Mua shokët e mi të ngushtë më thoshin që ti je shkrimtar imadh pavarësisht se kishin lexuar 4-5 vjersha dhe unë e besoja. Më dukej normale. Bile ata ziheshin me shokët e klasave të tjera që thoshin se nga doli ky shkrimtar i madh, ai është si ne.

Ndikimi i jetës në Rusi

Jeta studentore në Rusi ka ndikuar shumë, sikurse ndikon fëmijëria. Në mënyrë të çuditshme të papritura, për mirë ose për keq. E keqja e lëtërsisë shqipe në atë kohë ishte kur djemtë dhe vajzat e reja në moshë kur fillonin të shkruanin ishin përpara një propagande jashtëzakonisht kërkuese, të dëmshme për letërsinë. Po të dëgjojë propagandën që bënte shtypi, letërsia, shkollat, të merrte në qafë. Ata thoshin se detyra e shkrimtarëve është të këndojë për lumturinë e popullit për gëzimin e punës. Mendoni një roman për gëzimin e punën. S’të nxit asgjë, kurse një dramë, një ngjarje e hidhur, një tragjedi që keni parë nuk harrohet tërë jetën.

Të gjitha veprat tuaja jam shumë sigurt që do lexohen nga mbarë bota. A keni ju një libër të preferuar?

Këtë pyetje ua bëjnë të gjithë shkrimtarëve. Nuk mund të them nje. Janë disa vepra, një grup veprash që unë i preferoj mbi të tjerat, por nuk mund të them këto. Shkrimtarët e kanë të vështirë t’i përcaktojnë. Një nga librat që çmohet në botë është “Prilli i thyer” sepse ka brenda dhe kureshtje dhe gjëra që nuk ekzistojnë tek disa popuj…për arsye nga më të ndryshmet. Por kjo nuk do të thotë gjë.

Sa kohë keni jetuar në Gjirokastër dhe çfarë ndikimi ka patur qyteti në veprat tuaja? Edhe pse e di që një pjesë e teksteve zhvillohen aty…

Gjirokastra ka luajtur një rol dhe unë këtë nuk e kam fshehur. Kam shkruajtur dhe një libër “Kronikë në gur”. Kanë qenë gjurmë të pashlyeshme. Vetë Gjirokastra është qytet interesant, por mund edhe të mos ishte dhe për fëmijën në sytë e tij mund të bëhej. Ka qenë në kohë lufte dhe tamam si në teatër. Kam qenë i vogël kur erdhën ushtritë italiane. Ata kishin një porosi që të silleshin mirë, të mos i fyenin shqiptarët, sidomos vajzat, sepse janë me sedër të madhe. Por italanët nuk e respektonin këtë gjë dhe shpesh qëllonin që banorët fanatikë, konservatorë të Gjirokastrës e dinin këtë qëndrim zyrtar të shtetit dhe ishin shumë të ashpër me ushtarakët italianë që ngacmonin vajzat.

Me sytë e mi unë kam parë 2-3 raste plaka të lagjes kapur për flokësh një oficeri italian dhe ai nga frika s’dinte c’të bënte, sepse plakat gjirokastrite ishin prej natyre të guximshme, sidomos për punë nderi. Kjo gjë ndodhi në kontrast me gjermanët që erdhën më vonë. Ata kishin të njëjtin udhëzim gati të fshehtë që të mos ngacmonin shqiptarët për punë nderi sepse këta janë të çmendur dhe i japin një rëndësi shumë të madhe dhe do na krijonin telashe politike. Gjermanët nuk kthenin as kokën kur kalonin gratë, iu bindeshin urdhrave. Të tilla gjëra ishin si teatër. “Darkë e gabuar” e të tjera që kam shkruar unë kam kujtuar episode të tilla, që bënin edhe për të qeshur. Kjo ishte e mirë për letërsinë se kjo nuk e bënte realitetin ta përshkruaje bardhë e zi, domethënë nga një anë ne të mirët partizanët e nga ana tjetër fashistët, të ligjtë të poshtrit. Ishte një realitet i përzier që për fat të keq në letërsi nuk zuri vend dhe e dobësoi letërsinë shqipe,. Nuk besoj se keni lexuar libra të asaj kohe ku të përshkruheshin drama të tilla.

Në ditën ndërkombëtare të jetimëve, a keni një apel për shoqërinë?

Çmoj shumë brezin e moshës suaj, sidomos në një gjendje jo fort të zakonshme siç jeni juve. Që ju mungon diçka që ka lidhje, dashur pa dashur me letërsinë dhe artet. Një pikëllimë (letërsia e ka këtë detyrë)të prek, s’të lë të qetë.

E gjithë shoqëria ka për detyrë t’ua lehtësojë këtë gjendje, do doja të ishte me i madh interesi me i vazhdueshëm. Ju jeni tamam ajo pjesë e popullisë që keni nevojë për ngrohtësi njerëzore, nuk ju ngopin fjalët boshe. Një shpirt kur dëshpërohet, kur mallëngjehet, trazohet dëshpërohet është i pasur gjithmonë/Gazeta shqiptare/KultPlus.com

Nëna

Poezi nga Ismail Kadare.

Ne mbremje u kthye ai ne shtepi
i lodhur, i ngrysur, me traktet ne gji.

Mesnates se shurdher, se erret, se shkret’
do ngjise ai traktet kudo ne qytet.

-Mesnates ti sonte, o nene, me zgjo!
-Mir’, biri nenes, fli, bir! – tha ajo.

Ai si i vdekur ne gjume! ra pastaj
dhe nena mbi te nuk i ndan syte e saj.

Shikon ajo traktet dhe lutet mbi te
((Fli, biri i nenes, se ora s’eshte nje.))

Akrepi leviz, me ngadale leviz
pas perdesh, pas xhamash: e zeze nata pis.

Ne enderr ai buzeqesh e po sheh,
nje fushe te bukur, nje qiell pa re.

Dhe nena e tij me te bardha vallezon,
ne fushe te sahatit me dore tregon.

Akoma akrepi s’ka shkuar ne nje,
ndaj nena s’e zgjon, ndaj akoma po fle.

Por befas ne fushe u degjua qe larg
nje krisme perreth: trak a trak, trak a trak!

Dhe nena u zhduk si ne mjegull atje,
sahati i thyer sec ra permbi dhe.

I mbytur ne djerse u zgjua ai
((O nene)), dhe doren e vuri ne gji.

Atje trakte s’ka. ((O nene ku je!))
Pas perdesh, pas xhamash po gdhin dite e re.

((O nene!)), por nena nuk eshte me perqark
diku mitralozi troket: trak a trak!

Dicka neper mendte atij shpejt I erdh’
u hodh drejt nga porta: kuptoi e u zverdh.

Ne dor’ revolverin, ne rrugen e shkret’
vrapoi n’erresire, kudo ne qytet.

((O nene, o nene, o nene, ku je!!!!))
Ja, zbardhin mbi mure ca trakte atje.

Vrapon, po nuk duket gjekundi ajo,
…((Ndal!)) ndihet tek-tuk. Vrapo shpejt! Vrapo!

N’agim afer pyllit, ne an’ te nje perroi
pas drureve ai u mbeshtet e vajtoi.

…Qe biri te flinte i qete gjer n’agim,
mesnata per nenen s’do kete mbarim.

Ukaj: Pse gjithë ky zell për të rrëzuar nga froni shkrimtarin më të madh shqiptar, Ismail Kadarenë?

Shkruan: Ndue Ukaj

Tentimet e herëpashershme që bëhen për të rrëzuar nga froni letrar shkrimtarin Ismail Kadarenë, në thelb, pak, ose aspak kanë të bëjnë me veprën e tij letrare, që është një perandori e vërtetë artistike, e shtrirë përtej kufijve të ngushtë shqiptarë dhe pak varet nga vetëkënaqësia, mburravecëria dhe dëliri i madhështisë, vese këto që lulëzojnë si pak gjëra tjera ndër ne. Sepse, edhe kritikët më të ashpër dhe më dashakeq të veprës së tij, e dinë mirë se përballë këtij fenomeni universal, përralliset kot. Sa më që shumë sulmohet vepra dhe personaliteti i tij, aq më shumë rritet perandoria e lexuesve dhe admiruesve të tij.
Por, në gjithë këtë apori sulmesh e trillesh pafund, disa pyetje ngelen pa përgjigje dhe lënë vend për shumë hamendësime: Pse gjithë ky zell për të rrëzuar nga froni shkrimtarin më të madh shqiptar?
Pse gjithë ky zell për të debatuar kundër Kadaresë në secilën stinë të Nobelit të letërsisë? Ka ndonjë forcë dashakeqe që i konstrukton dhe orkestron të gjitha këto sulme? Këto pyetje, nuk janë të reja, ashtu siç nuk janë të reja sulmet që bëhen në secilën stinë kundër tij.
Sot, në mediat shqiptare, më shumë hedhet gurë e dru mbi Kadarenë sesa mbi tiranin që e shkretoi për disa dekada Shqipërinë.
Njerëz, në kohën e kësaj shëmtie të madhe, Kadare la vepra kapitale artistike.
Jo turfulloni kot.
Për këtë arsye, me logjikë të shëndoshë, vështirë mund të kuptohet gjithë ky mllef e pezëm që derdhet kundër Kadaresë.
Të kesh një shkrimtar në hierarkinë më të lartë të vlerave universale, është privilegj dhe nder për secilin komb. Pa dyshim, përfitimet nga kjo, janë të mëdha, dhe ato i përjeton secili që del përtej kufijve të ngushtë të kulturës shqiptare.
Është e kuptueshme, disa shqiptarë nuk mund të pajtohet me famën planetare të Ismail Kadaresë, edhe për faktin, se, siç pati shkruar At Zef Pllumi: “Historia jonë është një histori llogoret e sot me i madhi luftëtar në mbrojtje të kulturës, identitetit dhe integrimit evropian të shqiptarëve, është Ismail Kadareja e unë gjendem krah për krah tij në ato llogore.” / KultPlus.com