102 vjet nga vdekja e Ismail Qemalit

Sot janë bërë 102 vjet që kur ka vdekur kryeministri i parë shqiptar, Ismail Qemali, njeriu që më 1912 shpalli pavarësinë e Shqipërisë në qytetin e Vlorës.

Ai vdiq në rrethana misterioze më 24 janar në Peruxhia të Italisë, ku edhe është varrosur. Nuk ka të dhëna të sakta por mendohet se Qemali është helmuar.

Më 28 Nëntor të vitit 1912, Shqipëria shpalli Pavarësinë dhe Ismail Qemali ishte kryeministër i parë i Shqipërisë. Në shpalljen pavarësisë morën pjesë 83 delegatë nga të gjitha trevat shqiptare.

Menjëherë pas shpalljes së pavarësisë, Asambleja e Vlorës formoi Qeverinë e parë të Shqipërisë së Pavarur të drejtuar nga Ismail Qemali .

Njohja ndërkombëtare e pavarësisë, si dhe përcaktimi i kufijve të Shqipërisë u bë pas një viti në Konferencën e Ambasadorëve në Londër, vendim i së cilës qe shpallja e Principatës shqiptare sovrane nga Perandoria Osmane nën mbikëqyrjen e Komisionit Ndërkombëtar të Kontrollit dhe lënia e gjysmës së territoreve të shtetit të porsaformuar jashtë kufijve të tij administrativë. / KultPlus.com

177 vite nga lindja e veprimtarit të çështjes atdhetare, Ismail Qemalit

Sot shënohen 177 vite që nga lindja e Ismail Qemalit më 16 janar të vitit 1844 në Vlorë.

Pasi kreu shkollën fillore në vendlindje, vijoi studimet në shkollën plotore turke në Selanik, ku ishte internuar familja e tij dhe më pas kreu gjimnazin “Zosimea” në Janinë.

Në vitin 1860 punoi si përkthyes pranë zyrës së përkthimit të Portës së Lartë. Nga vitet 1862-1864 shërbeu në administratën vendore në Janinë e më pas u transferua në Tërhallë (Thesali) e përsëri në Stamboll.

Ai mori pjesë, së bashku me Jani Vreton, Hoxhë Tahsinin, Kostandin Kristoforidhin, Pashko Vasën e Sami Frashërin, në mbjedhjen e parë për caktimin e alfabetit të shqipes dhe për formimin e një shoqërie kulturore shqiptare.

Ismail Qemali pati në vijim një varg detyrash të larta në administratën turke si: kryesekretar i Ministrisë së Punëve të Jashtme në Stamboll, mytesarif i Varnës (Bullgari), guvernator i Danubit të Poshtëm (Tulxhë-Bullgari) etj.

Më 1877 Porta e Lartë e akuzoi si kundërshtar të politikës së Sulltan Abdyl Hamitit II dhe përkrahës të pikëpamjeve liberale të Mithat Pashës (funskionar i lartë i Perandorisë, reformator, opozitar).

Me këto akuza Porta e Lartë e dënoi me 7 vjet internim në qytetet Kytahja, Eskishehir dhe Bursa në Anadoll. U lirua më 1884 dhe u emërua si mytesarif i sanxhakut të Galiopolit dhe guvernator i Vilajejtit të Tripolit Libi.

Më 1900 për t’u shpëtuar ndjekjeve të sulltanit, u arratis nga Turqia dhe i dorëzoi dorëheqjen sulltanit, duke e motivuar largimin e tij nga Stambolli, se në këtë mënyrë do t’i shprehte më mire idetë e tij dhe do t’i kushtonte kujdesin e duhur çështjes shqiptare.

Ismail Qemali qëndroi në vende të ndryshme të Europës ku vendosi lidhje dhe bashkëpunoi me rrethet politike të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare. U aktivizua në lëvizjen patriotike shqiptare, mori pjesë në përpjekjet për caktimin e një alfabeti të përbashkët të gjuhës shqipe dhe për formimin e një shoqërie kulturore shqiptare.

Qemali zhvilloi gjithashtu veprimtari të ngjeshur politike në Europë për njohjen e kombit dhe të të drejtave të tij. Ai shpejt do të shpallte në shtypin e kohës, vendas dhe të huaj, platformën e tij politike për autonominë e plotë të Shqipërisë ndaj Perandorisë.

Së bashku me Luigj Gurakuqin e patriotë të tjerë hartoi Memorandiumin e Greçës të qershorit 1911 dhe në fund të atij viti mori nismën për organizimin e Kryengritjes së Përgjithshme të vitit 1912. Më 19 nëntor 1912 njoftoi bashkëatdhetarët se do të mblidhej në Shqipëri një Kuvend Kombëtar.

Në këtë kuvend, që u mblodh nën kryesinë e tij më 28 nëntor 1912 lexoi deklaratën e shpalljes së Pavarësisë të Shqipërisë dhe ngriti flamurin kombëtar. Pas kësaj u caktua kryetar i Qeverisë së Përkohshme dhe minister i Punëve të Jashtme.

Në politikën e tij të jashtme Ismail Qemali u bë i papajtueshëm ndaj çdo cënimi të pavarësisë e të sovranitetit kombëtar. Pavarësisht kushteve të vështira të brendshme e të jashtme, qeveria e kryesuar nga Ismail Qemali mori një varg masash për organizimin dhe ndërtimin e shtetit të pavarur. Në të gjitha këto veprimtari Ismail Qemali u tregua burrë shteti dhe diplomat largpamës, mbrojti me vendosmëri shtetin e pavarur shqiptar. / KultPlus.com

Përkujtohet 101-vjetori i lindjes së Ismail Qemalit të kinemasë

Nuk mund të ketë shqiptar, të madh a të vogël, që jeton brenda apo jashtë trojeve shqiptare, të mos ketë parë së paku një herë në jetë filmin “Nëntori i Dytë” dhe portretizimin real që aktori Sandër Prosi i ka bërë plakut mjekërbardh, Ismail Qemali.

Sot ndoshta nje pjesë e madhe e njerëzve e kanë të pamundur të shkëpusin karakterin e realizuar mjeshtërish nga Prosi, nga babai i kombit.

Por një tjetër figurë ikonike e kinemasë shqiptare, Dhaskal Todri do të ketë sërish portretin e aktorit të madh, i cili do të arrijë të pamundurën për gjuhën shqipe.

Një personazh i ngulitur fort në kujtesën kolektive të publikut. Ky aktor do të krijonte mbi 85 role në teatër në 75 vepra të autorëve shqiptarë si si A.Z. Çajupi, K. Jakova, B. Lëvonja, L. Papa, I. Kadare, T. Laço, R. Pulaha, D. Agolli, Dh. Xhuvani dhe të autorëve të huaj si Shekspiri, Shileri, Çehovi, Karaxhale, Gorki, Brehti etj”, shkruan teatri.

Sandër Prosi interpretoi në rreth 30 filma, ku krijoi role të tilla që kanë hyrë në fondin e qëndrueshëm të teatrit dhe kinematografisë tonë. Për ndihmesën e tij të madhe në zhvillimin e artit tonë skenik e kinematografik ai është nderuar me titullin e lartë “Artist i Popullit”, me Çmime të Republikës dhe me urdhra e medalje.

Sandër Prosi lindi në Shkodër, më 6 janar 1920. Pasi mbaroi shkollën fillore vazhdoi gjimnazin e Tiranës. Merr pjesë në dramën “Vilhelm Teli”. Shkon për studime në Austri për dentist, të cilat nuk i mbaroi. Më 1947 merr pjesë në konkursin pranë Teatrit Popullor dhe e fiton atë. Që këtu fillon dhe veprimtaria e tij e gjërë dhe e larmishme artistike.

Ndërsa roli i tij i parë ka qenë ai i Shaqir Agës në komedinë “Prefekti” të Besim Lëvonjës, që u prit mjaft mirë, dhe ku aktori luajti krahas Loro Kovaçit, Mihal Popit, Marie Logorecit etj. Ishte viti 1961 kur ai mori rolin e parë në film si drejtorit të shkollës në filmin “Debatik”. Në filmin “Vitet e para” ai i bëri përshtypje spektatorit për një konkretizim të qartë të personazhit të Abdylit, duke mbetur në mendje të çdokujt për një kohë të gjatë. Sandër Prosi vdiq atëherë kur mund t’i jepte akoma role të bukura skenës dhe ekranit. U vlerësua me çmime, tituj e medalje, si dhe me titullin e lartë “Artist i Popullit”. U nda nga jeta duke xhiruar metrat e fundit të filmit “Pranverë e hidhur” më 24 mars 1985. Dhe pranvera i hidhur ishte vërtet për të./ KultPlus.com

Flamuri me të cilin u varros Ismail Qemali

Identifikimi i një objekti me kaq rëndësi për kombin shqiptar,  nuk është një ngjarje e zakonshme. Ajo meriton një vëmendje të veçantë për nga rëndësia dhe unikaliteti që ajo mbart në vetvete.

Më datë 2 dhjetor 2011 u zbulua në fondin etnografik të Qendrës së Studimeve Albanologjike flamuri me të cilin u varros Ismail Qemali! Është një ngjarje që nuk mund të komentohet! Vetëm heshtja shpreh nderimin më madhështor për gjithçka.

Ismail Qemali vdiq në Peruxhia, në hotelin “Brufani” më 26 janar të vitit 1919, (bazuar në Fjalorin enciklopedik shqiptar). Në darkën e  10  shkurtit 1919 luftanija italiane “Alpino” solli në Skelë të Vlorës arkivolin me trupin e pa jetë  të njeriut të madh.

Në atë kohë Vlora ndodhej nën pushtimin italian. U vendos që Ismail Qemali të varrosej në Kaninë, në varrezën familiare të familjes Vlora, me që në qytet nuk kishte mundësi urbanistike. Komanda italiane,  që ia kishte frikën rebelimit, urdhëroi që në ceremoni të mos përdorej asnjë flamur shqiptar. Kjo ishte poshtëruese për ndjenjat e një populli, patriotizmi i të cilit mbushte  grykën e pushkës.

Këshilli bashkiak i Vlorës këmbënguli në përdorimin e simbolit shqiptar. Komanda italiane e kuptoi mirë ultimatumin atdhetar dhe lejoi që gjatë ceremonisë arkivoli të mbulohej me flamurin shqiptar.

Dhe ashtu  u bë. Arkivoli u mbulua me flamurin e kuq me shqiponjën e zezë. Në se flamuri është një simbol kombëtar,  atëherë i gjithë kombi u nder mbi njeriun që e ngriti kombin në përjetësi. Ishte një prekje, një përkëdhelje, një shtrëngim në gjoks, jo, më tepër, në shpirt. Këtë  flamur ia kishte dhuruar Ismail Qemalit duka i Monpasiesë në mars të vitit 1913, kur ai bëri një vizitë në Vlorë.

Në ato ditë flamurin e mbante me vete djali i madh i Ismail Qemalit, Et’hem Bej Vlora.

Ceremonia e varrimit u bë me 12 shkurt 1919. Ishte e mërkurë. U mbajtën dy fjalime mbresëlënëse  nga Jani Minga dhe nga Qazim Kokoshi. Mbas heshtjes u ekzekutua hymni mbretëror italian. Pastaj kortezhi i gjatë u nis për në Kaninë. Ishte ora 10:00. Karroca ku ndodhej arkivoli tërhiqej nga gjashtë kuaj. Anash ecnin me ngadalë dy rreshta ushtarësh. Banda ushtarake ekzekutonte melodinë e përmortshme “Jone” të kompozitorit italian Petrella.

Kortezhi prihej nga dymbëdhjetë kurora që mbaheshin nga “Djelmoshat e Vlorës”, të shoqërisë me po këtë emër.  Kurorat ishin gjithë lule, nderim dhe dashuri nga populli i Vlorës, nga shkollat, nga shoqëria “Djelmoshat e Vlorës” dhe nga gazeta “Kuvendi”. Mbas këtyre vinte “Shoqëria djaloshare”. Pastaj ecte banda ushtarake qe luante marshin funebër. Mbas bandës ushtarake ishin ushtarët e regjimentit 86 dhe reparti i mitralierëve italianë. Mbas këtyre ecte karroca me arkivolin e mbuluar me flamurin e kuq dhe shqiponjën e zezë, e nderuar dhe e ruajtur nga dy rreshta ushtarësh.

Mbas karrocës ecte grupi i hoxhallarëve dhe mbas tyre të tre djemt e Ismail Qemalit. Pastaj gjenerali Settimo Pacentini, kundëradmirali Lrubetti, autoritet ushtarake dhe civile të krahinës, paria e qytetit dhe e qarkut, qytetarët, nxënësit e shkollave dhe në fund ushtarët e kavalerisë.

Përpara varrimit flamurin e morën djemtë e Ismail Qemalit, flamur të cilin e përdorën përsëri në rivarrimin e tij në “Sheshin e Flamurit” me 28 nëntor 1932. Mbas kësaj Et’hem Bej Vlora e dhuroi flamurin për Muzeun Kombëtar.

Në Arkivin e Shtetit ruhen disa dokumente që vërtetojnë ngjarjen. Po i paraqesim:

Dokumenti: AQSH, fondi 195, viti 1933, dosja 173.

“MBRETNIJA SHQIPTQRE

PREFEKTURA MBRETNORE

VLONЁ

Nr. 172

Vlonë me 21. Kallnuer. 1933

P.T.

Ministris Arsimit

Tiranë

Këtu ngjitun kemi nderin me ju paraqit process-verbalin e mbajtun me rastin e marrjes në dorëzim të Flamurit që asht ngritun për të parën herë në Vlonë, prej Patriotit Ismail Qemalit.

Gjithashtu në pako të veҫantë dhe po me këtë shkresë dërgohet edhe Flamuri në fjalë.

Shtojmë se me gjithëse  Z. Etéhem Vlora pretendon se ky Flamur asht ngritur për të parën herë në ndërtesën Qeveritare më dorën Atit tij, por nga sa kemi hetue ky Flamur asht ngritur me të vërtet me 28 Nanduer 1912, por jo në ndërtesën Qeveritare,  por në Zyren e doganave në Vlonë.

Lutemi me na njoftue marrjen në dorëzim.

Prefekti

  1. Nepravishta”

Shkruar me dorë:

“T’i dërgohet ky

flamur Bibliotekës”

Nën këtë shënim, është një tjetër, që konfirmon marrjen e flamurit në dorëzim:

“asht këtu në bibliotekën t’onë”

28/10/33

Vijojnë disa vula dhe firma dhe në fund:

“Marrë në dorëim me 29-X-933”.

Po paraqesim edhe proces-verbalin shoqërues:

“PROCES-VERBAL

Sot më 28 Nanduer 1932, ditën e Hënë, me rastin e transferimit të eshtravet të shénjtorit të Kombit të ndjerit Ismail Qemalit nga Kanina në Pemendoren kujtimore të ngrehun prej N.M. Tij Mbretit dhe në pranie të Përfaqesuesit té N.M.Tij Mbretit Shkelqësis sé tij Gjeneral Leon De Gjilardi dhe té shkelqesave të tyne Z.Z. Hil Mosi, Ministër i Arsimit, Milto Tutulani, Ministër i Drejtësisë dhe të Prefektit të Vlonës  Z. Abedin Nepravishta, Zoti Ethem Bej Vlora, i biri  i të ndjerit Ismail Qemal për kujtim Kombëtar i dorëzoj Prefektit të Vlonës Flamurin Kombëtar të cilin më 28 Nanduer 1912 ati i tij Eroj i Kombit i ndjeri Ismail Qemal e ngriti në qytetin e Vlonës tue prokllamuar indinpendencën e Shqipnisë pas shumë shekujsh rrobnije.

Këtë Flamur të shenjtë Prefekti i Vlonës ja dorëzoj Ministrit të Arsimit Shk. tij Z. Hil Mosi për ta depozituar në Muzeun Kombëtar në Tirané.

Për sa ma naltë u redaktua ky Proces-Verbal i mbajtun në katër kopje dhe i nënshkruem prej të gjithëve qe përmenden ma sipër.

Nga shkresa e mëposhtme, e firmosur nga vetë ministri i arsimit Mirash Ivanaj, vërtetohet se flamuri i u dorëzua Muzeut Kombëtar. E citojmë:

Dokumenti: AQSH, fondi 195, viti 1933, dosja 173.

“ MINISTRI E ARSIMIT

Nr. Prot. 1208. Dërgohet Flamuri Komtar i ngrehun për herë të parë në Vlonë.

Drejtoris së Muzeut Komtar, Tiranë

Këtu ngjitun i dërgojmë asajë Drejtorije kopjen e process-verbalit të mbajtun me 28 Nanduer 1932 mbi flamurin komtar qi asht ngreh për herë të parë nga i ndjeri Ismail Qemali në Vlonë.

Për njiherit me këto shkresa ju dërgojmë dhe kët flamur historik për t’a ruejtun me kujdes në muzeun komtar.

Ministr’i Arsimit, Mirash Ivanaj (firma)

Nisur me 6/XI/1933”

Kështu, në bazë të këtij dokumenti, Shqipëria u bë me flamur kombëtar. Por kjo nuk ishte e vërtetë. E vërtetojnë mohimet që i u bënë faktit të servirur nga dëshmitarët e atyre ngjarjeve, që detyruan autoritetet e kohës të bënin verifikime të shumta, për të sqaruar të vërtetën. Mirëpo patriotizmi vulosi mendimin. Për shumë kohë u besua se flamuri i pavarësisë ndodhej i ruajtur në Muzeun Kombëtar. U desh kohë që ngatarresa të shpështillej, por kjo është ҫështje që nuk lidhet me këtë shkrim, aq më tepër që është sqaruar.

Vijojmë të paraqesim dokumente të tjerë që shkojnë më pranë të vërtetës.

“M.A.

Nri 402/749

Flamuri i Vlorësë

Mënistërijës’ së Arësimitë

Q y t e t

Bashkë me shkresën’ Nri 1208 të së 6s’ së këtij muaji, të shoqëruarë me verbalin’ e endur’në Vlorë më 28 të Vjeshtës’ së Tretë 1932. Muarëm’ në dorëim:

Flamurin’ kombëtar që shtolli në Vlorë vetë Ismail Qemal Vlora, mbë 28 të Vjeshtës së Tretë 1912.

Ky flamur zu vëndin’ në rjeshtën’ e kujtimevet’ t’ tjerë, me vlejë të jëstorijëtë, që ruhen’ në Tiranë,  9 Vjesht’ e Tretë 1933 / Drejtori (Firma dhe vula )

Ngjitur’ pas kësaj’ dorë-dëftesa

e jonë Nri C. 208”

Dokumenti: AQSH, Fondi 195, viti 1936, dosja 62.

“Flamuri i Vlorës”

Për punën, e flamurit’ kombëtar që valoj në Vlorë për here të pare ditën’ e të lëҫiturit’ të Shqipërijsë mbë krye të vehtë, Zoti Et-hem Bej Vlora, bir i të ndjerit Iamail Qemal Bej Vlora, pati mirësijën’ të shtronjë këta kujtime:

  • flamuri upat nga shtëpija e Zotit’ Syreja Bej Vlora. (Shënim nga F.Stamati: fjalët, “nga shtëpija e Zotit’ Syreja Bej Vlora”, janë të shuara me një vijë përsipër).
  • Pëlhura e flamurit’ qe e leshtë dhe shkaba e shtampuarë; nuk’ mban mënt të ketë pasur,’ theka o kravatë.
  • Të madhët’ të tijë, gjer sa mund të caktohet’ me të maturë syri, munt të qe afëro 0 m. 80 për së gjati, dhe 0 m. 50 për së gjëri.

Sa për fundin ‘ e këtij, flamuri Zoti Et-hem Bej Vlora ësht’ i mejtimit’ se flamuri nuk’ ka qënë shdukurë, po se ndodhet’ i ruajturë në Shqipërijë, ndër duar’ që do të kujtohen’ ndofta  ndonjë  ditë t’i a falin’ Muzejës’ Kombëtare.

Tiranë, 10 shkurt 1936”

Më poshtë, në të majtë, është vula e Bibliotekës dhe Muzeut Kombëtar, si dhe firma, ndërsa në të djathtë, firma e Ethem Bej Vlorës. Poshtë ka një shënim:

  • Zoti Et-hem Bej Vlora ndreqi me dorën’ e vehtë:

“nga shtëpija e Zotit’ Xhemil Bej Vlora”.

Ёshtë me interes edhe një dokument tjetër:

Dokumenti: AQSH, fondi 195, viti 1936, dosja 62. Po e citojmë: “Flamuri i Doganës’ së Vlorësë.

Me shkresën’ e Mënistërijës’ së Arësimitë Nri 1208 të së 6s’ së Vjeshtës’ së Tretë 1933, i udorëzua Muzejës’ Kombëtare një flamur i trajtuarë prej dy fijesh pëlhure të leshtë, 1 m. 45 i gjatë dhe 0 m. 95 i gjërë, me shkabën’, me dy krerë dhe me krahë të shtallurë mbë të përpjetë, pa theka dhe pa kravatë.

Pas shkresës’ që i përsillte Muzejës’ Kombëare këtë flamurë, janë mpështeturë:

  • një verbal me ditë 28 të Vjeshtës ‘ së Tretë 1932, në të cilin’ kan’  vënë duarëtë:

Përfaqësi I L. Madhërijës’ së Tijë Mbëretitë, Gjeneral Leon de Ghilardi,

Ministri i Arësimitë, Hil Mosi,

Ministri i Drejtësijësë, Milto Tutulani,

Zoti Et-hem bej Vlora, përfaqësi i Fëmijës’ së të ndjerit’ Ismail Qemal Beutë, Prefekti i Vlorësë, A. Nepravishta.

Në këtë verbal është shënuarë se flamuri i dhuruarë  Muzejës’ Kombëtare është muu ay  që pati ngriturë në Vlorë me dorën’ e vehtë i ndjeri Ismail Qemal Beu, të 28në të Vjeshtës’ së tretë 1912.

  • një shkresë e Prefekturës’ së Vlorësë, Nri 172 me ditë 21 Jenar 1933, në të cilën’, ndër t’ jera, është shënuarë se si pas kërkim’ e hetimeve të bërë nga Prefektura e Vlorësë, ky flamur nuk ‘ ka qënë ngritur’ kurrë mbi ndërtesën’ qëverritare as ditën’ që ulëҫit të krye-mbë-vehtët’ të Shqipërijésë as mëë pas, po ka valuarë vetëmë për një kohë të gjatë mbi godinën’ e Doganës’ së detitë  të Vlorësë.

Për të kthillurë këtë pikë ukërkuanë hollësija nga Zoti Et-hem Bej Vlora, i cili pati mirësijën’ të apinj’ këta shënime:

  • flamurin’ që i udorëzua Muzejës’ Kombëtare, i a fali të ndjerit’ Ismail Qemal Beutë Duku i Monpansierit’, kur pat’ ardhurë në Vlorë, nga Marsi i vitit’ 1913.
  • qëverrija e Shqipërijësë e përdori për Doganën’ e Vlorësë, mbi ndërtesën’ e së cilësë valoj gjer ditën’ që Ismail Qemal Beu hoqi dorë nga Kryesija e Qëverrijësë.
  • mbë t’ ularguarë nga Vlora Ismail Qemal Beu, kërkoj të ketë si kujtim një nga flamuret’ të Qëverrijësë; usgjoth ky flamur dhe i udorëua Zotit’ Et-hem Bej Vlora, i cili e pati me vehte gjatë kohës’ që bashkë me t’ anë undodhën’ ndëpër Evropë.
  • ditën’ që i ndjeri Ismail Qemal Vlora ndërroj jetë në Perugia të Italijësë (25 Jenar 1919) Zoti Et-hem Bej Vlora mbuloj trupin’ e t’et me këtë flamur.
  • kur upru i vdekuri në Vlorë dhe uvendos në sallën’ e fllugërijës’ së përmortëshme, që pati navaturë Kumanda e Ushtërijës’ Italjane, prapë ky flamur under mbi arqivolin’ e të vdekuritë.
  • gjatë përsjellës’ së trupitë nga Vlora në Kaninë, arqivoli qe mbuluarë me po këtë flamur.
  • edhe ditën’ që eshtërat’ të të ndjerit’ Ismail Qemal Beutë umbartën’ nga Kanina në Vlorë, për t’ ukallurë në varrin’-monoment, që ngrehu Qëverrija Mbëretërore e Shqipërijësë, ky flamur qe nderur’ mbi arqivolin’ edhe gjatë rrugësë edhe gjer sa mori funt shërbesa e të kalluritë, pas së cilësë Zoti Et-hem Bej Vlora u a dorëzoj  Përfaqësvet’ të Qëverrijësë Mbëretërore, si kujtim për t’ uruajtur’ në Muzejën’ Kombëtare.

Tiranë, 10 Shkurt 1936”

Më poshtë, majtas,  është firma dhe vula e Bibliotekës dhe Muzeut Kombëtar, ndërsa djathtas firma e Et-hem Bej Vlorës.

Në vitin 1946 materialet e Muzeut Kombëtr i kaluan Instituit të Shkencave. Në vitin 1957, kur u krijua Universiteti i Tiranës, mori jetë edhe Instituti i histori-gjuhësisë, i cili pati në vartësi të vet edhe Muzeun arkeologjik-etnografik, si edhe fondin etnografik. Në këtë fond kaluan edhe flamujt, që ndodheshin dikur në Bibliotekën dhe  Muzeun Kombëtar. Mirëpo nuk pati asnjë dokument për historinë e tyre. Kështu, ata mbetën enigmë. Edhe i ndjeri Rrok Zojsi, themeluesi dhe shefi i etnografisë dhe i fondit etnografik, e kishte me të dëgjuar se dikush i kishte dorëzuar flamujt pa dhënë ndonjë sqarim për ta, duke thënë: merrini dhe ruaini edhe këta! Punonjësja më e vjetër e fondi etnografik Znj. Pandora Plaku, kujton edhe në ditët e sotme porosinë e Rrok Zojsit për kujdesin ndaj ketyre flamujve dhe punën që ka bërë ajo me kolegët e saj për t’i mbrojtur këta flamuj nga infeksionet e insekteve dhe nga dëmtime të tjera.

Ishin tetëmbëdhjetë. Puna për identifikimin e tyre filloi dhjetë vjet më parë. Me 2 dhjetor 2011 i erdhi rradha këtij. Se si ndodhi mund ta tregojmë ndonjë herë tjetër.

Flamuri është i plotë, por ka dëmtime të shumta. Ngjyra e kuqe është zbehur nga veprimi i diellit. Duket të jetë pis. Duhet restauruar. Do të jetë një punë jo e lehtë në gjendjen që është ai!

Pavarësisht nga të dhënat e grumbulluara deri më sot, rëndësia e këtij flamuri dikton domosdoshmërinë e studimeve gjithnjë edhe më të gjera për të ndriçuar maksimalisht këtë simbol kombëtar.

Edhe disa ditë dhe ky flamur do të ekspozohet përkohësisht në mjediset e Qendrës së Studimeve Albanologjike për të kujtuar përvjetorin e vdekjes së Ismail Qemalit./Ariola Prifti /Frederik Stamati/ KultPlus.com

Në Foto: Kortezhi duke u ngjitur për në Kaninë 12 shkurt 1919.
Në foto:Ceremonia e rivarrimit, Sheshi i Flamurit, Vlorë më 28 Nëntor 1932.
Në foto: Flamuri sot

Si e pritën Arbereshët Ismail Qemalin, para shpalljes së Pavarësisë

Tre vite përpara shpalljes së Pavarësisë, Ismail Qemali është pritur me nderime nga Kolonia e Horës së Arbëreshëve, në cilësinë e kryetarit të Lëvizjes Shqiptare për Pavarësi. Me rastin e festës së “28 Nëntorit, Ditës së Pavarësisë”, shkrimtari arbëresh Zef Schirò Di Maggio, risjell disa fakte historike rreth asaj dite që lidhen me mbështetjen dhe reagimet e komunitetit arbëresh më këtë ngjarje të madhe të historisë së popullit shqiptar. Duke iu referuar botimit të Akteve të të Rilindjes Kombëtare Shqiptare 1878-1912, (Tirane 1978), citon një telegram të nëntorit 1912, me titull “Protestë kundër synimeve pushtuese të shteteve ballkanike ndaj Shqipërisë”.

Aty thuhet: “Kolonia e Horës së Arbereshëvet, në rrethin e Palermos, pas afro pesë shekuj jetese në tokën mikpritëse italiane, megjithëse ka ndjekur fatin e atdheut të madh italian në ditë të mira dhe në ditë të këqia, nuk e ka harruar atdheun e saj të prejardhjes, “fatkeqen Shqipëri”…. Në çastet më te vështira te jetës shqiptare, kjo ka ndjekur me zemër te dridhur dhe me vemendje të madhe fatet e kombit fatkeq. Sot që guximi i shteteve ballkanike, të cilët i kanë lënë mënjanë luftrat e tyre për liri e pavarësi, kërkon ta fusë në katastrofën osmane edhe popullin e Skënderbeut, qytetarët e Horës së Arbëreshëvet janë ngritur dhe protestojnë para gjithë botës kundër këtyre lakmive të pabesa. Dhe bota nuk mund të mos marrë parasysh jetën dhe qenien e një populli. Prandaj po bëjmë protestën që vijon: Qytetarët e Horës së Arbëreshëvet, në orën tragjike që po kalon mëmëdheu, nuk mund të qëndrojnë pa e ndjerë thellë klithmën e pikëllimit që vjen nga vëllezerit të Tejadriatikut….”. Në shkrimin e tij Di Maggio kujton se lidhjet mes arbëreshëve dhe shqiptarëe nuk janë shkëputur asnjëherë dhe patriotët e mëdhenj arbëreshë, “dy për të gjithë, De Rada e Zef Skiroi Senior, i kushtuan jetën e veprën letrare Rilindjes së Shqipërisë.

Një tjetër fakt historik që tregon patriotizmin e pashuar të arbëreshëve, është pritja që i përgatitën kryetarit të lëvizjes shqiptare Imail Qemalit, gjatë vizitës së tij këtu në Horë, tri vjetë para që të shpallej Pavarësia. Pjetro Skaljone në librin e tij “Historia e Shqipëtarëvet t’Italisë” të botuar në New York më 1921, e ka dokumentuar vizitën që Ismail Qemal bey Vlora e Xhjafer Effendi Mbreshtani bënë këtu në Horë në maj te vitit 1909. Di Maggio e citon si më poshtë këtë dëshmi: «Populli i katundit Piana dei Greçi kishte dalë jashtë katundit, me flamure Shqipë edhe Italianë, me bandën muzikore Katundare për me pritur ardhjen e të çkëlqyervet Shqipetarë te një vent i përthënë Shën Meria e Boshit. Bashkë me popullin ishën tërë Shoqëritë të katundit me flamuret e tyre… Banda loste Kënga Kombetare. Kur për së largu u-panë Karrocat, populli me zë te fortë, thiri rroftë Shqipëria.

Kur Karrocat u afruan muzika lojti ymnin Shqipetarë, e pas ymnin Italian.

Populli si karrocat u afruan e njohi të dy Atdhetarët (Ismail Qemalin e Xhjafer Effendin) të cilët ishën në e para karrocë, thriti “Rroftë Shqipëria, Rrofshin vëllezërit Shqipetarë”.

Zoterinjtë e tyre, Ismail Qemali, e Xhjafer Effendi falenderonin popullin dyke nxjerë shapkat (Kapelat) e dyke derdhur lotë nga gëzimi. Muzika udhetonte përpara, e populli u për-nda me dy krahtë të udhës, e karrocat në mestrë popullit, ishtë tue me kënduar kënga popullore e u nisën për në katundë. Kur karrocat hijtin brënda në katundi, dy Atdhetarët i priti një çuditje, përse shkuan gjera të paharrueshme, gjith balkonat e dritsoret ishën të stolisur me bukuri të madhe, e mbretërojën bojlat kombëtare; balkonet e dritsoret ishën të mbushur me zonja, të cilat ishën tue me shtur lule mbi karrocat e me thirë “Rroftë Shqiperia, Rrofshin vëllezërit tanë të Shqipërisë”. Ismail Qemali me lotë në sy e me zëmërin prej gëzimit falejë popullit, kur karrocat arrinë në shtëpia të Zotit Kalorës Gjergji Zalapi ishën mbushur me lule». Për këtë vizitë ka shkruar edhe vetë Ismail Qemali në librin e tij “Memorie”./KultPlus.com

Ekspozohen foto të dixhitalizuara të Ismail Qemalit në COD

Në Qendrën për Hapje edhe Dialog janë ekspozuar katër fotografi të Ismail Qemal Vlorës.

Kjo ekspozitë hapet pas një përpunimi të thellë grafik dixhital të fotove të përzgjedhura me metodën piksel për piksel, duke përdorur teknologjinë e fundit dixhitale.

Ekspozita në COD është një përzgjedhje e katër fotove prej 30 gjurmësh që ruhet në dosjen 4547 në Drejtorinë e Përgjithshme të Arkivave. Ato tregojnë jo vetëm portretin, bustin, statutin dhe shijen e tij por edhe jetën e tij në vite të ndryshme. Përmes fotografive që përçojnë identitetin e tij, nga e para e shkrepur në Atjinë, si djalosh 23-vjeçar në vitin 1867 e deri tek portreti zyrtar që njihet nga të gjithë, realizuar 107 vite më parë, transmeton KultPlus.

Imazhi i parë, i përket harkut kohor 1866-1870, kur Ismail Qemal Vlora, sapo kishte filluar të hidhte hapat e para në karrierën e tij të gjatë në administratën e Perandorisë Osmane. Është pikërisht periudha kur u transferua fillimisht në Ruscuk (Ruse sot, në Bullgari) qendra e Vilajetit të Danupit, guvernator i së cilës ishte Mithat Pasha. Ndërsa, me transferimin e Mithat Pashës në Stamboll si President i Këshillit të Shtetit,  dhe Ismail beu u transferua po në atë këshill. Gjatë kohës që ishte në Ruscuk u martua me Kleoniqi Surmeli, martesë që zgjati 51 vite. Nga kjo martesë e dytë lindën dhjetë fëmijë, gjashtë djem e katër vajza.

Imazhi i dytë i përket periudhës 1844-1890, periudhë gjatë së cilës Ismaili shërbeu si guvernator i provincës së Blou-së, një nga provincat më të rëndësishme aziatike në afërsi të Stambollit. Gjatë kësaj periudhe 6-vjeçare Ismail beu u dallua për aftësitë drejtuese dhe menaxhuese. Ndërtimi i mjaft veprave të rëndësishme publike si, spitale, rrugë etj.

Imazhi i tretë, është realizuar në Vjenë (1913) në ambientet e brendshme të “Grand Hotel”, Ismail Beu si kryeministër i qeverisë shqiptare edhe ministër i Punëve të Jashtme të saj, ishte vendosur në mbrojtje të të drejtave të popullit shqiptar në kryeqytetet europiane, veçanërisht në Londër, ku zhvillonte punimet Konferenca e Ambasadorëve.

Imazhi i katërt, fotografia e famshme e tij, është realizuar nga fotografi Vani Bruda gjatë vitit 1913. Fotoja është e periudhës kur Ismail Qemal Vlora ishte kryeministër i Qeverisë. Kjo është fotografia zyrtare me të cilën identifikohet shteti shqiptar. /shqiptarja/ KultPlus.com

Isa Boletini dhe Ismail Qemali per gazetën vieneze: Kosova dhe Mitrovica duhet t’i bashkohen Shqipërisë

Nga Aurenc Bebja*, Francë – 27 Prill 2020

“Le Soir” ka botuar, të shtunën e 12 prillit 1913, në ballinë, një shkrim në lidhje me deklaratën e Ismail Qemalit dhe Isa Boletinit bërë askokohe një gazetari të medias së njohur austriake “Neue Freie Presse” në Vjenë, të cilin, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :

Çështja shqiptare

Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France
Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France

Vjenë, 11 prill.

Ismail Qemali dhe Isa Boletini mbërritën mbrëmë në Vjenë. Ata i bënë deklaratën e mëposhtme një redaktori të Neue Freie Presse :

Kosova dhe Mitrovica duhet t’i kthehen Shqipërisë. Përndryshe, shqiptarët do të privoheshin nga pjesa më pjellore e vendit dhe ata kurrë nuk do ta pranonin atë.

Paqja në Ballkan do të jetë e pamundur nëse ruhet demarkacioni aktual i Shqipërisë. / KultPlus.com

https://www.darsiani.com/la-gazette/ismail-qemali-dhe-isa-boletini-redaktorit-te-neue-freie-presse-ne-vjene-1913-kosova-dhe-mitrovica-duhet-t-i-rikthehen-shqiperise-perndryshe-me-kete-demarkacion/?fbclid=IwAR2Y_ivJHIcSGhhppTrwTRbjC6IDgzbqEHYQYFK1tEvh3gQaJfkZFDA3gVU

Ismail Qemali nga Vjena më 1914: Pas trazirave në Shqipëri qëndrojnë Turqia, Serbia dhe Greqia

Nga Aurenc Bebja

 “L’Echo de Paris” ka botuar, të shtunën e 6 qershorit 1914, në faqen n°3, një shkrim në lidhje me reagimin e Ismail Qemalit mbi trazirat e fundit asokohe në Shqipëri, të cilin, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar:

Ismail Qemali në Vjenë

 Vjenë, 5 qershor.

Ismail Qemali arriti këtë mëngjes nga Roma, ku u prit nga markezi i San-Giuliano-s dhe ambasadori i Austrisë Merey.

 Djemtë e tij e paraprinë në Vlorë dhe sot ai mori ftesën e popullit të Vlorës, i cili e ftoi të vijë menjëherë.

 Ismail Qemali shkoi gjatë mëngjesit në Ballplatz dhe dëshiron të shkojë në Berlin dhe kryeqytete të tjera para se të niset për në Vlorë, nëse ngjarjet e lejojnë.

 Pas kryengritësve, ai sheh Turqinë, Serbinë, Greqinë dhe gjykon dërgimin e anijeve një ilaç të paefektshëm.

https://www.darsiani.com/la-gazette/l-echo-de-paris-1914-ismail-qemali-nga-vjena-pas-trazirave-ne-shqiperi-qendrojne-turqia-serbia-dhe-greqia/.

Ismail Qemali më 1912: Serbia nuk ka asnjë të drejtë të përparojë drejt Adriatikut dhe të copëtojë Shqipërinë

Nga Aurenc Bebja  

“La Libre Parole” ka botuar, të mërkurën e 13 nëntorit 1912, në ballinë, shkrimin e gazetës austriake “Neue Freie Presse” në lidhje me reagimin e Ismail Qemalit ndaj ndërhyrjes serbe në Shqipëri, të cilin, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :

Vjenë, 12 nëntor.

Neue Freie Presse botoi një intervistë të Ismail Qemal Beut, udhëheqësit shqiptar, i cili tha se Serbia nuk ka asnjë të drejtë të përparojë drejt Adriatikut dhe të copëtojë Shqipërinë.

Në Durrës, Vlorë dhe Shëngjin, nuk ka qoftë dhe një serb të vetëm. Ka disa familje serbe në Shkodër dhe disa mijëra bullgarë në sanxhakun e Dibrës.

Nëse do të shpërthente lufta midis Austro-Hungarisë dhe Serbisë, të gjithë shqiptarët do të merrnin armët në favor të Austro-Hungarisë. / KultPlus.com

https://www.darsiani.com/la-gazette/ismail-qemali-per-neue-freie-presse-1912-serbia-nuk-ka-asnje-te-drejte-te-perparoje-drejt-adriatikut-dhe-te-copetoje-shqiperine/

Ismail Qemali, dëshmitar në dasmën e drejtorit të gazetës “L’Evolution politique”

“Le Figaro” ka botuar, të enjten e 18 majit 1916, në faqen n°3, një fakt të paditur dhe personal për Ismail Qemalin, të cilin, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :

Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France
Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France

— Në kishën Notre-Dame de Montluçon u celebrua, të martën, martesa e kolegut tonë zotit Maurice Levet, drejtor i “L’Evolution politique”, me zonjushën Marguerite Troubat, vajzën e industrialistit montluçonnais.

Dëshmitarët ishin, për nusen : Zotërinjtë Georges dhe Jean Troubat, industrialistë, vëllezërit e saj; për dhëndrin: z. Maurice Raynaud, deputet, ish-ministër i kolonive dhe Shkëlqesia e Tij, Ismail Qemal beu, ish-president i Këshillit të Shqipërisë.E.L. /Shqiptarja.com /KultPlus.com


101 vjet nga vdekja e Ismail Qemalit

Sot janë bërë 101 vjet që kur ka vdekur kryeministri i parë shqiptar, Ismail Qemali, njeriu që më 1912 shpalli pavarësinë e Shqipërisë në qytetin e Vlorës.

Ai vdiq në rrethana misterioze më 24 janar në Peruxhia të Italisë, ku edhe është varrosur. Nuk ka të dhëna të sakta por mendohet se Qemali është helmuar.

Më 28 Nëntor të vitit 1912, Shqipëria shpalli Pavarësinë dhe Ismail Qemali ishte kryeministër i parë i Shqipërisë. Në shpalljen pavarësisë morën pjesë 83 delegatë nga të gjitha trevat shqiptare.

Menjëherë pas shpalljes së pavarësisë, Asambleja e Vlorës formoi Qeverinë e parë të Shqipërisë së Pavarur të drejtuar nga Ismail Qemali .

Njohja ndërkombëtare e pavarësisë, si dhe përcaktimi i kufijve të Shqipërisë u bë pas një viti në Konferencën e Ambasadorëve në Londër, vendim i së cilës qe shpallja e Principatës shqiptare sovrane nga Perandoria Osmane nën mbikëqyrjen e Komisionit Ndërkombëtar të Kontrollit dhe lënia e gjysmës së territoreve të shtetit të porsaformuar jashtë kufijve të tij administrativë. /KultPlus.com

Ismail Qemali më 1913: Arsyet se përse Shkodra duhet të jetë shqiptare, Mali i Zi duhet të nënshtrohet

Nga Aurenc Bebja

“Le Matin” ka botuar, të mërkurën e 2 prillit 1913, në faqen n°3, një shkrim në lidhje me opinionin e Ismail Qemalit mbi çështjen e Shkodrës, të cilin, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :

Opinioni i Ismail Qemalit për çështjen e Shqipërisë

Nga korrespondenti i veçantë i “Matin” (Me telefon).

Ismail Qemal beu, kreu i Qeverisë së Përkohshme të Shqipërisë, mbërriti sot në Romë. Ai erdhi nga Brindizi, pas një udhëtimi nga Vlora në këtë port, në jahtin e Dukës së Montpensierit.

Ismail Qemal beu, në lidhje me çështjen e Shkodrës, tha :

“Duket se çështja e Shkodrës tashmë është zgjidhje e sipër. Qëndrimi i Malit të Zi nuk më duket se ka gjetur një sukses. Arsyet pse qyteti i Shkodrës duhet të jetë shqiptar janë shumë të njohura, dhe fuqitë tani kanë rënë dakord që ta ftojnë Malin e Zi të nënshtrohet.”

https://www.darsiani.com/la-gazette/ismail-qemali-per-le-matin-1913-njihen-arsyet-se-perse-shkodra-duhet-te-jete-shqiptare-fuqite-kane-rene-dakord-qe-mali-i-zi-te-nenshtrohet/

Intervista e Ismail Qemalit në lidhje me kryengritjen e Shqipërisë së Jugut

Nga Aurenc Bebja

“L’Echo de Paris” ka botuar, të martën e 17 prillit 1911, në faqen n°3, intervistën e korrespondentit të gazetës “Piccolo” me Ismail Qemalin, në lidhje me kryengritjen e shqiptarëve të jugut, të cilën, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :

Revolta shqiptare

Ekziston frika e një kryengritjeje në Shqipërinë jugore.

Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France
Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France

(Shërbim special i L’Echo de Paris)

Vjenë, 16 prill.

Korrespondenti i Piccolo-s (Gazetës së Triestes) në Konstandinopojë ka mundur të bisedojë, së fundmi, me deputetin shqiptar Qemal beun :

Një pakënaqësi ogurzezë, deklaroi deputeti, zotëron në mesin e popullit të Shqipërisë jugore, megjithëse ai shfaq ndjenja më paqësore sesa ai i veriut, por nuk duhet të çuditemi nëse një kryengritje ndodh në Valesa (Vlorë).

Shqiptarët, shtoi Qemal Beu, i janë lutur qeverisë që prej disa muajsh që ti japë fund shtypjes me të cilën vendi i tyre fatkeq gjendet i tronditur.

Nëse shpërthen një revoltë, do të duhet derdhur gjak për ta shypur, të shpenzohen shuma të mëdha parash, të përballemi me vështirësi pothuajse të pakapërcyeshme, veçanërisht pasi trupat turke do të duhet të luftojnë kundër një populli të reduktuar në dëshpërim dhe që mban në thellësitë e zemrës së tij fyerjet për të cilat ai ka qenë objekt.

Kujtimi i metodave të përdorura vitin e kaluar nga ushtria kushtetuese, e cila, për të shtypur kryengritjen, i vuri zjarrin çdo gjëje, është më i gjallë se kurrë.

Dha ja tani, qeveria turke është gati të predikojë luftën e shenjtë.

(Daily Telegraph.)

https://www.darsiani.com/la-gazette/piccolo-e-triestes-1911-intervista-e-ismail-qemalit-ne-lidhje-me-kryengritjen-e-shqiperise-se-jugut/

“L’Echo de Paris” ka botuar një pjesë të intervistës me Ismail Qemalin të realizuar më 17 Maj 1910

Nga Aurenc Bebja*, Francë – 3 Nëntor 2019

“L’Echo de Paris” ka botuar, të martën e 17 majit 1910, në faqen n°3, një shkrim në lidhje me intervistën e Ismail Qemalit mbi çështjen shqiptare, të zhvilluar asokohe në Konstandinopojë me korrespondentin e Giornale d’Italia, të cilin, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :

Revolta shqiptare
Një intervistë me Ismail Qemal Beun

Romë, 16 maj.

“Korrespondenti i Giornale d’Italia, në Konstandinopojë, ka zhvilluar një intervistë interesante mbi situatën aktuale në Shqipëri me Ismail Qemal Beun, i cili ka deklaruar se shqiptarët nuk do të dorëzojnë armët para se qeveria turke të plotësojë kërkesat e tyre.

Represioni i organizuar nga Turqia, shtoi Ismail Qemali, është një gabim katastrofik; E vetmja mënyrë për të qetësuar gjakrat (paqësuar shpirtrat) është përdorimi i një metode të re qeverisjeje.

Ekspedita ushtarake aktuale, në fakt, vetëm se e nxit situatën dhe irriton popullin shqiptar. — C.” Top Channel / KultPlus.com

Le Temps (1897):Ja propozimi që i bëri Ismail Qemali sulltanit për të shpëtuar Perandorinë Osmane

Nga Aurenc Bebja

“Le Temps” ka botuar, të mërkurën e 10 marsit 1897, në ballinë, një shkrim në lidhje me propozimin që i ka bërë asokohe Ismail Qemali sulltanit për të shpëtuar ekzistencën e Perandorisë Osmane, të cilin, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar:

Kostandinopojë (nëpërmjet Sofjes), 9 mars, ora 8 : 25

Ismail Bej Qemali, ish-sekretari i Mit’hat Pashës, për të cilin thuhet se shpesh ka pasur një ndikim të madh mbi sulltanin, sapo i ka paraqitur atij një memorje (dokument) të gjatë në lidhje me situatën aktuale.

Ai e lut, në këtë dokument, që të marrë vetë ai iniciativën e reformave para zgjidhjes së çështjes së Kretës dhe shpërthimit të çrregullimeve të reja.

Ai arriti në përfundimin se ishte e nevojshme të ribëhej një Kushtetutë në bazë të decentralizimit administrativ dhe një federate osmane, duke u lënë grupeve të ndryshme kombëtare të perandorisë njëfarë autonomie.

Një Asamble Kushtetuese do të mblidhet në Konstandinopojë dhe, më vonë, një Parlament do të emërohet.

Kjo iniciativë e një njeriu me ndikim dhe i shquar, i cili qëndron jashtë të gjitha grupeve revolucionare, gjen shumë adhurues në mesin e myslimanëve. (Shërbimi Havas). /KultPlus.com

“Eshtrat e Ismail Qemalit prehen në Vlorë falë kujdesit dhe shpenzimeve personale të Mbretit Zog”

Nga Aurenc Bebja

“Journal des débats politiques et littéraires” ka botuar, të mërkurën e 30 nëntorit 1932, në faqen n°2, një shkrim në lidhje me veprimin dhe respektin e Mbretit Zog ndaj Ismail Qemalit, të cilin, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar:

Shqipëri

20 vjetori i Pavarësisë.

 Na telegrafojnë nga Tirana :

20 vjetori i pavarësisë së Shqipërisë u festua në të gjithë vendin. Një ceremoni e madhe u zhvillua në Vlorë, ku, në 1912, Ismail Bej Qemal Vlora shpalli pavarësinë e Shqipërisë, eshtrat e të cilit u transportuan nga Kanina në varrin e ri të ngritur në Vlorë nën kujdesin dhe shpenzimet personale të mbretit.

https://www.darsiani.com/la-gazette/media-franceze-1932-eshtrat-e-ismail-qemalit-prehen-ne-vlore-fale-kujdesit-dhe-shpenzimeve-personale-te-mbretit-zog/

Rrëfimi i Mehmet Prishtinës: Si Hasan Prishtina i kërkoi dyluftim një deputeti turko-arab që sulmoi fizikisht Ismail Qemalin

Mehmet Prishtina, stërnip i Hasan Prishtinës, kryeministri i 8-të i shtetit shqiptar, ministër i Brendshëm në qeverinë e Ismail Qemalit, në një intervistë për emisionin “Debati në Channel One”, të gazetarit Roland Qafoku ka rrëfyer disa nga historitë pikantë të familjes Prishtina. Ai ka treguar një ngjarje ku Hasan Prishtina ka kërkuar dyluftim me një deputet turko arab, i cili kishte sulmuar fizikisht Ismail Qemalin. Po gjatë kësaj interviste ka rrëfyer dhe takimin me Pricin Leka dhe diskutimet mes tyre për vrasjen e Hasan Prishtinës.

“Si kryevepër të tij Hasan Prishtina ka projektin e tij për bashkimin e të gjitha trojeve shqiptare në një shtet të vetëm. Këtë ai e proklamoi duke hartuar 14 pika që për mua edhe sot kanë vlerë. Në janar 1912 ai mbajti një fjalim në parlamentin osman sipas të cilit në rast se nuk pëfilleshin kërkesat e tij tha: unë do ngre dhe organizoj kryengritje në malet e Kosovës. Sulltani u përlot nga fjalimi, jo nga emocioni për fjalët e Hasanit por për shkak se me këtë fjalim ai kupti se Perandoria Omsane po merrte fund. Pikërisht për këtë fjalim Hasani u akuza për grusht shteti dhë u kërkua dënimi i tij me vdekje. Pas fjalimit Hasani u mbështetet fort nga deputetët e tjerë shqiptarë në parlamentin osman mes të cilëve edhe Ismail Qemal Vlora. Duhet theksuar se pas fjalës së tij në parlament, u ngrit një deputet turko arab i cili debatoi ashpër me Isamail Qemalin dhe sipas dokumenteve e ka sulmuar Ismail Beun edhe fizikisht. Në këtë moment ka ndërhyrë Hasan Prishtina për të mbrojtur nderin dhe dinjitetin e Ismail Qemalit. Hasani i kërkoi deputetit turko arab dyluftim, një duel me armë. Por Ismail Qemali nuk e lejoi të bënte këtë duel duke i thënë; Hasan, biri im, ti na duhesh për punë madhore, jo për këto. Këtë e rregullojmë ndryshe. Hasan Prishtina fatkeqësisht nuk ishte në Vlorë më 28 nëntor sepse u arrestua nga forcat e ushtrisë serbo malazeze dhe u burgos në Beograd”, ka thënë Mehmet Prishtina.

hasan prishtina

Për familjen dhe pasardhësit e Hasan Prishtinës

“Hasan Prishtina ishte djali i xhaxhit të gjyshit tim. Unë që në 9-vjeç dhe familja ime kemi emigruar në Gjermani shumë herët dhe që i vogël jam rritur me tregimet, që më bënte im atë, për Hasan Prishtinën. Im atë dhe xhaxhi im u vranë në luftë më 5 prill 1999 kundër serbëve dhe dy javë përpara se të vritej im atë më la një amanet sipas të cilit e gjitha jeta ime duhet të vihej  në dispozicion të ndriçimit të figurës së Hasan Prishtinës. Hasani ishte martuar me Ikbale Prishtinën, një çerkeze, famija e të cilës jetonte në Kosovë. Edhe ajo vinte nga një familje e pasur dhe Ikbalja ishte e arsimuar dhe e kulturuar. Edhe Hasani dhe Ikbalja flisnin 9 gjuhë të huaja. Bashkë janë njohur në Prishtinë, Selanik dhe Stamboll ku kanë patur shtëpitë e tyre. Ata nuk patën fëmijë. Ikbalja vdiq në Nisë të Francës nga një incident që sot duket habi. Ajo preu gishtin duke gatuar një gjel, por plaga iu infektua dhe në atë kohë nuk kishte mundur të kishte ilaçin e duhur antibiotik kundër infeskionit dhe vdiq. Vdekjen e saj Hasani e ka përjetuar shumë keq dhe e ka lënë një letër dërguar familjes së Fridrich Urba.

Hasan Prishtina ka patur një vëlla por sipas dokumentacioneve rezulton që ka pasur edhe tre motra.  Ka një tendencë kohët e fundit që disa personazhe duan të futen dhe bëhen pjesë e familjes së Hasan Prishtinës. Hasani kishte 3 mbiemra Prishtina, Berisha dhe Polaci. Në vitin 1908 pas mexhlisit osman ai mori mbiemrin Prishtina. Më parë kishte mbiemrin Berisha dhe më parë akoma Hasan Polaci me emrin e lagjes së familjes në Vuçiternë. Unë e konfirmoj atë që në emisionin tuaj e ka thënë Sali Berisha që ai, Ahtifete Jahjaga dhe Hasan Prishtina kanë qenë me prejardhje jo vetëm nga një zonë por që të tre janë Berishë. Ata kanë qenë nën trungun familjar të mbiemrit dhe fisit Berisha. Kjo është thënë shpesh në familjen tonë. Madje nga kjo zonë ka qenë me orgjinë edhe Ramiz Alia, por ai nuk ka qenë Berishë.

Në këtë që ka thënë Sali Berisha është shumë e vërtetë. Zona është Mërturi dhe Hasani, Saliu dhe Ahtieftja rrjedhin nga ky trung. Ata janë Berishë. Hasani birësoi një vajzë me ermin Sadaka dhe një djalë. Rexhep Dervina  është djali i Musli Dervinës . Musli Dervina ka qenë i birësuar si në rastin e Sadakasë e cila ka 5 pasardhës , dy djem dhe tre vajza . Jetojnë të gjthë në Tiranë , kam lidhje miqësore me ta nga familja Kastrati. Në 2014 kur presidenti Nishani dekoroi figurën e Hasan Prishtinës anë qenë të ftuar. Rexep Dervina jeton në Kanada dhe ka qenë djali i Musli Dervinës,  djalit që Hasani ka birësuar. Rexhepi me familjen e tij  kanë trashëguar pasurinë e Hasan Prishtinës.  Kam komunikim me të gjithë.

Për pasurinë e Hasan Prishtinës

Është shumë e vështirë të vlerësohet pasuria e Hasan Prishtinës. Unë po e  them për herë të parë këtu që i gjithë shtrati i lumit të Ujmanit, të Gazividoës, pra e gjithë hapësira e shtratit të lumit ishte pasuri dhe pronë e Hasan Prishtinës. Janë më mijëra hektarë sipërfaqe që rezultojnë me dokumente sipas studiueseve që ishin pronë e tij. Është pikërisht kjo zonë për të cilën tashmë ka një debat mes Serbinë dhe për mua pa këtë pasuri Kosova nuk ka jetë. Gjithashtu Hasani kishte shtëpi në Kosovë, në Stamboll, në Tiranë dhe Selanik. Në Selanik është një vilë e madhe në të cilën unë kam shkuar dhe e kam vizituar dhe habia është se gjatë gjithë kësaj vizite kam qenë i mbikëqyrur nga policia. Vilën e ka shtetëzuar shteti grek dhe e ka bërë institut të të verbërve. Janë disa hektarë oborr dhe pjesa e prapme ka pamje dhe është në bregdet. Por Hasani e shkroi pasurinë e vet të madhe për Shqipërinë, shtetin shqiptar që sipas tij ishte një shtete me të gjitha trojet. Pasurinë e shkroi dhe për arsimimin dhe dijen e shqiptarëve. Për të vënë në shërbim të kryengritjes për çlirimin e Shqipërisë nga osmanët, serbët, grekët ai shiti shumë nga pasuria e tij dhe e përdori në shërbim të kryengritjes. Ndërkohë, Hasani ndau një buxhet të caktuar nga të ardhurat dhe pasuria e vet dhe financoi shkollimin e shumë djemve nga Kosova për të studiuar në shkollën Normalen të  Elbasanit. Një profesor i kësaj shkolle u thoshte që ju djemtë e Kosovë duhet të mësoni tre fish për shkak se ua mundëson arsimin Hasan Prishtina. Lidhur me trashëgiminë e pronave të tij, po e thyem publikisht se unë si pasardhës gjaku i Hasan Prishtinës, nuk më takon dhe as nuk synoj të marr pasuritë e trashëguara prej tij. Ato nëse merren, i takojnë vetëm vajzës dhe djalit të birësuar të Hasanit. Edhe vilën në Selanik ata duhet ta marrin. Nuk ka të drejtë asnjë nga familja jonë e trungut të Hasan Prishtinës të kërkojë dhe të marrë pronat e tij.

Përse Hasan Prishtina nuk ishte në Vlorë më 28 nëntor 1912

Si kryevepër të tij Hasan Prishtina ka projektin e tij për bashkimin e të gjitha trojeve shqiptare në një shtet të vetëm. Këtë ai e proklamoi duke hartuar 14 pika që për mua edhe sot kanë vlerë. Në janar 1912 ai mbajti një fjalim në parlamentin osman sipas të cilit në rast se nuk pëfilleshin kërkesat e tij tha: unë do ngre dhe organizoj kryengritje në malet e Kosovës. Sulltani u përlot nga fjalimi, jo nga emocioni për fjalët e Hasanit por për shkak se me këtë fjalim ai kupti se Perandoria Omsane po merrte fund. Pikërisht për këtë fjalim Hasani u akuza për grusht shteti dhë u kërkua dënimi i tij me vdekje. Pas fjalimit Hasani u mbështetet fort nga deputetët e tjerë shqiptarë në parlamentin osman mes të cilëve edhe Ismail Qemal Vlora. Duhet theksuar se pas fjalës së tij në parlament, u ngrit një deputet turkoarab i cili debatoi ashpër me Isamail Qemalin dhe sipas dokumenteve e ka sulmuar Ismail Beun edhe fizikisht. Në këtë moment ka ndërhyrë Hasan Prishtina për të mbrojtur nderin dhe dinjitetin e Ismail Qemalit. Hasani i kërkoi deputetit turkoarab dyluftim, një duel me armë. Por Ismail Qemali nuk e lejoi të bënte këtë duel duke i thënë; Hasan, biri im, ti na duhesh për punë madhore, jo për këto. Këtë e rregullojmë ndryshe. Hasan Prishtina fatkeqësisht nuk ishte në Vlorë më 28 nëntor sepse u arrestua nga forcat e ushtrisë serbo malazeze dhe u burgos në Beograd. Përpara kësaj Hasani ishte në krye të kryengritjes që solli çlirimin e Shkupit më 12 gusht 1912. Sipas konsullit anglez  shqiptaret shëtitën në Shkup me armë në krah si anglezët në Londër. Ata u futën si fitimtar por pikërisht pas kësaj ndodhi arrestimi I tij. Pas gjashtë muajsh ai u lirua dhe u vu në shërbim të Ismail Qemalit. Duhet thënë se në 1919 ai I dërgoi letër presidentit të SHBA Ëoodroë Ëilson duke i renditur 14 pikat që ishin doktrinë e vetëvendosjes, asaj që edhe presidenti kishte si parim. Ishte kjo doktrine që udhëhoqi Ëilson pikërisht mbi bazën e kësaj doktrine. Hasani nuk e ka pirë asnjë kafe me serbët. Domethënë me shtetin dhe me kombin ai nuk ka bërë kompromis

mehmet-prishtina

Për marrëdhëniet me Ahmet Zogun vrasjen e Hasan Prishtinës

Unë e quaj fatkeqësi që Hasan Prishtian dhe Ahmet Zogu nuk kanë shkuar mirë. Nëse ata të dy do kishin shkruar mirë në interes të përgjithshëm nuk do kishim ato zhvilime. E keqja ka qenë dhe është brenda neve. Ata kishin rivalitet politik që kaloi në planin personal. Gjatë qeverisjes si kryeministër i 8-të i Shqipërisë dhe ëktu gjer rastin tju falenderoj juve zoti Qafoku për botimin e librit me 33 kryeministrat, Hasan Prishtina ka marrë vendime. Një prej tyre ishte ajo që ju zoti Qafoku keni zbuluar në arkiv shkarkimin e Ahmet Zogut si komandant I ushtrisë për veriun. Pra Hasani është i pari dhe i vetmi që ka shkarkuar Ahmet Zogun nga një detyrë ose psot. Ahmet beu nuk mund ta kalonte lehtë këtë. Dokumenti tjetër që ju paraqitët këtu e sqaron këtë më së miri. Pas 5 ditësh largimi nga detyra e kryeministrit Ahmet Zogu si ministër i Brendshëm nxori urdhrin e parë sipas të cilit të gjitha vendimet e Hasan Prishtinës si kryeministër nuk njiheshin. Pas largimit të Hasanit si kryeministër Zogu urdhëroi rrethimin e shtëpisë së tij në Tiranë për ta arrestuar. Në shtëpi këtu në Tiranë ishte Hasanid he bashkëshortja Ikbalja. Ajo doli e para në dritare dhe u tha xhandarëve mos u afroni se do vriten dhe se nuk dorëzoheshin. Vetë ajo ka luftuar si burrë kundër xhandarëve. Në këto moment a e dini se ç’bënte Hasan Prishtina? Ikbalja luftonte dhe ai shkruante testamentin. Kam mundur ta lexojë dhe ta kem këtë tenstament dhe aty shkruante që gjithë pasurinë e vet ia linte shkollave shqipe. Unë e disponoj dhe do ta bëj publik shumë shpejt në një libër. Vrasja e Hasanit ishte e pabesë. Ibrahim Çelo e vrau dhe sipas të dhënave dhe studiueseve ishte  pjesë e një komploti dhe po sipas studiuesëve ishte i përdorur nga Ahmet Zogu. Unë nuk jam marrë dhe nuk dua të merrem me këtë çështje në aspektin personal. Por jemi duke hulumtuar se çfarë u bë me Ibrahim Çelon. Pasi u dënua me burguim të përjetshëm ai bëri vetëm 7 vjet burg dhe u lirua nga Greqia u pushtua nga gjermanët. Më pas ai zhduket. Ne jemi duke e hulumtuar thjesht vetëm për të ditur se çfarë ishte ky njeri që vrau Hasanin. Përsa i përket Ahmet Zogut këtë çështje unë e kam sqaruar. Kam takuar princin Leka në vitin 2012. Madje më kanë pyetur nëse ia kisha falur gjakun. Unë nuk merrem me Kanunin si një çështje e vjetër. Unë jetoj në vitet 2000 dhe shiko përpara. Për mua takimi im me Lekën dhe shkuarja ime në pritje ishte e rëndësishme. Ajo mori një rëndësi edhe më të madhe kur Leka erdhi në përurimin e shtatores së Hasan Prishtinë në Shkup. Këtu unë e quaj të mbyllur këtë histori.

Për varrin e Hasan Prishtinës.

Në 1977 eshtrat e  Hasanit u sollën në Sheperi dhe u varrosen në Kukës. Unë e vlerësoj vendimin e Enver Hoxha dhe sistemi i Partisë Komuniste  i solli eshtrat e Hasan Prishtinës në Shqipëri. Sot në vend të varrezave në Greqi,  ka ndërtesa. Në homazh kanë marrë pjesë 25 mijë veta.  E varrosën në Kukë, në kufi me Kosvën që të jetë simbol i rezistencës .  Një pjesë e madhe e familjes kanë qenë të ftuar në atë ceremoni.  Ideja ka qenë të qëndrojë aty si simbol i unitetit , bashkimit  dhe rezistencës  që ti mbrojëshqiptarët e asaj ane por në 2014 pas realizimit të 3 shtatoreve  në Prishtinë, Shkup dhe Tiranë  i kam bërë një kërkesë zyrtare presidentit Nishani , kryeministrit Edi Rama , kryetarit të Kuvendit Ilir Meta  që Hasan Prishtina të rivarroset në Tiranë  por fatkeqësisht as Shqipëria nuk ka varreza të Panteonëve  . Dëgjova se është bërë një marrëveshje metakimin e dy qeverive që të ngrihen varrezat e panteonëve në Vlorë por nuk e kuptoj, do i zhvarrosin të gjitha këto figura siç është niveli i Frashërllinjve , Faik Konicës, do shkojnë andej?  Sepse unë mendoj që Hasan Prishtina e ka vendin pranë Faik Konicës. Nëse këto varre rrinë aty ku janë , Hasan Prishtina e ka vendin te ky lloj mini Panteoni. Shqipëria dhe shqiptarët ja kanë borxh Hasan Prishtinës riatdhesimin e tij pranë  atyre që dhanë maksimumin në jetën e vet për Shqipërinë.

Ismail Qemali, regjimit turk: “Të zyrtarizohet gjuha shqipe, taksat e shqiptarëve të shërbejnë për Shqipërinë si dhe të krijohet një sistem gjyqësor i paanshëm”

“Le Matin” ka botuar, të hënën e 7 majit 1900, në faqen n°3, një shkrim në lidhje me kërkesat e Ismail Qemalit ndaj regjimit turk, të cilin, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :

Qemal Beu

Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France
Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France

Urimet e Mahmud pashës – Reformat në Turqi.

Athinë, 6 maj.

Mahmud pasha i telegrafoi nga Gjeneva Qemal beut, për ta uruar atë për largimin e tij nga Konstandinopoja.

Qemal beu është në favor të reformave serioze në Shqipëri, duke thënë se ndryshe situata në atë zonë mund të çojë në komplikime serioze.

Shkurtimisht, ai bën thirrje për njohjen e gjuhës shqipe si gjuhë zyrtare, përdorimin e taksave të paguara nga populli shqiptar për Shqipërinë dhe krijimin e një sistemi gjyqësor të paanshëm.

Si rezultat i shkresave të shpeshta që ai mori nga Yildiz-Kiosk, ministri turk ka pasur shkëmbime të shumta me Qemal beun; ai përpiqet ta bindë këtë të fundit që të kthehet në Turqi, por Qemali refuzon kategorikisht këto këshilla.

Duka i Montpenser-it në ditarin e tij shkruan për Ismail Qemalin

N Francë – 14 Korrik 2019

“Excelsior” ka botuar, të shtunën e 12 prillit 1913, në faqen n°2, një shkrim në lidhje me rrëfimin e Dukës së Montpensier-it mbi udhëtimin e tij në Shqipëri, të cilin, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :

Drejt Shqipërisë

Shënimet e Dukës Montpensier

Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France
Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France

[Ne kemi fatin e mirë të jemi në gjendje t’u sjellim lexuesve disa fragmente të shënimeve të marra nga Shkëlqesia e Tij Duka i Montpensier-it gjatë udhëtimit të tij të fundit në Shqipëri : ]

28 mars.

Pasi u larguam nga Korfuzi në orën 11 të mëngjesit, mbërritëm në orën 5 të mbrëmjes, ku në pamje shihej kepi i Linguetta-s, të cilin e parakalojmë, dhe ja ku gjendemi përpara gjirit të Vlorës. Çfarë do të gjejmë pas këtyre maleve që ende fshehin qëllimin e udhëtimit tonë ? Mekongu (anija e dukës) ngadalësoi pak dhe hyri në kalim. Së shpejti, gjiri duket i tëri : është bosh. Pra, ndërkohë që ndalemi para një pike të bregdetit të quajtur Pasha-Liman, “motoskafi” ynë niset drejt Vlorës, duke shpjerë në breg mjekun dhe komandantin e Mekongut, të cilët, sipas rregullit, do të hyjnë në kontakt me autoritetet detare dhe sanitare. Dy shqiptarë, Gogiaman dhe Caccarigi, i shoqërojnë ata. Në duart e kujt do ta gjejnë qytetin ? Ende nuk e dimë.

Një orë më vonë, anija kthehet, duke sjellë disa shqiptarë të shquar, ndër të cilët Qazim Qemalin dhe Et’hem Qemalin, i biri i kreut të qeverisë së përkohshme, dhe Eqrem Vlorën (Eqrem Bej Vlora), nipin e vezirit të madh turk Ferid Pashës. Me ta erdhën gjithashtu drejtori i Bankës Austriake, një gazetar gjerman, z. Muller, i Neue Freie Press dhe mjeku ndërkombëtar, i cili është ende në detyrë edhe pse nuk paguhet (furnizohet) që prej një kohë të gjatë. Në të vërtetë, të gjithë janë shkëputur që prej pesë muajsh nga komunikimet me pjesën tjetër të botës. Flota greke erdhi shpesh pranë gjirit; madje, ajo gjuajti dy herë me top në qytet, por kurrë nuk u përpoq të zbarkonte, thjesht u mjaftua me vrojtimin e hyrjes në port.

Falë disa gazetave të vjetra të dhuruara peshkatarëve të bregut nga oficerët e anijeve greke, popullata ka një nocion shumë të vogël në lidhje me ngjarjet e jashtme.

Vizitorët tanë na sigurojnë se siguria është e përsosur në tokë. Të gjithë i binden Qeverisë së Përkohshme dhe udhëheqësit të saj, Ismail Qemalit. Qeveria e re ka organizuar një milici shqiptare që mban rendin; Ajo mbledh rregullisht taksat dhe, në veçanti, ka monopolin e shitjes së kripës. Por ushqimet janë të pakëta : sheqeri është me vlerë deri në 20 franga një kilogram; vetëm buka është ruajtur me çmim të arsyeshëm. Të gjitha mallrat e tjera arrijnë çmime fantastike (të larta); nafta kushton 50 franga bidoni. Pavarësisht vështirësive, gjendja sanitare e popullsisë është e shkëlqyeshme.

Vizitorët tanë, ende të surprizuar nga ardhja e Mekongut në portin e tyre, i braktisur prej një kohë të gjatë, na pyesin pa ndërprerje për ngjarjet e luftës. Ndërsa nata ka rënë, ne i shoqërojmë ata për në Vlorë nëpërmjet Gogiamani-t dhe Ciccarigi-t, dy shoqëruesit tanë shqiptarë, të cilët, të gëzuar se u kthyen në atdheun e tyre, do të qëndrojnë këtë natë në tokë.

29 mars.

Në mëngjes, dy shqiptarët tanë kthehen për të na njoftuar vizitën e Ismail Qemalit, i cili hyn në bord rreth mesditës dhe drekon me ne. Ai është i shoqëruar nga ministrat e tij. Të gjithë dëshmojnë se organizimi i vendit është tashmë i fuqishëm dhe se shqiptarët janë plotësisht të vetëdijshëm për veten e tyre. Ata synojnë të zgjedhin vetë sovranin e tyre sapo të vihen kufijtë e territorit të tyre. Kështu, Ismail Qemali, i cili dëshiron të shkojë dhe të ballafaqohet me fuqitë në lidhje me kufijtë, na kërkon ta marrim me vete në Itali …

Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France
Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France

Gjatë kësaj vizite, në krye të shtyllës së Mekongut valvitet flamuri shqiptar, i cili që prej pesë shekujsh, që nga koha e Dukës Jean (Gjon) të Normandisë, kurrë nuk ka lundruar në ujë.

Në orën 4, zbresim në tokë, buzë një bregu të vogël, i cili ende mban gjurmët e njërës prej dy predhave të gjuajtura nga grekët në qytet. Në dalje, na presin dy karroca ! Unë nisem në të parën me princ Gjikën dhe Gogiaman-in; suita ime ndodhet në të dytën, ndërkohë që një grup i madh milicësh shqiptarë gjendet i armatosur. Ata janë rreth tetëqind, të armatosur në mënyrë të përkryer, të veshur me uniforma turke, ku qafat e tyre janë transformuar në ngjyrat shqiptare, dhe mbajnë mbi kokë qeleshet e Malsorëve. Turma, e përhapur gjatë rrugës sonë, ka mbushur rrugicat dhe madje mbulon edhe çatitë : ajo na mirëpret dhe brohorit : “Rnoft Scpupnia!” (Rroftë Shqipëria!)

Arrijmë te Ismail Qemali, i cili jeton në shtëpinë e Xhemil Vlorës,  e transformuar në pallat qeveritar.

Të gjithë ministrat gjenden aty, të rrethuar nga shefat dhe senatorët që kanë ardhur në Vlorë nga të gjitha anët e Shqipërisë; Janë të pranishëm edhe imzot Cacciori (Kacorri), nunci apostolik i Durrësit, nënkryetar i Qeverisë së Përkohshme dhe Isa Boletini, udhëheqës i famshëm ushtarak shqiptar, para të cilit turqit u drodhën për pesë vjet, i cili tani komandon milicinë shqiptare.

Ne biseduam gjatë me ta…

Ne vizituam qytetin mbi kuaj, të shoqëruar nga dy djemtë e Ismail Qemalit.

Vlora, e cila dikur kishte 7.000 banorë, tani ka 35.000, falë fshatarëve të shumtë që u larguan nga fshatrat dhe shefat e tyre, delegatë ose luftëtarë që kanë zbritur nga malet. Shumë nga këta njerëz jetojnë në mjerim dhe vuajtje tepër të thellë, pavarësisht ndihmës së popullatës vendase;por të gjithë, pa dallim feje, luftojnë kundër mohimeve në emër të idesë shqiptare.

Në mbrëmje, ne kthehemi në Mekong, ku një i dërguar i Ismail Pashës vjen për të na paralajmëruar se Ismail Pashai është gati për tu nisur të nesërmen. Po këtë mbrëmje, konsullët e Austrisë dhe të Italisë vijnë dhe më takojnë në anije.

30 mars.

Imzot Cacciori (Kacorri) dhe prifti katolik i Vlorës kalojnë mëngjesin me ne dhe vizitojnë Mekongun. Të dy, si dhe të gjithë të njohurit dhe anëtarët e Qeverisë së Përkohshme, flasin një frengjishte të përsosur …

Ne pritëm për pesë orë anëtarët e qeverisë që do të merrnim për në Itali. Nata filloi të bjerë. Askush nuk po vinte. Ne ishim mjaft të shqetësuar, sepse ishte urgjente që të largoheshim nga gjiri i Vlorës. Më në fund, në orën dhjetë, një barkë solli Ismail Qemalin dhe dy djemtë e tij, Gurakuqin, ministrin e Arsimit, Isa Boletinin dhe dy djemtë e tij, senatorin Berati (Dhimitër Beratin), dhe një tregtar të njohur të zonës.

Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France
Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France

Majtas : 1.Shkëlqesia e tij Duka i Montpensier-it – 2.Isa Boletini – 3.Ismail Qemali (shef i qeverisë së përkohshme shqiptare. – 4.Ethem Qemali (Djali i Ismail Qemalit) – 5.Qazim Qemali (Djali i Ismail Qemalit) – 6.Luigj Gurakuqi, ministër i arsimit – 7.Një nga djemtë e Isa Boletinit. – 8.Dhimitër Berati, senator. – 9.Gogiaman-i (Shoqëruesi shqiptar i Dukës). – 10.Një tjetër djalë i Isa Boletinit. Djathtas : Qeveria e përkohshme shqiptare në anijen që po e dërgon në bordin e Mekongut. Kryqi tregon se është Ismail Qemali.

Gjatë një nate të errët, ne u larguam nga gjiri dhe kaluam para ishullit të Sazanit, në të cilin ende gjenden disa ushtarë grekë.

31 mars.

Në orën tetë të mëngjesit, pas një lundrimi të qetë, ne ankoruam në portin e Brindisit. E deklaruam Vlorën si portin e fundit të qëndrimit. Shërbimi shëndetësor konsultoi regjistrat e tij dhe na tregoi se Vlora ishte shpallur e rrezikshme. Që prej gjashtë muajsh, duke mos patur një mendim tjetër rreth kësaj gjendje, ne pritëm në anije një mjek dhe disa infermierë, të cilët nxitojnë me mirësi të na dorëzonin çertifikatat e nevojshme për zbarkimin e mysafirëve tanë …

1 prill.

Ne prekim sërish ujërat e Korfuzit, ku takojmë dy anijet luftarake angleze të dërguara në Tivar, Edward VII dhe Dartmouth-in. Në orën shtatë të mbrëmjes, kthehemi në gjirin e Vlorës. Ne drejtojmë dritën e prozhektorit tonë elektrik në kalim: dy anije siluruese gjenden përpara bregut.

Duka i Montpensier-it

Evropa është e pandjeshme ndaj shkeljes së të drejtave të shqiptarëve

“Excelsior” ka botuar të shtunën e 26 prillit 1913, në faqen gjashtë, intervistën e Ismail Qemalit, zhvilluar në Champs-Elysées (Paris), pak kohë para se të nisej për në Konferencën e Londrës me qëllim mbrojtjen e interesave tona kombëtare. Intervistën mund ta lexoni si më poshtë:

Në dekorin modern dhe luksoz të një pallati të Champs-Elysées, Ismail Qemal Beu ngjason me një nga mjekët tanë të zonave rurale, me një fytyrë energjike, e rrethuar nga një mjekër e bardhë.

Kreu i qeverisë së përkohshme shqiptare, i cili u ndal disa ditë në Paris, para se të shkojë në Konferencën e Londrës, ende është nën ndikimin e emocioneve të shkaktuara nga lajmi i rënies së Shkodrës:

“Vërej me hidhërim, na thotë ai, se admirimi evropian shkon për malazezët, të cilët morën kryeqytetin tonë.

Dhe akoma më shumë, na fajësojnë për kërkesat tona! Unë e di se, në çdo kohë, mendimi i masave ka qenë në favor të fituesve, por ndjenja e së drejtës sonë duhet të mbizotërojë në mesin e diplomatëve.

Duhet të keni parasysh se na janë dashur vite për të shkundur zgjedhën turke, të cilës ne i kemi shkaktuar dhe shpejtuar humbjen e saj, për tu gjetur sot përballë çlirimtarëve më të zellshëm (etur) sesa shtypësit tanë të vjetër!

Në emër të lirisë së racave, malazezët hynë në luftë; A duan ata të na grabisin sot kryeqytetin tonë në emër të të njëjtit parim?

Megjithatë, Evropa qëndron e pandjeshme ndaj shkeljes së drejtave tona: ajo duket se na konsideron si disa fise sudaneze, të paaftë për tu qeverisur.

Gjithsesi, ne kemi dhënë prova të shkëlqyera për energjinë e racës sonë. Për shekuj me radhë, turqit kanë rekrutuar midis nesh zyrtarët më të mirë dhe ushtarët e tyre më të guximshëm.

Sot, të vetëm, të rrethuar nga ushtritë aleate, ne kemi ruajtur rendin, mbledhur taksat, formuar një milici, shkurtimisht, kemi siguruar jetën tonë të brendshme me burimet tona.

Ajo që na duhet tani është pavarësia e të gjithë territorit dhe kryeqytetit tonë, në mënyrë që, pa ardhur për të lypur në Evropë, të bëjmë Shqipërinë një shtet modern.

Natyrisht, ne do t’u kërkojmë vendeve fqinje këshilltarë dhe specialistë; ne do të jemi mirënjohës ndaj tyre për të na udhëzuar në fillimet tona, por ne duam të jemi vetëvetja, dhe nuk do të lejojmë që të ruhemi nga ndonjë fuqi.

Më akuzojnë se bëj lojën e njërës prej këtyre fuqive, por nuk është e ndaluar, mendoj, të tregoj ndonjë simpati për ata që na ndihmojnë, edhe nëse është për hir të interesit.” /darsiani//KultPlus.com

Ismail Qemali për gazetarin francez: Raportet e Shqipërisë dhe Greqisë duhet të jenë të shkëlqyeshme

Nga Aurenc Bebja

Excelsior” ka botuar, të premten e 6 shkurtit 1914, në faqen n°7, intervistën e Ismail Qemalit me gazetarin francez të Excelsior, në Nice të Francës, rreth marrëdhënieve Greqi – Shqipëri, të cilën, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :

Cilat do të jenë raportet e Shqipërisë dhe Greqisë? Ismail Qemali na tregon se ata mund dhe duhet të jenë të shkëlqyeshëm.

Nice, 5 shkurt (Shkresë e veçantë e Excelsiorit). — Sapo mbërriti në Birindisi, Ismail Qemali, i cili kishte dorëzuar vullnetarisht, thotë ai, drejtimin e qeverisë së përkohshme të Shqipërisë, u bë pre e intervistave. Por një çështje kryesore kishte mbetur ende në hije. Cilat do të jenë marrëdhëniet e shtetit të ardhshëm me Greqinë, dhe tensioni i tanishëm a do të ketë pasoja të mëtejshme ?

Kjo është pyetja që i bëra Ismail Qemalit. Bashkëbiseduesi im ishte shumë afirmativ. Ai beson se këto raporte, jo vetëm mund, por edhe duhet të jenë të shkëlqyera. E gjitha kjo, thotë ai, është në interes po aq të Greqisë sa dhe të Shqipërisë.

Ish-kreu i qeverisë shqiptare është kategorik : sipas mendimit të tij, nuk ka shkaqe serioze pakënaqësie. Sigurisht, ka pasur disa përplasje interesi, dhe kjo ndodh për shkak se ka gjithmonë, në të gjitha kufijtë, depërtim të një race në tjetrën. Por, në fund të fundit, ky depërtim bëhet më pak shqetësues kur të dyja racat kanë afinitete të mëdha midis tyre.

I kujtoj bashkëbiseduesit tim se gjatë lëvizjeve të ndryshme që ndodhën në territoret kontestuese, helenizuesit i drejtoheshin konsullatës franceze, ndërsa shqiptarët përfaqësuesve italianë dhe austro-hungarezë, dhe i kërkova rezultatin përfundimtar të këtyre manovrave. Por ai është tepër i zgjuar për t’u përgjigjur në mënyrë kategorike një pyetjeje të tillë:

“Sigurisht, Shqipëria ka qenë mirënjohëse ndaj fuqive që e kanë mbështetur atë, por nuk ka ndërmend të mbajë anën e dikujt. Ajo shpreson të marrë mbështetjen e Francës, interesi i të cilës, për më tepër, i korrespondon interesit të saj, sepse vetëm një situatë e qetë do ta lejojë vendin tim të zhvillohet. Por nuk mund të ketë pazare jashtë kursimit francez.”

Me këto fjalë u ndava me Ismail Qemalin; ai dëshiroi të më kujtonte mbresat e mira që i kishte lënë vizita e bashkëpunëtorit tonë Andre Jager-Schmidt në Vlorë.

Charles de Saint-Cyr

https://www.darsiani.com/la-gazette/ismail-qemali-gazetarit-francez-te-excelsior-1914-raportet-me-greqine-jo-vetem-mund-por-edhe-duhet-te-jene-te-shkelqyera/.

Shqiptarët vizitojnë Hotel Brufani, aty ku 100 vite më parë ndërroi jetë Ismail Qemali

Nga Flutura Açka

Mbrëmë, bujtëse jo aq rastësisht në qytetin e Perugias, nuk e kisha atë ndjesinë e thjeshtë të turistes, siç më ndodh përherë. Ishte mbrëmja e 26 janarit, dhe këmbët më çuan në Hotel Brufani, aty ku 100 vjet më parë, në kushte ende të paqarta, ndërroi jetë Ismail bej Vlora, një prej themeluesve të pavarësisë së Shqipërisë, babai i shtetit shqiptar. Me miqtë e mi, me të cilët vendosëm të vizitonim hotelin në nderim të Ismail Qemalit, kërkuam për një tufë lule në qendrën e vjetër të qytetit, dhe pasi nuk gjetëm, mblodhëm një tufë degësh të blerta, me shpresën që do të mund t’i vinim në dhomën e tij, e cila për fat a për arsye që vetëm rastësi të shenjta e shpjegojnë, ishte e lirë. Tek flisnim në holl me mbikëqyrësit për vizituar dhomën 212, na afrohet njëri prej tyre me fytyrë të qeshur dhe na shoqëron me çelësin në dorë.

Tek hap dhomën na thotë se është shqiptar që jeton prej 18 vitesh në Perugia dhe se ka vetëm tri ditë që ka filluar punë në Hotel Brufani. Rolandi, siç thotë, nuk e ka dëgjuar kurrë historinë që i tregoj dhe kjo më trishton shumë. Sa pak u kemi mësuar brezave nga historia jonë. Sa pak jemi kujdesur ta ruajmë. Kur zbresim në holl që të falënderojmë mbikëqyrësit bujarë, një grup shqiptarësh na tërheqin vëmendjen. Ata janë stërnipërit e stërmbesat e familjes Vlora që kanë ardhur të nderojnë stërgjyshin e tyre. Ne presim të mbarojnë vizitën e tyre që të pimë një kafe bashkë. Duke ditur “sherret” shqiptare mbi datat e njerëzve të rëndësishëm të historisë së Shqipërisë, kisha menduar se përkujtimet ishin bërë në datën 24, por familjarët këmbëngulën që data e vdekjes së Ismail bej Vlorës është 26 janari. Ata e dëshmojnë këtë me dokumente. Dhe kanë vetëm një kërkesë të thjeshtë: historianët të thonë fjalën e tyre të bazuar në dokumente dhe figura e Ismail Qemalit të ketë respektin e merituar.

Ne flasim gjatë dhe njeri prej miqve, i ardhur enkas nga Vlora, lexon një poezi të Ali Asllanit për Ismail bej Vlorën. Në fund shkruajmë emrat tanë në një copë letër që mban datën 26 janar 2019. Jashtë qelqeve po binte muzgu që do të sillte natën plot drita të Peugias, atë natë që 100 vite më parë kishte sjellë vetminë e njërit prej burrave më të rëndësishëm të shtetit shqiptar. /KultPlus.com

100 vjet nga vdekja e Ismail Qemalit


Sot janë bërë 100 vjet që kur ka vdekur kryeministri i parë shqiptar, Ismail Qemali, njeriu që më 1912 shpalli pavarësinë e Shqipërisë në qytetin e Vlorës.

Ai vdiq në rrethana misterioze më 24 janar në Peruxhia të Italisë, ku edhe është varrosur. Nuk ka të dhëna të sakta por mendohet se Qemali është helmuar.

Më 28 Nëntor të vitit 1912, Shqipëria shpalli Pavarësinë dhe Ismail Qemali ishte kryeministër i parë i Shqipërisë. Në shpalljen pavarësisë morën pjesë 83 delegatë nga të gjitha trevat shqiptare. Menjëherë pas shpalljes së pavarësisë, Asambleja e Vlorës formoi Qeverinë e parë të Shqipërisë së Pavarur të drejtuar nga Ismail Qemali .

Njohja ndërkombëtare e pavarësisë, si dhe përcaktimi i kufijve të Shqipërisë u bë pas një viti në Konferencën e Ambasadorëve në Londër, vendim i së cilës qe shpallja e Principatës shqiptare sovrane nga Perandoria Osmane nën mbikëqyrjen e Komisionit Ndërkombëtar të Kontrollit dhe lënia e gjysmës së territoreve të shtetit të porsaformuar jashtë kufijve të tij administrativë. /KultPlus.com

100-vjetori i vdekjes, ekspozitë për rrugëtimin e Ismail Qemalit ndër vite

Në përkujtim të 100-vjetorit të vdekjes së Ismail Qemalit, Muzeu Historik Kombëtar organizon tryezën e rrumbullakët dhe çel të hënën e ardhshme ekspozitën me titull “Rrugëtim – Ismail Qemali ndër vite”.

Tryeza e Rrumbullakët Shkencore do të fokusohet në rolin dhe veprimtarinë e Ismail Qemal Vlorës në çështjen shqiptare. Ligjëruesit në Tryezën Shkencore janë prof. dr. Valentina Duka, prof. dr. Kaliopi Naska, prof. dr. Nevila Nika, prof. dr. Frederik Stamati, dr. Ariola Prifti, dr. Paulin Marku dhe dr. Ardit Bido.

Ekspozita është realizuar për të kujtuar Ismail Qemalin dhe kontributin e tij të paçmuar për kombin shqiptar. Ismail Qemali ka lindur në Vlorë, më 24 janar 1844, në qytetin, ku 68 vjet më vonë do të shpallte pavarësinë e Shqipërisë.

Ekspozita është konceptuar si një rrugëtim i jetës së Ismail Qemalit. Ajo hapet me fotografinë e tij në moshën 27-vjeçare, në një nga shumë funksionet që ai ushtroi në Perandorinë Osmane, si President i Komisionit Europian të Danubit.

Udhëtimi i Ismail Qemalit me bashkëpunëtorët e tij në Shqipëri, nga Trieste për në Durrës, përshkruhet në fotografitë dhe shkrimet e gazetave “Le Figaro” dhe “La Presse”.

Ekspozita prezanton për publikun objekte vetjake të Ismail Qemalit, si flamurin e tavolinës dhe gotën e ujit. Gjithashtu, ekspozita përmban objekte nga fondi i Muzeut Historik Kombëtar, pena me të cilën u firmos Akti i Pavarësisë së Shqipërisë, aparati telegrafik i përdoruar nga Qeveria e Vlorës, një flamur të vitit 1913, gazeta të vitit 1912, si edhe libra dedikuar Ismail Qemalit./ atsh