Në Tiranë nisin aktivitetet për shënimin e Vitit të Ismail Qemalit

Edhe pse pa mbështetje financiare nga shteti, Instituti i Albanologjisë në 100 vjetorin e vdekjes së Ismail Qemalit ka organizuar një seri aktivitetesh. Me këtë rast studiuesit kanë mbledhur një fond prej 1 milion dokumentesh që flasin për rolin e Ismail Qemalit si shtetformues.

Në 100-vjetorin e vdekjes së themeluesit të shtetit shqiptar, Ismail Qemali, Instituti i Studimeve Albanologjike ka organizuar një seri aktivitetesh edhe pa financim nga buxheti i shtetit, transmeton oranews.

Viti jubile i vdekjes së Ismail Qemalit e gjen Institutin pa financim nga shteti dhe me vetëm 17 studiues, të cilët trajtohen me paga modeste.

Drejtori i Institutit, Marenglen Verli, thotë se institucioni që ai drejton ka një axhendë aktivitetesh që do të zhvillohet në 24-26 janar dhe disa botime dokumentarë që janë fryt i punës së studiuesve.

Marenglen Verli: Në mënyrë të posaçme i është kushtuar vëmendje ndër të tjera edhe Ismail Qemalit i cili ka 100 vjetorin e ndarjes nga jeta, në vitin 1919. Në bashkëpunim me Akademinë e Shkencave të Shqipërisë, Akademia e Studimeve Albanologjike ka kordinuar punët edhe me bashkinë e Vlorës për të bërë këto ditë, me 24 ose 26 janar, një konferencë në Vlorë. Sikundër Skëndërbeu, edhe Ismail Qemali si një figurë brilante ka marrë vëmendjen e posaçme të studiuesve. Por edhe në të gjitha periudhat pas 1912 në një mënyrë apo një tjetër ai ka qenë në vëmendje të pushtetit.

Ndonëse me financim të kufizuar, studiuesit kanë arritur të sigurojnë 1 milion dokumente të rëndësishme historike ku spikat figura e Ismail Qemalit si burrë shteti dhe aftësia e tij shtetformuese dëshmuar nga historianë e diplomatë të huaj. /KultPlus.com

Çfarë ka ndodhur më 29 Nëntor 1912

Më 29 nëntor 1912, Ismail Qemal bej Vlora, me cilësinë e kryetarit të Qeverisë së Përkohshme dhe Ministrit të Punëve të Jashtme, formuloi notën e parë diplomatike drejtuar përfaqësuesve të Rusisë, Asutrisë dhe Italisë në Vlorë, me të cilën i njoftoj për shpalljen e pavarësisë se Shqipërisë dhe kërkonte vendosjen e marrëdhënieve zyrtare me qeverinë e re kombëtare.

Në të njëjtën ditë ai iu drejtua me telegrame qeverive ballkanike duke u bërë të ditur shpalljen e pavarësisë dhe dëshirën e popullit shqiptar për të jetuar në paqe dhe miqësi me të gjitha vendet fqinje. Këto ishin hapat e parë të diplomacisë shqiptare që u rilind bashk me shtetin e ri shqiptar pas pesë shekujsh robërie./ KultPlus.com

Gazeta franceze në vitin 1912: Shpallja e menjëhershme e pavarësisë së Shqipërisë, pritet të vijë Isa Boletini

Nga Aurenc Bebja

Gazeta franceze, “Le Gaulois”, ka botuar, të premten e 29 nëntorit 1912, në faqen n°2, një shkrim në lidhje me shpalljen e pavarësisë së Shqipërisë, të cilin, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar:

Shpallja e menjëhershme e pavarësisë së Shqipërisë

Romë, 28 nëntor.

Na shkruajnë nga Vlora, me datë 28, se Ismail Qemal beu, i cili, sapo ka mbërritur në këtë qytet, ka vizituar konsujt e Italisë dhe Austro-Hungarisë.

Njoftojnë se sot kuvendi i delegatëve shqiptarë do të shpallë në Vlorë pavarësinë dhe neutralitetin e Shqipërisë dhe do të formojë një qeveri të përkohshme.

Do të ngrihet flamuri shqiptar. Një komision do t’u dërgohet sa më shpejt të jetë e mundur qeverive evropiane, duke filluar me Italinë, për t’u kërkuar atyre njohjen e Shqipërisë.

Delegatët shqiptarë që kanë mbërritur deri më tani janë gjithsej 80. Priten të vijnë të tjerë, përfshirë Isa Boletinin, me forca të armatosura.

Thuhet se Ismail Qemal beu, në bisedimet e tij me konsujt e Italisë dhe Austro-Hungarisë, ka deklaruar se pavarësia e Shqipërisë bazohet në parimet e integritetit territorial dhe neutralitetit, dhe se Shqipëria ka besim në dashamirësinë e të gjitha fuqive dhe në mbështetjen e Italisë dhe Austro-Hungarisë.

https://www.darsiani.com/la-gazette/le-gaulois-1912-shpallja-e-menjehershme-e-pavaresise-se-shqiperise-pritet-te-vije-isa-boletini/.

Fotografi e rrallë e Ismail Qemalit

Ismail Qemal bej Vlora (nën shigjetë) në parlamentin Osman.

Kjo është një fotografi e rrallë e Ismail Qemalit, nëpunës i Perandorisë Osmane, veprimtar i çështjes shqiptare, deputet në Mexhlisin Osman, themelues i shtetit shqiptar.

Ismail Qemali ishte firmëtari i parë i Deklaratës së Pavarësisë. / KultPlus.com

Sot plotë 99 vite nga vdekja e mistershme e Ismail Qemalit

Sot janë mbushur 99 vjet nga vdekja misterioze e Ismail Qemali, njeriu që më 1912 shpalli pavarësinë e Shqipërisë, në qytetin e Vlorës. Ai vdiq më 24 janar të vitit 1919 në Peruxhia të Italisë, pak momente para se të jepte një konferencë për shtyp. Deri më sot nuk ka një variant përfundimtar të vdekjes së tij, por gjithmonë janë hedhur dyshime se është helmuar nga qarqet greke, serbe, turke apo italiane.

Ismail Qemali u lind në Vlorë në vitin 1844. Vitet e fundit të jetës i kaloi në mërgim duke punuar gjithnjë për të mirën e atdheut dhe duke bashkëpunuar me kolonitë shqiptare. Më 1917, Partia Kombëtare Politike e shqiptarëve të Amerikës, e caktoi delegat të saj për në Konferencën e Paqes në Paris 1919-1920. Pak kohë para vdekjes, i bindur se historia do t’i jepte të drejtë largpamësisë së tij ndaj kërkesave legjitime të popullit shqiptar, do shkruante: “Paqja në Ballkan nuk do të mund të rivendoset duke sakrifikuar të drejtat e kombeve të tjera në interes të synimeve ekspansioniste. Pa iu shtuar Shqipërisë nga ana e veriut Kosova dhe nga ana e jugut Çamëria, nuk mund të shtrohet qetësia në sinisin e Ballkanit”.

Situatat që Ismail Qemali kishte kaluar ato ditë në Peruxha të Italisë i kishin shkaktuar një gjendje të rëndë mendore dhe fizike. Edhe pse në atë gjendje, ai nuk kishte ngurruar të dilte para shtypit.

Njëri nga djemtë e Ismail Qemalit ka deklaruar në ato ditë se qëndrimi i Romës e dëshpëroi shumë babanë e tyre. Për të mos e lënë në harresë misionin e tij, Ismail Qemali ftoi më 23 janar 1919 në hotelin “Brufani” ku kishte bujtur, korrespondentët e disa gazetave italiane që ndodheshin në Peruxha. Ismail Qemali, Luigj Gurakuqi dhe dy djemtë e Ismailit.

Sipas të birit, Et’hemit, kur Ismail Qemali, pasi kishte ngrënë drekë doli para gazetarëve që po e prisnin, sapo filloi të fliste u zverdh dhe filloi të dridhej e të belbëzonte. Ali Asllani, kryetari i Bashkisë së Vlorës, tregon se Ethemi i kishte thënë që Ismail Qemali “kërkoi ta shoqëronin në banjë. Atje e mbyti shkuma e të vjellët”.

Vdekjen e tij e njoftoi, ndër të tjera, me një komunikatë të veçantë gazeta italiane “L’Unione Liberale”, organ i Partisë Liberale të Italisë, e qendrës së djathtë, me këto fjalë:

“Dje në mbrëmje, në orën 23.30 pushoi së jetuari në hotel ‘Brufani’ mysafiri i shquar i qytetit, Ismail Qemal Bej Vlora”.

Ai përfaqësonte denjësisht një familje të madhe dhe të lashtë nga Vlora. Meqenëse ishte patriot i flaktë, mik i Italisë sonë, i frymëzuar nga parimet e lirisë dhe drejtësisë, shihej me sy të keq nga qeveria turke, e cila e kishte dënuar dhe detyruar të kërkonte shpëtim në mërgim.

Ishte 75 vjeç, ruante mendimin e kthjellët dhe fuqinë trupore, i palodhur në punë, sikur të ishte i ri dhe i përzemërt me të gjithë.

Hemorragjia cerebrale e goditi më 23 janar dhe si pasojë paralizimi. Për të përballuar sëmundjen nuk patën dobi as mjekimi më i kujdesshëm i mjekut që e kuroi, doktor Leone Pernossi dhe të konsulentëve, prof. Silvestrini dhe prof. Righetti dhe as prania e dhembshur e djemve.

Kufoma e Ismail Qemalit është mbajtur në Peruxha për dy javë pas vdekjes, me idenë e balsamosjes. Por, kjo i shtoi edhe më shumë dyshimet për helmim, pasi i kanë nxjerrë të gjitha organet e brendshme për të zhdukur çdo shenjë për autopsinë.

I shoqëruar nga tre djem të tij: Et’hemi, Qazimi dhe Qamili dhe nga përfaqësues të Ministrisë së Jashtme italiane, më 8 shkurt 1919, trupi i Ismail Qemalit u dërgua me tren në Brindizi nga ku, në bordin e torpedinieres “Alpino”, u shoqërua në Vlorë. Më 12 shkurt, nën një ceremoni madhështore, trupi i tij, i vendosur mbi shtratin e topit dhe i mbështjellë me Flamurin Kombëtar, u shoqërua në Kaninë, ku u varros në oborrin e Teqesë, në varrezat e familjes Vlora. “…Nëse masim madhështinë e një personaliteti politik me dashuri në e popullit të thjeshtë,- shkruante në ‘Kujtime familjare’, Safa Vlora,- duhet të pohojmë se asnjë nuk i afrohet Ismail Qemal Vlorës. Në ceremoninë e përmotshme… as fshatar as qytetar nuk qëndroi në shtëpi. Tërë faqet e maleve dhe brigjeve, që qëndronin gjatë udhëtimit, ishin mbushur me njerëz. Ishte një apotezë madhështore e të gjithë popullit, pa dallim, dhe një kurorë që Ai e fitoi me punën e tij të madhe në shërbim të vendit të tij, derisa dha frymën e fundit..”..

Në atë kohë Vlora ndodhej nën pushtimin italian. Komanda italiane, që ia kishte frikën rebelimit, urdhëroi që në ceremoni të mos përdorej asnjë flamur shqiptar. Kjo ishte poshtëruese për ndjenjat e një populli patriot. Këshilli bashkiak i Vlorës këmbënguli në përdorimin e simbolit shqiptar. Komanda italiane e kuptoi mirë ultimatumin atdhetar dhe lejoi që gjatë ceremonisë arkivoli të mbulohej me flamurin shqiptar. Dhe ashtu u bë. Arkivoli u mbulua me flamurin e kuq me shqiponjën e zezë. Këtë flamur ia kishte dhuruar Ismail Qemalit duka i Monpasiesë në mars 1913, kur ai bëri një vizitë në Vlorë.

Në ato ditë flamurin e mbante me vete djali i madh i Ismail Qemalit, Ethem Bej Vlora. Ceremonia e varrimit u bë me 12 shkurt 1919. Ishte e mërkurë. U mbajtën dy fjalime mbresëlënëse nga Jani Minga dhe nga Qazim Kokoshi.

Kortezhi prihej nga dymbëdhjetë kurora që mbaheshin nga Djelmoshat e Vlorës, të shoqërisë me po këtë emër. Kurorat ishin gjithë lule, nderim dhe dashuri nga populli i Vlorës, nga shkollat, nga shoqëria Djelmoshat e Vlorës dhe nga gazeta Kuvendi. Mbas këtyre vinte Shoqëria djaloshare. Pastaj ecte banda ushtarake që luante marshin funebër. Mbas këtyre ecte karroca me arkivolin e mbuluar me flamurin e kuq dhe shqiponjën e zezë, e nderuar dhe e ruajtur nga dy rreshta ushtarësh.

Mbas karrocës ecte grupi i hoxhallarëve dhe mbas tyre të tre djemtë e Ismail Qemalit. Pastaj gjenerali Settimo Pacentini, kundëradmirali Lrubetti, autoritete ushtarake dhe civile të krahinës, paria e qytetit dhe e qarkut, qytetarët, nxënësit e shkollave dhe në fund ushtarët e kavalerisë. Përpara varrimit flamurin e morën djemtë e Ismail Qemalit, të cilin flamur e përdorën përsëri në rivarrimin e tij në Sheshin e Flamurit me 28 nëntor 1932. Mbas kësaj Ethem Bej Vlora e dhuroi flamurin për Muzeun Kombëtar.

Më 28 nëntor 1932, me rastin e 20-vjetorit të Pavarësisë, me kërkesën e popullit të Vlorës dhe me vendim të Qeverisë Mbretërore, trupi i tij u zhvendos në Vlorë, në lulishten e qytetit, në një varr monumental, vepër e skulptorit Odhise Paskali, aty ku më parë ishte shtëpia ku ai kish lindur dhe nga ku Shpalli Pavarësinë e Shqipërisë. Sot, përbri varrit të tij, ngrihet një monument madhështor, që simbolizon atë ditë nëntori, që do t’i jepte emrin e bukur atij sheshi të madh: “Sheshi i Flamurit”.

Ismail Qemali vdiq në një kohë kur në Shqipëri, për shkak të okupacioneve të huaja, nuk ekzistonte shtypi i lirë shqiptar. Nuk ka dyshim se vdekja e tij shkaktoi një dhimbje të përgjithshme në mbarë bashkatdhetarët. Këtë e dëshmojnë pak organe shtypi që botoheshin atë vit, ndonjëra në Shqipëri e të tjerat jashtë.

Nikolla Ivanaj në gazetën “Koha e Re”, që nxirrte në Shkodër, kur qyteti ndodhej nën pushtimin ushtarak frëng, shkruante pesë ditë pas vdekjes së Ismail Qemalit, më 31 janar 1919: “Na mbërriti lajmi i zi si korbi, i ftohtë si akulli e i mprehtë si shpata e mejdanit: Vdiq Ismail Qemali i Vlorës”. Më tej: “Historia e Shqipërisë së re, në kohën e vet do të flasë më gjerë e gjatë për këtë burrë të shkëlqyeshëm të atdheut tonë”. N. Ivanaj e mbyllte fjalën e tij: “Ne, sot i lutemi shpirtit të tij që të na ndihmojë në këtë kohë të vështirë e kritike, ku na lypej ende trupi e mendja e tij, më tepër se kurrë deri sot”.

Gazeta “Kuvendi”, organ që dilte një herë në javë në Romë, nën drejtimin e Sotir Gjikës, në shqip e italisht, njoftonte më 8 shkurt 1919, vdekjen e Ismail Qemalit, me këto fjalë:

“Më 24 të janarit 1919, në hotel Brufani të qytetit Perugia (Itali), vdiq në duart e të bijve, Etem e Qazim, Ismail Qemal Bej Vlora, ish-kryetar i Qeverisë së Përkohshme të Shqipërisë e tani përfaqësues në Europë i ‘Partisë Politike’“.

Shumësia e lëndës nuk na jep leje sot të merremi gjatë me biografinë e burrit të shtetit shqiptar. Padyshim, Ismail Qemali do të zërë një faqe të gjerë në historinë e Përlindjes shqiptare, se veçanërisht i shquar është roli që luajti ky burrë me mendje të madhe i farës sonë.

Ai pati fatin të ngrejë në Vlorë më 28 Nëntor 1912 flamurin e mëvetësisë shqiptare, ngjarje që e bëri të mbetet fytyrë historike, meritë të cilën nuk do t’ia hedhin dot poshtë as kundërshtarët e tij më të rreptë.

Kuvendi merr pjesë në këtë zi kombëtare e i dërgon së fort të helmuarës familje të ndjesëpastit ngushëllime të përzemërta.

Qeveria italiane bëri, nga ana e saj, fort fisnikërisht, ç’duhej për ta shpënë trupin e Ismail Qemalit në Vlorë”.

Mihal Grameno, në një artikull me titull “Humbja e Ismail Qemalit”, botuar më 12 mars 1919, në gazetën e tij “Koha” (Boston, Mass.), shkruante ndër të tjera:

“Si vetëtima u përhap lajmi i hidhur për humbjen e Plakut të Shqipërisë, Ismail Qemalit, jo vetëm në Shqipëri, por në të gjithë anët e botës.

Ky lajm ishte si rrufeja edhe një nga më të mëdhatë goditje për kombin shqiptar, se humbi b urrin më të madh që kishte nxjerrë, pas Skënderbeut, Shqipëria. Humbi diplomatin e madh e të famshëm, humbi shtyllën e çelniktë të programit kombëtar, humbi Atin e kombit, i cili e shpëtoi nga rreziku, humbi luanin që dërrmoi zinxhirët e robërisë dhe që ngriti flamurin e Skënderbeut e shpalli vetëqeverimin e Shqipërisë. Jemi shumë të vegjël edhe fuqia jonë është e dobët që të mund të përshkruajmë veprat e larta dhe të shenjta që ka sjellë Plaku i pavdekur, përmbi altarin e atdheut”.

Luftëtari rilindës përvijon në artikullin e tij këtë portret njerëzor për Plakun e Vlorës: “Tek Ismail Qemali përmblidheshin gjithë virtytet e mira, të cilat mund të gjenden në botë”. (Gazeta “Koha”, Boston, Mass., 12 mars 1919).

Ismail Qemali, si kryeministër dhe kryetari i parë në historinë e shtetit shqiptar, qëndroi në krye të Qeverisë nga data 28 nëntor e vitit 1912 deri në 22 janar 1914, d.m.th., 12 muaj e 56 ditë./ KultPlus.com

Nga Ismail Qemali tek Luigj Gurakuqi, aktorët që luajtën tek “Nëntori i dytë” (FOTO)

“Nëntori i dytë” filmi që tregon udhëtimin e Ismail Qemalit drejt Vlorës për të ngritur aty flamurin e shqiptarëve, vazhdon të jetë një ndër filmat më historikë në historinë e kinematografisë shqiptare. Çdo 28 nëntor ai është simboli që çdo shqiptar do donte ta rishihte si pjesë e krenarisë së tij.

Filmi u realizua në vitin 1982 nga regjisori Viktor Gjika nën skenarin e Dhimitër Shuteriqit dhe Kico Blushit. Me muzikë nga Kujtim Laro kolona zanore e filmit vazhdon të shoqërojë çdo përvjetor të pavarësisë së vendit. Por ajo çfarë i dha suksesin këtij filmi nuk ishte vetëm historia, por dhe një kastë e zgjedhur aktorësh me kujdes nga regjisori Gjika.

Ai zgjodhi për Ismail Qemalin një karakter të fortë të teatrit e kinemasë shqiptare siç ishte Sandër Prosi. E kush mund ta kishte interpretuar më mirë se Prosi Ismail Qemalin. Në atë rol ai sapo kishte kaluar të 60-at dhe vetëm tre vjet më vonë ai do të ndahej nga jeta në mënyrë tragjike. Isa Boletini, përfaqësuesi i Kosovës në festën e madhe të shqiptarëve do të interpretohej nga Reshat Arbana. Atëherë mbi të 40-at Arbana kishte trupin dhe mendjen e Boletinit duke sjellë një karakter impulsiv dhe të matur njëkohësisht që e personifikon më së miri Isa Boletinin. Mario Ashiku do të interpretonte Shpend Dragobinë.

Aktori i talentuar do të shndërrohej i tëri në djalin luftëtar të Jah Elezit nga Dragobia, Malësi e Gjakovës i cili ishte delegat i Kosovës në Vlorë më, 28 nëntor 1912 kur u shpall pavarësia e Shqipërisë. Shpend Dragobia ishte mik i ngushtë dhe bashkëluftëtar i Isa Boletinit. Gjenerali turk do të interpretohej nga aktori shkodran Sulejman Dibra. Demir Hyskja do të interpretonte Mytesarifin. Bujar Lako do të interpretonte Luigj Gurakuqin i cili në qeverinë e përkohshme të Vlorës do të zgjidhej më vonë Ministër i Arsimit. Robert Ndrenika do të interpretonte Hakiun. Petrit Malaj atëherë një aktor i ri do të luante Adem Boletinin.

Luan Qerimi do të luante Sali Drenicën. Gyljem Radoja do të luante Lym Kepin ndërsa Harjie Rondo do të ishte gruaja e Lym Kepit. Ilia Shyti do të ishte Mullai i Beratit, ndërsa Pandi Raidha do luante Demir Arbanën. Spiro Urumi do të interpretonte Xhaferr Bej Kadenën. Këta janë aktorët që i dhanë jetë një prodhimi të jashtëzakonshëm kinematografik që formatoi në kujtesën e shqiptarëve një udhëtim të gjatë dhe historik që do të shënjonte përgjithmonë një histori tjetër të shqiptarëve, shkruan GSH. Dhe pse shumë pjesë të filmit nuk u shfaqën për shkak të censurës së kohës, kjo nuk e pengoi regjisorin Gjika të sillte me këtë film udhëtimin e shumëpritur në shekuj të shqiptarëve./ KultPlus.com

Ekskluzive: Intervista e Ismail Qemalit në Paris për ‘Le Matin’

Nga Aurenc Bebja

Gazeta franceze, “Le Matin”, ka botuar, të hënën e 8 nëntorit 1915, në ballinë, intervistën e zhvilluar me atdhetarin dhe ish-udhëheqësin politik shqiptar, Ismail Qemalin, i cili gjendej asokohe në Paris.

Kësaj here, lideri shqiptar gjendej në rolin e këshilltarit. Ai, pa harruar të vë në dukje virtytet e popullit tonë dhe duke analizuar gjithashtu situatën në Ballkan, ka sugjeruar përmirësimin apo përforcimin marrëdhënieve franko – shqiptare.

Në vijim, do të gjeni intervistën e plotë të kreut të parë të shtetit shqiptar, të sjellë në shqip nga Aurenc Bebja – Blogu “Dars (Klos), Mat – Albania” :

Shqiptarët dhe Lufta
Shpresa dhe simpati
Ismail Qemali na tregon rolin e rëndësishëm që vendi i tij mund të luajë

Mjafton ti hedhësh një sy hartës së Ballkanit për të kuptuar se Shqipëria mundet të jetë, në çdo moment, skenë operacionesh të rëndësishme ushtarake. Sidoqoftë, duhet pranuar se të paktën një pjesë e ushtrisë serbe do të furnizohet nga territori shqiptar. Me këtë rast, qëndrimi i njerëzve luftarakë të këtij vendi do të jetë padyshim dhe së shpejti një faktor i rëndësishëm në luftën ballkanike.

Ne kemi folur për këtë situatë me ish-kreun e Qeverisë së Përkohshme të Shqipërisë, që shpalli pavarësinë e kombit të tij, Ismail Bej Qemalin, aktualisht në Paris. I lindur shqiptar, ai, nuk ka reshtur, gjatë karrierës së tij të gjatë, të marrë pjesë aktive në ngjarjet politike të Lindjes :

“Unë nuk do të kisha marrë kurrë mundin të flisja sot për vendin tim dhe aspiratat e tij ndaj një populli të angazhuar në luftën më të rëndësishme, nëse nuk do të isha i sigurt se tashmë në këtë luftë edhe bashkatdhetarët e mi mund të luajnë një rol të dobishëm.

Shqipëria u krijua teorikisht si një shtet në 1913, por kjo pavarësi nuk u arrit në kushtet që përputheshin me të drejtat dhe pretendimet e saj legjitime. Serbët, malazezët, bullgarët dhe grekët e cenuan nga të gjitha anët dhe e shtrënguan deri në pikën e mbytjes.

Populli shqiptar, i detyruar të pranonte zgjedhjen e caktuar nga Evropa, nuk kishte institucione që mund të promovonin zhvillimin e tij kombëtar. Sot, me përhapjen e luftës në Ballkan, ai gjendet dëshmitar i një lufte, ku sigurisht disa aksione do të ndodhin në territorin e tij.

Vetëm nëse nuk njohim natyrën luftarake të këtij populli, mund të mendojmë se ai do të mbetet spektator pasiv i këtyre luftërave.

Nuk mund të ketë dyshime se populli shqiptar është i përgatitur dhe i ngazëlluar kundër serbëve, të cilët në luftën e fundit ballkanike e cenuan keq atë. Por, për ata që njohin të kaluarën dhe ndjenjat e shqiptarit, admirimin që ai mbart ndaj emrit të lavdishëm të Francës, është e qartë se simpatia e thellë, e rrënjosur në zemrën e tij, nuk mund të zhduket, dhe përmes këtij gjesti magjepsës dhe disa procedurave dashamirëse e të barabarta, Franca mund të krijojë tek ne miq të përkushtuar për ta ndihmuar atë në të gjitha rrethanat.

Populli ynë është gjithmonë i gatshëm të luftojë dhe lufta është profesioni i tij i preferuar. Ai nuk do të hezitonte t’i përgjigjej thirrjes së Francës dhe atyre që luftojnë me të për lirinë e kombeve. Dëshira e popullit shqiptar është që pavarësia e tij, si në veri dhe në jug, të garantohet kundër shkeljeve që do të ndodhin në mënyrë të pashmangshme nëse pushtimi (vërshimi) bullgar lejohet të përparojë në Adriatik.

Shqipëria do të harrojë zemërimet e vjetra dhe do të mendojë vetëm për të ardhmen nëse i garantojnë pavarësinë dhe e ndihmojnë të realizojë aspiratat e saj.

Duke marrë parasysh luftën e vazhdueshme në të gjithë Evropën, prania e trupave me përvojë, në një vend strategjik aq të rëndësishëm sa Shqipëria, mund të jetë, në momentin e duhur, një veprim efikas. Aleatët, të shqetësuar për të vënë të gjitha mundësitë në anën e tyre, sipas mendimit tim dhe pse aq modest sa duket, nuk duhet të lënë pas dore këtë faktor. Le të flasim për ndjenjën kombëtare aq të fuqishme në mesin e shqiptarëve dhe do të marrin nga ata, duke i drejtuar, një ndihmë shumë të vlefshme ushtarake.

Unë mendoj se opinioni (publiku) francez nuk duhet të humbasë një mundësi të tillë.”/ KultPlus.com

50 fakte që nuk i dinit nga jeta e Ismail Qemalit

Se kush është Ismail Qemali edhe një vogëlush 6-vjeçar e ka në majë të gjuhës përgjigjen: Plaku që ngriti flamurin dhe shpalli Pavarësinë. Problemi është se po aq sa ky vogëlush, është një pjesë e madhe e popullsisë së Shqipërisë që dinë vetëm kaq për plakun flokëbardhë që kreu aktin më të rëndësishëm në historinë e shtetit shqiptar. Ka një takëm njerëzisht që dinë më shumë.

Ca të tjerë që dinë edhe pak më shumë. Edhe Ismail Qemali ka lindur më 16 tetor, në tekstet e historisë ditëlindja e tij njihet 24 janari, pikërisht për këtë arsye edhe dje u festua 168 vjetori i lindjes së tij. Përse i zhdukën ditëlindjen më 16 tetor, pse përkonte me atë të Enver Hoxhës. Cili është arsimi i tij. Cilat ishin detyrat e tij më të larta në hierarkinë e Perandorisë Osmane e si ngriti në Stamboll klubin për pavarësinë shqiptare dhe si u internua nga pushteti turk.

Përse sulltani e emëroi këshilltar të tij. Si u emërua Vali në Libi, por ai nuk shkoi Tripoli, por në Paris, nga ku nisi punën për pavarësinë e Shqipërisë. Historia e 28 Nëntorit, me kë shkoi në Vlorë dhe përse shkoi në Vlorë. Cilin flamur ngriti dhe historia e dokumentit themeltar që u falsifikua. Një histori plot lavdi dhe kontradikta të një jete, që, siç vetë Ismail Qemali e ka thënë në fjalimin e 28 Nëntorit, Zoti donte që të ishte i pari shqiptar që ngriti flamurin.

1. Ismail Qemali, në fakt quhej Ismail bej Vlora. Emri i tij u ndryshua gjatë kohës së regjimit komunist mbi botëkuptime komuniste ndaj titullit “Bej”, por asnjëherë asnjë historian dhe personalitet nuk e ka shpjeguar këtë ndryshim.

2. Ismail Qemali ishte një nga personazhet më të rëndësishme të familjes së njohur Vlora, një familje e pasur dhe me shumë tradita, dhe që ka nxjerrë shumë personazhe të rëndësishëm në jetën politike shqiptare.

3. Ismail Qemali lindi më 16 tetor 1846 në Kaninë të Vlorës dhe vdiq më 24 janar të vitit 1919 në Peruxha të Italisë. Vetëm pas vitit 1990 është mësuar nga historiani turk me orgjinë shqiptare, Nexhip Alpan, që ditëlindja e Ismail Qemalit ishte në një ditë me atë të Enver Hoxhës. Por ajo është mbajtur e fshehtë, duke mos u shkruar në asnjë libër historie. Në tekstet e historisë së Shqipërisë dhe tekstet mësimore datëlindja është shkruar më 24 janar 1844. Në fakt ajo është më 16 tetor 1844.

4. Ismail Qemali jetoi 72 vjet, 3 muaj e 8 ditë ose gjithsej 2628 ditë. Ai kishte një shtat mesatar dhe me një trup me peshë po mesatare. Ismail Qemali mbante një veshje të kohës, me kostum të kohës, kravatë e kohës, flokë të thinjur të krehur me kujdes dhe me një mjekër të bardhë të krehur edhe atë. Ngjyra e kostumeve në përgjithësi ishte e zezë dhe në kokë mbante kapele.

5. Ismail Qemali gjatë gjithë jetës së vet jetoi në këto shtete: Shqipëri, Greqi, Turqi, Itali,
Bullgari, Siri dhe për pak kohë në Francë, Angli, Zvicër dhe Gjermani.

6. Ismail Qemali u diplomua në gjimnazin Zosimea në Janinë dhe pas një karrierë të konsiderueshme në administratën turke. U arsimua në Paris për Shkenca Juridike dhe Ekonomike. Me këtë edukim ai ishte një nga më të arsimuarit në administratën turke të asaj kohe.

7. Ismail Qemali njihej dhe si një poliglot, një armë që atij i shërbente në të gjithë aktivitetin e tij politik për çështjen shqiptare. Ai njihte shkëlqyer gjuhën shqipe, osmanishten, turqishten e re, greqishten e vjetër, latinishten, italishten dhe frëngjishten.

8. Ismail Qemali cilësohet si babai i kombit, duke qenë se ka kryer aktin më historik në të gjithë historinë e shtetit shqiptar. Ai ngriti flamurin e Pavarësisë në Vlorë, më 28 Nëntor të vitit 1912 dhe shpalli Shqipërinë shtet të pavarur duke i kërkuar fuqive ndërkombëtare ta njihnin këtë vendim.

9. Në asnjë rrethanë dhe në asnjë situatë, ai nuk e përdori këtë moment sublim për të përfituar dhe marrë vlerësime. Madje, në fjalimin e tij ditën e Shpalljes së Pavarësisë, ai është shprehur, se, siç e donte Zoti që të ishte i pari të ngrinte flamurin e pavarësisë, ashtu të bëhej edhe hero i parë i shtetit shqiptar.

10. Ismail Qemali është kryeministri dhe kryetari i parë në historinë e shtetit shqiptar. Ai qëndroi në krye të qeverisë nga data 28 Nëntor e vitit 1912 deri në 22 janar 1914 për 12 muaj e 56 ditë.

11. Ismail Qemali ngriti në Vlorë flamurin e kuq me dy krena shqiponjash, një flamur që deri më sot na vjen në tre variante. I pari, se këtë e qëndisi një Marigo, një nuse e shtëpisë ku fjeti Ismaili natën e fundit, atë që e solli Spiridon Ilo nga SHBA varianti i tretë i Eqrem bej Vlorës, sipas të cilit ia dha ai flamurin që ia kishte falur Aleadro Kasstriota burri i një princeshe që pretendonte se ishte pasardhëse e Skënderbeut.

12. Në vlerësimet e punës që i kanë bërë drejtuesit e administratës turke për Ismail Qemalin janë shënuar këto fjalë: Vali i denjë, diplomat, deputet, udhëheqës shteti, mendimtar dhe kryetari i parë i shtetit shqiptar.

13. Ismail Qemali e nisi karrierën e vet politike si përkthyes në Ministrinë e Jashtme të Turqisë Osmane në vitin 1860. Detyra e dytë në administratë e Ismail Qemalit ishte në vitin 1868, drejtor i Sekretariatit në Zyrën Juridike në Sofje të Bullgarisë, që në atë kohë ishte pjesë e Turqisë Osmane.

14. Ismail Qemali më pas mori detyrën e nënprefektit të rajonit të Rusçuk, një detyrë që e mbajti për pesë vjet. Në vitin 1873, ai jep dorëheqjen dhe largohet nga ajo detyrë.

15. Ismail Qemali u emërua sekretar i Përgjithshëm i Ministrisë së Jashtme të Turqisë në vitin 1876, një detyrë që e ndihmoi shumë të njihte diplomacinë turke nga brenda, por edhe atë të huaj. Në këtë detyrë qëndroi për një vit.

16. Në vitin 1877, ai pëson një dënim në karrierën e tij, pikërisht për aktivitetin e tij patriotik ndaj Shqipërisë. Me arsyetimin se kërkoi autonominë e Shqipërisë, ai internohet për shtatë vjet në Kytahja të Anadollit. Por presioni i një pjesë të administratës turke, por edhe të patriotëve shqiptarë, bëri që sulltan Avdylhamiti t’i hiqte internimin dhe ta emëronte madje Vali në Bollu të Turqisë.

17. Ismail Qemali emërohet Vali në Siri, një detyrë shumë e lartë në atë kohë dhe për më tepër që bëhej fjalë për një krahinë që më vonë mori edhe ajo pavarësinë si shtet i pavarur. Këtë detyrë e mbajti deri në 28 qershor të vitit 1892.

18. Për punë të mirë Ismail Qemali arriti të bëhej deri këshilltar personal i sulltan Avdylhamitit, në momentin kur Perandoria Osmane ishte në fund të saj. Një detyrë që e mbajti nga viti 1892 deri në vitin 1900. Kjo e ndihmoi atë ta njihte nga brenda perandorinë.

19. Nga e gjithë detyra e tij si këshilltar i Sulltanit, mbahet mend se Ismail Qemali ishte ai që i propozoi atij ndërtimin e një hekurudhe që niste në Durrës dhe mbaronte në Stamboll. Një vepër që nuk u ndërtua as në atë kohë dhe vazhdon të mos jetë e ndërtuar edhe sot.

20. Më 1 maj të vitit 1900, sulltan Avdylhamiti për punë dhe cilësi të mira e emëron Vali i Përgjithshëm i Libisë, një detyrë mjaft e lartë e asaj kohe. Por Ismail Qemali u nis për në Tripoli, por rrugës kthehet dhe shkon në Paris, Londër e gjetkë, për të punuar për çështjen shqiptare.

21. Më 1908, me ndihmën e shqiptarëve të veriut të Maqedonisë, Ismail Qemali zgjidhet deputet i rrethit të Beratit, por në fakt ishte përfaqësues i gjithë Shqipërisë. Gjatë kohës që Ismail Qemali ishte deputet në Parlamentin e parë të Turqisë moderne, ai pati një peshë të konsiderueshme. Fjalimet e Ismail Qemalit në Kuvend kanë qenë nga më oratoriket dhe më me mendim, duke nxitur kundërshtarët ta sulmojnë pa të drejtë.

22. Ismail Qemali ra në sy në vitin 1871, pikërisht në zemër të Turqisë osmane, se paraqiti tre kërkesa të njëpasnjëshme për hapjen e shkollave shqipe në Shqipëri. Edhe pse punonte si pjesë e administratës osmane, mori pjesë në një mbledhje të rilindësve shqiptarë në Stamboll për të krijuar alfabetin shqip.

23. Në vitin 1865 Ismail Qemali nisi të punonte për pavarësinë e Shqipërisë, duke krijuar për këtë çështje një klub në kryeqendrën e perandorisë, Stamboll, bashkë me Konstandin Kristoforidhin.

24. Shërbimi i sigurisë së administratës turke zbuloi se gjatë kohës që Ismail Qemali punonte për Turqinë, kishte hartuar një dokument për projektin e një Shqipërie të pavarur. Ky ishte edhe një nga shkaqet më të mëdha të përndjekjes që u ndërmor ndaj atij.

25. Ismail Qemali vdiq në rrethana misterioze në Peruxha të Italisë, pak momente para se të jepte një konferencë për shtyp. Deri më sot nuk ka në fakt një variant eksplicit të vdekjes së tij, por gjithmonë janë hedhur dyshime.

26. Dyshimi më i madh mendohet të jetë se ai është helmuar në ushqim nga qarqe greke dhe italiane antishqiptare, që e shikonin Ismail Qemalin si një personalitet me influencë të madhe për çështjen shqiptare.

27. Kufoma e Ismail Qemalit është mbajtur në Peruxha për dy javë pas vdekjes, me idenë e balsamosjes. Por kjo i shtoi edhe më shumë dyshimet për helmim, pasi i kanë nxjerrë të gjitha organet e brendshme për të zhdukur çdo shenjë për autopsinë.

28. Ismail Qemali është varrosur dy herë. Herën e parë në shkurt të vitit 1919 në Kaninë, vendin e lindjes dhe të paraardhësve të tij, dhe herën e dytë më 28 Nëntor në Vlorë, viti 1932.

29. Varrimi i dytë është bërë me urdhër posaçërisht të mbretit Ahmet Zogu, me rastin e 20-vjetorit të Pavarësisë. Zogu dhe partia e asaj kohe i kanë bërë nderimet më të mëdha trupit të Ismail Qemalit, duke ia vendosur eshtrat në varrin që është edhe sot në Vlorë.

30. Ceremonia për rivarrosjen e eshtrave të Ismail Qemalit është cilësuar si një nga ceremonitë më të mëdha që ka organizuar Ahmet Zogu gjatë gjithë kohës që ai ka qenë në pushtet. Ai i ka bërë nderimet më të mëdha atij që u quajt babai i kombit.

31. Ismail Qemali është nga ata personalitete politike dhe shtetërore që ka shkruar kujtimet e veta. Por kujtimet e tij nuk janë botuar asnjëherë të plota dhe kjo është çudia që e ka shoqëruar çdo gjë në jetën e tij.

32. Akuza më e madhe që është hedhur ndaj Ismail Qemalit, është ajo se ai ideoi pas pavarësisë ndarjen e Shqipërisë në kantone një model si Zvicra. Por sipas njerëzve që e hodhën këtë akuzë, kjo do të bënte që fqinjët ta kishin më të lehtë ndarjen dhe copëtimin e Shqipërisë.

33. Për herë të parë gjatë gjithë historisë së shtetit shqiptar diskutohet që të hiqet emri i Ismail Qemalit nga një institucion. Ky skandal ndodhi pikërisht kur rektori i Universitetit të Vlorës, Tanush Shaska, propozoi që emri i Ismail Qemalit t’i hiqej Universitetit të Vlorës. Propozim ky që ngjalli një reagim mjaft të ashpër si nga politika, media, intelektualët dhe publiku.

34. Pasardhësit më aktivë të Ismail Qemalit në ditët e sotme janë Darling Vlora, Nedim Vlora dhe Ariana Vlora. Ndërsa shumica e pasardhësve të tjerë kanë vdekur, kurse pjesa tjetër është në emigracion prej shumë vitesh.

35. Qamil bej Vlora (1895-1950) ishte djali dhe fëmija i fundit i Ismail Qemalit. Qamili ishte i vetmi djalë i Ismail Qemali që nuk u largua nga Shqipëria. Edhe pse nuk u mor me politikë, më 1946, pasi nuk pranoi bashkëpunimin me regjimin komunist, u arrestua me pretekstin “armë mbajtje pa leje”, pasi iu gjet një revolver, më shumë antik sesa funksional. Në burg u bë me turbekuloz dhe vdiq në moshën 55-vjeçare.

36. Ismail Vlora dhe Xhevdet Vlora ishin dy nipërit e Ismail Qemalit. Ata ishin poliglotë që punuan për bukën e gojës. Dy nipërit e Ismail Qemalit nuk pranuan të bashkëpunonin me regjimin komunist dhe në këtë mënyrë u detyruan të punonin nëpër fshatra të ndryshëm me punë krahu.

37. Ismail Qemali u martua dy herë dhe në të dy rastet me shtetase greke. Për herë të parë me një vejushë nga Konica, me të cilën nuk pati fëmijë, pasi vdiq gjatë lindjes së bashku me vajzën. Ndërsa për herë të dytë u martua në vitin 1886, me Kleoniqi Surmeli, vajza e një fisniku grek nga krahina e Edërnesë.

38. Ismail Qemali u detyrua ta rrëmbente gruan e dytë për arsye se ligjet e ndalonim martesën e një myslimani me një ortodokse. Siç shkruan në kujtimet e veta Ismail Qemali, me këshillën e vjehrrit e rrëmbeu nusen e ardhshme, ndërsa martesa u njoh zyrtarisht në 1886-n, ai ishte 23 vjeç.

39. Nga martesa e dytë Ismail Qemali pati 9 fëmijë, tre vajza dhe gjashtë djem. Vajzat quheshin Myvedet, Alije, Ylvie. Ndërsa djemtë ishin Mahmud Bej, Tahir Bej, Et’hem Bej, Xhevdet Bej, Qazim Bej dhe Qamil Bej.

40. Fjalimi i Ismail Qemalit në pasditen e 28 Nëntorit 1912, Vlorë, zgjati rreth pesë minuta. Fjalimi përmbante 450 fjalë dhe u ndërpre disa herë nga thirrjet e njerëzve që ishin mbledhur në sheshin e qytetit. Ndërprerja më e gjatë e fjalimit të Ismail Qemalit është në momentin që ai nxjerr flamurin dhe e valëvit atë në ajër dhe thotë “Rroftë Shqipëria e Lirë!”.

41. Fjalimi i Ismail Qemalit në Shpalljen e Pavarësisë u lexua i gjithi në gjuhën shqipe. Në të përmendet Shpallja e Pavarësisë, lufta e Skënderbeut, vuajtjet e shqiptarëve dhe së fundi, një lutje drejtuar Zotit që të mbrojë shqiptarët dhe Shqipërinë e Lirë.

42. Fjalia më e veçantë e fjalimit të Ismail Qemalit në Vlorë është: “Zotit të Madh,… të pranojë që këtej e tutje të jem unë dëshmori më i parë i Atdheut, ashtu siç pata nderin dhe fatin që të jem i pari ta puth e ta bëj të valëvitet i Lirë. Flamuri i ynë, n’atdhenë t’onë të lirë”.

43. Vendimi i parë i Ismail Qemalit pas firmosjes së deklaratës së Pavarësisë dhe marrjes së detyrës si kryeministër, është dërgimi i lajmit në të gjitha qarqet e vendit dhe dërgimi i telegrameve në shtetet e mëdha për njohjen e pavarësisë.

44. Ismail Qemali është djali i Mahmut bej Vlorës që disa herë u ndëshkua nga Porta e Lartë dhe i Hadije Hanëmit nga familja e njohur Alizoti e Gjirokastrës. Ismail Qemali kishte një motër dhe një vëlla më të vogël, Sulejmanin. Sulejmani vdiq gjatë internimit që iu bë familjes nga turqit në Selanik, rreth vitit 1871.

45. Kopja e dokumentit të Shpalljes së Pavarësisë, e publikuar në vitin 2007, mendohet se i përket Lef Nosit, i cili në qeverinë e parë shqiptare ishte ministër i Postë-Telegrafës. Teksti shqip i Deklaratës së Pavarësisë përbëhet vetëm prej katër rreshtash dhe janë ato ku thuhet: “Shqipëria të jetë më vete, e lirë dhe e mosvarme”. Më pas vijojnë dy rreshta në turqishten e vjetër.

46. Nga teksti dhe proklamata e Pavarësisë, nga regjimi komunist janë hequr mjaft emra nga firmëtarët e pavarësisë. Por në proklamatë janë hequr edhe disa pasazhe.

47. Kabineti i qeverisë së Vlorës përbëhej nga 10 anëtarë. Kryeministër – Ismail Qemali, Zëvendëskryeministër – Nikoll Kaçorri, Ministër i Jashtëm – Myfit Libohova, i Luftës – Mehmet Pashë Dërralla, i Drejtësisë – Petro Poga, i Arsimit – Luigj Gurakuqi, i Financave – Abdi Toptani, i Bujqësisë – Pandeli Cale, i Post Telegrafit – Lef Nosi.

48. Deri më sot nuk ekziston asnjë fotografi nga momenti i Shpalljes së Pavarësisë më 28 Nëntor të vitit 1912. Ende nuk dihen shkaqet sepse ajo foto mungon. Ndërkohë që fotografia që paraqet ngritjen e flamurit në Vlorë nga Ismail Qemali nuk i përket datës 28 Nëntor 1912, por datës 1 dhjetor 1912.

49. Shpallja e Pavarësisë së Shqipërisë nuk u njoh që më 28 Nëntor të vitit 1912 nga Evropa. Pavarësia e Shqipërisë nga shtetet evropiane u njoh vetëm në vitin 1913, gjithashtu në këtë vit u njoh edhe Ismail Qemali si kryeministër i Shqipërisë.

50. Ismail Qemali e shpalli Pavarësinë për të gjitha trevat shqiptare. Në këtë akt hyn Kosova, një pjesë e Maqedonisë, Çamëria dhe pjesa që u shkëput më vonë nga Mali i Zi. / KultPlus.com

Fjalimi origjinal i Ismail Qemalit më 1912

Oh! Sa të lumtur që e ndiej vehten sot, që shoh, këtu në Vlorë, kaqë burra Shqipëtarë të mbledhur tok, tuke pritur me kureshti e padurim përfundimin e kësaj mbledhjeje historike, për fatin e Atdheut tonë të dashur.

Plot me gaz e me lot ndër sy, nga mallëngjimi, pra, po dal këtu para jush që t’ju gëzoj me sihariqin e madh, se sot, edhe këtë minutë, Kongresi çpalli mëvehtësinë e Shqipërisë, tuke lajm-ëruar gjithë botën mbarë për këtë punë e duke më ngarkuar mua kryesin’ e qeveris së përkohshme të Shqipërisë së lirë.

Porsi ëndër më duket ky ndryshim i madh i vendit t’onë, që hoqi e voi të zezat e të lirit pesëqind vjet me radhë ndënë sundimin turk, por që tani në kohët e fundit, ishte gati të jepte shpirtin përgjithënjë, të shuhej e të çfarrosej krejtësisht nga faqia e dheut, këjo Shqipëri, që, dikur, shkëlqente nga trimërija e pashoqe e bijve të saj; kjo Shqipëri, që kur i kërcënohej rreziku Europës nga pushtimet e Turqisë, ndënë kryetrimin e pavdekur të saj, Skënderbejnë, u bë porta e hekurtë kundra sulmeve më të tërbuara të sulltanëve më t’egër që ka pas Turqija.

Mirëpo, desh Zoti, që me punën, me trimërinë dhe guximin e pashoq të Shqipëtarëvet, sot e tutje të marrin fund mjerimet dhe vuajtjet e Atdheut t’onë, sepse, këtu e kështu, jemi të LIRË të PAVARUR dhe MËVEHTE, prandaj: qeshni e gëzoni! Për t’ia arrijtur kësaj dite të bardhë e të madhe, na ka ndihmuar gjaku i dëshmorëvet dhe puna e vlefshme e patriotëve t’anë dhe e të gjithë shokëve që muarrnë pjesë në këtë mbledhje dhe e të gjithë juve, që tani po ju gufon zemëra nga gazi i madh që ndieni; mirëpo mbledhja si më plak që jam, m’a ngarkoi mua Ngritjen e shënjtë të shënjës t’onë Kombëtare, të flamurit t’onë të ëndërruar e të dashur (nxjerr Flamurin, të cilin e ka të vendosur në një shtizë hekuri, natyrisht të vogël, dhe të pshehur nën pallto dhe passi e mba një sekondë në dorë e ngul në shtyllat e ballkonit. Amatorët, posa e shohin Flamurin thërrasin me gëzim e me zë të lartë: Rroftë Flamuri, Rroftë Shqipërija e Lirë).

Ja, pra, ky është Flamuri Ynë i kuq e me shqiponjën dykrenare të zezë në mest. Dhe tani, të gjithë bashkë, si një trup i tërë dhe i pandarë, le të punojmë për t’a mburuar, për t’a përparuar e për t’a qytetëruar si i ka hije Atdhenë t’onë të Lirë.

Tuke përfunduar, s’më mbetet gjë, veçse t’i drejtoj një lutje Zotit të Madh, që, bashkë me bekimet e Tij që i lipij të na japë për të qenë të denjë të kësaj dite, të pranojë që këtej e tutje të jem unë dëshmori më i parë i Atdheut, ashtu siç pata nderin dhe fatin që të jem i pari ta puth e ta bëj të valvitet i Lirë. Flamuri i ynë, n’atdhenë t’onë të lirë.

Rroftë Flamuri!

Rroftë Shqipërija!