Urimi i veçantë i Kadaresë për ditëlindjen e Helenës: Njeriu që më ka dhënë gjithë gëzimet e kësaj bote

Me atë pamjen e vet hijerëndë apo “nursëze”, siç do të thoshin nga anët e tij, ai gjithnjë e ka nënkuptuar, por në këtë kapitull të jetës, Kadare e pranon me plot gojën se Helenës i detyrohet për gjithçka.

Në vigjilje të ditëlindjes së saj, në një bisedë me studiuesen Alda Bardhyli shkrimtari i madh nuk ka një urim tradicional, por një “pranim” të rolit të jashtëzakonshëm që shoqja e tij e jetës ka pasur në gjithë rrugëtimin e tij, prej ditës së njohjes deri më sot.

Ndonëse thotë se nuk do të ndërmerrte kurrë një aventurë si ajo e përkufizimit të jetës që ka pasur me Helenën apo lidhjen e tyre të veçantë, ai e përfshin atë në “gjërat e bukura dhe të përjetshme”.

Shkrimtari i madh, kandidat për Çmimin Nobel në Letërsi, tha se Helena i ka dhuruar gjithë gëzimet e kësaj bote.

I pyetur se ç’përfaqëson Helena në jetën e tij, ai përgjigjet: “Helena është gruaja më e afërt për mua në këtë botë, që në fillim të njohjes sonë e deri tani, në mbarim, nëse mund ta quajmë mbarim këtë pjesë të fundit të jetës sonë. Helena është njeriu im më i afërt, që më ka dhënë gjithë gëzimet e kësaj bote dhe ndaj së cilës ndihem i detyruar për gjithçka”. 

Ndërsa nuk pranon të përkufizojë atë raport që kanë ata të dy… “Zakonisht, në këtë botë, gjërat e bukura, të mëdha, të përjetshme, nuk e durojnë dot përcaktimin në fjali gjuhësore, në fjalë, mekanizmat gramatikorë të një gjuhe, prandaj nuk do ta merrja përsipër një aventurë të tillë”, thotë Kadare.

Helena Kadare

Jo vetëm bashkëshortja e një shkrimtari të madh… Helena Kadare nuk është thjesht bashkëshortja e një njeriu të madh. Ajo është një nga ato shkrimtare shqiptare, që theu tabu në kohën e saj. Në historinë e letrave shqipe para dhe pas viteve ‘90, emri i Helena Kadaresë do të shfaqet shpesh jo vetëm si një prozatore që i erdhi vendit në kapërcyell të viteve ‘70 (romani i saj i parë “Një lindje e vështirë” u botua në vitin 1976, për të vijuar me “Një grua nga Tirana” dhe “Bashkëshortët”), por dhe si një shqipëruese (kryesisht pas viteve ‘90) gati par ekselencë që kanë pasur letrat shqipe.

Ndoshta se shkrimtarja brenda saj e bënte më të ndjerë përkthimin, a ndoshta se, ashtu siç shprehet dhe vetë, ka përkthyer gjithnjë shkrimtarë e libra që i ka dashur. Kur një libër lë ndjesi të jashtëzakonshme tek ajo, nuk mjaftojnë vetëm bisedat me miq për ta treguar. Ajo do ta bënte të njohur në shqip nobelistin polak Isaac Bashevis Singer, ashtu siç do shpaloste botën e madhe japoneze përmes prozës së Ysushi Inoue.

Por, pa dyshim, libri i saj më i njohur dhe me shumë gjasë më i lexuari e diskutuari është “Kohë e pamjaftueshme”, një libër me kujtime, i cili pasi u botua për së pari në gjuhën frënge, u botua edhe në shqip nga shtëpia botuese “Onufri”. Një libër prej 730 faqesh, ku shkrimtarja dhe bashkëshortja e Ismail Kadaresë tregon kujtimet e saj, që kur ishte çupë në Elbasan e mësonte përmendësh vjershat e një shkrimtari të ri, i cili studionte në Moskë e që fati e deshi të bëhej bashkëshorti i saj.

Jeta e Helena Gushit, më vonë Kadare, nuk qëlloi si e gjithë të tjerëve. Fati i kishte rezervuar një tjetër jetë, të cilën ajo e kish ëndërruar sa herë. Kur ishte gjimnaziste, e mori të parën letër nga Is, siç i thotë ajo, por që nuk e kishte menduar kurrë që do të ishte e tillë, e mbushur me aq shumë emocione. Ishte bashkëshortja e njeriut që do ta nxirrte Shqipërinë nga izolimi përmes veprave të tij, edhe atëherë kur diktatura ishte në kulmin e saj.

Ndjesi personale në krah të një njeriu jo edhe aq të thjeshtë, që nga puthja e parë, te xhelozitë, zënkat, e deri te netët pa gjumë për një roman që pritej të dilte. Në këtë libër është sa jeta e saj, aq edhe jeta e shkrimtarit shqiptar më të njohur në botë, atë me Me atë pamjen e vet hijerëndë apo “nursëze”, siç do të thoshin nga anët e tij, ai gjithnjë e ka nënkuptuar, por në këtë kapitull të jetës, Kadare e pranon me plot gojën se Helenës i detyrohet për gjithçka. sytë e një gruaje, që e deshi gjithë jetën dhe madje sakrifikoi për hir të karrierës së tij.

Helena Kadare mund të kishte shkruar shumë më shumë e të ishte bërë shumë herë më e njohur si krijuese, por ajo zgjodhi që në familjen e saj talenti i padiskutueshëm ishte Ismaili. Kadare është diskutuar gjithnjë si shkrimtari që kishte një marrëdhënie shumë delikate me diktaturën. Në kujtimet e saj, Helena tregon për mbledhjet e Lidhjes së Shkrimtarëve, plenumet, ankesat, kritikat, ndalimet e librave… të gjithë atë periudhë ankthi, kur të gjithë mendonin se u erdhi fundi edhe atyre, kur njerëz pyeteshin në hetuesi për lidhjet e mundshme “agjenturore” të shkrimtarit, vizitat e tij në Francë..

Marrëdhëniet me pushtetarët të treguara në mënyrë direkte ose indirekte, me Enver dhe Nexhmije Hoxhën, Ramiz Alinë, fëmijët e Kryeministrit të vetëvrarë, Mehmet Shehu… një jetë e jashtëzakonshme, që ndoshta ajo nuk e dinte që do ta kishte kur u njoh për së pari me Ismailin, por pranoi me gjithë dëshirën ta jetonte. E sot, në ditën e lindjes së saj, ai e pranon se asaj i detyrohet gjithçka dhe për një burrë si Kadare, do të thotë shumëçka./ Panorama / KultPlus.com

Kadare dhe mëkatet e Karl Marksit

Bledar Kurti sjell Kadarenë ndryshe në librin KAFE ME MJESHTRIN , botimet Onufri. Një  bisedë prej tri orëshe të autorit me Ismail Kadarenë, por që përmblidhet në një rrëfim tejet të veçantë ku në këtë bashkëbisedim përfshihen çështje të rëndësishme për fajet e kombit, krimet e diktaturës, përvojat personale të autorit, rrëfime ngjarjesh të vërteta drithëruese dhe rrëqethëse mbi eksodin e vitit 1991, dhe trajtim i tematikave më të rëndësishme të letërsisë në tërësi, por edhe në veçanti mbi rolin e Kadaresë si ndërgjegjja e një kombi në diktaturë dhe ditët e sotme; raporti i tij me Shqipërinë, Gjirokastrën, artin dhe letërsinë, e shumë tematika të tjera të rëndësishme mbi mjeshtrin dhe kombin.

Bledar Kurti

“Ai mjekërbardhi e ka fajin, Bledar, ai mjekërbardhi”, – tha mjeshtri dhe ktheu kafenë me fund. – “Ai, ai. Prej tij e trashëguam atë tragjedi”. Unë tunda kokën në shenjë pohimi dhe vura në punë motorët e intelektit se për kë e kishte fjalën. “Ai mjekërbardhi, me Manifesti komunist dhe Das Capital-in e tij. Ai, Karl Marksi, ishte shkaktari i gjithë asaj marrëzie. Bashkë me atë sifilistin tjetër. Me Leninin. Me atë sifilist të shëmtuar. Vdiq i verdhë dhe i shpërfytyruar. Ishte e ndaluar të komentohej për shëndetin e tij. Kushdo që do të fliste, do të vritej, ndaj u tha se vdiq nga një paralizë. Por e vërteta është se vdiq nga sifilizi. Sifilizi që zuri nga një prostitutë. I shëmtuar i gjallë, më i shëmtuar i vdekur, ai verdhacak i shpërfytyruar, bashkë me atë mjekërbardhin lindën përbindësha që vranë artistët. I vranë. I vranë në rrugët e Kinës, i mbytën në puse në Rusi, i burgosën dhe i pushkatuan në Shqipëri. I vranë shkrimtarët. Ai mjekërbardhi e ka fajin. Ai bashkë me atë sifilistin. A e mban mend? Sa vjet ke jetuar nën atë marrëzi?” Vura re që buzët i ishin tharë nga neveria dhe vreri që sapo kishte nxjerrë nga goja, por që e dija që buronin nga kthina më të thella të shpirtit dhe të kujtesës.

Sigurisht që e mbaja mend. Si mund të harroja vitet pa ushqim mbi tavolinë, pa rroba për të veshur, pa lodra për të luajtur. Sigurisht që i mbaja mend gozhdët në këpucët e shqyera tre numra më të mëdha (që t’i përdorja për shumë vjet), të cilat më gjakosnin këmbët çdo ditë. Më kujtohej fare mirë qumështi që pija një herë në vit, pasi mbaja radhën që në dy të mëngjesit për një shishe të vetme njëlitërshe. Më kujtohet edhe histeria e një kombi të tërë për të vajtuar vdekjen e Përbindëshit. Mbaja mend sesi na detyruan në klasë që të qanim me dënesë dhe sesi mësueset garonin se cila e ngrinte më lart zërin e vajit dhe derdhte më shumë nga lotët e dhimbjes për humbjen e diktatorit. Këto kujtime kanë qenë gjithmonë reale për mua. Një fëmijë mund të jetojë me pak bukë të fortë e çaj mali të zier, siç jetova unë dhe të gjithë shokët e mi, mund të veshë një palë pantallona të arnuara që nga klasa e tretë deri në të tetën, por një fëmijë nuk mund të privohet nga ngjyrat. Komunizmi na privoi nga ngjyrat. E gjithë Shqipëria ishte vetëm gri dhe e zezë. Ngjyrat e purgatorit dhe të ferrit. Çdo imazh e fasadë ishte e shpëlarë dhe e pangjyrë, duke stimuluar një gjendje kome kombëtare. Ferri ishte i vërtetë. Ferri ishte këtu.

I vetmi ushqim që kishim me ngjyrat ishte përmes librave të artit. Por këta ishin luks që vetëm mund t’i ëndërronim. Edhe kur i kërkoja ndonjë të afërmi që punonte në marinën tregtare të më sillte ndonjë libër arti, në kthim oficerët e kufirit në port inspektonin me imtësi dhe konfiskonin të gjithë ata libra që kishin piktura nudo, ose i lejonin marinarit të zgjidhte vetëm një faqe dhe pastaj librin e hidhnin në det apo e ruanin për vete për t’u masturbuar në darkë me ato kryeveprat që ishin më ndjellëse. Ky ishte koleksioni im i parë i artit. Faqe të zhubrosura të grisura nga librat. Në një komodinë pranë krevatit tim kisha Mona Lisën në një faqe me cepa të grisur, në një tjetër Davidin e Michelangelo-s të grisur në mes dhe në një tjetër Rojet e natës të Rembrandt-it me figurat anësore që mungonin nga tabloja. Ato ishin ngjyrat e mia të para në mes të atij terri që kishin pjellë ai mjekërbardhi dhe sifilisti, siç i quante mjeshtri.

“Ka ende mbetje të atij regjimi. Ndaj edhe po pengohemi të shkojmë drejt Europës. Nuk e duan integrimin e Shqipërisë. Duan ta çojnë deri në fund misionin e tyre. Ta mbajnë nën kthetra këtë vend. Ta mbajnë ende të burgosur”, – shtoi mjeshtri me inat.

Gjatë këtyre dy dekadave postkomuniste të gjithë shqiptarët tashmë e kanë kuptuar që porta drejt Europës nuk është kyçur nga jashtë, por nga brenda. Me çelësat varur në ushkurët e brekusheve të pushtetarëve tanë provincialë, apo cilësdo relikte të atij regjimi që prodhoi mjekërbardhi, shqiptarët vazhdojnë t’i shtyjnë ditët e tyre nën realitetin e dhimbshëm të mbijetesës dhe me Europën shpëtimtare vetëm si një ëndërr.

Europa është një zonjë sharmante e cila pranon në shtrat si kontin ashtu edhe mullixhiun, por kurrsesi jo varrmihësit e shpresës. Dhe ne kemi shumë të tillë.

Nuk mund të fitohet liria me gardianë ëndrrash. Nëse mbetemi ende nën vargonjtë e pjellës së mjekërbardhit, një agim të ri shqiptarët do të zgjohen dhe do të kuptojnë që kanë mbetur pa atdhe, pa fe, pa emër, pa histori, pa kujtesë dhe pa shpresë. Shtëpitë e tyre do të jenë shndërruar në kurvëtore, ndërsa bijtë dhe bijat në kodoshë e lavire Babilonie. Në atë agim zgjimi, bastardëve dhe tradhtarëve të sotëm do t’u jenë ngritur monumente heronjsh, ndërsa heronjtë e vërtetë do të jenë tredhur si eunukë oborresh të lashta. Shqiptarët do të vajtojnë dhe do të mbulojnë kokën me dhé, ngaqë ajo profeci e së ardhmes u përmbush vetëm sepse ata sot mbetën duarkryq, vetëm sepse sot, në ditët e përhumbjes dhe ofshamës së madhe, ata zgjodhën të bëjnë asgjë për t’u spastruar nga demonët e së shkuarës.

Unë e besova mjeshtrin kur më tha se disa nga pjellat e mjekërbardhit luftojnë ende të mbajnë peng Shqipërinë. Në vitin 2009 mora një telefonatë anonime (numri ishte francez, por jam mëse i sigurt që ishte vetëm për mbulim) dhe përmes telefonit një zonjë nisi të më kërcënonte për shkrimet e mia në gazeta. Ndër shumë fjalë intimiduese e provokuese, një pyetje në veçanti më bëri vërtet habi: “A jeni komunist, z. Kurti?”

Në atë kohë unë isha 32 vjeç, pak vjet kisha që isha kthyer nga studimet në Angli dhe isha lektor universiteti. Gjëja e fundit që prisja nga cilado parti apo cilido faktor politik, social, qoftë edhe exclusif, ishte pyetja “A jeni komunist?”.

Hera e fundit që më ishte bërë kjo pyetje ishte në vitin 1989. Pra, njëzet vjet më përpara. Një fundverë unë i kërkova babait të më çonte në kampin e pionierëve në Pogradec. Im atë, kundrejt dëshirës së një fëmije dymbëdhjetë vjeçar për të shkuar me shokët në kamp dhe për të provuar bukë me reçel e gjalpë që nuk mund ta siguronte në shtëpi, mori pará hua dhe ma plotësoi dëshirën. Dy ditë pasi arrita në kampin e pionierëve në Pogradec, dëgjuam borinë që binte papushim për të na mbledhur në sheshin e kampit. Me qindra fëmijë u rreshtuan në vijë të drejtë. Drejtori i kampit vërtitej nga njëra anë në tjetrën të rreshtit duke britur: “Dëgjoni të gjithë. Pasnesër vjen në Pogradec shoqja Nexhmije Hoxha dhe kryeministri i Republikës Socialiste Popullore të Shqipërisë, shoku Adil Çarçani. Dua dhjetë vajzat më të bukura dhe më të zgjuara për t’u dhënë lule të gjithë anëtarëve të Byrosë Politike dhe një djalë të pashëm për t’i dhënë lule shoqes Nexhmije Hoxha.” Dhe vazhdonte të vërtitej nga njëra anë në tjetrën në rreshtin me qindra fëmijë.

Pasi zgjodhi dhjetë vajzat më të bukura, me sa duket, edhe më të zgjuarat a ku ta di, isha thjesht një fëmijë, drejtori i kampit i pa djemtë në sy një nga një. Pasi skanoi të gjithë rreshtin, drejtoi gishtin nga unë dhe më thirri t’i afrohesha. Eca me ngadalë, i frikësuar dhe i habitur drejt tij. Dhe ja, erdhi ajo pyetja që do të më bëhej njëzet vjet më vonë, “A je komunist?”, dhe më vuri dorën mbi sup. Do të ishte e pavërtetë nëse do t’ju thosha që ky ishte ai akti i shpagimit tim, pasi nuk ishte i tillë. Unë nuk u përgjigja, thjesht nga fakti që nuk e kuptoja ç’do të thoshte komunist. Në familjen time nuk kisha dëgjuar se ishim komunistë. Ndaj heshtja ime ishte një heshtje fëmijërore dhe jo heroike.

Pas dy ditësh, i veshur me rroba të reja, me shall atllazi të kuq të lidhur në qafë, dhe pas atij trajtimi të veçantë që na ishte bërë në mensë, duke na dhënë dy racione gjalpë dhe reçel, e jo një si zakonisht, erdhi dita e dhënies së tufave me lule. I gjithë populli i Pogradecit kishte dalë të brohoriste dhe të tundte flamurët: “Parti-Enver jemi gati kurdoherë. Parti-Enver jemi gati kurdoherë.” Makina të zeza ndaluan në fillim të bulevardit dhe me t’u hapur dyert, vajzat u nisën nxitimthi përpara kohës që na ishte caktuar, me tufa lulesh në duar, edhe unë nxitova pas tyre. Në atë eufori nuk isha gjëkundi afër Nexhmijes dhe mbeta me lule në dorë. Gjeta një shteg në mes të tjerëve dhe hyra e u përballa me një zonjë që ishte shumë më e re se Nexhmije Hoxha; ia dhashë asaj lulet. Byroja politike nisi të ecte drejt njerëzve dhe unë arrita ta fsheh dështimin tim duke u përzier me të tjerët.

Pasi u ulën në karriget e caktuara e të sistemuara në oborrin e Kavalishencës, nisi shfaqja me muzikë e kërcime popullore. Unë isha përzier me fëmijët e tjerë në rreshtin e parë. Në një moment të caktuar, Nexhmija më sheh dhe më drejton gishtin. Adjutantja e saj m’u afrua menjëherë, më tërhoqi nga krahu dhe më çoi tek ajo. Me t’u afruar, më puthi në faqe dhe më uli në prehër. Pavarësisht se isha thjesht një fëmijë, në ato momente arrita të kuptoj që unë, familja ime dhe të gjithë shqiptarët, nuk ishim privuar vetëm nga ngjyrat, por edhe nga ndjesitë njerëzore, si nuhatja dhe prekja. Shoqja Nexhmije kishte hedhur një parfum, aromën e të cilit nuk di edhe sot se si ta përshkruaj. Unë u shtanga i tëri. Nuk kisha nuhatur asgjë të tillë aq të ëmbël në jetën time. Mamaja, halla, gjyshja, tezja dhe asnjë femër në familjen time apo mësuese në shkollë nuk mbanin parfum, sepse nuk kishte të tillë, qoftë edhe një të lirë, e jo më si ai i Nexhmijes e cila ndoshta e kishte blerë në Paris apo në vende të tjera luksi. Kur më përqafoi, ndjeva edhe këmishën e saj ngjyrëblu prej mëndafshi, e cila ishte aq e butë sa edhe petalet e trëndafilit nuk do t’i bënin drejtësi. Pasi më puthi disa herë dhe më mbajti gjatë në prehër, më kërkoi të shkoja te kryeministri. Adil Çarçani më puthi plot jargë në faqe dhe më drejtoi për nga fëmijët e tjerë.

Parfum dhe mëndafsh. Dhe një fëmijë dymbëdhjetëvjeçar.

Teksa gratë shqiptare lanin me govatë leckat e trasha të menstruacioneve, lanin veten me kovë dhe me një sapun të zi që më shumë rripte lëkurën sesa tretej vetë, teksa partia e punës bënte plane se si të prodhonte parfumin “Sqetulla e kooperativistes”, paria e vendit më të varfër të Europës fshihte marrëzinë me parfum dhe me mëndafsh të blerë në Champs-Élysées.

“Të gjitha kafshët janë të barabarta. Por disa kafshë janë më të barabarta sesa të tjerat”, – shkroi George Orwell te Ferma e kafshëve, ku shtjellon më së miri historinë e derrave me parfum dhe mëndafsh, dhe të kafshëve që ngordhën ashtu siç ngordhëm edhe ne për gjysmë shekulli.

“Mjekërbardhi”, – tha mjeshtri Kadare. – “Ai Marksi, mjekërbardhi. Ai e ka fajin. Bashkë me Leninin, me atë sifilistin e shëmtuar”. Më shumë se njëqind milionë viktima sollën idetë gijotinë të mjekërbardhit dhe dyqind shkrimtarë shqiptarë, dyqind levitë të fjalës u pushkatuan, u varën, u burgosën dhe u torturuan me mënyrat më çnjerëzore.“Mjekërbardhi”, – tha mjeshtri dhe me zemëratë i përmendte emrin./Gazeta Liberale

Ismail Kadare: Letër presidentit George Bush

President i SHBA
9 Paris, 11 shtator 1991

Zoti President,
Dy vjet më parë, më 1989, kur jo vetëm në vendin tim por në gjithë perandorinë e Lindjes, diktatura komuniste ishte ende në këmbë, me mikun tim, laureatin e çmimit Nobel të paqes, Elia Weisel, ju kam dërguar një letër. Në atë kohë, për një letër si ajo, në Shqipërinë komuniste dënoheshe me vdekje, megjithatë unë e ndjeva për detyrë t’ju drejtohesha juve, presidentit të shtetit më të fuqishëm demokratik të botës, për t’ju kërkuar ndjesë në emër të popullit shqiptar, për qëndrimin armiqësor që mbante qeveria komuniste shqiptare ndaj SHBA. ju shkruaja, midis të tjerash, në atë letër se populli shqiptar, në kundërshtim me sunduesit komunistë, kishte ndjenja të thella mirënjohjeje për SHBA dhe ju lutesha Juve, që pa ia vënë veshin fyerjeve të Tiranës të vazhdonit të ndihmonit këtë popull martir, si atë që vuante brenda kufijve të shtetit, si gjysmën tjetër të tij, që vuante në Jugosllavi.

Dhe ja, pa u mbushur dy vjet, në marrëdhëniet amerikano-shqiptare ndodhi e pabesueshmja. Kur Sekretari i Shtetit, Baker, u prit në mënyrë madhështore në Tiranë, isha i lumtur të vërtetoheshin fjalët që ju kisha shkruar më 1989, që në atë kohë mund të tingëllonin si fantazi shkrimtari, se SHBA do të ketë te populli shqiptar, një mik të zjarrtë e të përhershëm. Nga ana e tyre, shqiptarët të zhgënjyer nga ato lidhje të mbrapshta në të cilat i çuan komunistët, janë sot më të etur se kurrë për miqësi të vërtetë.

Zoti President, sot kur një pjesë e botës, e sidomos ajo pjesë që posa është shkëputur nga e kaluara komuniste, po përpëlitet e s’gjen dot qetësi, njerëzimi mbarë përcjell me adhurim përpjekjet tuaja fisnike për rregullimin e saj. Në këtë kahje, jo vetëm si shkrimtar e qytetar shqiptar, por edhe si njeri që dëshiron një botë më të përkryer, ju drejtohem Juve, burrit të shtetit me të cilin e ardhmja e botës ka një lidhje të drejtpërdrejtë.

Për shumë dekada, një pjesë e botës në aksionet e saj politike e diplomatike, përballë problemeve të mëdha ka qenë shpesh herë e paralizuar prej dogmave dhe tabuve. Në emër të një stabiliteti e qetësie false, këto dogma shpalleshin të shenjta e të pandryshueshme, paçka se kombe e popuj të tërë, të rrëzuar prej fatit, njëlloj si titanët e dikurshëm, vuanin e rënkonin prej tyre. Tani është e qartë për cilindo, se ajo qetësi dhe stabilitet, që përligjej nga formulat gjoja të shenjta, nuk ka qenë veç një harmoni e gënjeshtërt. Nuk do të zgjatem për gjëra që ju i dini më mirë se kushdo dhe, prej të cilave jeni shqetësuar si rrallë kush. Do të dëshiroja vetëm që të tërheq edhe një herë vëmendjen tuaj, Zoti President, për popullin me fatin më tragjik, të krejt kontinentit evropian: shqiptarët.

Ky është i vetmi popull në historinë e Europës, që pas dy mijë vjetëve jetë u nda më dysh, që në fillim të shekullit të XX-të prej Fuqive të Mëdha. Ky është i vetmi komb, që në këtë shekull u shtyp prej dy diktaturave më të egra, që ka njohur bota: diktaturës së komunistëve shqiptarë dhe diktaturës së komunistëve serbë.

Ky gjymtim e kjo shtypje dyfishe, e ka lodhur dhe e ka dëmtuar rëndë këtë komb. Tani, gjysma e tij, ajo që jeton brenda kufijve të shtetit shqiptar, është duke e fituar më në fund lirinë. Por gjysma tjetër, ajo që ende ndodhet nën komunistët serbë, është në zi dhe në mjerim.

Zoti Presidenti SHBA! Mendoj se është e palejueshme dhe në kundërshtim me të gjitha ligjet e natyrës, të së drejtës universale dhe të Zotit, që ky komb të vazhdojë e të jetë i dënuar kështu. Dhurata që iu bë terroristëve serbë që vranë më 1914 në Sarajevë, dukën Ferdinand të Austro-Hungarisë, duke u dhënë si shpërblim gjysmën e  Shqipërisë, është një nga krimet më të rënda në historinë e njerëzimit. Sa më shpejt që bota e qytetëruar ta çlirojë veten e saj nga ky krim, aq më mirë do të jetë.

Kur ju shkruaj këto fjalë, unë nuk mendoj kurrë, që paqja dhe mirëkuptimi i sotëm i arritur me aq mundime, të rrezikohen për shkak të shqiptarëve. As nuk parashtroj kërkesa për veprime të ngutshme, brutale ose sensacionale. Ajo që dëshiroj të shtroj para jush është kërkesa për një ndryshim parimor në qëndrimin ndaj popullit shqiptar. Në mbarim të këtij shekulli, përpara shqiptarëve po ngrihet shansi historik, shansi që të korrigjohet faji që u bë ndaj tyre në fillim të shekullit.

A do të pranohet prej botës së sotme të qytetëruar e drejta e këtij populli, që të jetojë bashkë, në të njëjtën shtëpi, si të gjithë kombet apo do t’i mohohet kjo e drejtë, në emër të tabuve ose të gjumit të qetë të dikujt?

Në qoftë se në vizionin e Europës së nesërme pranohet kjo ide, mendoj se edhe mjetet demokratike për zgjedhjen e saj në mënyrë paqësore, diplomatike, njerëzore, pa dhimbje e gjak për kërrkënd, mund të gjenden. E tmerrshme është se gjer më sot kjo ide nuk është pranuar. Por në kohën tonë, në kohën e triumfit të të drejtave të njeriut, triumf në të cilin SHBA kanë një vend nderi, të mos pranosh një ide të tillë, do të thotë të pajtohesh me të kundërtën.

Me një krim të tillë në ndërgjegje, bota e lirë s’mund të flejë e qetë. Ndonëse nuk do të doja ta mbyllja këtë letër me diçka të zymtë, s’mund të rri pa ju thënë se shqiptarët e Kosovës i kanë bërë thirrje për ndihmë gjithë botës: një masakër e përgjakshme po përgatitet kundër tyre.

Shpresoj, Zoti President i SHBA, se ju do të bëni gjithçka, për të ndaluar këtë krim të paralajmëruar, tashmë, nga shumë drejtime.

Duke ju falënderuar edhe një herë, ]u personalisht dhe shtetin tuaj të madh, për vëmendjen ndaj popullit tim, shpresoj Zoti President, se midis punëve dhe problemeve tuaja të shumta, do të vazhdoni të interesoheni për fatin e popullit tim martir.

Pranoni, Zoti President, shprehjen e respektit tim më të thellë.

ISMAIL KADARE