Premiera e dramës ‘Aroma e hënës’ hapi sezonin vjeshtor në TKK, shpalos problematikën thelbësore të shoqërisë kosovare

Drama “Aroma e Hënës” erdhi fuqishëm me ngrehjen e problematikave thelbësore që janë të rrënjosura thellë brenda shtetit të Kosovës, me ç’rast pyetjet se kush është ky vend, çfarë duam në këtë vend dhe çfarë presim nga ky vend, nëpërmjet gërshetimit të fakteve politike ditore si dhe atyre mediale, hyrën thellë brenda mendimeve njerëzore të pranishme duke ngacmuar atë ‘mjegullën’ që ka kapluar popullin. E kjo u shpalos pikërisht në premierën e shfaqjes “Aroma e Hënës”, sipas dramës me të njëjtin titull të Mehmet Krajës, që njëherazi është pjesa e tretë e trilogjisë “Hëna prej Letre”, e që vjen nën regjinë e Rozi Kostanit, për të shënuar kështu hapjen e sezonit të ri vjeshtor në Teatrin Kombëtar të Kosovës, shkruan KultPlus.

Gjithçka nisi kur numri i madh i të pranishmëve, ngadalë po mbushte sallën e Teatrit Kombëtar e i cili tërë kohës po shoqërohej nga meloditë drithëruese që dëgjoheshin ende pa filluar shfaqja. Në skenë, e vendosur si një simbol preciz i shfaqjes, ishte edhe hëna për të portretizuar pjesën e tretë të triologjisë të titulluar “Hëna prej Letre”. E kjo hënë e cila së bashku me shfaqjen që ndërronte formë, përmes zhvillimit të saj, njëkohësisht vinte dritë mbi shqetësimin e madh kolektiv të shoqërisë tonë, e i cili mbetet vdekja e empatisë njerëzore që dita ditës po shpërbëhet.

Protagonisti kryesor i kësaj shfaqje, aktori Ismet Azemi, i cili shfaqet me nofkën “Prokulsakati”, identifikohet si njëri prej pronarëve të një gazete në Kosovë i cili lufton për vendin e vetë. Në një vend ku njeriu kërkon lirinë hap pas hapi, ai humb veten duke e kërkuar atë dhe jo vetëm. E vërteta, e drejta, liria, lumturia e ëndrra për lirinë, duket se nuk kanë vend në redaksinë e gazetës e aq më pak në misionin e tij për të ndjekur rrugën drejt së ardhmes e për ti dhënë një kuptim lirisë.

“Aroma e Hënës”, dramë e cila vë në pikëpyetje lirinë e fituar nga lufta dhe lirinë demokratike, pasqyron realitetin në të cilin po jetojmë. Por mbi atë pikëpyetje vendoset një tjetër pikëpyetje më e madhe; ‘A do të ndahet Kosova apo jo?’, e që nëpërmjet lojës mjeshtërore të kastës së aktorëve, dilema se a do të shiten vuajtjet e dhimbjet e popullit për pesë euro, të frymojë jo vetëm në skenën e Teatrit por edhe në publik.

Ndërlidhja e mahnitshme e përjetimeve personale të personazheve në skenë si dhe historisë tonë reale, shtyu që kjo shfaqje e cila fton publikun që të jetë pjesë e saj, të prek thellë në zemrën e problematikës kryesore të shoqërisë tonë.

Për të ndërgjegjësuar publikun e gjerë më tutje, shfaqja vë në fokus lirinë e ëndërruar të njeriut, një liri që ndoshta nuk është e drejtë për tu përjetuar apo ndoshta edhe nuk është e merituar fare. Këto dilema herë shfaqen si arritje e të vërteta idealiste e herë si histori të cilat ngërthejnë në vete anët më negative të mundshme të perceptimit të ndjerë të lirisë.

Me dialogun e personazheve të cilët në qendër kanë lirinë e tashme në të cilën jemi duke jetuar, ata gërmojnë në të kaluarën për t’iu vënë pas një shpjegimi të panjohur, por ndoshta ai gërmim në të kaluarën rrezikon kohën e tanishme apo edhe të ardhmen, duke dërguar kështu në një fatalitet. Kurse, në anën tjetër dialogjet njëkohësisht thumbonin pikërisht në mendjen, zemrën dhe shpirtin e pranishëm.

Ndërsa, për të treguar më shumë rreth përshtypjeve të saj për shfaqjen, për KultPlus foli regjisorja Rozi Kostani.

“Të gjitha elementet që sjell demokracia janë të dyshimta dhe ne kemi dashur të ngremë pikëpyetjen e fuqishme se a do të ndahet Kosova apo jo. Janë disa thirrje e ulërima të ujkonjës të brendshme, të thella për të arritur empatinë ndër ne sepse po bëhemi të ftohtë si akulli”, thotë ajo.

Sipas saj, shfaqja ka pasur një komunikim kulturor me audiencën dhe në fakt është arritur të realizohet dinamika e përçimit të ideve dhe mesazheve, pra ngacmimit të ndërgjegjësimit të popullit.

“Në teatër vihet për të menduar, për të reflektuar, për tu thelluar e për tu angazhuar me një pikëpyetje. Kur njeriu humbet forcën e gravitetit, ne shkojmë lart por të shkuar lart ne duhet të shohim poshtë dhe ky lloj raporti me universin, është ajo pikëpyetja që kanë këto personazhe brenda vetes”, përfundon Kostani.

Kurse, protagonisti kryesor i kësaj shfaqje, aktori Ismet Azemi, i cili shfaqet me nofkën “Prokulsakati”, për KultPlus tregoi përshtypjet e tij rreth shfaqjes,

“Me thënë të drejtën tani e dy muaj ditë kemi qenë shumë të angazhuar në këtë punë, por unë besoj se kjo puna jonë, kreacioni jonë artistik në dramën e Krajës, ishte një realizim që komunikojë me publikun. Ne bëmë përpjekje ta ndjejmë, dhamë shumë energji, u kënaqëm dhe shpresojmë që kjo shfaqje të ketë jetë më të gjatë”, thotë Azemi.

Po ashtu, aktori Shpëtim Kastrati foli rreth rolit të tij, të cilin ai e konsideron koxha të vështirë për tu luajtur.

“Një shfaqje shumë kompleksive, e në fakt ato personazhe që përpëliten në skenë, fatkeqësisht ndodh edhe në jetë dhe janë shumë aktuale që do të thotë se asnjë nuk është i lumtur e andaj shumica përfundojnë në fatalitet”, thotë Kastrati.

Sipas tij, roli i tij ishte një rol shumë i vështirë për arsye se personazhi është një person i mbyllur në vetvete dhe prandaj edhe është shumë problem të qëndrosh në skenë e të thuash shumë pa fol asgjë.

Gjithashtu, Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, për KultPlus foli rreth përshtypjeve të tij për shfaqjen, të cilën e konsideron të një cilësie të lartë.

“Besoj se ishte një dramë politike me një përshkrim goxha të saktë të realiteti tonë në të cilin jetojmë edhe sot por sidomos për dy dekadat e fundit. Besoj që kombinimi i tekstit me regjinë të dy njerëzve me shumë vlerë, ka sjell një cilësi shumë të lartë të lojës dhe loja e mirë e aktorëve të njohur të skenës teatrore e bëri që sonte të kemi një përjetim të veçantë”, thotë Çeku.

Sipas tij, ishte premiera e shfaqjes, dhe ai beson që me cilësinë që është parë sonte, atëherë do të ketë mjaft shumë publik në reprizat e ardhshme, në kuadër të kalendarit kulturor me Kosovës dhe Shqipërisë.

“I përgëzoj të gjithë që kanë qenë sonte pjesë e kësaj shfaqje dhe besoj se sonte e kemi dhënë një dëshmi që Teatri Kombëtar i Kosovës është duke prodhuar një cilësi shumë të lartë artistike”, përfundon Çeku.

Ndërkaq, shfaqja “Aroma e Hënës” këtë muaj do të ketë edhe katër repriza në Teatrin Kombëtar të Kosovës dhe pastaj rikthehet përsëri në muajin dhjetor si dhe më pas do të paraqitet edhe në Teatrin Kombëtar të Shqipërisë. / KultPlus.com

“Kosovatrans” për orientimin e timonit të një Kosove në tranzicion

Teatri i Podujevës “Avdush Hasani”, mbrëmë u ngjit në skenën e Teatrit të “Dodona” me shfaqjen teatrore “KosovaTrans” të autorit Naser Shatrolli, shkruan KultPlus.

Gili Hoxhaj
Fotografitë: Blend Cakolli

Flamuri, një burrë flokë lëshuar me hijen e një komandanti erdhi mbrëmë në lojën e aktorit Ismet Azemi. Dikur e quanin Tarzan dhe mbi kokë mbante kapelën e komandantit të luftës, e sot mban kapelën e një punëtori të ndërtimtarisë. Edhe në rrobat e tij të një punëtori, ai ende në veshjen e tij mban simbolikën e asaj çfarë e karakterizoi kontributin e tij, në një dekadë më parë. Lavdia që e gëzonte dikur nga kolegët, sot i është kthyer në përbuzje e injorim, ai madje e ndjente dëshirën e tyre për ta parë atë prapa grilave. Aty edhe pret që dikur të vijnë ta marrin.

Arafati, i cili vjen përmes lojës së aktorit Faris Berisha, mban në duar një top basketbolli, e me hapa të ngadaltë ngjitet për të ndjekur punën e Flamurit. I rritur në mërgim, i biri i një gazetari të “Rilindjes”, raportimi i të cilit prekte edhe Palestinën, e vetmja trashëgimi e pikëpamjeve të babait është emri që ai e mban, e për të cilin nuk ndan asnjë ndjenjë te veçantë. Patriotizmi i babait si mërgimtar, e i këtij njeriu përballë i duket tejet patetik. Për Arafatin i cili është rritur në Zvicër është e pazakontë ta shoh Flamurin, teksa punon edhe në këtë ditë të diele. Ai vjen e gjen këtë vend plot përmendore, e fotografi heronjsh në figurën e të cilëve shpesh ngrit dyshime.

A luftuat për të uzurpuar prona apo për të çliruar prona? pyet i riu heroin e gjallë?, i cili tashmë po ndërton një hotel të cilin thotë se do t’ua lë fëmijëve, ndërsa në shtëpinë e tij nuk numëron asnjë anëtarë të familjes. A jeni heronj siç dukeni në fotografi apo tinëzi fotoshopi?, është pyetja tjetër e cila duket sikur e tund qenien e komandantit, i cili nxjerrë ofshamë të lehtë për t’i treguar këtij të riu rreziqet që ai ka ndjekur për të parë këtë ditë. Derisa komandanti nxjerrë të pestën pije të birrës për ta pirë pa asnjë ndalesë, i riu i ofron realitetin e jetës moderne të cilën e jeton në Zvicër, në një kulm me djalin, ish-gruan, e burrin e ish-gruas i cili ishte një izraelit. Ky realitet i largët e i trishtë, komandantit shpesh ia ngrys vetullat.

Dramaturgu Naser Shatrolli tregoi për KultPlus se kjo shfaqje artikulon një metaforë të një Kosove në tranzicion, e cila dëshmon se kush është ai i vërteti që duhet ta ketë timonin e Kosovatransit në të ardhmen e afërt dhe të largët.

“Kjo shfaqje tregon se ky është destinacioni i Kosovës në të ardhmen, se a do të ngelet vetëm në një rreth vicioz i cili sillet në rrota dhe nuk po mund të qëndronte në bazamentin e tij”, tha Shatrolli, i cili shtoi se për ta plotësuar këtë, ai ka dashur që shfaqja të ketë një skenografi në funksion të veprimit të aktorëve. Ai tha se përmes kësaj ideje është përpjekur që të prek dy segmente të luftës së Kosovës, duke e paraqitur përmes njërit personazh Flamurit, luftën e brendshme të Kosovës, ndërsa përmes personazhit të Farisit simbolikën e përpjekjeve globale për një liri të vërtetë, ndërsa përmes këtij personazhi autori ndërthur edhe korrelacionin me ndodhitë e botës arabe. Shatrolli tha për KultPlus se ndihet i kënaqur me lojën brilante të aktorëve.

“Janë të dy shumë të ndryshëm por të ngjizur dhe të mishëruar shumë për njëri- tjetrin dhe sikur njëri vjen dhe e çliron tjetrin nga prangat e brendshme që i ka në shpirt, për të vazhduar tutje ngritjen e asaj ndërtese. Çelësat e asaj ngrehine aktori i gjuan në popull që të mbetet në duart e shoqërisë”, është shprehur Shatrolli, i cili shtoi se kjo shfaqje e ka bazamentin dhe çelësin e Kosovës të cilin ne kërkojmë në supet e këtyre dy aktorëve.

Në lojën e aktorit Ismet Azemi vërehej ndjenja dhe përkushtimi në personazhin e komandantit të harruar. Ai i tha se ky rol i dha gjithçka të mirë dhe njerëzore. “Rolin e komandantit e desha shumë, shumë më dhimbti derisa e luajta atë botë, shumë më bëri krenar, shumë më kënaqi, më dha gjithçka të mirë, gjithçka njerëzore, edhe dhembjen ma dha njerëzore”, tha përplot emocion aktori Ismet Azemi, derisa tregoi për KultPlus, përjetimet që i kishte dhënë përjetësimi i këtij roli në skenë.

Aktori Azemi shpjegoi tutje se për ta sjellë deri në këtë pikë rolin e komandantit, është dashur angazhim dhe informacion për ta ndërtuar të tillë këtë personazh. “Nuk ka qenë lehtë për ta sjellë në këtë shfaqje shpirtin e komandantit të rrethanave në të cilat jemi ne. Drama ka pasur një material të mirë dhe koncepti regjisorial na ka bërë ndërtues dhe kreativ për të sjellë rolet tona këtu ku i patë sonte. Kemi qenë bashkëpunëtor jashtëzakonisht të mirë, e kemi ndërtuar këtë lojë saktë në kërkesat tona artistike për të sjellë mesazhin e kësaj shfaqje”, tha aktori Azemi.

Po ashtu, ekipi i kësaj shfaqje përbehet edhe nga Ermal Gërdovci- asistent, Drinor Zymberi- kompozitor, Flutura Dedinja- kostumografe, Zeni Ballazhi- skenograf, Robert Nuha- koreografi, Ekrem Xhaka ka bërë dekorimin e përgjithshëm të shfaqjes, ndërsa ndriçimi i shfaqjes u bë nga Albert Gashi dhe Skender Latifi. Kosovatransi vazhdon destinacionin drejt Flakës së Janarit, ku sot do të shfaqet në Festivalin e Dramës Shqipe “Talia e Flakës” në Gjilan. /KultPlus.com

Emërohet Këshilli Drejtues në Teatrin Kombëtar të Kosovës

Ka kohë që Këshilli Drejtues i Teatrit Kombëtar të Kosovës nuk ka qenë funksional, si pasojë e dorëheqjes së disa anëtarëve , shkruan KultPlus.

Së fundi, ministri i Ministrisë së Kulturës, Kujtim Gashi ka emëruar Këshillin e ri Drejtues të këtij institucioni.

KultPlus merr vesh që emrat e rinj që përbëjnë këtë këshill janë: Burbuqe Berisha, Shkëlqim Millaku, Fisnik Ademi, Jahja Shehu, Orhan Kërkezi, Ismet Azemi e Valon Kashtanjeva.
Pritet të mbahet shpejt mbledhja e parë e këtij Këshilli, në mënyrë që të zgjidhet edhe udhëheqësi i këtij organi./KultPlus.com