Sot, Ismet Bogujevci u nderua si një personalitet i rrallë i vlerave të mëdha të trashëgimisë kulturore shqiptare

Era Berisha

Nderimi i figurës së Ismet Bogujevcit, jo vetëm si profesionist dhe kontribuues por edhe si një personaliteti i rrallë i vlerave të mëdha të trashëgimisë tonë kulturore sot në një mbledhje komemorative për doajenin e këngës shqipe, mblodhi pranë vetes familjar të shumtë, artistë, kolegë e figura të tjera të njohura në Teatrin Kombëtar të Kosovës, shkruan KultPlus.

Nën meloditë që po dëgjoheshin nga perlat e krijimtarisë së Bogujevcit, ai që fillimisht nderoi figurën e mirënjohur ishte vetë Ministri i kulturës Hajrulla Çeku, i cili ngushëlloi të pranishmit për humbjen e figurës së Bogujevcit.

“Ne të gjithë humbëm një njeri të madh dhe një personalitet të shquar kombëtar që përmes këngës popullore lartësoi vlerat tona për dekada të tërë. Ai ishte një person i mbyllur e i heshtur sepse ai asnjëherë nuk ka bërë kompromise me vlerat njerëzore dhe artistike”, thotë Çeku.

Sipas tij, të gjithë e kanë njohur Bogujevcin përmes këngës dhe zërit sepse ai nuk quhet doajeni i këngës shqipe rastësisht. Po ashtu, Ismeti mëshironte këngët që i këndonte në skenë dhe të bënte ta përjetoje e ta ndjeje emocionin që ai përçonte përderisa këndonte duke  e bërë kështu publikun për vete me modestinë e tij.

“Ai ka një timbër të veçantë dhe është në fakt një kontribuues i vazhdueshëm në fazat e vështira të historisë tonë e prandaj përmes këngës kthente sadopak shpresën atëherë kur populli ynë ndodhej në një sistem robërues”, përfundon Çeku.

Për Çekun, Bogujevci është dëshmi e vlerave më të larta të kombit dhe vepra e tij është një vulë e pashlyer e kohës. Prandaj, sipas tij, Kosova gjithmonë do ta vlerësojë lart këtë figurë për kontributin e tij dhe do të përkujdeset për ruajtjen e tij artistike që e la si thesar për kombin tonë.

Ndërsa, drejtori i Ansamblit të Shotës, Shefqet Gjocaj është shprehur se është ndjerë i nderuar që ka ardhur në kohën kur Bogujevci ka qenë aty dhe ai kështu ka pranuar detyrën e kërkuar nga vetë Bogujevci.

“Duke e njohur Bogujevcin qysh nga vitet e 80-ta, aura e tij ishte aq e madhe saqë vërtetë me vinte keq që unë po e pranoja atë pozitë. Mirëpo, motivimi i tij më shtyri që ta pranoja me lehtësi këtë detyrë”, tregon Gjocaj.

Sipas tij, Bogujevci ishte gjithmonë motivues dhe përkrahës i madh e sidomos për Ansamblin e Shotës.

Fjalën me radhë e morri profesori Fehmi Shaqiri, i cili pavarësisht moshës së tij, ai nuk mungoi në një ditë të tillë për ta nderuar dhe përkujtuar disa momente me Bogujevcin.

“Ismetin e kam njohur si njëri nga këngëtarët e mëdhenj të Kosovës, megjithëse ai ishte edhe hallka e respektit por e pata mikun më të ngushtë e në veçanti edhe kur u emërua edhe si drejtor”, tregon Shaqiri.

Sipas tij, Ismeti ishte shoqërues i halleve të tij e po ashtu edhe në premierën e parë të valles me Ansamblin e Shotës, ku shumë shpejt u bë rekord për të gjitha ansamblet e Ballkanit me një folklor të rëndësishëm por me një nocion krejt të veçantë nga të tjerët qysh nga krijimtaria e parë e jona e deri tek e fundit.

“Pata një fat të madh që kam punuar me Ansamblin më kombëtar, më dinjitoz, e që sot ka një bagazh që nderohet tej mase”, përfundon Shaqiri.

Miku i Ismet Bogujevci, Skender Hyseni është shprehur se familjet e tyre ishin një familje dhe se nuk kishte rëndësi se ku i zinte dreka apo darka.

“U rritëm me muzikën, me teatrin e Podujevës dhe gjatë viteve të 70-ta ne e kishim përzgjedhur artin përpos si mision por edhe formë të shprehjes, brengave dhe halleve tona. Mundësitë ishin të kufizuara por edhe të rrezikshme që preferencat tona politike për lirinë e shtetit ti shfaqnim hapur. Prandaj, kishim përzgjedhur artin”, tregon Hyseni.

Sipas tij, arti ishte formë e mirë sepse qoftë me koncerte apo shfaqjet teatrale ku ‘Halili e Hajria’, mbetet një nga skenimet më të mira, Ismeti ishte aktor dhe rapsod i shkëlqyer.

Gjithashtu, edhe Valbona, motra e Ismet Bogujevcit në mesin e emocioneve të shumta është shprehur se disa njerëz vinë në këtë botë për të qenë të veçantë e për të lënë kujtime të mira por kur ata nuk janë më, ekziston një boshllëk i madh për familjen dhe shoqërinë.

“Ismeti si artist dhe si njëri ka dhënë shumë shembull se si duhet të jetë një prind, një burrë, një vëlla e një mik. Ai ishte gjithmonë i pranishëm për familjen në momentet e vështira por edhe të mira. Pavarësisht dallimit në moshë, ai gjente mirëkuptim për secilin nga ne”, tregon Bogujevci.

Sipas saj, ai ishte një mbështetje e fortë dhe ishte një njeri i dashur sepse ai ka pasur shumë dashuri në zemrën e tij. Ai do të kujtohet përgjithmonë për urtësinë, modestinë dhe fjalën e peshuar.

Kështu krejt në fund erdhi një version i shkurtër të dokumentarit për Ismet Bogujevcin, i përgatitur vite më parë nga Radio Televizioni i Kosovës me regji të Kastriot Saqipi. Në këtë dokumentar kanë folur edhe figurat e njohura si: Fahri Beqiri dhe Fadil Vokrri./ KultPlus.com

Të mërkurën në TKK mbledhje komemorative për Ismet Bogujevcin

Këtë të mërkurë në Teatrin Kombëtar të Kosovës do të mbahet mbledhje komemorative për doajenin e këngës shqipe, tashmë të ndjerin Ismet Bogujevci, shkruan KultPlus.

Kjo është bërë e ditur nga Ministria për Kulturë, Rini dhe Sport nëpërmjet një komunikate për media.

“Në mbledhjen komemorative, do të kemi rastin të nderojmë figurën e tij si profesionist, kontribues dhe personalitet të lartë me vlera të mëdha për trashëgiminë tonë kulturore”, thuhet në njoftim.

Mbledhja do të mbahet me fillim në ora 13:00, kurse pjesëmarrja do të bëhet vetëm me ftesa./ KultPlus.com

Kuvendi i Kosovës mban një minutë heshtje për Ismet Bogujevcin

Sot me fillim të seancës që po mbahet në Kuvendin e Kosovës, u mbajtë një minutë heshtje në nder të artistit Ismet Bogujevci, i cili ndërroi jetë katër ditë më parë, përcjell KultPlus.

Lajmin për vdekjen e Bogujevcit e kishte bërë të ditur djali i tij.

Bogujevci ka interpretuar një mori këngësh të famshme e ka pasur edhe shumë bashkëpunime. “Një lulishte”, “Kënga e Jemenit”, “Sillma erën e malit”, janë vetëm disa prej projekteve të tij të njohura. / KultPlus.com

Çeku: Personaliteti i Bogujevcit do të frymëzoj breza artistësh e atdhetarësh

Këngëtari i njohur i këngës popullore shqipe, Ismet Bogujevci, vdiq ditën e djeshme duke lënë kështu të pikëlluar të gjithë ata që e njohën, qoftë personalisht apo përmes ekranit, përcjell KultPlus.

Gjatë ditës së sotme për të nderuar figurën e Bogujevcit, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit në bashkëpunim me institucionin e Ansamblit të Këngëve dhe të Valleve ‘Shota’ ka organizuar një ceremoni komemorative, ku personalitete të shumë kanë bërë homazhe tek Teatri Kombëtar i Kosovës.

Ndërkaq fotografi nga këto homazhe ka publikuar Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku i cili njëkohësisht ka shkruar se vepra e Bogujevcit do të frymëzoj breza të tëra artistësh.

“Pusho i qetë Ismet Bogujevci. Vepra dhe personaliteti yt do të frymëzojnë breza artistësh, aktivistësh e atdhetarësh”, është shkrimi në Facebook i Ministrit./ KultPlus.com

Pusho i qetë Ismet Bogujevci. Vepra dhe personaliteti yt do të frymëzojnë breza artistësh, aktivistësh e atdhetarësh.

Posted by Hajrulla Çeku on Friday, May 14, 2021

Kurti bën homazhe: Ismet Bogujevci është kënga e rritur në fëmijërinë time

Këngëtari i njohur i këngës popullore shqipe, Ismet Bogujevci, vdiq ditën e djeshme duke lënë kështu të pikëlluar të gjithë ata që e njohën, qoftë personalisht apo përmes ekranit.

Për të nderuar figurën dhe punën e të ndjerit, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit në bashkëpunim me institucionin i Ansamblit të Këngëve dhe të Valleve “Shota”, kanë organizuar sot një ceremoni komemorative ku edhe po  bëhen homazheve në Teatrin Kombëtar nga delegacionet shtetërore dhe komuniteti.

I pranishëm për homazhe ishte edhe Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti i cili në deklarimin para mediave pas homazheve, shpalosi dromca kujtimesh nga fëmijëria dhe admirimin që kishte për këngëtarin Bogujevci.

Ai tha se si fëmijë, teksa ndiqnin programin e vitit të ri në televizion, i prisnin me një mosdurim të gëzueshëm këngët e Ismet Bogujevcit dhe të Riza Bytyqit.

“Në vegjëli, se çka është martesa e mësuam prej prindërve, por edhe prej këngës ‘Martesa jonë’ të Ismet Bogujevcit. Edhe sot e kësaj dite kur e dëgjoj fjalën Kaçanik më ushtojnë veshët për shkak të vargut ‘ushton Gryka e Kaçanikut” të kënduar nga Ismet Bogujevci. E për Tefik Çangën, shumë kohë para se ta marr vesh se është emri i një fabrike të drurit në Ferizaj, dhe i një partizani të Luftës së Dytë Botërore, kam ditur ta këndoj ngapak duke e imituar Ismet Bogujevcin”, rikujtoi kryeministri Kurti.

Ai theksoi se këngëtari Bogujevci ishte njeri tejet i mirë dhe i dashur.

“Ashtu siç do të na mungojë fizikisht dhe do të kemi mall për të shumë kohë të gjatë, njashtu edhe kënga e tij do të rrojë jo vetëm me brezin tonë, por edhe me ata që do të vijnë”, tha kryeministri Kurti. / KultPlus.com

Sot, ceremonia komemorative për Ismet Bogujevcin

Ditën e djeshme ka vdekur figura e çmuar e kulturës kosovare, doajeni i muzikës popullore dhe folklorit shqiptar, Ismet Bogujevci.

Për të nderuar figurën dhe punën e të ndjerit, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit në bashkëpunim me institucionin i Ansamblit të Këngëve dhe të Valleve “Shota”, do të organizojë sot një ceremoni komemorative.

Itinerari për ditën e sotme (14 maj 2021) është si në vijim:

11:00 – 11:15 | Parakalimi i veturës së funeralit përmes sheshit Zahir Pajaziti deri në Teatrin Kombëtar;

11:30 – 14:00 | Ceremonia zyrtare e homazheve në Teatrin Kombëtar nga delegacionet shtetërore dhe komuniteti;

Varrimi i të ndjerit bëhet në ora 16:00 në varrezat e qytetit në Arbëri.

Ismet Bogujevci ishte solisti ndër dekada i Ansamblit Kombëtar “Shota” dhe i shumë shoqërive që kanë lënë nam në Kosovë dhe trojet shqiptare. Ai ka interpretuar një mori këngësh të famshme e ka pasur edhe shumë bashkëpunime. “Një lulishte”, “Kënga e Jemenit”, “Sillma erën e malit” – janë vetëm disa prej projekteve të tij të njohura.

Ceremonia mortore do të bëhet në ora 16:00 në varrezat e qytetit në “Arbëri”, duke respektuar masat kundër COVID-19./ KultPlus.com

Osmani për Bogujevcin: Sot humbëm zërin unik të këngës sonë popullore

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka shprehur ngushëllime për ndarjen nga jeta të doajenit të këngës popullore shqipe, Ismet Bogujevcit.

“Sot humbëm zërin unik të këngës sonë popullore. Ismet Bogujevci është artisti i këngës që një jetë të tërë ia kushtoi jetës skenike muzikore. Me Ansamblin “Shota”, ai afirmoi traditën dhe kulturën tonë muzikore, ndaj me të drejtë bart titullin e doajenit”, ka theksuar Presidentja Osmani.

Sipas saj, brezave do t`u mbetet trashëgim një fond i pasur i muzikës së mirëfilltë shqipe të interpretuar nga Ismet Bogujevci.

“Në këtë opus interpretues të Ismet Bogujevcit, gjurmë të pashlyeshme do të lë interpretimi maestral i këngës “Kur ma falë një tufë gërshetë”, në duet me Bilbilin e këngës shqipe, Nexhmie Pagarusha. Muzika ishte jeta për të, ndaj ikja do të lë një zbrazëtirë në skenën muzikore të Kosovës. U dëgjoftë përherë zëri i Ismet Bogujevcit”, thuhet në mesazhin e Presidentes Osmani. / KultPlus.com

Itinerari i ceremonisë komemorative për Ismet Bogujevcin

Sot, më 13 maj 2021, ka ndërruar jetë figura e çmuar e kulturës kosovare, doajeni i muzikës popullore dhe folklorit shqiptar, Ismet Bogujevci.

Për të nderuar figurën dhe punën e të ndjerit, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit në bashkëpunim me institucionin i Ansamblit të Këngëve dhe të Valleve “Shota”, do të organizojë një ceremoni komemorative nesër më datë 14 maj 2021.

Itinerari për ditën e nesërme është si në vijim:

11:00 – 11:15 | Parakalimi i veturës së funeralit përmes sheshit Zahir Pajaziti deri në Teatrin Kombëtar;

11:30 – 14:00 | Ceremonia zyrtare e homazheve në Teatrin Kombëtar nga delegacionet shtetërore dhe komuniteti;

Varrimi i të ndjerit bëhet në ora 16:00 në varrezat e qytetit në Arbëri.

Ndërkaq, në komunikatën për media, kërkohet që të gjithë pjesëmarrësit të respektojnë masat kundër pandemisë COVID. / KultPlus.com

MKRS: Ismet Bogujevci, një prej personaliteteve të shquara që kontribuoi në institucionet tona të kulturës

Sot ka ndërruar jetë njëri nga personalitetet më të shquara të muzikës popullore shqipe, Ismet Bogujevci, shkruan KultPlus.

Miqë, kolegë e dashamirë të shumtë shprehen ngushëllimet e tyre. Ndërkaq, me një komunikatë për media, edhe MKRS përmes një komunikatë shprehi ngushëllimet për humbjen e Bogujevcit.

Më poshtë mund të lexoni postimin e plotë të MKRS-së.

Ndërroi jetë Ismet Bogujevci, personaliteti i shquar i këngës popullore dhe i gjithë folklorit tonë kombëtar.

Ministri Hajrulla Çeku në emër të të gjithë Ministrisë ngushëllon thellësisht familjen e të ndjerit. Një figurë e veçantë që e promovoi kulturën tonë në shumë forma duke ngritur dhe jetësuar vlerat tona kombëtare për dekada të tëra.

Ai ishte një prej personaliteteve të shquara që kontribuoi në institucionet tona të kulturës së fundmi edhe si anëtar i Këshillit Drejtues të Ansamblit të Këngëve dhe Valleve ‘Shota’. Kontributi i tij në muzikën popullore, duke filluar nga kënga ikonike ‘Martesa jonë’ deri te interpretimi i këngëve popullore të trevave shqiptare, ka qenë i jashtëzakonshëm në ruajtjen e ngjyrës origjinale të këngës shqipe.

Aktiviteti i tij artistik, ka nisur rrugëtimin me shoqërinë kulturo-artistike ‘Josip Rela’ në Podujevë. Ishte viti 1972 kur ai hyri furishëm si këngëtar por dhe si aktor meqë shoqëria ‘Josip Rela’ kishte shtrirje në dy fusha permanente – muzikë dhe aktivitete teatrore – dramatike. “Halili dhe Hajria” në rolin e Qatipit, është kjo dramë e njohur, në të cilën Bogujevci u shfaq për herë të parë në skenën e Teatrit të Podujevës.

Bogujevci ka vazhduar aktivitetin e tij artistik në shoqërinë ‘Ramiz Sadiku’ ndër vite në Prishtinë dhe rajonin ballkanik. Nga viti 2000, ai punoi si solist këngëtar në Ansamblin e Këngëve dhe Valleve ‘Shota’ ndërsa, nga viti 2012 – 2013 ishte UD Drejtor i Ansamblit, periudhë përgjatë së cilës ansambli ka fituar disa çmime ndërkombëtare në festivale prestigjioze nëpër botë, përfshirë në Turqi, Itali dhe Bullgari. Si solist muzikor, Ismet Bogujevci ka fituar një mori çmimesh përfshirë çmimim ‘Mikrofoni i Artë’.

Disa prej këngëve që u bënë himn për skenën muzikore janë:“Kur ta fala një tufë gërshetë” e interpretuar në duet me Nexhmije Pagarushën, këngë që ishte shpërblyer me vendin e parë dhe që ka mbetur e përhershme për veshët muzikor.

“Martesa jonë” është kënga e cila u bë vjershërim dhe adresë për të rinjët e martuar dhe të pa martuar.

“O moj bukuroshe”

“Ke selvite e namazgjasë”

“Tefik Canga”

Bajram Curr o Bajram Curr” dhe shumë të tjera.
Kosova do ta kujtoj Ismet Bogujevcin për veprimtarinë e tij të lartë muzikore dhe do të përkujdeset për ruajtjen e trashëgimisë së tij artistike që e ka lënë si thesar për kombin tonë.
/ KultPlus.com

Kur Ismet Bogujevci e Nexhmije Pagarusha këndonin bashkë këngën ‘Njëri tjetrin duam shumë’

Ismet Bogujevci, këngëtari i njohur i muzikës popullore shqipe, sot ka dhënë lamtumirën e fundit, por zëri i tij do të vazhdojë të kumbojë përherë në veshët e atyre që e deshën muzikën e tij, shkruan KultPlus.

Disa nga krijimet e tij si: ”Martesa”, “Një lulishte”, “Kënga e Jemenit”dhe “Sillma erën e malit”, ende vazhdojnë të dëgjohen nga adhuruesit e muzikës popullore dhe njëkohësisht edhe nga dashamirët e personalitetit të Bogujevcit, një solist i Ansamblit Kombëtar ‘Shota’ që ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm jo vetëm në Kosovë por edhe në mbarë trojet shqiptare.

KultPlus ju sjell sot këngën e interpretuar nga i madhi Ismet Bogujevci dhe Bilbili i Kosovës, Nexhmije Pagarusha, të titulluar ”Njëri tjetrin e duam shumë”.

Andaj, në këtë ditë ne përkujtojmë këngëtarin me këto melodi që shoqërojnë një tekst mjaft të ëmbël e nostalgjike për secilin. / KultPlus.com

Kujtojmë Ismet Bogujevcin përmes këngëve që na la trashëgim (VIDEO)

Ismet Bogujevci, këngëtari i njohur i muzikës popullore shqipe, sot dha lamtumirën e fundit, shkruan KultPlus.

Vdekja e tij ka pikëlluar pa masë familjarët, kolegët e gjitha ata që për vite u rriten me muzikën e tij origjinale.

Solist ndër dekada i Ansamblit Kombëtar ‘Shota’ dhe i shumë shoqërive që kanë lënë nam në Kosovë dhe trojet shqiptare, Bogujevci ka interpretuar një mori këngësh të famshme e ka pasur edhe shumë bashkëpunime.

“Martesa”, “Një lulishte”, “Kënga e Jemenit”, “Sillma erën e malit” – janë vetëm disa prej projekteve të tij të njohura që do të vazhdojnë t’i shoqërojnë adhuruesit e muzikës së tij.

KultPlus ju sjell disa interpretime të Bogujevcit, që në këtë ditë ta kujtojmë atë vetëm me muzikë sepse atë e deshi më së shumti. / KultPlus.com

https://www.youtube.com/watch?v=LiiS4K71fzo
https://www.youtube.com/watch?v=kKxriuvZfQk

Vdiq këngëtari i njohur i muzikës popullore Ismet Bogujevci


Sot ka vdekur këngëtari i njohur i muzikës popullore Ismet Bogujevci.

Lajmin për vdekjen e tij e ka bërë të ditur i biri nëpërmjet një postimi në Facebook.

“Ju njoftojmë gjithë familjen e miqësinë se sot më 13 maj ndërroi jetë më i shtrenjti ynë. Kaluam shumë sfida bashkë babë, pusho në paqe me tingujt e muzikës tënde që kur s’kanë me u shu”, ka shkruar Rigon Bogujevci. / KultPlus.com