Rreth 8,5 milionë pajisje Windows u prekën nga përditësimi i gabuar i softuerit që shkaktori ndërprerje të gjera globalisht, sipas gjigandit amerikan të teknologjisë microsoft.
”Kjo përfaqësonte më pak se 1% të të gjithë kompjuterëve Windows”, njoftoi kompania në blogun e saj.
Pavarësisht kësaj, ndikimet e gjera ekonomike dhe sociale treguan se sa kompani që drejtonin shërbime të rëndësishme përdorën ofruesin e softuerit ”CrowdStrike”.
Defekti i IT shkaktoi ndërprerje të konsiderueshme në mbarë botën të premten, duke paralizuar pothuajse trafikun ajror në shumë vende.
Supermarkete, banka, spitale, stacione televizive dhe institucione të tjera u prekën gjithashtu.
”CrowdStrike” përmendi një përditësim të gabuar të softuerit për kompjuterët Windows si shkak.
Firma e deklaroi problemin të zgjidhur deri të premten pasdite, por disa efekte u ndjenë ende përtej kësaj pike.
Sipas Shoqatës Gjermane të Aeroporteve (ADV), trafiku ajror në Gjermani është normalizuar në masë të madhe ndërkohë.
Zyra Federale për Sigurinë e Informacionit (BSI) deklaroi të shtunën pasdite se situata po stabilizohej në shumë fusha, por shumë kompani vazhduan të luftojnë me pasojat e ndërprerjeve.
“Nuk është përcaktuar ende përfundimisht se si kodi i gabuar ka hyrë në përditësimin e ‘CrowdStrike’. BSI është gjithashtu në komunikim intensiv me kompaninë për këtë”, tha zyra./atsh/ KultPlus.com