Emrin e San Giovanni Rotondo-s e të mrekullive, që bënte e bën në këtë vend të bekuar një frat me varret e gozhdave të Krishtit në duar, shqiptarët nisën ta dëgjojnë vetëm pasi u shemb tirania. E në vendin e tiranëve, u rikthyen shenjtorët.
E madje nisën të dëgjohen edhe emra të rinj, si ai i Atë Piut të Pietrelçinës, e ndokush nisi edhe të mjekohej në njërën nga mrekullitë më të mëdha të këtij frati këmbëzbathur. Në spitalin tashmë të njohur botërisht të lehtësimit të dhimbjes.
Por askujt nuk i shkoi as nëpër mend se San Giovanni Rotondi ishte pronë e shqiptarëve… Në kohë të largëta, kuptohet, kohë heroike, që pak kanë të bëjnë me kohët tona… Duhet të rikthehemi 550 vjet pas, për të kuptuar si e qysh San Giovanni Rotondo kaloi në duar shqiptare. Duhet të arrijmë në Mbretërinë e Napolit, në verën e vitit 1461, kur Skënderbeu u nis, në krye të ekspeditës shqiptare, për të ndihmuar të birin e mikut të tij, Alfonsit të Napolit, në një çast tejet të vështirë, kur po humbiste fronin. Gjergji, sapo arriti, u vërsul vrullshëm mbi kundërshtarët e princit napoletan dhe bëri kërdi mbi ta.
Shpejtësia e rrufeshme e manovrimit dhe dora e sigurt në drejtimin e sulmeve, bëri që të fitonte admirimin dhe mahnitjen e të gjithë atyre, që qenë të pranishëm në betejë.
“Emri dhe lajmi i ardhjes së Skënderbeut – shkruan një historian i asaj kohe – jo vetëm që i shkatërroi të gjitha planet e armiqve, por e mbushi Italinë me famën dhe ngadhënjimin e tij”. Atëherë bota e asaj kohe e njohu konkretisht! E më mirë nga të gjithë, Ferdinandi i Napolit, që e quajti atë dhe i dhuroi, si pronë të përhershme, Tranin dhe San Giovanni Rotondon, në Italinë e Jugut.
Sot, kur pronat në Shqipëri janë mollë sherri, ndokush mund të pyesë, jo fare pa interes:
“U mor vesht si e fituam, po për ta humbur, si e humbëm?”. E humbëm njëherësh me trojet tona, kur u pushtuan. E humbëm dhe e harruam. Po në kujtesën e historisë, që nuk harron kurrë, mbeti pronë e ca viseve, të cilat nuk kishin më prona.
E atëherë mbi gjurmët e potkonjve të kalit të Skënderbeut, shkeli këmba e zbathur e një frati të thjeshtë. Pikërisht mbi ato troje që, sipas historisë, vijonin të ishin pronë e shqiptarëve. E çuditshme, kjo puna e pronës, me një mori kuptimesh – nga kuptimi material, tek ai shpirtëror – më i rëndësishmi. San Giovanni Rotondo mbetet pra, përsëri, pronë shpirtërore e shqiptarëve, të cilën nuk mund t’ua rrëmbejë asnjë sulltan….
Kush dëshiron ta vërtetojë këtë pronësi, mund të shfletojë ndonjë nga “Historitë e Skënderbeut”. E do ta gjejë patjetër.
Referenca: Arkivi i Vatikanit