Vera në Evropë është një stinë e bukur, por gushti është një nga muajt më të ngarkuar për turizmin, që do të thotë se do t’ju duhet të ndani mrekullitë me shumë njerëz, sipas një artikulli të botuar në revistën italiane të udhëtimeve “Lonely Planet Italia”.
Për fat, ne kemi zbuluar disa nga vendet e shumta magjike të kontinentit – ku ju mund të qëndroni larg turmave të mëdha.
“Lonely Planet Italia” ka renditur gjashtë vendet më magjepsëse për të udhëtuar në verën e vitit 2024 – mes të cilave përfshihet edhe bregdeti i Shqipërisë.
Riviera Shqiptare – Rërë, diell dhe mrekulli në bregdetin e Jonit
Edhe pse nuk është më një perlë e fshehur – siç ishte 20 vjet më parë, kur plazhet ishin gjysmë të zbrazëta dhe çmimet vërtet të ulëta, bregdeti mahnitës i Shqipërisë së Jugut mbetet një kënaqësi për turistët që janë në kërkim të diellit, rërës dhe ushqimeve të detit.
Saranda është një qytet festash më vete, me bare dhe restorante nga më të mirat.
Nëse preferoni vende më të qeta, drejtohuni në bregdetin e Himarës, të rrethuar nga një numër plazhesh të bukura – (vizitoni Plazhin e Potamit, pak më në jug).
Gushti ju garanton diell, ujëra të ngrohta dhe të këndshme dhe temperatura jo shumë të nxehta.
Shezlonget dhe çadrat janë të disponueshme në një numër të kufizuar, por gjithmonë mund të kërkoni plazhe të qeta me rërë në vende si Palasa, Borshi, Buneci dhe në ishujt jashtë Ksamilit.
Nëse niseni drejt qafës epike të Llogorasë në gjirin e Vlorës, në fund të gadishullit të Karaburunit do të gjeni disa resorte dhe plazhe të izoluara, të arritshme me varkë.
Për një pasdite ndryshe, drejtohuni në sitin arkeologjik të Butrintit, ku do të eksploroni rrënojat greke, romake dhe bizantine – të cilat datojnë 2500 vjet më parë.
Gjashtë vendet më të mira në Evropë për të vizituar në gusht 2024:
1- Riviera Shqiptare 2- Gadishulli i Pelionit, Greqi 3- Minho, Portugali 4- Austria Qendrore 5- Bregdeti i Belgjikës 6- Arkipelagu i Stokholmit, Suedi/ KultPlus.com
Shqipëria, një perlë e fshehur e Ballkanit, është toka e kontrasteve magjepsëse, ku e lashta takohet me modernen dhe natyra e egër bashkëjeton me jetën e gjallë urbane, shkruan Giovanni Latorre në të përditshmen italiane “Esauriente.it”.
Ky vend, i pasur me histori dhe kulturë, ofron një shumëllojshmëri qytetesh unike, secili me karakterin dhe kuptimin e vet.
Në këtë artikull, ne do të eksplorojmë qytetet më të bukura dhe më të rëndësishme në Shqipëri, duke ofruar një vështrim të thellë se çfarë e bën secilin prej tyre të veçantë.
Tirana Tirana, kryeqyteti i Shqipërisë, është zemra e vendit që rreh.
E themeluar në vitin 1614, Tirana është një qytet i ri në krahasim me kryeqytetet e tjera evropiane, por kjo nuk e pengon atë të ketë një histori të pasur dhe kulturë të gjallë.
Qyteti është i njohur për arkitekturën e tij eklektike që ndërthur ndikimet osmane, fashiste dhe komuniste, duke pasqyruar periudha të ndryshme historike që ka kaluar.
Sheshi “Skënderbej” është qendra e Tiranës, i rrethuar nga ndërtesa emblematike si Xhamia e Et’hem Beut, Muzeu Historik Kombëtar dhe Kulla e Sahatit.
Vitet e fundit, Tirana ka pësuar një transformim të rëndësishëm urban, duke u kthyer në një model moderniteti dhe inovacioni urban në Ballkan.
Qyteti ofron gjithashtu një skenë të gjallë kulturore me teatro të shumtë, galeri arti dhe festivale që gjallërojnë jetën e ditës dhe të natës.
Berati Berati, i njohur si “Qyteti i një mbi një dritareve”, është një nga qytetet më të vjetra dhe më të ruajtura në Shqipëri.
I vendosur në jug të vendit, përgjatë brigjeve të lumit Osum, Berati është një shembull i jashtëzakonshëm i një qyteti osman të ruajtur mirë. Ai u shpall një sit i Trashëgimisë Botërore nga UNESCO në vitin 2008.
Qyteti është i famshëm për shtëpitë e tij të bardha shumëkatëshe që duket se ngjiten në kodër, duke krijuar një panoramë që të lë pa frymë.
Kalaja e Beratit, ende e banuar, ofron pamje spektakolare të qytetit dhe rrethinave të tij.
Brenda mureve të saj ndodhen kisha të shumta bizantine dhe xhami osmane, që dëshmojnë për bashkëjetesën paqësore të feve të ndryshme ndër shekuj.
Berati është gjithashtu një qendër e prodhimit të verës, duke e bërë atë një destinacion ideal për adhuruesit e verës.
Gjirokastra Gjirokastra, gjithashtu një vend i Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s, shpesh i quajtur “Qyteti i Gurtë” për shkak të shtëpive të tij karakteristike prej guri me çati prej rrasa.
I vendosur në rajonin malor të Shqipërisë së Jugut, ky qytet është i famshëm për arkitekturën e tij të ruajtur mirë osmane dhe njihet si vendlindja e shkrimtarit të famshëm Ismail Kadare.
Kalaja e Gjirokastrës dominon qytetin nga maja e një kodre dhe strehon një muze ushtarak interesant dhe një burg të vjetër.
Duke ecur nëpër rrugët me kalldrëm të qytetit të vjetër, mund të admironi mjeshtërinë e shtëpive të lashta dhe të vizitoni pazarin, ku mund të gjeni produkte artizanale vendase.
Gjirokastra është gjithashtu shtëpia e Festivalit Kombëtar Folklorik, i cili tërheq artistë nga e gjithë Shqipëria dhe më gjerë.
Shkodra Shkodra, e vendosur në veriperëndim të Shqipërisë, është një nga qytetet më të vjetra të vendit dhe një qendër e rëndësishme kulturore dhe historike.
Me një histori që daton mbi 2400 vjet, Shkodra ka luajtur një rol vendimtar në historinë shqiptare, si kryeqytet i Ilirisë dhe si qendër e rëndësishme gjatë sundimit osman.
Kalaja e Rozafës, me pozicionin e saj strategjik mbi liqenin e Shkodrës, ofron një pamje panoramike që të lë pa frymë.
Qendra e qytetit përmban një arkitekturë historike, kafene të çuditshme dhe Katedralen e Shën Stefanit.
Shkodra është gjithashtu një pikënisje ideale për të eksploruar Parkun Kombëtar të Liqenit të Shkodrës dhe Alpet Shqiptare, duke ofruar mundësi të shumta për ekskursione dhe aktivitete në natyrë.
Durrësi Durrësi, i vendosur në bregdetin e Adriatikut, është një nga qytetet më të vjetra dhe më të rëndësishme në Shqipëri.
E themeluar nga grekët në shekullin e VII para Krishtit, Durrësi ishte një port i rëndësishëm dhe qendër tregtare gjatë epokës romake.
Qyteti është i njohur për amfiteatrin e tij romak, një nga më të mëdhenjtë në Ballkan, i cili mund të strehojë deri në 20 000 spektatorë.
Përveç mbetjeve të tij të lashta arkeologjike, Durrësi është sot një qytet modern me një jetë nate të gjallë, plazhe të njohura dhe një shëtitore buzë detit.
Muzeu Arkeologjik i Durrësit ofron një koleksion të pasur zbulimesh që tregojnë historinë e gjatë të qytetit.
Afërsia me Tiranën e bën Durrësin një destinacion ideal për një udhëtim ditor nga kryeqyteti, duke ofruar një ndërthurje të historisë antike dhe modernes.
Vlora Vlora, e vendosur në bregdetin jugperëndimor të Shqipërisë, është një qytet me rëndësi të madhe historike dhe turistike.
E themeluar nga grekët në shekullin e VI para Krishtit, Vlora njihet si vendi ku Shqipëria shpalli pavarësinë nga Perandoria Osmane në vitin 1912.
Qyteti ofron një kombinim të bukurisë natyrore, plazheve të pacenuara dhe vendeve historike.
Muzeu i Pavarësisë është i domosdoshëm të ekslporohet për këdo që viziton Vlorën, pasi tregon historinë e shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë.
Qyteti është gjithashtu afër Parkut Kombëtar të Llogarasë dhe Rivierës Shqiptare, duke e bërë atë një bazë të përsosur për të eksploruar disa nga plazhet më të bukura të vendit.
Jeta e natës në Vlorë është e gjallë, me restorante, bare dhe klube të shumta që gjallërojnë qytetin gjatë gjithë vitit.
Saranda Saranda, e vendosur në bregdetin e Jonit, është një nga destinacionet turistike më të njohura në Shqipëri, veçanërisht gjatë muajve të verës.
Qyteti është i famshëm për ujërat e tij të kristalta, plazhet me rërë dhe klimën mesdhetare.
Saranda është gjithashtu pika kryesore e hyrjes për të vizituar sitin arkeologjik të Butrintit, një sit i Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s.
Butrinti, një qytet i lashtë greko-romak, ofron një pamje magjepsëse në historinë e lashtë me mbetjet e tij të ruajtura mirë, duke përfshirë një teatër, pagëzimore dhe tempuj të shumtë.
Saranda është gjithashtu e njohur për jetën e saj të gjallë të natës dhe restorantet e shumta që ofrojnë specialitete lokale dhe ushqime të freskëta deti.
Afërsia me ishullin grek të Korfuzit e bën Sarandën një bazë ideale për udhëtime ditore.
Korça Korça, e vendosur në juglindje të Shqipërisë, njihet si “djepi i kulturës shqiptare”.
Qyteti është një qendër e rëndësishme kulturore dhe arsimore dhe është shtëpia e shumë muzeve, shkollave dhe institucioneve kulturore.
E themeluar në mesjetë, Korça ka një traditë të gjatë të prodhimit të birrës, muzikës dhe artit.
Muzeu Kombëtar i Arsimit, i vendosur në shkollën e parë shqipe, është një pikë referimi e rëndësishme që rrëfen historinë e arsimit në Shqipëri.
Korça është gjithashtu e famshme për festivalin e përvitshëm të birrës, i cili tërheq mijëra vizitorë nga i gjithë vendi dhe jashtë saj.
Duke ecur nëpër rrugët me kalldrëm të qytetit të vjetër, mund të admironi shtëpitë tradicionale të stilit osman dhe të vizitoni Katedralen Ortodokse të Shën Gjergjit. /atsh/ KultPlus.com
“Burra pa gra”, një komedi e hidhur e tejet cinike, e autorit italian Angelo Longoni, është shfaqur mbrëmë premierë në sallën e vogël të Universitetit të Artit.
Është historia e dy burrave, e dy artistëve të rinj, me pasione e karaktere krejt të ndryshëm, që ndajnë se bashku të njëjtat vështirësi të jetës.
I shkurtri është muzikant, saksofonist, me prirje të fortë drejt alkoolizmit, i çuditshëm në pamje, ndërsa i gjati, është një shkrimtar aspirant, elegant, i kujdesshëm për shëndetin, sportiv. Por të dy janë në sfidë të vazhdueshme përballë pamundësive për të përmbushur jetët e tyre profesionale e atë sentimentale.
Dy artistët ndjejnë keqardhje për veten e tyre por nuk dorëzohen dhe dinë ta shijojnë jetën… aq sa e gjithë kjo histori mbyllet me një shpërthim të qeshurash, që dalin nga shpirti.
“Burra pa gra” me regji të Julian Canameti e me dy personazhet simpatikë të interpretuar nga Valdrin Hasani dhe Andi Begollit, do të vijojë të shfaqet në datat 24- 25- 26 nëntor në sallën e vogël të Universitetit të Arteve./balkanweb/KultPlus.com
Sapo ka përfunduar edicioni i 8-të i Javës së Kuzhinës Italiane në Botë. Ambasada italiane në Tiranë, e cili mbështeti këtë event në Shqipëri, tha se aktivitetet në kuadër të kësaj jave ishin një eksperiencë e mrekullueshme, veçanërisht për fëmijët e Seksionit Dygjuhësh të shkollave “Shkolla e kuqe” dhe “Pjetër Budi”, të cilët provuan të përgatisin në një laborator një nga produktet italiane më të famshme në botë, akulloren. Fëmijët ia dolën me sukses këtij eksperimenti, nën drejtimin e shefave Pierandrea Giagnoli dhe Anila Nanushi.
Ambasada Italiane në Tiranë i uroi fëmijët që përgatitën me përpikëri, përzgjodhën lëndët e para me shumë kujdes, por edhe përdorën makineritë italiane.
Gjatë Javës së Kuzhinës Italiane në Botë, përfaqësitë diplomatike e kulturore nëpër botë, kremtojnë kuzhinën italiane dhe produktet tipike të këtij vendi.
“Qëndrimi në tryezë, për ne italianët, është një mënyrë për të qenë së bashku, në një epokë që gjithnjë e më pak ndodh të flitet ballëpërballë. Ky është një rast i rëndësishëm për të ndarë dhe për t’u përballur, për t’u hapur ndaj të tjerëve e për të hapur dialogje me vendet e tjera”, ka deklaruar ministri i Jashtëm i Italisë, Antonio Tajani./atsh/KultPlus.com
Mediat italiane i bënë jehone plazheve të Shqipërisë, si plazhet e fundit të mbetura në Europë me çmime ende të ”ndershme”.
Kostot e ofertave turistike janë në rritje në pothuaj gjithë Mesdheun, Itali, Greqi, Spanjë, Francë, shkruan gazeta italiane ”Il messaggero”.
Të bësh pushime në Evropë është bërë jashtëzakonisht e shtrenjtë. Me rritjen e çmimeve në destinacionet kryesore, ata që duan të shkojnë me pushime duhet të bëjnë më të mirën për xhepat e tyre, … kështu synojnë për vende deri tani pak të eksploruara.
Rritja e çmimeve në destinacionet europiane është bërë e papërballueshme për shumë familje mesatare”, thekson gazeta ndërsa kujton se në Shqipëri ”me 10 euro mund të shijosh detin dhe me 20 euro mund të shijosh një darkë peshku”.
Një nga këto vende që ka tërhequr vëmendjen e mijëra europianëve është Shqipëria. Shqipëria kë vit është mikpritëse gjithashtu edhe për mijëra italianë.
Pushimet mund ë nisin nga kryeqyteti, Tirana, ku shpenzimet në një restorant të mesëm mezi i kalonjnë 17-18 euro për person.
Gjithashtu dhe për një qëndrim 3 netësh për dy persona nuk do të shpenzoni më shumë se 140 euro.
Plazhet e saj (ku detin e Shqipërisë e ka zili edhe ai i Pulias) ka çadra dhe shezlongët që variojnë nga 5-15 euro.
Qeveria shqiptare planifikon të mbyllë sezonin me mbi 9 milionë turistë, tre më shumë se 2022. Së fundmi Shqipëria u vizitua edhe nga kryeministja Giorgia Meloni. /atsh/KultPlus.com