Poeti italo/arbëresh nga Kalabria, Pierfranko Bruni, është shpallur fitues i çmimit të madh “Naim Frashëri” të Edicionit Jubilar të 27-të të Festivalit Ndërkombëtar të Poezisë “Ditët e Naimit”.
Ky çmim iu dha poetit italo/arbëresh me motivaconin se “Pierfranco Bruni është një personalitet shumëdimensional. Përveçse studiues në fushë të arkeologjisë dhe drejtor në Ministrinë e Trashëgimisë Kulturore të Italisë, ai është mjaft i njohur për lexuesin italian e më gjerë si poet, kritik letrar dhe eseist.”
Ky është vendim u mor nga juaria në përbërje me studjuesit e letërsisë, Ymer Çiraku (kryetar), Vebi Bexheti dhe Ndue Ukaj (anëtarë).
Më 2004, Drejtoria e Festivalit poetin Pierfranko Bruni e ka shpallur Anëtar Nderi të Festivalit.
Festivali Ndërkombëtar i Poezisë “Ditët e Naimit” do të mbahet prej 19 – 21 tetor 2023, në qytetin e Tetovës dhe në Kosovë.
Më herët, me këtë çmim letrar janë lauruar emra të njohur të letërsisë, si: Ismail Kadare (Shqipëri), Desmond Egan (Irlandë), Ali Podrimja (Kosovë), Fatos Arapi (Shqipëri), Lionel Ray (Francë), Abdelatif Laabi (Marok), Eva Lipska (Poloni), Tua Forstrom (Finlandë), Peter Poulsen (Danimarkë), Athanase de Thracy (Bullgari), Kuei shien Lee (Taivan), George Wallace (SHBA), Visar Zhiti (Shqipëri), Fiona Sampson (Angli), Kama Kamanda (Kongo), Kristoffer Leandoer (Suedi) etj.
Përndryshe poeti Pierfranko Bruni ka botuar disa përmbledhje me poezi. Kontributi i tij është i vlerësuar edhe në një sërë studimesh mbi letërsinë italiane, europiane dhe mesdhetare të shekullit të njëzetë, ku shquajnë shkrimet për autorë të shquar të përmasave botërore si Pirandelo, Kuazimodo, D`Annunzio, Ungareti e Pavese.
“Veçmas poezia e tij, përmes sistemit të pasur figurativ dhe ideor, mbart një vlagë të fuqishme humanizmi dhe besimi të palëkundur në vlerat egzistenciale të njerëzimit. Ai beson se edhe në natën më të thellë, duhet gjetur një yll i vogël, që do të ndriçojë udhëtimin e njeriut. Kredo e tij si shkrimtar përmblidhet në sentencën aq kuptimplotë se të shkruash, në fakt, është të jetosh brenda fjalës. Pra, misioni i shkrimtarit është që ai të identifikohet e mishërohet me gjithëshka – në veprën e tij. Si të thuash, të ketë pra një besëlidhje të pandashme në raportin shkrimtar e vepër, ku të mbizotërojë veç sinqeriteti dhe e vërteta pa kushte.
Pra, tek ky poet, prozator dhe eseist letrar, është tipar i dukshëm qasja estetike nëpër një rrjet të dendur referencash filozofike, çka u sjell këtyre krijimeve një dimension mjaft sintetizues e universal”, thuhet në komunikatë.
Më tej në motivimin e Jurisë u tha se, “Si një krijues i lindur në mjediset kalabreze të Italisë së Jugut, janë të pranishme në këtë poezi edhe disa motive me kujtesën për Teutën ilire, apo me shpendin simbolik të shqiponjës. Sipas pikëvështrimit të tij, legjenda është një mister, që jeton tek e vërteta, prandaj edhe i drejtohet pa mëdyshje mbretëreshës së lavdisë ilire, kur sheh aq ngjajshmërisht: “sytë e tu me ngjyrën e grave të Shkodrës”.
Në vlerësimet që i janë bërë kësaj krijimtarie, dy janë segmentet themelore që karakterizojnë rrugëtimin e tij letrar: kujtesa dhe nostalgjia. Pra, poetika e veprës së tij, endet dhe merr vlera në këto hapësira letrare dhe estetike”.
Drejtori i Festivalit Shaip Emërllahu, tha se këtë vit janë ftuar 20 poetë nga vende të ndryshme të botës, si: SHBA, Argjentinë, Porto Riko, Itali, Palestinë, Zvicër Francë, Meksikë, Korea e Jugut, Irak, Belgjikë, Kroaci, Greqi etj., dhe poetë të shumtë nga e gjitha hapsira shqiptare dhe daspora. Edhe programi i këtij edicioni do të jetë i larmishëm për nga përmbajtja. Në kudër të tij, do të mbahet disa orë letrare, do të promovohen libra të Sh.b.”Ditët e Naimit”, do të vizitohen lokalitete kulturore dhe historike, etj./KultPlus.com