Drejtoresha e panairit “ITB Berlin”, Rothe: Shqipëria të jep esencën e një mikpritjeje të mirë 

Drejtoresha e Përgjithshme e panairit më të madh të turizmit në botë ITB Berlin, Deborah Rothe deklaroi se Shqipëria të jep menjëherë esencën e një mikpritjeje të mirë.

Në një intervistë televizive, Rothe tha se “që në vizitën time të parë në Shqipëri, një vit më parë në Tiranë, më ra në sy dhe e ndjeva mikpritjen e vendit dhe të njerëzve. Është një ndjenjë e ngrohtë, ndihesh shumë i mirëpritur dhe ke mundësi të vendosësh kontakt direkt me njerëzit. Për mua personalisht, kjo është esenca e një mikpritjeje të mirë. Kjo ka bërë që ne të marrim këtë vendim dhe që Shqipëria të vendoset në fokusin tonë si një nga të paktat vende të rëndësishme për ne që mund të ishte mikpritëse në ITB Berlin dhe njëkohësisht e të gjithë industrisë botërore të turizmit te ne, në qendrën tonë të panaireve në Berlin”.

“Si vend mikpritës i ITB Berlin, je njëkohësisht mikpritës i gjithë botës, që do të thotë e gjithë industria e turizmit dhe këtu kam parasysh gati 100 mijë njerëz nga e gjithë bota që do të udhëtojnë në Berlin për ta përdorur panairin si platformë nxitëse për bizneset e tyre”, tha Rothe.

Rothe u shpreh se “Shqipëria ia doli sidomos gjatë dhe pas kohës së pandemisë që të prezantohej si një vend shumë i sigurt dhe mendjehapur e kjo solli si rezultat edhe më shumë turistë. Ajo që bie në sy njëkohësisht me këtë trend është që turistët janë të përhapur shumë thellë në të gjithë vendin. Kjo do të thotë se nuk ka një sezon kohor dhe gjeografik të përcaktuar qartë, nuk ka një kalendar nisjeje dhe përfundimi gjatë vitit, por përkundrazi kemi një shpërndarje gjithëvjetore dhe në të gjithë vendin. Ka mjaftueshëm vend dhe hapësira për shumë njerëz dhe po ashtu ka mjaftueshëm mundësi për t’u prezantuar si me malet ashtu dhe në det dhe plazhe. Kjo shumëllojshmëri e vendit, vlerësohet me të drejtë dhe nga turistët dhe ndaj edhe vijnë”.

Drejtoresha e Përgjithshme e Panairit më të madh të turizmit në botë thekson se ka nevojë ende për përmirësime në kuadër të turizmit, por gjithsesi vendi është në rrugën e duhur.

“Është shumë e rëndësishme të përgatisni infrastrukturën, mbi të gjitha për turistët ndërkombëtarë. Ne e vëmë re se disa po bëhen gati me shpejtësi si aeroporti i ri ndërkombëtar i Vlorës, apo rikonstruksioni i linjës hekurudhore, në mënyrë që t’u jepet mundësia edhe turistëve të udhëtojnë brenda vendit, që të mos mbeten të detyruar të presin makinën apo autobusin, por të lëvizin në mënyrë të lirshme në vend. Besoj se kjo infrastrukturë është kryesore mes nevojave dhe detyrimeve për t’i mirëpritur turistët ndërkombëtarë. Ajo që ndjej unë është një pasion i madh, pasion për vendin, për ta prezantuar atë tek të huajt me të gjitha bukuritë e tij, shpirtin e shqiptarëve por sidomos këtë shumëllojshmëri që e përshkrova më sipër”, nënvizoi Rothe.

Ky, vijoi ajo, është edhe thelbi i nevojshëm i asaj që duhet të shkruhet mbi Shqipërinë në media, që të kuptohet se si funksionon ky vend, që të kuptohet se sa të hapur dhe se sa mendjehapur për më tepër janë këta njerëz që janë shumë të lumtur të përshëndesin botën e turizmit ndërkombëtar.

E pyetur me çfarë ndjesish po largohet, Rothe tha se “ajo që ndjej unë është një pasion i madh, pasion për vendin, për ta prezantuar atë tek të huajt me të gjitha bukuritë e tij, shpirtin e shqiptarëve por sidomos këtë shumëllojshmëri që e përshkrova më sipër”.

“Jemi shumë të lumtur që kemi këtë bashkëpunim, kemi zhvilluar një fushatë shumë të bukur së bashku dhe mezi po pres mbrëmjen hapëse gala, ku Shqipëria në skenë do të jetë me të gjithë traditat e saj për të prezantuar më së miri këtë vend të bukur”, tha ajo./atsh/KultPlus.com

Kumbaro: ITB Berlin promovon Vjosën dhe bregdetin e Jugut

Shqipëria do të jetë vendi i nderit në panairin më të rëndësishëm të turizmit në botë për vitin 2025, ITB Berlin.

Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro ndau sot në rrjetet sociale imazhet e Shqipërisë, të publikuara nga ITB Berlin.

“Imazhet e Shqipërisë Turistike janë publikuar nga ITB Berlin, panairi më i madh në botë i turizmit që do ta ketë Shqipërinë vendin e nderit për vitin 2025 përmes një programi promovimi që nisi me Vjosën, vazhdon me bregdetin e jugut e do të shtrihet në gjithë buqetën e madhe të ofertës sonë sepse e gjithë Shqipëria është turistike”, tha Kumbaro.

Në nëntor të vitit të kaluar Ministria e Turizmit dhe Mjedisit dhe ITB Berlin nënshkruan  marrëveshjen që shpalli Shqipërinë vend nderi të ITB Berlin 2025.

Kjo marrëveshje ka për qëllim fuqizimin e rolit të Shqipërisë jo vetëm në nivel pjesëmarrës, por në sipërmarrje aktive të organizimit të agjendave të nivelit të lartë të eventeve të rëndësishme globale siç është ITB Berlin, që promovojnë ndërkombëtarisht imazhin e Shqipërisë./atsh/KultPlus.com

Shqipëria pjesëmarrëse në panairin më të madh të turizmit, ITB Berlin

Shqipëria prezanton potencialet në turizmin e qëndrueshëm, përmes një axhende të nivelit të lartë në “ITB Berlin 2023”, panairin më të rëndësishëm në botë për turizmin.

Në datat 7-9 mars, përmes një programi të mirëorganizuar nga Ministria e Turizmit dhe Mjedisit, nën sloganin “Albania-All you need is here”, promovohen ofertat turistike që synojnë turizmin gjithëvjetor dhe të qëndrueshëm.

Ministria e Turizmit dhe Mjedisit përmes një njoftimi për shtyp bëri të ditur se, “më 7 mars, Kryeministri Edi Rama dhe ministrja e Turizmit dhe Mjedisit Mirela Kumbaro do të priten nga kancelari gjerman Olaf Scholz, për të vijuar me takimin me Sekretarin e Përgjithshëm të Organizatës Botërore të Turizmit, Zurab Pololikashivili në mjediset e ITB Berlin”.

Në njoftim bëhet e ditur se, më tej aktiviteti do të vazhdojë me tryeza pune e takime me përfaqësues të industrisë gjermane të turizmit, donatorë, përfaqësues të sektorit privat dhe konferencë për shtyp për mediet gjermane.

Shqipëria përfaqësohet në këtë panair me stendën e saj zyrtare, ndërsa shumë shoqata dhe turoperatorë shqiptarë marrin pjesë po ashtu.

Gjatë vitit 2022, Shqipëria arriti rekordin historik prej 7.5 milionë vizitorësh të huaj dhe synimi i radhës është turizmi i nivelit të lartë në standarde, i qëndrueshëm dhe gjithëvjetor. / atsh / KultPlus.com