Iva Tiço: Pse i urrej dasmat shqiptare!

”Mos u shqetësoni: nuk kam ndër mend të martohem e të ndërroj emrin e rubrikës (nejse, s’kam për ta bërë kurrë “Spinster and the City”, – ‘Lënesha dhe qyteti’, sepse do vijë një ditë që kjo e jetuara secili-në-shtëpi-të-vet do më mërzitet). Thjesht më kanë frymëzuar dasmat, që bëhen rreth e rrotull shtëpisë sime (e kotë të them që dëgjohen sikur po bëhen brenda në shtëpinë time).

Urrej dasmat ku marr pjesë, dhe ato ku nuk marr pjesë. Këto të fundit sidomos, kur ndjekin traditën shqiptare dhe fillojnë një javë përpara, me rrugicën poshtë pallatit që bllokohet nga makinat e gjithë soj e sorollopit të atij/asaj që martohet (në rastin kur në lagje kam nusen, kam një fije ngushëllimi se dasma zgjat një ditë më pak).

Urrej të gjitha këngët që këndohen në këto raste, që nga “Çuni vogël do llokum” (ky është hiti i lagjes sime, ndoshta se diku aty afër dikur ka qenë një fabrikë pastash), e deri tek “Moj Sarandë moj Delvinë” (edhe kur familjarët janë nga Kukësi, këtë këngën e kanë me qejf të madh) dhe sidomos urrej “Koka në Stamboll e trupi në Janinë” (zakonisht pas kësaj, fillon Lambada, e cila nga fundi miksohet me “Coco Jambo”-n për t’ia lënë prapë vendin “Çuni i vogël do llokum”, që shoqërohet me thirrje op op op).

Urrej pastaj edhe të dielën mëngjes, kur pas rraskapitjes së gjithë javës, gjumi më del e trembur nga boritë e makinës, që marrin ose sjellin nusen. Por urrej edhe të shoh karvanët e nuseve, me nja shtatë benza njëri pas tjetrit, me shamitë e kuqe me fije ari të varura te dritaret dhe me xhaxhi kameramanin, me gjysmën e trupit të nxjerrë jashtë nga makina e parë, e që xhiron çdo sekondë të ecjes sikur po bën dokumentar për BBC-në.

Por urrej edhe dasmat ku jam e ftuar. Të fisit apo shoqërisë qofshin. Urrej të vishem e pispillosem, që në pikë të mëngjesit (pa llogaritur këtu, që nëse dasma është të dielën duhet të zihem me nja pesë parukiere që këtë ditë e bëjnë pushim e nuk të marrin përsipër, edhe pse ti harxhon lekë tek ato gjithë vitin) e pastaj të shoh se si deri në darkë, tualeti fillon të rrjedhë e flokët hallakaten.

Urrej kur dasmat bëhen në drekë, sepse është shumë vapë. Urrej edhe kur bëhen në darkë dhe pjata e dytë vjen diku nga ora 23.45, pikërisht atëherë kur unë do doja të isha në shtëpi, veshur me pizhame e me tualetin e pastruar përpara televizorit (si për darkë dhe për drekë, urrej ato pjatat ku bërxolla ndahet nga patatet me një kufi të përdredhur prej salce kosi, me të njëjtin zell sa urrej dhe avullin e aromën që del nga tava e dheut dhe venitin gjithë shkëlqimin e teminave në veshjet e zonjave rreth e rrotull).

Urrej të harxhoj një shumë të mirë parash, e sigurt që nuk i marr më mbrapsht (sepse unë dhe nëse martohem, dasmë s’do bëj kurrë, së paku jo dasmë ku sillen lekë në zarf). Urrej të marr pjesë në festat e beqarisë, sepse në shumicën e rasteve nusja edhe përpara se të martohej, nuk është se ka bërë ndonjë jetë të zhurmshme prej beqareje (ndryshe nuk do ta martonin, do prisnin “të shtrohej”).

Urrej të ulem në tavolinë e të ha me njerëz që nuk i njoh, që më pyesin ku punoj, sa e kam rrogën dhe pse nuk jam martuar, që më thonë “ngihu kërce” apo “nuk u lodhe duke kërcyer?!” E meqë ra llafi te kërcimi, urrej të çohem, të ulem, të çohem prapë, të ulem prapë, të bëj fresk me erashkë…

Urrej të kap gjithmonë unë buqetën e nuses. Sepse të gjitha të tjerat janë të martuara dhe ato që kanë mbetur beqare janë të shkurtra e të shëndosha, jo të zonjat për kërcime (dhjetë vjet përvojë në këtë fushë, më kanë bërë të mos kem rivale).

Urrej  shumicën e veshjeve të nuseve. Ato në ngjyrë bezhë, apo ato shampanjë. Ato të mbushura me dantella e me gurë. Ato pa rripa, ku gjoksi pesë kërcen nga të gjitha anët (sidomos kur në pjesën e dekoltesë duken shenjat e rripave të rrobave të banjës).

Urrej dhe ata të thjeshtët (në këto raste nusja pretendon që është shumë e rafinuar, ndaj e ka zgjedhur). Urrej këpucët prej mëndafshi të bardhë që vesh nusja. Por mbi të gjitha urrej grimin e saj – nuk e kuptoj pse qëllimi është që të duket sikur nuk është ajo?!

Urrej tortën dhe prerjen e tortës. E pse duhet të presim sa të dali ajo dreq torte për t’ia mbathur?! (gjithsesi ardhja e saj është moment lehtësimi, do ia mbathim, uuurrrrraaa!!!)

Dhe në fund fare, urrej kur më ftojnë në shtëpi për të parë videon e fotot e dasmës dhe të muajit të mjaltit. Vetëm aty e kupton se sa ke vuajtur. Sidomos të hënën mëngjes, kur e pangopur me gjumë, me këmbët e ënjtura të duhet të shkosh në punë. E ku është qejfi i gjithë kësaj?!/tirananews/KultPlus.com

“Gratë në Shqipëri trajtohen si m***, trajtohen si objekte”

Nga Iva Tiço

Në kohën kur emisionet më shumë sesa shihen në ekran, bëjnë bujë në mediat sociale me atë që thuhet apo që bën vaki në to, emisioni “Xing me Ermalin” ia arrin qëllimit çdo javë: portalet shkruajnë për të.

Edhe pse nuk e kuptoj nëse suksesi i vërtetë matet me audiencë televizive apo me tituj portalesh, kjo nuk më hyn fare në xhep: është puna e atij që bën emisionin se si e ka kontratën me televizionin. Dhe mes lajmeve pako gjë me këngëtare që zihen me kunetërit apo me tituj “filanka i nxjerr të gjitha në publik”, më në fund më del përpara dhe një titull, që përtej mëtimit për të bërë klikime me fabulën e të ftuarës që shpërthen në lot në studio, godet drejt e në plagë: gratë në Shqipëri trajtohen si muti, trajtohen si objekte.

U desh të vinte një vajzë e huaj Aline (e fejuara e një blogeri udhëtimesh, hera e parë që dëgjoja për të dhe zor se do të dëgjoj më), që t’u mësonte gjithë grave shqiptare se si sillet një njeri normal i botës kur i prekin dinjitetin: nuk kapërdihet me idenë që po e shohin në televizor dhe nuk mund të bëjë figurë të keqe, nuk e kalon me një batutë për t’u treguar cool ndërkohë që nga brenda zjen, nuk qesh nga halli se do ta përgojojnë: ia plas, siç i vjen dhe me këtë rast thotë dhe ca të vërteta të mëdha.

Po, në Shqipëri, siç thotë Aline, gratë trajtohen ‘like shit’, pra si muti, si objekte në shumicën e mjediseve private apo profesionale. Edhe mashkulli më i rëndomtë shqiptar, edhe ai më barkderri dhe zhulsi, kërkon të ketë në krah një partnere që të duket copë ylli, të jetë e mbajtur dhe e pispillosur, me thonjtë të lyer dhe në formë fizike, e krehur tek parukierja dhe që të vijë era parfum, edhe pse mund të jetë rropatur gjithë ditën duke mbajtur shtëpinë dhe punën. Dhe burrat shqiptarë nuk i kanë këto kërkesa sepse janë shumë të dhënë pas estetikës, po të ishin të tillë do merreshin dhe me veten e tyre, por duan që gruaja që kanë në krah të jetë objekt mburrjeje para të tjerëve. Në gjuhën e tyre, kur ke një alamet gruaje në krah, i bie që dhe ti të jesh alamet burri.

Trajtohen ‘like shit’, siç thotë Aline, gratë shqiptare edhe në punë. Aty ku për të njëjtën punë paguhen më pak sesa kolegët dhe ku gjykohen e paragjykohen. Nëse nuk janë të mbajtura fizikisht, nuk vlejnë fare. Nëse vishen dhe rregullohen, janë bishtpërdredhura. Nëse nuk ndjehen, janë pula, nëse ngrejnë zërin, janë shtriga. Mes burrash fjala gjendet kollaj, asnjë sharje për ta, as për dembelat dhe të paaftët, në tavolinat e tyre i rregullojnë vetë të gjitha.

Dhe trajtohen ‘like shit’ më së shumti në ekran. Ndër shumë të tjera, studioja e Ermalit është shembulli më i mirë. Edhe pse është frymëzuar për emisionin e vet, deri edhe për skenografinë dhe ngjyrën e tryezës, nga emisione të tipit “late late show” nëpër botë, ku të ftuarit pyeten me një humor shumë fin dhe tregojnë shpenguar gjëra që nuk kanë guxuar t’i rrëfejnë kurrë në ekran, Mamaqi ka shtuar diçka nga vetja, diçka shqiptare, tipike shqiptare: një vajzë-objekt. Ka shtuar një vajzë të bukur, shumë të bukur dhe shumë provokuese në veshje, që mëton të bëjë pyetje provokuese. Apo më saktë, prezantohet si ajo që bën pyetje provokuese. Ishte pikërisht ajo që bëri dhe zhurmën këtë herë, kur ngacmoi të ftuarin “Po gjithë këto udhëtime i bën për të takuar goca?”. Ndoshta i është dukur pyetje e zgjuar dhe ngacmuese, për botën tonë shqiptare ndoshta edhe është. Ne e kemi zakon të shfaqemi kështu si “p…s…”, edhe në ekran, të qeshim e të shkelim syrin, edhe pse mund të jemi në krah të të fejuarës, kushdo vajzë shqiptare do kishte qeshur në vend të Alines, nga zori a nga turpi nuk do ishte ndjerë, por jo Aline. Ajo ka shpërthyer: “Kjo është shumë e pavend. Kjo nuk është për të qeshur. E di që kjo është Shqipëria dhe ju nuk keni respekt për gratë, por kjo e kaloi cakun. Të mos respektosh gratë nuk është për të qeshur. Jam e lodhur nga kjo botë që bën kështu gjërash. Nuk është në rregull. Kanali im në youtube me miliona ndjekës është për të drejtat e grave dhe ti bën këtë pyetje. Gratë në Shqipëri trajtohen si muti, si objekt”.

Për Ermalin dhe velinën e tij ndoshta qe thjesht një shaka. Në kuadrin shqiptar të shakasë ata nuk kanë kaluar asnjë limit, të ftuarit në atë studio kanë mbajtur shumë më shumë. Por duhet një shembull që vjen nga jashtë, që t’i bëjë njerëzit të reflektojnë: kujt i shërbejnë të tilla spektakle të fjalës, ku fjala është gjëja më pa vlerë?! Aline, në fund të fundit, irritimin më të madh e kishte nga fakti që pyetja që e trajtonte si objekt i erdhi nga një vajzë që shfaqet çdo të shtunë thjesht si objekt. Por vetë objektet nuk dëgjojnë nga ai vesh: me siguri e shtuna ka qenë e frytshme, klikimet në rrjet janë në majë nga lotët e Alines. (Marrë nga Tirana Post)./ KultPlus.com

Gjuha jonë sa e mirë!

Shkruan: Iva Tiço.

Në morinë e titujve të portaleve, që gjatë ditës së dielë bëjnë çmos për të marrë klikime njerëzish, që janë duke u shullyer buzë detit, më bëri përshtypje një lajm, sipas të cilit një baba kërcënonte se nuk do e qaste në shtëpi të bijën… Si gjithë lexuesit e të dielës, edhe unë klikova sipër, për të lexuar ndonjë dramë familjare, telenovelë me personazhe realë, për të zbuluar më pas se, në fakt, lajmi ishte shumë më i bukur sesa këto historitë banale: një zotëri, në programin e Ardit Gjebresë, kishte thirrur të bijën që jetonte në Itali dhe ishte e martuar me një italian dhe veç falenderimeve dhe dashurisë së një ati, i kishte kërkuar që t’i mësonte të birit patjetër shqipen. I kishte vënë edhe afat, deri në fund të vitit, më duket, duke e “kërcënuar” se përndryshe mos të guxonte të shkonte në shtëpinë e tij (kjo pjesë më kishte ngatërruar në tituj).

Kolegët e mi të portaleve ndoshta do merrnin të njëjtat klikime, në mos edhe më shumë, nëse nuk do abuzonin me titullin. Sepse çdokush nga ne njeh ndonjë gjysh në moshë të thyer, që bën përpjekje titanike për të bërë ndonjë përshëndetje në anglisht, italisht, gjermanisht dhe edhe në gjuhë të rralla për të folur me nipër e stërnipër nëpër botë dhe në fund pasi nuk kuptohet me fjalë, merret vesh vetëm me gjuhën e dashurisë, të mallit, të lotëve. Po ashtu, çdokush prej nesh njeh shumë prindër, që mes vështirësive të jetës në emigracion, ia dalin të gjejnë kohën t’u lexojnë fëmijëve libra në shqip, të këmbëngulin e t’u flasin
shqip edhe kur fëmijët e tyre janë në moshën kur nuk duan të ndihen ndryshe nga shokët dhe duan të fshehin çdolloj prejardhjeje të ndryshme nga të tjerët, apo prindër që blejnë abonime satelitore, vetëm që në shtëpitë e tyre të dëgjohet shqipja, apo që sakrikojnë pushimet e vetme vjetore që mund t’i bënin nëpër resorte luksoze, për t’i sjellë fëmijët në vendin ku ajo gjuhë është e gjallë, edhe pse fëmijët mund të mos kenë lindur këtu e ndoshta nuk kanë asnjë plan të vinë kur të rriten.

Nuk është thjesht patriotizëm. Eshtë vetëdije për gjuhën, për atë që të bën t’i përkasësh një kombi. Kemi një farë kompleksi ne shqiptarët, kur vjen puna tek shqipja. Në rastin më të mirë themi që i urrejmë patriotizmat për gjuhën, pasi propaganda
pesëdhjetëvjeçare dhe filmat me sakrificat e Rilindasve (atyre prej vërteti) na e kanë sjellë në majë të hundës dhe na kanë bërë të zgjedhim ekstremin tjetër. Dhe në rastin më të keq, kryesisht nga padija dhe injoranca, themi se shqipja është një gjuhë e varfër, që nuk na i thënka dot të gjitha! Nuk kam për qëllim të bëj një shkrim si i leksionet që kam bërë në shkollë, ku vërtetohej që shqipja është një nga gjuhët më të pasura dhe më të vjetra në botë. Veçse teksa mendoja për zotërinë që i lutej të bijës që t’i mësonte mirë fëmijës gjysmë-italian shqipen, nuk mund të mos më shkonte mendja tek dhjetëra fëmijë miqsh, të njohurish dhe kushërinjsh të mi, që nëpër shkolla private apo shtetërore të shoqëruara me kurse private gjuhësh të huaja, e kanë zëvendësuar shqipen me kohë me anglishten, edhe pse jetojnë në mes të Tiranës. Jo thjesht fjalët, që u vijnë fillimisht në anglisht, por dhe struktura të tëra fjalish, ç‘ka nënkupton që ata mendojnë në anglisht dhe kur flasin me ne, thjesht përkthejnë fjalë për fjalë. “E ç‘u duhet? As kanë për ta përdorur kurrë”, më thonë shumë prej prindërve, teksa tregojnë plane për shkollimin e tyre jashtë dhe se si edhe unë do mendoj po si ata, kur të bëhem vetë me fëmijë dhe se si kjo puna e gjuhës shqipe më dhimbset vetëm mua dhe një dore njerëzish që kemi shkollimin apo punën të lidhur me të, por për pjesën tjetër është vetëm një mënyrë për t’u marrë vesh.

Nuk mund të kthej tryezat e miqve në panel diskutimi televiziv, nuk më ka lënë mendja ta bëj këtë. Për më tepër që një mikeshë që më thotë të njëjtin argument, se fëmijëve nuk ka ç‘u duhet shqipja, e ka gjithashtu shkollimin dhe punën si pedagoge, ngushtësisht të lidhur me gjuhën shqipe, por është krejtësisht e dorëzuar para anglishtes së dy fëmijëve të saj dhe shpirtit të tyre praktik, për të futur në kokë vetëm gjërat që u hyjnë në punë ose që i zbavisin. Nuk mund t’u mbush mendjen as me vjershat e Naimit, as me “Udhën e Shkonjave” e Dhaskal Todrin. Në fund të fundit, kjo është puna e Ministrisë së Arsimit dhe asaj Akademie Shkencash që është ka ekzistuar më kot, pa shpënë as shkencën përpara, por dhe pa mundur të mbrojë atë që është bërë deri tani.

Megjithë ndrojtjen për t’u shfaqur si patriote – patetike (se dhe unë futem në kategorinë e atyre që pasi kanë mësuar Naimin me zor përmendësh, u vjen turp të dalin ta citojnë tani), nuk do doja që dhe Ministria e Arsimit ta ketë marrë me kaq mendjelehtësi këtë punë, po aq sa prindërit, që në fund të fundit janë në të drejtën e tyre të vendosin ç‘të duan. Në progamet mësimore të shkollave private do të mund të punohej në atë mënyrë, që edhe kur lëndet si matematika, fizika e kimia bëhen në anglisht, së paku të arrihet që fëmijët ta përvetësojnë më së miri gjuhën shqipe dhe t’u nxitet dëshira për të lexuar libra shqip. Vetëm Ministria e Arsimit e ka për detyrë që “gjuha jonë sa e mirë” të mos jetë thjesht një varg më shumë i njërës prej vjershave të mësuara përmendësh si detyrë klase…. Duhet të bëjë dhe ajo së paku po aq sa ata emigrantët, si ai zotëria dje në emision, për të cilët kjo gjuhë është jo vetëm e mirë, por e vetmja gjë që i bashkon me njerëzit e tyre dhe i bën të ndihen pjesë e një kombi.