Izolimi si arsye e mbylljes të botës nga pandemia, por dhe të ndjenjës që tash e sa vite, pavarësisht pandemisë e përjetojnë Kosovarët, janë vetëm një shpjegim i shkurtë i “Izolimit”, temës së edicionit të 12-të të Festivalit Ndërkombëtar të Animacionit ‘Anibar’, i cili si çdo vit tjetër edhe këtë herë po vjen me surpriza të shumëta, shkruan KultPlus.
“Pandemia ishte arsyeja pse ne filluam të mendojmë për këtë temë. Për herë të parë, e gjithë bota përjetoi atë që përjetojnë kosovarët: të mos jesh në gjendje të lëvizësh lirshëm. Por mungesa e lirisë së lëvizjes ishte vetëm një pikë e të menduarit për izolimin. Ne gjithashtu filluam ta lidhim atë me forma të tjera të izolimit. Përveç izolimit për sa i përket lirisë së lëvizjes, e cila lidhet me kufizimet tona të vizave dhe situatën me pandeminë, ne gjithashtu ishim të interesuar se çfarë kuptimi ka “izolimi” për njerëzit. Pra çfarë efekti ka izolimi ndaj mendjeve tona”, ka thënë koordinatorja për media dhe komunikim e Anibar, Rina Statovci për KultPlus.
Sipas saj izolimi mund te jetë i mirë dhe i domosdoshëm në disa periudha të cakuara të jetës, madje edhe atëherë kur duhet të arrish paqe me veten. Tutje ajo e shpjegon izolimin si gjendjen natyrore të animatorëve, ku ata mbyllen për javë të tëra brenda studiove.
“Izolimi mund të jetë edhe i mirë. Përgjatë pandemive, karantinimi duhet të jetë i domosdoshëm. Por edhe në kohëra tjera, gjithsecili prej nesh i ka të njohura momentet kur e dëshiron vetminë, në mënyrë që të arrihet paqja me botën e veten. E gjithashtu për hir të disa domosdoshmërive: fokusit, përqëndrimit, të vërtetës. Thelbit. Izolimi është po ashtu gjendja natyrore e animatorëve. Ajo e mbyllë veten brenda studios së saj për javë e muaj. Animacioni mund të jetë goxha zanat i të vetmuarve. Por në fund, arti i saj fluturon. Thyen barrierat e shoqërisë. Kapërcen kufijtë kombëtar sikurse të mos ekzistonin. Dhe lidh shikuesit gjithandej botës”, ka shtuar Statovci në një intervistë për KultPlus.
Por, krahas kësaj ane të mirë, Rina Statovci, nuk e lë pa e përmendur “errësirën” që mbanë brenda vetes kjo fjalë, e mënyrë e jetesës. Tutje ajo ka shtuar se “Izolimi” i tyre është një thirrje për zgjim që të bëhëmi më serioz për çëshjet që përballemi e jetojmë çdo ditë brenda shtëpive tona.
“Pra per kete arsye ne zgjodhëm “Izolimin” si temë të këtij edicioni, është një temë e përshtatshme për çfarë po ndodhë në Kosovë dhe mbarë botën”, tregoi tutje Statovci për KultPlus.
Teksa vitin e kaluar Anibar erdhi për publikun në një formë krejtësishtt ndyshe nga herët e tjera, pra në formatin online. Këtë herë do të bëhet një kombinim mes të dyjave, formatit online dhe pjesëmarrjes fizike, ashtu që të ju mundësojnë pjesmarrësëve të përjetojnë të dy anët e medaljes.
“Duke pasur parasysh situatën aktuale me pandeminë COVID-19, edicioni i 12-të i Anibar do të jetë në format të kombinuar. Kjo do të thotë që Festivali Ndërkombëtar i Animacionit Anibar mund të vizitohet si drejtpërdrejt ashtu edhe përmes platformave virtuale, për çka stafi i Anibar është përgaditur prej fillimit të organizimit të këtij edicioni”, tha Rina Statovci për KultPlus.
Statovci ka shtuar se dhe në këtë vit do të ketë mysafir të shumtë që do të marrin pjesë në ediconin e 12-të të Anibarit, duke shtuar se ata do të marrin pjesë fizikisht dhe virtualisht duke i shtuar kështu edhe më shumë magjinë e netëve të verës këtij festivali.
Fetsivali Ndërkombëtar i Animacionit Anibar në këtë edicion do të sjllë program të gjerë si kurrë më parë, me afro 300 filma të animuar nga 1413 gjithsej sa janë dërguar nga e gjithë bota.
Filmat e përzgjedhur do të ndahen në nënëtë kategori, ku gjashtë prej tyre janë garuese, si Gara Ndërkombëtare, Gara Studentore, Gara Ballkanike, Gara e Video Muzikës së Animuar, Gara e Filmit të Metrazhit të Gjatë dhe Kategoria e të Drejtave të Njeriut.
Ndërkaq tre kategoritë e tjera janë jokonkurruese si Panorama Jashtë Garës dhe Programi për Fëmijë dhe të Rinj.
Por, kjo nuk është surpriza e vetme e Anibar, kjo sepse në këtë edicion do të shfaqen premierat botërore të “Raft” nga Marko Mestrovic, si pjesë e Garës Ballkanike, “Error” nga Lucie Vostárková si pjesë e Garës Studentore si dhe premierën e dytë pas Festivalit të Filmit në Kanë të “Red Shoes” nga Anna Paděrová, në Garën Studentore.
E pyetur se sa e vështirë ka qenë që të organizohet edicioni i sivjetëm i Anibar, Statovci për KultPlus ka thënë ka qenë mjfat e vështirë pikërisht për faktin se masat kundër virusit po ndërrojnë dita ditës, dhe ata duhet të jenë të përgatitur për çdo ndryshim.
“Hasëm mjaft vështirësi në organizimin e festivalit. Është e vështirë të organizosh diçka nëse nuk e di se cilat masa do të jenë në fuqi në një kohë të caktuar. Duhet të planifikojmë çdo gjë dhe të jemi të gatshëm për çdo ndryshim, gjë që merr shumë kohë. Për më tepër ishte edhe e vështirë ti sjellim mysafirët tanë në Kosovë pasi ka ende shumë kufizime të udhëtimit. Gjithashtu organizimi i programit tonë muzikor dhe ahengjeve ishte më i vështirë se zakonisht. Sidoqoftë, panvarësisht gjithçkaje ishte vërtet një vit i mirë për organizimin e Anibar”, ka përfunduar ajo./ KultPlus.com