Konfirmohet: Izraeli do të konkurrojë në Eurovizion

Organizatorët kanë konfirmuar se Izraeli do të lejohet të konkurrojë në “Eurovision Song Contest 2024” pas ndryshimit të tekstit në këngën e tij ‘October Rain’ – tani e titulluar ‘Hurricane’.

Këngëtarja 20-vjeçare ruso-izraelite, Eden Golan do të përfaqësojë vendin këtë maj, shkruan euronews.

Kënga e saj origjinale, “October Rain”, i referohej sulmeve të Hamasit të 7 tetorit dhe ishte ndaluar për shkeljen e rregullave mbi neutralitetin politik. Transmetuesi publik i Izraelit ra dakord të ndryshojë këngën, tashmë të titulluar “Hurricane”, e cila do të zbulohet këtë fundjavë.

Izraeli pranon ndryshimin e tekstit të këngës për Eurovision 2024

Transmetuesi publik i Izraelit ka kërkuar ndryshime në tekstin e këngës së paraqitur për konkursin e këtij viti në Eurovizion.

Organizatorët e ndaluan atë javën e kaluar për shkeljen e rregullave mbi neutralitetin politik.

Transmetuesi izraelit Kan ishte zotuar të mos ndryshonte tekstin e shiut të tetorit – një referencë e dukshme ndaj sulmit të Hamasit ndaj Izraelit më 7 tetor, raporton BBC.

Por presidenti i Izraelit Isaac Herzog bëri thirrje për “rregullime të nevojshme” për të siguruar që Izraeli të mund të hyjë në shfaqje.

Izraeli ka fituar katër herë më parë Eurovision Song Contest. Ngjarja e këtij viti do të mbahet në Suedi – i cili fitoi përmbajtjen e vitit të kaluar – në maj.

Kan është në procesin e zgjedhjes së hyrjes së tij, me October Rain kryesues dhe Dance Forever në vendin e dytë.

Në një deklaratë të dielën, Kan tha se kishte kontaktuar me tekstshkruesit e të dy këngëve dhe u kishte kërkuar atyre që “të ripërshtatnin tekstet, duke ruajtur lirinë e tyre artistike”.

Presidenti Herzog, shtoi ai, kishte “theksuar se pikërisht në një kohë kur ata që na urrejnë po kërkojnë të shtypin dhe bojkotojnë Shtetin e Izraelit”, vendi “duhet të ngrejë zërin” në forumet ndërkombëtare.

Muajin e kaluar, kur Unioni Evropian i Transmetuesve tha se po vlerësonte tekstin, Kan tha se “nuk kishte ndërmend ta zëvendësonte këngën”.

Hyrja e Izraelit, që do të performohet nga këngëtari 20-vjeçar Eden Golan, do të konfirmohet të dielën e ardhshme.

Kosova synon fitoren e parë në shtëpi sonte ndaj Izraelit

Kosova do të përballet sot me Izraelin në kuadër të eliminatoreve të Kampionatit Evropian, shkruan KultPlus.

Ndeshja do të zhvillohet në stadiumin “Fadil Vokrri”, duke nisur nga ora 20:45.

Dardanët do të synojnë fitoren e tyre të parë në shtëpi, ndërsa Izraeli do të kërkojë të mbajë të gjalla shpresat për kualifikimin evropian.

Izraeli aktualisht mban pozitën e tretë në Grupin I, me 11 pikë, pas gjashtë ndeshjeve.

Ndërkohë, Kosova ka humbur shanset për kualifikim, aktualisht e pozicionuar në vendin e katërt me shtatë pikë.

Ndeshja kundër Izraelit fillimisht ishte planifikuar për në tetor, por u shty për shkak të luftës mes Izraelit dhe Hamasit. /KultPlus.com

OKB: Izraeli bombardoi ndërtesat e banimit dhe shkollat në Gaza

Izraeli i ka goditur ndërtesat e banimit, përfshirë blloqet e ndërtesave të larta, si dhe shkollat gjatë bombardimeve në Rripin e Gazës, duke vrarë civilë, tha të martën komisionari i Lartë i Kombeve të Bashkuara për të Drejta të Njeriut, Volker Turk.

Ushtria izraelite i ka vazhduar të martën bombardimet vdekjeprurëse ndaj Rripit të Gazës së kontrolluar nga Hamasi, pasi grupi militant kërcënoi se do t’i vriste disa prej rreth 150 pengjeve që i rrëmbeu në fundjavë, nëse sulmet ajrore do të vazhdonin pa paralajmërim.

“Ligji ndërkombëtar është i qartë: kujdesi i vazhdueshëm është detyrim për ta kursyer popullatën civile dhe caqet civile gjatë sulmeve”, tha Turk në një komunikatë.

Të nënën, Izraeli njoftoi rrethimin e plotë të Rripit të Gazës, duke mos lejuar futjen e ushqimit dhe ujit, si dhe duke e ndërprerë furnizimin me rrymë.

Për këtë, Turk tha se rrethimet të cilat e rrezikojnë jetën e civilëve janë të ndaluara me ligj ndërkombëtar.

Forcat e Mbrojtjes së Izraelit thanë të martën se e kanë siguruar kufirin me Gazën, nga ku mijëra luftëtarë të Hamasit ishin futur në Izrael të shtunën për ta nisur sulmin më të rëndë ndaj këtij vendi në dekadat e fundit.

Numri i të vdekurve në Izrael është rritur në 900 nga sulmet e Hamasit, për të cilat Izraeli është hakmarrë me bombardime mbi Gazën, ku kanë mbetur rreth 700 të vrarë.

Ushtria izraelite tha të martën se i ka gjetur mbi 1.500 trupa të militantëve të Hamasit brenda Izraelit.

Ajo, po ashtu, njoftoi se pothuajse e ka përfunduar evakuimin e komuniteteve izraelite përreth kufirit me Gazën.

Hamasi tha të hënën se katër prej pengjeve që i ka rrëmbyer janë vrarë si pasojë e sulmeve ajrore izraelite. Më vonë, grupi militant tha se mund të fillojë t’i vrasë ata vetë. /rel/ KultPlus.com

Nis shitja e biletave online për ndeshjen Kosovë – Izrael

Federata e Futbollit të Kosovës ka njoftuar se ka filluar shitja e biletave për ndeshjen Kosovë – Izrael, në kuadër të kualifikimeve për EURO 2024, shkruan KultPlus.

Kjo ndeshje do të zhvillohet më 15 tetor 2023, në ora 20:45, në stadiumin “Fadil Vokrri.

Çmimet e biletave janë si më poshtë: Veri dhe Jug 5 euro, Lindje 10 euro, Perëndim 20 euro dhe VIP 80 euro.

Një person mund të blejë deri në katër bileta, derisa biletat mund t’i gjeni këtu. /KultPlus.com

Gërvalla me ministrin izraelit flasin për mundësinë e udhëtimit pa viza mes dy vendeve

Ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, njofton se ka pritur në takim ministrin Izraelit të Turizmit, Haim Katz, me të cilin tha se u diskutua për zhbllokimin e turizmit dhe mundësinë e udhëtimit pa viza mes dy vendeve.

Postimi i saj i plotë:

Më herët sot mirëprita në Kosovë Ministrin Izraelit të Turizmit, z. Haim Katz. Ne patëm diskutime produktive rreth zhbllokimit të potencialit të plotë të sektorit tonë të gjallë të turizmit dhe eksplorimit të mundësisë së udhëtimit pa viza midis vendeve tona./ KultPlus.com

Ministri Çeku në takim me ambasadoren Ziv: U dakorduam për nisjen e bashkëpunimit në trashëgimi kulturore dhe muzetë

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku së fundmi ka takuar ambasadoren e Izraelit në Kosovë, Tamar Ziv, përcjell KultPlus.

Ata kanë ndarë së bashku vizionin për bashkëpunimin kulturor bilateral si dhe janë dakorduar për nisjen e bashkëpunimit në trashëgimi kulturore dhe muzetë.

“Kënaqësi të takoja dhe të ndajmë vizionin e përbashkët për bashkëpunimin kulturor bilateral, me ambasadoren e Izraelit në Kosovë, Tamar Ziv.

Diskutuam për marrëveshjet aktuale, atë për bashkëprodhim të filmave dhe në fushën e arkivave, ndërsa u dakorduam për nisjen e bashkëpunimit në trashëgimi kulturore dhe muzetë”, thuhet në njoftimin e tij. / KultPlus.com

Vazhdon bashkëpunimi mes Kosovës dhe Izraelit

Në shkollën “Prenk Jakova” në Prishtinë, në kuadër të muajit të Rinisë u mbajt një koncert i mrekullueshëm nga nxënës të muzikës nga Kosova e Izraeli.

Qëllim i kësaj ngjarje ishte shkëmbimi kulturor mes Izraelit dhe vendit tonë, ndërsa ofroi për publikun një program të pasur artistik.

Në koncert ishin të pranishëm, ministri i kulturës, Hajrulla Çeku, shefja e kabinetit të Ministrisë së Arsimit, Edita Buçinca, kryetari i komunës Abu Ghosh të Izraelit, Salim Jaber, drejtoresha e shkollës së muzikës “Prenk Jakova” në Prishtinë, Jeta Dida Bujari, nxënës të muzikës e artdashës.

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe Ministria e Arsimit ka organizuar disa aktivitete kulturore e artistike dhe vizita të përbashkëta për të rinjët tanë dhe ata të izraelit në qytete të ndryshme të vendit. /KultPlus.com

Izraeli nderon gjashtë milionë hebrenjtë e vrarë gjatë Holokaustit

Sirenat janë ndezur në orët e hershme të së enjtes në Izrael, për të shënuar vrasjet e gjashtë milionë hebrenjve gjatë Holokaustit.

Njerëzit janë ndalur në vendet ku kanë qenë duke ecur dhe vozitësit kanë dalë nga makinat e tyre, për të ulur kokën si shenjë kujtimi për viktimat e gjenocidit të nazistëve.

Autoritetet izraelite kanë planifikuar një mori ngjarjesh për të shënuar këtë ditë.

Izraeli është themeluar më 1948 si vend i shenjtë për hebrenjtë, pas Holokaustit.

Rreth 165,000 të mbijetuar jetojnë në këtë shtet.

Kryeministri izraelit, Naftali Bennett, ka thënë në orët e vona të së mërkurës se bota nuk duhet të krahasojë Holokaustin me ngjarje tjera në histori.

Ai ka bërë këto deklarata pasi presidentët e Ukrainës dhe Rusisë kanë ngritur paralele të luftës aktuale dhe gjenocidit gjatë Luftës së Dytë Botërore.

“Teksa vitet kalojnë, po shtohet diskursi në botë që krahason ngjarjet tjera të vështira me Holokaustin. Por jo. Asnjë ngjarje në histori, sado mizore që mund të ketë qenë, nuk krahasohet me shfarosjen e hebrenjve të Evropës nga nazistët dhe bashkëpunëtorët e tyre”.

Ai po ashtu ka paralajmëruar shtetin që të mos lejohen ndasitë e mëdha.

Fjalimi i kryeministrit izraelit është bërë edhe në kohën kur familja e tij ka pranuar një letër me një plumb dhe kërcënime me vdekje.

Autoritetet izraelite kanë rritur sigurinë rreth perimetrit të familjes së tij dhe janë duke hetuar rastin./REL / KultPlus.com

Izraeli tërhiqet nga Eurovisioni

Transmetuesi publik izraelit KAN, ka lëshuar një njoftim të befasishëm sot, duke bërë të ditur se nuk do të marrin pjesë ne Eurovisionin e këtij viti në Torino të Italisë.

Transmetuesi publik KAN, sot tha se Izraeli aktualisht nuk po planifikon të konkurrojë në “Eurovision Song Contest 2022”, pasi mbrojtja e sigurisë për delegacionin nuk mund të garantohet.

Punonjësit në Ministrinë e Jashtme të Izraelit, shërbimi izraelit i sigurisë janë aktualisht në grevë, ndërsa KAN tha se nuk janë në gjendje të ofrojnë persona për të shoqëruar delegacionin në Torino.

“Ne nuk mund të marrim përgjegjësi për sigurinë e delegacionit pa siguri në emër të shtetit të Izraelit. Deri më tani, për shkak të grevës së Ministrisë së Punëve të Jashtme, që prek protokollet e sigurisë, delegacioni izraelit nuk do të marrë pjesë në Eurovizionin e Torinos”, tha KAN në një deklaratë në Twitter.

Ndryshe, Izraeli kishte zgjedhur këngëtarin Michael Ben David me këngën “I.M” për Eurovision, ndërsa i njëjti do të këndonte i dyti me radhë në natën e dytë gjysmëfinale më 12 maj. /Zëri / KultPlus.com

https://www.youtube.com/watch?v=WNFeohWlA20

Fuqizim i bashkëpunimit me Izraelin në fushën e kulturës dhe trashëgimisë kulturore

Sot ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku ka pritur në takim ambasadoren e Izraelit në Kosovë, Tamar Ziv.

Bashkë diskutuan për hapat konkret drejt nënshkrimit të marrëveshjeve të bashkëpunimit, në fushën e bashkëprodhimit të filmit dhe atë për bashkëpunim në fushën arkivave.

Kosova dhe Izraeli tashmë kanë të nënshkruar memorandum bashkëpunimi mes Bibliotekës Kombëtare të Kosovës dhe Bibliotekës Kombëtare të Izraelit.

Marrëveshje e cila është bërë vitin e kaluar dhe përfshin ndër të tjera shkëmbimin e koleksioneve mes dy bibliotekave, bashkëpunimin shkencor, shkëmbimin e praktikave rreth dixhitalizimit dhe veprimet kulturore mes tyre.

Ministri Çeku gjithashtu e njoftoi me hapat që janë ndërmarr për projektin e themelimit të qendrës hebraike në Prizren, investimet që po bëhen nga Ministria e Kulturës dhe i kërkoj bashkëpunim që të sigurohemi që po kurohen programe që përfaqësojnë më së miri kulturën dhe historinë e popullit hebre. /KultPlus.com

Presidentja Osmani kërkoi që Izraeli t’i heqë vizat për shtetasit e Kosovës, gjë që do ta mundësonte rritjen e turizmit nga të dy vendet

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani-Sadriu, sot ka pranuar letrat kredenciale nga ambasadorja e parë e shtetit të Izraelit në Republikën e Kosovës, Tamar Ziv, përcjellë KultPlus.

Presidentja Osmani ka rikutjuar raportet miqësore me popullin izraelit edhe përpara vendosjes së marrëdhënieve diplomatike.

“Populli i Kosovës ka hapur dyert dhe zemrat për popullin hebre në ditët më të vështira, e sot, qëndrojmë të gatshëm të thellojmë bashkëpunimin në të gjitha fushat, përfshirë ekonominë, sigurinë, inteligjencën, shëndetin dhe arsimin. Bashkëpunimi ndërshtetëror do të thellohet tutje”, tha Presidentja Osmani.

Memorializimin e viktimave të Holokaustit, Presidentja Osmani e ka cilësuar si një mësim, të cilin mund ta marrë Kosova nga Izraeli për t’i kujtuar viktimat e luftës dhe për t’i shqyrtuar mundësinë e mbështetjes dhe bashkëpunimit në këtë drejtim. Këtë iniciativë, Presidentja e kishte filluar në bashkëpunim me kryetarin e Kuvendit të Izraelit (Knesset) gjatë periudhës si Kryetare e Kuvendit të Kosovës.

Ndërkaq ambasadorja Ziv e falënderoi Presidenten Osmani dhe popullin e Kosovës për mbështetjen ndaj popullit hebre në ditët më të errëta e deri më sot, si dhe përkushtimin për forcimin e marrëdhënieve ndërshtetërore, duke shprehur gatishmërinë për thellim të raporteve në të gjitha fushat. Ambasadorja përmendi hapat e ndërmarra deri më tani, duke përfshirë thellimin e bashkëpunimit në energjetikë, kulturë, turizëm, rritjen e këmbimeve tregtare, shtimin e bashkëpunimit ndërparlamentar dhe memorializimin e luftës.

Presidentja Osmani kërkoi mbështetjen e Izraelit edhe në fushën diplomatike, gjegjësisht në fitimin e njohjeve të reja dhe anëtarësimin në organizata dhe iniciativa ndërkombëtare. Në këtë drejtim, Presidentja gjithashtu kërkoi që Izraeli t’i heqë përfundimisht vizat për shtetasit e Kosovës, gjë që do ta mundësonte rritjen e turizmit nga të dy vendet. / KultPlus.com

Izraeli u mëson të rinjve mbrojtjen e hebrenjve përmes shembullit të Shqipërisë

Izraeli përfshin këtë vit në kurrikulat e shkollave të mesme mbrojtjen e hebrenjve nga shqiptarët gjatë luftës së dytë botërore, por kjo ende nuk ka ndodhur në sistemin tonë të mësimdhënies

Studiuesi Shaban Sinani këshilltari shkencor i tekstit thotë se për hartimin e tyre janë përdorur fakte historike dhe dëshmi të gjalla.

Sinani veçon faktin se historia e mbrojtjes së hebrenjve gjatë luftës së dytë botërore do të mësohet përmes vendit tonë.

Shpesh lind pyetja a ka qenë holokausti i pashmangshëm? Në këto libra, sipas Sinanit merret edhe përgjigja.

Në këto tekste pasqyrohen me objektivitet listat e hebrenjve qe kane kaluar dhe qëndruar në Shqipëri, gjate shekullit te 19 dhe shekullit te 20 thekson Sinani.

Përmes këtyre librave, këtë vit për herë të parë ofrohen për shkollat e mesme të Izraelit, historia e mbrojtjes së hebrenjve. Tekstet janë në hebrarisht, anglisht, dhe shqip. /dsh/ KultPlus.com

Aktiviteti i parë mes Izraelit dhe Kosovës zhvillohet përmes sportit

Sot, me ftesë të shtetit të Izraelit, është duke u zhvilluar një aktivitet shahu mes lojtarëve të Kosovës dhe Izraelit. Kjo ngjarje u organizua në Ditën e Jeruzalemit si shenjë miqësie mes dy shteteve, përcjell KultPlus.

Në hapje mbajtën fjalim zëvendësministrja Daulina Osmani, ambasadorja Ines Demiri dhe ambasadori Dan Oryan.

Osmani gjatë këtij aktiviteti tha se të dyja vendet po festojnë së bashku Ditën e Jeruzalemit, njërit prej qyteteve më të vjetra në botë dhe me një nga sportet më të vjetra.

Tutje ajo ka shtuar se njëlloj sikurse shahu edhe miqësia dhe respekti ndërmjet dy popujve i ka rezistuar kohës.

Më poshtë mund të lexoni fjalimin e plotë të zëvëndësministres:

“Në emër të Qeverisë së Kosovës, ju falënderoj për ftesën tuaj. Jemi të nderuar që aktiviteti i Shahut për Solidaritet këtë vit po zhvillohet midis dy shteteve tona. Sot ne po festojmë së bashku Ditën e Jeruzalemit, një nga qytetet më të vjetra në botë me një nga sportet më të vjetra.

Si zëvendësministre e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, dhe si sportiste, e vlerësoj rëndësinë e shahut si sport dhe po ashtu si art. Sport mbi një mijë vjet i vjetër, është një nga aktivitetet më stimuluese për mendjen e njeriut. Kërkon aftësi të jashtëzakonshme të të menduarit, përqendrimit dhe durimit.

Gjithashtu vlerësoj domethënien simbolike të ngjarjes së sotme sepse ne e dimë që sporti është një nga mënyrat më të mira për të bashkuar dy vende. Ashtu si shahu, miqësia dhe respekti midis popujve tanë i ka rezistuar kohës.

I uroj të gjithë lojtarëve fat të mirë. Le të fitojnë më të mirët. Faleminderit./ KultPlus.com

“Human Rights Watch” akuzon Izraelin për aparteid ndaj palestinezëve

Organizata e njohur ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, “Human Rights Watch”, i ka akuzuar zyrtarët izraelitë për krime të aparteidit dhe përndjekjes, duke pretenduar se qeveria është duke zbatuar një politikë gjithëpërfshirëse për ta mbajtur mbizotërimin e izraelitëve çifutë mbi palestinezët.

Në raportin e publikuar të martën, grupi me seli në Nju Jork të Shteteve të Bashkuara u bë organizata e parë e madhe ndërkombëtare që hodhi pretendime të këtij niveli. Organizata tha se pas dekadave të paralajmërimeve se një kontroll i ngulitur i jetës së palestinezëve mund të çojë në aparteid, ka gjetur se “pragu” tashmë është kaluar.

“Kjo është gjetja më e zymtë që Human Rights Watch ka bërë rreth sjelljes së Izraelit gjatë 30 vjetëve nëpër të cilët ne kemi qenë duke dokumentuar abuzime në terren atje”, tha Omar Shakir, drejtor i HRW-së për Izrael dhe Palestinë, shkruan The Guardian, transmeton Gazeta Express.

Duke reaguar ndaj këtij raporti, Ministria e Jashtme e Izraelit e akuzoi organizatën “Human Rights Watch” për një “agjentë të gjatë anti-izraelite” dhe tha se raporti është një broshurë propagande që nuk ka lidhje me faktet apo realitetin në terren.

Megjithatë, ky raport u hartua në bazë të dokumentacionit për të drejtat e njeriut, analizimit të ligjeve izraelite, një rishikimi për dokumenteve planifikuese të qeverisë dhe në deklaratat e zyrtarëve, shkruan gazeta e njohur britanike.

I përdorur së pari për rastin e ndarjes raciste të popullsisë në Afrikën Jugore, termi aparteit rrjedh nga një gjuhë afrikane dhe cilësohet si krim kundër njerëzimit sipas ligjit ndërkombëtar.

HRW tha se brenda Izraelit, ku rreth një e pesta e popullsisë përbëhet nga palestinezët, dhe në territoret e okupuara, autoritetet janë munduar që ta maksimizojnë tokën e qasshme për komunitetet çifute dhe t’i grumbullojnë shumicën e palestinezëve në qendrat e dendura të banimit.

Rreth dy milionë palestinezë jetojnë nën bllokadë të rreptë në Gaza. Forcat izraelite u tërhoqën nga ky territor më 2005, por ende e kanë kontrollin e kufijve, detit dhe hapësirës ajrore të zonës.. / KultPlus.com

Mediumi izraelit: Kosova të hënën do ta hapë ambasadën në Jerusalem

Kosova pritet që shumë shpejt të bëhet vendi i radhës që hap një ambasadë në Jerusalem.

Madje “Israel Hayom“ka mësuar se diplomatët e vjetër nga të dy vendet do të marrin pjesë në ceremoninë e shënimit të hapjes së ambasadës që do të mbahet të hënën në Jerusalemin qendror.

Ky medium vë në pah faktin se të enjten, ministri i Jashtëm, Gabi Ashkenazi, si dhe kryeministri çek Andrej Babis ishin të pranishëm ndërsa Republika Çeke “pagëzoi” një degë të re të ambasadës së saj në këtë qytet.

Gjithashtu të enjten, thekson tutje ky medium, kryeministri Benjamin Netanyahu mbajti një samit me Babis dhe kryeministrin hungarez Viktor Orban.

“Netanyahu vlerësoi të dy vendet për veprimin e hapjes së zyrave zyrtare në Jeruzalem dhe tha se Izraeli i vlerëson ‘ata që na ndihmojnë në skenën ndërkombëtare, siç bëjnë miqtë e vërtetë’”./ KultPlus.com

Federata panshqiptare e Amerikës ‘Vatra’ përshëndet marrëveshjen mes Kosovës dhe Izraelit

Federata Panshqiptare e Amerikës VATRA, përshëndet dhe mbështet fuqishëm marrëveshjen ndërmjet shtetit të Kosovës dhe shtetit të Izraelit për njohjen dhe vendosjen zyrtare të marrëdhënieve diplomatike mes dy shteteve dhe rritjen e bashkëpunimin në shumë fusha. Izraeli bëhet shteti i 117-të që e njeh Republikën e Kosovës si shtet të pavarur dhe sovran.

Në këtë ditë historike të forcimit dhe më tej të miqësisë mes SHBA-së, Kosovës dhe tashmë  edhe Izraelit, i shpreh mirënjohje të thellë dhe vlerson Shtetet e Bashkuara të Amerikës për kontributin dhe rolin e veçantë për këtë arritje e kësaj marrveshje historike-politike-diplomatike.  Njohja e shtetit të Kosovës prej Izraelit është arritja më e madhe diplomatike e Kosovës gjatë vitit diplomatik dhe mbi të gjitha forcim i mëtejshëm i miqësisë me aleatin më të madh të Kosovës, SHBA.

Akti historik i njohjes së shtetit të Kosovës nga Izraeli, forcon më tej pozicionin e Kosovës, imazhin, institucionet dhe diplomacinë e Kosovës në arenën ndërkombëtare dhe është një hap përpara drejtë realizimit të aspiratës euroatlantike të popullit dhe institucioneve të shtetit të Kosovës. Në këtë proces të vështirë historik, VATRA falenderon Kryeministrin e Kosovës, z.Avdullah Hoti dhe Ministrën e Punëve të Jashtme dhe Diasporës së Kosovës, Haradinaj-Stublla, për punën e bërë dhe suksesin e lartë që është një garanci e mëtejshme në fushën e diplomacisë së Kosovës, integrimit dhe forcimit të institucioneve. Marrëveshja Kosovë – Izrael, është një gur themeli i fortë në miqësinë mes popullit shqiptar, izraelit dhe popullit mik amerikan. Mbështetja nga Shtetet e Bashkuara, miqësia e re dhe e fortë më Izraelin e bëjnë Kosovën më të fortë, forcon pozitat e shqiptarëve në rajon. Nëpërmjet kësaj marrëveshjeve, Shtetet e Bashkuara hedhin jë hap të fuqishëm diplomatik që ndihmon paqen dhe stabilitetin në Ballkan. Në këtë proces kompleks VATRA ishte prezente dhe u angazhua pandërprerë nëpërmjet komunikimeve dhe takimeve të vazhdueshme ku delegacioni i VATRËS në Uashington, loboi fuqishëm me miqtë e tanë në Shtëpinë e Bardhë, duke shfrytëzuar njohjet personale dhe institucionale në takimet me Ambasadorin Granell dhe përfaqësues të tjerë të Shtëpisë së Bardhë. Gjatë gjithë këtij procesi i qëndruam afër duke i shoqëruar e këshilluar delegacionin e shtetit të Kosovës në Uashington.

Përgjatë vitit 2020, po ashtu VATRA forcoi edhe më tej lidhjet e saj me diplomacinë në Uashington, me diplomacinë e Kosovës duke nënshkruar memorandum me Ministren e Jashtme Meliza Haradinaj Stublla dhe jemi në përgatitjen përfundimtare të nënshkrimit të marrëveshjes me diplomacinë e Tiranës zyrtare pas zgjedhjeve të përgjithshme të 25 prillit. VATRA do ta luajë kurdoherë rolin e saj atdhetar e diplomatik sa herë që shtrohet për diskutim fati i shteteve amë Shqipërisë e Kosovës. VATRA do të jetë prezente duke lobuar me miqtë në Uashington sa herë që të merren vendime për fatet e popullit, shtetit e kombit shqiptar./ KultPlus.com

Ines Demiri shkruan historinë, diplomatja e parë e Republikës së Kosovës në Izrael

Ines Demiri, diplomatja e njohur kosovare me orgjinë hebreje, është emëruar si e Ngarkuar me Punë e Republikës së Kosovës në Izrael.

Lajmin e bëri të ditur vetë Demiri në rrjetin social Facebook.

“E nderuar që jam emëruar si e Ngarkuar me Punë e Republikës së Kosovës në Izrael! Pres me padurim këtë sfidë të madhe që nënkupton edhe pasionin tim të madh për të thelluar edhe më tej marrëdhëniet midis Kosovës dhe Izarelit“, shkruan Ines Demiri e cila është vajza e Votim Demirit, kryetarit të Bashkësisë Hebreje të Kosovës. / KultPlus.com

Artina Hamitaga: Kosova dhe Izraeli miqësi e përjetshme e lidhur nga Besa e shqiptarëve

Njohja e Kosovës nga shteti i Izraelit do të kontribuojë pozitivisht në fuqizimin e vendit tonë me theks të veçantë në aspektin politik dhe atë ekonomik.

Kur së bashku me një grup dashamirësish të Izraelit iniciuam themelimin e organizatës Kosova Jewish Organizition, ishim të bindur se shumë shpejt marrëdhëniet historike midis Kosovës dhe Izraelit do të mbërrinin në një nivel tjetër.

Organizata jonë fokusin e kishte pikërisht në promovimin e raporteve tradicionale shqiptaro-hebreje, ku në epiqendër ishte roli i shqiptarëve, që si popull bujar dhe si njerëz të Besës, në epokën ku pothuajse gjithë bota dështoji në njerëzillëkun e tyre, ata triumfuan.

Në periudhën më të errët për popullin hebre, atë të Holokaustit gjatë Luftës së Dytë Botërore, shqiptarët ishin të vetmit që ua hapën  derën, i strehuan dhe i shpëtuan. Dhe kjo nuk do të harrohet kurrë. Edhe Izraeli dhe hebrenjtë kudo në botë e theksojnë këtë fakt. Kjo do të mbetet përjetësisht lavdi e shqiptarëve, falë paraardhësve tanë, në Shqipëri dhe Kosovë, të cilëve duhet tu jemi mirënjohës përjetësisht.

Thuajse, 55 vjet më vonë, në 1999, populli bujar dhe i Besës, i banuar ne territorin e Kosovës, u dëbua nga shtëpitë e tyre, u vranë e u masakruan nga çetnikët serbë gjatë Luftës së Kosovës.

Dhe kush më mirë mund ta njihte këtë dhimbje, se ata që vet e kishin përjetuar një gjë të tillë. Izraeli dhe populli i tij.

Dhe pikërisht në vitin më të vështirë të historisë së Kosovës 1999, kryeministri i Izraelit, Z.Benjamin Netanyahu, doli publikisht në përkrahje të Kosovës dhe popullit të saj.

Kjo ngjarje, e dhimbshme për shqiptarët i lidhi edhe më fort dy  popujt tanë, tashmë duke ndarë fatkeqësinë pothuajse të njëjtë historike me njeri-tjetrin.

“Ne si hebrenj nuk mund të qëndrojmë duarkryq kur përballemi me imazhe të Kosovës, me mijëra refugjatë të dëbuar nga shtëpitë e tyre, me fytyra të frikësuara që shikojnë nga trenat e hekurudhave, nga fëmijë që kanë humbur prindërit e tyre. Si hebrenj këto pamje na prekin më shumë se çdo popull tjetër dhe ne si hebrenj kemi përgjegjësi të veçantë për të kujtuar, kuptuar dhe vepruar”, tha kryeministri Netanyahu duke iu drejtuar kombit të tij.

Dhe nuk përfundoi me kaq.

Njerëzit kryesorë në administratën amerikane që bën të mundur çlirimin dhe pavarësinë e Kosovës, ishin ata me prejardhje hebreje: Sekretaraja e Shtetit, Madeleine Albright, kryekomandanti i NATO-s, gjenerali Ëesley Clark, Richard Holbrook, Sandy Berger, William Cohen, më herët edhe Tom Lantosh, emri i të cilit shumë shpejt do të nderohet me titullin “Doctor Honoris Caus” nga Universiteti i Gjakovës “Fehmi Agani” dhe ku mbështetëse e kësaj iniciative është edhe Kosova Jewish Organization.

Ne si popull jemi të qartë se, pa mbështetjen dhe përkrahjen shumë të fuqishme të hebrenjve në lobe të ndryshme botërore, vështirë se do të mund të arrinim në çlirimin e Kosovës, pavarësinë e saj dhe krijimin e Republikës së Kosovës, të njohur së pari nga aleati më i madh strategjik i shqiptarëve, Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Pas pavarësisë së Kosovës, njëra ndër pyetjet që më së shpeshtë që është bërë më të drejtë, madje që nga themelimi i organizatës Kosoba Jewish Organization në Prishtinë, ka qenë: “Pse Izraeli nuk e njeh Kosovën?”

Një ndër qëllimet tona ka qenë pikërisht përafrimi i Kosovës me Izraelin, përmes kulturës, edukimit dhe aktiviteteve tjera me karakter promovues.

Ne nuk mund të merrnim përgjegjësi politike për t’i dhënë përgjigje asaj pyetje, por vazhdimisht me kompetencë të plotë jemi deklaruar që njohja e Kosovës do të vijë shumë shpejt dhe se Izraeli vazhdimisht na ka mbeshtetur në shumë sfera të rëndësishme, si ato kulturore, ekonomike, shëndetësore, etj

Dhe ja, 04.09.2020, do të mbetet datë historike.

Katër vite më parë, pikërisht në këtë datë u shenjtërua bija e kombit shqiptar Shën Nënë Tereza. Kjo datë paska qenë e bekuar për popullin tonë.

Emocionet e kësaj dite do të mbesin në mend përjetësisht, ndoshta pse misioni dhe puna jonë lidhej drejtpërdrejt me këtë çështje e me këto dy shtete.

Qe nga Pavarësia e Kosovës, kjo është një ndër ngjarje më të rëndësishme  për shtetin tonë e sidomos për neve si organizatë, andaj s’kishte si të kalonte pa festë.

Secili anëtar i Kosova Jewish Organization, atë ditë mori mesazhe të shumta urimi dhe falënderimi për kontributin e dhënë.

Njohja e Kosovës nga shteti i Izraelit do të kontribuojë pozitivisht në fuqizimin e vendit tonë me theks të veçantë në aspektin politik dhe atë ekonomik.

Një hap i madh është bërë, por kjo nuk është e gjitha, na presin gjëra të mëdha, por edhe punë dhe përgjegjësi shumë e madhe./ KultPlus.com

Fjalimi i fuqishëm i kryeministrit izraelit për Kosovën gjatë vitit 1999 (VIDEO)

Kombi izraelit dhe kryeministri Benjamin Netanyahu, ka njohur shtetin e Kosovës, por ky i fundit që në vitin 1999 ka përkrahur publikisht popullin e Kosovës, si hebrenj kemi përgjegjësi të veçantë për të kujtuar, kuptuar dhe vepruar.

Në ditët me të vështira të popullit të Kosovës, kryeministri i tanishëm i Izraelit kishte dalur publikisht në përkrahje të Kosovës dhe popullit të saj që ishin përndjekur e vrarë nga forcat serbe.

Izraeli ishte nder ato kombet që mbështeti popullin e Kosovës në momentet më dramatike.

Gjatë ceremonisë së përkujtimit për Holokaustin në Jerusalem, kryeminsitri izrealit Benjamin Netanyahu, iu ishte drejtuar kombit izrealit me një fjalim për popullin shqiptar të Kosovës të cilët ishin dëbuar nga shtëpitë e tyre nga Serbia, në vitin 1999.

Ai kishte thënë se populli hebre nuk mund të qëndroi indiferent ndaj pamjeve në Kosovë, dhe se me shumë se çdo popull ai hebre ka përgjegjësi të veçantë për të kujtuar, kuptuar dhe vepruar.

“Ne si hebrenj nuk mund të qëndrojmë duarkryq kur përballemi me imazhe të Kosovës, me mijëra refugjatë të dëbuar nga shtëpitë e tyre, me fytyra të frikësuara që shikojnë nga trenat e hekurudhave, nga fëmijë që kanë humbur prindërit e tyre. Si hebrenj këto pamje na prekin më shumë se çdo popull tjetër dhe ne si hebrenj kemi përgjegjësi të veçantë për të kujtuar, kuptuar dhe vepruar”, kishte thënë Netanyahu.

Më poshtë mund ta dëgjoni fjalimin e kryeministrit Izraelit gjatë vitit 1999 të shpërndarë nga FMimage.