Me performancë unike dhe flamurin e Kosovës në duar, J Balvin dhuron spektakël në “Sunny Hill”

Festivali i përmasave ndërkombëtare ‘Sunny Hill Festival’ i cili mbahet në Prishtinë, mbrëmë jehoi në këngë të stileve të ndryshme nga artistë të njohur kombëtarë dhe ndërkombëtarë, shkruan KultPlus.

Kryefjala e kësaj mbrëmje ishte këngëtari kolumbian, J Balvin i cili edhe e përmbylli natën e dytë të këtij festivali. Ndonëse performoi i fundit, me të ngjitur në skenë ai dhuroi një energji të re në publikun që kishin zënë vend në çdo cep të parkut Gërmia në Prishtinë.

E për t’u shprehur mirënjohër për ftesën edhe pritjen këtu, J Balvin në mes të performancës së tij shfaqet në skenë me flamurin e Kosovës, veprim ky që u përcoll me duartrokitje e brohoritje në publik.

“Faleminderit Dua Lipa për ftesën. Ne jemi këtu për ty. Jemi këtu për juve dhe kam shumë respekt për ju. Unë vij nga Kolumbia, nga një vend që dikur ishte në situatë të vështirë andaj edhe e kuptoj shumë mirë se çfarë ndjeni tani. Por, dikur a vonë, drita vjen gjithmonë dhe ju do të jeni më së miri. Jemi këtu me ju”, ka thënë J Balvin përgjatë koncertit në “Sunny Hill Festival”, duke u solidarizuar kështu me situatën në Kosovë.

Me këngët si ‘Mi gente’, ‘In da Getto’, ‘Tranquila’, ‘Que mas pues’, ‘Tu me tienes loco’, ‘Rrelacion’ e shumë të tjera, J Balvin ndezi atmosferën duke ngritur publikun në këmbë, të cilët pa u lodhur vallëzuan e kënduan në sinkron me këngëtarin deri në orët e para të mëngjesit.

Përveç J Balvin, në skenën e ‘Sunny Hill Festival’ u ngjit edhe fituesi i dyfishtë festivalit të mirënjohur ‘Sanremo’, Alessandro Mahmood, i cili shpërndau muzikën e tij të veçantë për publikun. Ndonëse shumë prej tyre e dëgjonin për herë të parë, me performancat e tij madhështore si me zërin e tij ashtu edhe me paraqitjen skenike, Mahmood arriti të rrëmbejë zemrat e të gjithëve.

Nata e dytë e ‘Sunny Hill’ mirëpriti edhe këngëtarë të tjerë si Dhurata Dora, Azet & Zuna, Getoar Selimi, Cozman, Onat, Emir Taha, La Fazani, ZWADA, Yon Idy, Edon.

Ndërkaq sonte, në natën e tretë të ‘Sunny Hill Festival’ në skencë do të ngjiten artistët: Skepta, Aj Tracey, Mc Kresha & Lyrical Son, Ledri & Lumi B, Kamal, Lluni & Semi, Erno& Kreshnique, Nush, Dj Floë, Dj Banzz, Dj First, Fattizzle, Lekë dhe Liburn./KultPlus.com