Ambasadori Ruairi O’Connelli iu është drejtuar qytetarëve të Kosovës në ditën e tij të fundit si përfaqësuesi më i lartë i Britanisë së Madhe në vendin tonë.
Ai e nis me fjalët se shërbimi në Kosovë ka qenë nderi më i madh që ka pasur në karrierën e tij. O’Connelli tha se do t’i mungojnë shumë gjëra nga Kosova e përfshirë edhe sarmatë e vjehrrës së tij.
Ambasadori britanik tha se vendit të tij i intereson një Kosovë e fortë, e begatë, e sigurt dhe që kujdeset për problemet e veta, si dhe që i lufton ato. “Sa më e fortë të jetë Kosova, aq më e sigurt është Britania”, shkruan ai.
O’Connelli tha se çdo vend duhet të zgjidhë vetë çështjet e saj të brendshme dhe të mos presë nga ndërkombëtarët. Ai shtoi se ndërkombëtarët do të ndihmojnë Kosovën, siç kanë bërë në të kaluarën, por Kosova duhet të marrë përgjegjësi për të ardhmen e vet.
Duke u ndalur te zgjedhjet, ai tha se ato janë një mundësi reale për Kosovën. O’Connelli tha se i kupton presionet për një vend pune, por duhet të votohet për atë që kanë vizionin më të mirë për vendin, transmeton kp.
“Nuk do t’ju them si të votoni; nuk jam unë ai që do të jetojë me pasojat, por ju vetë. Unë dua që ju ta ndieni se ju, dhe vetëm ju, e keni fuqinë për ta bërë Kosovën ashtu siç e dëshironi. Por, duhet të zgjidhni ta përdorni atë fuq”, tha ai.
Postimi i plotë e ambasadorit Ruairi O’Connelli:
Dita e fundit!
Fatkeqësisht, por ka ardhur koha t’i them lamtumirë Kosovës.
Në karrierën time, nderi më i madh ka qenë të shërbej këtu si Ambasador Britanik, dhe të promovoj marrëdhëniet mes dy kombeve tona të mëdha.
Të jem i sinqertë, të jesh ambasador Britanik në Kosovë me gjasë dallon nga të qenit ambasador Britanik kudo tjetër, për shkak të marrëdhënies unike mes vendeve tona. Çdo ditë, e ndiej dashurinë që populli i Kosovës e kanë për Britaninë. Familjes time dhe mua, do të na mungojnë shumë gjëra nga Kosova. Do të më mungojnë shëtitjet nëpër Prishtinë. Do të na mungojnë malet e bukura të Kosovës, megjithëse ishte Elida, jo unë, që vrapoi përmes tyre. Do të më mungojnë ndeshjet e futbollit tek ‘Fadil Vokrri’, ndeshjet e ragbisë në Sllatinë dhe Vitomiricë, Dokufesti në Prizren, Sunny Hill Festivali, Baleti Kombëtar i Kosovës, auditoriumi në Bibliotekën Kombëtare, qetësia e Manastirit të Deçanit.
Do të më mungojnë sarmatë e vjehrrës sime, drekat nga Tartine, lojërat e ragbit që i shohim në Beergarden dhe Tapas, picat e Ponte Veçhio-s, tavë Elbasani nga Tiffany, sanduiçet e pulës nga A&A, dhe gjithçka nga Renaissance.
Por, Kosovën e bëjnë të veçantë vetë kosovarët. Do të më mungojë mikpritja dhe bujaria e jashtëzakonshme e njerëzve nga gjithë Kosova. Jemi ndier si në shtëpinë tonë, që nga dita e parë. Kemi bërë shumë miq të dashur, dhe do të na mungojnë të gjithë. Do të më mungojë sensi i mprehtë i humorit i të gjitha komuniteteve: nuk ka fatkeqësi ku ju në një mënyrë gjeni humor në të.
Por, mbi të gjitha do të më mungojë energjia nga vullnetarët, aktivistët dhe të rinjtë e mrekullueshëm që kam takuar në mbarë Kosovën, nga vullnetarë që punojnë për sportin e tenisit, vrapimin, që mbështesin personat e shurdhër, mbrojnë mjedisin, protestojnë kundër korrupsionit, promovojnë ragbinë, mbajnë mësim për pakicat dhe grupet e margjinalizuara, protestojnë kundër seksizmit dhe misogjinisë, mbështesin familjet e personave të zhdukur, bëjnë fushata për të mbijetuarit e dhunës seksuale, flasin kundër sulmeve ndaj gazetarëve, dhe merren me njëqind kauza të tjera. Përkushtimi juaj ka qenë frymëzim për mua. Ju më bëni të ndihem optimist për të ardhmen e Kosovës.
Detyra ime ka qenë të promovoj interesat e Britanisë në Kosovë. Gjithmonë kam menduar se interesave tona u shërben më së miri një Kosovë e fortë, e begatë, e sigurt, dhe që kujdeset për problemet e veta, si dhe që i lufton vetë problemet tona të përbashkëta, siç është krimi i organizuar. Sa më e fortë të jetë Kosova, aq më e sigurt është Britania.
Kosova shikon nga miqtë e saj ndërkombëtarë për udhëzime, ndoshta edhe tepër. Siç e kam thënë shpesh, në fund të mandatit tim, unë dhe familja ime do të hipim ne aeroplan dhe do të kthehemi në shtëpi; kurse ju duhet të jetoni këtu. Pra, është shumë e rëndësishme që Kosova të marrë përgjegjësi për të ardhmen e vet.
Më thehet zemra kur mendoj për vështirësitë e Kosovës për Pavarësi, dhe njëzet vjet pas luftës të ekzistojë ndjenja se komuniteti ndërkombëtar, në njëfarë mënyre “ia ka borxh” Kosovës një qeverisje më të mirë, një ekonomi më të mirë, dhe gjykata më të mira. Në të vërtetë, ne nuk i kemi asnjë borxh Kosovës. Ky është çmimi i Pavarësisë. Duhet ta bëni vetë. Ne mund t’ju ndihmojmë, ne do t’ju ndihmojmë, por nuk mund ta bëjmë për ju. A mund të bjerë ndër mend ndonjë vend të cilit problemet ia kanë zgjidhur të huaj dashamirës, deri sa qytetarët e këtij vendi vetëm shikonin? Mua jo.
Zgjedhjet që po vijnë janë një mundësi reale për Kosovën. Nuk do t’ju them si të votoni; nuk jam unë ai që do të jetojë me pasojat, por ju vetë. Unë dua që ju ta ndieni se ju, dhe vetëm ju, e keni fuqinë për ta bërë Kosovën ashtu siç e dëshironi. Por, duhet të zgjidhni ta përdorni atë fuqi. Kam dëgjuar miq që thonë se donin të votonin ndryshe, por duhej të votonin që t’i ndihmonin një anëtari të familjes të fitonte një vend pune, ose sepse prej tyre pritej të votonin në një mënyrë të caktuar. I kuptoj presionet. Por, jam i vetëdijshëm edhe se e ardhmja, për të cilën u bënë aq sakrifica nga të gjithë, përfshirë edhe 14 ushtarë britanikë, do të ndërtohet vetëm duke marrë përgjegjësinë për vendin tuaj. Votoni për këdo që mendoni se ka vizionin më të mirë për Kosovën, dhe do ta udhëheqë Kosovën më së miri. Zgjedhja është e juaja dhe ju mundeni, duheni, përdoreni lirisht. Ju jetoni në një demokr aci; përfaqësuesit dhe udhëheqësit tuaj do t’ju përgjigjen vetëm nëse prej tyre kërkoni llogaridhënie. Kjo është njësoj në çdo demokraci.
Ishte nder i madh të isha dëshmitar i Pavarësisë së Kosovës 11 vjet më parë. Letrën e njohjes nga Gordon Broën e mbajta unë (por ishte shefi im i atëhershëm, David Blunt, që pati nderin ta dorëzojë!). Unë e di një pjesë të vogël të vështirësive të Kosovës. Deri sa unë largohem, ka një shans që Kosova jo vetëm të arrijë marrëveshje me Serbinë, por edhe të hedhë themelet për miqësi në të ardhmen. Udhëheqësit tuaj duhet ta negociojnë këtë; dhe ndërtimi i paqes është i vështirë. Unë do të thoja që. Kriminelët tashmë bashkëpunojnë shumë ngushtë në të gjithë Ballkanin. Qytetarët e zakonshëm dhe të ndershëm duhet ta gjejnë mënyrën si të bashkëpunojnë më mirë sesa kriminelët. Injoroni ata që përpiqen ta fitojnë pushtetin duke ju ndarë; përdorimi i patriotizmit plastik është mënyra më e vjetër për ta hequr vëmendjen nga të metat e vetes. Nga bisedat me komunitetet në mbarë Kosovën, e di se sh umica e qytetarëve dëshirojnë të njëjtat gjëra. Fakti që kaq shumë të rinj shqiptarë dhe serbë tani po mësojnë gjuhën e njëri tjetrit, tregon se brezi i ri nuk e ka harruar të kaluarën, por dëshiron të ndërtojë një të ardhme tjetër.
Kudo që të shkoj, gjithmonë do të jem mik i Kosovës. Kam vetëm një kërkesë miqësore, nëse ma lejoni. Pasardhësi im, Nicholas Abbott, është diplomat me përvojë dhe i aftë. Ju lutem që edhe atij dhe familjes së tij t’u jepni mirëseardhjen e ngrohtë dhe miqësinë që ma falët mua. Jam i sigurt se së shpejti do të bëheni miq të ngushtë. / KultPlus.com