Shkruan: Jahja Drançolli
Sot në shumë vende të botës Viti i Ri fillon më 1 janar. Festimi i Vitit të Ri më 1 janar është një fenomen relativisht i ri. Regjistrimi më i hershëm i festimit të Vitit të Ri besohet të ketë qenë në Mesopotami, i cili festohej rreth vitit 2000 para erës sonë në ditët e ekuinoksit pranveror (muaji mars). Një numër datash të tjera janë ruajtur në kulturat e lashta të lidhura me stinët dhe kalendarët. Egjiptianët, fenikasit dhe persët e nisnin vitin e ri me ekuinoksin e vjeshtës (shtator), ndërsa ilirët festonin me solsticin e verës (20 ose 21 qershor), grekët me solsticin e dimrit (21 dhjetor).
Festimi i Vitit të Ri (stilus, calculus) në Europë prej shekujsh është shënuar në data të ndryshme kalendarike, duke përfshirë 1 dhe 25 mars, 1 shtator, 25 dhjetor, etj. Stili i natës së Vitit të Ri që fillon më 1 janar (Stilus Circumcisionis) u mor nga zakoni i lashtë romak i emërimit të konsujve (153 para erës sonë). Edhe pse Jul Cezari rreth vitit 46 p.e.s. përdori kalendarin Julian, duke mbajtur 1 janarin si datën e fillimit të vitit të ri. Me zgjerimin e Perandorisë Romake, u rrit edhe përdorimi i kalendarit Julian. Megjithatë, pas rënies së Perandorisë Romake në shekullin e 5 pas Krishtit, shumë vende ndryshuan kalendarin për të pasqyruar më shumë fenë e tyre, dhe 25 Mars (stilus Incarnationis ose Festa e Shpalljes), si dhe 25 dhjetori (stylus Nativitatis ose Kshndella) u bënë ditë të zakonshme të Vitit të Ri.
Më vonë u bë e qartë se kalendari Julian kërkonte modifikime të mëtejshme për shkak të një llogaritjeje të gabuar në lidhje me vitet e brishtë (në çdo katër vjet duhet të jetë vit i brishtë). Papa Gregori XIII prezantoi një kalendar të rishikuar (është fjala për kalendarin gregorian) më 24 shkurt 1582 (Inter gravissimas), i cili rivendosi 1 janarin për të festuar ardhjen e saktë të Vitit të Ri.
Kalendari në fjalë do të praktikohet fillimisht në Shtetet Papale (dhe shtete të tjera italiane dhe ballkanike të besimit katolik romak), Francë, Portugali dhe Spanjë. Më vonë vendet protestante dhe ortodokse miratuan këtë kalendar, ndërsa Britania e Madhe dhe kolonitë e saj amerikane përqafuan kalendarin gregorian nga viti 1752. Më parë ata festonin Vitin e Ri më 25 Mars. Me kalimin e kohës, edhe vendet jo të krishtera filluan të përdorin kalendarin Gregorian. / KultPlus.com