Akademia e Shkencave të Shqipërisë organizon veprimtarinë homazh ndaj Jakov Xoxës

Me 10 Maj 2024 në orën 12:00, në sallën “Aleks Buda” Akademia e Shkencave do të organizojë veprimtarinë përmbyllëse në homazh të studiuesit dhe shkrimtarit Jakov Xoxa në 100 vjetorin e tij të lindjes.

Ky aktivitet organizohet nga Akademia e Shkencave në bashkëpunim me Radiotelevizionin Shqiptar, Bashkinë e Tiranës dhe familjen e shkrimtarit.

Në program janë sipas radhës: Shfaqja e dokumentarit “Jakov Xoxës – në 100-vjetorin e lindjes”, regjia nga Ylli Pepo, prodhim i RTSH, premierë. Drejtimi i veprimtarisë nga Mevlan Shanaj. Fjalë e shkurtër përshëndetjeje nga Agron Xoxa më pas paraqitja e librit të akteve të konferencës shkencore ndërkombëtare organizuar nga Akademia e Shkencave.

Në fund fare do bëhet përurimi i librit me kujtime të Dhurata Xoxës “Unë dhe Jakovi”. Paraqesin botimin dhe aspekte të tjera të jetës së Jakov Xoxës dhe të autores së librit: Valentina Leskaj, Ajola Xoxa, Helena Kadare, Natasha Lako./tema/KultPlus.com

Ekspozitë në 100-vjetorin e lindjes së shkrimtarit Jakov Xoxa

Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë, në 100-vjetorin e lindjes së personalitetit të letrave shqipe, Jakov Xoxa, hapi sot ekspozitën “100-vjetori i lindjes i shkrimtarit Jakov Xoxa”.

Në këtë ekspozitë mori pjesë edhe mbesa e shkrimtarit, Ajola Xoxa, Ambasadori i Republikës së Kosovës, Skënder Durmishi, personalitete të kulturës, akademikë, studiues, shkrimtarë, botues, pedagogë dhe studentë të Fakultetit të Historisë dhe të Filologjisë, si dhe të ftuar të tjerë.

Drejtori i Bibliotekës Kombëtare, Piro Misha, duke vlerësuar kontributin e vyer të shkrimtarit në letërsinë shqipe theksoi se “kjo ekspozitë synon të ndërtojë rrugëtimin e krijimtarisë së Jakov Xoxës nga poezia e tij e parë në moshën 19-vjeçare në gazetën “Tomori”, veprat e tij të plota e deri në studimet më të fundit mbi veprën e tij”.

Ekspozita do të qëndrojë e hapur për të gjithë vizitorët deri më 30 maj 2023. / KultPlus.com

Letërsia shqipe ndër vite

Poetë, prozatorë, dramaturgë, eseistë e të tjerë, krijojnë në mbarë hapësirën shqiptare dhe kanë botuar vepra që vlen të lexohen e rilexohen.

Më poshtë gjeni dhjetë libra shqiptarë që duhen lexuar:

Vargjet e lira, Migjeni

Vepra më avangarde e poezisë shqipe deri në atë kohë, e re në çdo pikëpamje: ideore, tematike, ritmike, figurative.
Një vepër që e çliroi poezinë shqipe nga manierat klasiciste, kurse vargun shqip nga tirania e rimës dhe e metrikës. Poezi e dhembjes, e vuajtjes, e mjerimit, e ankthit, e shpresës.

Ylli i zemrësLasgush Poradeci

Libri ndoshta më komplet i poezisë shqipe, i ndërtuar sipas një koncepti që e hasim te poetë si Petrarka, Gileni, Bodleri etj.
Libër himn i bukurisë, i dashurisë, i përjetësisë, festë e fjalës së kulluar shqipe.

Lahuta e Malcisë, Gjergj Fishta

Enciklopedi e jetës shqiptare, glorifikon luftën për liri kombëtare dhe virtytet tradicionale. Si fenomen letrar e vonuar e anakronike, por me ndikim të madh në jetën shpirtërore dhe në ndërgjegjen kombëtare të shqiptarëve, veçanërisht jashtë kufijve të Shqipërisë shtetërore.

Psallme Murgu, Asdreni

Vepër që e zgjeron regjistrin tematik e stilistik të poezisë shqipe, të mbështetur kryesisht në modelet e poezisë popullore. Sjell përvojën e poezisë moderne evropiane. Për herë të parë në letërsinë shqipe trajtohet gjerësisht bota shpirtërore e njeriut të gjendur në vorbullën e paradokseve. Një kohë të gjatë e lënë në harresë nga kritika e ideologjizuar.

Net shqiptare, Mitrush Kuteli

Ndër veprat e para të prozës moderne shqipe. Shfrytëzon në mënyrë kreative përrallën popullore shqiptare, duke i rivitalizuar strukturat e saj narrative. Vizaton figura e karaktere të gjalla njerëzish, sidomos fshatarësh. Shquhet për bukurinë e rrëfimit, të gjuhës dhe të stilit. Mostër për shumë prozatorë të mëvonshëm.

Lumi i vdekur, Jakov Xoxa

Tablo e gjerë e jetës shqiptare. Vepër e shkruar nga një njohës i rrallë i jetës, por edhe i mjeshtërisë krijuese.

Roman që krijon disa nga personazhet më të spikatura të letërsisë shqipe, siç janë Vita dhe Adili, që duken si të shkëputur nga realiteti i gjallë jetësor e jo të krijuar në letër. Vepër që sjell në prozën shqipe përvojën e romanit ciklik tradicional me gjuhë jashtëzakonisht të pasur. Autori i tij është stilist i përkryer.

Kronikë në gur, Ismail Kadare

Vepra mbase më e mirë e Kadaresë dhe një nga romanet më të mira të letërsisë shqipe. Një sintezë sui generis e poezisë, fiksionit dhe mitologjisë. Vepër me strukturë komplekse narrative, atipike si prosede. Një trajtim shumë origjinal i luftës dhe i psikozës kolektive në situata të skajshme ekzistenciale. Perceptimi i botës nga perspektiva e fëmijës zhduk kufijtë mes ëndrrës e realitetit. Roman që sjell një frymë të re në prozën shqipe dhe mjete e teknika të reja shprehëse.

Vdekja më vjen prej syve të tillë, Rexhep Qosja

Ndonëse autori i kësaj vepre është në radhë të parë historian i letërsisë, fushë në të cilën ka botuar një varg veprash të rëndësishme, megjithatë kjo mbetet vepra e tij me receptim më të gjerë, që i ka kaluar kufijtë gjuhësorë të shqipes. Prozë e tipit kritik, intelektual, pak e kultivuar në letërsinë shqipe, që trajton temën e dhunës së pushtetit mbi individin dhe popullin të cilit i takon ai. Duke vënë në epiqendër një personazh krijues, siç është Xhezairi i Gjikës, autori funksionalizon gjuhën kritike, erudicionin intelektual, parabolat historike etj.

Nga Bibla e heshtjes, Azem Shkreli

Poezi me një sistem të veçantë mjetesh shprehëse dhe me një filozofi të veçantë krijuese e jetësore. Libër i meditimit poetik mbi raportin e njeriut me historinë, por edhe me veten dhe fjalën e tij. Psalm mbi fatin e fjalëve. Bashkë me Din Mehmetin, Rrahman Dedajn, Ali Podrimjen e të tjerë, autori i kësaj vepre, Azem Shkreli, krijon modernitetin e poezisë shqipe në Kosovë dhe më gjerë.

Pelegrini i vonuar, Dritëro Agolli

Libri i parë post-socialisto-realist i poetit Dritëro Agolli dhe njëri nga librat më të mirë të tij e të poezisë shqipe në përgjithësi. Libër mbi thyerjet shpirtërore të një brezi, i cili besoi në një utopi dhe pas përmbysjes e ndien veten si pelegrin i humbur në shkretëtirën e iluzioneve të veta. Dhembja dhe trishtimi e ngjyrosin emocionalisht vargun e poetit. Ky libër e rikonfirmon faktin se autori i tij është mjeshtër i rimës dhe aliteracionit, krijues që e zotëron artin e vështirë të të bërit vargje të lehta. / cbc.al / KultPlus.com

Jakov Xoxa, shkrimtar i dalluar i letërsisë shqipe

Shkrimi është arti i të shprehurit përmes fjalës së shkruar të zezë mbi të bardhë dhe ata që i japin magji asaj, janë artistë në kuptimin e plotë të fjalës. Ne lexojmë libra e jo pak herë futemi në botën e personazhit duke jetuar bashkë me të, e autori me mjeshtëri na i sjell ngjarjet ashtu siç ai do, po pa tronditur mendimin e lexuesit. Një nga ata që bëjnë diferencën është edhe Jakov Xoxa, një nga shkrimtarët më të dalluar të letërsisë shqipe, shkruan Konica.al.

Xoxa ka lindur në qytetin e Fierit më 15 prill 1923. Vitet e para të shkollimit i ndoqi në qytetin e lindjes, për t’i vazhduar më pas në Vlorë, Kavajë, Korçë, pra qytete ku shkonte për të punuar i ati i tij, Thanasi. Shkollimin e mesëm e vazhdoi në qytetin e Elbasanit, por e ndërpreu gjatë pushtimit italo-gjerman dhe e përfundoi në Tiranë, pas çlirimit.

Që në moshë të re mori pjesë në Luftën Antifashiste, fillimisht si guerrilas në qytetin e lindjes dhe më pas në mal, si partizan. Pas Çlirimit të vendit vazhdoi studimet e larta për filologji dhe njëkohësisht bëri hapat e para në poezi dhe në prozë. Më 1949 botoi veprën e parë në prozë Novela. Krijimtarinë letrare në këtë zhanër e vazhdoi dhe gjatë viteve ’50, kështu në vitin 1958 botoi veprën e dytë, po me atë titull Novela. Ndërkohë botoi dhe dy drama Buçet Osumi dhe Zemra.

Që nga viti 1957 punoi profesor në Fakultetin e Historisë dhe të Filologjisë në Universitetin e Tiranës, ku për shumë vite ligjëroi lëndën Teoria e letërsisë. Për nevojat e studentëve, në formën e dispencës, hartoi vepra teorike të domosdoshme për kohën si Hyrje në letërsi, Teoria e letërsisë dhe Metrika. Ndërkohë punoi edhe për një vepër të plotë teoriko-letrare, Bazat e teorisë së letërsisë, që ishte nga veprat më serioze të kohës (si degë e shkencës mbi letërsinë).

Kjo vepër u botua po ashtu në formë dispence më 1972. Ndonëse në të autori ofronte dije dhe përvojë teorike letrare të gjerë, që dilte jashtë kornizave të teorive zyrtare të kohës, kjo vepër e rëndësishme për shkencën letrare shqiptare pati kritika të skajshme dhe autori, pa bujë dhe zhurmë, ashtu siç ishte gjatë tërë jetës, i qetë dhe i mbyllur në vete, u tërhoq në vetmi.

Gjithsesi, vepra në fjalë pati edhe përkrahës të shumtë, sidomos në rradhët e studiuesve, pedagogëve dhe studentëve të letërsisë, dhe, po brenda atij viti, një pjesë e konsiderueshme e saj u ribotua, e ripunuar dhe e zgjeruar, bashkë me dy autorë të tjerë (N.Lezha, P Kraja), në katër vëllime, me të njëjtin titull: Bazat e teorisë së letërsisë.

Pjesën më të madhe të jetës krijuese Jakov Xoxa e kaloi në Pojan, një fshat myzeqar afër Fierit, ku, krijoi romanet Lumi i vdekur (1965) dhe Juga e bardhë (1971), ndërsa romanin Lulja e kripës (1978) e shkroi gjatë viteve të qëndrimit në Ballsh, ku po ndiqte nga afër ndërtimin e Uzinës së Pasurimit të Naftës, e cila do të ishte në epiqendër të romanit të ardhshëm Ari i Zi. Tre romanet e përfunduara dhe të botuara bëjnë pjesë në rrethin e romaneve artistikisht më cilësorë të letërsisë shqiptare.

Asnjë roman para tij nuk e pasqyron në mënyrë aq komplekse botën shqiptare në prag të Luftës së Dytë Botërore, si Lumi i vdekur, periudhën gjatë luftës, si romani Lulja e kripës, apo edhe periudhën e kolektivizimit të bujqësisë (vitet 60) si Juga e Bardhë. Në këto vepra gjejmë një shtrirje të pakufishme të rrëfimit që mbulon plotësisht hapësirën e jetës dhe të ekzistencës së mjedisit shqiptar.

Jakov Xoxa është nga romancierët më në zë të gjysmës së shekullit 20. Në krijimtarinë e tij letrare ai individualizohet me parimin krijues-realist : fati individual do të jetë ai që do të hedhë dritë mbi kontestin tërësor të mjedisit dhe të kohës së fokusuar në rrëfime. Shëmbëllyëeshëm me romanet e shquara realiste, Jakov Xoxa do ta vendosë dramën jetësore të personazheve dhe të familjeve në sfond të një kolektiviteti, të një gjendjeje apo të një rrjedhe historike.

Parashenja më karakteristike e prozës së Jakov Xoxës është stili. Gjuha e tij vërehet dhe veçohet si e një individualiteti të fuqishëm dhe të papërsëritshëm në letërsinë shqiptare : nga njëra anë është e pranishme fryma e urtisë popullore me tërë thellësinë e shpirtit kolektiv; nga ana tjetër, kemi një rrëfim të rrjedhës së qetë, të shtrirë në gjerësi, por edhe në thellësi.

Veprat: Novela (1949), Buçet Osumi (1957). Zemra (1958), Novela 2 (1958), Lumi i vdekur 1,2 dhe 3 – roman (1965), Juga e bardhë 1 dhe 2 – roman (1971), Lulja e kripës 1 dhe 2 – (botuar pas vdekjes ne dy vëllime, 1980/81)./KultPlus.com