Filharmonia dhe ‘Prenk Jakova’ nënshkruajnë memorandum bashkëpunimi, ofrohet praktikë profesionale për nxënësit e Shkollës së Muzikës

Një memorandum bashkëpunimi është nënshkruar sot ndërmjet Shkollës së Mesme të Lartë Profesionale të Muzikës “Prenk Jakova” dhe institucionit më të lartë të muzikës në vend, Filharmonisë së Kosovës, shkruan KultPlus.

Ky memorandum bashkëpunimi i nënshkruar nga drejtoresha e shkollës “Prenk Jakova”, Jeta Dida – Bujari dhe nga u.d. drejtori i Filharmonisë së Kosovës Dardan Selimaj synon:

• Rregullimin e bashkëpunimit për ofrimin e mundësive të praktikës profesionale për nxënësit e shkollës në Filharmoninë e Kosovës.

• Krijimin e një platforme bashkëpunimi për zhvillimin e praktikave profesionale për nxënësit e shkollës, përmes angazhimit dhe përvojës në aktivitete dhe projekte.

• Ngritje dhe përmirësim të cilësisë profesionale të nxënësve, duke ofruar mundësi praktike dhe përvojë të vlefshme në fushën e muzikës.

Në përfundim të praktikës, nxënësit do të pajisen me certifikatë vlerësimi për përvojën e fituar brenda institucionit të Filharmonisë së Kosovës../ KultPlus.com

“Jakova” hap thirrjen për propozimet për titullin “Guximi intelektual” për vitin 2023

Shoqata e Intelektualëve “Jakova” ka hapur thirrjen publike për propozimet për titullin “Guximi intelektual” për vitin 2023.

Në njoftimin për medie është theksuar se kriteret, propozimi, arsyetimi dhe ndarja e titullit bazohet në rregulloren për ndarjen e titullit “Guximi intelektual”.

“Propozimi me arsyetim bëhet përmes e-adresës: [email protected]”, ka njoftuar Shoqata e Intelektualëve “Jakova”. / KultPlus.com

Shoqata e intelektualëve ‘Jakova’ përkujton Presidentin Bush në pesëvjetorin e vdekjes

Shoqata e intelektualëve “Jakova” ka përkujtuar në pesëvjetorin e vdekjes presidentin e 41-të të ShBA-së, George Herbert Walker Bush.

Nga kjo shoqatë shquhet një porosi që Bush kishte dërguar në drejtim të Serbisë 31 vjet më parë lidhur me Kosovën.

“Mbetet i paharruar ‘Kërcënimi i Krishtlindjeve” i para 31 viteve që presidenti Bush ia kishte dërguar Millosheviqit për Kosovën më 25 dhjetor 1992, akt ky që shënon kthesën e madhe të politikës së jashtme amerikane në mbështetje të kërkesave legjitime të shqiptarëve në Kosovë!”, thuhet në postimin e shoqatës “Jakova”.

“Atëbotë presidenti Bush ia kishte tërhequr vërejtjen presidentit të Serbisë se çfarëdo ndërhyrje e Serbisë me dhunë a luftë në Kosovë, do të përballej me përgjigje ushtarake amerikane. Vija e tij e kuqe ishte shpëtim për një vend e popull të tërë dhe duhet të kujtohet gjithherë me pietet”.

“Ngushëllime popullit shqiptar për vdekjen e mikut të madh!”/KlanKosova/KultPlus.com