Krasniqi: Arsimin e organizojnë dhe e drejtojnë të diturit, ata që duan ta arsimojnë e përparojnë kombin

Në një shkrim për Arsimin në Kosovë, nga Jakup Krasniqi, u shpreh se, një vendim i ligjshëm apo i paligjshëm qoftë, në shoqërinë tonë me të drejtë ka nxitur një debat. Nuk është edhe aq e rëndësishme se çfarë është përmbajtja e debatit, e rëndësishme është gjendja në arsimin tonë në përgjithësi e në atë të lartin në veçanti, përcjell KultPlus

Cila është kjo gjendje dhe a mundet kjo gjendje t’i përshkruhet një Ministri të urtë e të kulturuar, siç është Ministri Bytyqi? Jo! Kur problemet i kanë krijuar të tjerët ndër vite, askush nuk thotë pse krijuam shumë mami (lexo institucione të pavarura), për te mbytur arsimin e lartë? Populli thotë: “Shumë mami e mbysin foshnjën”!

Arsimit tonë i janë bërë shumë mami të varura e të “pavarura”, prandaj, arsimi ynë në përgjithësi, e sidomos arsimi i lartë, nuk mund të kishte fat tjetër nga ky qe po e vajtojmë pas njëzet vitesh.

Kur filloi kriza, sidomos në arsimin e lartë?

Kriza në arsimin tonë filloi atëherë kur, pa u rehabilituar procesi arsimor që ishte i dëmtuar rëndë nga Serbia e Millosheviqit, sidomos në fillim të viteve ’90 të shekullit XX u kalua në Sistemin e Bolonjës. Pas këtij kalimi (a thua i gabuar?!), gabimi tjetër i madh u bë me liberalizimin e arsimit – hapja e universiteteve private pa asnjë kriter të vetëm dhe pa asnjë mekanizëm që kontrollon performancën dhe cilësinë e tij. Në fakt, universitetet private, tani kolegje, nuk kishin për qëllim arsimin cilësor, por për biznesin privat thjesht përfitimin material. Këto universitete kanë filluar në baraka dhe shikoni ndonjërin prej tyre se ku kanë përfunduar. Askush në Qeveritë tona të pasluftës nuk është kujdesur për cilësinë në ato universitete a kolegje private.

As Institucioni i pavarur – KSHC – që me ligj i është dhënë ajo përgjegjësi, përkundrazi, po nga ai institucion janë privilegjuar dhe privilegjohen edhe tani kolegjet private (le ta themi disa). Si paska mundësi një institucion i pavarur me 5 a 7 veta mbi bazën e një rekomandimi të ndonjë “eksperti” të jashtëm t’i mbyllë njëherësh tri universitete publike? Pastaj t’i mbyllë edhe disa kolegje private, e t’i privilegjojë vetëm ato që kanë shumë para? Gjërat nuk janë kaq të thjeshta siç po shihen nga disa. Sidomos nga ata që e mbështeten KSHC-në!

Situata e krijuar e obligon Kuvendin e Kosovës dhe Qeverinë që ta shikojnë seriozisht infrastrukturën ligjore ekzistuese. A është e duhura? A duhet ndryshuar? Para se Qeveria e Kosovës të ndërhyjë në vendimin e ngutshëm të një organi të pavarur, ajo duhet urgjentisht se bashku me Kuvendin ta ndryshojnë ligjin dhe përgjegjësinë në arsimin e lartë ta marrë shteti – Qeveria. Përndryshe, cili është roli i Qeverisë dhe i Ministrisë së Arsimit në këtë situatë?

Si kryetar i Kuvendit, dihet kjo tashmë botërisht, kam qenë kundër krijimit të universiteteve publike për vota, pa asnjë analizë a elaborat të studiuar mirë, por atëherë opozita heshtte, heshtte se edhe ajo llogariste në vota. Në demokraci votat janë të rëndësishme, por jo për të shkelur mbi interesin e kombit e të shtetit. Tani universitetet publike janë aty dhe për to duhet të vendosin Kuvendi dhe Qeveria, të mbyllen apo t’ju krijohen kushtet për vazhdimin e aktivitetit studimor. Në një situatë të tillë, Qeveria nuk duhet të flasë se universitetet publike duhet të ekzistojnë për çështje sociale, ajo, para se të ndajë para për autostrada, le të ndajë para për arsimin nëse e ka prioritet, për kryeautostradën e kombit (arsimin), për të tërhequr kuadrot e duhura e jo ta shkelë ligjin që është në fuqi. Ligji duhet ndryshuar e pastaj vijnë veprimet e duhura te institucioneve përkatëse.

Qeveria dhe Ministria e Arsimit duhet të krijojnë një trupë profesionale për t’i kontrolluar të gjithë trupat e deritashme të institucioneve të pavarura apo të Shoqërisë Civile që kanë përfituar nga përgjegjësitë që i kanë pasur ose u janë dhuruar për“ngritjen” e cilësisë, sa ato e paskan ngritur gjatë viteve cilësinë në arsimin e lartë!

Në situatën e krijuar një gjë shihet e dihet! Po zhurmojnë shumë pikërisht ata që deri tani kanë përfituar shumë nga arsimi i lartë, dhe pikërisht pse ky arsim i lartë nuk ka pasur zot shtëpie të përcaktuar qartë!

Gjendja në arsimin tonë seç ma kujtoi thënien e malësores lidhur me vështirësinë për të mbajtur shtëpi: “Mos me kanë për mend e dije, por me kanë për fuqi, Kola i jem i kishte mbajtë tri”! Mbase para qindra viteve, malësorja e jonë e pashkollë e ka ditur se dija e jo fuqia udhëheq me familjen. Prandaj, aq më pak arsimin e bëjnë të fuqishmit apo përfituesit e shumtë që i janë sulur atij nga të gjitha anët për zhvatje!

Si përfundim:Arsimin e organizojnë dhe e drejtojnë jo përfituesit pa parime, por të diturit, të arsimuarit, njerëzit me integritet, ata që qëllim parësor kanë për të arsimuar dhe edukuar të ardhmen e kombit, për ta zhvilluar e përparuar vendin!

Kosova pikërisht për këtë ka nevojë imediate!/KultPlus.com

Krasniqi, libër për Demarkacionin dhe Specialen

Kosova ka pasur shumë bisedime edhe në kohën e luftës dhe më pas, e të gjitha këto në një libër i ka përmbledhur ish-kryeparlamentari i Kosovës, Jakup Krasniqi.

Në librin e tij “Arti i bisedimeve” Krasniqi ka paraqitur qëndrimet e tij lidhur me marrëveshjet e Brukselit, demarkacionit dhe Gjykatën Speciale.

Për këtë të fundit ai thotë se e ka reaguar për dëmet politike që më shumë po i bëhen të ardhmes së Kosovës sesa të shkuarës, madje ai thotë se ky lloj i drejtësisë nuk i duhej askujt. Këtë Krasniqi e ka thënë me rastin e promovimit të librit të tij “Arti i bisedimeve”.

“Është keq pas atyre bisedimeve të vështira që Kosova ka fituar shumë, në bisedimet e mëvonshme që kanë qenë shumë më të lehta realisht Kosova ka humbjet e veta. E kam fjalën për bisedimet që janë zhvilluar para se të miratohej Gjykata Speciale dhe e kam thënë dhe po e përsëris këtu me qëllim nuk kam reaguar për fatet e njerëzve personale se edhe ato janë të dhimbshme, reagimet kanë qenë për dëmet politike që më shumë po i bëhen të ardhmes sesa të shkuarës. Ky ka qenë reagimi pse kam reaguar e jo pse dikush padrejtësisht do të nëpërkëmbej siç zakonisht bëhet nga sistemi i drejtësisë tek ne gjatë gjithë këtyre viteve. Më shumë ka pasur linçime publike sesa dënime të arsyeshme. Ky lloj i drejtësisë nuk i duhej askujt”, tha ai.

Krasniqi tha se nuk është problem nëse vërtetë qëllimi i drejtësisë është me dal në shesh, por sipas tij kur ajo bëhet krejt politike për eliminime politike atëherë është padrejtësi e madhe.

Një shpjegim të asaj që përmban libri e ka bërë Hydajet Hyseni, i cili tha se siç e thotë edhe titulli libri është një ndërtim i llojit të veçantë të librit edhe historik edhe politik.

“Jakup Krasniqi është një nga të paktët që edhe e bënë historinë edhe e dëshmon të kaluarën, por edhe e lëvron, e analizon, e vlerëson, e shkruan dhe e afirmon të përpunuar e të kthjelluar gjithnjë në funksion të sfidave aktuale dhe kërkesave të kohës, të së ardhmes dhe kjo nuk është pa shkas. Historia është mësuese e jetës, por është mësuese vetëm për ata që i qasen si nxënës të saj të mirë. Në rininë e tij Jakupi, veprimtari kryengritës i Lëvizjes çlirimtare, student i historisë dhe më vonë arsimtar historie kishte në fokus historinë kombëtare, veçanërisht periudhën e rilindjes sonë frymëzuese. Andaj më shumë dhe jo rastësisht i përkushtohet historisë sonë më të re, e kaluara jonë historike është plot shembuj që dëshmojnë fenomenin e dhimbshëm e të përsëritshëm, në luftë fitimtar e faqebardhë dhe pastaj dështim e humbje pas saj”, tha Hyseni.

Ndërkaq, aktorja Safete Rugova ka lexuar parathënien e shkruar nga Bardhyl Mahmuti, i cili kishte shkruar se libri është një interpretim ndryshme dhe mjaft kritik i zhvillimeve që rezultuan nga bisedimet e Kosovës me Serbinë në Bruksel.

Po ashtu, ai kishte shkruar se kritikat që bëhen ndaj mënyrës se si i janë qasur këtyre bisedimeve bartësit e institucioneve të Kosovës, nuk janë kritika të ndonjërit që i sheh proceset nga një distancë kohore dhe jashtë kontekstit real.

“Jemi në kohë paqeje dhe zgjidhja e problemeve duhet të bëhet përmes dialogut dhe negociatave. Në këtë kontekst Dr. Jakup Krasniqi këmbëngul që për to duhet të përgatitemi mirë dhe çdo çështje të shqyrtohet paraprakisht me seriozitetin më të madh. Në fazën e analizave të tilla një rol të veçantë kanë intelektualët e Kosovës. Për këtë arsye ai shtron si domosdoshmëri mobilizimin e tyre dhe sidomos të anëtarëve të Akademisë së Shkencave dhe të Arteve që të japin kontributin në përpilimin e strategjisë diplomatike aktive. Në të kundërtën, do të ballafaqohemi me paaftësi për të negociuar dhe do tu kthehemi vazhdimisht temave që ishin në tavolinë bisedimesh. Fatkeqësisht, shembujt që sjell autori dëshmojnë për dëmet e mëdha që na ka shkaktuar diplomacia retroaktive dhe arti i keq bisedimeve”, thuhet në parathënie.

Ndërkaq, autori i recensionit për librin, Elvi Sidheri, tha se libri është ‘sui generis’ ashtu siç është edhe atdheu i autorit.

“Është një libër ‘sui generis’ ashtu siç atdheu i autorit Kosova që përbën rastin më të veçantë të pavarësimit të një shteti në botë. Libri i një autori në vetvete ‘sui generis’ me një përmbajtje po të tillë e që këtu nis kërshëria për ta lexuar këtë libër me një frymë. Një libër i ndarë në tre tematika kryeneçe, marrëveshjet e Brukselit, Demarkacioni dhe liberalizimi i vizave dhe i Gjykatës Speciale. Në ndërkohë brenda për brenda këtyre krye temave akoma kaq aktuale në Kosovën e vitit 2018 autori ka ditur si përherë që të shpërfaq një larmi të pakufishme nëntemash, thellimesh, shtjellimesh lidhur me realitetin shqiptar të sotëm dhe të kaluar”, tha ai.

Libri “Arti i Bisedimeve” i autorit Jakup Krasniqi përbëhet nga tre kapituj, ku i pari është marrëveshjet e Brukselit, i dyti demarkacioni, liberalizimi i vizave dhe i fundit për Gjykatën Speciale. Libri që është i 13 për autorin Krasniqi përmban gjithsej 215 faqe./ KultPlus.com

Promovohet libri ‘Reflektime demokratike’ i Jakup Krasniqit

Kontributi i ish-kryetarit të Parlamentit të Kosovës, është vlerësuar shumë me rastin e promovimit të librit të tij “Reflektime demokratike”, që është një përmbledhje e periudhave të ndryshme të përjetuara nga vetë autori, i cili shpalos pjesë nga to.

Autori Jakup Krasniqi nuk foli shumë për librin, por vetëm e sugjeroi atë si një udhërrëfyes për ata që duan të hyjnë në jetën politike.

“Ky libër do t’i shërbejë atij që sapo ka hyrë në politikë, atij që është dhe atij që mendon të hyjë”, tha ai.

Shkrimtari, njëkohësisht edhe botuesi i këtij libri Abdullah Zeneli, tha se kishte insistuar që ky libër të botohej më shpejt për shkak të vlerës që ka, transmeton kp.

Ndërsa studiuesi letrar Adem Gashi librin e quajti “Reflektim për reflektimin”, si titull i dytë i mundshëm.

“Jakupin tashmë e ka pensionuar mosha, por nuk e ka lënë as librin e as politikën”, u shpreh ai.

Bashkim Musliu, profesor, shkrimtar dhe kritik, tha se sipas tij kjo vepër do të shërbejë për ta ruajtur kujtesën historike dhe se ky libër përbëhet nga fjalimet e autorit kur ishte në pozitën e kryetarit të kuvendit dhe kryesisht pjesë nga jeta e tij në politikë.

“Autori është personalitet me jetë të gjatë në sferën politike, ka qenë pjesëmarrës në shumicën e ngjarjeve për të cilat flet. Së pari kombi, pastaj shteti dhe krejt në fund partia”, tha ai.

Përkthyesi nga Shqipëria Elvi Sidheri, foli për marrëdhëniet shpirtërore që ka me Kosovën.

“Kosovën e kam konsideruar si lloj amaneti nga gjyshi”, tha ai.

Sa i përket librit, ai e vlerësoi punën e autorit mjaft shumë dhe shprehu besimin që ka për subjektin e librit.

Ky është libri i dymbëdhjetë i radhës nga Jakup Krasniqi. / KultPlus.com