Shëtitore e re për turistët në plazhin e kristaltë të Jalit

Plazhi i Jalit, rreth pesë kilometra larg nga rruga kombëtare Vlorë-Sarandë, në dalje të fshatit Vuno, është një prej destinacioneve të preferuara turistike për shumë shqiptarë dhe të huaj gjatë sezonit të verës.

Uji i detit Jon në këtë plazh jo shumë larg Dhërmiut, me ngjyrat e papërsëritshme të ujit, si bluja e thellë, jeshilja smerald, portokallia e ndezur në perëndim, janë një spektakël i vërtetë në këtë peizazh tipik mesdhetar.

I strukur thellë, mes kodrinave me ullinj e me shtëpitë e bukura të Vunoit mbi kokë, gjelbërimit të përhershëm të shkurreve, i rrethuar me shkëmbinj të lartë, që krijojnë gjire të vegjël e të mahnitshëm, plazhi i Jalit frekuentohet më shumë sidomos nga të rinjtë.

Falë një investimi të Bankës për Zhvillim të Këshillit të Europës (CEB) dhe të realizuar nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit, këtë sezon turistik plazhi i Jalit do të ketë edhe shëtitoren e re, ku pushuesit vendas e të huaj do të kenë mundësi të shijojnë spektaklin e perëndimit të diellit në shëtitjet e pasdites.

Kryetari i bashkisë së Himarës, Jorgo Goro, tha për ATSH-në se “kjo shëtitore do të përfundojë para muajit qershor të këtij viti, në mënyrë që të vihet në dispozicion të pushuesve”.

“Ky investim së bashku me projektin për kthimin si fshatra historikë të Dhërmiut dhe Vunoit, si dhe shëtitoren e Dhërmiut, kap shifrën e rreth 7-8 milionë euro”, theksoi Goro, shkruan atsh.

Sipas tij, këto investime do të bëjnë që plazhet e jugut të tërheqin sa më shumë turistë pranë tyre.

Plazhi i Jalit është nga vendet më të bukura dhe të veçanta për ujin, rërën, klimën dhe jodin e detit. Një parajsë natyrore e vizatuar si nga dora e njeriut, plazhi i Jalit, është një nga atraksionet kryesore të të gjithë krahinës, falë peizazhit mahnitës, plazheve të pastra me rërë të bardhë dhe ujërave të kristalta.

Famën dhe emrin plazhi i Jalit e krijoi që kur u zgjodh nga elita ushtarake gjatë viteve 70-të, për t’u ndërtuar qendra e pushimeve për ushtarakët, e cila vazhdon të funksionojë edhe sot si e tillë.

Bukuria e gjirit do t’iu bëjë për vete që lart në kodër, vend i cili i bën të gjithë të ndalojnë për të shkrepur fotografi. Kjo është edhe arsyeja se pse në internet fotot më popullore të Jalit, janë pikërisht ato të gjirit nga maja e kodrës./ KultPlus.com