“Burrëria” ballkanase në “Jam burr’!?”, në luftë me veten dhe shoqërinë (FOTO)

Qendra Multimedia dhe Katharina Maschenka sollën mbrëmë shfaqjen “Jam burr’!?” për publikun e Teatrin Kombëtar të Kosovës, shkruan KultPlus.

Gili Hoxhaj

Përbërja e perforumuesve lidhet me katër nacionalitete akotrësh: Robert Nuha nga Kosova, Nemanja Mutić nga Bosne-Herzegovina, Jan Novosel nga Kroacia dhe Katharina Maschenka Horn nga Gjermania.

Teatri zhytet në errësirë deri në momentin kur në skenë vijnë duke u rrokullisur një kosovar, një bosnjë-hercegovinas dhe një kroat. I gjithë rrëfimi nis me një himnizim të heronjve, për të nxjerrë në pah trimëritë e tyre në mbrojtje të zonave prej nga ata vinin. Pikërisht kjo për të portretizuar trimërinë e burrave që vjen përmes forcës fizike, e cila edhe tregohet në kohë lufte. Robert Nuha që pasqyron rolin e burrit kosovar, e nis këtë rrëfim duke ngritur zërin në himnizim të figurës së Isa Boletinit. I përcjellë nga loja e mrekullueshme e aktorëve të tjerë, ai pasqyron me shumë origjinalitet rolin tradicional të një burri kosovar i cili asnjëherë nuk qëndron i ulur në ndonjë pozicion tjetër, përveç se në atë këmbëkryq.

Ata herë vijnë duke ecur të tre brenda skenës, e herë duke u rrokullisur pranë njëri-tjetrit. Gjendja e burrave në Ballkan nuk mund të lë pa ndikuar pozitën e gruas brenda këtij realiteti. Ky realitet nuk humbet as në lojën mjaft pasqyruese të aktorëve në një moment, i cili nxjerrë në dritë klishetë e një burri tradicional përmes komunikimit dhe kontrollit ndaj jetës dhe raporteve të gruas me të tjerët. Të tre shfaqen me një dialog në me të dashurën, ku vërshojnë një lum me pyetje se “Ku ke qenë”, “Kush ishte ai?”, “A e njoh unë”, “Çfarë keni bërë së bashku?”, e një varg akuzash në pyetje, të cilat kërkojnë përgjigje të shpejta por për të cilat nuk presin derisa përshkruajnë një dialog të izoluar në llogaridhënie.

Zëri i tyre vije gjithnjë i ngritur. Agresiviteti dhe humbja e kontrollit arrin në nivelin kulmor të këtyre personazheve ku gjenden për rreth një gruaje, e cila flet rrallë por lëviz shpesh për t’i ikur duarve që e hedhin herë në njërin skaj e herë në tjetrin. Ajo vije më shumë si një objekt, se sa si një personazh derisa tenton të preket dhe portretizohet me fjalë të ulëta.

Katharina Maschenka një gjermane e cila u paraqit në mesin e performuesve ballkanas tregoi për KultPlus se ideja e kësaj shfaqje erdhi duke qenë se ajo qe nga viti 2008 kishte kaluar shumë kohë duke lëvizur drejt shteteve të Ballkanit, ku edhe kishte pasur rastin të punoj me më shumë burra se sa gra të këtij rajoni.

“Kam pasur rastin të punoj më shumë burra të Ballkanit, madje shpesh më ka ndodhur të jem e vetmja grua në mesin tyre dhe kështu edhe kam arritur të vërej disa nga sjelljet e tyre, të cilat nuk i kam hasur në Gjermani. Pikërisht këtu ka ardhur ideja t’i sjellë këto ngjarje në skenë. Njëri personazh shfaqet në luftë me agresivitetin e tij, tjetri shfaqet më i kufizuar nga familja e tij tradicionale dhe tjetri i kufizuar nga vetvetja e tij. Unë nuk mund të them se e kam pasqyruar tërë realitetin në këtë shfaqje por disa pjesë të tij, dhe nuk e di nëse kam qenë tërësisht e saktë sepse nuk kam dashur të luaj rolin e moralistes por unë kam dashur që publiku të shoh atë se çfarë dëshiron të shoh dhe kështu ata mund të mendojnë se pse po i shoh gjërat në këtë mënyrë dhe pastaj do mund edhe të reflektojnë lidhur me këtë çështje”, tha Katharina Maschenka për KultPlus.

Njëri nga performuesit e kësaj shfaqje Nemanja Mutić nga Bosne-Herzegovina tregoi për KultPlus se përvoja në të cilën ka kaluar gjatë jetës së tij ka bërë që ky rol te jetë i lehtë, në njërën anë dhe i vështirë, në anën tjetër.

“Ne u munduam të sjellim një shfaqje të sinqertë dhe një realitet të shoqërisë tonë, në mënyrë që t’ia prezantojmë publikut dhe t’i nxisim ata që të mendojnë. Ky rol për mua në njërën anë ishte i lehtë kurse në anën tjetër ishte edhe i vështirë, ishte i lehtë për shkak se unë jam rritur gjatë viteve të 90’ta shpesh duke lëvizur nga Bosnja në Serbi ndonjëherë dhe në Kroaci, përudhë gjatë se cilës unë kam hasur në shumë probleme, disa për shkak të nacionalitetit tim, disa të tjera për shkak të emrit dhe probleme të tjera. Kështu që unë e di se si është të jetosh brenda dhomave mizore të kokës tonë, ku shpesh njeriu e humb kontrollin. Ishte e lehtë dhe e vështirë ta kujtosh këtë periudhë sepse një herë që ti e braktis një realitet, mundohesh të gjesh forma të tjera të komunikimit”, tregoi Mutić për KultPlus.

Përfundimi i shfaqjes mes duartrokitjeve lëviz nga karriget të gjithë të pranishmit që kishin mbushur pothuajse çdo karrige të teatrit. Aktorët kthehen përsëri në skenë të zhveshur nga personazhet, për të hapur një debat me të pranishmit, ku ata rrëfejnë për perceptimet e tyre duke rezultuar me një debat frytdhënës lidhur me veçoritë e burrave ballkanas dhe thyerjen e këtyre sterotipeve.

Kjo shfaqje do të udhëtoi edhe në qytete të tjera të Kosovës ku do të prezantohet për publikun e Ferizajt më 29 Nëntor në teatrin “Adriana”, më pas më 30 Nëntor në Teatrin “Istref Begolli” në Pejë dhe me 2 dhjetor në Kino Kultura në Shkup. /KultPlus.com

“Jam burr!?” sonte në TKK

Qendra Multimedia & Katharina Maschenka Horn sonte më 27 nëntor do të prezantojnë shfaqjen “Jam burr’!?” në Teatrin Kombëtar të Kosovës, shkruan KultPlus.

Kjo shfaqje trajton temën se si është të jesh burrë në Ballkan. Katharina Maschenka Horn dhe performuesit merren me realitetin dhe klishetë e të qenurit “burrë i vërtetë”, ose “tamam burrë”.

Një kosovar, një bosnjë-hercegovinas dhe një kroat bëhen bashkë në skenë. Edhe pse kanë nacionalitetet të ndryshme, ata janë bërë bashkë për të shqyrtuar e diskutuar nëse është vërtetë e nevojshme për një burrë që ta ‘bindë’ veten për dhunë e agresivitet, apo burrat munden të shihen edhe si viktima të shoqërisë.

Performuesit e kësaj shfaqje janë Robert Nuha nga Kosova, Nemanja Mutić nga Bosne-Herzegovina, Jan Novosel nga Kroacia dhe Katharina Maschenka Horn nga Gjermania.

Kjo shfaqje do të prezantohet për publikun më 27 Nëntor në Teatrin Kombëtar të Kosovës duke filluar nga ora 20:00. Ndërsa do të jepet edhe për publikun e Ferizajt më 29 Nëntor në teatrin “Adriana”, më pas më 30 Nëntor në Teatrin “Istref Begolli” në Pejë dhe me 2 dhjetor në Kino Kultura në Shkup. / KultPlus.com