Në një natë dhjetori,shumë këngëtarë e mysafirë ishin mbledhur në odën e burrave të familjes së Januz Beqirajt, ku e gjithë shtëpia e tij në Staradran të Istogut ishte rrëmbyer në këngë e valle të daulleve që luheshin për natën e dasmës së djalit më të madh të asaj familjeje. Vet balerini Januz Beqiraj, ndodhej para një publiku krejtësisht tjetër, para të cilit po prezantohej me rolin kryesor në shfaqjen e baletit “Gershfin” në Prishtinë.
Gili Hoxhaj
Dita e njëzetë e shtatë e muajit dhjetor, balerinit Beqiraj i kishte qëlluar që të jetë nata e dasmës, e cila do të zgjaste për tri ditë në shtëpinë e tij, kurse ai pikërisht në natën e dasmës kishte shfaqjen e fundit të vitit 1979-të, në të cilën nëse ai mungonte, i gjithë teatri me rreth 120 punëtorë, e tri ansamble mbeteshin pa pagë.
Derisa Januz Beqiraj për KultPlus, e sjellë këtë rrëfim që e kishte përjetuar në mes dy emocionesh, ai shpesh bën një pauzë mes fjalëve, e rrëmbehet nga kujtimet e asaj nate, e të asaj periudhe në përgjithësi. Këtë situatë, ai e kishte mirëpritur me shumë humor e kënaqësi, për shkak të dashurisë që ushqente për baletin dhe respektin që gëzonte për kolegët e tij. Duke qenë se Januzi shpesh kishte qenë i njohur për batuta në rrethin shoqëror, përveç mikut të tij AhmetBrahimaj, askush nga miqtë e tjerë balerinë nuk e kishin besuar që ai do të martohej ditën e nesërme, pas shfaqjes.
“E kemi dashur shumë baletin, e kemi respektuar teatrin dhe njëri-tjetrin, e kemi respektuar secilin punëtor, përndryshe në balet nëse nuk ka harmoni me njëri-tjetrin, nuk ka ansambël të mirëfilltë”, është një nga fjalitë në të cilën ai dëshmon më së miri përkushtimin e dashurinë ndaj baletit dhe njerëzve me të cilën kishte ndarë shumë nga përvoja e tij.
Balerini shqiptar shumë shpesh është gjendur mes katrahurave
Januz Beqiraj që në fillim të rrëfimit të tij tregon se në jetë është gjendur shpesh mes katrahurave, në të cilat e kanë goditur dallgët e jetës, e shpesh e kanë nxjerrë buzë vendimeve që kurrë nuk i kishte paramenduar. Ai tregon se rrugëtimi i tij që nga shkollimi fillor nuk ka qenë i lehtë, ku ai për katër vite kishte udhëtuar në këmbë rreth shtatë kilometra çdo ditë nga Staradrani deri në Gurrakoc. Edhe pse, një nxënës i shkëlqyer, pikërisht në prag të mbarimit të shkollimit fillor, njëri nga arsimtarët kishte vendosur që mos ta kalonte atë. Edhe pse e vështirë në atë kohë për Januzin që të largohej nga shkolla e shoqëria, ai zhvendoset në shkollën e Trestenikut, ku edhe për të shkuar në atë shkollë i ishte dashur të ecte në shumë fusha. Ditën që ai pranohet në gjimnaz, momentin kur afrohet tek dyert e oborrit të shtëpisë, ai kafshohet nga qeni që e mbante dhe e ushqente çdo ditë, dhe pikërisht ky ishte momenti kur Januzi e ndjente se jeta do t’i shërbente plot befasi.
Tronditja që i kishte dhënë peshën më të rënd të trishtimit deri atëherë ndodhi po atë ditë kur babai i thotë se për shkak të kushteve financiare, shkollimi i tij duhej të ndërpritej dhe jeta e tij duhej të lidhej me një zanat.
“Babai më thoshte se meqë tokën nuk dëshiroja ta punoja, kishte vendosur që të më fusnin në një zanat në Pejë, sepse ai nuk kishte mundësi që të më shkollonte…, u demoralizova, në atë moment shumë u demoralizova. Isha shumë i ri dhe nuk e njihja dikë atje. I kisha vetëm katërmbëdhjetë vjet dhe fillova të punoj si zdrukthëtar”, tregon Beqiraj për KultPlus. Dhe deri sa flet duket se ende përshkohet nga ndjenja e trishtimit, duke qenë se ëndrra që e kishte ushqyer me vite të tëra si fëmijë, po i mjegullohej para syve, ende pa e shijuar as edhe një pjesë të saj.
Babai e dërgon për zdrukthëtar, Januz Beqiraj me sy nga Shkupi për tu bërë balerin
Pasi që Januzi vendoset në Pejë, ku edhe fillon të punoj, ai banon në një banesë me shokun me të cilin ishin pranuar së bashku në gjimnaz.Duke qenë se shoku i tij i banesës shkonte çdo ditë në shkollë, Januzi thotë se ai ndante të njëjtën banesë me të, por jo edhe të njëjtën kënaqësi, ai thotë se çdo ditë kthehej i përlyer e i lodhur nga puna, e pa vullnet. “Vetëm mendoja se si ta gjeja një situatë që të shkollohem”, tregon Beqiraj.
Nuk ishte që e nënçmonte zanatin e zdrukthëtarit të cilin e ushtroi për një vit e gjysmë, e që thotë se punon edhe sot në raste të caktuara, por ky nuk ishte një zanat i cili e përmbushte personalitetin e tij. Për një vit e gjysmë, ai rreket mendimeve, për të gjetur një rast që do t’i ndihmonte atij të dilte nga situata në të cilën ishte. Në një ditë derisa ai po punonte në një lagje të Pejës, takimi dhe biseda me një nip të tijin i kishte ngjallur atij shpresën për t’u futur në një rrugë për të cilën nuk e kishte as edhe idenë më të vogël.
“Një ditë vjen një nip i imi nga Vrella dhe më thotë, dajë unë do të regjistrohem në shkollën për artistë, atëherë i thash se në këtë shkollë po regjistrohet pra edhe daja, sepse nuk jam aq i keq sa të mos jem edhe unë artist. E mbaj në mend që më tha ‘Dajë ti je mirë këtu ku je’”.
As kjo bisedë jo shumë shpresëdhënëse për Januzin nuk i kishte ndikuar atij që të mos e merrte seriozisht konkursin për t’u bërë pjesë e shkollës profesionale të Baletit në Shkup, pasi që nga ajo bisedë , Januzi kishte qenë tejet vigjilent për të mos e humbur shpalljen e konkursit. Gjatë qëndrimit të tij në Pejë, ai fillon e zgjeron rrethin e tij të shoqërisë edhe me Skendër Dominikun nga po ky qytet, me të cilin bashkë marrin vendimin që t’i hyjnë provimit pranues për t’u bërë pjesë e shkollës së baletit.
“Kur shkuam tek shkolla, aty vazhdimisht njerëzit shtyheshin që të hynin brenda, si sot më kujtohet kur doli drejtoresha dhe tha që të gjithë të renditemi dhe vetëm kujt ti drejtohej ajo, kishte mundësi që të hynte brenda, ajo erdhi dhe u ofrua të unë dhe Skënderi dhe na tha që të hynim brenda” kujton plot nostalgji Januzi, shkëndijën e parë të rrugëtimit që ia idealizonte ëndrrën e kamotshme.
Ai thotë se rezultatet e këtij provimi e nxjerrin atë kah fillimi i listës së të regjistruarve, dhe ishte pikërisht ky momenti kur ai po shkelte realitetin e ëndrrës së tij për shkollim.
“Më regjistroi në fillim të listës dhe më tha se je i pranuar. Skënderi më pyeti se a do të vazhdoj shkollimin për balerin, e mbaj mend që pas asnjë dyshim i pata thënë ‘Po’, ky ishte momenti që unë tërë kohën e kërkoja , të shkollohem e veçmas me bursë të shtetit”, tregon Beqiraj, i cili shpesh vendos dorën e tij në faqe dhe duket sikur para syve të tij rikthehen momentet e asaj kohe.
Ai thotë se edhe pse një balerin jo shumë shtatgjatë, ka arritur që të jetë një nxënës i shkëlqyer në shkollën e mesme profesionale të cilën e ndoqi në Shkup, ku edhe mësoi çdo gjë lidhur me baletin.
Martesa e balerinit: premiera dhe nata e dasmës në të njëjtën mbrëmje
Kur kthehet nga shkolla e mesme e baletit në Shkup, ai bëhet pjesë e trupës së parë të baletit në Kosovë, e cila u formua në vitin 1972. Duke qenë se Januzi deri më tani kishte arritur të përmbush veten në aspektin profesional,e në vitin 1977 e kishte kryer edhe shërbimin ushtarak, ai në qershor të vitit 1979 pas qëndrimit pesëmbëdhjete ditor në Shqipëri ku kishte performuar në shfaqjen “Halili dhe Hajria”, kur kthehet në shtëpi, babai ia hap një temë të re, që po ashtu përcakton edhe fatin e tij në të ardhmen.
“Kur u ktheva, më tha baba një dëshire e plotësove. Në Shqipëri shkove, e tash bir e ke martesën. Më tha tash duhet të martohesh se shumë shpejt po i afrohesh moshës tridhjetë vjeçare. E më pas, baba më pyeti a po martohesh siç do ti apo ashtu siç dua unë”, tregon Januzi, i cili poashtu ka shpjeguar se kjo ishte biseda e parë e Januzit me babanë për martesën. Lidhja e afërt që kishte ai me babanë, e bën që ta aprovoj kërkesën e tij,e të martohet me mblesëri me një vajzë Deçani.
Edhe pse Januzi nuk e kishte zgjedhur vet gruan me të cilën do të ndante vazhdimin e jetës së tij, ai kishte përcaktuar vet datën e martesës. Ai në një bisedë me vëllain e nuses ia bën me dije që fiks tre muaj pas datës së fejesës, ai do që ta marr nusen në shtëpi.
“Unë nuk e dija se çfarë do të ndodhte pas tre muajve, por ne si trupe e baletit ishim borxh me një premierë deri në fund të vitit. E angazhuan një koreograf Slavko Pervan dhe mua ma dhanë rolin kryesor të asaj shfaqje me balerinën Minka Kamberovic, dhe i pata thënë drejtorit HazirMiftari që të mos ma japte rolin kryesor, mbaj në mend që ai më pat thënë se duhet të luaja rol pas asnjë zhurmë, sepse ma kishte besuar koreografi”, tregon ish-balerini Januzi, madje as kërkesa e tij për ta zhvendosur datën nuk ishte aprovuar, për shkak se pas kësaj date të gjithë duhet të përgatiteshin për Vitin e Ri.
Askush nga miqtë e tij nuk e dinin që balerini Beqiraj, në këtë datë e kishte edhe natën e dasmës. Ai nuk i kishte treguar askujt as për fejesën e tij. Pas premierës kishte qëndruar edhe rreth gjysmë ore në festën e premierës, dhe më pas ishte bërë gati që të niset në shtëpinë e tij. Ai tregon se para se të nisej në fshat, i pat ftuar të gjithë të pranishmit ne dasmën e tij, ku Januzi kujton se e gjithë trupa kishte mbetur e stepur, pa i besuar edhe deri në momentin kur ishte ngritur në këmbë për të marë rrugën për në Staradran të Istogut.
“Më të vërtetë, përveç Ahmetit askush nuk më besonte që unë po martohesha”, tregon duke qeshur Januzi.
Januzi, tregon se si drejtori Miftari i kishte ofruar kombi-busin dhe shoferin për të shkuar në shtëpi, aty ku edhe arrin në orën dy pas gjysmës së natës, atëherë kur festa e natës së dasmës vetëm se kishte shkuar drejt fundit, për t’ia lënë vendin ditës që po vinte, marrjen e nuses.
“Meqë nuk kisha qenë për shumë kohë në shtëpi, një e afërme thotë se kush janë këta dy, kurse kafexhiu i thotë se nuk e di se kush janë por le të hyjnë në dhomë”, rrëfen Januzi, i cili që ditën e nesërme së bashku më të afërmit festoi martesën e tij.
Januz Beqiraj: Edhe sot e përcjelli krejt punën e Baletit
Pas luftës, ai ishte paraqitur dhe në dy shfaqje, të cilat ishin të mjaftueshme për ta kuptuar se mosha e tij për të ushtruar profesionin e balerinit, tashmë kishte kaluar. Ai më pas kishte ushtruar profesionin e profesorit në Shkollën e mesme të Baletit, si pjesë e Shkollës së Mesme të Muzikës “Prenk Jakova”. Januzi tregon se përpjekjet e tyre kanë qenë që krahas dijes, nxënësve t’u jepej dhe vullnet e disiplinë në punë. Lidhur me këtë ai tregon edhe një rast në një mbledhje ku drejtori i shkollës, AhmetBrahimaj, u thotë se profesioni i baletit nuk është aq i lehtë dhe kërkon shumë rregulla e përkushtim duke ua përmendur edhe rastin e tij se si nuk kishte qenë i pranishëm në dasmën e tij.
Januz Beqiraj thotë që tërë dijen dhe eksperiencën e tij është munduar t’ua trashëgoj nxënësve të tij, ndërsa tha për KultPlus se ndihet krenar me gjithë trupën e Baletit Kombëtar të Kosovës, të cilët thotë se kanë arritur, falë punës shumë aktive të drejtorit AhmetBrahimaj, i cili ka sjellë koreografë nga shumë vende të botës.
Ai thotë se ende e përcjellë punën e Baletit të Kosovës, dhe se atje shkon ta shoh çdo premierë të kësaj trupe, madje ai thotë se ka shfaqje të cilat i ka parë më shumë se pesë herë. Ai duke qenë se ka luajtur në skenë për njëzetë vite, sot thotë se e percepton dhe e vlerëson me shumë kujdes çdo lëvizje të balerinëve, madje vëmendja e tij shkon përtej balerinëve që shfaqen në rolet kryesore. Ai thotë se arrin ta identifikoj se sa ka arritur ta përvetësojnë rolin edhe balerinët që shfaqen me nën hije dhe prapa balerinëve kryesor. Januzi tashmë i përmbushur edhe me jetën e tij familjare, jeton si pensionist në Prishtinë./KultPlus.com