Fjala e profesorit Jashar Kabashi me rastin e promovimit të librit “Saga e shkronjave shqipe” të Agim Vincës.
Zonja e zotërinj dhe studentë të dashur, mirëdita!
Për mua është nder që më është dhënë rasti të jem me ju sot, në këtë auditor madhështor në Universitetin “Ukshin Hoti” në Prizren, ku unë përfundova semimaturën (klasën e tetë të Shkollës tetëvjeçare) në vitin 1955 dhe Shkollën Normale.
Sot na ka tubuar të gjithëve botimi i librit të profesor Agim Vincës, “SAGA E SHKRONJAVE SHQIPE (KONGRESI I MANASTIRIT: TË THËNA DHE TË PATHËNA) për Kongresin e Manastirit, që u promovua në Shkup kohë më parë, me ç‘rast qeshë edhe unë prezent.
Agim Vinca është pa dyshim njëri ndër poetët më të mirënjohur bashkëkohorë shqiptarë, dhe njëri ndër studiuesit e krijuesit më të dalluar të letërsisë shqipe, por jo vetëm, meqë ai shquhet edhe në shumë fusha të tjera: kritik letrar, teoricien i letërsisë, publicist, përkthyes nga gjuha frënge në gjuhën shqipe dhe intelektual e reagues i guximshëm ndaj fenomeneve të ndryshme shoqërore, politike dhe kombëtare në periudha të vështira për popullin shqiptar të Kosovës dhe më gjerë.
Libri për të cilin po flasim sot, për mua është një enciklopedi e vogël për zanafillën, historinë dhe prapaskenat e Kongresit të Manastirit, me ç’rast u dha një mesazh i fortë për pajtim kombëtar, ngaqë sundimi gati 5 shekullor i Perandorisë Osmane kishte lënë gjurmë të thella në jetën dhe mendësinë shqiptare. Duke u përcaktuar për alfabetin latin, shqiptarët treguan edhe një herë se jemi popull evropian.
Ajo çka e bën të veçantë këtë libër dhe fjalën e autorit të mbajtur në Shkup, nuk janë vetëm faktet, zanafilla dhe miratimi i alfabetit, por përshkrimi i këtyre ngjarjeve në mënyrë të paanshme dhe të mbështetura në fakte, lidhur me ndriçimin e kësaj ngjarjeje dhe për të thënat e të pathënat e delegatëve në këtë Kongres dhe miratimin e alfabetit, siç e thotë shkurt autori “ – një komb – një gjuhë – një alfabet – një drejtshkrim”.
Ky libër është edhe një reflektim i profesorit Vinca për këtë ngjarje të rëndësishme historike dhe për aktorët e saj kryesorë. Nga këndvështrimi i tij i paanshëm, ai ka rivlerësuar disa fakte që nuk janë thënë më parë. Ai ua jep mëritën disa delegatëve që nuk janë vlerësuar si duhet deri tani; dhe trajton një çështje tjetër të rëndësishme që askush nuk e ka prek deri tani – kompromisin që u arrit në këtë Kongres për zgjidhjen e çështjes së alfabetit.
Autori ka lexuar dhe ka analizuar me kujdes dokumente dhe studime të afro 50 autorëve për këtë Kongres, dhe ka gjetur ç‘kanë thënë dhe ç‘nuk kanë thënë të tjerët para tij. Ai është përpjekur të bëjë një sintezë të mendimit shkencor për këtë ngjarje.
Gjithashtu, ai ka vënë në dukje edhe disa çështje tejet të rëndësishme për arsyet e miratimit të alfabetit, që kishin fituar të drejtën e konkurrimit për një alfabet gjithëkombëtar: alfabeti i Stambollit, alfabeti i shoqërisë “Bashkimi’ dhe alfabeti i shoqërisë ‘Agimi’.
Prof. Vinca ndalet edhe në një pikë të cilën nuk e ka prekur pothuajse asnjë autor deri tani. Ai e vlerëson lart rolin dhe kontributin e rilindësit tonë të madh, Ndre Mjeda, i vetmi që kishte përgatitje të mirëfilltë në gjuhësi. Për rrezikun e dështimit të Kongresit, dhe për hir të kauzës dhe çështjes kombëtare ai hoqi dorë nga alfabeti i tij dhe sakrifikoi punën e tij 20 vjeçare për hir të interesit të kombit. Me veprimin e tij (tërheqjen e alfabetit të Agimit) Mjeda i dha vetes të drejtën e negociatorit ndërmjet dy palëve të konfrontuara: toskëve dhe gegëve, me qëllim që të ruhet balanca e marrëdhënieve jug – veri.
Njësimi i alfabetit të gjuhës shqipe ishte një akt jo vetëm kulturor, por edhe atdhetar, kurse Kongresi një ngjarje me karakter të gjerë kombëtar, që hartoi një program me kërkesa politike, kulturore, e të tjera, që përmbanin 18 pika, ndër të cilat njohja zyrtare e gjuhës shqipe dhe e kombësisë shqiptare, përdorimi i gjuhës shqipe në shkolla fillore në Shqipëri, themelimi i Shkollës së parë të mesme në gjuhën shqipe, Normales së Elbasanit, e cila filloi punën më 1909.
Me të drejtë thekson prof. Mahir Domi, “Kongresi i Manastirit i dha fund kaosit që zotëronte atëherë dhe prej tij u përpunua alfabeti që ne e përdorim sot, që s’ishte në atë kohë një problem i thjesht gjuhësor apo letrar, por edhe një problem i mprehtë politik.
Për mua, ky është një libër që e tërheq lexuesin dhe s’mund e lëshon nga dora pa e lexuar deri në fund, dhe për gjithë ata që e duan gjuhën shqipe dhe duan të mësojnë për miratimin e alfabetit të gjuhës shqipe në Kongresin e Manastirit. Të them të drejtën, nuk më kujtohet hera e fundit kur kam lexuar një libër kaq të mirë.
Me këtë rast i uroj profesor Vincës shëndet e suksese të mëtejshme në veprimtarinë dhe krijimtarinë e tij letrare dhe shkencore!
Prof. dr. Jashar Kabashi. / KultPlus.com