Sot shpaloset plani i Kompleksit Memorial “Adem Jashari” në Prekaz

Sot nga ora 18:00 mbahet në ceremonia e shpalosjes së propozimit fitues për zhvillimin e Master Planit të Kompleksit Memorial “Adem Jashari” në Prekaz.

Në këtë ceremoni do të flasin kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe përfaqësuesi i Familjes Jashari.

Ndryshe Kompleksi Memorial “Adem Jashari” gjendet në Prekaz – Skënderaj dhe ky vend i veçantë historik është ndërtuar për nder të Dëshmorëve të Betejës së Jasharajve më 5,6 dhe 7 mars të vitit 1998.

Duke marrë parasysh domosdoshmërinë e vënies në mbrojtje të kësaj zone me interes të veçantë, e cila ka rëndësi ontologjike, antropologjike, historike dhe kulturore për qytetarët e Kosovës, Kuvendi i Kosovës gjithashtu e miratoi Ligjin për shpalljen e Kompleksit Përkujtimor “Adem Jashari” zonë me interes të veçantë kombëtar.

Familja Jashari përfundon procesin e regjistrimit, stafi i ASK-së mirëpritet nga kryefamiljari Rifati

Po vazhdon procesi i regjistrimit të popullsisë.

Sot stafi i Agjencisë së Statistikave ishte tek familja e komandantit legjendar Adem Jashari.

Ata u pritën nga kryefamiljari, Rifati.

“Familja legjendare, Jashari ,përfunduan me sukses obligimin e tyre qytetar, e gjatë procesit nuk mungoi mirëpritja nga ana e tyre me ç’rast u falenderuan nga stafi i ASK-së për të cilët ka mbetur edhe shumë pak kohë deri në përmbylljen e këtij projekti”, thuhet në njoftim.

Regjistrimi i popullsisë ka nisur nga data 5 prill dhe përfundon më 17 maj.

Deri më tani raportohet se janë regjistruar 1.3 milionë banorë.

Gati në përfundim të mandatit të tij si drejtor i Filharmonisë, Jashari pritet nga Ministri Çeku

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, ka pritur sot në takim profesorin dhe dirigjentin Baki Jashari i cili po e përfundon mandatin e tij si drejtor i Filharmonisë së Kosovës.

Ministri Çeku dhe drejtori Jashari bashkë diskutuan për punët e angazhimin e këtij të fundit në institucionin më të lartë të muzikës në vend.

“Ministri e falenderoi për kontributin e tij jetësor në skenën e muzikës klasike dhe atë 18 vjeçar në forcimin e institucionit të Filharmonisë”, thuhet në njoftim.

Deri në shpalljen e konkursit të rregullt, si ushtrues detyre i drejtorit të Filharmonisë së Kosovës është emëruar Dardan Selimaj, zyrtar i brendshëm i këtij institucioni, i cili poashtu ishte pjesë e takimit./KultPlus.com

‘Ademi e Hamza janë dhe do të mbeten në zemrat e gjithë shqiptarëve’, përgjigja që Besarta thotë se do të duhej t’ua jepte ushtarëve serbë

Besarta Jashari, vajza e Hamzë Jasharit, në akademinë përkujtimore për 26-vjetorin e Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës tregoi kujtimet dhe përvojën e saj nga sulmet e ushtrisë serbe që pati familja Jashari në vitin 1998.

Ajo tha se darkën e fundit si familje e patën më 6 mars të vitit 1998.

“6 mars 1998 si sot, nëna Feridja e nxori bukën nga furra dhe filloi të na ndante të gjithëve nga një copë, mbaj mend se shumica ishin gjallë dhe ishte hera e fundit që hëngrëm darkë në atë shtëpi. Në atë darkë nuk e di si kemi ngrënë, nuk e di çka kemi folur, apo kemi folur gjatë”.

“7 mars të vitit 1998, nga baba Shaban dhe babushi nuk kishim informacion, por këngën e babushit nuk e dëgjoja më, dikur edhe bali Adem u vra. Tankat e armikut u afruan shtëpisë, predhat shpërthyen muret e dhomës ku ishim, duke lënë të plagosur Hidajetin, Kushtrimin dhe Blerinën ndërsa unë nuk kisha asnjë plagë, të gjithë të tjetër mbetëm të vdekur”, ka thënë Besarta.

Ajo tha se posa kishte dalë kishte hasë në dy ushtarë serbë që kishin shtënë në drejtim të saj.

“U ktheva nga hyrja e shtëpisë, kur mbërrita te Hidajeti dhe Blerina nuk e gjeta Kushtrimin, i cili ishte vrarë duke luftuar pas meje. Blerina më kërkoi ujë, në momentin që u ngrita t’i marrë ujë, armiqtë kishin filluar të gjuanin bomba dore, duke vrarë edhe Hidajetin dhe Blerinën”.

“Pasi më morën nga shtëpia ata flisnin unë nuk i kuptoja, derisa erdhi një ushtar armik që dinte shqip, ata më pyetën: ‘Ku janë Ademi dhe Hamza?’. Sot e di si do të duhej përgjigjur Ademi e Hamza janë dhe do të mbeten në zemrat e gjithë shqiptarëve”, ka thënë Besarta. /Klankosova.tv/ KultPlus.com

Kryeministri Kurti kujton 26-vjetorin e sulmit kriminal serb mbi familjen Jashari

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka përkujtuar ditën e 22 janarit të vitit 1998, kur njësite të policisë së Serbisë, e kryen aksionin e dytë kriminal mbi familjen e Shaban Jasharit në Prekaz të Poshtëm të Drenicës.

Kryeministri Kurti ka thënë se policia e Serbisë kishte planifikuar çdo gjë për këtë sulm, përveç faktit që familja Jashari nuk dorëzohej para asgjëje.

Më poshtë është shkrimi i plotë i Kryeministrit Kurti për Familjen Jashari:

Atë ditë të enjte, rreth orës 05:25 të mëngjesit, policë të njësiteve speciale të Serbisë që ishin stacionuar në fabrikën e municionit në Prekaz, nisën një aksion të rrufeshëm mbi shtëpitë e Shaban Jasharit. Duke dashur t’i zinin në befasi, synonin t’i arrestonin apo edhe t’i vrisnin dy djemtë e Shabanit: Hamzën dhe Ademin, por pa e kursyer askënd. Kishte gjashtë muaj që policia e vëzhgonin edhe me kamera 24 orë shtëpinë dhe familjen e Shaban Jasharit, prej nga pothuajse gjithçka ishte planifikuar në shërbim të këtij aksioni.

Kishin menduar t’i shfrytëzonin ditët e muajit të Ramazanit kur agjërohet, për çka kishin sulmuar pak minuta pas syfyrit, kur pas këtij vakti të ngrënies njerëzit janë në gjumë. Në mesnatë e kishin ndërprerë energjinë elektrike dhe linjat telefonike. Kishin mobilizuar njësite speciale të policisë të trajnuara për aksione speciale dhe të armatosura me armë kalibrash të rëndë. Por nuk e kishin planifikuar vetëm një gjë: që Shaban Jashari me familjen e tij nuk dorëzohej, sepse ishte i armatosur edhe me armë zjarri edhe me armët e idealeve të lirisë, të guximit për të luftuar dhe për të jetuar në liri sipas traditave shqiptare.

Aksioni filloi me tri predha të hedhura nga distanca: një në dyer të oborrit, një në ahur dhe një në oborr. Pastaj një seri predhash dhe rafale plumbash u shtien në drejtim të shtëpive të Shaban Jasharit, duke ndriçuar në errësirën e atij mëngjesi të hershëm dhe të ftohtë të janarit, në fshatin e terrur pa rrymë elektrike. Ademi nuk ishte aty, kishte qëlluar te daja i tij Osman Geci në Llaushë. Nën dritën e zjarrit të stufës në odë, Shabani me tre nipat e tij, Fitimin (17), Kushtrimin (13) dhe Besimin (16), i mbushën armët dhe nisën të rezistojnë.

“Derisa i kanë thyer dyert e kanë shtirë prej së largu, kam pritur dhe nuk kam reaguar, por kur e pashë se janë kah ma rrënojnë shtëpinë dhe kah m’i vrasin të gjithë anëtarët e familjes, atëherë kam nisur të shtie. Gjithkush do ta mbronte pragun e vet. Tjetër shtëpi nuk kam, e kam vetëm këtë, prandaj pragun e shtëpisë do ta mbrojë.” Kështu i tha po atë ditë Shaban Jashari gazetarëve Hamide Latifi dhe Sabit Istogu.

Në anën tjetër të oborrit, nga dritaret e thyera prej sulmeve, Hamza luftoi me automatik dhe duke hedhur disa bomba dore në drejtim të policëve që kishin hyrë në oborr. Nëna Zahide me gratë dhe fëmijët, po mbroheshin brenda në shtëpi, siç rrëfeu më pas ajo vet: “Ishim duke u bërë gati të flejmë pas syfyrit, kur përnjëherë oborri u zdritë edhe nisën krismat. U mblodhëm me fëmijët dhe gratë dhe u strehuam në një dhomë. Dy mbesa më janë plagosur, por shpëtuam nga vdekja.” Atë ditë, plumbat e policëve serbë i qëlluan duke i plagosur Selvete Hamëz Jasharin (20) në shpinë dhe Iliriana Rifat Jasharin (25) në dorë.

Gjithçka ndodhi brenda gjysmë ore, deri në ora 06:00 kur policët nisën të tërhiqeshin me të plagosur mes tyre dhe duke lënë pas në oborrin e shtëpive të Shaban Jasharit predhahedhës dhe municione. Në tërheqeje e sipër, policia shtiu dhe e vrau Hysen Manxhollin, një 55 vjeçar nga fshati Mikushnicë, e i cili po shkonte në punë në fabrikën e tjegullave në Skënderaj. Dy ditë më pas, më 24 janar, Hysenin e varrosën në Mikushnicë 20.000 njerëz. Autoritetet shtetërore të Serbisë heshtën për vrasjen dhe plagosjet, duke e aktivizuar propagandën për “terroristët shqiptarë” që e kishin sulmuar policinë dhe që pastaj kinse ishin tërhequr në shtëpinë e Shaban Jasharit prej ku kishin rezistuar.

Që nga paradita e 22 janarit, mijëra njerëz i shkuan për vizitë Shaban Jasharit në shtëpinë e tij, duke e ngushëlluar për mbesat e plagosura dhe dëmet materiale, si dhe duke e mbështetur për rezistencën. Dhjetëra reportazhe gazetash dhe kronika televizive u realizuan në ditët në vijim duke e dëshmuar të vërtetën e atyre ngjarjeve. Ky aksion i policisë së Serbisë ndaj familjes së Shaban Jasharit, erdhi plot 6 vite pas aksionit të 30 dhjetorit të vitit 1991. Ndërsa vetëm një muaj e gjysmë më pas, më 5, 6 dhe 7 mars 1998, mijëra policë dhe ushtarë të Serbisë e kryen aksionin e tretë dhe më fatalin në Prekaz, duke i vrarë 20 anëtarë të familjes së Shaban Jasharit nga 59 sa u vranë gjithsej ato ditë në Prekaz. Pas kësaj, lufta e Kosovës u bë një gjendje e pakthyeshme pas sikur edhe rezistenca e armatosur deri në çlirimin e Kosovës.

Sot bëhen 26 vite nga aksioni i policisë serbe në Prekaz dhe rezistenca e familjes së Shaban Jasharit. I kujtojmë këto ngjarje sot dhe në çdo përvjetor, sepse janë kapituj historie në rrugën e gjatë të shqiptarëve për t’u çliruar nga Serbia dhe për të jetuar të lirë në Kosovë!/KultPlus.com

I riu nga Vlora pikturon pesë figurat historike të kombit shqiptar, në mesin e tyre edhe Adem Jasharin

I riu nga Vlora, Bledar Cakalli ka pikturuar pesë figurat historike të kombit shqiptar.

Por ajo se çka është e veçanta e këtij pikturimi është figura e Adem Jasharit.

 Në Vlorë tek  “Uji i ftohtë”, Bledari pos Adem Jasharit ka pikturuar edhe figurën e Gjergj Kastriot Skënderbeun, Ismail Qemalin, Isa Boletinin dhe Muharrem Rushitin e Çamërisë.

23 vjet nga sulmi i dytë në familjen Jashari

Pikërisht më 22 janar 1998 në orët e hershme të mëngjesit, nga Fabrika e Municioneve të Gjuetisë, rreth 500 metra larg shtëpive të lagjes Jashari, kishin lëvizur forca të policisë serbe, të cilat ishin drejtuar kah Kulla e Jasharëve, për të sulmuar ata.

Atë natë të trishtë Adem Jashari nuk ishte në shtëpi, por rezistencë sulmit i bënë Hamza dhe Shabani, bashkë me anëtarët e tjerë.

Sulmi i tretë i Serbisë në familjen Jashari kishte ndodhur më 5 mars të vitit 1998 ku pas një lufte që kishte zgjatur tri ditë, kishin rënë heroikisht 59 anëtarë të familjes Jashari, përfshirë edhe komandantin legjendar të UÇK-së, Adem Jasharin.

Me këtë rast Komuna e Skenderajt së bashku me shoqatat e dala nga lufta e UÇK-së, do të bëjnë̈ homazhe në shenjë nderimi për heroizmin e jashtëzakonshëm të familjes Jashari. (Kompleksi Memorial “Adem Jashari”, në Prekaz, ora, 10:00. / KultPlus.com